Monday 23 June 2014

Çfarë mund të bëj njeriu



Çfarë mund të bëj njeriu               
Shkruar nga Viron KONA
“Përparimi është një kështjellë ku gjithkush vë një çiçkër gëlqere. Fillo detyrën tënde!”
                                                                                     Zarathustra

Në Skandinavi dhe, veçanërisht në Suedi, s`ka shqiptarë që nuk e njeh Sadulla Zendeli Dajën. Mbase, jo të tërë e njohin fizikisht, por emrin ia kanë dëgjuar, veprat ia kanë lexuar. E kanë njohur dhe e njohin Dajën si një atdhetar të shquar, poet, publicist, por, e kanë njohur dhe e njohin edhe si një mësues që ka  qenë nismëtarë për shkollën e parë shqipe në Suedi, si leksikograf që ka shkruar fjalorë të mrekullueshëm, duke mbledhur, qëmtuar e përzgjedhur, latuar e renditur me mjeshtëri e durim fjalët e gjuhëve suedeze dhe shqiptare e, duke ngritur me ato një ndërtesë plotë jetë, hapësirë  dhe dritë.
Mjafton të bësh me përfytyrim një retrospektivë të jetës dhe rrugëtimit të Dajës dhe entuziazmohesh, përjeton ndjenja të thella respekti për njeriun, mëson se çfarë është i aftë të bëj njeriu me zemër dhe shpirt të madh.
Episodet, ngjarjet që pasurojnë dhe i japin dritë jetës së Dajës janë aq të shumta dhe emocionuese. Fillojnë ato me jetën dhe punët që ai ka kryer në Gostivarin e bukur ku lindi dhe u rrit, motivet pse u largua nga vendlindja dhe mori rrugën e emigracionit, duke u stacionuar atje ku shigjeta e busullës tregonte Veriun  e largët, Suedinë, vendin që ka ofruar dhe ofron vazhdimisht demokraci dhe liri, ofron vlera dhe mundësi për të shpalosur bindjet, për t`u dhënë udhë dhe krah ëndrrave dhe dëshirave, për të zhvilluar ide, për të shprehur dashurinë dhe respektin për gjithçka të mirë dhe të bukur...
Episode nga më emocionueset i kanë ndodhur Dajës në Suedi. Episode që përbëjnë motive dhe fabula të shkëlqyera për romane dhe filma. Ka shkruar një libër të bukur Sokol Demaku për jetën dhe aktivitetin e Dajës. Edhe të tjerë kanë shkruar dhe do të shkruajnë. Daja është një minierë me pasuri të llojllojshme. Sa më shumë kërkon, më shumë gjëra të çmuara ofron shpirti i  tij i bukur, bota e tij e gjerë, që shpërndanë vlera të rralla shpirtërore dhe njerëzore, siç shpërndanë rubini rreze të arta drite.
xxx
Cilido që shkon në emigracion midis sendeve që merr me vete është doemos edhe një fjalor. Doemos duhet një fjalor për gjuhën e vendit ku do të shkosh. Pa një fjalorë, pa ditur gjuhën e vendit, mbetesh në mes të njerëzve si njeriu mes një pylli të dendur pa ditur se nga të shkosh. Ai fjalor bëhet udhërrëfyes, bëhet fener që të ndriçon rrugën.
Por, një fjalor është në radhë të parë produkt i një pune të  jashtëzakonshme shkencore, që kërkon njohuri të gjera dhe të thella, kulturë të lartë, vullnet, përqendrim dhe përkushtim të madh. Kur hartohen, fjalorët shndërrohen në pasuri të rralla të popujve dhe shteteve. Materiali i tyre nuk arkivohet, por është në përdorim të përditshëm, bëhet  njësh dhe shkrihet me jetën e gjithkujt.
Fjalorët krijohen nga njerëz me personalitet të ndritur, që kanë motive të fuqishme brenda vetes, që janë sa studiues e shkencëtar, edhe atdhetarë të mëdhenj, njohës të thellë të kulturave, traditave dhe të shpirtrave të popujve. Fjalorët janë dashuria, që lidh ngushtësisht dhe i bënë komunikuese e bashkëpunuese  gjuhët me njëra-tjetrën, ata afrojnë popujt dhe shtetet, duke qenë për ta të nevojshëm si ajri dhe drita, sepse, ata, janë vetë gjuha e folur dhe e shkruar, që ishte “pasaporta” e parë, por edhe mbetet “pasaporta” e përhershme e njeriut.
Në një njoftim të shkurtuar, shkruhet:
Fjalori i parë Suedisht-Shqip me 17.000 fjalë të përdorimit të zakonshëm, të zgjedhura e të përpunuara nga një fond prej 27.000 fjalësh, u botua për herë të parë më 1994, nga Agjencia Kombëtare Suedeze për Arsim (Enti për zhvillim i Suedisë). Autor i përkthimit dhe inkodimit është Mr.fil. Sadulla Zendeli Daja, Suedi, me redaktor Ullmar Qvick, Suedi, dhe Svijetllana Mihali, Shqipëri. Fjalori ka ndihmuar shqiptarët ta ruajnë me dashuri gjuhën amtare shqipe dhe të pengojë tjetërsimin e tyre gjuhësor. Fjalori ka pasur për mision të bëhet edhe mjet plotësues arsimimi për një shtresë të gjerë përdoruesish.
Fjalori i dytë Suedisht-Shqip me 28.500 fjalë të përdorimit të zakonshëm, të zgjedhura e të përpunuara nga një fond prej 54.000 fjalësh, u botua më 2004 nga Agjencia Kombëtare Suedeze për Arsim (Enti për Zhvillim i Suedisë). Autor i përkthimit dhe inkodimit është Mr.fil. Sadulla Zendeli Daja, me redaktor Svijetllana Mihali, Shqipëri, dhe Dr.prof. Shefkije Islamaj, Këshilltare Shkencore dhe përgjegjëse e sektorit të Leksikografisë në Institutin Albanolgjik të Prishtinës. Fjalori është bërë edhe mjet plotësues arsimi për një shtresë të gjerë përdoruesish, duke qenë present edhe në Internet në adresën “ Svensk-albansk lexicon ligger nu på ëebben tillsammans med de adra lexikcon online lexicon på adressen: http://ëëë-lexin.nada.kth.se/skolverket/lexi.shtml
Fjalori përmban numër të madh kuptimesh e ngjyrimesh kuptimore, sinonime, thënie e idioma. Ai përmban edhe 66 faqe fotografi tematike me ngjyra.
Fjalori i tretë për fëmijë me titull Fjalori im i parë 4 gjuhësh: Shqip-Anglisht-Italisht, nga autorja Meri Toçi. Versionin Shqip-Suedisht e ka përkthyer Mr.fil. Sadulla Zendeli Daja. Botoi Toena, Tiranë, 2011.
Fjalorin e katërt Shqip-Suedisht, me rreth 35.000 fjalë, e boton Shtëpia Botuese Toena në Tiranë më 2013…Autori i kësaj vepre leksikologjike shumë të kërkuar është Mr. fil Sadulla Zendeli Daja, Suedi. Redaktorët e këtij fjalori janë: Dr.prof. Xhevat Lloshi, Tiranë, Dr, prof. Shefkije Islamaj, këshilltare shkencore dhe përgjegjëse e sektorit të leksikografisë në Institutin Albanologjik të Prishtinës, Mr. Dalina Gurra, Suedi, dhe Mr. Suzanna Holm, Suedi. Me këtë rast dëshiroj  t’iu shpreh mirënjohjen time të sinqertë për ndihmën e vlefshme që dhanë, që ky fjalor shumë i pritur ta shohë dritën e botimit në Shqipëri. Për konsultime profesionale një ndihmë të pakursyer kanë dhënë: Albanologu Ullmar Qvick, Norrköping, Drejtoresha e Përgjithshme e Shtëpisë Botuese Toena, Znj. Irena Toçi, Fatmir Toçi dhe Lavdie Cenmurati. Dua të falëndeeroj Zt. Tomas Eriksson dhe Kenny Lindberg për ndihmën teknike në punën time me kompiuter. Botues i Fjalorit Shqip-Suedisht është Shtëpia Botuese Toena në Tiranë.
Nënshkruar: Sadulla Zendeli Daja
Për nivelin e lart shkencor të këtyre fjalorëve, flet fakti se në mbështetje dhe miratim të tyre janë personalitete shqiptare të gjuhësisë, akademikë dhe studiues, publicistë dhe shkrimtarë, si dhe është e dukshme pjesëmarrja dhe bashkëpunim i frytshëm i studiuesve dhe institucionit suedez të botimit. Ndërkohë që fjalorët pëlqehen për saktësinë, pasurinë e madhe të fjalëve, zbatimin e kritereve shkencore, thjeshtësinë në përdorim. Në këtë punë të madhe që ka bërë dhe bënë Sadulla Zendeli Daja me hartimin e fjalorëve, jo vetëm ndihet mendja dhe dora e studiuesit dhe gjuhëtarit të kujdesshëm dhe me njohuri të thella për të dy gjuhët shqipe dhe suedeze, por ai  ka krijuar tashmë një traditë, ka hedhur bazat shkencore të hartimit të fjalorëve dy gjuhësh shqip - suedisht, suedisht - shqip. Fondi i madh prej të 35 mijë fjalësh, saktësia e tërë materialit që sjellë fjalori i katërt,  si edhe tre të tjerët përpara tij, përbëjnë kontribut të madh shkencor në fushën e gjuhësisë, që doemos do të zgjojë edhe  interesimin e qarqeve shkencore.
Nderim dhe respekt, falënderim dhe mirënjohje të thellë për ty Sadulla Zendeli Daja, sepse ke kryer një punë kolosale, të cilën mund ta përballojë një Akademi Shkencore, ndërsa ti e ke kryer i vetëm në tempullin tënd të ndritur, atje në Oland, në ujdhesën e Diellit! Edhe sot, por edhe në të ardhmen, brezat që do të vijnë do të të jenë mirënjohës.



Nuk jam gjuhëtar i mirëfilltë, jam shkrimtar dhe, vlerësimet i bëj nisur nga ky kënd, por desha të them se, edhe si shkrimtar, fjalorët e Sadulla Zendeli Dajës, i mbaj në tavolinën time të punës, ato më kanë shërbyer dhe më shërbejnë, veçanërisht kur kam shkruar e shkruaj libra kushtuar Suedisë dhe bashkëkombësve shqiptarë atje. Fjalorët e Dajës, janë edhe për mua, si edhe, besoj, edhe për këdo tjetër, një shembull që tregon se çfarë mund të bëj njeriu që dëshiron t`i shërbejë jetës dhe shoqërisë, se si mund të motivohet bukur jeta dhe përditshmëria e saj, se si gjithçka që  bëjmë në këtë jetë, të ketë kuptim dhe vlerë. Për këto dhe të tjera, edhe personalisht, i jam mirënjohës Sadulla Zendeli Dajës, ndihem krenar dhe i lumtur që fati e solli të jem ndër miqtë e  tij. Faleminderit Dajë!
Për Dajën kam shumë për të shkruar, por, në vijim të këtij shkrimi po ndalem vetëm në dy-tri momente të krijimtarisë së tij, që kanë lidhje edhe me fjalorët. 
                   Hapat e para të  një rrugëtimi të gjatë
Kur një ditë e pyeta Dajën, sesi  kishte arritur të mësonte aq mirë gjuhën suedeze, ai, duke më parë me sy të  kthjellët e gjithë dritë, tregoi:
“-Punoja tek një firmë suedeze. Punoja shumë, ndërkohë kisha arritur të mësoja vetëm pak fjalë suedisht. Një ditë vura re se makina larëse, herë-herë, ndalte në pritje që të fillonte procesin tjetër automatik.  Në një çast të tillë, më shkuan sytë tek një faqe muri pranë meje dhe më lindi mendimi që, atje, çdo mëngjes, të ngjisja copa letre, ku kisha shkruar fjalë dhe shprehje suedisht, të cilat do t`i mësoja asaj dite. Kështu bëra. I ngjisja në mur letrat me fjalët dhe shprehjet e ditës dhe, sa herë që makina ndalte në pritje të fillimit të procesit automatik, unë hidhja vështrimin te faqja e murit. Duke vepruar kështu, thuajse çdo ditë, nisa të fiksoj fort në mendje dhe të mësoj fjalë e shprehje suedisht të përdorimit dhe komunikimit të përditshëm, që kishin lidhje me punën.
Një ditë, ato letra me fjalë e shprehje të shkruara, i pa pronari suedez i lokalit, Karlsoni dhe më pyeti:
         -Përse i ke shkruar ato fjalë dhe shprehje?
U zura ngushtë dhe nisa të shpjegoja se, ato, i lexoja vetëm gjatë ndalesave të shkurtra që bënte aparati automatik larës por, nuk abuzoja me punën.
Vura re se Karlsoni u habit dhe më thërriti në zyrë:
          -Dy orë në ditë, do të vish këtu në zyrën time dhe do të mësosh gjuhën suedeze. Ja ku i ke fletoret, lapsat, librat...
E falënderova dhe ngula këmbë që të mësoja vetëm një orë, jo dy orë.
         -Unë do t`i paguaj ato dy orë, - nguli këmbë Karlsoni.
         -Jo, vetëm një orë, - i thashë. Doja që të respektoja  pronarin, por, edhe shokët e punës.
Pronari ra dakord dhe, mua, m`u krijuan mundësi më të mëdha që ta mësoja gjuhën suedeze.
Disa çaste Daja ra në mendime, pastaj shtoi:
        -Kështu, mësimin e suedishtes e fillova nën kujdesin dhe vëmendjen e suedezit Karlson. Ai më ndihmoi në hapat e mia të para, të atij rrugëtimi të gjatë...
xxx
Krijon përshtypjen se është e mjaftueshme dhe e zakonshme që, një njeri, vetëm me përkushtim dhe me vullnet të madh si Daja, të arrijë të kryej përgatitjen dhe botimin e disa fjalorëve suedisht-shqip, shqip-suedisht, deri te ky i katërti me 35 mijë fjalë. Në pamje të parë, ashtu duket, por po të thellohesh, kupton se për hartimin e këtyre fjalorëve voluminoz dhe vlerë-shumë, janë dashur edhe  rreth 50 vite të tjera, që përfshijnë harkun kohor kur Daja nisi të mësonte fjalët e para suedisht në lokalin e suedezit Karlson e, gjersa të arrinte te 35 mijë fjalëshi, vepra e fundit e shumëpritur dhe e kërkuar nga njerëzit e thjeshtë e deri te akademikët, studiuesit e gjuhëtarët.
Në veprat e Sadulla Zendeli Dajës, e veçanërisht në fjalorët janë shkrirë dijet e shumta dhe kultura e gjerë e tij, shkollimi  dhe arsimi i tij në gjuhën suedeze, përfundimi dhe studimet e larta në universitetin e njohur të Upsalës, si dhe  në atë të Borasit; dhënia për më se tre dekada të gjuhës shqipe dhe suedeze në shkollën e qytetit Nybro, trajnimet e ndryshme në Suedi dhe jashtë saj, bashkëpunime me institucione të gjuhësisë në Suedi, Shqipëri e Kosovë e, mbi të gjitha, në atë vepër, është  vullneti, pasioni, këmbëngulja e këtij njeriu të talentuar, të veçantë e  të respektuar, që si çdo njeri i shquar, di t`i çojë punët e nisura deri në fund.
Si bleta nektarin
Po shkonim në Durrës dhe, në pritje të makinës, i propozova Dajës të uleshim dhe të pinim një kafe.
       -Si thua Dajë?
      -Me kënaqësi, - m`u përgjigj.
U ulëm në ndenjësen e një lokali të bukur dhe, teksa po rehatoheshim, e pyeta  në intimitet:
      -Si ndihesh? Me shëndet dua të them, sepse ti punon shumë.
      -Eh, ikën jeta! Ikin vitet dhe nuk kthehen më pas. As vitin, as ditën nuk mund t`i ndalim dot, por edhe nuk duhet t`i shpërdorojmë. “Nuk duhet ta humbasim kohën”, - thotë Ovidi, por, ta jetojmë dhe të bëjmë vepra që mbeten. Kam zgjedhur të ngrihem herrët dhe, kështu, dita më duket më e gjatë. Edhe jeta më duket më e gjatë, kam më shumë kohë të punoj.
         -Hajde, - më thërret vazhdimisht ime shoqe, - hajde se kaloi ora 12.00 e natës.
        -Erdha, erdha, - i them dhe vazhdoj punën time.
Gruan e zë gjumi. Edhe mua më merr gjumi dhe,  herë – herë, shtrihem pa kuptuar atje, te divani pranë kompjuterit. Befas, ngrihem përsëri, shoh sahatin që ka fluturuar disa orë, u hedh një ujë syve dhe vazhdoj të punojë. Sidomos, puna me fjalorët, më ka marrë shumë vite pune nga jeta. Kam qëmtuar pa pushim dhe kam mbledhur fjalët, si bleta nektarin, si mjeshtri, që vendos gurët një e mbi një, dhe ngre një banesë të re.
“Plot njëzetë vjet me zjarr fjalët mblodha,
Porsi bleta anekënd gumëzhova,
Njëqind e gjashtëdhjetë e një mijë fjalë bazë,
Suedisht – shqip e shqip-suedisht,
Me dëshirë të zjarrtë,
Mërgatës shqiptare ia dhurova”
Ditëlindja
Heshti disa çaste, më pa në sy, bëri buzën në gaz dhe tha:
           -Sa mirë  bëmë që u ulëm në këtë lokal. Do të qeras unë sot sepse kam ditëlindjen.
           -Ashtu! Urime Dajë, urime! –i thashë duke i shtrënguar dorën.-U bëfsh edhe 100 vjeç!
Pastaj, shtova:
          -Unë, o Dajë, e dija se ditëlindjen e ke tjetër ditë?
          -Ke të drejtë, por nuk bëhet fjalë për ditën e lindjes sime sipas kalendarit, por, ditëlindjen time të madhe, ditëlindjen e fjalorit 35 mijë fjalësh. Sot, atje te “Toena” fjalori u fut në shtyp.
          -E po urime edhe një herë, - i thashë i ngazëllyer dhe i emocionuar, duke e uruar me gjithë zemër Dajën, i cili,  ditëlindjen e tij e lidhte ngushtë me veprën e tij të madhe.
Bashkë me urimet, në ato çaste, në kokën time vinte ëmbël dhe natyrshëm fjala e urtë: Çdo vepër e madhe, ka nevojë për një finale të madhe”. Për një njeri si Daja, përfundimi i asaj vepre njësohej me  ditën e tij të  lindjes.
Pëllumbat e bardhë
Prill 2013. Do të largoheshim nga ujdhesa Oland, nga vendi ku Daja ka ngritur tempullin e tij të kulturës dhe atdhetarisë.
Përballë lokalit “Shqiponja”, si të donin të na përcillnin, u ulën një tufë e tërë pëllumbash. Ishte një pamje që të krijonte gëzim dhe emocion. Daja u fut menjëherë brenda, doli shpejt me një kupë në dorë dhe nisi t`u hidhte fara pëllumbave që lëvrinin në ajër rreth e qark dhe përpara këmbëve të tij. Ata kapnin farat me sqep, i gëlltisnin duke lëshuar tinguj të gëzueshëm dhe ngrinin kokat e vogla nga Daja që t`u hidhte fara të tjera.
Një copë herë u mor me pëllumbat. Ata, duke çukitur farat, jo vetëm nuk trembeshin nga Daja, por i afroheshin gjithnjë e më pranë, thua se do t`i qëndronin në supe dhe në duar. Zogjtë e ndjenin instinktivisht se, ai, ishte miku i tyre i afërt, ata ndjenin mirësinë që  ai shpërndante nëpër ajër e hapësirë, paqen dhe dashurinë.
         -Këtu ka shumë zogj, - tha Daja duke buzëqeshur –Ata, grumbullohen dhe, nga këto zona nisin shtegtimin. Gjatë fluturimit e zgjedhin rrugën me kujdes dhe e përcaktojnë drejtimin, sigurisht, pa hartë.
          -Ja, i shikoni këta  pëllumba? Këta, kanë arritur të gjejnë rrugën e tyre edhe kur ka ndodhur të shkëputen nga tufa. Pëllumbat, ashtu si edhe zogjtë e tjerë shtegtarë, mbajnë mend karakteristikat e tokës mbi të cilën fluturojnë, janë të pajisur me “busulla natyrale” dhe arrijnë pa vështirësi atje ku duan.
E shohë se ju u kënaqët me këtë pamje. Edhe unë ndjej kënaqësi të veçantë kur i shohë tek mblidhen kështu dhe kërkojnë të kalojnë me ne ndonjë vakt ngrënie. Janë miq shumë të mirë, - qeshi Daja dhe vijoi: -Si edhe zogj të tjerë, këta çukisin edhe insektet. Zbukurojnë natyrën me gjallërinë dhe fluturimet e tyre të bukura,  por edhe pastrojnë mjedisin. Veçse, është dikush, që nuk i kupton pëllumbat dhe vlerat e tyre.
         -Cili, o Dajë?- e pyesim.
         -Çuni, kështu e ka emrin macja që kam në shtëpi. Ajo nuk e kupton vlerën që kanë pëllumbat. Instinkti e detyron t`i konsiderojë ata si ushqim. Sapo i sheh, i sulmon. Po ta lë të lirë, ajo i gëlltit këta zogjtë të mrekullueshëm...Por, këtë, ne nuk e lejojmë.
Heshti pak dhe tha ankueshëm:
         -Nuk e kuptoj, çfarë ka Çuni! Ne nuk e lëmë pa ngrënë, madje e trajtojmë për mrekulli dhe, nuk i lëmë gjë pa plotësuar. Eh,  tamahqare e madhe është, ashtu si edhe...njerëzit.
Pastaj Daja e justifikon macen që e do shumë:
        -E po, Çuni, kafshë është, nuk është njëri.
Heshti përsëri dhe shtoi:
         -Kafshë është Çuni, vërtetë, por, askund nuk gjen të dytë si ajo. Hë? Si thoni ju?
U përqafuam me Dajën dhe makina u nis. Nga xhamat e dritares e përshëndetëm me dorë. Edhe ai po na përshëndeste me lëvizje të duarve. E, ndërsa ne largoheshim, vazhdonin të na shoqëronin sytë e butë dhe të mirë, të atij njeriu të urtë dhe paqësor, që tërë jetën ka shpërndarë mes njerëzve ngrohtësi dhe dituri, ka dashur dhe ka respektuar më të mirën dhe më të dobishmen, ka treguar dhembshurinë  e prindit për këdo, ka sakrifikuar përherë nga vetja, duke merituar vazhdimisht  respektin dhe dashurinë e mijëra bashkëkombësve shqiptarë dhe mirëpritësve suedezë.
Të përfshirë në emocionin e ndarjes, teksa na flladitnin erërat e Baltikut, vazhdonim të  përshëndetnim bashkë me  pëllumbat e bardhë, edhe jetën dhe veprën e njeriut të artë Sadulla Zendeli Daja.

No comments: