Thursday 15 May 2014

Përmendore Poetike kushtuar Sali Çekajt





Përmendore Poetike kushtuar Sali Çekajt


  ( Emërtuar: "Puhizë mbi KOSHARE")


Para disa kohësh u botua libri më i ri poetik, kushtuar veprës dhe jetës së heroit Sali Çekaj.

Ky personalitet enigmatik, është protagonisti kryesor, jo vetëm i librit dhe poezive por edhe i luftës së Koshares të cilën ai me germa të arta e radhiti në histori, kurse ajo e ngriti atë në Hero të atdheut dhe kombit përgjithmonë.

Përveç ndihmesës në përgatitje dhe strategji  luftarake, Sali Çekaj u dallua edhe si njëri ndër udhëheqësit kryesor të saj, i cili bashkë me heroin Agim Ramadani e drejtuan me shumë sukses këtë betejë çlirimtare.

Aty, me ushtrinë e tyre të lavdishme çlirimtare,  mundën serbët në përballjen frontale për ti dëbuar ata njëherë e përgjithmonë nga trojet tona heroike.

Që prej invadimit të dhunshëm serbë, tokat tona ishin masakruar me prerje cezarike, duke ndarë dhunshëm mes për mes vatra e familje, fusha e male, shumë rajone dhe atdheun tonë më dysh.



Ndaj, Trimat u nisën nga majat më të larta, ku do të shkruhej piedestali i historisë sonë më të re kombëtare-prej Koshares heroike, për zhbërjen përgjithmonë të kufirit shqiptaro-shqiptar, i cili mëse 80 vite para betejës ishte vendosur atje me forcë nga Serbia, ku do të mbahej  po ashtu dhunshëm në qindra kilometra gjatësi, duke ndarë Kosovën nga Shqipëria dhe shqiptarët në disa shtete.

Kështu që, edhe autorët e vargjeve të kësaj përmendoreje poetike, për ngritjen e një “lapidari” poetik, sa më ndriçues e historik me rreshtat e zgjedhur nga poezitë e tyre, skalitën dhe pikturuan aq mirë figurën përkujtuese të heroit, me materialet më të mira  shpirtërore që kishin, të cilat pa mëdyshje do tu qëndrojnë kohëve e viteve, e le të shpresojmë edhe shekujve në të ardhmen.

Secili dha maksimumin nga vetvetja dhe përmbajtjen më të mirë  të mundshme që kishin, nga potencialet e tyre krijuese të vjershërimit, duke filluar me poetin e mirënjohur kombëtar Visar Zhiti, me të cilën edhe fillon valëvitja e kësaj puhize dhe këtij Libri-Përkujtim.



Ai në poezinë e tij " Ploja në Kosovë" Dardanin tonë të vjetër do ta  quaj;



"Fushë e madhe e dhembjes.....



e cila sipas poetit;



mblodhi tragjeditë e Ballkanit....

të gjallëve e të vdekurve....



për ta vulosur domethënien e vargjeve të zgjedhura nga rreshtat e fundit të poezisë ku shprehet plot ngazëllim se si:



"Liria e Kosovës sot është kryeliria e botës"



Autorja e radhës, Ajete Povataj, fatin e  atdheut e lidh me bëmat e figurës kryesore të luftës dhe fitores e cila që në titull të poezisë, heroin e quan "Legjenda e kroit të Dardanisë" ndërsa emrin e tij e pikturon të dubluar, si;





"dashuri për atdhe" dhe "dashuri për liri",



patriotizmi i të cilit, thotë se-qëndron mbi malet e Kosovës.



E përmasat admiruese ndaj tij, përpiqet ti shtyjë e përforcoj më tej edhe Ali Alidemaj në poezinë "Heroi i Kosovës“ ku për Sali Çekajn ,thotë se;



"jeton në çdo zemër ,

në çdo shtëpi"



për të vazhduar me Agron Tolajn, i cili që nga burgu i Nishit në prillin e vitit 2000, heroin tonë të shtrenjtë do ta emërtonte si;



"Udhërrëfyes të Lirisë"



Megjithëse titujt dhe fjalët e radhitura në Poezitë e Zgjedhura të Autorëve, mundohen të jenë të ndryshme nga njëra tjetra, domethëniet e tyre flasin të njëjtën gjuhë, dhe sikur të gjitha përnjëherë ledhatojnë barabartë dhe aq përmallshëm heroin, gati me të njëjtat ndjenja prekëse duke ia thënë pothuajse të njëjtës këngë lavdie, për bëmat e veçanta të tij.



Madje, poeti Ali Berisha, do të shkoj edhe më tej, duke personifikuar ndjesitë e tij shpirtërore me gjuhën e personazhit, me ç`rast na bëhet sikur vet Sali Çekaj, me gojën e tij, thotë këto fjalë;

"Rashë unë që t`ia shtoj  luftës krenarinë dhe Namin historisë së atdheut".

Pra, secili autor përpiqet që heroit t`ia ngrejë sa më lartë shkëlqimin, përmes zgjedhjes së fjalëve më tingëlluese dhe porosive më ndriçuese që ata kanë dhe dinë.

Me një shembull kësisoj na vjen edhe Arif Molliqi, apo njëri nga përpiluesit e kësaj vepre, ,i cili mes tjerash në poezinë,"Te rrasa e zogut" shprehet:



"Aty ku rrasa e zogut ju pret

.............................................

"Vjen Zëri i Sali Çekajt dhe thirrjet e frymëzuara të Agim Ramadanit",



të cilët, sipas autorit, i betohen;



" Të Bukurës Kosovë"  se, "Ne lindim dhe vdesim për Ty"



Ndaj, njëjtë si populli, vuajnë edhe poetët, për të drejta dhe liri, në vendin ku ata nuk mund të mbijetonin pa heronjtë e tyre.

E kush më mirë se një bir i një familje të dëbuar si vëllai ynë çam-poeti  Bardhyl Maliqi, do ti vërtetonte këto me vargjet e dalura nga shpirti i djegur dhe lëkura e rënë 9 herë, e një populli dhe pjese të madhe të kombit tonë si çamët, të dëbuar me zjarr e hekur para mëse 100 vitesh-nga grekët, pa të drejtë kthimi në tokat e tyre ku jetuan gjyshër e baballarë, për të parë e shijuar, sadopak atdhe të ndaluar-çam?!...

Ai edhe në Poezinë e titulluar  "Paturpësisht jetoj pas teje"e fton plot dhembje e nostalgji- heroin që atë dhe gjithë të dëbuarit çamë, ti thërrasë në zgjim dhe frymëzoj për lirinë e Çamërisë, duke ua përkujtuar besën të cilën ata kishin dhënë për trojet e tyre, dikur:

"Ngrihu o im vëlla Sali Çekaj se të pret  Çamëria"

"Vjen e troket në portën time çame dhe më thua"

Zgjohu burrë i dheut, ku e ke besën për trojet e tua"



Kurse,autori Beqë Lokaj në poezinë" Para lapidarit të heroit" shprehet se:



"natën e luftës, "ecnin së bashku Krisma,Kënga dhe vdekja".



Derisa,Bilall Maliqi në poezinë  "Pavdekësia" është i bindur se ishte heroi ai i cili:



"Në udhët e idealit,

çeli portën e guximit"



Për të cilin,Bujar Salihu, në poezinë "Parakalimi i majave" sikur ka dëgjuar;



" natën e fundit u foli burrave

Nesër do të hym në Deçan

Një flamur për ti lënë Jusuf Gërvallës..."



Ndaj,Dan Gashi me poezinë "Në Koshare" pas gjithë këtyre vuajtjeve dhe peripecive, na njofton se:



"Në Koshare u hoq guri

U derdh gjaku u ngrit Flamuri"



Vend ku sipas Emrush Lokajt te poezia "Rrasë Koshare"çdo gjë ishte bllokuar,dhe nuk vuanin më vetëm njerëzit nga ndalim-ndarja me kufi, por;



"ishin mërzit dheu e lisi

në Shqipni t`vjetër me shkue"



Rrugët e mbyllura të atdheut, mundi ti çelte vetëm një prijës epoke si Sali Çekaj, për të cilin poeti Faruk Tasholli në poezinë "Një kuvendim me Salih Çekajn"shprehet plot pietet:



"Përmes gjethesh rënë përtoke

Krah njeriu, prijës epoke".



Kaq të mëdhenj pra- ishin heronjtë e Koshares sa që sipas poezisë së Fran Tanushit "Atë ditë".ata:

"Më 9 prill të vitit 99"  

"Kodin e tmerrit deshifruan"

Për ç`shkak edhe autori i këtyre rreshtave i ekzaltuar nga mundja ballë për ballë e armikut në betejën e lavdishme të Koshares, me gëzim grish në "iso ",të gjithë bashkatdhetarët të këndojnë  një strofë të zgjedhur nga poezia "Heroit të Koshares" si këngë fitimtare:;


Kur Saliu me Agimin                                                                                                                                        Mundën gjakatarët

Qiell dhe Tokë e atdheut                                                                                                                           Gëzuan me shqiptarët"



Ashtu si në çdo luftë e betejë, fitorja me gjithë tërë sublimitetin e saj, për fat të keq, nuk pati vetëm këngë e gëzim, por edhe gjak e varre, për të cilën u dashtë të paguhet një çmim tejet  i lartë, përfshi edhe vet jetën e dy heronjve kryesor të saj.

Këtë,në poezinë "Dragoi Kosovar", na e kujton Halil Fazliu,i cili për rënien e Sali çekajt,do të shkruante:



"Dhe pikat e gjakut aty i lëshove

E pastaj ato fluturuan në amshim"



Kurse Haxhi Vokshi, heronjtë i do ende të gjallë, dhe në rreshtat e poezisë "Takim me Luftëtarët e lirisë" sikur takohet personalisht me ta dhe  imagjinon:


"Folëm për teoritë e luftës .....

...... për lirinë"



Me një nuancë pak më ndryshe, në përshkrimin e realitetit na vije poeti dhe intelektuali i mirënjohur Kërçovar Ilmi Veliu,i cili në vargjet e Poezisë "Me kokën lart" gërsheton historitë mitike me qëndrimin e burrëror dhe të pa epur të heroit:

"Kryelartë në shumë beteja.....

 ... u bëre Kala:Gurë mbi gurë"

............................................

dhe kur të mori plumbi

me kokën lart si burrë"



Ndjesi edhe më të thella malli e krenarie për Sali Çekajn do të shprehte miku i tij, Islam Sadiku,në poezinë  "Pranë Salihut"i cili heroin e portretizon edhe me fuqitë fluturuese të legjendës dhe simbolikës së lindjes e zbardhimeve mëngjesore mbi lartësitë e qiellit;



"Të gjeta në Koshare

Madhështia jote i ngjitej Diellit

Dhe Agimeve të Pavarësisë"



Relikti imagjinar, vazhdon edhe me poezinë e Liman Zogajt"Kur gjaku bëhet liri"i cili shton se:



"Kosharen e zuri oshtima

kur shqiponjat

U bënë yje mbi gur"



Pasi që, sipas Maxhun Smajlit, tek poezia, "Dialog me luftëtarin e lirisë" heronjtë tan u ngjitën:



"Atje ku vdekja vjen me shpejtësi

Për tu takuar me luftëtarët e lirisë"



Rrezatimi i të cilëve sikur zmadhohet edhe më tepër në poezinë me titull "Ai n`hapa kolosal" nga Mentor Thaçi,i cili me krenari shpjegon se si:



"Kolosi në Belle

me një palë krahshtrirje

mban Rugovë

mban krismën në Koshare"



Ndërsa Murteza Osdautaj, në poezinë "Baladë e vonuar", shprehet kështu për të rënët;



 "Erë blinjësh jeni bërë,frymë lirie

Vargje legjendash si zë kënge

............................. luftëtar"



Ngase Heroi ishte i atillë që

"Syri nuk i trembej kurrë,...

nga fjalët e të cilit lëkundej edhe guri"

Ndaj, në shenj respekti, Jashar H.Selmanaj, në poezinë "Arkitekti i luftës"

për heroin shpjegon se ;

"Në zemër ai kishte të qëndisur një flamur."



Kështu, stil kulmor i përshkrimit të veprës historike mbi heronjtë e Koshares, për nga përmbajtja dhe metaformizmi i një kronike kohe të kthyer në legjendë bashkëkohore, përjetohet më së ndjeshmi në vargjet e poetit të mirënjohur, Musa Jupolli, i cili në Poezinë "Sali Çekaj i Dardanisë" në mes tjerash apostrofon

" Kosharja në Kushtrim

.........................................................

Brigada 134 në kujtesë të historisë

..................................................

Sali Çekajn e Agim Ramadani,në bashkim të Shqipërisë........................"



Ndërsa, Naim Fetaj në Poezinë "E diela pa te" kështu shpreh,dhembjen,vuajtjet dhe mallëngjimin e pafund për rënien e heroit:


"Retë pikëlojnë pranverën

E dhembja lotët shkund"

E diela pa të

Qenka shumë e rëndë"



Derisa në anën tjetër ,poeti Naim Kelmendi i përveç shprehjes së gëzimit për fitoren në betejën e Koshares,në poezinë e titulluar, "Mundja e përbindëshave" numëron edhe vuajtjet nën okupim:



"Miliona orë terri në robëri

Burgu mi ka rrufitur prangat"



Kurse Nazif Ramabaja,në poezinë "Komandanti SalihÇekaj", vlerëson lart vendosmërinë dhe vetit liridashëse të heroit, kurorëzuar me aktin më sublim të tij, sepse:



 "Ai nuk heshti

Kur ligjëroi e tha:

Këto bjeshkë s`kanë kufi

As nuk durojnë robëri"



Për të sqaruar me poezinë e Neki Lulajt,

" Te rrasa e zogut" se ai vend ishte;

" Fole ku fle e zgjohet trimëria"



Ndërsa, Nezir (Mexhit) Beqiri, në poezinë "Zëri i Koshares" porosinë e bashkëluftëtarit të Sali Çekajt, Agim Ramadanit e sheh si formë-kushtrimi:



"prej Koshares flet Agimi

dërgon të fala Karadakut

Nga Dukagjini i Dardanisë

I bëjmë roje Shqipërisë"



Pra,trimëria e heronjve të Koshares, jo vetëm se ka impresionuar shumë bashkëkombës anë e mban trojeve shqiptare, por të gjithë atdhedashësit sikur kënaqen deri në pakufi me përkëdheljet dhe frymëzimin që ata përjetojnë nga këto akte kaq sublime të shekullit XX, kudo që flitet shqip përfshi edhe shtetin amë Shqipërinë.

Këtë na e dëshmon Nikollë Loka, në poezinë e tij me titull "Ti ëndrrën na e mban gjallë", i cili nga vendlindja e tij e lirë, shprehet aq i entuziazmuar me aktin e heroit:



"Atdheut iu bëre dritë

e shpirtin e shndërrove në flakë".



Nga krejt ajo sa u tha deri më tani, pothuajse tek të gjithë autorët pa përjashtim, krijohet përshtypja se pa ndriçimin heroik të Sali Çekajt e Agim Ramadanit me fitoren e luftës në Koshare, nuk mund ti kthehej lavdia e humbur atdheut i cili për afro një shekull vuante nën terrin e robërisë.

Ndaj edhe okupimi mbi trojet dardane, u shkul me rrënjë bashkë me gurin që ndante atdheun dhunshëm mbi koshare, aty ku heronjtë tanë, përfundimisht bashkuan tokat shqiptare.

Kujtimet për Sali çekajn, do ti evokoi me shumë dhembje edhe aktori ynë i mirënjohur, Nimon Muçaj, i cili në poezinë me titull artistik dhe domethënës "Pranverë e këputur në koshare"na sjell si dëshmi, një fragment mjaft prekës nga ditari i heroit, shkruar më datën 15.03.1999,apo vetëm rreth një muaj,para rënies së tij,ku Sali Çekaj,i mbushur me vërshimin e shumë kujtimeve,habitet dhe pyet:



" Çka nuk më përkujton kjo ditë "pranvere"

ku do ti pres ditët e ardhshme?"



Ndaj,i prekur thellë nga përmbajtja thuajse paralajmëruese e kësaj fraze, për fatkeqësinë që së shpejti do të godiste mbi heroin, aktori gufon plot dhembje;



"Gurkufiri....ka rënë përmbys",



por...



"........te gurishta ishte pusia"



e cila mjerisht nuk i dha më shumë kohë heroit, sesa para vdekjes të urdhëronte:



"Mos i lëshoni pozicionet"



dhe

"racionin e fundit ,t`ia linte ushtarit"

ngase

 "çetina shkundet e dëbora përgjaket"



E kjo nuk ishte vetëm vuajtja e një personi,por edhe dhembje e madhe që vret ende sot, një mynxyrë e pa-zbërthyer as për vet aktorin, i cili ishte më tepër se dashamirë i përzemërt i heroit.

Kështu,gjatë udhëtimit nëpër faqet e këtij libri, ne arrijmë deri te vargjet e titulluara "Nën rrezen e një përmendoreje" të Pal Sokolit, i cili përshkruan peshën e kufirit të huaj, që na rëndonte të gjithëve mbi qafë, por heroi e përjetonte atë më rëndë se të tjerët, ndaj ai me gjak do ta hiqte prej andej.



"Me shekuj mbi qafë i rrinte,

peshë e gurziut kufi" ............

..............................................

 të cilin,

"Me gjak na bënë të ngulitur

me gjak e hoqe ti"



Për këtë akt sublim, heronjtë tanë pranuan edhe çmimin më rëndë ta mbartin mbi vete si qefin të bardh mbështjell rreth koke, traditë nga malësorët kreshnik të kohës që dikur mbanin harxhimet e vdekjes me vete.Ndryshe  nuk do të arrihej liria, me gjithë dhembjen e madhe që ne ndjejmë për ta.

Ndaj, mallin për rënien e tyre e shpreh edhe poetja Rita Saliu, tek poezia e  titulluar "Në Koshare" me fjalë përvuajtësie:



"Sa e vështirë qenka Bacalok

Të jesh në Koshare pa Agimin dhe Saliun"



Me ç`rast, duhet ta theksojmë fort se nuk ka si të tingëllojë ndryshe dhe më prekshëm një shprehje e tillë sesa përcjellja e saj në mënyrën poetike, e cila shpesh herë  shpërthen  në përmasa e largësi,ku njeriu nuk mund të arrij kurrë?!.....



Një reflektim të veçantë të pezmit shpirtëror për flijimet e heronjve,shpreh edhe poeti Sabit Rrustemi i cili tek poezia "Atdheu është sall dashuri" shkruan me plot dëshpërim për vrasjen e tyre:



"Na i vranë djemtë në pritë

Lulediejt e lirisë

Shtigjet e pabesisë"



Ndaj kur njeriu lexon rënkime dhe dënesje të tilla që bëjnë të qajë gur e dru, vetëm liria e arritur, për të cilën ata u flijuan, flladit sadopak plagët shpirtërore të shqiptarëve të cilat edhe pas kaq vitesh ende nuk gjejnë shërim as qetësi.

E lotët vazhdojnë të bien, edhe lapidarët kanë ulur kokën e qajnë, si në poezinë "Para Obeliskut" të Sadik Krasniqit, i cili shprehet:



"e pash heroin

ulur në një gurë

***************

me sy përdhe

qante

E dita pse...."



Për të cilin, poeti i mirënjohur Sejdi Berisha sipas poezisë me titull:

"Edhe në bronz qëndro krenar",thotë se ndryshe e njihte sa ai ishte gjallë;

"Posa kishe parë dritën e kësaj bote

Në sy kishe zjarr

******************

ndaj edhe pas vdekjes, ai nuk heziton ti bëjë thirrje atij;



Sikur të bekojnë nëna e toka

......edhe në bronz qëndro krenar"



Sali Çekajn, Skënder Zogaj në vargjet e poezisë "Dritë e përjetshme" e konsideron, edhe:

"Orfe... e

..përhapës i dashurisë ........"



Kurse,Sofe Sadrijaj Rizaj, në poezinë "Shqetësimi i Heroit":sikur kupton  gjendjen e tij dhe shprehet aq e brengosur ,sepse:



 "përmallur...

..dhembja e ka pllakosur

si në ditët

pas rilindjes së tij"



duke vënë në zgripc të tendosjes lexuesin, që edhe ai të bëjë përpjekje për ta kuptuar arsyen e vuajtjes së heroit?!



Ndërsa në poezinë "Amaneti i Sali Çekajt", Selman (B) Sylaj-t,shkruan:



"E kam hapur një tokë të re...

.............. me emrin Koshare"

"......Për Kosovën

për Shqipërinë......"



Derisa, Shaban Cakolli në poezinë e tij "Ushtari Dardan", për heroin Sali Çekaj,nuk kursen epitetet dhe shprehet me aq admirim:



"i madhi ushtari dardan

.......................................

Nga luksi i  mërgimit në atdhe shkove

...................................................

sot në emrin tënd frymon liria"



I cili,për të realizuar të gjitha këto vepra të mira për vendin dhe popullin e tij, përjetoi edhe trauma e shumë vuajtje të papërshkruara deri tek përballja sy-a me sy me vdekjen.

Ndaj,disa nga peripecitë më të rënda të tij, na i përshkruan poeti i nderuar Shefqet Dibrani, tek poezia "Vaji i Lokës", i cili,duke mos dashur ti harroj as vuajtjet e bashkëfamiljatrëve, që ndanë dhembjet dhe përjetimet e përbashkëta me heroin,na sqaron për aq sa lejojnë rreshtat e një poezie, se në ç`kushte ai duhej të vepronte për ta vizitu familjen dhe të afërmit, nëpër terr e fshehtësi në mënyrë që të mos dallohej nga armiku dhe bashkëpunëtorët e tij, për të cilin autori, ndër të tjera me dhembje shkruan:



"Vetëm natën djali kthehej me i pa...

..................................................

kur thirrte Nonen derën me ia hap

E ajo,



pa e ndezur llampen e ka perqafue"....

........dhe

....... çizmet i ka dath, kambet e enjtura ia ka mëkue.

...............................

por,

nona as dritën s guxonte me kall

............................ndaj, 

........është mërzit lotët faqeve i janë rrezue...



Dhe nga dëshprimi e dashuria e pashuar për ta parë djalin, me gjysmë zëri, Nona- do t i lutej Zotit:

...........................................

oh Zot qoje një vetëtimë, sa t`ia shoh djalit sytë

...........................................

për të fundit herë ..............,
************************************
Pasi që ti kesh kaluar gjithë këto përshkrime, malli,vuajtje e mundimi, bindesh se në këtë vepër monumentale edhe mozaiku i poezive, është i shumëllojshëm dhe vije nga  hapësira të ndryshme  mbarëkombëtare, duke përfshi jo vetëm treva e krahina por edhe shtete e kontinente. Një gjeografi e gjerë e pjesëmarrësve me autor shqiptar nga Vendi, Evropa dhe Bota.
Vet jeta e heroit ndahet në tri cikle apo në një trilogji veprimesh me aktet më magjike, të cilat e plotësojnë njëra tjetrën për të kulmuar me flijimin e heroit si sublimim i çdo arritje të tij. Pasi që në të gjitha dimensionet, rolet dhe aktivitetet, shkëlqen më bujshëm se në tjetrën, aq sa njeriu nuk di më se cilin ndriçim të tij ta radhisë të parin, ngase heroi është i gjithanshëm.
Ndaj nuk ishte rastësi, pse ndonjëri nga autorët e dëshpëruar, do të pyeste me shqetësim se kush ishin ato qenie misterioze të veshura padukshëm, që vendosën zënëpritat aty ku heroi do të binte.
E tillë ishte historia e tij, dhe deri më sot, shumë ngjarje mbetën si realiteti i frikshëm dhe enigma të pa-zbërthyera për një varg vdekjesh misterioze, pa dëshmitar as autor të vrasjes.
Megjithatë, për Kosovën dhe shqiptarët kudo, ai ishte dhe mbeti një hero i vërtetë, ndaj për figura të tilla dhe me kaq shumë virtyte,e gjejë mëse të qëlluar këtë porosi poetiko- autoriale:
"Për heronjtë duhet zgjedhur fjalët                                                          
 Shkrimet ,shprehjet dhe poezitë
Sepse siç i patën madhore veprat                                                                     
 Ata, të veçanta i kishin dhe trimëritë"
Pra,Sali Çekaj ishte njëri prej atyre heronjve, që përveç shkrirjes në bronz, meritonte qysh moti ngritjen edhe të një përmendoreje -arti e letërsie, e cila fal shumë krijuesve të përkushtuar, pas një pune të gjatë e të palodhshme të tyre, në Mars të vitit 2014, u realizua si vepër monumentalo-memoriale e shkrirë në poezi dhe ngritur si Puhizë mbi Koshare, në vendin historik ku ai realizoi aktin më sublim të jetës së tij.
Ky libër me poezi, edhe pse përmban disa forma monologjesh, të cilat nuk ishte e lehtë të deshifrohen dhe nxirren kuptime krejtësisht poetike, në përgjithësi ai është një pasqyrë e gjerë përkushtimesh shpirtërore, mbledhur anë e mbanë trojeve shqiptare, nga dhjetëra autor, koloriti i të cilës do të rrezatoj përjetë dhe shpreh porositë më të mira e sublime, njëjtë siç ndriçon vet jeta dhe vepra e heroit, plot lavdi.
Gani Qarri    Cyrih,Prill 2014


No comments: