Saturday 13 September 2014

KOMITETI I PAJTIMIT,KONGRES PËR PRITJEN E PAPËS



KOMITETI I PAJTIMIT,KONGRES PËR PRITJEN E PAPËS
NGA QAZIM D.SHEHU
1.KONGRESI SI PRELUD
Çdo kongres është një analizë pune, por ky konres i pestë i jashtëzakonshëm i Komitetit te Pajtimit Mbarëkombëtar të Gjaqeve pati një specifikë të veçantë.I zhvilluar në një sallë të hotel “Tirana” në prani të pesëqind delegatëve,ai pati një specifikë të veçantë.Ardhja e Papës në Shqipëri ,vizita e tij e pritshme më 21 shtator ,pritet si një ogur i mirë, si një rritje e klimës së besimit dhe një mundësi e re që shqiptarët të duan njëri tjetrin më shumë.Ky ishte sfondi festiv i kongresit, ku pas tribunës qëndrore nuk mungonte një poster i madh me ngjyrë qielli në të kaltër me figurën e Papa Françeskut.
Gjin Marku, kryetar i Komitetit të Pajtimit të Gjaqeve, e shikon ardhjen e Papës në Shqipëri si një rast të lumtur, si një event ku për një ditë të gjithë mediat botërore do merren me këtë vizitë dhe Albania do tërheqë vëmendjen në forumet e tye të diskutimeve dhe të lajmeve.Ai e shikon si një udhëtim i parë apostolik i një njeriu të shenjtë në këtë tokë të shumëvuajtur,në këtë popull të ndrarë në disa shtete,ende i pabashkuar dhe në proklamatën e tij kërkon që Papa ta ngrejë zërin për këtë pranë kancelarive europiane dhe më gjërë.Populli shqiptar si një popull i vjetër, një nga themeluesit e qytetërimit europian nuk meriton të rrijë i ndarë për një faj që nuk i takon;gjithashtu si një nga popujt e parë përhapës të krishterimit ai ka meritën se, me gjithë rrjedhjet e shumta dhe konvertimet e dhunshme, diti të mbajë barazpeshën dhe harmoninë fetare,duke dëshmuar kështu nivel të lartë tolerance, humanizmi dhe vëllazërimi të pashoq në këto treva ballkanike ku ai ka jetuar qëkur.
Vizita e Atit të Shenjtë ka ngazëllyer zemrat e çdo shqiptari ,pavarësisht në  është mysliman,bektashi dhe ortodoks, jo vetëm të komunitetit katolik.Kjo lidhet me atë prirje të kahershme të popullit tonë drejt Perëndimit, me atë hero të jashtëzakonshëm të tij ,Skënderbeu,që u cilësua “atlet i krishterimit”, me figurën e madhe të Nënë Terezës,që është emblema më e madhe e humanizmit ,bijë e këtij populli.Ndaj kjo atmosferë retorike nuk kishte sesi të mos bëhej një shenjë identifikuese e këtij kongresi.
2.SHIFRA JO TË MIRA
Edhe pse Komiteti i Pajtimit me misionarët e vet është shpërndarë në të gjihë krahinat e Shqipërisë, kryesisht të Shqipërisë Veriore,shifrat e vrasjeve janë alarmuese dhe  kokëforta, aq sa të bëhet të besosh se nuk ka shpresë.Ekspeditat e misionarëve të pajtimit janë këmbëngulëse, ato kanë të regjistruar çdo rast në terrenet ku veprojnë dhe punojnë ,natë e ditë ,në mënyrë vullnetare që të bindin njerëzit të mos e venë gishtin në këmbëz.Shfrytëzojnë çdo gjë që i përket kodit burrnor, fjalës së dhënë, njohjes, miqësive,sedrën, por ende ka probleme dhe vrasje kryhen.Edhe pse në vitin 2014 ka një trend në ulje të vrasjeve,nga 119 vrasje në vitin 2013 në 95 në vitin 2014, prapë se prapë kjo shifër mbetet e lartë.Vrasjet kanë aspekte të ndryshme ,ato vijnë nga ngatërresat e pronës ,vendimet korruptive të sistemit gjyqësor ku për një pronë mbivendosin dy tre pronarë, vrasje ordinere të motiveve të kota, të një sedre paranonjake që shkon deri në psikopati, krim në familje, hakmarrje të vjetra që mbarten , prostitucioni, apo vjedhja, vetëmbrojtja për shkak të saj, varfëria etj ,etj.Këto janë ato dukuri të një tranzicioni të stërzgjatur, të elementeve të shtetit që ende nuk po forcohen, të ndërgjegjësimit të pakët apo mosveprimit në kohë.Përfaqësuesit e Postribës në Shkodër,të Kukësit  Bendës dhe Krujës ,që morën fjalën në kongres ,e vunë theksin pikërisht në këtë aspekt të dhimbshëm të krimit.
3.FËMIJË TË NGUJUAR,PSE?
Edhe pse Komiteti i Pajtimit Mbarëkombëtar ka bërë një punë të madhe dhe të pareshtur në terren për lirimin e fëmijëve të ngujuar nga frika, kjo gjendje është skandaloze.Në vitin 2012 ishin 900 gra dhe fëmijë të ngujuar.Në vitin 2013, 590, ndërsa në vitin 2014 ,159. Shifra këto të nxjerra nga raporti qendror i kongresit.Edhe pse në vititet 2005-2013  janë marrë rreth 76 milion euro ndihmë materiale për këto fëmijë dhe gra, shumë pak dhe aspak ka shkuar tek këto.Të gjithë këto shifra janë vërtet alarmuese dhe nuk përbëjnë atë që quhet nder tradicional për shqiptarët.Shqiptari kurrë nuk e ka pasë zakon të ngujojë gra dhe fëmijë, as ti vrasë ato .Kjo ka qenë vazhdimisht një shenjë e forcës së tij morale ,sepse për çdo pushkë ai ka dashur dhe lavdërimin e saj.Ndërsa sot, pavarësiht nga krimi dhe përmasat e tij,ai po bëhet edhe një burim i sjelljeve të shëmtuara jashtë çdo kodi dhe nderi tradicioanal.Gjykuar në aspektet e sotme , kurrësesi nuk mund të jetë shenjë e një shoqërie të civilizuar kjo sjellje.Ç`duhet bërë.Është inkurajues fakti që këto shifra po ulen.Kjo është meritë e misionarëve të pajtimit po njëkohësisht edhe e forcimit të shtetit ligjor që ka të bëjë me ndërtimin e shtetit dhe forcimin e drejtësisë, vjen edhe si një rritje e ndërgjegjes dhe e arsyes humane .
4.NJË KEQKUPTIM QË TË TJERËT NA E MARRIN PËR DOBËSI
Zakonisht në media apo në biseda të përditshme është bërë zakon dhe merret si inerci e fjalës  se çdo krim që kryhet,sidomos në zonat veriore të Shqipërisë, të gjykohet si një krim që e merr nxitjen nga frymëzimi prej Kanunit.Kështu flasin vetëm justifikuesit e krimit dhe ata që nuk e njohin Kanunin.P.sh. hakmarrjet dhe krimet rastësore t`i etiketojnë si krime për gjakmarrje.Këtë mendësi të gjykuari shpesh ne e stilizojmë dhe vetë dhe e ngjyrosim emocionalisht ,duke harruar se Kanuni aspak nuk lejon ngujimin e grave dhe fëmijëve,se ai ka rregulla strikte dhe të mirëpërcaktuara.Dashur padashur ne mohojmë një pjesë të rëndësishme të etnokulturës sonë duke gjykuar mbrapsht dhe njëherit duke u dhënë mundësi edhe të huajve të gjykojnë keq në saj të keqinformimit që u japim ne.Kështu ndodhi edhe me Dhimitër Naumov, përfaqësues i shtetit bullgar , i ftuar në kongres, i cili në fjalën e tij  pak a shumë ai tha se gjakmarrja tashmë mbetet një problem i shkuar i Ballkanit, ndaj është e pabesueshme që në shekullin21 ajo të ekzistojë në një vend  si Shqipëria e cila sapo e ka marrë statusin e vendit kandidat për në Bashkimin Europian.Ndaj, gjakmarrja mbetet një njollë në shoqërinë shqiptare, një shoqëri që pretendon lëvizjen e lirë dhe arrijen  e standarteve europiane..
5.ARDHJA E PAPËS ËSHTË NJË MUNDËSI ,POR DUHET TË PUNOJMË VETË
Ardhja e Papës është një mundësi,një ogur i mirë, një shpresë,një inkurajim për të ardhmen, një bekim apostolik i Atit të Shenjtë.Ajo është një inkurajim i plotë për shoqërinë shqiptare, një shenjë e sigurtë që vjen nga Ati i Shenjtë për këtë popull të shumë vuajtur për shkak të copëtimeve, pushtimeve, qeverisjeve të këqia dhe ideologjive satanike që kanë vepruar mbi këtë popull duke helmatisur mendje të çakorduara të shtyrë drejt krimit.Por, lipset që kjo vizitë krahas rëndësisë emocionale të natyrshme nëpërmjet nderit që ajo bën ,të kthehet në një sinjal pozitiv për të hartuar programe të qarta, jo vetëm nga organizatat e shoqërisë civile në luftën kundër krimit, por nga gjithë shoqëria dhe shteti.Në prani të 500 delegatëve Kongresi i Pestë i Jashtëzakonshëm i Komitetit të Pajtimit,e solli edhe një herë në vëmendje këtë gjë duke e pasur vizitën e pritshme të Atit të Shenjtë si një devizë dhe kredo të fortë për të ecur më përpara, në mënyrë që shoqëria shqiptare të gjejë forca më të mëdha për ta dashur më shumë veten e saj dhe për t`u orientuar drejt në ato vlera të larta të qytetërimit europian , në atë shoqëri ku ne aspirojmë të shkojmë…








No comments: