Sunday 31 August 2014

Begzad Baliu

STUDIMET BALLKANISTIKE TË PROFESOR SHABAN DEMIRAJT

Përmbajtja e shkurtër: Në studimet albanologjike kontributi i profesor Shaban Demirajt shquhet për fushën e gramatikës së sotme dhe sidomos për sintezat e mëdha të gramatikës historike e të historisë së gjuhës shqipe, por vlerësohet gjerësisht edhe për krahasimet e tyre kryesisht gramatikore në kontekstin ballkanik. Studimet e para të tij i takojnë kontributit të shqipes dhe rumanishtes në ndërtimin e strukturave të caktuara fonetike dhe gramatikore të arealit ballkanik, që edhe kulmuan me monografinë Gjuhësi ballkanike.

Në vend të hyrjes
Në shekullin XVI, tregtari italian Filipo Saseti, kishte vënë re përkimet e disa fjalëve të indishtes dhe të italishtes. Që atëherë ka zënë fill interesimi i botës shkencore për të hedhur dritë mbi këto fenomene a dukuri gjuhësore. Mirëpo, si zakonisht edhe zbulimet në këtë fushë të gjuhësisë kanë ecur krahas përsosjes së metodave dhe teorive gjuhësore, të cilat kulmuan në shekullin XIX me metodën e studimeve krahasuese të Gramatikanëve të rinj dhe sidomos me periudhën filologjike të shekullit XIX.
Krahas hulumtimit të sistemit të gjuhëve të botës dhe sidomos të gjuhëve indoeuropiane, studiuesit janë interesuar edhe për degët e tyre, veç e veç, apo për përkimet mes gjuhëve të një rajoni të veçantë, sikur është Gadishulli Ballkanik. Është e kuptueshme prandaj, pse bazat e studimit të gjuhëve të Ballkanit në kontekst të përbashkësive dhe dallimeve, i kanë vënë indoeuro¬pia¬nistët e mëdhenj, sikur janë: A. Shllajheri - ndërtuesi i drurit gjenealogjik të gjuhëve mëmë (indoeuropiane), themeluesi i studimeve albanologjike - Gustav Majeri, themeluesi i sllavistikës moderne - Franc Mikloshiçi, pastaj Holger Pedersen, Petar Skok, Eqrem Çabej, Georgievi etj., të cilët studimet në fushë të gjuhësisë ballkanike, të para nga brenda dhe në përkimet mes tyre, i çuan më tutje. Ndonëse, gjurmët i pari i ka vënë re B. J. Kopitar-i në vitin 1829 edhe gjatë këtij shekulli interesimi i studiuesve për këtë fushë studimesh ka qenë i dukshëm. Kështu, vetëm në shekullin XX u botuan disa vëllime të veçanta ose sinteza të rëndësishme nga hulumtues, si: Hendras, Banfi, Gindin, Harman, Katiçiq, Neroznak, Roseti, Sanfeld, Sheller, Solta etj. Në këtë linjë fillojnë të dalin edhe revistat për studimet ballkanike në disa qytete të Ballkanit e më gjerë: Beograd (1934), Sofje (1959), Selanik (1960), Bukuresht (1963), Pragë (1966), The balkanistica (The University of Mississippi, 1974) etj. Në gjysmën e parë të shekullit XX krijohen edhe institucione të veçanta, si ai për Studime të Europës Juglindore.
Institute për studime ballkanike janë krijuar në të gjitha shtete e Ballkanit përveç në Shqipëri, ndërsa grupe studiuesish për fushën e ballkanistikës janë krijuar në shumë qytete të Europës dhe të Amerikës. Madje, një komision ballkanik, pranë Akademisë së Shkencave të Austrisë, ishte themeluar që në fund të shekullit XIX.

II. BALLKANISTIKA DHE GJUHËSIA SHQIPTARE
Brenda institucioneve studimore shqiptare vetëm dekadën e fundit është themeluar një Seksion i ballkanistikës në Universitetin e Elbasanit, por ende nuk është themeluar ndonjë revistë e përhershme. Megjithatë, duhet të theksohet fakti se interesimi i studiuesve shqiptarë nuk ka munguar: Dr. Gjergj Pekmezi, që në fillim të shekullit XX në një monografi (dorëshkrim) për dialektet e shqipes ka trajtuar vendin e shqipes në kuadër të gjuhëve ballkanike (f. 17-26); Profesor Aleksandër Xhuvani vendin e shqipes në kuadër të gjuhëve të Gadishullit Ballkanik e ka trajtuar në disa artikuj të viteve pesëdhjeta; ndërsa me përkime gjuhësore të shqipes dhe gjuhëve të veçanta, sidomos të rumanishtes, gjuhëve sllave të jugut e greqishtes janë marrë disa autorë: Eqrem Çabej, Shaban Demiraj, Idriz Ajeti, Rexhep Ismajli, Besim Bokshi, Qemal Murati etj.
Në vitin 1964, në Tiranë është themeluar Komiteti Shqiptar i Studimeve Ballkanike, i cili sikur dihet nuk është dalluar me ndonjë ndërmarrje të veçantë. Në këtë vit, Profesor Çabej kishte përgatitur konturat e një monografie (sintezë) “Gjuhësi ballkanike” , të cilat i kishte mbajtur në Universitetin e Tiranës, më 1963, monografi kjo e cila kurrë nuk u plotësua për t’u botuar si vepër e veçantë, por si duket nga kjo sintezë dolën të përfunduara, në mos ishin shkruar edhe më parë apo diskutuar disa artikuj shkencorë për marrëdhëniet e shqipes me gjuhët fqinje veç e veç.
Pas tri dekadave Profesor Shaban Demiraj nxori në dritë veprën e parë sintezë për gjuhësinë ballkanike në gjuhën shqipe. Jashtë atyre përkimeve ndërgjuhësore që kishte shënuar më parë gjatë thellimit të studimeve në fushë të shqipes, shenja të veçanta se do të merret më gjerësisht me këtë fushë, ai kishte dhënë edhe në një numër të madh studimesh që kishin të bënin me gjuhën shqipe dhe gjuhët e tjera të Ballkanit.
Studimet e tij në këtë fushë i kishte shkruar për konferenca, kryesisht të karakterit ndërkombëtar, prandaj jo rrallë ato i kishte botuar fillimisht në gjuhë të huaja. Po këto kumtesa në rastet më të shpeshta i ka botuar edhe në revistat shkencore shqiptare, me qëllim, njohjen e opinionit akademik shqiptar për gjendjen e studimeve krahasuese në këtë fushë. Profesor Shaban Demiraj është studiues me dhunti të rrallë në fushë të kërkimeve gjuhësore, prandaj është e kuptueshme pse kërkimet, si edhe rezultatet e tij nuk janë vetëm të kërkimit gramatikor dhe jo vetëm të arritjeve gjuhësore, por edhe të karakterit gjuhësor, historik e krahasues.
Fazës së parë, përkatësisht, nivelit më të lartë të kërkimeve shkencore u takojnë studimet e shkruara për konferencat shkencore me karakter ballkanik dhe mesdhetar. Fjala është sa për kumtesat me karakter përgjithësues në fushë të ballkanologjisë, po aq edhe për kumtesat me përvijim të thellë shkencor, si: “A propos du changement de genre des sustantifis au pluriel fans l’albanais, confronté aussi avec le roumain” , “Sistemi i nyjave në shqipe, krahasuar me atë të rumanishtes” , “Vendi i përcaktorëve në shqipe vështruar historikisht edhe në përqasje me gjuhët romane” , “Mbi disa dukuri gjuhësore ballkanike në shqipe” , “Die Beziehungen der albanischen Sprache zu den übrigen Balkansprachen” , On to ancient greek loanwords in Albanian and Rumanian” , Rreth të ashtuquajturës dhanore etike në gjuhën shqipe dhe në disa gjuhë të tjera ballkanike” , “Mbi disa bashkëpërkime morfo-sintaksore midis shqipes dhe rumanishtes” etj.
Një vend më vete dhe arritje të veçanta në fushë të ballkanologjisë në studimet e Profesor Demirajt paraqesin studimet e tij për marrëdhëniet ndërmjet shqipes dhe rumanishtes. Njohës i mirë i këtyre gjuhëve Profesor Demiraj arriti të caktojë në mënyrë të qëndrueshme disa nga fenomenet dhe dukuritë që ndërlidhin strukturat fonetike dhe morfologjike e sintaksore të shqipes dhe të rumanishtes. Fjala është për studimet “Rreth ndërtimit të gjinisë së emrave në shumës në shqipe vështruar edhe në përqasje me rumanishten” , Rreth “nyjave të përparme” të shqipes, vështruar edhe në përqasje me rumanishten” etj.
Në këtë rrjedhë Profesor Demiraj ka botuar edhe disa studime të një karakteri më të haptë në fushë të ballkanistikës, të cilat nuk shihen vetëm në kontekst të marrëdhënieve gjuhësore shqiptare dhe rumune, po edhe në kontekst të gjuhëve të tjera të Ballkanit. Njohësi i spikatur i morfologjisë historike të shqipes, Profesor Demiraj, shumë herë strukturën gjuhësore (kryesisht morfologjike) e ka parë atë edhe në dritën e marrëdhënieve të saj me gjuhë të tjera të Ballkanit. Fjala është për studimet “A ka ndikime të huaja në strukturën morfologjike të shqipes?” , “Vendi (topika) i trajtave të patheksuara të përemrave vetorë në gjuhën shqipe dhe në gjuhë të tjera” , “Rreth rimarrjes së kundrinave në gjuhët ballkanike” , “Vendi i formave të patheksuara të përemrave vetorë në shqipe dhe në disa gjuhë të tjera” , “Rreth së kryerës posesive në shqipe dhe në gjuhë të tjera” , “Rreth rimarrjes së kundrinave në shqipe dhe në gjuhë të tjera ” etj.
Një kërkim më vete në studimet e Profesor Demirajt në fushë ballkanologjisë, paraqesin temat me karakter gjuhësor e historik njëkohësisht. Në studimet albanistike dhe ballkanistike të studiuesve shqiptarë, Profesor Demiraj bashkon në mënyrë sintetike konceptet teorike dhe metodat gjuhësore që para tij kishin shënuar bardët e ballkanistikës: Eqrem Çabej dhe Idriz Ajeti. Kërkimeve të tij ai nuk u dha as vetëm karakter thjesht historik, as vetëm karakter thjesht gjuhësor për fenomene të caktuara gjuhësore apo historike. Si asnjëri prej gjuhëtarëve tonë, ai e vuri mendimin e tij gjuhësor në interes të historisë, dhe periudhën historike në interes të veçorive gjuhësore të kohës, për të sjellë më në fund edhe rezultatet e synuara. Studimet “Shqipja në marrëdhëniet e saj me gjuhët fqinje në lashtësi dhe në mesjetë” ,, “Rreth marrëdhënieve të shqipes me gjuhët e tjera”, , “Rreth disa problemeve të studimeve ballkanologjike ”, “Rreth tipareve të përbashkëta të gjuhëve ballkanike” dëshmojnë më së miri anën metodologjike të trajtimit të marrëdhënieve gjuhësore ballkanike në dritën e historisë, si hapësirë dhe në dritën e zhvillimit të tyre si struktura fqinjësore. Një arritje më vete dhe më të hapët për karakterin historik dhe etnik të Ballkanit paraqet studimi “Romanizimi në Europën Juglindore – kohëzgjatja, përmasat dhe pasojat” , në të cilin janë diskutuar disa çështje me rëndësi historike: përbërja etnike e Ballkanit në prag të pushtimeve romake, gjurmë të popujve të ndryshëm indoeuropian në Ballkan, të ardhur gjatë shekujve të mëparshëm, pushtimi romak i Ballkanit, romanizimi i Dalmacisë dhe i Dakisë, arumunët dhe etnosi i tyre, mosromanizimi i grekëve dhe i shqiptarëve, pasojat e sundimit romak në Ballkan etj. Në këtë rrjedhë janë diskutuar edhe mendimet e shumë studiuesve për këto çështje, si: vlerësimet e Thunmanit, Hamp-it, apo edhe çështjet e natyrës gjuhësore sikur janë: huazimet e vjetra latine të shqipes, gjurmët e sundimit romak në gjuhën greke, huazimet nga greqishtja e vjetër si dëshmi e autoktonisë së shqiptarëve etj.
Në kërkim të veçorive gjuhësore dhe ndonjëherë edhe historike të gjuhës shqipe, si dhe përqasjes së saj me gjuhët e Ballkanit veç e veç, Profesor Shaban Demiraj arriti që të bëjë edhe njërën prej sintezave të veçanta. Disa vjet para se të botonte monografinë e tij për gjuhësinë ballkanike, ai botoi një studim të gjerë dhe sintetizues njëkohësisht “Shqipja gjuhë ballkanike” , të cilin e kishte menduar edhe si kapitull më veten në njërën prej veprave më të rëndësishme të tij “Gjuha shqipe dhe historia e saj” (Tiranë, 1988), ku në një kapitull të veçantë trajtohet pozita e gjuhës shqipe si njëra prej gjuhëve ballkanike.
Kreu i tretë i kësaj monografie me titull “Shqipja gjuhë ballkanike”, që në të vërtetë është vazhdim i kreut të parë Shqipja gjuhë indoevropiane” dhe kreut të dytë “Vendi i shqipes në rrethin e gjuhëve indoeuropiane”, përplotëson anën e jashtme të zhvillimit dhe të ndikimit të ndërsjellët në gjuhën shqipe dhe nga shqipja në gjuhët e familjes indoevropiane dhe gjuhët e familjes ballkanike. Brenda këtij kreu janë diskutuar çështjet që kanë të bëjnë me kushtet historike të përftimit të ballkanizmave dhe mendimet e Kopitarit, Weigandit e Mikloshiçit për burimin e ballkanizmave, hipotezën e substratit dhe kritikën e saj. Po këtu është diskutuar teza e Sandfeldit për ndikimin grek në përhapjen e ballkanizmave. Është me shumë interes një propozim i Profesor Demirajt mbi nevojën e caktimit të një kronologjie relative jo vetëm për ballkanizmat në përgjithësi po edhe për çdo ballkanizëm në veçanti.
Një aspekt më vete në trajtimin e temës shqipes në gjuhësinë ballkanike, paraqesin problemet që kanë të bëjnë vjetërsinë e prapavendosjes së nyjës shquese në shqipe dhe në rumanishte dhe kritika e hipotezave për një ndikim të substratit dhe të latinishtes vulgare ballkanike. Të karakterit gjuhësor dhe më saktë gramatikor janë edhe diskutimet për formimin e së ardhmes së tipit do të punoj në gjuhën shqipe dhe në gjuhë të tjera ballkanike, mendimi i Sandfeldit për burimin grek të këtij tipi dhe kritika e tij, mosha e dokumentimit të kësaj forme foljore në gjuhën shqipe dhe rruga e formimit të saj. Në këtë përmasë është diskutuar edhe çështja e zhdukjes së paskajores, hipotezat, kritikat dhe pozita e saj në strukturën e shqipes.
Njohës i mirë i strukturës së gramatikës së shqipes dhe të disa gjuhëve ballkanike, Profesor Demiraj është marrë gjerësisht edhe në këtë vepër me disa probleme, fenomene dhe dukuri të sintaksës, të para gjithnjë në kontekst të gjuhëve të tjera të Ballkanit. Këtu ai ka sjellë një sintezë të rëndësishme të çështjes së rimarrjes së kundrinave me anë të formave të patheksuara të përemrave vetorë në gjuhët ballkanike. Ai ka bërë kritikën e mendimeve mbi burimin e kësaj dukurie në latinishten vulgare, përkatësisht “përzierjen” e rasave, kohën e dokumentimit të saj dhe faktorët që i kanë dhënë shkas kësaj dukurie në këtë gjuhë dhe në gjuhët e tjera ballkanike.
Në këtë sintezë të gjerë të historisë së gjuhës shqipes dhe vendit të saj në familjen e gjuhëve ballkanike, profesor Demiraj ka ndërlidhë si askush më parë historinë, hapësirën, dokumentin dhe ndikimin e jashtëm e zhvillimin e brendshëm të shqipes nga kohët më të lashta të saj deri në ditët e sotme.
Më parë se sa të shkruante veprën e tij “Gjuhësi ballkanike”, Profesor Demiraj, në studimet e tij dhe madje edhe në recensionet e tij shkencore ka vlerësuar edhe arritjet e gjertanishme në fushë të studimeve ballkanike. Pas një varg studimesh të karakterit historik dhe gjithsesi gjuhësor, në të cilat trajtoheshin veçori të caktuara të karakterit ballkanik të shqipes dhe të gjuhëve të tjera të arealit ballkanik, ai kishte botuar edhe disa studime në të cilat kishte vlerësuar në mënyrë të përmbledhur arritjet e gjertanishme në fushë të ballkanistikës. Duke shkruar për studimet e Profesor Çabejt, të Profesor Idriz Ajetit, Profesor Jup Kastratit etj., jo njëherë ai kishte vlerësuar kontributin e tyre në fushë të ballkanistikës, por kërkimet më të thelluara të tij në këtë drejtim janë studimet: “Ndihmesat kryesore të Frantishek (Franz) Mikloshiqit në fushën e albanologjisë dhe të ballkanologjisë” , recensioni për librin e Georg Renatus Soltas, “Hyrje në gjuhësinë ballkanike” etj., në të cilat janë vlerësuar kontributet e dy prej ballkanologëve më në zë edhe në fushë të albanologjisë.
Në punimin Ndihmesat kryesore të Jernei Kopitarit dhe të Franc Mikloshiçit në fushën e albanologjisë dhe të ballkanologjisë profesor Demiraj thekson se megjithëse këta dy studiues nuk janë marrë drejtpërdrejt me albanologjinë (Franc Mikloshiqi madje është themelues i sllavistikës moderne dhe ballkanologjisë), ndihmesa e tyre në fushë të albanologjisë është e ndjeshme. Te gjuhëtari me origjinë sllovene, Jernej Kopitar, autori vlerëson së paku dy ndihmesa të rëndësishme: së pari, se “Kopitari u përpoq ta mbështesë atë tezë (tezën e prejardhjes së popullit shqiptar-B.B.) edhe me disa argumente gjuhësore” , duke e cituar edhe njëherë një thënie të Jernej Kopitarit, të cituar shpesh në studimet historike të shqipes “që shqiptarët janë pasardhësit e ilirëve të vjetër, kjo përveç me dëshmitë historike të Tunmann-it, mund të përforcohet edhe me faktin që huazimet latine në shqipe pasqyrojnë shqiptimin romak të kohës së Augustit” dhe, së dyti, që: “Kopitari është i pari gjuhëtar që ka vënë në dukje se në shqipe ka edhe fjalë me burim nga greqishtja e vjetër” . Pjesa e dytë e këtij punimi të Shaban Demirajt merret me ndihmesën e Franc Mikloshiqit (1813-1891) në fushën e albanologjisë, sidomos në veprat e rëndësishme Hulumtime shqiptare» në të cilën trajton «Elementet sllave të shqipes -Hyrje, pastaj Elementet romane në shqipe, Forma e foljeve të huazuara në shqipe dhe në disa gjuhë të tjera etj. Në këto studime të Franc Mikloshiqit, Shaban Demiraj trajton pak më gjerë, sidomos, çështjet që kanë të bëjnë me sistemin fonetik të shqipes zanoret e patheksuara, dukurinë e rotacizmit, hundorësinë, etj., për të përfunduar se “njohja relativisht e mirë e fonetikës historike të shqipes i ka dhënë mundësi Franc Mikloshoqit të jepte një shpjegim të saktë të evolucionit historik të mjaft fjalëve të kësaj gjuhe” . Mikloshiqi, sipas prof. Demirajt, ka bërë “disa vërejtje të holla edhe në fushën e gramatikës historike të shqipes” dhe ndalet veç e veç në disa nga ato që kanë të bëjnë me “rasën e emrave njëjës të gjinisë mashkullore”. Në fushë të gjuhësisë Franc Mikloshiqi vendin më të rëndësishëm zë, sa i përket studimit të “dukurive gjuhësore të përbashkëta të gjuhëve ballkanike në përgjithësi dhe elementit të vjetër të përbashkët të shqipes e të rumanishtes” . Përkrahësi i tezës ilire të prejardhjes së shqipes, gjurmët e përbashkëta gjuhësore i sheh kryesisht te “elementi i lashtë autokton” . “Franc Mikloshiqi,-përfundon Shaban Demiraj- ka merituar plotësisht të konsiderohet jo vetëm themelues i sllavistikës moderne dhe i ballkanistikës, por edhe si njëri nga themeluesit më të shquar të albanologjisë” .

III. Sinteza e madhe
Libri i Profesor Shaban Demirajt “Gjuhësi ballkanike” përbëhet prej dymbëdhjetë kapitujve në gjuhën shqipe (1-199) dhe Rezymesë, të secilit kapitull veç e veç në gjuhën angleze (201-234). Pastaj radhitet bibliografia (235-256) nga e cila mund të shihet mirë se autori ka lënë anash pa konsultuar një numër të rëndësishëm punimesh nga kjo fushë, madje edhe nga autorët shqiptarë, ndërsa në fund është radhitur treguesi alfabetik i çështjeve (263-274).

a. Çështje të përkufizimit
Kapitulli I - paraqet zhvillimin historik të studimeve ballkanike, duke filluar me B. J. Kopitarin (1829), për të ardhur deri në dhjetëvjetëshin e fundit të këtij shekulli. Përshkrimi bëhet mbi parimin kohor dhe sipas studiuesve më rë rëndësishëm: Kopitari, Mikloshiqi, Veigandi, Sandfeldi e Selishqevi dhe sipas ndihmesave të institucioneve shkencore: Ballkankomisionit të Vjenës e Kongresit të AIESEE-së, për t’u ndalur në fund në disa vërejtje të tija serioze për studimet e mëtutjeshme. Prej sintezës së tij mund të shihet se që nga fillimi i kërkimit të ballkanizmave studiuesit sillen në rrethin e disa fenomeneve e dukurive duke ua mveshur këtyre edhe motivet historike, kulturore, politike, fetare, demografike e madje edhe gjenetike. Duke filluar nga metoda e studimit e deri te nocionet “gjuhësi” dhe “gjuhësi ballkanike”, “kontakte gjuhësore”, “ballkanizma”, “grupim gjuhësor”, “lidhje gjuhësore”, “familje gjuhësh”, “klasë tipologjike e gjuhëve”, “union gjuhësh”, “zonë gjuhësore” etj. dhe hapësirat që mbulonin dikur dhe sot, edhe më tutje mbeten përkufizime relative, që për aq sa shpjegohen edhe aq më tepër mbeten për t’u hulumtuar. Këtu dallohet roli i Franc Mikloshiçit, i cili hapi rrugën për studime serioze të dukurive ballkanike në shkallë sinteze, sipas dallimeve dhe përbashkësive. Mikloshiçi burimin e tyre e shihte te “elementi autokton” i afërt me “shqipen e ditëve tona” (17), ndryshe nga Veigandi, i cili mendonte se dukuritë e përbashkëta e kanë burimin te substrati trak. Në këtë kapitull vendin më të rëndësishëm zë prezantimi i ndihmesës së gjuhëtarit danez Kristian Sandfeld me veprën “Linguistique ballkanike - problems et resultats” (“Gjuhësi ballkanike - probleme e rezultate”), (1930), me të cilën ky studiues vuri themelet e një disipline të veçantë gjuhësore që tash quhet ballkanistikë. Kur jemi këtu, le të vëmë re se vepra në fjalë e Kristian Sandfeldit, vepra e Profesor Shaban Demiraj “Gramatikë historike e gjuhës shqipe” (1986) dhe vepra e Radoslav Katiçiçit Ancient languages of the Ballkans (Gjuhët antike të Ballkanit), (1976), përbëjnë tri shtyllat kryesore mbi të cilat mbështetet vepra e Profesor Shaban Demirajt “Gjuhësi ballkanike” (1994), duke pasur në ndihmesë pastaj edhe veprat kryesore të gjuhëve ballkanike veç e veç.
Cilat janë problemet me të cilat ndeshet edhe Profesor Shaban Demiraj dhe priret për t’i shtruar a zgjidhur drejt?
- së pari, gjuhët paraindoeuropiane, sidomos çështja e pellazgjishtes;
- së dyti, shtrirja e trakishtes, e ilirishtes, e dako-mizishtes, e gjuhëve që nuk kanë lënë dokumente gjuhësore të dokumentuara;
- së treti, pozita e shqipes dhe e greqishtes si degë të veçanta në drurin gjenealogjik të gjuhëve indoeuropiane në njërën anë, dhe e bullgarishtes, serbishtes e maqedonishtes, në anën tjetër. Ndër to, e veçanta e përgjithshme e aspektit jogjuhësor është se rumanishtja, krahas shqipes konsiderohet si gjuha më ballkanistike që shtrihet jashtë territorit ballkanik. Profesor Shaban Demiraj lë mënjanë pa diskutuar çështjen e turqishtes si gjuhë e Ballkanit por joindoeuropiane, pastaj të dialekteve rome të Ballkanit etj., për të cilat nuk ka munguar interesimi i ballkanologëve. Përveç dallimeve të lartëpërmendura problemi thellohet në një aspekt themelor për studimet krahasuese: gjuha greke del e dokumentuar më se njëmijë vjet më parë ndërsa shqipja e rumanishtja vetëm para gjysmë mijëvjeçari, për maqedonishten mos të flasim, pozita e saj ndërmjet dialektit dhe gjuhës mbase vetëm në këtë botim nuk është relativizuar. A mund të bëhen krahasime gjuhësore madje në shkallë të ngjashmërive dhe të përftimeve fonetike, morfologjike e sintaksore në kushte të tilla? Profesor Shaban Demiraj mbështetjen e gjen duke hulumtuar sistemin e brendshëm të këtyre gjuhëve, pra krahasimit të dialekteve të tyre më parë dhe nxjerrjes së rezultateve të reja në kontekst të përkimeve me gjuhë të tjera më pastaj. Disa prej këtyre rezultateve Profesor Demiraj i kishte zgjedhur që më parë në studimet e tij të veçanta dhe sidomos në veprën madhore “Gramatika historike e shqipes” (1986). Ndryshe nga shumë gjuhëtarë të tjerë që në studimet gjuhësore ballkanike kanë shfrytëzuar historinë, kulturën, folklorin, lëvizjet fetare e të tjera dukuri jogjuhësore, autori këtu mbështetet vetëm në fenomenet dhe dukuritë gjuhësore, prandaj që në fillim mund të thuhet se shikimi i tij mbi gjuhët e Ballkanit është shikim krejtësisht gjuhësor.

b. Struktura historike e gjuhëve ballkanike

Në kapitullin II trajtohet “Gjendja gjuhësore e Gadishullit Ballkanik në lashtësi”. Në fillim autori jep pak të dhëna për praninë e banorëve paraindoeuropianë në Ballkan. Sipas Profesor Shaban Demirajt, gjuhët e popujve paraindoeuropianë kanë lënë gjurmë tek greqishtja, trakishtja e ilirishtja si dhe në pasardhësit e tyre, greqishten e re, shqipen etj., jo vetëm në leksik e sidomos në fushë të onomastikës, në të cilën mbështeten shumica e gjuhëtarëve, por edhe në sistemin fonetik. Jo çështja e ndikimeve në njëra tjetrën po çështja e trashëgimisë gjuhësore, d.m.th. e substratit, prej shumë gjuhëtarëve konsiderohen “ballkanizma”, ndërsa elementet e përbashkëta të gjuhëve të sotme konsidero¬hen jo ballkanizma, po rrjedhoja të përbashkëta të kontakteve gjuhësore, sepse gjuhët e një regjioni sikur është Ballkani, të cilat u takojnë familjeve të ndryshme, nuk mund të kenë sisteme të njëjta gramatikore, e që të ishin të tilla, ato duhet të ishin të trashëguara nga një gjuhë e vetme. Në këtë kapitull jepen edhe shënime të përgjithshme për prejardhjen e emrit helen dhe grek, për përbërjen dialektore të greqishtes, për strukturën fonetike e morfologjike të saj etj. Këtu autori anashkalon mendimin e shumë helenistëve të njohur që thonë se etnonimi helen dhe ai grek nuk mund të shpjegohen me gjuhën greke, por me gjuhën ilire.
Pasi kujton se lëvizjet e fiseve gjermane ishin të parëndësishme për ndryshimet gjuhësore në trojet e Ballkanit, me një privilegj të veçantë shkruan për maqedonasit e vjetër duke i dhënë krah mendimit që mbron autenticitetin maqedon përballë etnisë greke. Me një vello të hollë iliro-shqiptare mbulohet edhe Epiri, paraqitja e të cilit krahas trakëve, grekëve e ilirëve nuk duket të jetë aq i rëndësishëm për çështjen e ballkanistikës. Paraqitja e ilirëve këtu fillon me një pasqyrë historike, të lëvizjes së tyre dhe të shtrirjes gjeografike. Ashtu si më parë, edhe këtu Profesor Shaban Demiraj mbron mendimin se që nga koha antike, si ilirë të vërtetë konsiderohen ilirët e jugut, ku flitet sot shqipja, ndryshe nga bie fjala Hampi, që sipas Profesor Rexhep Ismajlit mëton që “vendin e shqipes në lashtësi ta shoh nga Dardania e më në veri”. Për ilirishten këtu me rëndësi janë edhe disa çështje fonetike si dhe problemi shekullor i hapur në studimet gjuhësore, nëse ilirishtja i takon grupit centum apo satem.
Siç është parë sa e sa herë më parë, trakasit ishin populli më i madh i Ballkanit të lashtë, ndërsa nga studimet e deritashme mund të shihet se nuk ishin pa ndikim në gjuhët dhe kulturën e popujve përreth, të dhënat e përgjithshme për trakasit, në krahasim me popujt tjerë të lashtë këtu janë gati të papërfillshme.

c. Struktura e gjuhëve ballkanike sot

Në kapitullin III - trajtohet “Gjendja e sotme gjuhësore ne Gadishullin Ballkanik”. Në fillim jepen disa shënime të përgjithshme për popujt, pakicat kombëtare dhe ishujt gjuhësor. Në këtë rast ne nuk mund të pajtohemi me krahasimet e tij që u bënë ishujve gjuhësorë grekë e sllavë në Shqipëri dhe “ishujve” gjuhësorë të shqiptarëve në Serbinë Jugore, sepse historikisht, ishujt grekë, bie fjala, janë kryesisht të këtij shekulli, ndërsa Jabllanica, Medvegja, Bujanovci e Presheva, që Profesor Shaban Demiraj i quan “ishuj”, paraqesin vazhdimësi integrale tokësore të trojeve etnike shqiptare. Pra janë vazhdimësi historike, gjeografike dhe etnike të popullatës shqiptare, kufiri ndarës i të cilëve është vënë vetëm gjatë shekullit XX. Në këtë rast autorit mund t’i bëhet edhe një vërejtje metodologjike lidhur me përdorimin e statistikave zyrtare, për sa i përket numrit të banorëve. Deri sa për popullin grek përdor Vjetarin e vitit 1990, për shqiptarët në Shqipëri, Kosovë dhe ish-Jugosllavi përdor vjetarët e viteve 1971, 1981 etj! Sikur mund të shihet, në këtë kapitull paraqitet një pasqyrë e përgjithshme për gjuhët e Ballkanit, për: shqipen, greqishten e re, gjuhët sllave jugore të Gadishullit Ballkanik (bullgarishten, serbishten apo serbokroatishten - sikur i quan edhe më tutje autori gjuhët kroate e serbe dikur të bashkuara nën aurolën shtetërore të ish-Jugosllavisë dhe maqedoni¬shten e diskutuar nën prizmin gjuhësor a politik nga gjuhët fqinje të saj), dhe rumanishten, gjeografikisht jashtë Ballkanit, për të cilat veç e veç shënon: numrin e folësve, kohën e krijimit të gjuhës, numrin e fonemave, pozicionin e theksit, dialektet, strukturën e leksikut të huazuar dhe dukuritë ballkanike, të cilat i diskuton në kapitujt që pasojnë më pas.

d. Struktura gjuhësore e ballkanizmave

Me kapitullin IV, që trajton “Disa bashkëpërkime në fushë të fonetikës”, fillon mirfillshëm shqyrtimi i çështjeve themelore që kanë të bëjnë me ballkanizmat. Siç dihet, interesimet fillestare për studimet ballkanike fillimisht janë shquar në kërkim të përkimeve në fushë të folklorit dhe morfologjinë e fonetikës. Njohuritë për këto caqe nuk kanë munguar madje që nga fillimi. Fjala është për sistemin e njëjtë të zanoreve, praninë e zanores ë në gjuhën shqipe, bullgare e greke; theksin muzikor në greqishten e vjetër dhe serbishten, rotacizmin në gjuhën shqipe dhe rumune etj., shumë prej të cilave, sikur është e njohur janë pasojë e një prirjeje të përgjithshme të gjuhësisë indoeuropiane, prandaj jo rastësisht disa dukuri qofshin fonetike apo gramatikore janë të pranishme edhe jashtë Gadishullit Ballkanik. Çështja e zanores ë edhe këtu zë vend meritor. Problemi i prejardhjes së saj është i hershëm dhe i studiuar nga shumë studiues. Përgjithësisht është pranuar se zanorja /ë/ në gjuhën shqipe, bullgare e rumune është dukuri tipike e ballkanizmave dhe se “kjo dukuri është pasojë e prirjes së gjuhësisë indoeuropiane” (77), ndërsa prejardhja e saj studiuesit i ka ndarë që në fillim. Mikloshiçi e nxirrte nga substrati ilir, Roseti nga substrati trakas, disa studiues të tjerë nga substrati dako-mizas etj. Ndërkaq, Profesor Shaban Demiraj /ë/-në në gjuhën shqipe e nxjerr si dukuri të shfaqur mjaft heret (78), “burimisht të përftuar nëpërmjet të fundores indoeuro¬piane -a” (79), kurse kohën e shfaqjes së zanores së patheksuar -ë në gjuhën shqipe (me rrugë fonetike), mendonte se duhet marrë periudha para depërtimit të sllavizmave në këtë gjuhë d.m.th., periudha para shekullit VIII të e.r.” (79). Profesor Demiraj me këtë përfundim ia merr të drejtën gjuhëtarit Emil Petroviç dhe gjuhëtarëve kryesisht sllavë, të cilët patën hedhur tezën se /ë/ në shqipe u shfaq nën ndikimin e gjuhëve sllave, sidomos “të bullgarishtes së vjetër, gjatë kohës kur kisha mesjetare e kishte qendrën në Ohër”.
Në kapitullin V trajtohet “Bashkëpërkimi i rasave gjinore dhe dhanore”, që në përgjithësi konsiderohen ndër ballkanizmat kryesore. Kjo dukuri është shfaqur në shqipen e në greqi-shten e re, ndërsa e afërt me shqipen paraqitet edhe në rumanishten. Në bullgarishten e maqedonishten sistemi i lakimit është mënjanuar në shekullin XII-XIV.(92) Edhe këtu dalin dallimet ndërmjet studiuesve përkitazi me burimin e kësaj dukurie. Këtë dukuri Mikloshiçi e gjen në shqipen, Vajgandi në trako - shqipen, Sandfeldi në greqishten, disa të tjerë në latinishten vulgare etj. Sipas Profesor Demirajt koha e formimit të kësaj dukurie i takon moshës së zhvillimit të kundërvënieve, lakimi: i shquar - i pashquar (90), ndërsa procesi i njësimit të këtyre rasave është i karakterit fonetik (80). Pas analizës gramatikore që i bën kësaj dukurie në gjuhë të ndryshme, por sidomos në gjuhën shqipe, autori përfundon se “me sa duket burimi duhet kërkuar në zhvillimin paralel të këtyre gjuhëve” (96). Pra, fjala është për një zhvillim të pavarur.
Në kapitullin VI trajtohet njëra nga dukuritë më tipike ballkanike “Prapavendosja e nyjës shquese”. Fjala është për njërën nga dukuritë ballkanike, e cila ka zgjuar interesim të hershëm, të shpeshtë dhe polemizues ndër studiuesit e gjuhësisë ballkanike, ndërsa në gjuhësinë shqiptare veç artikujve të ndryshëm është botuar edhe një monografi e vlerësuar mirë: “Prapavendosja e nyjës në gjuhët ballka¬nike” nga Profesor Besim Bokshi. Hipotezat e burimit të kësaj dukurie në shqipen, greqishten, bullgarishten, rumanishten, serbi¬shten e maqedonishten janë nga më të ndryshmet: nga substrati, adstrati a superstrati; nga greqishtja, latinishtja ballkanike, trakishtja, shqipja, gjuhët sllave, nga një zhvillim i pavarur etj. Nga një analizë shembullore, Profesor Shaban Demiraj burimin e prejardhjes sllave të prapavendosjes së nyjës e përjashton për shkak se prapavendosja e nyjës në gjuhët sllave të jugut është dokumentuar vonë edhe atë në një pjesë të kufizuar të saj, ndërsa burimin nga greqishtja e përjashton, sepse në greqishten nyja herët është paravendosur (102). Sa i përket burimit nga trakishtja, ilirishtja, apo dakomizishtja, ai tërheq vërejtjen se për një rezultat të tillë duhet të kemi mbështetje në burimet e dokumentuara shkrimore, të cilat në këtë rast na mungojnë. Pra, fjala është vetëm për hipoteza të padoku¬me¬ntuara. Lidhur me hipotezat për prapave¬ndo¬sjen e nyjës nga gjuha rumune apo shqipe, Profesor Shaban Demiraj tërheq vërejtjen se prapavendosja e nyjës në gjuhën shqipe del më e vjetër se në rumanishte, d.m.th., shfaqet para shekullit VII të erës së re, por me gjithë studimin e kësaj dukurie, çështja e burimit të prapavendosjes së nyjës në gjuhën shqipe mbetet e pazgjidhur. Duke gjetur mbështetje në shtrirjen e kësaj dukurie në gjuhët indoeuropiane dhe në ato joindoeuropiane, autori përfundon se “procesi i krijimit të nyjës shquese duhet vështruar në lidhje të ngushtë me një prirje relativisht të vjetër të vërtetuar në një varg gjuhësh indoeuropiane për të krijuar tek emrat format përkatëse për të shprehur kuptimin e shquarsisë në kundërvënie me atë të pashquarsisë”.(107)
Në kapitullin VII trajtohet “Forma e kohës së ardhme të formuar me ndihmën e foljes dua”. Është njëra prej dukurive, të cilën e kishte vënë re themeluesi i gjuhësisë ballkanike Kopitari (1829), ndërsa Mikloshiçi (1861) e konsideronte “si të parën dukuri të përbashkët të serbishtes, bullgarishtes, rumanishtes, greqishtes dhe shqipes”.(107) Në shkrimet e dokumentuara është vënë re se kjo formë është zhvilluar shumë herët në greqishten e vjetër dhe latinishten. Veigandi burimin e saj e ka sjellë nga trako-shqipja, kurse Sandfeldi nga greqi¬shtja. Në shkrimet shqipe të dokume¬ntuara, së pari del te Fjalorthi i Arnold Fon Harfit “te shprehja do daple (do ta blej), ndërsa sot mbizotëron në jug”. (119) Shqipja gjatë zhvillimit të brendshëm ka njohur tre nëntipa të së ardhmes: “1) kam me punue, 2) kam të punoj dhe formën më të re: 3) kam për të punuar”. (120) Pjesa e ngurosur “do” shpreh dëshirën, ndërsa folja ndihmëse “kam” shpreh kuptimin e domosdoshmërisë. Sot të dy elementet kanë marrë formën thjesht kohore” (121) dhe sipas Profesor Shaban Demirajt kanë qenë zhvillim i brendshëm i gjuhës shqipe”. (121)
Në kapitujt VIII dhe IX trajtohen “Problemi i rimarrjes së kundrinave” dhe “Mënjanimi i paskajores”. E përbashkëta e tyre del paraqitja e fenomenit të rimarrjes së kundrinave edhe në gjuhët përëndimore dhe prirja e hershme e mënjanimit të paskajores në gjuhët indoeuro¬piane. (149) Rimarrja e kundrinave është përftuar në shqipen, rumanishten, bullgarishten e në maqedonishten, si dhe në disa të folme periferike serbe e kroate. (127) Për shqipen është i rëndësishëm fakti se rimarrja e kundrinës së drejtë është bërë një dukuri e përgjithësuar (129) dhe shfaqja e saj kishte filluar para periudhës shkrimore. (130)
Krahas çështjes së zanafillës së mënjanimit të paskajores, pjesa më e madhe e studiuesve mbrojnë mendimin për përfitimin paralel të saj. (160) Lidhur me këtë dukuri sipas Profesor Demirajt, problemi kryesor që ngadalëson rezultatet e reja është “abstraksioni” i saj. (160) Autori dukurinë e mënjanimit të paskajores e analizon gjerësisht në shqipe dhe veç tjerash përjashton hipotezën e Sandfeldit për ndikimin e greqishtes në shqipen duke përkujtuar se gjuhët e afërta me greqishten e kanë më të theksuar mënjanimin e paskajores, ndërsa dialekti gegë i shqipes e ka ruajtur mirë paskajoren e tipit me ba krahas p.sh. dakorumanishtes së largët”. (159) Mbase ky rezultat i njohur më parë do t’i ketë dhënë të drejtë gjuhëtarit Reikenkron për të sjellë burimin e kësaj dukurie në latinishten popullore. (160)
Në një kapitull të veçantë (X), Profesor Shaban Demiraj merret me “Disa bashkëpë¬rkime të tjera midis gjuhëve ballkanike”, siç janë: “formimi i numërorëve 11-19 me ndihmën e një parafjale të ndërfutur midis numrit të vogël dhe dhjetëshes” (165); “përdorimi i foljes “kam” në veten e tretë njëjës si folje pavetore me kuptimin “gjendet, ndodhet, ekziston” (166); pikëtakimet në format e mënyrës habitore në gjuhën shqipe dhe për atë të mënyrës së ritregimit në gjuhët sllave”. (169)
Kapitulli XI u kushtohet bashkëveprimeve midis shqipes e rumanishtes. Krahas një hipoteze të kahmo¬tshme, se gjuhësinë ballkanike e përbëjnë shqipja, bullgarishtja dhe rumanishtja, përkufizuesit e së cilës hipotezë janë mbështetur jo vetëm në elementet gjuhë-sore, por edhe në ato historike, pra në ilirishten, danishten e veçanërisht trakishten, ndër studiuesit janë paraqitur edhe përkufizime tjera. Ivan Duridanov në përkufizimin e tij të unionit gjuhësor shkruan: “Dy a më shumë gjuhë formojnë një union gjuhësor kur kanë së paku dy a më shumë tipare të përbashkëta tipologjike të rendit morfosintaksor apo dy modele të përbashkëta grama¬tikore, që mund të shpjegohen si rezultat i një zhvillimi konvergjent”. Më shumë se të gjitha gjuhët fqinje, një përkufizimi të tillë i përgjigjen gjuha shqipe dhe gjuha rumune, prandaj interesimi për prejardhjen e tyre, përkimet me gjuhët tjera, sistemin gramatikor e veçanërisht leksikun, qoftë nga ballkanologët, qoftë nga albanologët a romanistët në përgjithësi, ka qenë i theksuar. Afërsitë e këtyre dy gjuhëve në sistemin gramatikor, të trashëgimisë së përbashkët leksikore dhe etimologjike kanë dhënë rezultate të shumta, kanë mbyllur shumë dilema për vendin e formimit të gjuhës shqipe por edhe të gjuhës rumune. Ndonëse tashmë pranohet në shkallë të studimeve botërore prania e shqiptarëve në Ballkan, duke përfshirë këtu edhe bregdetet e Jonit e të Adriatikut, shumë shekuj para ardhjes së sllavëve në Ballkan, lidhjet e shqipes me rumanishten janë arsyet kryesore që u hapin rrugë disa studiuesve, të cilët vendin e formimit të gjuhës shqipe e të popullit shqiptar e kërkojnë më në lindje të Ballkanit. Përkundrazi, studiuesit shqiptarë dhe pjesa dërmuese e albanologëve në përgjithësi, vendin e formi¬mit të gjuhës shqipe e të popullit shqiptar e gjejnë në jug të trojeve të sotme shqiptare, përballë Detit Adriatik dhe Detit Jon, duke nxjerrë në sipërfaqe edhe një numër të dukshëm të leksikut detar e duke e krahasuar atë edhe me leksikun e të folmeve të vendbanimeve rurale shqiptare.
Krahas dukurive fonetike dhe morfologjike të përbashkëta për shqipen dhe rumanishten në kuadër edhe të gjuhëve tjera ballkanike, Profesor Demiraj këtu sjell më shumë sqarime rreth leksikut dhe rotacizmit /n/ > /r/ në gjuhën shqipe dhe /l/ > /r/ në gjuhën rumune. Mandej se prania e një rotacizmi /l/ > /r/ në gjuhën shqipe krahas atij në rumanishte nuk duhet përjashtuar edhe më tutje, pavarësisht prej rezultateve të deritanishme. Paraqitja e tij në hapësira të ndryshme gjeografike nuk duhet të jetë arsye e mjaftueshme për përjashtimin e kësaj dukurie nga struktura e brendshme e shqipes. Më në fund ashtu sikurse edhe dukuria e prapavendosjes së nyjës edhe rotacizmi mund të jetë përftuar në rrugë paralele “nën trysninë e evolucionit të strukturës gramatikore të ngjashme të tyre”(185). Vërtetimi i ekzistimit të kësaj dukurie qoftë edhe në kohë të caktuara ose në gjuhë të caktuara të të folmeve shqiptare do të jepte përgjigje për një fjalës të tërë të shqipes.
Në kapitullin e fundit XII trajtohen “Disa bashkëpërkime në fushë të fjalorit”. Ndonëse bashkëpë¬rkimet leksikore përgjithësisht, nuk konsiderohen ballka¬ni¬zma të mirëfilltë dhe rëndësia e tyre në ballkanistikë është dytësore, interesimi i studiuesve si: Sandfeldi, Zolta, Çabej etj., për të hulumtuar këtë fushë ka qenë i dukshëm. Ashtu sikur edhe tre kapitujt e parë të këtij libri edhe kapitulli i fundit është përshkrues dhe brenda tij më shumë flitet “për rrethanat historiko-shoqërore që kanë kushtëzuar përhapjen e huazimeve” (188), nga gjuha e vjetër greke: vetëm në shqipen e rumanishten; nga latinishtja në shqipen e rumanishten; nga gjuhët sllave në gjuhën rumune, shqipe e greke etj. Krahas shembujve të shumtë gjuhësorë e konkretizues, të njohur nga gjuhësia ballkanike Profesor Shaban Demiraj këtu shoshit edhe disa probleme të prejardhjes së leksikut dhe pranisë së tij në gjuhë të ndryshme.

VI. Në vend të përfundimit
Kontributi i Profesor Shaban Demirajt në fushë të gjuhësisë shqiptare është i veçantë dhe tashmë i vlerësuar, si një trashëgimi e rëndësishme e albanologjisë së gjysmës së dytë të shekullit XX. Në gjuhësinë shqiptare, sigurisht vendin më të merituar zë për sintezat e mëdha të tij në fushë të morfologjisë dhe fonologjisë historike, si dhe në fushë të historisë së gjuhës shqipe, të vendit të formimit të saj e të prejardhjes së popullit shqiptar.
Në sintezat e tij për morfologjinë, fonologjinë dhe historinë e gjuhës shqipe jo rrallë janë përfshirë edhe veçori krahasuese të gramatikës së shqipes me gjuhët të tjera të Ballkanit, prandaj nuk është e rastit që kërkimet e tij t’i kulmoj edhe me një vepër, në të cilën gjuha shqipe, sigurisht më parë dhe më shumë se gjuhët e tjera do të trajtohen në kuadër të marrëdhënieve të tyre historike të arealit ballkanik dhe brenda zhvillimit të strukturave gjuhësore të familjes së gjuhëve ballkanike.
Vepra e tij “Gjuhësi ballkanike”, ka sjellë rezultate të dyfishta në fushë të ballkanistikës: së pari, kjo vepër, duke qenë e përgatitur për nevoja universitare, ka përmbushur një zbrazëtirë mjaft të madhe në gjuhësinë shqiptare; dhe së dyti, të gjitha dukuritë gjuhësore në gjuhësinë ballkanike janë shtruar me një akribi të rrallë shkencore, siç di t’i shtrojë vetëm Profesor Demiraj, hap pas hapi: në fillim historia e dukurisë, pastaj gjendja e deritashme e studimit të kësaj dukurie dhe pastaj analiza vetjake krahas kritikës dhe në fund rrumbullakimi i sintezës, ku në tërë këtë gjuha shqipe dhe dukuritë e saj zënë vendin kryesor.
Në këtë vepër, për herë të parë shqipja zë vend parësor edhe në shkallë krahasimi dhe studimi, krahas të gjitha botimeve të deritashme. Shpresojmë se në veprën Profesor Demirajt edhe njëherë dëshmohet mendimi që më parë i pranuar se: “ballkanistika pa shqipen del gati e pamundshme”.

No comments: