Thursday 14 August 2014

Rainca - vendbanim i vjetër Dardan - Shqiptar në rajonin e Preshevës



Rainca - vendbanim i vjetër Dardan - Shqiptar në rajonin e Preshevës
1.Pozita gjeografike

Fshati Raincë është vendbanim i komunës së Preshevës dhe shtrihet në veri të Luginë të Preshevës. 
Fshati Raincë gjendet në mes të Preshevës dhe Bujanocit dhe është urë lidhëse e këtyre dy komunave. 
Fshati Raincë është një prej fshatrave më të mëdhenj të komunës së Preshevës.  Rainca gjendet në kilometrin e 12, të rrugës rajonale Preshevë-Bujanoc, ndërsa largësia nga qyteti I Bujanocit është 14 km. në verilindje të qytetit të Preshevës. Fshati gjendet në verilindje të Preshevës dhe në jug të Bujanociit. 
Përkufizohet në very me fshatin Letovicë të Bujanocit, në lindje më Samolicën e Bujanocit, në jug me Corroticën e Preshevës dhe në perëndim me Garën e Preshevës.Ai shtrihet në luginën e Lumit të Raincës, rrëzë maleve të Karadakut, në pjesën përëndimore të autoudhës Beograd-Nish-Shkup. Lartësia mbidetare e fshatit është 463 m.


Pamje nga fshati Raincë
Rainca është urë lidhëse në mes të Bujanocit dhe Preshevës, përkah pikëpamja territoriale dhe etnike e popullatës
Fshati Raincë shtrihet rrëzë maleve të Karadakut, ndërsa fusha e saj shtrihet në Moravicë, kryesisht në pjesën perëndimore të Autoudhës Vranjë-Preshevë-Kumanovë dhe është vazhdimësi e Luginës së Preshevës.
Rainca ka rrugë të mira komunikacioni, lidhet me Autoudhën Beograd-Vranjë, Preshevë-Shkup.Nëpër Raincë kalon rruga rajonale Llojan-Miratoc-Preshevë, Raincë-Bujanoc e tutje dhe rrugë të tjera lokale.
Fshati gjendet në Luginë, në mes dy kodrave, nëpër Raincë kalon kalon Lumi i Gjakut, siç e quajnë banorët e fshatit, i cili në krye të fshaitt merr Lumin e Madh dhe Lumin e Vogël. 
Profesor Hajredin Neziri shtrirjen e fshatrave në krahasim me qendrën urbane të Preshevës i ndan në katër breza/4/, sipas largësisë së vendbanimit nga rrugët kryesore, sipas largësisë së vendbanimit nga qyteti./Hajredin Neziri, Shtrirja e fshatrave në krahasim me qendrën urbane të Preshevës, Preshevë, Panorama,nr.2, 2000, f.70/
Rainca i takon vendbanimeve të brezit të dytë, ku pos këtij fshati bëjnë pjesë edhe: Miratoci, Strezoci, Gerajt, Golemidolli, Lerani, Bukoci, Bukuroci, Corrotica, Gosponica, garja, Buhiçi, Ilinca, Maxherja, Caravajka, Kurbalija, Staneci dhe Shoshaja e Epërme e e Poshtme.
Këto vendbanime gjenden në largësi prej 5 deri 10 km nga qyteti I Preshevës. Brezi i dytë është më i madhi përkah numri i vendbanimeve, banorëve dhe familjeve.
Jovan Trifunoski, fshatin Raincë e vendos në Karadakun e Preshevës, fshati është në pozitë të volitshme gjeografike. I vendosur në veri të Preshevës. Rainca kufizohet në veri me Bërçecin dhe vendbanimin e Bujanocit, Letovicë, në lindje me Samolicën e Bujanocit, në jug me Corroticën, Shoshajën e Epërme dhe Bukocin, kurse në perëndim me Garën.
Jovan Haxhivasileviqi, Raincën e vendos në vendbanimet e Moravicës, ku bëjnë pjesë: Norça, Tërrnacva, Miratoci, Çukarka, Strezoci, Gerajt, Golemidolli, Leran, Bushtrani, Bilaçi, Zhunica, Bukuroci, Rahovica, Corrotica, Samolica, Negoci, Letovica, Bërçeci, Garja, Vërbani, Gramada dhe Bratoselca./Jovan Hadzi-Vasilevic, Juzna stara Srbija, Presevska oblast, knj.II, Beograd, 1913, f. 56/
Rainca i takon zonës kodrinore-fushore dhe ka një pozitë të përshtatshme, sepse ka dy zona ekonomike: rrafshin e shfrytëzon për bujqësi, ndërsa pjesën kodrinore për blegtori, vneshtari e pylltari.
Fshati Raincë gjendet ne koordinatat me gjërësi gjeografike:  422245, me gjatësi gjeografike: 214144 dhe në lartësi mbidetare 436 m.
2.Themelimi i fshatit
Fshati Raincë e themeloi stergjyshi i Mustafë Sharkut, i cili ishte vendas dhe banor i parë i fshatit.
Mustafë Sharku kishte tre djemë: Limoni ishte djali më i madh i Mustafës, Osmoni, djali i dytë dhe Sylejmani, djali më i vogël i Mustafë Sharkut. Familja e Mustafë Sharkut në fshat jetonte në harmoni, lumturi familjare, por edhe kishin pasuri deri sa ia prishi këtë disponim dhe lumturi djali i dytë, Osmoni, i cili pas martesës u shpërngul për në Turqi.
Mustafë Sharku edhepse me zemër të thyer për djalin e dytë, e vazhdon jetën, i përvishet punës me djemtë të tjerë, për një jetë më të mirë dhe më të lumtur.
Me gjithë problemet jetësore e familjare që pati, Mustafë Sharku mori daullen në krah dhe në shenjë të dashurisë së madhe për fshatin doli për caktimin e kufijve të fshatit Raincë me fshatrat të tjerë fqinjë të Raincës. Ai duke i ra daullës, ecte dhe bëntë shënimin dhe caktimin e kufijve për rreth e përqark fshatit. Mustafë Sharku duke i ra daullës ia bëri me dije fqinjëve se po caktohen kufijtë në mes të Raincës dhe fshatrave të tjerë dhe se këta kufinjë më nuk ndërrohen dhe se janë real. Kështu u vuan edhe kufinjtë definitive në mes të fshatit Raincë dhe fshatrave të tjerë fqinjë. Mustafë Sharku u mor me bujqësi dhe blegtori.
Më vonë familjes së Mustafë Sharkut në fshat iu bashkangjitën Ukajtë, me në krye me të parin e tyre që quhej Ukë, pastaj Sopajtë, Thaçët, Kasollët, Rexhajtë dhe Hutunët. Të tjerët erdhën dhe u vendosën me vonë në fshat.
3.E kaluara historike dhe struktura etnike e popullsisë
3.1..Rainca në kohën e vjetër
E kaluara e Raincës  është ngushtë e lidhur me të kaluarën e Rajonit të Preshevës. Rainca i takon komunës së Preshevës, e cila banohet nga popullata shumicë shqiptare dhe qysh në Antikë ka bërë pjesë në territorin e Dardanisë.Më saktësisht, territori i komunës së Preshevës, me këte edhe ai i  Raincës  banohej nga fisi  ilir dardan, nga rrënja e të cilit pa dyshim janë edhe shqiptarët e sotëm. Këtë e dëshmojnë të dhënat arkeologjike, antropologjike, kulturore-historike, gjuhësore, etnologjike e tjerë. Po këtë e dëshmon edhe autori  K. jiriçek : “Në kohën parahistorike, territori i Moravicës së sotme me Preshevën, gjegjësisht me Raincën i takonte popullit të vjetër Dardan”. /K.Jiricek, Istorija Srba, I, Beograd, 1922  f. 255/
Mbretërinë Dardane, ku bënte pjesë edhe Rajoni i Preshevës, e sulmuan Sllavët e Jugut qysh në shekullin VI dhe VII, pastaj luftërat me Maqedonët e dobësuan, ndërsa e pushtuan: Roma, Bizanti, Serbia(1103), Bizanti(1104) dhe prap Serbia(1106) në shek.XII.
Vjetërsinë antike të fshatit  Raincë e vërtetojnë edhe gjetjet arkeologjike në vendbanimin i vjetër antik, e quajtur Biganoc dhe lokaliteti i vjetër antik Krroi i Ftohtë.

Biganoci në   Raincë
Fshati i Vjetër Biganoc, sipas Haxhi Jakup(Bajram) Rexhepit nga Rainca është i hershëm shqiptar dhe ka qenë themeluar mbi Raincën, kah Lumi i Madh. 
Biganoci shtrihej prej një Shelqe të madhe që ka qenë më herët dhe deri vonë dhe deri te Lisi i Gjatë ose si është quajture Lisi i Xhemit.
Biganoci ka pasur një pozitë të volitshme gjeografike për një ekzistencë të mirë të popullatës së
këtij vendbanimi. Në rend të parë zhvillonin blegtorinë, sepse ruanin kafshë në ledinat dhe kullosat e shumta këtij vendbanimi.
Pozita e lokalitetit dhe gjeturinat sipërfaqësore vërtetojnë ekzistimin e një vendbanimi bujqësor.
Banorët e Biganocit, përshkak të kushteve të mira janë marrë pos blegtorisë janë matrrë edhe me zejtari. Se janë marrë me zeje,e cila ka qenë në një nivel të lartë zhvillimi. Zejtarët /vorbëtarët/ kanë bërë enë prej dheut, tregojnë edhe barinjtë, të cilët duke hapur pusa kanë hasur në enë të dëmtuara.
Banorët e Biganocit veçanërisht janë marrë me ndreqjen e bigave për qerre, andaj edhe emri i vendbanimit Biganoc. Ata ndreqnin edhe pjesë tjera të qerreve, por edhe qerre, të cilat i shitnin nëpër tregje për rreth. Ndryshe, ky lokalitet është quajtur edhe “Vendi i Bigave të qerreve”. Pra shumica e popullatës së Biganocit jetuan nga zejtaria dhe prodhimet e saja.
Banorët e Buganocit pos blrgtprisë dhe zejtarisë janë marrë aktivisht edhe me lojera sportive, tregon Mulla Jakupi. Ata u morën me shumë disciplina sportive: me vrapim, mundje, kërcim në tre hap, hudhje gurit e tj. Kështu garat tradicionale të hudhjes së gurit janë mbajtur tradicionalisht dhe për çdo vit, te Lisi i Gjatë apo Lisi i Xhemit, në lendinë skaj lumit. Në këto gara kanë marrë pjesë shumë garues të moshës madhore. Largësia e matjes së hedhjes së gurit është matur me hapa. Garuesit që kanë hedhur më larg gurin janë quajtur Gragonjë. Kështu edhe lumi e mori emrin sipas garuesve dragonjë në Lumi i Dragonjëve.
Biganoci gjendet në gjërësinë gjeografike 0554834, në gjatësinë gjeografike 4692057 dhe në lartësinë mbidetare 499 m.

Kroi i Ftohtë në Raincë
Vendi i quajtur Uji i Ftohtë është në një ramje pyjore dhe gjendet nja 3 km në veri prej Xhamisë dhe në perëndim të Biganocit. Këtu banorët gjetën një pitos antik dhe ky lokalitet është në lidhje me vendbanimin antik Biganoci.Në këtë lokalitet gjendet  Kroi, të cilin e kanë hapur barinjtë e fshatit, në skaj të Kurrizit të Osojës së Madhe, në kufi afër Sharanpollit, kah Lumi i Madh, përballë Lisit të Xhemit apo të
 Gjatë. Uji i Kroit është i ftohtë dhe i shijshëm për pije. Më nuk ekziston Kroi, sepse ujin e tij e mori një familje e lagjes së Ukajve, tregon Vebi Fazliu nga Rainca.
Kroi gjendet në gjërësinë gjeografike 0554630, në gjatësinë gjeografike 4691997 dhe në lartësinë gjeografike 500 m.

3.2.Rainca në kohën e Turqisë Otomane
Turqia Otomane e pushtoi Rajonin e Vranjës dhe Preshevës më 1445. 
“Me vendosjen e pushtetit osmanlinj fillon islamizimi shkallë shkallë i Anës së Vranjës”. /Dr. Srboljub Dj. Stamenkovic, Osnovne promene u etnickoj strukturi vranjskog kraja, Vranjski glasnik, knj. XX, Vranje1986, f.115/, që do të thotë edhe i Rajonit të Preshevës.
Në shekullin XVI, Rainca dhe Rajoni i Preshevës i takonin Kadillëkut të Vranjës dhe ishin pjesë përbërëse e Sanxhakut të Qustendilit. 

Rainca me Preshevën në Kadillëkun e Vranjës, në shek XVI
Nga të dhënat e lartëpërmendura në tabelë shihet se Rainca e Madhe dhe e Vogël shtrihen  në Nahinë e Moravicës dhe gjatë viteve 1519,1528 dhe 1570 kishin vetëm familje të krishtera, pa asnjë familje muslimane, sikur edhe shumica e vendbanimeve të Preshevës. Kjo popullatë ishte e përkatësisë së krishterë, besimit katolik në vendbanimet e Malësisë së Preshevës dhe besimit ortodoksë në fushën e Preshevës.
Për ta vërtetuar këtë thënie po cekim disa studiuesë:
 “Pushtimi serb i shek XII i gjente popullsinë shqiptare të viseve veriore dhe verilindore të lidhura kishtarisht me ortodoksinë bizantine(Kosovë e Maqedoni) e me katolicizmin roman(Diokle-Zetë)”. / Pëllumb Xhufi, Shqiptarët në Mbretërinë serbe të Nemanjidëve, Kosova, nr 4/1994, f. 18/.
“Në territorin e Serbisë Jugore të sotme ekzistonte kristianizmi edhe para ardhjes së Serbëve dhe ishte i rrënjësuar thellë në popullatën e atëhershme. Poashtu ekzistonin organizata kishtare të fuqishme me shumë seli episkopike(Stobi, Skupi, Ulpiana, Liplani, etjerë). / Mil. S. Filipovic, Etnicke prilike u Juznoj Srbiji, Skoplje, 1937, f. 396, 428/. 
Më 1878 formohet Kazaja e Preshevës, me rradhë e pesta në Sanxhakun e Prishtinës, të Vilajetit të Kosovës. Kazaja e Preshevës përfshinte Nahinë e Bujanocit dhe të Tërgovishtës deri më vitin 1912.Pra, Kazaja e Preshevës ndahet nga Kazaja e Vranjës.
Sipas shënimeve zyrtare të  organeve të Vilajetit më 1893, Kazaja e Preshevës kishte 41.983 banorë dhe sipas strukturës fetare: 15.038 myslimanë dhe 26.047 serbë, ndërsa sipas shënimeve të njëjta, por të viteve 1890-1900, Kazaja e Preshevës kishte 6.958 shtëpi dhe 122 fshatra: Norça, Tërrnava, Miratoci, Kurbalia, Rahovica, Murashefqa(Murashevci), Ilinca, Bugovqa e Epërme(Bukoci), Gaspokenqe(Gosponica), Garja, Bukovqa(Bukoci), Shushai(Shoshaja e Epërme dhe e Poshtme), Qernotanqe(Corrotica), Rainqa(Rainca), Berqefqa(Bërçeca), Gramada, Virban(Verbani), Dobrosh(Dobrosini), Inasalqa(Nesalca), Oslar(Osllara), Loqan(Lluçani), Konqol(Konçuli), Levosoja, Bujanofqa(Bujanoci), Tirnifqa(Tërrnoci i Madh dhe i Vogël), Lopardinca, Gradeniku, Krelejeva, Bernqe, Mehofqa(Muhoci), Ramizbuqe(Ramabuqa), Cari, Soharina(Suharna), Novosel, Hashan(Novosela), Gjurgjeci, Bulgarina(Bugarina), Tabanofqa(Tabanoci), Garlmpol, Lerani, Bratoselca, Bilah(Bilaçi), Bogofqa, Saharlinqa, Novosel, Bilaq, Bogdanofqa,(Bogdanoci), Kosharna, Pashtriqa, Zibofqa(Zarbinca), Koshoviqa(Kosharna), Kalnfuqa, Trajk, Lukarqe(Lukarce), Sotipenka, Drezhnica, Kushtica, Spançevci, Bernjara, Starci, Brezine(Breznica), Paralofqa, Spaqe, Baralevci, Bushtrani, Hristjan, Rusce, Zejake(Zarbinca), Ladofqa, SuhoSelishte(Suho mezraa), Novosel Ibshne, Parbaxhe, Malerka, Voganci, Jablanica, Maglenxha, Ternica, Lanidol, Gornovci, Dimbija, Parelek, Shiqanqe, Shahiqe Marganci, Bunushofqe, Berzevica(Breznica), Konore, Tarniqa, Tergovishte, Gorekrqe(Gjerekare), Kozji Dol, GornjoKozji Dol, Kormani, Begishte, Nerva, Leshnica e Epërme dhe e Poshtme,Karlova, Sorliqe(Shajinca), Berolsini, Cerna reka, Dukati, Cervengrad, Radovnica, Stajovci, Banja Bulana, Galug, Kornoviq Pole, Irladovci, Dijenqa, Cernovci, Manastir çifligi, Konorica, Bukuroci, Ravinqa, Cokarka(Çukarka), Jurovci, Pozhenovci, Zhuzhelica, Belanci, Zhbevci.
Studiuesi bullgar Vasil Kënçov në librin e tij: “Izabrani proizvedenija, tom II, Sofia, 1970, në pjesën : Makedonia, Etnografia i Statistika, në Popujt e Maqedonisë shkruan edhe për Shqiptarët dhe Kazanë e Preshevës dhe përbërjen e saj etnike.

Harta etnografike e Maqedonisë e autorit Vasil Kënçov
Në këtë tabelë radhiten 96 vendbanime të Kazasë së Preshevës me numrin e banorëve. Sipas kësaj tabele numri i përgjithshëm i banorëve të Kazazë së Preshevës arrin në 37.124 banorë, prej të cilëve 27.678 banorë janë Bullgarë dhe 9.446 janë banorë Shqiptarë. Po i përmendin disa vendbanime me numrin e banorëve:
1.Presheva me 2.000 banorë Shqiptarë,
2.Bilaçi me 650 banorë, prej të cilëve 300 bullgarë dhë 350 Shqiptarë,
3. Bujanoci me 1900 banorë, prej tyre 1200 banorë Bullgarë dhe 700 banorë Shqiptarë,
4.Bukuroca me 270 banorë Bullgarë,
5. Dobrosini me 170 banorë Shqiptarë,
6.Golemi Dolli me 280 banorë Shqiptarë,
7.. Gramada me 96 banorë Shqiptarë
8.Zhunica me 430 banorë, prej tyre 250 banorë Bullgarë dhe 180 banorë Shqiptarë,
9.Konçuli me 300 banorë Shqiptarë,
10.Lluçani me 260 banorë Bullgarë,
11.Letovica me 325 banorë Bullgarë,
12.Miratoci me 400 banorë Bullgarë,
13. Negoci me 170 banorë Shqiptarë,
14.Nesalca me 340 banorë Shqiptarë,
15.Norça me 260 banorë Bullgarë,
16.Rahovica me 435 banorë, prej tyre 35 banorë Bullgarë dhe 400 banorë Shqiptarë,
17.Osllara me 550 banorë, prej të cilëve 320 banorë janë Bullgarë dhe 230 banorë Shqiptarë,
18.Rainca me 350 banorë Shqiptarë,
19. Relani me 290 banorë, prej tyre 90 banorë Bullgarë dhe 200 banorë Shqiptarë,
20.Ramabuça me 202 banorë Bullgarë,
21.Strezoci me 260 banorë, prej tyre 90 banorë Bullgarë dhe 170 banorë Shqiptarë,
22.Suharna me 195 banorë Bullgarë,
23.Tërnoci me 2.000 banorë Shqiptarë,
24.Turija me 120 banorë Shqiptarë,
25.Tërrnava me 235 banorë Bullgarë,
26.Qyteti i Mbretit/e quan Kënçovi/ me 400 banorë, prej tyre 180 banorë Bullgarë dhe 220 banorë Shqiptarë,
27.Çukarka me 160 banorë Shqiptarë 
28.Shoshaja me 110 banorë Shqiptarë dhe
29. Verbani me 120 banorë Shqiptarë,
Gjatë vitit 1895 Rainca i ka pasur 90 shtëpi.
Sipas rrëfyesit gjatë kohës së Turqisë, në Raincë ka pasur Kaçakë, të cilët e kundërshtonin regjimin e Portës së Lartë. Kaçak i përbetuar nga fshati Raincë ka qenë Ali Januzi, i farefisit të Sali Dautit, të shkuar në Turqi.Shtëpia e tij ka qenë e Jordan Sotirit, i nacionaliteti bullgar. Në këtë shtëpi ka jetuar Ali Januzi deri në vdekje. Pas vdekjes së tij, djali i tij, i quajtur Kurta/Kurtish/ shpërngulet nga Rainca.
Në fshatin Raincë ka pasur edhe çausha, Ibrahim dhe Bajram Çaushi të Mëhallës së Zenelëve. Ibrahim/Brahim/ Çaushi ka qenë vëllau i Zenelit të familjes së Murat Beqirit. Bajram Çaushi ka qenë vëllau i Selim Hoxhës.
Poashtu gjatë sundimit ottoman ka pasur Spahi, i ashtuquajturi Halim Spahiu, i cili ka pasur në at kohë pronë të madhe tokësore. Halim Spahiu ka qenë i Mëhallës së Asllanëve.
Përveç këtyre, në Raincë ka pasur edhe Agallarë, ndër ta ka qenë Emin Aga, i cili është i Mëhallës së Hutunëve, i familjes së Hamdi-Xhavit Nurëve. 
Edhe Emin Aga ka pasur pasuri të mëdha të tokës, të cilat ia kanë punuar argatët me pare, sikur edhe Spahive e Çaushëve.

3.3.Rainca në Jugosllavinë e Vjetër
Më vonë gjatë vitit 1912, sidomos pas depërtimit të ushtrisë serbe, në fshatin Raincë kanë ardhur edhe 9 shtëpi serbë.
Ndarja administrative, territoriale e politike e Rrethit të Preshevës vazhdon edhe në Mbretërinë Jugosllave të vitit 1931.
Banovina e Vardarit përfshinte Serbinë Jugore, Rajonin e Vranjës, Shkupin, Bregallnicën, Manastirin, pjesën jugore të Kosovës, Rajonin e Nishit: rrethin e Vlasotincës, Lekovacit dhe të Jabllanicës dhe një pjesë të Rajonit të Zetës: Gjakovën.
Në aspektin administrativ Banovinën e Vardarit e formonin 46 rrethe dhe 525 komuna.
Sipas shënimeve statistikore zyrtare të Serbisë së Vjetër të vitit 1914,/Mil.Ant.Vujicic, Recnik mesta u oslobodjenoj oblasti Stare Srbije, po sluzbenim podacima, U Beogradu, 1914, f.77,78/
Rrethi i Preshevës kishte 9 komuna, 95 vendbanime, 2 qyteza, 2 manastire dhe 37.945 banorë.
Rrethi i Preshevës përfshinte 9 komuna: Bilaçi, Bujanoci, Zhunica, Klenike, Klinoci, Levosoja, Novosella, Presheva dhe Shainca. Pra, Rrethi I Preshevës përfshinte 91 fshatra(vendbanime) dhe dy qyteza :Preshevën dhe Bujanocin me 37.945 banorë. Po i cekim vetëm komunat, ku përfshihen vendbanimet e komunës së sotme të Preshevës. Komuna e Bilaçit kishte 4.301 banorë me këto vendbanime: Bilaçi me 1.271 banorë, Bërçeci me 136 banorë, Bratosellca me 157 banorë, Bushtrani me 510 banorë, Gramada me 71 banorë, Letovica me 408 banorë, Negovci me 122 banorë, Novosella me 290 banorë, Rainca me 652 banorë, Samolica me 482 banorë.
Sipas shënimeve statistikore të Mbretërisë Serbe, Kroate e Sllovene të vitit 1925, /Kraljevina Srba, Hrvata i Slovenaca “Recnik mesta, 1925, Beograd, f.59,60/Rrethi i Preshevës i takonte Qarkut të Kumanovës, me qendër në Shkup, në Banovinën e Vardarit. Komunat e Rrethit të Preshevës ishin: Bilaçi, Bujanoci, Zhunica, Klenike, Klinovci, Levosoja, Novosella, Presheva dhe Shainca.
Komuna e Bilaçit kishte 939 shtëpi me 4.737 banorë dhe përfshinte edhe këto vendbanime të komunës së sotme të Preshevës: Bushtranin me 100 shtëpi dhe me 480 banorë, Bukurocin me 46 shtëpi dhe me 269 banorë, Corroticën me 98 shtëpi dhe me 518 banorë, Raincën me 130 shtëpi dhe me 717 banorë, Bërçecin me 24 shtëpi dhe me 121 banorë. Në komunën e Bilaçit bënin pjesë po ato vendbanime të komunës së sotme të Bujanocit, sikur në shënimet e vitit 1914.
Pas kapitullimit të Mbretërisë Jugosllave, Lugina e Preshevës me Raincën ishin nën pushtimin bullgar nga prilli i vitit 1941 e deri me kapitullimin e Bullgarisë,më 9 shtator 1944.
Pushtuesi bullgar zbatoi një politikë dhune, e cila u manifestua përmes arrestimeve, vrasjeve, dhunimeve të femrave shqiptare, etj.
Gjatë periudhës së pushtimit bullgar, në Rajonin e Preshevës vepruan dy grupe politike shqiptare. Njëri grupim veproi në kuadër të PKJ në krye me Shaip Mustafën, Abdulla Krashnicën, Selim Selimin,Xheladin Kurbalin etj. Grupi tjetër me orientim antikomunist, që gjatë LDB bashkëpunoi me Aleancën fashiste bënin pjesë: Ali Syla, Limon Staneci, Ajet Rainca etj.
Në shtator të vitit 1944, kur kapitulloi Bullgaria fashiste, Shqiptarët e Luginës së Preshevës,së bashku me Gjilanin dhe Kumanovën, për ta mbrojtur atë nga njësitë partizane, bullgare, maqedonase, organizuan Mbrojtjen e Kosovës Lindore, përgjatë hekurudhës Bujanoc-Preshevë-Kumanovë, e cila zgjati disa muaj, Ibrahim Kelmendi patriot nga Presheva e quajti Epope që nderoi historinë e Shqiptarëve, luftë që u bë kundër tre armiqve të përbashkët aleatë : bullgarëve, serbëve dhe partizanëve shqiptarë, siç shprehet ky.
Kështu në Preshevë , po edhe në krejt Luginën lindi kërkesa për ta mbrojtur ate, me shpresë se një ditë ajo dhe Shqiptarët do të jenë të lirë dhe vet të qeverisin më fatin e vet. Për ta mbrojtur Luginën, atëherë u bë organizimi i popullatës për luftë përgjatë hekurudhës, u bë organizimi civilo-ushtarak në Preshevë, pra Adem Kamberit iu dha qeverisja e Bashkisë, më vonë e zëvendësoi Skënder Kadriu, Liman Stanecit, drejtimi dhe organizimi i nënprefekturës dhe Ibrahim Kelmendit, drejtimi e organizimi i operacioneve ushtarake, komandant i xhandarmerisë Ali Staneci. Qeverisja e Bashkisë zgjati 4 muaj, ndërsa sipas materialeve arkivore të ish-Jugosllavisë zgjati vetëm 2 muaj dhe këtë Mbrojtje e quanin reaksion shqiptar. Ndërsa popullata shqiptare e quajti periudhë të ndritshme, me plotë sakrifica, e quajti “Shqipëri e Vogël”. 
Mbrojtja Kombëtare e Kosovës Lindore filloi me mobilizimin e vullnetarëve te Livadhi I Shehut, edhepse, në takimin që u mbajt të Livadhi I Shehut, më 1944 pati kundërshtime se popullata nuk është gati për një luftë frontale dhe se nuk ka armatim të mjaftueshëm. Dominoi opcioni I krahut të rezistencës shqiptare për çlirimin e Kosovës Lindore.
Në këtë takim u caktuan komnadantët e zonave operuese përgjatë Hekurudhës Bujanoc-Preshevë-Kumanovë.
Komandant të frontit Corroticë-Raincë u caktua Hoxhë Lipovica, thote Aliriza Selmani, magjistër I shkencave historike, ndërsa një prej komandantëve u caktua edhe Ajet Rainca, I cili heroikisht luftoi në Betejën te Reka e Raincës. Aty forcat balliste shqiptare korrën fitore, ndërsa nga forcat partizane mbetën të vrarë 100, kurse të plagosur 206 veta, sipas një burimi, në Ditën e Bajramit, më 19 shtator 1944. Një burim tjetër bënë fjalë për 280 partizan të zënë robë e shumë të vrarë.
Beteja e Rekqs së Raincës e shtatorit të vitit 1944 njihet si luftë për mbrojtje të Kosovës Lindore, të etnisë shqiptare.
Në Betejën te Reka e Raincës luftuan burrat trima të Raincës, të fshatrave për rreth dhe ata të Malësisë së Preshevës. Me forcat shqiptare udhëhoqi luftën Ajet Rainca.
Në Betejën e Rekës së Raincës, edhepse forcat shqiptare për Mbrojtje të Kosovës Lindore treguan trimëri të pashoq, megjithate patën edhe viktima.
“Kusurin e mbludh Përroni i Raincës, i cili, diku përmbi katund, qe zanë prej Ajet Raincës me shokë. Mbas një përleshje të re, në mes të dy brigjevet, nuk vonuen me pa se edhe kjo shpresë qenka e kotë, prandaj i flakën pushkët për toke dhe ngrehën duert për dorëzim. Kështu përfundoi Beteja e Bajramit që filloi në ora një të mbas mesnatës, në një front prej 35 kilometrash.
Thuhej se brigada fatzeze që u shue në Përrue të Raincës ka pasë rreth 500 ushtarë, prej të cilëve, asnjë nuk mundi me shpëtue, për të çue lajmin e shëmtuet në shtabin e tyne në Bilaç.” Shkruan Ibrahim Kelmendi, në librin: Një shtyllë e Kosovës quhet Preshevë, Preshevë, 2006, f.114
Për trimërinë dhe burninë e Ajet Raincës po citojmë fjalët e Lam Breznicës, marrë nga Lufta e Anamoravës 1945.
“Ndër Burrat që të livizin zemrën, kur permendet emri i tyre është heroi trimi legjendar dhe Luftëtari i Popullit AJET RAINCA nga Fshati Raincë, i cili ndodhet në Luginën e Preshevës.
Gëzon një namë dhe famë të madhe në popull dhe përmendet nëpër Odat e Burrave, Sukseset e tija në luftë tregohen nëpër Oda, dhe ju tregohen Fëmijëve. Por që fatkeqësisht në literaturë nuk është shkruar thuaj se aspak për të.
Më tregonte Mixha i ndjerë, i Babës , Zoti i mëshiroft që të dy, më thoshte Ajet Rainca ishte pika Djalit, kishte një shok që e shoqëronte gjithmon dhe ishin të pandar, gjithashtu shoku i tij ishte shumë i pashëm.
Më thoshte mixha, Sa i hjeshëm me ato teshat, edhe shoki tij ishte shumë i hjeshëm, kur pat ardhë në Tërnoc dilnin çikat(vajzat) i kshyrshin për kapixhiki(derë e vogël).
Burri dheut Ajet Rainca, më kujtohen disa tregime për të që dua të mos i mbaj në vehte por të i ndaj me ju, sepse e die se Bijt e Atdheut i dojn Burrat dhe trimat si Ajet Rainca, Lamë Breznica, Sylë Hotla etj,.
Më thoshte Baba i ndjerë, Haaaaaa Ajet Rainca, Nonën ja ka ........ shkive ( MË TREGONTE NJË BETEJË NGAT NJË LUMI, AFËR PRESHEVËS QË EMRI S'MË KUJTOHET) i ka lënë sikur kumpira(patate) të vdekur, thoshte, s'ke pa atje, n'atë rrafshin pos kufoma të shkive të shtrira, thoshte ku ka shti me pushk Ajeti, ati ka ra i vdekur shkau.
Ajet rainca, thuhet se plumbi nuk e kapte, dhe s'kishte frikë vetëm se Zotin dhe kjo është çështje shumë e përmendur, se Plumbi edhe për s'gati nuk e kapte Ajet Raincën.
Sa i përket kësaj çështje më kujtohet një tregim nga një Odë, Kishin pas qen duke luftu ballë për ballë me shkijet, dhe pas ca kohe tërë  serbët ikën e kapën arratin, pos një gruaje serbe që gjuante me mitroloz dhe nuk ikte, bile bile flakë e qonte mitrolozin. pas ca kohe, hidhërohet Ajet Rainca dhe çohet në këmbë, me këto fjalë: PO S'MË VRET BE PLUMBI YTË MU dhe i lëshon armët në tokë.
Turret vrap drejt serbes që ishte gjithnjë duke gjuajtur me mitraloz, po që se kapte plumbi bre , drejt asaj shkojke e ajo qëllonte drejt mbi Jetin. Gjithnjë duke qëlluar me mitraloz drejt Jetit, Jeti ju afru dhe e kapi për floke dhe e shkundi fort për flokë, por tha nuk e maltretoi pastaj dhe e lëshoi që të shkonte (e liroi)duke e marrë premtimin e saj që më nuk do i luftonte Shqiptarët.
Ajet Rainca ishte nga ata që pas Dorëzimit të Armëve, pas vitit 1945, ai nuk i dorëzonte  armët e tija dhe qëndronte me shokun e pandar të tij në Malë, thoshte se nuk ju beson shkive dhe se do të luftonte deri në vdekje.
Pas disa kohëve kishte dhe mbante ftoht i madh, Ajeti ishte sëmur dhe e kishin kapur ethet shumë fort u dridhte.  Pleqt thoshin se ata njerëz që plumbi nuk i kap, e vetmja mënyrë  për t’ i vrar është me ia zatet pushkën në trupë, dhe me siguri mbasi që Ajet Rainca ishte i sëmurë, ai ia kishte zatet pushkën në trup.
LAVDI PËRGJITHONË DËSHMORIT AJET RAINCËS”.

Ajet (Jeti) Rainca, Preshevë
Jet Rainca ishte trim i pa shoq,
 krejt nahin me kërkue këso trimi zor me prue 
trim mbi trim Jetë Rainca në luftërat kurr su nda,
 gjitmon në istikam i pari,
 kishin thënë këta shki se n'Raincë dojnë me hy,
 ditë bajrami kishte qëllu me vra, e me maskaru,
 partizan kishin qenë komplet një çetë,
 Jeti me shokët e vet i del në prit,
 ja nxun priten bash në rekë, 
cella çetën e ka faru,
 Jeti n’kam na ishte çu, 
ngrehuni trima mos pushoni,
 ja sot ja kurre për vend luftoni,
Jet Rainca trim mbi trim, 
bashkë me shokë luftuan çetën e faruan,
 partizan kanë qëlluar mbi 400 qind,
 aty kanë ra n’rekë t'Raincës aty kan vdekë,
 kishin pas thëne është dite bajrami,
 hajde shkojmë e hajmë drekë bajrami,
 serbëve s’ju doli ashtu, 
se Jetë Rainca jetën jav ka shkurtu,
Jetë Rainca kishte pas thonë, 
çohuni trima rrugën me ju nxan,
 se këta shki dojnë n'fshat me hy, 
sillen e bajramit dojnë me ngran, 
ja s’ju doli ashtu si që kanë mendu, 
se ka trima kjo shqiptari, 
si që është Jeti bashkë me shoket e tij, 
ju prevë jeten, ju shkurtoj, 
sillë bajrami ska për ju, 
sillë për shka nuk ka as n'Raincë e as kërkah, 
sillën ne vet e hamë,
 ndër shqiptar jemi të parë,
 jemi lidhë besa besë, 
njëri tjetrit jeme betu, 
deri në fund me shki me luftu, 
krejt kjo kohë që ka shku, 
një ditë Jetin n'prit e çitën,
 në sofër t'bukës trimin e mbytën, 
kështu ka ndodhë gjithëherë me trima, 
në tradhti kanë rënë viktima, 
prej tradhetisë gjithmonë janë vra, 
si Jete Rainca që n'prit ka ra, 
mjer ata që janë tradhëtarë,
vetëm plumbi që i lanë tradhëtinë, 
se nga tradhetarët gjithnmonë janë vra, 
trimat më të mirë në prit kanë ra, 
tradhëtarët s’kan vende kërkund, 
zoti një dit i dënon. 

-------------------------------------------------------------------------------------------
N'rekë t'Rainces n'rekë t'Rainces, 
është derdhë shumë gjak,
aty pra jan vra shum partisan, 
ishte luftë e dytë botërore, 
dojshin shkijet me hy në votra. 
Jet Rainca është i gjallë, 
partizanëve ju ka çu një fjalë, 
partizanët ishin shki, 
për drekë bajrami dojshin me hy. 
Jet Rainca ju është gërmu, 
nëpër katund s’du me m’kalu, 
mirë po serbët ishin betu, 
sillë bajrami me shku me ngrënë. 
Jetë Rainca kur ka ndgju, 
krejt Raincen e ka rrethu, 
asnjë shka t’gjall s’du me lënë, 
s’ka n'raincë ata me ra, 
sillë bajrami dijnë me ngrënë, 
jo more kështu tha Jeti, 
se Jetë Rainca fjalë ju çon, 
në Raincë mos me ra partizanët, 
partizanë mbi katërqind, 
ishin kanë nis rruges për n'Rainc me ra, 
sillë bajrami për me ngrënë. 
Jete Rainca prit ka nxan, 
bash në rekë aty u shtri me mitralez, 
me shokët e tij, 
filloj lufta pa ndërpre, 
katërqind vdesin për një herë, 
katërqind shki kanë lënë kry, 
n'rekë Raincës kanëvdek aty. 
Jetë Rainca ëshstë çue në këmbë, 
shokëve të tij, 
ka lëshuë një za krejt në rekë ju me ra, 
se asnjë shka gjallë s'kem me lënë, 
të gjithë ata që kanë qenë sot në rekë, 
të gjithë kanë vdekë, 
ësht mbush reka plot me gjak, 
duket sikur derdhet me knatë, 
sot Jeti nuk jeton, por vepër ai ka lonë, 
ka tregue se si luftojnë trimat për vatan, 
kurr në jetë skem me harru Jetë Raincen, kem me kujtue, 
Jetë Rainca trim drangu n'sofër t'bukës është helmue, 
mjerë ata tradhëtar, 
edhe zoti ka me i vra, 
zoti një ka thënë tradhëtinë se duroj.

Këto dy këngë i mora nga Musa Ismet Latifi Preshevë, në të cilat diçka ndërhyra, por nuk e ndryshova tekstin dhe përmbajtjen e tyre.
Forcat partizane të mllefosura pas humbjes te Reka e Raincës, në shenjë hakmerjeje marrin burrat e fshatit dhe I mbledhin për t’I pushkatuar. Mirëpo fal vigjilencës së Abdullah Krashnicës shpëtojnë burrat e fshatit Raincë.
Abdulla Krashnica e shpëtoi pushkatimin masiv të popullatës së Raincës. Kështu me urdhër të tij, bashkëluftatarët e tij Dushani dhe Riza arritën duke vrapuar me kuajë ta shpëtojnë popullatën e mbledhur për pushkatim masiv, të mbledhur pas murit. Për këtë më dëshmoi edhe baba i autorit, Xhemaledin Salihu, Vebi Sali Shabani, i cili atëherë bëntë tregti të vogël dhe duke ardhur për në Preshevë e kishte parë Dushan Iliq-Tojagën vrap me kali të bardhë, por i dukej djersa, bërë shkumë, vetëm e vetëm për të arritur t-‘ shpëtojë Raincën. Kështu edhe ndodhi.
Masakrat në fshatin Raincë
Të likuiduar:
1. Xhemshit Kadriu u vra më nëntor 1909 nga serbet e Vranjës. Varri nuk i dihet.
2. Sulejman Rainca, hoxhë, u likuidua më 1912 te vendi Moravicë duke e shtënë në lym afër lumit. Kufoma iu gjet pas shtatë ditë angazhim të fshatarëve dhe të preshevarëve.
3. Ajet Jahiu, i njohur me emrin Ajet Rainca, u vra më 1946, afër fshatiti Gare. 
Të vrarë:
1. Sali Iseni i lindur më 1880, u vra në nëntor të vitit 1944 në katund, 64 vjeç.
2. Nezir Arifin, i lindur më 1900 në nëntor të vitit 1944 e nxorën prej një plevice në fshat dhe aty e vranë, 44 vjeç.
3. Imer Jahija, i lindur më 1888 u vra në nëntor të vitit 1944 te rruga hekurudhore, 66 vjeç.
4. Shefki Imeri i lindur më 1914 u vra në nëntor të vitit 1944 në Lotovicë ditën e Bajramit të madh, 30 vjeç.
5. Tefik Mehmeti i lindur më 1918 u vra në nëntor të vitit 1944 në Lotovicë ditën e Bajramit të madh, 26 vjeç.
6. Feta Arifi i lindur më 1880 u vra në nëntor të vitit 1944 te Mulliri i Ukajve përbmi Raincë, në moshën 64 vjeç.
7. Ibrahim Halimi i lindur më 1890 u masakrua në nëntor të vitit 1944 në Vranjë, në moshën 54 vjeç.
8. Nuredin Veseli, i lindur më 1887 u vra në nëntor të vitit 1944 te kafeneja e Tozës në Preshevë, në moshën 57 vjeç.
Fshati Raincë I përjetoi katër lufta prej vitit 1912-1945, të cilavë I përballoi me shumë vështirësi, skamje dhe vuajtje të madhe për një jetë më të mirë nesër, së cilës I doli ballëhapur dhe triumfoi heroikisht.
 Pas Luftës së Dytë Botërore, në fillim të vitit 1945, Shqiptarët e Preshevës u ndan sërish nga tërësia e popullatës shqiptare të Kosovës dhe nga ajo e Maqedonisë, për të mbetur Presheva qendër rrethi në fillim, ndërsa më vonë qendër komunale në kuadër të Serbisë. Në asnjë prej shteteve të deritashme, Shqiptarët e Preshevës nuk kanë pasur mundësi të zgjedhin, në përbërjen e të cilit shtet apo njësi administrative duan të jetojnë.

3.4.Rainca në Jugosllavinë socialiste
Me Ligjin mbi ndarjen administrative të RP të Serbisë të 18 prillit 1947(Fletorja zyrtare RPS, nr. 17/1947), u caktuan njësi administrative-territoriale: rrethet, qytetet dhe  rajonet e qyteteve. Me këtë ligj Preshevës i merret e drejta të jetë rreth si përpara, kështu nga viti 1947, Presheva i takon herë rrethit të Bujanocit, herë rrethit të Vranjës, herë bashkësisë ndërkomunale në Leskoc dhe në fund rrethit të Pçinjës. Kjo ndodhi, sepse rrethet ishin drejtperdrejte të lidhura me pushtetin qendror, ndërsa komunat me rrethet. Preshevës ia morën të drejtën e rrethit që të mos ketë lidhje me qendrën, por të qeveriset nga Bujanoci, Vranja, Leskoci.
 Më 1947, komunës së Preshevës i bashkangjiten edhe këto fshatra: Staneci, Seferi, Buhiçi, Caravajka, Peçena, Buhiçi, Depca, Maxherja dhe Ranatoci, të cilat i takonin komunës së Gjilanit.
Prokurorët Publikë të rrethit të Preshevës, përfaqsues pas viteve 1945:
Komuna e Bilaçit :
1.Sadri Bajrami nga Bërçeci, përfaqson Bërçecin
3.Mirko Stojkoviq nga Rainca, përfaqson Raincën
2.Jakup Bajrami nga Rainca, përfaqson Raincën
4.Boris Aleksiq nga Bushtrani, përfaqson Bushtranin
5.Behlul Behluli nga Bushtrani, përfaqson Bushtranin
6.Stanojko Gjorgjeviq nga Corrotica, përfaqson Corroticën dhe
7. Hafëz Etemi nga Corrotica, përfaqson Corroticën
Sipas shënimeve partiake të vitit 1949, të gjetura në Arkivin Historik të Vranjës, Rrethi i Bujanocit përfshinte 20 Këshilla Popullore të Vendit:Bujanoci, Tërrnoci, Muhoci, Rakoci, Levosoja, Nesalca, Rainca, Corrotica, Gosponica, Caravajka, Presheva, Miratoci, Strezoci, Zhunica, Svinjishta, Bilaçi, Klinoci, Klenike, Spançevci dhe Zhbevci.
Këshilli Popullor i Vendit i Raincës përfshinte: Bërçecin, Gramadën, Letovicën dhe Raincën.
Sipas Statutit të Këshillit Popullor të Rrethit të Bujanocit të vitit 1953. Rrethi i Bujanocit përfshinte këto komuna: Bujanoci, Presheva, Miratoci, Caravajka, Zhunica, Bilaçi, Rainca, Levosoja, Rakoci, Tërrnoci, Muhoci, Zarbinca, Zhbevci, Klenike, Spançevci dhe Novosella.
Vendbanimet e Moravicës së Preshevës janë: Çukarka, Strezoci, Bugarina, Laniku, Gerajt, Lerani, Golemidolli, Zhunica, Bukuroci, Bushtrani.
Vendbanimet e Karadakut të Preshevës janë: Miratoci, Tërrnava, Norça, Presheva, 
Kurbalia, Staneci, Seferi, Caravajka, Depca, Peçena, Buhiçi, Ilinca, Bukoc, Gare, Maxhere, Ranatoci, Gosponica, Rahovica, Shoshajë, Cororticë, Raincë, Bërçeci. 
Sipas regjistrimit të Popullsisë  të vitit 2002, Presheva kishte 48.008 banorë dhe 36 vendbanime: 1.Gerajt me 1.390 banorë, 2.Bërçeci me 19 banorë, Buhiçi me 120 banorë, 4.Bukuroci me 1.067, 5.Bukoci me 137, 6.Bushtrani me 1.086 banorë, 7.Garja me o banorë, 8.Golemidolli me 384 banorë, Shoshaja e Epërme me 133 banorë, 10.Gosponica me 42 banorë, 11.Depca me 519 banorë, 12.Shoshaja e Poshtme me 474 banorë, 13.Zhunica me 1.777 banorë, 14.Ilinca me 178 banorë, 15.Kurbalija me 154 banorë, 16.Laniku me 29 banorë, 17 Maxherja me 235 banorë, 18.Miratoci me 4.673 banorë, 19.Norça me 1.316 banorë, 20.Rahovica me 5.146 banorë, 21. Peçena me 141 banorë, 22.Presheva me 16.363 banorë, 23.Stacioni Hekurudhor me 1.628 banorë, 24.Rainca me 2.938 banorë, 25. Ranatoci me 89 banorë, 26.Lerani me 944 banorë, 27.Svinjishta me 107 banorë, 28.Seferi me 58 banorë, 29.Bugarina me 537 banorë, 30.Staneci me 77 banorë, 31.Strezoci me 1.372 banorë, 32. Tërrnava me 1.671 banorë, 33.Cakanoci me 271 banorë,34.Caravajka me 79 banorë, 35.Corrotica me 2.231 banorë dhe 36.Çukarka me 623 banorë.

Sipas kësaj tabele më lartë me grafikonin, Rainca vendbanim i banuar me shqiptar sipas regjistrimit të popullsisë së vitit 2002 ka pasur 2933 banorë me banim të përheshëm. Që nga regjistrimi i popullsisë së vitit 1948 deri më vitin 1953  ka pasur rritje të popullsisë Gjatë periudhë së viteve 1953 deri më vitin 1961 ka pasur rrënie të popullsisë, sigurisht përshkak të shpërnguljes së popullatës për Turqi, ndërsa që nga viti 1961 deri më vitin 2003, ka pasur rritje permanente të popullsisë.
Popullata serbe e Raincës ka ardhur pas viteve 1912, me pushtimin e këtyre trojeve nga ushtria serbe.
Rainca bënë pjesë në fshatrat me nje dendësi të konsiderueshme të popullsisë, sepse ajo bënë pjesë me dendësi në fshatrat e rrethit të dytë sipas dendësisë së popullsisë, me 121-150 banorë për 1 km 2. Ndërsa ato më dendësi të rrethit të parë kanë 151 e tutje banorë në 1 km 2. Këtu bëjnë pjesë Presheva, Rahovica, Corrotica e tjerë.
Migrimi I popullsisë nga Rainca deri më vitet 1970 është kryer në drejtim të Preshevës, Prishtinës, ndërsa pas këtyre viteve, sidomos gjatë viteve të fundit drejt Evropës Perëndimore pa kthim.

REFERENCAT
1.Bisedë me Haxhi Jakup Bajram Rexhepi, më 2011
2. Neziri, Hajredin, Shtrirja e fshatrave në krahasim me qendrën urbane të Preshevës, Panorama,nr.2, Preshevë, 2000
3. Hadzi-Vasilevic, Jovan, Juzna stara Srbija, Presevska oblast, knj.II, Beograd, 1913
4.Jiricek, K.,Istorija Srba, I, Beograd, 1922
5.Stamenkovic,Dr. Srboljub Dj. , Osnovne promene u etnickoj strukturi vranjskog kraja, Vranjski glasnik, knj. XX, Vranje, 1986
6.Xhufi, Pëllumb, Shqiptarët në Mbretërinë serbe të Nemanjidëve, Kosova, nr 4/1994
7.Filipovic, Mil. S., Etnicke prilike u Juznoj Srbiji, Skoplje, 1937
8.Kënçov,  Vasil , Izabrani proizvedenija, tom II, Sofia, 1970 
9.Vujicic, Mil.Ant., Recnik mesta u oslobodjenoj oblasti Stare Srbije, po sluzbenim podacima, U Beogradu, 1914
10.Selmani, Aliriza, Beteja e Rekës së Raincës, Wikipedia, Enciklopedia e lirë
11.Breznicës, Lam, marrë nga Lufta e Anamoravës, 1945.
12.Kelmendi, Ibrahim, Një shtyllë e Kosovës quhet Preshevë, Preshevë, 2006
13. Dy këngë nga Musa Ismet Latifi, Preshevë
14.Statistikat marrë nga Wikipedia-Enciklopedia e lirë
15.Vardarska banovina, Kumanovski okrug, srez Presevo, knjiga III, Beograd, 1938
16.Banovina Vardarska, opsti pregled, Skoplje, 1931Kraljevina Srba, Hrvata i Slovenaca, Recnik mesta 1925, Beograd, 1925
17.Salihu, Xhemaledin, Përfaqësimi i Shqiptarëve të Rrethit të Preshevës në organet dhe institucionet partiake e shtetërore në vitet 1945-47, ëëë.Zemra shqiptare, 02.08.2010
18.Stojanovski, Aleksandar, Vranjski Kadiluk u XVI veku, Vranje, 1985
19.Rahimi, Shukri, Vilajeti i Kosoves më 1878-1912, Prishtine, 1969
20.Vukanoviq,  T.P., Presevo, Vranjski glasnik, knj.V, Vranje, 1966
21.Trifunoski, Jovan  F., Kumanovsko-presevska Crna Gora, Beograd, 1951 
22.Zylfiu, Abdurrahman, Presheva në Luftën e Dytë Botërore 1941-1945
23.Salihu, Xhemaledin, Reformat administrative, territoriale e politike dhe ndryshimet themelore në strukturën etnike të popullsisë në Preshevë gjatë historisë, Preshevë, më 11 maj 2012
24.Murati, Jahi, karakteristikat sociale-gjeografike dhe ekonomike të komunës së Preshevës, Vranjski glasnik, nr.XI, Vranje, 1975.
25.Jusufi, Mehmet, Vështrim gjeografik i Preshevës dhe rrethinës, Përparimi, nr. 7-8, Prishtinë, 1965
26.Neziri, Hajredin, Perspektiva e zhvillimit të vendbanimeve në komunën e Preshevës, Panorama, nr. 1, Preshevë, 1979

 -Vazhdon   -  
Shkruajnë: Xhemaledin SALIHU & Vebi FAZLIU
Preshevë, më 14 gusht 2014

No comments: