Sunday 31 August 2014

PËRTEJ SHKËLQIMIT TË QËNDRESËS



Rexhep Shahu
PËRTEJ SHKËLQIMIT TË QËNDRESËS
 (Si parathënie për librin “Dëbimi i shqiptarëve prej Kosove në vitin 99” të  Sulejman Didës)
-Oh,shka kan’bjeshkt’, o bre, qi ushtojn-e,
shka kan’ lugjet’, o bre, qi fshajn-e,
shka kan’ malet, o bre, qi s’mungullojn-e,
shak ka hana, o bre, qi s’po zdrit-e;
shka ka dilli, o bre, qi s’po ban drit-e,
shka kan’ shpent, o bre, qi s’po knojn-e,
shka kan’ qyqet, o bre, qi s’vajtojn-e?
-Oh, muhaxhirt, o bre, kah po shkojn-e!
Oh, kan’ lan’ tok-o, bre, kan’ lan’ ship-e,
kan’ lan’ dhen-o, bre, kan’ lan’ dhi-e,
n’laver, n’zhgjedh, o bre, kan’ lan’ ki-e,
kan’ lan’ buken, o n’çerep me hi-e,
kan’ lan’ çorbën, o në vegsh tuj zi-e;
kan’ lan’ sofrën, o bre, t’shtrume n’shpi-e,
oh, miqt’ kan’ shkue, o bre, buk’ pa u ngi-e!
Oh kan, lan’ zhguj e jana n’vek pa i krye,
kan’ lan’ çejzin, o bre, çikat pa marue,
kan’ met’ dor’ nuset, o bre, msit pa i çue,
kan’ met’ krushqit, o bre, pa u kthye,
oh, kan’ met’ gjemt’, o dhandur’ pa hi-e!
Oh, muhaxhirt, o bre, kah po shkojn-e,
dru e gur, bre, ç’po vajtojn-e!
-Bari n’tok’, o bre, pse s’po bin-e,
shpent e malit, o bre, pse s’po knojn-e;
qyqet e malit, o bre, pse s’vajtojn-e?
-Oh muhaxherin, o bre, po e kajn-e!
Oh muhaxhirt kan’ marr’ dyjan’ n’sy-e:
Desin në bor’, o bre, desin në shi-e,
desin pleq, o bre, desin t’ri-e,
desin gra, o bre, desin thmi-e,
u desin thmija, bre, nanav’ ngji-e,
jesin gjenazet, bre, n’vorre pa i shti-e!
Bukën pa e ngran’, o bre, uj’ pa pi-e,
kan’ marr udhën, bre, për Allbani-e;…
Lexon varg për varg këtë këngë dhe çdo i dëbuar e çdo lexues e sheh se çfarë po ndodh, çfarë ndodhi. Çdo tregim, ritregim a shtjellim i dëbimit e ikjes së shqiptarëve del i varfër e i cekët në raport me përshkrimin që bën kënga për shqiptarët e dëbuar.
Fati ynë i zi i dëbimit, përzënies e ikjeve prej atdheut, vajtohet e harrohet për me u vajtue prej fillimit, por me piskamë e me ngjallë të vdekurit. U vajtue në vitin 1878, kur shqiptarët të masakruar barbarisht e të dëbuar prej serbëve, lanë Nishin, krejt Toplicën shqiptare dhe përfunduan jo si shqiptarë, jo siç thotë kënga në Allbani-e, por si myslimanë turq në Turqi, në shkretëtirat e Anadollit, shumica prej tyre dhe një pjesë në Kosovën e sotme e në Maqedoni, përkundër dëbimit të vitit 1999, kur ata u dëbuan, por shumica mbetën në hapsirën e tyre jetike shqiptare në Shqipëri e Maqedoni.
Dëbimi i fundit i nga Kosova vazhdon të xhirohet e të shfaqet në sytë tonë të mendjes si një film gjigand në qiell të hapur. Aktorë e spektatorë jemi të gjithë shqiptarët, ku luajmë e shohim veten së paku prej mbi një shekull e gjysmë, në të gjitha dëbimet, ikjet, shpërnguljet, përzëniet e përbuzjet që s’ndalen.
Dhuna e njejtë, dhimbja e njejtë, brenga e njejtë, vdekja e njejtë. Loti po njëlloj pikon a rrjedh nga sytë e përzënë prej trojeve të veta. Shkatërrimi i njejtë, terrori shtetëror i njejtë, vdekjet të njejta, humbjet e njerzve dhe fëmijëve të njejta, djegjet e banesave, prodhimeve, bagëtive, të njejta. Ara pa korrë, ara pa mbjellë. Xhenaze të pa shtime në dhe. Kafshë e shpend të egër luajnë me to si me bagëtitë e vrara e të gjalla të pazot. Varre të vjetra që ulin kurizin prej dhimbjes së re që ndjejnë. Varre të reja, ku të vdekurit janë gati me shplue vorrin e me dalë jashtë, e në mos tjetër, me thirrë në kupë të qiellit: - Ku po shkoni o njerëz, ku po na lini ne!…
Veç udhëtimi qe pak më ndryshe nga ai i dimrit të vitit 1878. Më modern. Atëhere me këmbë e me qerre që tërhiqeshin me qe, këtë herë ikje me vetura, me kerra, me traktora me goma, me këmbë. Atëhere në muajin shkurt ndodhën masakrat e dëbimet më të mëdha, tani në muajin mars. Loti e brenga e njejtë. Atëhere shqiptarët ishin më të varfër, tani po dëbohen prej një Kosove shumë më të pasur, shumë më të ndërtuar. Atëhere pushtuesi serb ishte i ri, tani pushtimi ishte bërë 80 vjeçar në Kosovën e sotme, ndërsa trojet e tjera shqiptare që i kish marrë Serbia, si Toplica, jetojnë si shqiptare veç në këngët tona, në kujtesën tonë. Atëhere serbët kishin bindë botën se po dëbojmë myslimanët shqiptarë për në Turqi. Tani serbët vetë u thonin shqiptarëve “Shqiptar muti, bërzhi për Shqipëri”. Atehere pa qëndresë të organizuar, pa shpresë qëndrese, tani me shpresë qëndrese të organizuar, me institucione paralele që kishin konsolidue e rritë ndërgjegjën kombëtare, që e kishin bërë të njohur botërisht Kosovën e çeshtjen kombëtare shqiptare, me UÇK të formuar që jepte e ngjallte shpresë. Atëhere pa miq të huaj, pa aleatë, pa përkrahje, me Europën kundër, tani me miq, me aleatë, me përkrahje të fortë amerikanë dhe nga disa shtete europiane.
Përsëritjen e kësaj kënge dhe të kësaj tragjedie, si atëhere kur u dëbuan shqiptarët prej Nishi e Toplice, e ka paraqitë Sulejman Dida në këtë libër të ri të dhimbjes së vjetër, ku shpalos para syve të secilit prej nesh nga një libër tjetër përtej tij, nga një libër të pashkruar të gjithësecilit, që duhet ta shkruajmë me guxim e pa inat në veten e për veten tonë. Për ta njohur veten, për me ditë kush jemi, për të guxuar me ’ia thënë vetes edhe nëse jo kujt tjetër, se cilët jemi ne në të vërtetë në raport me veten, me fëmijët, me prindërit, me atdheun, me dashurinë dhe patriotizmin tonë ndaj atdheut e kombit, me urretjen ndaj njëri – tjetrit dhe ndaj armikut; në raport me trimërinë tonë shumë të dëshiruar në realitet e për këtë shkak të zmadhuar në këngë, me cilësinë e qëndresës e trimërisë tonë, me jëtëgjatësinë e saj në beteja e luftra për atdheun, sepse shpesh patëm luftuar aq ditë sa patëm bukë në trastë dhe pastaj qemë kthyer në shtëpi duke e lënë luftën në mes; në raport me kontributin tonë ndaj atdheut, që rrallë na ka premtuar sa duam e gjithmonë sa meritojmë, që më shumë na ka dëbuar nga pamundësitë e tij vrasëse për ne, në raport me kontributin tonë si atdhetarë e si shërbëtorë e mercenarë për shtete e vende të tjera duke shkëlqyer si të tillë edhe kundër atdheut.
Një sy i vëmendshëm e lexonte që në kohën e ikjedëbimeve të mëdha se shqiptarët më shumë ikën se sa u dëbuan apo u shpërngulën me dhunë, por kjo u lexua shumë qartë menjëherë pas luftës për Kosovën që e fitoi Amerika me NATO-n të ndihmuar prej nesh, jo aq shumë me armë se sa me dhimbje e lotë burrash, fëmijësh e grash dhe të ndihmuar prej shtimit të dhunës së verbër serbe, që masakronte gra e fëmijë të pafajshëm, civilë të paarmatosur, që përdhunonte kafshërisht gra dhe vajza shqiptare.
U lexua qartë sepse pendesa ishte gjëja e parë e madhe, ose vuajtja më e madhe që mbanin mbi supet e tyre shqiptarët që u bënë të ardhur apo refugjatë në troje shqiptare, që u kthjelluan e penduan se kishin ikë kollaj, kishin ikë ende pa u dëbuar me dhunë, ende pa mbërri plumbat, por vetem prej krismave të pushkëve, gjyleve të topave që dëgjoheshin diku larg, ose prej bilbilave të magjypëve të katundeve apo milicëve që shkonin fshatrave me përzënë shqiptarët.
Kjo pendesë u shfaq e madhe dhe e rëndë në ditët e fundit të luftës, pasi shumica e shqiptarëve të ikur a dëbuar u rikthyen me shpejtësi rrufeje në trojet e tyre duke mos pyet për asnjë rregull apo këshillë ndërkombëtare, duke lënë pa mend ndërkombëtarët që nuk besonin se si shqiptarët kthehen me kaq vrull e dashuri nëpër shtëpitë e tyre, kur dihej se ishin me mina në oborre dhe kishte shumë pasiguri.
Një guxim e trimëri e vonë për shkak të pendesës së madhe se kishin ikë më shumë se duhej, edhe pa ndonjë arsye e shkak shumë të fortë, pa provuar të bënin më parë rezistencë, pa provuar me vdekë më parë, kishin ikë duke lënë gjithçka pas, sikur po iknin prej një vendi të huaj e jo prej trojeve të tyre, duke lënë varret vetëm, duke harrue se jemi popull me male varresh, jo popull çadrash, kishin ikë duke lënë tokat vetëm, kur dihej se Serbia donte tokat e shqiptarëve ndaj lumturohej kur ata iknin, dëboheshin, shpërnguleshin, pasi Serbia këtë e kishte platformë shkencore shekullore, kishin ikë dhe nuk ishin ndalë një çast të dëgjonin vajet e varreve, thirrjet e trimave në varre.
Kanë kaluar mbi 15 vjet nga ato kohë shpërnguljesh, dëbimësh e ikjesh nga ajo luftë. Dhe secili e pyet veten para pasqyrës. A bëmë luftë? A bëmë qëndresë? A vdiqëm sa duhet? A vdiqëm hijshëm? A qëndruam e rezistuam hijshëm? A qamë hijshëm? A ikëm hijshëm apo me turp?
Qëndresa shqiptare po dergjej në shtrat me shumë plagë. Gjergj Elez Alitë po kalbeshin në shtat prej plagëve të shumta, të pashërume. Motrat e Gjergjave s’kishin më lotë, u ishin tha. Nuk kishin dhënë rezultat ndeshjet e Gjergj Elez Alive, fitoret e tyre, pasi “kënga” nuk i kishte përzënë ata përtej “deteve” e maleve.  E kishin plagosë të keqen pa ia prerë kryet, ishin ngutë duke knue këngë trimnie e inati, teksa bajlozat shëroheshin shpejt dhe ishin aty, nuk kishin ikë larg.
Nuk frymëzonin më Gjergjat as kur hynin në burg. Kreshnikët ligështoheshin brenda mureve. Prej dajakut squllej qëndresa, prej dajakut zgjidhej gjuha dhe ilegalët që nuk i njihte populli bëheshin të njohur prej armikut duke populluar me shpejtësi qelitë e tij.
Të paepurit vriteshin e zhdukeshin në heshtje. Ata harroheshin të braktisur nga shpirti dhe kënga e popullit. 
Gjergj Elez Alitë që trimëronin vendeve të Perëndimit u ngjanin Sanço Panços që priste postin e guvernatorit pasi ta fitonte betejën me përbindshat Don Kishoti i Mançës. 
Gjergj Elez Alitë e Perëndimit ua mbushnin xhepat me franga zvicerane e dojçmarka patriotëve të mëdhenj në vendlindje që krihnin përvutjshëm mjekrat e bardha e që mbaheshin si profetë, ani pse ishin profetë të rremë, që thurnin himne dashurie e ditirambe bashkim vëllazerimi, që thurnin himne dashurie për shokun e pavdekshëm Tito.
Gjergj Elez Alive në Kosovë po u jepte shpirt trimnija. (“Trimat moti ishin kanë dekë / Shpata e tyre, thojshin, ma s’po prêt”). Po harrohej se pushtuesi mund të vritej edhe me duar, ndërsa plumbi shponte lisat. Gati po krijohej bindja se serbët e lindur me këmishë dhe nuk i vriste plumbi i shqiptarit.
Dolën në skenë luftëtarët shqiptarë. U panë me dyshim, me frikë, me mosbesim. Por filluan ta turbullojnë gjendjen e ngrirë. Filluan ta zgjojnë shqiptarin që kishte ra në gjumë patriotik dhe fluturonte në krahët e këngëve me rrena trimërie.
Dyshimi i parë ndaj luftëtarëve filloi të tretej. Aksionet e para të luftëtareve filluan të ngjallin besim. Filloi të ringjallej bindja se u vritka edhe ushtari e polici serb nga pushka e shqiptarit. Por jo në gjithë rastet luftëtarët ishin frymëzues sepse dukej sikur po e privatizonin luftën e të drejtën e luftës, sikur po u mbushej mendja se janë boll vetë dhe nuk kanë nevojë për ushtarë të tjerë. Filluan t’i shohin me atë sy që shihnin serbët edhe shqiptarët që nuk u besonin ende luftëtarëve. Filluan të thonë se ata që janë me Lidhjen Demokratike të Kosovës dhe me Ibrahim Rugovën nuk janë tanët dhe duhen konsideruar si serbët, kur shumica dërrmuese e luftëtarëve ishin njerëz të Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe ithtarë të Ibrahim Rugovës që rezultoi intelektuali dhe udhëheqësi më trim e vizionar që kanë nxjerrë shqiptarët.
Pastaj kur luftëtarët e kuptuan se do të ishin ndihmës në luftën e madhe, pasi po hynte në luftë për shqiptarët Amerika dhe NATO-ja, ata e devijuan qëllimin, nga luftë për liri e çlirim kombëtar në luftë për me ia marrë pushtetin Ibrahim Rugovës.
Por luftëtarët në Kosovë më në fund i bindën shqiptarët se janë gjallë akoma, se dinë e mundin të luftojnë, se pushtuesit vdesin po i qëllove me plumb, se i vret plumbi, se edhe serbët dinë me ikë, me vajtue, me qa me kujë e lebetitje. Luftëtarët shqiptarë në Kosovë arritën fitoren më të madhe në historinë shqiptare duke krijue Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës. Madhështia e saj arriti të përcjellë idenë e pavdekshme se bijtë e këtij vendi nuk kishin harruar të flijoheshin për lirinë e tyre. Ata u përballën me një nga ushtritë më të sofistikuara të Evropës në fundshekullin e kaluar. Përballë çelikut të topave e tankeve u vunë zemrat e çelikta. Vërtetë nuk u zhvilluan shumë beteja frontale kundër armatës serbe, por nuk munguan aksionet edhe kundër karvaneve me tanke, kundër grupe milicësh, makinave të policisë, etj. Madhështia e luftës çlirimtare nuk venitet nga kualifikimi i saj më tepër si luftë e tipit jofrontal, e goditjes së armikut atje ku nuk e priste. Lufta e UÇK-s ka qenë në tërësi një luftë e monitoruar, e mbikqyrur nga vendas e të huaj, e fotografuar dhe filmuar në pjesën dërmuese të saj. Në çastet më të kthjellta në ditët e luftës, në stinë të ndryshme kur besimi ishte i madh, thuhej nga organizatorë e drejtues të lartë se janë në luftë rreth 11 mijë ushtarë gjithsej, qoftë të përhershëm e qoftë sezonalë. Ndonjë burim që zmadhonte pa të keq numrin e pjesmarrësve në luftë, për propagandë kundër serbëve dhe me ngjallë besim e shpresë tek shqiptarët, duke shtue në lista edhe ata që ishin prapavijë reale, që hynin e dilnin në Shqipëri duke sjellë armë etj, e çonte numrin e luftëtarëve deri në 16 mijë luftëtarë. Çdo zmadhim e falsifikim qoftë për bëma të mëdha, qoftë për pjesëmarrje të madhe të njerezve, vetëm e zvogëlon dhe e shëmton atë duke na lënë pa asgjë me të cilën të mund të krenohemi.
Duke heqë petkat e rrenave, rezulton se shqiptarët nxorën në luftë shumë më pak luftëtarë se sa kishin mundësi. Si një shkak serioz për mospjesmarrje shumë syresh janë justifikuar se nuk shkojmë në luftë me komandantë çobanë dhensh që nuk dinë nga i futet e nga i del fisheku pushkës, nga qyta a nga gryka. Por shkaku i vërtetë i ikjes nga lufta veç frikës është dhe ideja e krijuar se liria do të vijë, do të na e sjellin të tjerët që do të luftojnë e vdesin për ne, mjafton që të protestojmë, të tubohemi, të ngremë dy gishtat lart, të qajmë e vajtojmë para kamerave, të ankohemi e të denoncojmë në KMLDNJ…, të hyjmë pak në burg, të ikim prej Kosove drejt shteteve të Perëndimit për me mbetë gjallë vetë e me mbajtë familjen me bukë.
Nuk po flasim për trafikun e mëvonshëm që nisi pas lufte duke pague shuma të mëdha markash për ta shkrue emrin sikur ke qenë luftëtar në radhët e UÇK-së, trafik që vazhdoi gjatë e vazhdon ende kur fallsifikimi nuk njeh turp as kufi turpi pasi duan ta bëjnë UÇK-në sikur ka patur në radhët e veta 50 apo 60 mijë luftëtarë, duke zmadhue kontributin dhe trimërinë e tyre dhe duke zvogëlue kështu kontributin e Amerikës e NATO-s, kontributin e pilotëve të NATO-s që shkatërruan caqet ushtarake serbe. Rrena vret luftëtaret e vërtetë, rivret të rënët, vret vetë UÇK-në, namin, lavdinë e krenarinë e saj, me të cilën do të mburren brezat që vijnë.
Këngët bien përdhe të vdekura si dhe fjalimet patriotike të Enver Hoxhës e të komunistëve shërbejnë si letra higjenike po të shohësh se nga Shqipëria administrative në luftë në Kosovë nuk morën pjesë as 100 njerëz duke përfshi këtu edhe ndonjë biznesmen që shiste armë, edhe ndonjë transportues armësh nëpër kufi, edhe ndonjë spiun të papunë ose të dypunësuar. Askush nuk mund të justifikohet me mungesën në luftë.  Turpi i mospjesmarrjes masive në luftë të qytetarëve nga Shqipëria vlen të analizohet me përgjegjësi, maturi e gjakftohtësi.
Shqiptarët e Shqipërisë u dhanë bukë e strehë të ardhurve nga Kosova, por nuk u dhanë sa duhet përkrahje për luftë. Nuk u dhanë sa duhet djem e burra për luftë.
Shqiptarët e Shqipërisë luftën e Kosovës e panë si një luftë që bëhej diku tjetër e jo në teritoret e tyre shqiptare, e panë si një luftë të huaj të një vendi të huaj, në një vend të huaj. Edhe qeveria e asaj kohe e Shqiperisë kështu e pa dhe trajtoi atë luftë. Por paturpësisht vrapoi të merrte dekorata ndërkombëtare për ndihmën në krizën humanitare, ndonëse qeveria e Tiranës në ato kohë ka qenë në bisht të kontributit të qytetarëve shqiptarë që ishin pararoja e kontribuesve në atë krizë ndërkombëtare dhe qeveria e Shqipërisë nuk mbrojti as 1400 hektarë të teritorit të saj administrativ në Kukës, Has, Tropojë, teritor që ushtarët serbë e minuan me duart e tyre dhe nuk i gjeti asgjë prej ushtrisë e policisë së shtetit shqiptar të cilit iu shkel teritori, integriteti dhe sovraniteti, i mbetën sakatë 274 shqiptarë, iu vranë 57 të tjerë nga minat serbe në teritorin e Shqipërisë administrative.
Në librin që e shkruan secili për veten si refleksion për luftën për Kosovën e për atë krizë, shohim edhe ndonjë oficer a kapterr nga Shqipëria, patriot të paguar me dojçmarka për me stërvitë në thellësi të Shqipërisë djemtë e Kosovës që nuk dinin se si përdorën armët, dhe ky u bë një biznes i konsoliduar, bashkë me shitjen e armëve.
Shohim ushtrinë e Shqipërisë ose mbetje të gërmadhave të saj, karikaturën e saj që harxhonte fishekë në loja luftarake edhe fshatrave të Hasit dhe mburrej se e ka trembë Serbinë me loja luftash, rrena të cilat i trillonim ne gazetarët në ato kohë. Shohim gjeneralë, kolonelë, kapterrë e oficerë që ua zbukuroi gjoksin me medalje të shndritshme të llamarinta kreu i shtetit të asaj kohe, për luftën që e kishin ndërmend ta bënin, por që nuk e bënë edhe se nuk ua mbajti ta bënin edhe se nuk i la shteti i Shqipërisë ta bënin, pasi edhe politikës zyrtare në Tiranë, lufta e Kosovës i dukej jo si luftë e shqiptarëve dhe e njerzve të saj, por si një luftë e huaj që bëhëj në një vend të huaj që politika zyrtare e Tiranës e quante përditë Serbi e Jugosllavi siç edhe kufirin shqiptar me Kosovën e quante kufiri shqiptaro – serb apo shqiptaro – jugosllav.
Jemi në kohë paqe dhe grindemi e vritemi për luftën. Grindemi përditë ndoshta nga shkaku se nuk e bëmë luftën si e sa duhet dhe jemi pengje të vetes tonë. Ndoshta edhe se luftën nuk e morëm seriozisht si luftë, por ndoshta në ndonjë rast dikush e mori si lojë luftash, dikush si biznes për të fituar para, dikush si biznes patriotik për të fituar poena, për të fituar pushtet.
Nuk dhamë sa duhej e sa na kërkohej të jepnim për luftën tonë si shqiptarë. Ndaj duket grindemi sot me njëri – tjetrin, ia nxjerrim sytë sot njëri – tjetrit që të mbetemi pa sy e të mos mundemi të shohim të nesërmën që e shëmtuam dje e vazhdojmë herë ta përbuzim e herë ta vajtojmë sot.
Jemi në paqe të trazuar, të shqetësuar dhe vazhdojmë një luftë të egër imagjinare. Sepse luftën nuk e bëmë tamam, lirinë më shumë na e dhuruan, dhe më shumë se lirinë lakmuam pushtetin, shaluam pushtetin dhe harruam jo vetëm të rënët në luftë, që për fat të keq kudo harrohen, nuk u kujdesëm për fëmijët e tyre, por harruam invalidët e luftës, ata që janë gjallë e nuk munden të jetojnë e të punojnë, i lamë në mëshirën e fatit të keq.
Këmba e këputur në luftën e fundit e një luftëtari që takova në Junik, fill pas luftës në verën e vitit 1999, më duket se përdoret si këmbë tavoline në zyra të rëndësishme të shtetit në Kosovë, siç përdorej në Tiranë në vitin 1945 e në vazhdim. Në mos për këmbë tavoline, përdoret prej fitimtarëve shtetarë, me u ra shqelm bythëve të gjithëve atyre që qortojnë dhe harrojnë luftën, nuk nderojnë luftëtarët, që harrojnë se pushteti erdhi nga gryka e pushkës dhe pushteti i luftëtarëve ka të drejtë me të vdekë.
Shëmtia është shëmti kudo e kurdo. Shëmtia u shfaq duke ikë me vrap prej zonave e katundeve që mbase edhe nuk kishte ndërmend t’i kërcënonte Serbia. Ata që mbaheshin burra trima e të parë të katundeve ikën të parët. Ata që ishim mbajtë udhëheqës katundesh e njerëz me mend ikën të parët e të tjerët varg pas tyre. Idhujt e katundeve ranë. Idhujt e katundeve erdhen dhe u shpallën refugjatë lufte pa ndjerë asgjë nga lufta. Erdhën shëndoshë e mirë si kokrra e mollës së kuqe. U shpallën e vetshpallën gazetarë, poetë, shkrimtarë, luftëtarë të panjohur, patriotë të mëdhenj, u shpallën Gjergj Elez Ali refugjatë, liderë të së nesërmes, nëpunës e pushtatarë të nesërm. Filluan të shërojnë me fjalë e pallavra plagët e të ikurve, t’u japin gajret, të gjejnë fonde për shërimin e tyre mendor e shpirtëror, të bëjnë koncerte patriotike me lehtësue dhimbjet e të ikurve duke pague majmshëm këngëtarë me pare ku ndanin fitimin. Nga lodhja si refugjatë aktivë që merreshin me rrena e pallavra gjithë ditën, pinin birra e piva kudo, luftonin nëpër tavolina kafenesh, e zmadhonin Serbinë e ushtrinë e saj sa të trembej edhe Amerika e Kina prej saj.
Patriotët refugjatë poetë, gazetarë, intelektualë, anonimë gjithsej ose të njohur në shkollat a xhamitë e katundeve të tyre, merrnin poza dhimbje, poza orakujsh. Deklaronin paturpësisht në fjalime patriotishte tavolinash e tubimesh, se ata që nuk luftojnë me armë në dorë për lirinë e atdheut, nuk e meritojnë lirinë, kur vetë ishin ata që as luftonin e në fakt as e meritonin lirinë. Kishin ikë duke u pri turmave si prijanë të katundeve të tyre, si mentarë, si jaranë katundesh që gjithmonë mendonin se meritojnë më tepër vemendje e dashuri nga të tjerët, më tepër pushtet. Pinin raki e piva, duke u betuar se nuk e përdorim alkolin, por pinin prej zorit, për me harrue dhimbtat, për me harrue për pak çaste makinat apo kerrat që ua kishte djegë apo marrë milicia serbe, për me harrue se ndonjë prej fëmijëve të vegjël kishte humbë e nuk dihej se ku mund të ishte, për me harrue fëmijët që, ndodhte, nuk e dinin se ku i kishin, për me harrue pak se djemtë i kishin në luftë.
Baballarët pinin birra e raki e djemtë i kishin çue në luftë me vdekë. Baballarët 40 a 50 vjeçarë nuk ishin të pamundshëm për luftë, por duket se është sëmundje e gjithë botës që të çojë të rinjtë me vdekë në luftë e të jetojnë baballarët në paqe duke lëpi eshtrat e bijve të tyre të vdekur në luftë.
Në sytë e fëmijëve të dëbuar luhen tragjeditë. Ata sy fëmijësh e kanë të turbullt të nesërmen, në mos nuk shohin të nesërme. Prindërit u thonë na ka përzanë shkau, por pak prej fëmijëve të asaj kohe lufte e shpëngulje kanë parë shka në oborret e shtëpive të tyre, pak prej tyre dinë ta vizatojnë fytyrën e shkaut, të milicit a të ushtarit serb, përveçse këndojnë këngën e mykur të urrejtjes që prindërit ua kanë mësue përmendësh.
U mësuam shpejt të jetonim ose mbijetonim edhe pa fëmijët që nuk e dinim ku i kishim, edhe pa prindërit që nuk e dinim ku i kishim. Nuk vdiqëm për fëmijët që nuk e dinim ku i kishim, a ishin gjallë a kishin vdekë, nuk vdiqëm për prindërit që nuk e dinim a ishin gjallë a kishin vdekë.
Por ndonjë fëmijë mund të ketë parë edhe se si e kanë lënë pa e marrë prindërit se nuk kanë mundë ta marrin, mund të ketë parë se si ndonjë nënë, për të shpëtuar vetë ka ikë e ka lënë fëmijën ose e ka hedhë fëmijën. Siç ka ndodhë kudo në luftra e në masakra. Ndonjë fëmijë ka parë me sytë e tij bajonetën e ushtarit serb duke u ngulë në barkun e nënës. Shumë fëmijë të palindur kanë ndjerë bajonetën e ushtarit serb që u është ngulë në trup aty në barkun e nënës, ende pa u lindë.
Fëmijët po se po, por vetë baballarët fillojnë e dyshojnë në herojtë tanë. Heronjtë tanë, në 80 vjet luftë, pushtim, sundim serb me mercenarë e administratë edhe shqiptare, por edhe bashkejetësë shqiptaro – serbe, herojtë tanë dalin naivë, budallenj, pinë gjak e bëhen vlla me serbët e pastaj vëllai serb i vret.
A duhen besuar herojtë tanë, që i kanë shërbyer në një mënyrë a një tjetër pushtuesit dhe pastaj pushtuesi kur i ka vra, i ka vra në atë mënyrë që të na duket ne heroike dhe ne të mashtrohemi përjetësisht prej herojve tanë të shpikur, apo herojve që na i ka emëruar si të tillë pushtuesi dhe pushtuesi ynë të na përqeshë gjithmonë duke e ditë ai mirë se kush janë herojtë tanë dhe çfarë biografie trimërishte kanë.

Nga thellësitë e kohës gjëmon kënga e kreshnikëve tanë. Të cilët nuk do të ishin të tillë po të mos jetonin e luftonin me armikun, me shkaun. Kurrë më shumë e më mirë se sa nga kreshnikët tanë nuk provohet thënia se lufta është jetë dhe pa luftë kreshnikët nuk jetonin. “Zoti e vraftë bacën Mujë / Ku t’jenë shkiet ma t’ligj e ma t’kqij / Probotina shkon e i zen”, thotë kënga e kreshnikëve. Ne nuk kemi dashtë me e ditë për këto këngë. Dashuri dhe urrejtje bashkë, bashkëjetesë me serbët kemi pasë.
Nuk është as e re as e panjohur për shqiptarët, ani se me dashje e harruar, historia e Azem Galicës, i cili piu gjak e u bë vlla me serbin Kostë Vojvoda dhe bashkë luftuan kundër Austrisë për interes të Serbisë, edhe pse Austria mbronte si gjithmonë interesat e shqiptarëve. Sa mbaroi lufta, vëllai serb Kostë u bë prefekt në Mitrovicë dhe luftoi me e vra Azem Galicën, që përfundoi në shpellë.
Këtu te shpia kemi nji serb të strehuem, lexoj në librin e Sulejman Didës. Asht nji serb që e kemi pasë komshi gjithë jetën, pothuejse jemi rritë me të.  Dhe tash ai asht edhe pak burrë i vjetër, edhe i pa njeri. Ky në fakt na ka ndihmue sa ka pasë mundësi. Ka punue në sekretarinë e prokurorisë speciale dhe ka zbulue planin për djegien e Prizerenit. Ma ka dhanë mue planin e fotokopjuem e unë ja kam dhanë nji avokati të besuem. Komshia serb kishte shpëtue të paktën tre shqiptarë të lagjes së ktuhit nga nji ekzekutim i sigurtë duke i njoftue me ikë e me u fshehë. Serbët e kërkojnë me e vra për dekonsipirim e shqiptarët e kërkojnë me vra për ish-punojës të prokurorisë speciale. Jam në hall të madh, tha, nuk mundem me e lshue, po edhe po tutem me e mbajt…
Para se me u dëbue për në Tropojë në fillim verën e vitit 1998, shqiptarët e rajonit të Deçanit përjetuan një shpërngulje dy javore nëpër Kosovë. U dogjën shumë shtëpia shqiptarësh. Pas dy javësh shpërngulje, dy pleq shqiptarë që i kishin djemtë emigrantë në Perëndim, u kthyen si të tjerët në shtëpitë e tyre. Ua kishin djegë shtëpinë. Sa hyjnë në oborr, e para që shkoi dhe i takoi ishte macja e shtëpisë, që filloi të fërkohej për ta e të gëzohej. I dyti që u doli para me turr ishte qeni i shtëpisë që kishte shpëtue gjallë dhe që lehte i gëzuar nga ardhja e të zotëve të tij. I treti që u gjend menjëherë pranë dy pleqve shqiptarë ishte kojshia serb që u uroi mirëseardhje. Nuk munda me ua shpëtue shtëpinë prej kalljes. Ata që e kallën s’ishin as ushtarë, as milicë. Por dy divana i nxora pa u djegë, radion e nxora, dy lopë ua shpëtova. I kam te shpia ime…
Duke u nisë nga lufta e fundit për Kosovën, nga ikjet tona që janë më shumë ikje se dëbim e që në heshtje e pranon secili prej nesh, bëjmë pyetjen, pse shpërngulemi e ikim ne shqiptarët? Pse jemi të dënuar të ikim prej atdheut? Ikja jonë është e hershme ndaj ne kemi këto territore që kemi, që duket se janë aq atdhe sa u ka teprue pushtuesve tanë. Para se me ikë, a kemi bërë qëndresë aq sa duhet, a kemi bërë digë qëndrese me trupat tona të vrarë në luftë, a kemi bërë ndonjë mal me eshtrat tona.
Me ngritë gishtin e akuzës ndaj shqiptarëve dhe me i quajtë ikës, frikacakë, trima treditorë betejash treditore, është më e lehtë se sa me hy në thellësi të fenomenit dhe me pranue se po të mos ishin aq naivë a të ndershëm sa janë shqiptarët, po të mos besonin lehtë në miqësi e po të mos krijonin lehtë miqësi, po të mos ishin kaq krenarë sa duken në paraqitje, po të mos shkëlqenin si mercenarë të të tjerëve dhe si të tillë të tregoheshin jo të devotshëm për të ndihmuar atdheun e tyre, por më shumë të devotshëm për të qenë besnikë të atij që i paguante, po të mos binin lehtë në kurthe spiunësh e po të mos bëheshin spiunë që i bëjnë më shumë dëm atdheut, po të mos kishin frikë pastaj për fshehtësitë e tyre, për poshtërsitë e tyre, do të ishte mbase më ndryshe. Mbase nuk do të shembeshin përdhe këngët tona trimërishte. Mbase nuk do ta kishim këtë atdhe që e kemi të copëtuar në pesë shtete fqinje dhe që kufizohet nga të gjitha anët me veten e tij. Gishtin e akuzës e ngremë ndaj vetes, por nuk duhet të harrojmë kurrë se serbët, siç shkruan senatori francez, nobelist i paqes, D’estournelles de Constant për kohën e dëbimit të shqiptarëve nga Toplica dhe kohën e luftrave ballkanike, që ngjajnë me kohët e luftës së fundit për Kosovën, “kundër këtij populli, krimi i vetëm i të cilit është se kërkon të jetë i lirë, fqinjët e tij, përdorën kuadrot e çmobilizuar e të papunë, “gjysmë - ushtarët” e tyre, komandantë bandash të uritura, të pajisura me një armatim modern” dhe shqiptarët duhej të vinin përballë trupat e tyre se ata nuk kishin armë, nuk kishin ushtri të organizuar, nuk kishin djem të mësuar e të stërvitur për luftë, ose kishin shumë pak, por të mësuarit nuk pranoheshin nga guximtarët e pamësuar që ia kishin krisë luftës me shpirt e zemër, pa llogaritë se do të duhej edhe dija luftarake, armët e drejtimi luftarak profesionist.
Të huajt i kanë njoftë dhe kultivue veset e shqiptarëve. Të huajt kanë gjetë aleatë shqiptarët me vese, të cilët nuk kanë pasë guxim me u çlirue prej bëmave të tyre të liga dhe kanë ngelë peng i tyre, duke shkëlqyer pastaj si mercenarë.
Gjithmonë kështu ka qenë ky fat i keq i shqiptarëve, që armiqtë më të mëdhej të tyre kanë dalë nga radhët e tyre që kanë shërbyer për vendet e tjera armike, për ushtritë armike. Është i njohur divizioni i hekurt serb që shkatërroi shqiptarët që luftonin për trojet e tyre nën Turqi në luftën e Kumanovës me 1912, pasi ky divizion ishte i krijuar nga ushtarë të rajoneve të Toplicës, Nishit, etj, ndoshta edhe me shqiptarë që kishin shpëtue pa u shpërngulë për Turqi me 1876 dhe që kishin ndërrue fe e kombësi dhe ishin bërë luftëtarë në divizionin e hekurt serb, siç thotë Vaso Çubrilloviqi, pa i cilësuar si shqiptarë ushtarët e këtij divizioni.
Ikjet tona kanë nisë duket qysh me ardhjen tonë në këto troje.
Por nuk po shkojmë thellë në histori, vetëm po përmendim ato ikje që jetojnë dhe që vajtohen ende. Ikën shqiptarët pasi vdes Skëndërbeu, shkuan në troje të tyre në Greqinë e sotme ku jetojnë edhe sot si shqiptarë të hershëm e si grekë të sotëm. Një pjesë ikën në Itali ku janë ende sot dhe ata i shërbyen shumë kombit shqiptar, nuk e lanë të shuhet brenda tyre e brenda nesh që mbetëm këtej detit, duke na e kujtue përditë se Arbëria këtej detit ua kujton se shqiptarët të huaj janë në atë dhe…
Nuk dimë për ato ikje të shqiptarëve të atyre moteve. Por dimë se jo të gjithë u detyruan të mohojnë se janë shqiptarë dhe vonë Greqia i dëboi me anë të mercenarëve shqiptarë një pjesë të madhe të çamëve shqiptarë myslimanë dhe ata morën udhët për Turqi e për Shqipëri. Prapë na dalin mercenarët shqiptarë ortodoksë, më të zellshëm e më të tmerrshëm në shërbim të grekëve kundër shqiptarëve myslimanë.
Por ikje e vonë, e tmerrshme, me pasoja dramatike për shqiptarët është ikja e shqiptarëve të rajoneve të Nishit, Sanxhakut, shqiptarët e Toplicës. Veç qyteteve shqiptare u shfarosën e shpërngulën mbi 600 katunde shqiptare kryesisht drejt Turqisë, Kosovës së sotme e Maqedonisë. I gëlltiti Turqia në marrëveshje me Serbinë. Turqia donte shqiptarët dhe i mori, Serbia donte trojet e territoret shqiptare dhe i mori. Shqiptarët ngelen me gisht në gojë. Ikën shqiptarët. Nuk bënë qëndresë sa duhet. Europa shkruante në gazetat e saj të kohës se po del Turqia prej Europe, ndërkohë që po dëboheshin shqiptarët prej trojeve të tyre drejt Turqisë, po i bënte Europa një dëm të pallogaritshëm vetes së saj, po dobësonte veten dhe po forconte Turqinë, po dëbonte prej vetes rracën më të bukur të cilën e ka përdorë në shekuj për të mbarsur veten e saj.
Turqia i mori shqiptarët në zbatim të një marrëveshje me Serbinë e në zbatim të një dekreti sulltanor me largue myslimanet prej trojeve që pretendonte Serbia. Turqia i mori se i deshti shqiptarët, por ajo i deshti si turq e jo si shqiptarë, ua ndërroi menjeherë mbiemrat që t’ua shuante e zhdukte identitetin e i derdhi nëpër Anadoll.
Nobelisti i paqes i vitit 1909, senatori frances D’estournelles de Constatnt, shkruan per shqiptarët e fatin e tyre të keq të pas 1876: “Fat i çuditshëm dhe tragjik; shqiptarët, viktima shekullore dhe megjithatë të pazvogëluar nga Perandoria osmane, u trajtuan si subjekte turke nga fuqitë e Mëdha. Ata që i qëndruan fort sundimit, për të ruajtur zakonet, fenë, gjuhën, racën, së fundi personalitetin e tyre, të ndryshëm nga gjithë të tjerët, Fuqitë e Mëdha e gjenin komode t’i injoronin, qoftë për t’i braktisur, qoftë për t’i rrjepur, qoftë për t’ua shitur atyre që kërkojnë më fort, ose atyre që paguajnë më shtrenjt në pazarin ndërkombëtar”.       
Pas luftrave ballkanike ikën përsëri shumë shqiptarë. Përsëri drejt Turqisë që nuk ngopej duke gëlltitë e kullufitë shqiptarë por që i konvertonte menjëherë në turq.
Veç Turqisë që merrte shqiptarë e tokat e tyre i merrte Serbia, iu shtua lakmia edhe Malit të Zi që përdori ndaj shqiptarëve dhunë të verbër e i dëboi prej trojeve të tyre. Malazezët vetëm me dhunë dhe me miqësi interesash më fuqitë e mëdha, me mjeshtri ngatërresash, ua kanë tejkaluar gjithmonë shqiptarëve. Por edhe shqiptarët atje shpejt harruan se janë shqiptarë kur dihet se shumica e njerezve në Mal të Zi janë shqiptarë të vjetër e malazezë të rinj.
“Askush nuk u qante hallin shqiptarëve, vazhdon nobelisti francez, senatori D’estournelles de Constatnt. Ata ishin vetëm. Voe soli!  Ata nuk ekzistonin. Më kot qëndruan me një burrëri të pamposhtur, në robërinë turke; aq sa Kostandinopoli nuk guxonte as t’u kërkonte taksa; më kot qeverisën veten, qëndruan të bashkuar, pa dallime fetare, katolikë, ortodoksë, muslimanë dhe formuan një bllok kombëtar kundër turkut. Nuk duhej t’u mbeteshin as turqve, për të mund t’u ndarë më vonë, me pjesën tjetër të perandorisë. Kjo është A.B.C. e diplomacisë që praktikohej dhe imponohej  dhe  do    imponohet akoma  sot, ndofta, në qoftë se do të lejohet t’a bëjë…”.
Nuk ka vaj që ta vajtojë ikjen e dëbimin e shqiptarëve, mundjen e tyre se lëshimi i atdheut, shprazja e atdheut prej shqiptarëve është mundja më e madhe dhe falimentim i shqiptarëve. Shpesh ka ndodhë që krerët e shqiptarëve kanë qenë sherbëtorë të të huajve, kanë qenë zyrtarë të emëruar nga pushtuesit, janë shpërblyer nga pushtuesit, kanë qenë mercenarë të zellshëm të pushtuesve, të cilët kanë mundë e kanë ditë dhe kanë patur gjithmonë mekanizëm të njohur që për t’i mundë shqiptarët, duhen përçarë, dhe ia kanë arritë kësaj gjithmonë.
Shqiptarëve atdheu gjithmonë nuk u ka mjaftuar, u ka dalë i vogël, nuk i ka dashtë bijtë e vet.
Ikim nga historitë e vjetra e dalim në të rejat. Atdheu vazhdon të mos i dojë bijtë e vet.
Erdhi shembja e komunizmit në Shqipëri. Po të kishte anije mjaftueshëm, po të kishte celularë në ato ditë, po të kishte mundësi informimi e komunikacioni mbase do të iknin më shumë se gjysma e shqiptarëve me anije e jo vetëm 70 mijë vetë që ikën me anije duke tronditë botën.
Anijet e shpëtimit ishin si Varka e Noes ato ditë për shqiptarët e shkatërruar nga diktatura. Sepse atdheu nuk i donte, nuk i duronte bijtë e vet. Atdheu komunist u ofronte burgje shqiptarëve, u ofronte tela me gjemba, i vriste në kufi, i shpallte tradhëtarë po të guxonin të iknin nga atdheu. Atdheu nuk i ushqente shqiptarët, i kishte dënuar me uri, me mungesë shprese, me mungesë të plotë proteine. Atdheu komunist kishte krijuar njeriun e ri tip lejfen, kishte vrarë zotin dhe në vend të tij kishte shpallë zot diktatorin Enver, kishte zhduke fenë dhe në vend të saj kishte shpallë fe Partinë, dhe Shqipërinë e kishte barazuar me Partinë, pasi parulla dominante e kohës ishte Partia – Shqipëria, kishte bërë spiunë pa fund, ishin bindë shumë njerez të verbër se bar do të hamë e s’do të shkelim parimet e komunizmit, do të jetojmë si vegjetarianë ndërkohë që diktatori e shpura e tij jetonin superluks. Ra diktatura dhe ikën shqiptarët. Ikën shumë e shumë në Greqi pasi ishte kufi tokësor dhe iknin ilegalisht. Më shumë se gjysma e shqiptarëve iku. Këtë patriotizëm kishte mbjellë dhe rritë Enver Hoxha tek shqiptarët, të cilët i kishte trajtue gjithmonë si kafshë të fermës së kafshëve. Këta shqiptarë nuk mund të shkonin në luftë për Kosovën se Enver Hoxha e kishte vra Kosovën në zemrën e çdo shqiptari pasi ai e donte gjithmonë Kosovën vetëm nën Serbi.
Kur iku mbreti Zog, që gaboi pse iku e nuk doli në mal, shqiptarët u dyndën në depot ushtarake dhe kërkonin armë të luftonin kundër italianëve me 7 prill 1939. Pra mbreti Zog kishte lënë një popull patriot edhe pse iku vetë, ndërsa Enveri kishte lënë një popull në burg, kishte vra çdo ndjenjë patriotizmi te shqiptarët dhe ata mezi pritën të iknin prej këtij atdheu që i kishte vra, burgosë dhe deformue aq shumë për gjysmë shekulli. Zogu i kishte shqiptarë me pronë, aq sa kishin e kishin të tyren, Enveri u kishte marrë çdo pasuri, i kishte bërë proletarë që krenoheshin se kishin vetëm prangat në duar e asgjë tjetër.
Erdhi 1997. Ikën shqiptarët nga sytë këmbët. Ikën se atdheu i dëboi me mungesën e shpresës, me mungesën e lirisë, me frikën për jetën se të shkonte koka nga plumba që nuk dihej nga vinin pasi bandat e dhunshme e pushtuan, dogjën dhe shqyen Shqipërinë.
Ikin shqiptarë përditë se atdheu nuk u mjafton, nuk  u del, nuk u jep shpresë, nuk u jep punë, nuk u jep të ardhme për vete e për fëmijët e tyre, atdheu i braktis në nevojë, nuk u gjendet atdheu për asgjë, vriten në mes të sheshit, nuk gjenden vrasësit që enden të lirë, i dëbon nga puna dhe i braktis si të ishte atdhe armik, si të ishte atdhe i huaj dhe shqiptarët në atdheun e tyre ndjehen si të huaj, pasi duket se shpesh e shumë shpesh këtë atdhe e marrin peng banda të pashpirta, që nuk kanë asnjë lidhje me njeriun, por vetem shohin pushtetin përsonal, pasurimin e tyre.
Atdheu nuk zmadhon dot territoret e tij dhe pakëson njerzit e tij, banorët e tij. Hemoragjia e atdheut vazhdon, ai kullon gjak e dhimbje gjithmonë. Lindin përditë shqiptarë, por numri i banorëve zvogëlohet në këtë vend. Se atdheu përzë e dëbon përditë bij të tij, nuk i punëson, nuk i siguron, nuk u ofron liri, shpresë, besim, të sotme e të ardhme. Asnjëri atdhe shqiptar nuk i don shqiptarët, ndonëse shqiptarët janë me fat se kanë dy atdhe. Shqiptarët duket kanë miq të mëdhej në botë, kanë ndonjë mik të fuqishëm që i mban, mbron e i don, se sa për udhëheqësit e tij të dy atdhetë e shqiptarëve do të shkërmoqeshin e do të treteshin si kripa në ujë. Shqiptarët kanë duket miq të forte, por jo prej këtyre vendeve që na kanë marrë banorët, i kanë tjetërsuar, na kanë marrë e pushtuar trojet, që shpallen në mënyrë cinike vende mike. Këto vende le të shpallen mike por nuk janë vende mike të shqiptarëve, qofshin komshinj e qofshin më larg.
Ra kjo luftë dhe u pamë, do ta perifrazoja Kadarenë. Shqiptarët e Kosovës e njohën Shqipërinë, u shpëndanë kudo nëpër Shqipëri për aq muaj sa qëndruan si të dëbuar. E prekën dhe njohën fizikisht Shqipërinë. U rigjetën, u rilidhën shqiptarët. Them ndoshta meriton një përmendore Milosheviqi, që i dëboi shqiptarët e Kosovës dhe ata njohën Shqipërinë e duke e njoftë do ta duan siç është e jo siç e paraqiste propaganda komuniste. Mirë do të ishte që Greqia apo dikush tjetër t’i dëbontë masivisht shqiptarët e Shqipërisë dhe edhe ata të strehoheshin në Kosovë e ta njohin Kosovën. Duke e njoftë do ta duan se është aq e bukur, aq e madhe, aq madhështore sa marrosesh pas saj, po e njofte.
Atëhere besoj se shqiptarët do të jenë një, pavarësisht se politika nuk do që të jenë një, sepse u pritet nafaka shumë politikanëve të fiseve që qeverisin gjithë vendin ose gjysmën e kombit.
Tokë e Diellit, ishulli i Tre Kepave, Triklaria është një ishull ku u ndal për ndihmë Odiseu gjatë udhëtimit të tij të kthimit për Itakë. Në atë ishull jetonin kafshët hyjnore të shenjta, të pavdekshme, që nuk shtohen, që nuk duheshin prekur, që numri i tyre është gjithmonë sa ditët e vitit. Dhe ndoshta gaboj kur mendoj se shqiptarët sikur e kanë atdheun si ishulli i Tre Kepave, se shqiptarët janë mallkuar nga perenditë e qeveritë, nuk shtohen në “ishullin” e tyre dhe turbullira ime ndoshta bën që 360 ditët e vitit t’i mendoj si 3.6 milionë shqiptarë që nuk shtohen e nuk shtohen, por vetëm pakësohen e pakësohen, ikin, dëbohen, derdhen dherave të huaja.
Ndoshta edhe kontinenti europian i ka frikë shqiptarët siç i ka rajoni. Frikë për borxhin e madh që u ka shqiptarëve dhe nuk i lejon ata as të shtohen as të bëhen bashkë.
Si duket shqiptarët u privuan ta gëzojnë jetën njerzore dhe e kanë “dënuar” kështu veten të jenë komb i pavdekshëm, të provojnë mbi kurrizin e tyre ndëshkimet më të rënda të njerzve dhe zotave dhe të bëhen për t’u patur zili, të ngjallin ndaj vetes së tyre gjithë mëritë e zilitë e fqinjëve dhe të shteteve të kontinentit plak, mëri e cmirë e egër që nuk derdhet ndaj popujve e kombeve të përkohshëm, por vetëm ndaj kombeve të pavdekshëm.
Begzad Baliu

STUDIMET BALLKANISTIKE TË PROFESOR SHABAN DEMIRAJT

Përmbajtja e shkurtër: Në studimet albanologjike kontributi i profesor Shaban Demirajt shquhet për fushën e gramatikës së sotme dhe sidomos për sintezat e mëdha të gramatikës historike e të historisë së gjuhës shqipe, por vlerësohet gjerësisht edhe për krahasimet e tyre kryesisht gramatikore në kontekstin ballkanik. Studimet e para të tij i takojnë kontributit të shqipes dhe rumanishtes në ndërtimin e strukturave të caktuara fonetike dhe gramatikore të arealit ballkanik, që edhe kulmuan me monografinë Gjuhësi ballkanike.

Në vend të hyrjes
Në shekullin XVI, tregtari italian Filipo Saseti, kishte vënë re përkimet e disa fjalëve të indishtes dhe të italishtes. Që atëherë ka zënë fill interesimi i botës shkencore për të hedhur dritë mbi këto fenomene a dukuri gjuhësore. Mirëpo, si zakonisht edhe zbulimet në këtë fushë të gjuhësisë kanë ecur krahas përsosjes së metodave dhe teorive gjuhësore, të cilat kulmuan në shekullin XIX me metodën e studimeve krahasuese të Gramatikanëve të rinj dhe sidomos me periudhën filologjike të shekullit XIX.
Krahas hulumtimit të sistemit të gjuhëve të botës dhe sidomos të gjuhëve indoeuropiane, studiuesit janë interesuar edhe për degët e tyre, veç e veç, apo për përkimet mes gjuhëve të një rajoni të veçantë, sikur është Gadishulli Ballkanik. Është e kuptueshme prandaj, pse bazat e studimit të gjuhëve të Ballkanit në kontekst të përbashkësive dhe dallimeve, i kanë vënë indoeuro¬pia¬nistët e mëdhenj, sikur janë: A. Shllajheri - ndërtuesi i drurit gjenealogjik të gjuhëve mëmë (indoeuropiane), themeluesi i studimeve albanologjike - Gustav Majeri, themeluesi i sllavistikës moderne - Franc Mikloshiçi, pastaj Holger Pedersen, Petar Skok, Eqrem Çabej, Georgievi etj., të cilët studimet në fushë të gjuhësisë ballkanike, të para nga brenda dhe në përkimet mes tyre, i çuan më tutje. Ndonëse, gjurmët i pari i ka vënë re B. J. Kopitar-i në vitin 1829 edhe gjatë këtij shekulli interesimi i studiuesve për këtë fushë studimesh ka qenë i dukshëm. Kështu, vetëm në shekullin XX u botuan disa vëllime të veçanta ose sinteza të rëndësishme nga hulumtues, si: Hendras, Banfi, Gindin, Harman, Katiçiq, Neroznak, Roseti, Sanfeld, Sheller, Solta etj. Në këtë linjë fillojnë të dalin edhe revistat për studimet ballkanike në disa qytete të Ballkanit e më gjerë: Beograd (1934), Sofje (1959), Selanik (1960), Bukuresht (1963), Pragë (1966), The balkanistica (The University of Mississippi, 1974) etj. Në gjysmën e parë të shekullit XX krijohen edhe institucione të veçanta, si ai për Studime të Europës Juglindore.
Institute për studime ballkanike janë krijuar në të gjitha shtete e Ballkanit përveç në Shqipëri, ndërsa grupe studiuesish për fushën e ballkanistikës janë krijuar në shumë qytete të Europës dhe të Amerikës. Madje, një komision ballkanik, pranë Akademisë së Shkencave të Austrisë, ishte themeluar që në fund të shekullit XIX.

II. BALLKANISTIKA DHE GJUHËSIA SHQIPTARE
Brenda institucioneve studimore shqiptare vetëm dekadën e fundit është themeluar një Seksion i ballkanistikës në Universitetin e Elbasanit, por ende nuk është themeluar ndonjë revistë e përhershme. Megjithatë, duhet të theksohet fakti se interesimi i studiuesve shqiptarë nuk ka munguar: Dr. Gjergj Pekmezi, që në fillim të shekullit XX në një monografi (dorëshkrim) për dialektet e shqipes ka trajtuar vendin e shqipes në kuadër të gjuhëve ballkanike (f. 17-26); Profesor Aleksandër Xhuvani vendin e shqipes në kuadër të gjuhëve të Gadishullit Ballkanik e ka trajtuar në disa artikuj të viteve pesëdhjeta; ndërsa me përkime gjuhësore të shqipes dhe gjuhëve të veçanta, sidomos të rumanishtes, gjuhëve sllave të jugut e greqishtes janë marrë disa autorë: Eqrem Çabej, Shaban Demiraj, Idriz Ajeti, Rexhep Ismajli, Besim Bokshi, Qemal Murati etj.
Në vitin 1964, në Tiranë është themeluar Komiteti Shqiptar i Studimeve Ballkanike, i cili sikur dihet nuk është dalluar me ndonjë ndërmarrje të veçantë. Në këtë vit, Profesor Çabej kishte përgatitur konturat e një monografie (sintezë) “Gjuhësi ballkanike” , të cilat i kishte mbajtur në Universitetin e Tiranës, më 1963, monografi kjo e cila kurrë nuk u plotësua për t’u botuar si vepër e veçantë, por si duket nga kjo sintezë dolën të përfunduara, në mos ishin shkruar edhe më parë apo diskutuar disa artikuj shkencorë për marrëdhëniet e shqipes me gjuhët fqinje veç e veç.
Pas tri dekadave Profesor Shaban Demiraj nxori në dritë veprën e parë sintezë për gjuhësinë ballkanike në gjuhën shqipe. Jashtë atyre përkimeve ndërgjuhësore që kishte shënuar më parë gjatë thellimit të studimeve në fushë të shqipes, shenja të veçanta se do të merret më gjerësisht me këtë fushë, ai kishte dhënë edhe në një numër të madh studimesh që kishin të bënin me gjuhën shqipe dhe gjuhët e tjera të Ballkanit.
Studimet e tij në këtë fushë i kishte shkruar për konferenca, kryesisht të karakterit ndërkombëtar, prandaj jo rrallë ato i kishte botuar fillimisht në gjuhë të huaja. Po këto kumtesa në rastet më të shpeshta i ka botuar edhe në revistat shkencore shqiptare, me qëllim, njohjen e opinionit akademik shqiptar për gjendjen e studimeve krahasuese në këtë fushë. Profesor Shaban Demiraj është studiues me dhunti të rrallë në fushë të kërkimeve gjuhësore, prandaj është e kuptueshme pse kërkimet, si edhe rezultatet e tij nuk janë vetëm të kërkimit gramatikor dhe jo vetëm të arritjeve gjuhësore, por edhe të karakterit gjuhësor, historik e krahasues.
Fazës së parë, përkatësisht, nivelit më të lartë të kërkimeve shkencore u takojnë studimet e shkruara për konferencat shkencore me karakter ballkanik dhe mesdhetar. Fjala është sa për kumtesat me karakter përgjithësues në fushë të ballkanologjisë, po aq edhe për kumtesat me përvijim të thellë shkencor, si: “A propos du changement de genre des sustantifis au pluriel fans l’albanais, confronté aussi avec le roumain” , “Sistemi i nyjave në shqipe, krahasuar me atë të rumanishtes” , “Vendi i përcaktorëve në shqipe vështruar historikisht edhe në përqasje me gjuhët romane” , “Mbi disa dukuri gjuhësore ballkanike në shqipe” , “Die Beziehungen der albanischen Sprache zu den übrigen Balkansprachen” , On to ancient greek loanwords in Albanian and Rumanian” , Rreth të ashtuquajturës dhanore etike në gjuhën shqipe dhe në disa gjuhë të tjera ballkanike” , “Mbi disa bashkëpërkime morfo-sintaksore midis shqipes dhe rumanishtes” etj.
Një vend më vete dhe arritje të veçanta në fushë të ballkanologjisë në studimet e Profesor Demirajt paraqesin studimet e tij për marrëdhëniet ndërmjet shqipes dhe rumanishtes. Njohës i mirë i këtyre gjuhëve Profesor Demiraj arriti të caktojë në mënyrë të qëndrueshme disa nga fenomenet dhe dukuritë që ndërlidhin strukturat fonetike dhe morfologjike e sintaksore të shqipes dhe të rumanishtes. Fjala është për studimet “Rreth ndërtimit të gjinisë së emrave në shumës në shqipe vështruar edhe në përqasje me rumanishten” , Rreth “nyjave të përparme” të shqipes, vështruar edhe në përqasje me rumanishten” etj.
Në këtë rrjedhë Profesor Demiraj ka botuar edhe disa studime të një karakteri më të haptë në fushë të ballkanistikës, të cilat nuk shihen vetëm në kontekst të marrëdhënieve gjuhësore shqiptare dhe rumune, po edhe në kontekst të gjuhëve të tjera të Ballkanit. Njohësi i spikatur i morfologjisë historike të shqipes, Profesor Demiraj, shumë herë strukturën gjuhësore (kryesisht morfologjike) e ka parë atë edhe në dritën e marrëdhënieve të saj me gjuhë të tjera të Ballkanit. Fjala është për studimet “A ka ndikime të huaja në strukturën morfologjike të shqipes?” , “Vendi (topika) i trajtave të patheksuara të përemrave vetorë në gjuhën shqipe dhe në gjuhë të tjera” , “Rreth rimarrjes së kundrinave në gjuhët ballkanike” , “Vendi i formave të patheksuara të përemrave vetorë në shqipe dhe në disa gjuhë të tjera” , “Rreth së kryerës posesive në shqipe dhe në gjuhë të tjera” , “Rreth rimarrjes së kundrinave në shqipe dhe në gjuhë të tjera ” etj.
Një kërkim më vete në studimet e Profesor Demirajt në fushë ballkanologjisë, paraqesin temat me karakter gjuhësor e historik njëkohësisht. Në studimet albanistike dhe ballkanistike të studiuesve shqiptarë, Profesor Demiraj bashkon në mënyrë sintetike konceptet teorike dhe metodat gjuhësore që para tij kishin shënuar bardët e ballkanistikës: Eqrem Çabej dhe Idriz Ajeti. Kërkimeve të tij ai nuk u dha as vetëm karakter thjesht historik, as vetëm karakter thjesht gjuhësor për fenomene të caktuara gjuhësore apo historike. Si asnjëri prej gjuhëtarëve tonë, ai e vuri mendimin e tij gjuhësor në interes të historisë, dhe periudhën historike në interes të veçorive gjuhësore të kohës, për të sjellë më në fund edhe rezultatet e synuara. Studimet “Shqipja në marrëdhëniet e saj me gjuhët fqinje në lashtësi dhe në mesjetë” ,, “Rreth marrëdhënieve të shqipes me gjuhët e tjera”, , “Rreth disa problemeve të studimeve ballkanologjike ”, “Rreth tipareve të përbashkëta të gjuhëve ballkanike” dëshmojnë më së miri anën metodologjike të trajtimit të marrëdhënieve gjuhësore ballkanike në dritën e historisë, si hapësirë dhe në dritën e zhvillimit të tyre si struktura fqinjësore. Një arritje më vete dhe më të hapët për karakterin historik dhe etnik të Ballkanit paraqet studimi “Romanizimi në Europën Juglindore – kohëzgjatja, përmasat dhe pasojat” , në të cilin janë diskutuar disa çështje me rëndësi historike: përbërja etnike e Ballkanit në prag të pushtimeve romake, gjurmë të popujve të ndryshëm indoeuropian në Ballkan, të ardhur gjatë shekujve të mëparshëm, pushtimi romak i Ballkanit, romanizimi i Dalmacisë dhe i Dakisë, arumunët dhe etnosi i tyre, mosromanizimi i grekëve dhe i shqiptarëve, pasojat e sundimit romak në Ballkan etj. Në këtë rrjedhë janë diskutuar edhe mendimet e shumë studiuesve për këto çështje, si: vlerësimet e Thunmanit, Hamp-it, apo edhe çështjet e natyrës gjuhësore sikur janë: huazimet e vjetra latine të shqipes, gjurmët e sundimit romak në gjuhën greke, huazimet nga greqishtja e vjetër si dëshmi e autoktonisë së shqiptarëve etj.
Në kërkim të veçorive gjuhësore dhe ndonjëherë edhe historike të gjuhës shqipe, si dhe përqasjes së saj me gjuhët e Ballkanit veç e veç, Profesor Shaban Demiraj arriti që të bëjë edhe njërën prej sintezave të veçanta. Disa vjet para se të botonte monografinë e tij për gjuhësinë ballkanike, ai botoi një studim të gjerë dhe sintetizues njëkohësisht “Shqipja gjuhë ballkanike” , të cilin e kishte menduar edhe si kapitull më veten në njërën prej veprave më të rëndësishme të tij “Gjuha shqipe dhe historia e saj” (Tiranë, 1988), ku në një kapitull të veçantë trajtohet pozita e gjuhës shqipe si njëra prej gjuhëve ballkanike.
Kreu i tretë i kësaj monografie me titull “Shqipja gjuhë ballkanike”, që në të vërtetë është vazhdim i kreut të parë Shqipja gjuhë indoevropiane” dhe kreut të dytë “Vendi i shqipes në rrethin e gjuhëve indoeuropiane”, përplotëson anën e jashtme të zhvillimit dhe të ndikimit të ndërsjellët në gjuhën shqipe dhe nga shqipja në gjuhët e familjes indoevropiane dhe gjuhët e familjes ballkanike. Brenda këtij kreu janë diskutuar çështjet që kanë të bëjnë me kushtet historike të përftimit të ballkanizmave dhe mendimet e Kopitarit, Weigandit e Mikloshiçit për burimin e ballkanizmave, hipotezën e substratit dhe kritikën e saj. Po këtu është diskutuar teza e Sandfeldit për ndikimin grek në përhapjen e ballkanizmave. Është me shumë interes një propozim i Profesor Demirajt mbi nevojën e caktimit të një kronologjie relative jo vetëm për ballkanizmat në përgjithësi po edhe për çdo ballkanizëm në veçanti.
Një aspekt më vete në trajtimin e temës shqipes në gjuhësinë ballkanike, paraqesin problemet që kanë të bëjnë vjetërsinë e prapavendosjes së nyjës shquese në shqipe dhe në rumanishte dhe kritika e hipotezave për një ndikim të substratit dhe të latinishtes vulgare ballkanike. Të karakterit gjuhësor dhe më saktë gramatikor janë edhe diskutimet për formimin e së ardhmes së tipit do të punoj në gjuhën shqipe dhe në gjuhë të tjera ballkanike, mendimi i Sandfeldit për burimin grek të këtij tipi dhe kritika e tij, mosha e dokumentimit të kësaj forme foljore në gjuhën shqipe dhe rruga e formimit të saj. Në këtë përmasë është diskutuar edhe çështja e zhdukjes së paskajores, hipotezat, kritikat dhe pozita e saj në strukturën e shqipes.
Njohës i mirë i strukturës së gramatikës së shqipes dhe të disa gjuhëve ballkanike, Profesor Demiraj është marrë gjerësisht edhe në këtë vepër me disa probleme, fenomene dhe dukuri të sintaksës, të para gjithnjë në kontekst të gjuhëve të tjera të Ballkanit. Këtu ai ka sjellë një sintezë të rëndësishme të çështjes së rimarrjes së kundrinave me anë të formave të patheksuara të përemrave vetorë në gjuhët ballkanike. Ai ka bërë kritikën e mendimeve mbi burimin e kësaj dukurie në latinishten vulgare, përkatësisht “përzierjen” e rasave, kohën e dokumentimit të saj dhe faktorët që i kanë dhënë shkas kësaj dukurie në këtë gjuhë dhe në gjuhët e tjera ballkanike.
Në këtë sintezë të gjerë të historisë së gjuhës shqipes dhe vendit të saj në familjen e gjuhëve ballkanike, profesor Demiraj ka ndërlidhë si askush më parë historinë, hapësirën, dokumentin dhe ndikimin e jashtëm e zhvillimin e brendshëm të shqipes nga kohët më të lashta të saj deri në ditët e sotme.
Më parë se sa të shkruante veprën e tij “Gjuhësi ballkanike”, Profesor Demiraj, në studimet e tij dhe madje edhe në recensionet e tij shkencore ka vlerësuar edhe arritjet e gjertanishme në fushë të studimeve ballkanike. Pas një varg studimesh të karakterit historik dhe gjithsesi gjuhësor, në të cilat trajtoheshin veçori të caktuara të karakterit ballkanik të shqipes dhe të gjuhëve të tjera të arealit ballkanik, ai kishte botuar edhe disa studime në të cilat kishte vlerësuar në mënyrë të përmbledhur arritjet e gjertanishme në fushë të ballkanistikës. Duke shkruar për studimet e Profesor Çabejt, të Profesor Idriz Ajetit, Profesor Jup Kastratit etj., jo njëherë ai kishte vlerësuar kontributin e tyre në fushë të ballkanistikës, por kërkimet më të thelluara të tij në këtë drejtim janë studimet: “Ndihmesat kryesore të Frantishek (Franz) Mikloshiqit në fushën e albanologjisë dhe të ballkanologjisë” , recensioni për librin e Georg Renatus Soltas, “Hyrje në gjuhësinë ballkanike” etj., në të cilat janë vlerësuar kontributet e dy prej ballkanologëve më në zë edhe në fushë të albanologjisë.
Në punimin Ndihmesat kryesore të Jernei Kopitarit dhe të Franc Mikloshiçit në fushën e albanologjisë dhe të ballkanologjisë profesor Demiraj thekson se megjithëse këta dy studiues nuk janë marrë drejtpërdrejt me albanologjinë (Franc Mikloshiqi madje është themelues i sllavistikës moderne dhe ballkanologjisë), ndihmesa e tyre në fushë të albanologjisë është e ndjeshme. Te gjuhëtari me origjinë sllovene, Jernej Kopitar, autori vlerëson së paku dy ndihmesa të rëndësishme: së pari, se “Kopitari u përpoq ta mbështesë atë tezë (tezën e prejardhjes së popullit shqiptar-B.B.) edhe me disa argumente gjuhësore” , duke e cituar edhe njëherë një thënie të Jernej Kopitarit, të cituar shpesh në studimet historike të shqipes “që shqiptarët janë pasardhësit e ilirëve të vjetër, kjo përveç me dëshmitë historike të Tunmann-it, mund të përforcohet edhe me faktin që huazimet latine në shqipe pasqyrojnë shqiptimin romak të kohës së Augustit” dhe, së dyti, që: “Kopitari është i pari gjuhëtar që ka vënë në dukje se në shqipe ka edhe fjalë me burim nga greqishtja e vjetër” . Pjesa e dytë e këtij punimi të Shaban Demirajt merret me ndihmesën e Franc Mikloshiqit (1813-1891) në fushën e albanologjisë, sidomos në veprat e rëndësishme Hulumtime shqiptare» në të cilën trajton «Elementet sllave të shqipes -Hyrje, pastaj Elementet romane në shqipe, Forma e foljeve të huazuara në shqipe dhe në disa gjuhë të tjera etj. Në këto studime të Franc Mikloshiqit, Shaban Demiraj trajton pak më gjerë, sidomos, çështjet që kanë të bëjnë me sistemin fonetik të shqipes zanoret e patheksuara, dukurinë e rotacizmit, hundorësinë, etj., për të përfunduar se “njohja relativisht e mirë e fonetikës historike të shqipes i ka dhënë mundësi Franc Mikloshoqit të jepte një shpjegim të saktë të evolucionit historik të mjaft fjalëve të kësaj gjuhe” . Mikloshiqi, sipas prof. Demirajt, ka bërë “disa vërejtje të holla edhe në fushën e gramatikës historike të shqipes” dhe ndalet veç e veç në disa nga ato që kanë të bëjnë me “rasën e emrave njëjës të gjinisë mashkullore”. Në fushë të gjuhësisë Franc Mikloshiqi vendin më të rëndësishëm zë, sa i përket studimit të “dukurive gjuhësore të përbashkëta të gjuhëve ballkanike në përgjithësi dhe elementit të vjetër të përbashkët të shqipes e të rumanishtes” . Përkrahësi i tezës ilire të prejardhjes së shqipes, gjurmët e përbashkëta gjuhësore i sheh kryesisht te “elementi i lashtë autokton” . “Franc Mikloshiqi,-përfundon Shaban Demiraj- ka merituar plotësisht të konsiderohet jo vetëm themelues i sllavistikës moderne dhe i ballkanistikës, por edhe si njëri nga themeluesit më të shquar të albanologjisë” .

III. Sinteza e madhe
Libri i Profesor Shaban Demirajt “Gjuhësi ballkanike” përbëhet prej dymbëdhjetë kapitujve në gjuhën shqipe (1-199) dhe Rezymesë, të secilit kapitull veç e veç në gjuhën angleze (201-234). Pastaj radhitet bibliografia (235-256) nga e cila mund të shihet mirë se autori ka lënë anash pa konsultuar një numër të rëndësishëm punimesh nga kjo fushë, madje edhe nga autorët shqiptarë, ndërsa në fund është radhitur treguesi alfabetik i çështjeve (263-274).

a. Çështje të përkufizimit
Kapitulli I - paraqet zhvillimin historik të studimeve ballkanike, duke filluar me B. J. Kopitarin (1829), për të ardhur deri në dhjetëvjetëshin e fundit të këtij shekulli. Përshkrimi bëhet mbi parimin kohor dhe sipas studiuesve më rë rëndësishëm: Kopitari, Mikloshiqi, Veigandi, Sandfeldi e Selishqevi dhe sipas ndihmesave të institucioneve shkencore: Ballkankomisionit të Vjenës e Kongresit të AIESEE-së, për t’u ndalur në fund në disa vërejtje të tija serioze për studimet e mëtutjeshme. Prej sintezës së tij mund të shihet se që nga fillimi i kërkimit të ballkanizmave studiuesit sillen në rrethin e disa fenomeneve e dukurive duke ua mveshur këtyre edhe motivet historike, kulturore, politike, fetare, demografike e madje edhe gjenetike. Duke filluar nga metoda e studimit e deri te nocionet “gjuhësi” dhe “gjuhësi ballkanike”, “kontakte gjuhësore”, “ballkanizma”, “grupim gjuhësor”, “lidhje gjuhësore”, “familje gjuhësh”, “klasë tipologjike e gjuhëve”, “union gjuhësh”, “zonë gjuhësore” etj. dhe hapësirat që mbulonin dikur dhe sot, edhe më tutje mbeten përkufizime relative, që për aq sa shpjegohen edhe aq më tepër mbeten për t’u hulumtuar. Këtu dallohet roli i Franc Mikloshiçit, i cili hapi rrugën për studime serioze të dukurive ballkanike në shkallë sinteze, sipas dallimeve dhe përbashkësive. Mikloshiçi burimin e tyre e shihte te “elementi autokton” i afërt me “shqipen e ditëve tona” (17), ndryshe nga Veigandi, i cili mendonte se dukuritë e përbashkëta e kanë burimin te substrati trak. Në këtë kapitull vendin më të rëndësishëm zë prezantimi i ndihmesës së gjuhëtarit danez Kristian Sandfeld me veprën “Linguistique ballkanike - problems et resultats” (“Gjuhësi ballkanike - probleme e rezultate”), (1930), me të cilën ky studiues vuri themelet e një disipline të veçantë gjuhësore që tash quhet ballkanistikë. Kur jemi këtu, le të vëmë re se vepra në fjalë e Kristian Sandfeldit, vepra e Profesor Shaban Demiraj “Gramatikë historike e gjuhës shqipe” (1986) dhe vepra e Radoslav Katiçiçit Ancient languages of the Ballkans (Gjuhët antike të Ballkanit), (1976), përbëjnë tri shtyllat kryesore mbi të cilat mbështetet vepra e Profesor Shaban Demirajt “Gjuhësi ballkanike” (1994), duke pasur në ndihmesë pastaj edhe veprat kryesore të gjuhëve ballkanike veç e veç.
Cilat janë problemet me të cilat ndeshet edhe Profesor Shaban Demiraj dhe priret për t’i shtruar a zgjidhur drejt?
- së pari, gjuhët paraindoeuropiane, sidomos çështja e pellazgjishtes;
- së dyti, shtrirja e trakishtes, e ilirishtes, e dako-mizishtes, e gjuhëve që nuk kanë lënë dokumente gjuhësore të dokumentuara;
- së treti, pozita e shqipes dhe e greqishtes si degë të veçanta në drurin gjenealogjik të gjuhëve indoeuropiane në njërën anë, dhe e bullgarishtes, serbishtes e maqedonishtes, në anën tjetër. Ndër to, e veçanta e përgjithshme e aspektit jogjuhësor është se rumanishtja, krahas shqipes konsiderohet si gjuha më ballkanistike që shtrihet jashtë territorit ballkanik. Profesor Shaban Demiraj lë mënjanë pa diskutuar çështjen e turqishtes si gjuhë e Ballkanit por joindoeuropiane, pastaj të dialekteve rome të Ballkanit etj., për të cilat nuk ka munguar interesimi i ballkanologëve. Përveç dallimeve të lartëpërmendura problemi thellohet në një aspekt themelor për studimet krahasuese: gjuha greke del e dokumentuar më se njëmijë vjet më parë ndërsa shqipja e rumanishtja vetëm para gjysmë mijëvjeçari, për maqedonishten mos të flasim, pozita e saj ndërmjet dialektit dhe gjuhës mbase vetëm në këtë botim nuk është relativizuar. A mund të bëhen krahasime gjuhësore madje në shkallë të ngjashmërive dhe të përftimeve fonetike, morfologjike e sintaksore në kushte të tilla? Profesor Shaban Demiraj mbështetjen e gjen duke hulumtuar sistemin e brendshëm të këtyre gjuhëve, pra krahasimit të dialekteve të tyre më parë dhe nxjerrjes së rezultateve të reja në kontekst të përkimeve me gjuhë të tjera më pastaj. Disa prej këtyre rezultateve Profesor Demiraj i kishte zgjedhur që më parë në studimet e tij të veçanta dhe sidomos në veprën madhore “Gramatika historike e shqipes” (1986). Ndryshe nga shumë gjuhëtarë të tjerë që në studimet gjuhësore ballkanike kanë shfrytëzuar historinë, kulturën, folklorin, lëvizjet fetare e të tjera dukuri jogjuhësore, autori këtu mbështetet vetëm në fenomenet dhe dukuritë gjuhësore, prandaj që në fillim mund të thuhet se shikimi i tij mbi gjuhët e Ballkanit është shikim krejtësisht gjuhësor.

b. Struktura historike e gjuhëve ballkanike

Në kapitullin II trajtohet “Gjendja gjuhësore e Gadishullit Ballkanik në lashtësi”. Në fillim autori jep pak të dhëna për praninë e banorëve paraindoeuropianë në Ballkan. Sipas Profesor Shaban Demirajt, gjuhët e popujve paraindoeuropianë kanë lënë gjurmë tek greqishtja, trakishtja e ilirishtja si dhe në pasardhësit e tyre, greqishten e re, shqipen etj., jo vetëm në leksik e sidomos në fushë të onomastikës, në të cilën mbështeten shumica e gjuhëtarëve, por edhe në sistemin fonetik. Jo çështja e ndikimeve në njëra tjetrën po çështja e trashëgimisë gjuhësore, d.m.th. e substratit, prej shumë gjuhëtarëve konsiderohen “ballkanizma”, ndërsa elementet e përbashkëta të gjuhëve të sotme konsidero¬hen jo ballkanizma, po rrjedhoja të përbashkëta të kontakteve gjuhësore, sepse gjuhët e një regjioni sikur është Ballkani, të cilat u takojnë familjeve të ndryshme, nuk mund të kenë sisteme të njëjta gramatikore, e që të ishin të tilla, ato duhet të ishin të trashëguara nga një gjuhë e vetme. Në këtë kapitull jepen edhe shënime të përgjithshme për prejardhjen e emrit helen dhe grek, për përbërjen dialektore të greqishtes, për strukturën fonetike e morfologjike të saj etj. Këtu autori anashkalon mendimin e shumë helenistëve të njohur që thonë se etnonimi helen dhe ai grek nuk mund të shpjegohen me gjuhën greke, por me gjuhën ilire.
Pasi kujton se lëvizjet e fiseve gjermane ishin të parëndësishme për ndryshimet gjuhësore në trojet e Ballkanit, me një privilegj të veçantë shkruan për maqedonasit e vjetër duke i dhënë krah mendimit që mbron autenticitetin maqedon përballë etnisë greke. Me një vello të hollë iliro-shqiptare mbulohet edhe Epiri, paraqitja e të cilit krahas trakëve, grekëve e ilirëve nuk duket të jetë aq i rëndësishëm për çështjen e ballkanistikës. Paraqitja e ilirëve këtu fillon me një pasqyrë historike, të lëvizjes së tyre dhe të shtrirjes gjeografike. Ashtu si më parë, edhe këtu Profesor Shaban Demiraj mbron mendimin se që nga koha antike, si ilirë të vërtetë konsiderohen ilirët e jugut, ku flitet sot shqipja, ndryshe nga bie fjala Hampi, që sipas Profesor Rexhep Ismajlit mëton që “vendin e shqipes në lashtësi ta shoh nga Dardania e më në veri”. Për ilirishten këtu me rëndësi janë edhe disa çështje fonetike si dhe problemi shekullor i hapur në studimet gjuhësore, nëse ilirishtja i takon grupit centum apo satem.
Siç është parë sa e sa herë më parë, trakasit ishin populli më i madh i Ballkanit të lashtë, ndërsa nga studimet e deritashme mund të shihet se nuk ishin pa ndikim në gjuhët dhe kulturën e popujve përreth, të dhënat e përgjithshme për trakasit, në krahasim me popujt tjerë të lashtë këtu janë gati të papërfillshme.

c. Struktura e gjuhëve ballkanike sot

Në kapitullin III - trajtohet “Gjendja e sotme gjuhësore ne Gadishullin Ballkanik”. Në fillim jepen disa shënime të përgjithshme për popujt, pakicat kombëtare dhe ishujt gjuhësor. Në këtë rast ne nuk mund të pajtohemi me krahasimet e tij që u bënë ishujve gjuhësorë grekë e sllavë në Shqipëri dhe “ishujve” gjuhësorë të shqiptarëve në Serbinë Jugore, sepse historikisht, ishujt grekë, bie fjala, janë kryesisht të këtij shekulli, ndërsa Jabllanica, Medvegja, Bujanovci e Presheva, që Profesor Shaban Demiraj i quan “ishuj”, paraqesin vazhdimësi integrale tokësore të trojeve etnike shqiptare. Pra janë vazhdimësi historike, gjeografike dhe etnike të popullatës shqiptare, kufiri ndarës i të cilëve është vënë vetëm gjatë shekullit XX. Në këtë rast autorit mund t’i bëhet edhe një vërejtje metodologjike lidhur me përdorimin e statistikave zyrtare, për sa i përket numrit të banorëve. Deri sa për popullin grek përdor Vjetarin e vitit 1990, për shqiptarët në Shqipëri, Kosovë dhe ish-Jugosllavi përdor vjetarët e viteve 1971, 1981 etj! Sikur mund të shihet, në këtë kapitull paraqitet një pasqyrë e përgjithshme për gjuhët e Ballkanit, për: shqipen, greqishten e re, gjuhët sllave jugore të Gadishullit Ballkanik (bullgarishten, serbishten apo serbokroatishten - sikur i quan edhe më tutje autori gjuhët kroate e serbe dikur të bashkuara nën aurolën shtetërore të ish-Jugosllavisë dhe maqedoni¬shten e diskutuar nën prizmin gjuhësor a politik nga gjuhët fqinje të saj), dhe rumanishten, gjeografikisht jashtë Ballkanit, për të cilat veç e veç shënon: numrin e folësve, kohën e krijimit të gjuhës, numrin e fonemave, pozicionin e theksit, dialektet, strukturën e leksikut të huazuar dhe dukuritë ballkanike, të cilat i diskuton në kapitujt që pasojnë më pas.

d. Struktura gjuhësore e ballkanizmave

Me kapitullin IV, që trajton “Disa bashkëpërkime në fushë të fonetikës”, fillon mirfillshëm shqyrtimi i çështjeve themelore që kanë të bëjnë me ballkanizmat. Siç dihet, interesimet fillestare për studimet ballkanike fillimisht janë shquar në kërkim të përkimeve në fushë të folklorit dhe morfologjinë e fonetikës. Njohuritë për këto caqe nuk kanë munguar madje që nga fillimi. Fjala është për sistemin e njëjtë të zanoreve, praninë e zanores ë në gjuhën shqipe, bullgare e greke; theksin muzikor në greqishten e vjetër dhe serbishten, rotacizmin në gjuhën shqipe dhe rumune etj., shumë prej të cilave, sikur është e njohur janë pasojë e një prirjeje të përgjithshme të gjuhësisë indoeuropiane, prandaj jo rastësisht disa dukuri qofshin fonetike apo gramatikore janë të pranishme edhe jashtë Gadishullit Ballkanik. Çështja e zanores ë edhe këtu zë vend meritor. Problemi i prejardhjes së saj është i hershëm dhe i studiuar nga shumë studiues. Përgjithësisht është pranuar se zanorja /ë/ në gjuhën shqipe, bullgare e rumune është dukuri tipike e ballkanizmave dhe se “kjo dukuri është pasojë e prirjes së gjuhësisë indoeuropiane” (77), ndërsa prejardhja e saj studiuesit i ka ndarë që në fillim. Mikloshiçi e nxirrte nga substrati ilir, Roseti nga substrati trakas, disa studiues të tjerë nga substrati dako-mizas etj. Ndërkaq, Profesor Shaban Demiraj /ë/-në në gjuhën shqipe e nxjerr si dukuri të shfaqur mjaft heret (78), “burimisht të përftuar nëpërmjet të fundores indoeuro¬piane -a” (79), kurse kohën e shfaqjes së zanores së patheksuar -ë në gjuhën shqipe (me rrugë fonetike), mendonte se duhet marrë periudha para depërtimit të sllavizmave në këtë gjuhë d.m.th., periudha para shekullit VIII të e.r.” (79). Profesor Demiraj me këtë përfundim ia merr të drejtën gjuhëtarit Emil Petroviç dhe gjuhëtarëve kryesisht sllavë, të cilët patën hedhur tezën se /ë/ në shqipe u shfaq nën ndikimin e gjuhëve sllave, sidomos “të bullgarishtes së vjetër, gjatë kohës kur kisha mesjetare e kishte qendrën në Ohër”.
Në kapitullin V trajtohet “Bashkëpërkimi i rasave gjinore dhe dhanore”, që në përgjithësi konsiderohen ndër ballkanizmat kryesore. Kjo dukuri është shfaqur në shqipen e në greqi-shten e re, ndërsa e afërt me shqipen paraqitet edhe në rumanishten. Në bullgarishten e maqedonishten sistemi i lakimit është mënjanuar në shekullin XII-XIV.(92) Edhe këtu dalin dallimet ndërmjet studiuesve përkitazi me burimin e kësaj dukurie. Këtë dukuri Mikloshiçi e gjen në shqipen, Vajgandi në trako - shqipen, Sandfeldi në greqishten, disa të tjerë në latinishten vulgare etj. Sipas Profesor Demirajt koha e formimit të kësaj dukurie i takon moshës së zhvillimit të kundërvënieve, lakimi: i shquar - i pashquar (90), ndërsa procesi i njësimit të këtyre rasave është i karakterit fonetik (80). Pas analizës gramatikore që i bën kësaj dukurie në gjuhë të ndryshme, por sidomos në gjuhën shqipe, autori përfundon se “me sa duket burimi duhet kërkuar në zhvillimin paralel të këtyre gjuhëve” (96). Pra, fjala është për një zhvillim të pavarur.
Në kapitullin VI trajtohet njëra nga dukuritë më tipike ballkanike “Prapavendosja e nyjës shquese”. Fjala është për njërën nga dukuritë ballkanike, e cila ka zgjuar interesim të hershëm, të shpeshtë dhe polemizues ndër studiuesit e gjuhësisë ballkanike, ndërsa në gjuhësinë shqiptare veç artikujve të ndryshëm është botuar edhe një monografi e vlerësuar mirë: “Prapavendosja e nyjës në gjuhët ballka¬nike” nga Profesor Besim Bokshi. Hipotezat e burimit të kësaj dukurie në shqipen, greqishten, bullgarishten, rumanishten, serbi¬shten e maqedonishten janë nga më të ndryshmet: nga substrati, adstrati a superstrati; nga greqishtja, latinishtja ballkanike, trakishtja, shqipja, gjuhët sllave, nga një zhvillim i pavarur etj. Nga një analizë shembullore, Profesor Shaban Demiraj burimin e prejardhjes sllave të prapavendosjes së nyjës e përjashton për shkak se prapavendosja e nyjës në gjuhët sllave të jugut është dokumentuar vonë edhe atë në një pjesë të kufizuar të saj, ndërsa burimin nga greqishtja e përjashton, sepse në greqishten nyja herët është paravendosur (102). Sa i përket burimit nga trakishtja, ilirishtja, apo dakomizishtja, ai tërheq vërejtjen se për një rezultat të tillë duhet të kemi mbështetje në burimet e dokumentuara shkrimore, të cilat në këtë rast na mungojnë. Pra, fjala është vetëm për hipoteza të padoku¬me¬ntuara. Lidhur me hipotezat për prapave¬ndo¬sjen e nyjës nga gjuha rumune apo shqipe, Profesor Shaban Demiraj tërheq vërejtjen se prapavendosja e nyjës në gjuhën shqipe del më e vjetër se në rumanishte, d.m.th., shfaqet para shekullit VII të erës së re, por me gjithë studimin e kësaj dukurie, çështja e burimit të prapavendosjes së nyjës në gjuhën shqipe mbetet e pazgjidhur. Duke gjetur mbështetje në shtrirjen e kësaj dukurie në gjuhët indoeuropiane dhe në ato joindoeuropiane, autori përfundon se “procesi i krijimit të nyjës shquese duhet vështruar në lidhje të ngushtë me një prirje relativisht të vjetër të vërtetuar në një varg gjuhësh indoeuropiane për të krijuar tek emrat format përkatëse për të shprehur kuptimin e shquarsisë në kundërvënie me atë të pashquarsisë”.(107)
Në kapitullin VII trajtohet “Forma e kohës së ardhme të formuar me ndihmën e foljes dua”. Është njëra prej dukurive, të cilën e kishte vënë re themeluesi i gjuhësisë ballkanike Kopitari (1829), ndërsa Mikloshiçi (1861) e konsideronte “si të parën dukuri të përbashkët të serbishtes, bullgarishtes, rumanishtes, greqishtes dhe shqipes”.(107) Në shkrimet e dokumentuara është vënë re se kjo formë është zhvilluar shumë herët në greqishten e vjetër dhe latinishten. Veigandi burimin e saj e ka sjellë nga trako-shqipja, kurse Sandfeldi nga greqi¬shtja. Në shkrimet shqipe të dokume¬ntuara, së pari del te Fjalorthi i Arnold Fon Harfit “te shprehja do daple (do ta blej), ndërsa sot mbizotëron në jug”. (119) Shqipja gjatë zhvillimit të brendshëm ka njohur tre nëntipa të së ardhmes: “1) kam me punue, 2) kam të punoj dhe formën më të re: 3) kam për të punuar”. (120) Pjesa e ngurosur “do” shpreh dëshirën, ndërsa folja ndihmëse “kam” shpreh kuptimin e domosdoshmërisë. Sot të dy elementet kanë marrë formën thjesht kohore” (121) dhe sipas Profesor Shaban Demirajt kanë qenë zhvillim i brendshëm i gjuhës shqipe”. (121)
Në kapitujt VIII dhe IX trajtohen “Problemi i rimarrjes së kundrinave” dhe “Mënjanimi i paskajores”. E përbashkëta e tyre del paraqitja e fenomenit të rimarrjes së kundrinave edhe në gjuhët përëndimore dhe prirja e hershme e mënjanimit të paskajores në gjuhët indoeuro¬piane. (149) Rimarrja e kundrinave është përftuar në shqipen, rumanishten, bullgarishten e në maqedonishten, si dhe në disa të folme periferike serbe e kroate. (127) Për shqipen është i rëndësishëm fakti se rimarrja e kundrinës së drejtë është bërë një dukuri e përgjithësuar (129) dhe shfaqja e saj kishte filluar para periudhës shkrimore. (130)
Krahas çështjes së zanafillës së mënjanimit të paskajores, pjesa më e madhe e studiuesve mbrojnë mendimin për përfitimin paralel të saj. (160) Lidhur me këtë dukuri sipas Profesor Demirajt, problemi kryesor që ngadalëson rezultatet e reja është “abstraksioni” i saj. (160) Autori dukurinë e mënjanimit të paskajores e analizon gjerësisht në shqipe dhe veç tjerash përjashton hipotezën e Sandfeldit për ndikimin e greqishtes në shqipen duke përkujtuar se gjuhët e afërta me greqishten e kanë më të theksuar mënjanimin e paskajores, ndërsa dialekti gegë i shqipes e ka ruajtur mirë paskajoren e tipit me ba krahas p.sh. dakorumanishtes së largët”. (159) Mbase ky rezultat i njohur më parë do t’i ketë dhënë të drejtë gjuhëtarit Reikenkron për të sjellë burimin e kësaj dukurie në latinishten popullore. (160)
Në një kapitull të veçantë (X), Profesor Shaban Demiraj merret me “Disa bashkëpë¬rkime të tjera midis gjuhëve ballkanike”, siç janë: “formimi i numërorëve 11-19 me ndihmën e një parafjale të ndërfutur midis numrit të vogël dhe dhjetëshes” (165); “përdorimi i foljes “kam” në veten e tretë njëjës si folje pavetore me kuptimin “gjendet, ndodhet, ekziston” (166); pikëtakimet në format e mënyrës habitore në gjuhën shqipe dhe për atë të mënyrës së ritregimit në gjuhët sllave”. (169)
Kapitulli XI u kushtohet bashkëveprimeve midis shqipes e rumanishtes. Krahas një hipoteze të kahmo¬tshme, se gjuhësinë ballkanike e përbëjnë shqipja, bullgarishtja dhe rumanishtja, përkufizuesit e së cilës hipotezë janë mbështetur jo vetëm në elementet gjuhë-sore, por edhe në ato historike, pra në ilirishten, danishten e veçanërisht trakishten, ndër studiuesit janë paraqitur edhe përkufizime tjera. Ivan Duridanov në përkufizimin e tij të unionit gjuhësor shkruan: “Dy a më shumë gjuhë formojnë një union gjuhësor kur kanë së paku dy a më shumë tipare të përbashkëta tipologjike të rendit morfosintaksor apo dy modele të përbashkëta grama¬tikore, që mund të shpjegohen si rezultat i një zhvillimi konvergjent”. Më shumë se të gjitha gjuhët fqinje, një përkufizimi të tillë i përgjigjen gjuha shqipe dhe gjuha rumune, prandaj interesimi për prejardhjen e tyre, përkimet me gjuhët tjera, sistemin gramatikor e veçanërisht leksikun, qoftë nga ballkanologët, qoftë nga albanologët a romanistët në përgjithësi, ka qenë i theksuar. Afërsitë e këtyre dy gjuhëve në sistemin gramatikor, të trashëgimisë së përbashkët leksikore dhe etimologjike kanë dhënë rezultate të shumta, kanë mbyllur shumë dilema për vendin e formimit të gjuhës shqipe por edhe të gjuhës rumune. Ndonëse tashmë pranohet në shkallë të studimeve botërore prania e shqiptarëve në Ballkan, duke përfshirë këtu edhe bregdetet e Jonit e të Adriatikut, shumë shekuj para ardhjes së sllavëve në Ballkan, lidhjet e shqipes me rumanishten janë arsyet kryesore që u hapin rrugë disa studiuesve, të cilët vendin e formimit të gjuhës shqipe e të popullit shqiptar e kërkojnë më në lindje të Ballkanit. Përkundrazi, studiuesit shqiptarë dhe pjesa dërmuese e albanologëve në përgjithësi, vendin e formi¬mit të gjuhës shqipe e të popullit shqiptar e gjejnë në jug të trojeve të sotme shqiptare, përballë Detit Adriatik dhe Detit Jon, duke nxjerrë në sipërfaqe edhe një numër të dukshëm të leksikut detar e duke e krahasuar atë edhe me leksikun e të folmeve të vendbanimeve rurale shqiptare.
Krahas dukurive fonetike dhe morfologjike të përbashkëta për shqipen dhe rumanishten në kuadër edhe të gjuhëve tjera ballkanike, Profesor Demiraj këtu sjell më shumë sqarime rreth leksikut dhe rotacizmit /n/ > /r/ në gjuhën shqipe dhe /l/ > /r/ në gjuhën rumune. Mandej se prania e një rotacizmi /l/ > /r/ në gjuhën shqipe krahas atij në rumanishte nuk duhet përjashtuar edhe më tutje, pavarësisht prej rezultateve të deritanishme. Paraqitja e tij në hapësira të ndryshme gjeografike nuk duhet të jetë arsye e mjaftueshme për përjashtimin e kësaj dukurie nga struktura e brendshme e shqipes. Më në fund ashtu sikurse edhe dukuria e prapavendosjes së nyjës edhe rotacizmi mund të jetë përftuar në rrugë paralele “nën trysninë e evolucionit të strukturës gramatikore të ngjashme të tyre”(185). Vërtetimi i ekzistimit të kësaj dukurie qoftë edhe në kohë të caktuara ose në gjuhë të caktuara të të folmeve shqiptare do të jepte përgjigje për një fjalës të tërë të shqipes.
Në kapitullin e fundit XII trajtohen “Disa bashkëpërkime në fushë të fjalorit”. Ndonëse bashkëpë¬rkimet leksikore përgjithësisht, nuk konsiderohen ballka¬ni¬zma të mirëfilltë dhe rëndësia e tyre në ballkanistikë është dytësore, interesimi i studiuesve si: Sandfeldi, Zolta, Çabej etj., për të hulumtuar këtë fushë ka qenë i dukshëm. Ashtu sikur edhe tre kapitujt e parë të këtij libri edhe kapitulli i fundit është përshkrues dhe brenda tij më shumë flitet “për rrethanat historiko-shoqërore që kanë kushtëzuar përhapjen e huazimeve” (188), nga gjuha e vjetër greke: vetëm në shqipen e rumanishten; nga latinishtja në shqipen e rumanishten; nga gjuhët sllave në gjuhën rumune, shqipe e greke etj. Krahas shembujve të shumtë gjuhësorë e konkretizues, të njohur nga gjuhësia ballkanike Profesor Shaban Demiraj këtu shoshit edhe disa probleme të prejardhjes së leksikut dhe pranisë së tij në gjuhë të ndryshme.

VI. Në vend të përfundimit
Kontributi i Profesor Shaban Demirajt në fushë të gjuhësisë shqiptare është i veçantë dhe tashmë i vlerësuar, si një trashëgimi e rëndësishme e albanologjisë së gjysmës së dytë të shekullit XX. Në gjuhësinë shqiptare, sigurisht vendin më të merituar zë për sintezat e mëdha të tij në fushë të morfologjisë dhe fonologjisë historike, si dhe në fushë të historisë së gjuhës shqipe, të vendit të formimit të saj e të prejardhjes së popullit shqiptar.
Në sintezat e tij për morfologjinë, fonologjinë dhe historinë e gjuhës shqipe jo rrallë janë përfshirë edhe veçori krahasuese të gramatikës së shqipes me gjuhët të tjera të Ballkanit, prandaj nuk është e rastit që kërkimet e tij t’i kulmoj edhe me një vepër, në të cilën gjuha shqipe, sigurisht më parë dhe më shumë se gjuhët e tjera do të trajtohen në kuadër të marrëdhënieve të tyre historike të arealit ballkanik dhe brenda zhvillimit të strukturave gjuhësore të familjes së gjuhëve ballkanike.
Vepra e tij “Gjuhësi ballkanike”, ka sjellë rezultate të dyfishta në fushë të ballkanistikës: së pari, kjo vepër, duke qenë e përgatitur për nevoja universitare, ka përmbushur një zbrazëtirë mjaft të madhe në gjuhësinë shqiptare; dhe së dyti, të gjitha dukuritë gjuhësore në gjuhësinë ballkanike janë shtruar me një akribi të rrallë shkencore, siç di t’i shtrojë vetëm Profesor Demiraj, hap pas hapi: në fillim historia e dukurisë, pastaj gjendja e deritashme e studimit të kësaj dukurie dhe pastaj analiza vetjake krahas kritikës dhe në fund rrumbullakimi i sintezës, ku në tërë këtë gjuha shqipe dhe dukuritë e saj zënë vendin kryesor.
Në këtë vepër, për herë të parë shqipja zë vend parësor edhe në shkallë krahasimi dhe studimi, krahas të gjitha botimeve të deritashme. Shpresojmë se në veprën Profesor Demirajt edhe njëherë dëshmohet mendimi që më parë i pranuar se: “ballkanistika pa shqipen del gati e pamundshme”.