Monday 22 September 2014

“Roli i gazetarisë për mbrojtjen e të drejtave të grave”



Pjesa 2 INTERVISTA/Shkrimtarja dhe studiuesja e njohur tregon jetën e saj
 “Roli i gazetarisë për mbrojtjen e të drejtave të grave”
Bisedoi: Raimonda Moisiu
Pjesa e Dytë
Vijon në numurin e kaluar
Si shkoni në lidhje me akumulimin dhe informacionin e nevojshëm, që iu udhëzon ju për ta nxjerrë sa më mirë një vepër letrare apo publicistike? Teksa iu hedh sytë, të japin përshtypjen e “ngjarjeve” reale, apo duhet t’i vlerësojmë për kuptimin e tyre simbolik, importin moral dhe substancave humaniste në përputhje me interpretimin tradicional historik, të jetës, midis modernes, artit dhe filozofisë?
Për mua në fillim është informacioni që mundohem ta marrë nga shumë burime të sigurta. Kurioziteti dhe interesimi për mua janë shumë të rëndësishme jam vëzhguese e thellë. Kam mënyrën personale të punuarit. Pasi u ktheva nga Bullgaria pata fatin të bëja një kurs të gjatë gazetarie të përgjithshme dhe investigative të organizuar nga PNUD me “Tomson Foundation”, isha me fat që munda të fitoja. Mësova shumë nga profesorët apo baballarët e gazetarisë. Mundohem që ngjarjet që përshkruaj të jenë reale dhe të mbeten aktuale në të ardhmen. Kam vizione dhe parashikuese për të ardhmen si për mirë po ashtu edhe për të keq. Substancat humaniste janë shumë të rëndësishme për veprën time, shpesh herë më përshkon simbolika dhe në përgjithësi publicistikës i shkon shumë morali brenda kufijve. Megjithëse mundohem që në veprën time të ketë ndjenja si dhimbje,dashuri, përpjekje, fantazi, filozofi gjithçka të jetë e ndjerë dhe e dëshiruar por kurrë hipokrizi. Kam lexuar shumë sidomos në fëmijëri, në adoleshencë kur shkova në universitet i lexoja të gjitha veprat e autorëve anglez por edhe amerikanë, megjithëse ishin të kufizuara mundoja që asgjë të mos më kalonte pa e lexuar që nga Charles Dickens-i i madh, Erih Maria Remark, Balzak, Tolstoi më pas Agatha Christie, Byron, Oscar Ëilde, Daniel Defoe, Edit Durham, Virginia Ëoolf etj. Romanet social, autobiografik, historik zënë një vend të rëndësishëm në shijen time. Në rininë time kam lexuar edhe veprat e ndaluara të asaj kohe.
Më ka pëlqyer që vepra ime të jetë reale, të jetë me hijeshi të ngjarjeve brenda, më shumë më pëlqen që ngjarjet t’i paraqes ashtu sic janë pa shumë romantizëm apo me pak ironi e ta paraqesë jetën me të mirat dhe të këqijat, për jetën ku mbizotëron pasiguria, padrejtësia por ku njerëzit duhet ta zgjidhin, përballen me vështirësitë e jetës dhe të mbizotërojë e mira. Frymëzohem nga motive që për njerëzit e zakonshme janë të padukshme e pa vlerë. Mundohem që lexuesi pasi ta lexojë librin tim ta frymëzojë me ndjenjën e bukur për jetën, ta kuptojë që ka ardhur dita që të jemi ndryshe, të mendojmë ndryshe dhe të ecim me hapin e kohës.
-Ju shkruani në disa gjuhë të huaja. A mendoni se një lloj kurioziteti intelektual është burim për ta shkruar veprën bilinguale? A kanë qenë përpjekjet tuaja profesionale të dobishme dhe mbresëlënëse duke u fokusuar në mendimet dhe pikat e përpunimit të veprës, për ta sjellë atë sa më mirë në disa gjuhë?
Kam përkthyer disa libra dy prej të cilëve janë për adoleshentët nga psikologjia, doktoresha gjinekologe gjermane Silvia Shnajder: “Ç’po ndodh me mua, po bëhem grua“ dhe “Ç’po ndodh me mua, po bëhem burrë’. Kam bërë shumë biseda me adoleshentë të shumë shkollave të mesme rreth këtij libri, nga shumë sociolog u quajt: ”Abetarja” e adoleshentëve dhe e prindërve, ka hyrë në sistemin arsimor shqiptar. E kam dashur përkthimin që kur isha fare e re, dëshirën për të përkthyer ma ndezi mamaja ime, sepse duke qenë e huaj ajo donte që unë ti përktheja jo vetëm nga bullgarishtja në shqip por edhe nga shqipja në bullgarisht. Pavarësisht se është e huaj ajo e studioi me rrënjë gjuhën shqipe ku ne shpesh të dyja lexonim dhe e studionim gjuhën shqipe, më pas gjuhën italiane ku bazat e kësaj gjuhe m’i dha xhaxhai im, i cili e kishte studiuar me themel në gjimnazin e famshëm të Shkodrës. Fillimisht me gjuhën italiane u njoha nëpërmjet një fjalori të famshëm që kishte qenë i gjyshit. Ky fjalor ju ishte dhuruar disa intelektualëve më në zë në kohën e pushtimit italian. Ishte shumë i pasur, kishte historinë e vet. Në kohën e diktaturës e kishin kërkuar duke bërë edhe bastisje në shtëpinë e gjyshit tim në Krujë, por e kishin fshehur në një vend të sigurtë, dhe më pas babai im ma dhuroi përsëri në fshehtësi sepse askush nuk duhet ta dinte që ne e kishim këtë fjalor të famshëm.
Më ka pëlqyer përherë arti i përkthimit, më pas kur hyra në universitet që përkthimi ishte një lëndë e veçantë unë e studiova ma pasion, më dukej edhe si shkencë por në të gjeja edhe art. Gjithmonë më ka pëlqyer edhe përkthimi simultaneous. Si fillim jam munduar të njoh mirë gjuhën amtare, por edhe gjuhën e huaj nga e cila do të përkthej. Jam munduar t’i ushtroj dhe ti përdor këto gjuhë, që t’i di si me shkrim, po ashtu edhe me gojë. Kam përherë parasysh që kur përkthej mundohem të bëj një përkthim jo vetëm gjuhësor por edhe interpretativ. Shumë e rëndësishme në profesionin tonë është të kesh një kulturë të përgjithshme dhe një fjalor të pasur. Kjo kulturë e përgjithshme e gjithanshme tek unë mbështetet në një kureshtje e kuriozitet të gjithanshëm të shoqëruar me një memorie të fortë. Është shumë e rëndësishme të njohësh artin dhe kulturën historinë, shoqërinë e atij populli në gjuhën që do të përkthej. Për mua shumë e rëndësishme është fillimisht materialin para se ta përkthejë duhet ta kuptoj. Mendoj se një nga prioritetet e një përkthyesi është kureshtja e mprehtë intelektuale dhe bagazhi i pasurisë së fjalëve, të qenurit e hapur ndaj botës së madhe që është rreth nesh. Në përkthimet dhe shkrimet e mija mundohem të ngre nivelin e veprës, duke futur edhe bagazhin tim intelektual dhe kulturor, për të pasur shkrime sa më të pasura të shoqëruara me fjalë të urta, idioma dhe figura letrare si dhe për trajtimin e tyre me nivel të lartë dhe kjo përbën një pasuri frazeologjike në veprat e mia.
-A mund të na përshkruani momente nga eksperienca tuaj në librat, esse-të dhe artikujt publicistikë?
Një nga eksperiencat e mia shumë të vlefshme, por në të njëjtën kohë edhe shumë të dhimbshme ishte, përkushtimi me gjithë shpirt dhe vetëmohim për t’i ardhur në ndihmë popullit kosovar që vinte i drobitur prej një lufte nga më të përgjakshmet e kohës sonë. I mbështeta, kontribuova për bashkimin e familjeve, gjetëm shumë fëmijë të humbur, ndihmuam shumë pleq të vetmuar. Ishte një organizatë Amerikane në bashkëpunim me motrat salezjane të cilave ju bashkova dhe punuam pa u lodhur. Kontribuuam në rehabilitimin e shumë vajzave dhe grave kosovare të traumatizuara nga lufta. Punova me shumë përkushtim dhe dhashë kontributin tim vullnetar si gazetare investigative për parandalimin e trafikimit të qenieve njerëzore në emisionin televiziv: ”Njerëz të Humbur”. Kam kryer shumë trajnime dhe kurse për çështje të ndryshme sociale dhe psikologjike. Përktheva një libër që ishte shumë i rëndësishëm për gratë politikane si edhe për deputetet e ardhshme, nga një prej grave më të mëdha të kohës tonë znj. Hilari Klinton: ”Bëni që zëri juaj të dëgjohet më shumë”. Detyra ime e mëpasshme ishte: Drejtoreshë e Barazisë Gjinore- Parandalimit të Dhunës në Familje, Mbrojtjes së të Drejtave të Fëmijëve dhe Personave me Aftësi të Kufizuar, në Ministrinë e Punës Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta. U përzgjodha nga shoqëria civile si mbështetëse e përhershme e grave dhe vajzave dhe luftëtare e të drejtave të tyre. Me mikeshat e mia mblodhëm shumë ndihma për familjet e mëdha fshatare me shumë fëmijë dhe nënat në nevojë.
-A ju kujtohen ditët tuaja të para si gazetare? Çfarë ka ndikuar te ju më shumë apo diçka e papritur që ju zgjodhët të bëni edhe gazetaren?
Kam patur jo një por shumë të papritura, të hidhura para viteve ‘90. Diktatura ishte në grahmat e fundit të jetës së saj dhe përpëlitjet e kësaj bishe ishin të tmerrshme. Sëbashku me bashkëshortin tim kemi kaluar shumë e shumë vështirësi se megjithëse shumë të rinj pa eksperiencë ja dolëm mbanë. Punoja si mësuese në dispozicion në një fshat të largët të Tiranës. Mësova gjëra të cilat nuk do i harroj kurrë. Kishte familje me 12 fëmijë, me 10 fëmijë me 9, 8 të cilët vuanin për bukën e gojës. I shikoja dhe nuk i ndihmoja dot i ktheja sytë nga qielli dhe kujtoja pafund “Lulin e Vocërr” të Migjenit të madh. Me zërin e shpirtit i falesha Zotit me fjalët e mia, në fshehtësi të plotë, lutesha për ata të mjerë që nuk mbushnin dot barkun as me thërrime buke, jo me bukë, por edhe për fëmijën tim. E pashë varfërinë ashtu lakuriq e preka, e ndjeva dhe qava për ta. I ndihmoja si të mundesha por ishte shumë e vështirë ndërsa vinin në Tiranë fshatarët e shkretë nuk i lejonin të blinin as bukën e gojës. Ishte koha kur nuk lejohej të mbanin nëpër oborret e tyre as edhe një zog pule. Nuk do i harroj kurrë ato sytë me lot dhe të stërmadhuar nga uria, sy të mplakur ende pa u rritur, të zbrazët nga varfëria e tejskajshme. I shkruaja dhe mendoja se do të vinte dita dhe unë do i shkruaja, por në atë kohë këto fakte nuk ishte e mundur t’i botoja. Sa dhimbje të madhe kam ndjerë për ato nënat e shkreta që punonin në fushë nën rrezet përvëluese të diellit. Isha e bindur se vetëm gazetarët do të ishin ata që do të mund ta pasqyronin jetën ashtu siç ishte dhe në bazë të këtyre fakteve rrënqethëse do të bëhej sensibilizim që i përket mass medias, për t’i zgjidhur sado pak këto plagë të thella e shumë të dhimbshme.
-Çfarë mëkati i njihni vetes nga puna si gazetare e fillim viteve te demokracisë?
Unë jam bërë gazetare pas viteve ‘90-të, gjatë kohës që isha studente, sepse nuk m’u dha mundësia të ushtroja një profesion të tillë atëherë ishte profesion i privilegjuar. Akumulova për një kohë të gjatë shumë materiale që nga fëmijëria, adoleshenca, rinia ime, përfundimi i universitetit vajtja në fshat, jeta atje etj, etj. Të gjitha këto eksperienca patën një vlerë shumë të madhe për të bërë ato dallimet e mëdha mes dy kohëve, dhe vuajtjeve të rënda të popullit tim. Gjatë kohës që isha studente tentova të shkruaja një portret për “Armstrong Tromba e Artë”, nuk e di si nuk më përjashtuan nga universiteti. E trishtuar brenda meje shkruaja në copa letrash por pa i publikuar dhe pa i bërë të njohura. Kohë të vështira kemi kaluar....
Kombinimi i së tashmes me të shkuarën, i letërsisë me publicistikën në fushën e letrave përbën bazën e letërsisë së suksesshme, por edhe një teknikë e vështirë për ta pasqyruar në letër. Si ia arrini ju ta realizoni këtë në aktivitetin tuaj krijues?
Narracioni më pëlqen shumë, psikologjia po ashtu, sociologjia, drejtësia, historia. E kam përshkruar më lartë një nga librat që unë kam shkruar ka brenda kombinim shumë të pasur. Kam një memorie shumë të fortë pothuajse fotografike.
Letërsi, publicistikë, përkthim dhe drejtësi. Në cilën prej tyre ndjeheni më mirë? Çfarë mendoni se ka mbetur e pandryshueshme?
E pandryshueshme ka mbetur Rajna ose Reni si më thërrasin të afërmit e mi. Ka mbetur dëshira dhe pasioni pakufi për të shkruar për problemet e ndryshme aktuale, që e shqetësojnë shoqërinë shqiptare sot. Jam e bindur se të gjitha këto degë plotësojnë njëra-tjetrën dhe më pajisin dhe më bëjnë të aftë për të mbështetur dhe për të njohur shumë fenomene për t’u dhënë edhe zgjidhjen e duhur.
-Jeni themeluese dhe drejtuese e disa gazetave; “Diella” apo rilindjen e gazetës “Diana” e themeluar në vitet ’30, të shekullit të kaluar. Kryesisht këto gazeta kanë si subjekt gjithpërfshirjen e gruas shqiptare në jetën social-ekonomike-politike-kulturore të vendit. Mund të na thoni diçka rreth historikut të revistave të mësipërme?
E kam pasur ëndërr të botojë një gazetë për vlerat dhe problemet e gruas shqiptare, dhe më në fund ëndrra ime u bë realitet. Kam kaluar momente shumë të vështira në jetën time, sëbashku me bashkëshortin mbetëm pa punë për një kohë të gjatë. Pasi u informova se shoqata “Në dobi të gruas shqiptare” kërkonte një gazetare të kishte njohuri për problemet e gruas, për barazinë gjinore, rreth dhunës në familje aplikova dhe kështu projekti im fitoi mes disa projekteve të tjera, për të botuar gazetën për gruan në shoqatën “Në Dobi të Gruas Shqiptare” dhe e quajtëm “Diella”, për shkak të një zonje të nderuar që sfidoj mentalitetin konservator duke qenë një nga gratë e para që hapi një restorant me ushqim tradicional të zonës së Lezhës. Pas disa kohësh projekti u mbyll dhe unë doja që kjo gazetë të vazhdonte sepse pëlqehej sidomos nga gratë dhe vajzat. Në atë kohë duke studiuar gratë shqiptare dhe kontributin e tyre për konsolidimin e kombit tonë, por fatkeqësisht veprimtaria e tyre ishte pothuajse e panjohur ose e lënë në hije. Në atë kohë unë qëndroja pothuajse gjithë ditën në Bibliotekën Kombëtare, dhe studioja rreth grave intelektuale shqiptare të gjitha kohërave dhe zbulova se në vitet ‘30, një grup grash që kishin përfunduar studimet e tyre jashtë shtetit ose i kishin lënë për gjysëm për shkak të shpërthimit të luftës ose për shkaqe të tjera kishin nxjerrë një gazetë të quajtur ”Diana”, në krye qëndronte e madhërishmja trimja, burrnesha, krenaria e kulturës femërore shqiptare Musine Kokalari. E fillova gazetën time duke e quajtur me të njëjtin emër sepse mendova që edhe ne gratë e sotme jemi pasardhëset e atyre grave të kulturuara që vunë në themelet për lirinë dhe të ardhmen e Shqipërisë. Ishte një e drejtë që i takonte Musinesë si dhe zonjushave të tjera të cilave diktatura ja u preu në mes të gjitha ëndrrat, shpresat, dëshirat dhe vizionet për një Shqipëri europiane, ishte veprimi më i vogël, që bëra për respektin ndaj tyre. U mbështet nga UNDP, u paraqit në OKB dhe mori vlerësime maksimale. Gazeta dha një ndihmesë të vlefshme për vendimmarrjen e gruas si në politikë si dhe në të gjitha sferat e jetës duke e vendosur gruan edhe në rolin e lidership-it politik. E realizova gazetën për gruan shqiptare me rastin e zgjedhjeve të pushtetit lokal. Më pas duke i vazhduar studimet e mia vendosa ta vazhdoja gazetën me një emër tjetër gruaje të famshme të kombit tonë, një nga këto gra të jashtëzakonshme me origjinë shqiptare ishte Elena Gjika ose Dora d’Istria. Ajo ishte një nga intelektualet më të shquara të fund shekullit të 18-të dhe fillimit të shekullit të 19-të. Ajo qëndronte krahas Xhorxh Sand, etj. E vendosa se studimi i jetës dhe veprës së saj ishin të domosdoshme duhej të bëheshin të njohura për gratë dhe vajzat e sotme. Duhet të ndjehemi krenarë që kombi ynë ka nxjerrë një intelektuale të tillë që rrallë gjendet në faqet e historisë botërore. Më bëri përshtypje kontributi i saj i madh për çështjen shqiptare. Patriote e rrallë me një kulturë dhe emancipim me vizion për një Shqipëri europiane dhe për një Europë pakufi. Dalja e gazetës vazhdoi për disa kohë, u mbështet nga UNDP, u paraqit në OKB dhe mori vlerësime maksimale. Gazeta dha një ndihmesë të vlefshme për vendimmarrjen e gruas në të gjitha sferat e jetës duke përfshirë edhe politikën.
-Si pritet në bashkësinë e lexuesve dalja e këtyre gazetave dhe sa ju mbështetin me shkrime për mbarëvajtjen e vazhdimësinë e tyre?
Më kanë mbështetur shumë zonja dhe zonjusha me shkrimet e tyre ju jam shumë mirënjohëse duke i vlerësuar me mundësitë që kisha. Do të jem përherë në anën e zonjave dhe zonjushave do i mbështes gjithmonë nëse nuk mundem të paktën me shkrimet e mia. Gratë shqiptare janë gratë më të mrekullueshmet dhe më të vuajturat, përherë do të më kenë në anën e tyre.
Në ecurinë e punës suaj padyshim që do të keni pasur zhgënjime? Cilat kanë qenë uljet dhe ngritjet gjatë ushtrimit të saj?
Siç ju thashë më lartë unë kam provuar aksionin, zborin, praktikën në uzinën “Traktori”, shkollën e fshatit, etj, etj. Papunësia ishte shumë e vështirë sidomos për bashkëshortin tim, të parin e pushuan atë nga punë më pas mua. Mbijetonim me shumë sakrifica. Në atë kohë ishte ndarë nga jeta Babai im dhe çdo gjë më dukej shumë e vështirë, e dhimbshme, e papërballueshme, e errët, e pakapërcyeshme. Ishte shumë e vështirë sidomos për bashkëshortin tim. Të fyer, të lënduar në shpirt mbijetuam të dy duke mos dalë nga identiteti. E përballuam gjithçka brenda normave ashtu si na takonte. Punuam shumë për të mbijetuar me djersën e ballit. Kam kaluar edhe momente të tjera shumë të vështira mes njerëzish, konservatorë, pa vizione, injorantë dhe të pashkolluar që hakmarrjen dhe zilinë e shohin si sukses kundrejt njeriut të ndershëm. Është shumë e vështirë të ndryshojë mentaliteti i një populli të një kombi të caktuar. Ende vazhdojnë heqjet nga puna për shkak të bindjeve politike, kur do të vijë dita që të bëhemi me të vërtetë tolerant dhe të ndershëm por me vepra dhe jo me llafe boshe. Por përsëri po i kalojmë edhe këtë herë këto situata sa absurde, boshe por aq edhe serioze.
-Si jeni ndjerë përballë botës së frikshme të mediokritetit, klaneve, hipokritëve dhe inferioritetit maskilist? Çfarë kuptoni me shprehjet “vetëgjymtim dhe vetëvrasje intelektuale’?
Është shumë e vërtetë ajo që aktualisht po ndodh në Shqipëri një vetëgjymtim por edhe vetëvrasje intelektuale. Po them që pseudo intelektualëve më shumë se kurrë ju ka ardhur dita. Prototipë të caktuar kanë mësuar shumë mirë si ta shesin veten e tyre. Pseudoartist, që sjell pseudo- kulturë, pseudo intelektualë që sjell inteligjencë dhe kulturë të gjymtuar. Ata që kanë vlerat e vërteta qëndrojnë pasivë të mbyllur në atë guackën e vet duke mos gjetur forcën për të shprehur problemet e kohës. Jam përballur me botën e mediokritetit por asnjëherë nuk kam patur frikë nga askush dhe asnjëherë nuk jam ndjerë inferiore përballë botës maskiliste dhe hipokrizisë. Jam kundërvënë përherë me edukatën, moralin, kulturën dhe guximin tim. Asnjëherë nuk do të pushojë së përpjekuri përballë hipokrizisë, imoralitetit dhe korrupsionit, do të përpiqem të jap atë kontributin tim sado të vogël me mjetet dhe dijet e mia. Nuk dua ta quaj “vetëvrasje” intelektuale. Dua të them se kryeprodukti intelektual është dhe duhet të jetë Shqipëria. Intelektualët në Shqipëri e ndjejnë nevojën për tryeza të rrumbullakta, duke patur përballë politikën që është indiferente ndaj mendimit të pavarur. Në përgjithësi në Shqipëri prioritet ka politika ekziston një lidhje e shkurtër e politikës me biznesin mes tyre ka interesa shumë të mëdha dhe kështu nënvleftësohet roli i intelektualëve. Shoqëria shqiptare ka nevojë për mendim të pavarur intelektual. Lëvizja intelektuale në Shqipëri është në përmasa përpjesëtimore me nivelin e përgjithshëm të shoqërisë shqiptare. Nëse shoqëria shqiptare do të ketë një nivel më të lartë ekonomik sepse pritshmëria e tyre drejtohet drejt materies—mirëqenies material. Pesha e intelektualëve duhet të vlerësohet dhe të mbështetet nga një shoqëri me nivel të lartë ekonomik. Në shoqërinë shqiptare mund të takosh paradokse dhe standarde nga më të ndryshmet. Rëndësia e intelektualëve në një shoqëri të caktuar përherë është në oponencë me shtetin sepse ka pavarësi mendimi. Pajtohem me mendimin e artë të një filozofi të madh se ligjbërësit ose ata që presin ligjet nuk ka nevojë të jenë intelektualë të vërtetë por duhet të jenë profesionist të vërtetë.
-Çfarë do të dëshironi të thoni në lidhje me karakterin e përgjithshëm të letërsisë shqipe, përkthimit dhe publicistikës shqiptare, ballkanike e lindore, krahasuar me atë perëndimore bazuar në ato çfarë ju kini shkruar, lexuar apo vënë re?
Letërsia shqipe është një letërsi evropiane, e megjithatë, ajo është zhvilluar relativisht e veçuar nga kultura mbizotëruese evropiane. Shqiptarët, ilirët të parët e tyre dhe që janë mësuar të jetojnë në një terren malor nga më të thepisurit në të gjithë gadishullin por edhe pranë bregdetit, i konsoliduan vendbanimet e veta larg udhëkryqeve më të rrahura të qytetërimit evropian. Kultura jonë ka qenë dhe mbetet një kulturë krejt e ndryshme dhe unike evropiane, ndërsa letërsia e shkruar edhe sot pasqyron shumë prej karakteristikave të saj të veçanta. Madje ky është një prej faktorëve që e bën letërsinë shqiptare kaq të mahnitshme. Për fat të keq, për letrat shqipe është shkruar shumë pak, sigurisht, me përjashtim të veprave të botuara në vetë gjuhën shqipe. Në nivel ndërkombëtar, tema e letërsisë shqipe ende mbetet përgjithësisht pak e trajtuar. Kjo lënie pas dore vjen kryesisht nga mungesa e specialistëve ndërkombëtarë me njohuri të shëndosha të gjuhës letrare shqipe dhe jo për shkak të ndonjë mungese të vetë krijimtarisë letrare.
Pema e brishtë e letërsisë shqiptare u rrit në një tokë shkëmbore. Ajo herë mbinte e lulëzonte, dhe herë shkulej nga dheu prej rrjedhës brutale të historisë politike të Ballkanit. Letërsia e hershme e Shqipërisë së krishterë humbi nën flamujt e islamizmit, kur vendi u bë me dhunë pjesë e Perandorisë Otomane. Letërsia e Shqipërisë myslimane, shumë pak e njohur edhe sot, u tha e u vyshk në fund të shekullit të nëntëmbëdhjetë, kur shqiptarët i kthyen shpinën Portës së Lartë dhe deshën të krijojnë një shtet të pavarur evropian. Fillesat e shëndosha të letërsisë moderne në vitet 1930 u shfarosën pa mëshirë nga udhëheqësit stalinistë, që morën pushtetin në vitin 1944 dhe e mbajtën deri në vitin 1990. Me të rënë diktatura, letërsia shqipe e realizmit socialist, krijesë e regjimit komunist, qe edhe ajo një rrymë kalimtare por që hyri në historinë e letërsisë shqipe. Për periudha të tëra historike, për ne shqiptarët ishte e ndaluar me ligj që të shkruhej dhe të botohej në gjuhën shqipe. Librat dhe shkollimi në shqip ishin të ndaluar në të gjithë Shqipërinë pothuaj deri në fund të sundimit otoman në vitin 1912, me përpjekjen e madhe të Rilindasve tanë me abetaret që shpërndaheshin me fshehtësi nëpër Shqipëri. Një ndalesë të ngjashme, herë zyrtare dhe herë jozyrtare, ka qenë edhe në Kosovë nën sundimin serb, deri në vitet 1960. Megjithatë, kjo pemë e brishtë e kësaj toke të ashpër legjendare ka prodhuar disa fruta të mahnitshme, shumë prej të cilave e kanë merituar vëmendjen e botës së jashtme. Pas një mungese të gjatë, gjashtë deri në shtatë milion shqiptarët e Ballkanit po rifitojnë tani vendin e duhur në Evropë dhe kultura e jonë e letërsisë meriton më shumë njohje e vlerësim. Letërsia jonë e sotme është një nga më të emancipuarat në këtë rajon të Evropës. Ajo ruan traditën e madhe të emancipimit të letërsisë së vjetër shqipe, të Naim Frashërit e de Radës që ishin nga mendjet më të ndritura në këtë zonë të Mesdheut, të Migjenit, Nolit e Poradecit, që ishin në krye të emancipimit ballkanas në kohën e tyre. Shumë prova kanë kaluar letërsitë e vendeve ballkanase, këto dy shekujt e fundit. Disa nga këto prova kanë qenë aq të rënda, sa që kanë shkaktuar deformime të ndryshme në to. Një nga deformimet ka qenë shovinizmi, kjo sëmundje mortore e letërsisë. Ne kemi qenë e jemi dëshmitarë se si shkrimtarë e akademikë shoviniste ballkanas, prapa etiketës e fjalëve të bukura, prapa titujve e diplomave fshehin natyrën e tyre barbare, urrejtjen e zezë, xhelozinë ndaj popujve të tjerë e kulturave të tjera. Është meritë e jashtëzakonshme e letrave shqipe, meritë që buron nga kultura e fisnikëria e popullit shqiptar, mosrënia në këto nivele të ulta e vulgare. Kjo letërsi mund të krenohet për shumë gjëra, por një nga krenaritë e para të saj është padyshim dashuria ndaj popullit të vet, dhe bashkë me të, e pandarë prej saj, dashuria për popujt e tjerë dhe për krejt njerëzimin përparimtar. Admiroj letërsinë e Ismail Kadaresë, Dritëro Agollit, Flutura Açkës, Luljeta Leshanakut, Fatos Kongolit, Ajet Aliçkës etj.
--Cfarë mendoni për statusin aktual të kritikës. A ka kritikë të mirëfilltë letrare sot?-
 Për fat të keq jo, nuk e di përse por është një fenomen që i bën njerzit të mos përmirësojnë gabimet e tyre, por t’i stimulojnë të vazhdojnë gabimet e bëra. Kritika pozitive sjell zhvillim, përmirësim. Ndërsa kritika dashakeqe, ajo me anë të cilës njerëz të caktuar me urrejtjen dhe egon e keqe që kanë e përdorin për ta varrosur një vepër apo autor të caktuar. Kritika kur duhet bërë e duhet të jetë një kritikë e pastër e pa përzier me urrejtje, ego personale, në këto raste këto nuk janë më kritika...  
-Cfarë ju pëlqen e cfarë nuk ju pëlqen në punën tuaj të përditshme. Në ditët e sotme tradita e realiteti “përzien” me  vlerat fetare. Si intelektuale, shkrimtare, përkthyese dhe  publiciste, pra si autore femër, a ka ndonjë konfuzion që ndikon në marrdhëniet njerëzore dhe në marrëdhëniet me kulturat e tjera?
 Dua ta theksoj se Shqipëria ende nuk ka dalë nga tranzicioni, megjithëse mori statusin dhe për mua ka qenë një nga ditët më të lumtura të jetës time, por konkretisht ka një rënie të thellë të kulturës dhe artit, rryma të ndryshme të përfaqësuar nga njerëz të paaftë sipërfaqësorë duan ta humbin edhe atë identitet artistik, muzikor të popullit tonë. Duke ditur fare mirë që për gjetjen dhe vendosjen e këtij identiteti gjyshërve dhe prindërve tanë ju është dashur  gjithë vitet e jetës. Është e vërtetë që ne jemi  një popull shumë vital dhe unë jam shumë krenare për këtë por kur ne qytetarëve na është dashur të vendosim për fatet tona ne jemi udhëhiqur jo nga arsyeja por nga emocionet e rastit,  por dihet që emocionet shpesh të cojnë në gabime fatale. Na mungon ajo qetësia qytetare për të vendosur. Pasi e kemi kryer veprimin ne fillojmë të pendohemi por është tepër vonë asgjë nuk mund ta ndryshojë vendimin e marrë për fatet tona. Është e vërtetë se ne konkretisht ndodhemi në një konfuzion të vërtetë që ka marrë emrin :”Reformë”,por kjo fjalë më duket frymëmarrëse sepse përdoret vend e pavend. Mundohen të shpikin rregulla dhe standarte të reja , por nga njerëz jo profesionistë, pa arësimin e duhur dhe shumë mediokër. Më vjen keq dhe trishtohem sidomos për të ardhmen e fëmijëve tanë. 
-Duke qënë autore  femër, në veprat tuaja, ju keni përshkruar karaktere komplekse e dominuese femra, në atë mënyrë sa lexuesit lidhen vërtet me to.A mund të na thoni se si e arrini ju këtë?  Si e konceptoni ju, lëvizjen feministe në shoqërinë shqiptare e botërore?
Jam dhe do të mbetem gjithëmonë në krah të grave dhe vajzave, kam punuar shumë për ligjet që ju përkasin atyre. Detyra ime e mëpasshme ishte :Drejtoreshë e Barazisë Gjinore- Parandalimit të Dhunës në Familje, Mbrojtjes së të Drejtave të Fëmijëve dhe Personave me Aftësi të Kufizuar. Në Ministrinë e Punës Ceshtjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta. U përzgjodha nga shoqëria civile si intelektuale dhe luftëtare e të drejtave të grave. Punova me shumë përkushtim duke cuar mjek nëpër fshatrat e largëta duke kontribuar për kujdesin ndaj shëndetit të grave, me një grup grash kam mbledhur shumë ndihma për familjet e mëdha fshatare me shumë fëmijë.
Isha Drejtoresha e parë që sëbashku me stafin tim hartova strategjinë e parë të “Barazisë Gjinore dhe Parandalimit të Dhunës në Familje” 2006-2010, realizova disa studime kombëtare për gruan shqiptare, dhunën në familje dhe për nivelin e saj kulturor dhe socjal. Duke qenë Drejtoreshë ngrita pika lidhëse që përgjigjeshin për gjendjen e dhunës në familje nëpër të gjitha bashkitë dhe komunat. Mora inisiativën bashkë me stafin tim dhe një grup intelektualesh hartuam ligjin për 30% e pjesëmarrjes së gruas në politikë. Në hartimin e ligjit për Barazi Gjinore, për masa ndaj dhunës në marëdhëniet familjare, etj
 Përfaqësuesja dhe pika fokale e Shqipërisë ne Këshillin e Europës në Strazburg , për barazinë gjinore, dhunën në familje, për mbrojtjen e fëmijëve dhe personave me aftësi të kufizuar.  Kryetare e organizimit të fushatës kombëtare kundër dhunës ndaj gruas. Fushata u organizua si në mass media, u mbështet nga  Parlamenti, etj. Për organizimin me shumë sukses të fushatës mora urime të vecanta si nga qeveria dhe shoqëria shqiptare por edhe në Madrid –Spanjë nga  Z. Barozo. Kam marrë pjesë në komitetin ndërministror për parandalimin e trafikimit të qenieve njerëzore. Në hartimin e “Strategjisë për Mbrojtjen e Fëmijëve”, në përgatitjen e paketës në ndihmë të personave me aftësi të kufizuar, të parët ishim ne që vumë në jetë vendosjen e shefit përgjegjës të zyrës së P.A.K një person me aftësi të kufizuara.
Kam qenë dhe mbetem mike e grave të dënuara dhe atyre që gjenden në paraburgim në Tiranë. Jam inisiatore e shumë rregullimeve të masave favorizuese për to. Së bashku me shumë gra kemi cuar shumë herë ndihma për to.
Një nga hartueset e peticionit drejtuar Presidentit të Republikës Z. Bujar Nishani për rritjen e numrit të grave me rastin e amnistisë vjetore për vitin 2013.
Po i kthehem pyetjes tuaj, mundohem ta shoh dhe ta studioj fenomenin deri në fund dhe sidomos faktet e mbledhura. Kam qëndruar gjatë me gra të dhunuara, me gra të burgosura, me ish prostituta, me gra që e kanë fituar pozitën në mënyra të ndryshme. Kam qëndruar gjatë me gratë dhe fëmijët e fshatit, me gra të persekutuara me gra nga Kosova që erdhën në Shqipëri të traumatizuara nga lufta, me njerëz me ngjyrë, me gra me aftësi të kufizuar. Por edhe me gra intelektuale, të niveleve më të larta, me artiste shqiptare dhe të huaja, me shkrimtare, me gra personalitete të vendeve të ndryshme të botës. Por nuk mund t’i lë pa i përmendur edhe gratë e vajzat e burgut, por edhe lumturinë që ndjeja kur i dëgjoja pafundësisht ato gra të vuajtura të përcudnuara shpirtërisht që sa herë shkoja, dëgjoja nga goja e tyre :”Rajna kur do të vish prapë?...” besoj se nuk ka pasuri më të madhe se kjo, pasuri që nuk mund t’i vësh një vlerë sepse nuk ka masë që mund ta peshojë...
Jo vetëm i kam studiuar dhe kam mbajtur shënime rreth jetës së tyre por jam shumë e qetë brenda vetes dhe Zotit se jam munduar sado pak të bëj për to, t’i ndihmoj e t’i mbështes, të bëhem pika e tyre e referimit, burim optimizmi, besimi, kënaqësie dhe clirimi shpirtëror. E di që është shumë pak, është si ajo pika e ujit që bie në oqean. Këto kujtime janë nga më të rëndësishmet, që kur i kujtoj thellë në ndërgjegje lumturohem dhe kënaqem.Jam përkrahëse e barazisë gjinore, i duhet kombit tonë një barazi e tillë m.gj.se është shumë e vështirë por puna vazhdon...
-Si autore  e publiciste, cili është koncepti tuaj për kombin, për pushtetin, për partitë politike dhe demokracinë në vendin tonë?
Jam edukuar nga familja ime që është me një traditë të thellë patriotike që atdheun mos ta tradhëtojë dhe mos ta shesë për asgjë. Kombi për mua është mbi të gjitha, është një nga gjërat më të shtrenjta. Babai im këndonte dhe recitonte, më tregonte legjenda krutane dhe përralla shqiptare kështu që tek unë është brumosur shumë thellë dashuria për Atdheun. E edukuar me dashurinë për gjyshin tim me historitë e tij me Luigj Gurakuqin, Imzot Kacorrin etj. Unë nuk mund të jem ndryshe.
 Pamvarësisht nga kushtet e rënda dhe nga diktatura shumë e egër që kaloi populli ynë, kjo diktaturë e la atë injorant, me mungesa në emancipim, në integrimi etj. Mendoj se jemi një popull me shumë vitalitet, me shumë inisiativa, me shumë fantazi, me shumë ëndrra. E vlerësoj shumë individin për gjithshka të mrekullueshme që ka bërë e vazhdon të bëjë. Në gjithë atë errësirë ne mundoheshim të mësonim gjuhë të huaja perëndimore dhe të shihnim  sado pak se c’ndodhte në perëndim. Ndryshimet që janë arritur janë të jashtëzakonshme, këtë e vlerësojnë shumë të huajt që vijnë. Partitë shkojnë e vijnë por Shqipëria jonë mbetet Atdheu ynë i pazëvëndësueshëm një dhe i vetëm.
Ndryshimet që erdhën në Shqipëri ashtu si edhe në shumë vende të tjera të kampit socialist, sollën shumë zhvillime. Domethënëse është mënyrë si shqiptarët, në fshehtësi të plotë ndiqnin kanalet televizive apo radiofonike të perëndimit, kryesisht ato italiane, për të mësuar të vërtetën ndryshe, pikërisht për arsyen e thjeshtë se e donin Evropën dhe nuk nguruan të rendin në dyer e saj menjëherë sapo era e ndryshimit depërtoi në muret e trashë të monizmit dhe u bashkua me ndjenjat e tyre të pastra liridashëse. Këto ndjenja demokratike dhe evropiane u shpërfaqën fuqishëm dhe zunë vend në thirrjen që pushtoi të gjitha sheshet në Shqipërinë e fillim viteve '90-të: “E duam Shqipërinë si gjithë Evropa”. Ëndërr e cila nuk ka mbaruar ende... Shqipëria politikisht dhe ekonomikisht trokiti në dyert e Evropës menjëherë pas përmbysjes së diktaturës komuniste dhe tashmë po ngjit shkallët edhe pse ngadalë për faj të vet,  për t'ju bashkangjitur familjes së madhe evropiane jo vetëm gjeo-fizikisht. Shqiptarët jo vetëm e synuan  demokracinë dhe Evropën, por ata po përpiqen dhe po punojnë të bëhen demokratikisht pjesë integrale e Evropës edhe sepse trashëgimia e tyre shekullore është demokratike dhe evropiane.
Por ka disa arsye të cilat dua ti theksoj: Së pari, ekziston një mospërputhje midis asaj që shqiptarët prisnin nga demokracia dhe asaj që u realizua në Shqipëri në emër të saj. Kjo mospërputhje ekziston në të gjitha shoqëritë, por përse ajo është më e theksuar tek ne? 
Duke u nisur nga kontradikta mes realitetit tonë dhe asaj që pritej ta sillte sistemi i ri, individi shqiptar priste, që me instalimin e sistemit demokratik të rriteshin jo vetëm të ardhurat e tij shumë të ulëta, por edhe mirëqenia e tij shpirtërore. Në fakt, mund të vërehet që në Shqipëri individë të shumtë, edhe pse statusi i tyre ekonomiko-shoqëror ka ndryshuar rrënjësisht në krahasim me vitet 90-të, ose me epokën komuniste, janë thellësisht të pakënaqur dhe ndihen më keq se më parë.
Demokracia në Shqipëri zhgënjyese?JO.
Ndonëse duket qesharake, por Shqipëtrët kanë mbetur pak të zhgënjyer në të vërtetë, ata, prisnin që demokracia, t’u sillte mirëqenie ekonomike pa lëvizur asgjë nga siguria që kishin nga pjesa dikurshme e regjimit totalitar; njerëzit prisnin që rendi i ri t’u ofronte të ngjiteshin lart, por që, si atëherë kur të gjithë ishin njësoj, ata të mos përballeshin me zilinë dhe urrejtjen e atyre që mbetën më poshtë. Prisnin që, në sistemin e ri, fëmijët e tyre të pranoheshin të gjithë në universitete, dhe ndërkohë të gjithë ta kishin punën të siguruar si në sistemin e vjetër; njerëzit prisnin të mos kishin dallime midis njëri-tjetrit e të mos kishte prioritet ishët, ndërkohë fshatari i dikurshëm duhet të mbetej po ai e të mos e pushtonte qytetin, pikërisht ashtu si atëherë. Por në fakt ndodhi ndryshe, ky tranzicioni na ka pushtuar dhe nuk po clirohemi dot.
Kjo demokraci nuk ishte gjë tjetër veçse sinonimi i një parajse imagjinare. U imagjinua një parajsë, por kur puna erdhi tek mënyra e funksionimit të saj, imagjinata heshti. U imagjinua një parajsë demokratike, dhe tani, një çerek shekulli më vonë, ne ende përballemi me pasojat e tranzicionit.
-Pse shkruan  Rajna Kovaci…?
 Babai im thoshte disa “fjalë të arta” ose këshilla të cilat Mondin dhe mua na ndihmojnë shumë në jetën tonë të përditshme, do të mbeten të skalitura në mendjen tonë. Në këtë moment që jam duke shkruar m’u kujtuan këto fjalë, se cdo njeri duhet të lerë dicka pas vetes, që do të thotë kur të mos jetë më në këtë jetë, të ketë lënë Fëmijë. Libër, piktura, kopësht që e ka mbjellë me duart e veta por edhe shtëpi që e ka ndërtuar vetë.
Pra unë dua t’i them ato që kam brenda vetes, të ketë një vend ku janë hedhur fjalët e mia, pra ato do të mbeten kur unë nuk do të jem më. Jam e lumtur që në një nga librat e mi unë nxora në dritë fakte të vërteta që më parë populli ynë nuk i dinte i mashtruar nga propaganda dhe fjalë boshe e të paqena. Pra ky libër mban firmën time.
Nëse i hedhim sytë tek kopshti ka një ndryshim të madh mes njeriut që e korr barin dhe kopshtarit që e ka hedhur farën . Me kalimin e kohës kositësi nuk do të mbahet mend, ndërsa kopshtari dhe mendja e tij do të mbahen mend atje përjetësisht.
Lumturohem cdo mëngjez kur i hap sytë kam privilegjin e madh që jam në këtë botë dhe jetoj,i gëzohem cdo pike të  jetës. Egziston një proverb i vjetër por i vlefshëm ”Gjithkush vdes por jo cdo njeri di të jetojë me të vërtetë”. Cdo mëngjez zgjohem me buzëqeshje me dëshirën për të jetuar, edhe nëse nuk kam fjetur gjithë natën edhe nëse sytë i kam të lodhur,buzëqesh para pasqyrës e lumtur pres ditën e re që lindi....    
-A ka pasur në fëmijërinë tuaj se një ditë do të bëheshit një nga publicistet më të kërkuarat e më të pëlqyeshmet  e shtypit shqiptar në tërësi, në të dyja kahjet e kufirit Shqipëri- Kosovë, nuk e ekzagjeroj nëse them në Ballkan e Diasporë?.
Jam njeri që më pëlqen modestia, nuk punoj për famë dhe lavdi. Jam e lumtur që kam dhënë një kontribut modest dhe vullnetar për disa fenomene akute që shqetësojnë shoqërinë tonë. Për mua është  kënaqësi  e vecantë, aspak reklama apo fama, më lumturon një sukses i Mondit dhe i Ramonës, zgjidhja e një cështje apo problemi që pengonte mbarëvajtjen e komunitetit. Një tufë e madhe me lule që Mondi m’i dhuron herë pas here. Më pëlqen që në fund të ditës të bëj një rezume të punës time dhe të them se sot jam e lumtur sepse dita më kaloi bukur e rrethuar me njerëzit e mi më të dashur me në krye Borisin por edhe me mikeshat e mija. Më dëshpëron cdo fjalë fyese, zënkë, harbutëri, sjellje e keqe, hipokrizia dhe të vepruarit mbrapa krahëve,tradhëtia. Kuptoj cdo manipulim dhe deri në momentin e fundit luftoj brenda vetes duke mos dashur të jetë e vërtetë. Në fund kur del e vërtetë intuita ime, gjysma tjetër e Rajnës trishtohet dhe mundohet ta harrojë. Unë jam një person që falë shumë dhe e njoh mirë tolerancën. Gjatë jetës time kam qenë ndaj të tjerëve më shumë tolerant se sa kanë qenë ata me mua. Nuk më ka gjetur asgjë e keqe, unë kam dalë gjithmonë më e fituar, më e kënaqur me gjendje shpirtërore të pastër e të pasur. Jam munduar të bëj vetëm mirë, ky është një nga parimet që na ka udhëhequr  në jetë mua dhe Mondin. Cuditem me disa zonja që flasin për veten e tyre dhe thonë se nuk lejoj askënd të më dalë përballë në karrierën time, nëse e bën unë e shkatërroj apo e eleminoj, këto e të tjera si këto janë absurde dhe qesharake për Rajnën, kjo është jeta me larminë dhe bukurinë e saj por edhe poshtërsinë që mbart në vetvete. 
-Jetoni në  Tiranë, cfarë iu lidh me  Bullgarinë?
 Vendlindja e mamasë time, e njerzve të afërt, që mbetet gjysma ime por thellë në shpirt ndjehem shumë shqiptare dhe krutane. Kam kaluar gjithë jetën në këtë vend me natyrë dhe njerëz të mrekullueshëm. Kam patur dhe kam kuriozitet të di për artin, kulturën dhe për jetën në Bullgari. Përherë kur shkoj gjej dicka të re të shoh, të shëtis dhe të studjoj, thjesht unë udhëtojë shumë dhe një nga udhëtimet e mia shumë të rëndësishme është udhëtimi nëpër vende interesante. Pa përmendur vendet e mrekullueshme të natyrës dhe bukurive të rralla që ka Shqipëria sa më shumë e shëtis aq më shumë më pëlqen.
- Znj. Rajna  ju jeni bija  këngëtarit dhe baritonit të shquar lirik Artistit të Popullit -Ramiz Kovaci. Ati Tuaj,  veçanërisht, është i njohur kombëtarisht dhe ndërkombëtarisht për vlerat dhe kontributin e tij të shquar në artin, muzikën  e kulturën shqiptare dhe më gjerë. Cili është roli hulumtues tuaj për portretin e staturës artistike kulturore, qytetare e intelektuale të kontributit të Atit Tuaj?.
Ndjehem e privilegjuar që jam bija e një Artisti të madh, ne fëmijët e artistëve kemi fatin që në të gjitha kohërat prindët tanë të kujtohen nga të gjithë me respekt dhe dashuri. Babai im ishte një nga artistët më të mëdhenj shqiptar shumë patriot dhe demokrat i vërtetë. Cfarë dua të them me fjalën Drmokrat i vërtetë, ai ka lindur në 22 Mars që për Kombin tonë është një datë shumë e shënuar, sjellja e tij ishte për t’u marrë shembull. E përkrahte dhe e mbështeste të renë, inisiator dhe përkrahës i inisiativave. Ka pasur një marrëdhënie që mbetet për mua modeli më i mirë i lidhjeve deri në vdekje mes burrit dhe gruas, toleranca e tij më mahniste ishte shumë i matur dhe në vendin e duhur. Kishte një respekt, dashuri dhe mirënjohje për mamanë time e vlerësonte shumë mbështetjen që i jepte ajo dhe thoshte gjithmonë. Mbi të gjitha ishte një njeri  i mrekullueshëm pastaj një artist shumë i madh. Librin e shkruajtëm me inisiativën e Ramonës, është shumë interesant pjesa ku ajo u muar me transkriptimin e leksioneve të shkruara me dorën e vet dhe i hodhi në kompjuter, me njohjen dhe marrëdhëniet me Nikoletën,  ndërsa unë me pjesën tjetër. Libri është shkruar me shumë dashuri ndërsa leksionet e kantos e shkruara nga babai im janë shumë interesante dhe shumë të nevojshme si për studentët e kantos po ashtu dhe për këngëtarët e rinj. Babai im në këto leksione shkruan shumë edhe për psikikën e këngëtarit, për anatominë dhe për kanton si një shkencë shumë enigmatike. Librin e quajtëm:”Ramiz Kovaci një Zë Brilant dhe i Papërsëritshëm”
- Cfarë ndikimi pati  erudicioni dimensional i prindërve tuaj, që Ju zgjodhët të jeni një figurë shëmbull i zërit krijues qytetar e intelektual i botës shqiptare?.
Prindët më kanë edukuar të jem modeste, të luftoj për të  drejtat e mia, por mos të shkel të drejtat e të tjerëve, të kem në jetë një ego pozitive, të matur dhe të llogjikshme. Të kem guximin qytetar ta them mendimin tim pa u trembur, të marrë atë që më takon dhe të mos ndrydh apo shtyp të drejtat e të tjerëve. Nuk kam luftuar dhe kurrë nuk do ti luftojë njerëzit për t’u marrë pozitën apo karrierën këto janë jashtë meje. Më pëlqen të lexoj, të shkruaj, të dëgjojë muzikë, simfonike të Bethovenit, Dvorzhak, Moxart apo Bach, Verdin e admiroj. Pa mohuar muzikën e Bitëllsave, Madonës, Lady Gaga, muzikën negritane, country music etj. Më pëlqen të them se e dua shumë Shqipërinë, natyrën, këngët, kostumet popullore, folklorin gjithshka shqiptare. Kemi një muzikë të mrekullueshme si dhe këngëtarë. Babai im është një nga themeluesit e konservatorit të Tiranës. Ka nxjerrë shumë këngëtarë dhe këngëtare operistike që këndojnë në të gjitha skenat e botës, por edhe këngëtarë popullor që ta këndojnë me kulturë këngën popullore. Pasi përfundoi studimet për kanto në Sofie me një pedagog nga më të famshmit të botës operistike, pasi dha një diplomë brilante me ariet më të vështira të baritonit, me medalje ari, u kthye në Tiranë ku u emërua solist në TOB. Këndoi të gjitha rolet e baritonit, e këndoi me dashuri dhe pasion këngën popullore, këndoi në cdo skaj të shqipërisë, nëpër uzina dhe fabrika, arra dhe miniera, si rezultat i kësaj pune të madhe ju dha titulli :”Nderi i Kombit”, por dëgjoj me endje edhe Cesk Zaden, A. Krajkës, T. Daijës, F.Ibrahimin,E.Zhulalin etj.
-Mendoni se keni arritur aty ku duhet me krijimtarinë tuaj apo kini akoma për të bërë? Cfarë po shkruani aktualisht? Projektet tuaja në të ardhmen?
Kam arritur dicka por jo shumë, unë asnjëherë nuk kënaqem me veten time, në fund të ditës bëj rezultatet aktuale, gjithëmonë kërkoj nga vetja. Sot ka vend për cdo njeri. Akoma jam në fillim. Jam në përfundim të një skenari për dokumentarin që flet për një grua të madhe dhe në përfundim të një libri përsëri për një grua të madhe. Shkruaj në shtypin shqiptar dhe të huaj pa ju ndarë edhe TV.  
-Cfarë është dashuria për ju? Kur e ndjen një grua  se është e dashuruar? A keni shkruar ndonjë poezi dashurie?
Dashuria  është ndjenja më e lartë njerëzore, ka shumë lloj dashurish dhe secila ka bukurinë e vet. Është dashuria për fëmijën, për bashkëshortin, për prindët, për shoqërinë, pra secila dashuri ka një vend të caktuar në shpirtin tim. Jam shumë njerëzore dhe për mua njeriu është qenia më e rëndësishme dhe më me vlerë. Më pëlqejnë shumë fjalët e Madam Simon dë Bovoar kur thotë:” Dashuria është burimi i jetës. Ditën kur gruas do i jepet mundësia të dashurojë, jo nga dobësia por nga forca, të mos largohet nga vetja por të gjejë veten, të mos përulet, por të mbrohet. Kjo është dita kur dashuria do të jetë e saja, po ashtu edhe për burrin, një burim jete dhe jo rrezik vdekje....”  
Kur jam njohur me bashkëshortin tim kam qenë shumë e re dhe për mua ka qenë dhe mbetet dashuria ime parë dhe e fundit. Kemi kaluar sëbashku shumë vështirësi, u rritëm bashkë dhe jetën e kemi ndërtuar mbi disa parime shumë të rëndësishme pa të cilat nuk do të ishim kështu sic jemi edhe sot. Bashkëshorti im është shoku im më i mirë, më inkurajon dhe më mbështet në punën time. Është më optimist se unë dhe një artist shumë i talentuar dhe i kompletuar. Jam e lumtur që më ka pikturuar në disa vepra të tij dhe mbetem muza e artit të tij. pikturon shumë bukur, deri tani ka realizuar me shumë sukses 3 ekspozita shumë të bukura dhe shumë interesante.  Duke qenë se është njeri shumë i kulturuar, tolerant dhe me shumë ide të them të drejtën e plotësojmë shumë mirë njëri tjetrin dhe më frymëzon. Është këngëtar dhe për 13 vjet ka organizuar me sukses një nga koncertet më të famshëm “Tre Tenorët”, me tenorët më të famshmë shqiptar që këndojnë nëpër botë dhe ne i ftojmë në Shqipëri, si dhe cdo vit Edmondi promovon  zërat e rinj shqiptar. Tashmë ky koncert ka marrë përmasa ndërkombëtare kemi organizuar koncertin e “Tre Tenorëve Amerikan” me tenorë të famshëm amerikan dhe shqiptar në bashkëpunim me Ambasadën Amerikane në Tiranë. Bashkëshorti im Edmond Tullumani është producent dhe organizator shumë i suksesshëm i shumë aktiviteteve muzikore kulturore si brenda dhe jashtë Shqipërisë. Ka një kontribut shumë të cmuar në zhvillimin dhe civilizimin e kulturës shqiptare. Vajza ime Ramona Tullumani është një nga sopranot më të mira shqiptare që debuton me shumë sukses si në skenën e TOB-Kombëtar në Tiranë por edhe në skenat europiane. Mamaja ime e shtrenjtë Nikoleta Kovaci jetojmë bashkë  dhe ruajmë si gjënë më të shtrenjtë që kemi. Kam një familje të mrekullueshme ku në themel qëndron dashuria, mirëkuptimi dhe korrektësia. Jemi një familje shumë e lumtur.  
 Kemi kaluar sëbashku vite të tëra papunësie, trishtimi. Rrugëdaljen dhe zgjidhjen e shumë problemeve e kemi gjetur bashkë. Ne diskutojmë dhe bashkëbisedojmë sëbashku me orë të tëra për cdo gjë, them se një nga sukseset mbarëvajtjes tonë është dhe kombinimi i natyrave tona dhe bisedat pafund me njëri tjetrin, në shtëpinë tonë nuk na mungon dhe nuk na ka munguar kurrë humori.     
Kemi  kaluam të dy shumë vështirësi, sepse ashtu ishte koha-shumë e vështirë. U rritëm bashkë, u kalitëm, u poqëm dhe po plakemi bashkë të lumtur ashtu si ditën e parë që u njohëm. C’nuk kemi kaluar ngjarje dhe ndodhi që as nuk na kishin kaluar nëpër mend por kjo ishte jeta jonë dhe ne po e jetonim duke u munduar të gjenim dicka të bukur në atë skëterrë të rëndë. Një nga parimet e jetës time që ma ka edukuar mamaja është:”Mundohu të gjesh dicka të bukur në jetën tënde të përditshme, mos shiko gjithëmonë errësirë gjeje vetë rrezen e diellit. Beso tek e nesërmja sepse ajo do të sjellë gjithëmonë dicka më të mirë se e sotmja, buzëqesh mos qëndro kurrë e ngrysur, errësira sjell vetëm errësirë....Filloja ditën e lumtur sepse ashtu do të ecë”. Këto dhe shumë të tjera do të mbeten të paharruara deri në fund është busulla që do të më drejtojnë gjatë gjithë jetës time.
Kam pasur raste që kam rënë në momente pesimizmi, trishtimi dhe mërzie. Por do të thoni ju cili ka qenë sekreti që më nxirrte nga kjo gjendje dhe më ngrinte lartë shpirtërisht? Së pari familja ime Ramona,sinqeriteti i saj, dlirësia, rinia, bukuria e saj,  terapia e pavdekshme e Mamasë time, Mondi me shpirtin e tij të bardhë, të gjerë dhe të madh sa një kontinent por edhe pafundësia e tij artistike që e ka vetëm ai dhe që është sekreti ynë.Unë kam dashuri të madhe edhe për lulet ato janë për mua një domosdoshmëri, aroma e tyre, ngjyrat, bukuria, I adhuroj dhe këtë gjë e di edhe Mondi. Mondi më sjell pothuajse cdo ditë buqetë me lule, më bën surpriza të mahnitshme.
-Cilat janë aftësitë profesionale që gazetaret e reja kanë nevojë sot? Ndonjë këshillë për ata që aspirojnë gazetarinë?
-Më vjen shumë mirë që ka shumë gazetare femra, por do të desha që ato të mos ishin vetëm gazetare terreni por edhe kryeredaktore, të kishte më shumë analiste, drejtoresha gazetash ose kryeredaktore. Megjithëatë të punuarit në terren i bën ato më profesioniste dhe më të shkathëta. Do të desha të kishte një lloj herarkie mes këtyre vajzave të afta. Që pas punës së tyre për njëfarë kohe në terren të kishte ngritje në detyrë për to.
Kam një këshillë për redaksitë e gazetave të profilizojnë dhe të specializojnë gazetare për kulturën sepse kultura është shumë e vështirë për tu shprehur nëpër gazeta. Nuk e bën dot cdo lloj gazetarë apo gazetare. Duhet të bëjnë kurse për të njohur zhanret e ndryshme të kulturës dhe artit, shpesh bëhen gafa që për njerzit e kulturës janë të pafalshme.Gazetarët duhet të lexojnë sa më shumë jam dakord që me përdorimin e mjeteve  elektronike gjërat kanë ndryshuar dhe janë lehtësuar, por leximi jo cetimi është shumë i rëndësishëm për një gazetar apo gazetare. E kuptoj që brezat kanë ndryshuar shumë por të lexuarit luan një rol të pazëvëndësueshëm jo vetëm për gazetarinë por për të gjitha llojet e profesjoneve.
-Projektet tuaja në të ardhmen? Cfarë iu ka mbetur peng?
Kam shumë projekte të cilat mundohem ti planifikojë që në fillim të vitit dhe mundohem ti realizojë. Kam një bllok të artëqë ma ka dhuruar vajza ime dhe në fillimin e cdo viti të ri unë planifikojë planet e mia për atë vit. Nuk kam pengje jam munduar ti realizojë qëllimet e mia. Jam e rrethuar me dashuri nga familja ime dhe në përgjithësi ëndrat e mia për njerzit e mijë të afërt i kam realizuar. Unë di se cfarë të kërkoj nga jeta dhe nga vetja, egziston një proverb:”Gjithkush vdes por jo cdo njeri di të jetojë me të vërtetë”.
- A është i lirë shtypi sot?
  Mund  të them se shtypi shqiptar ndikohet nga politikat e njëanëshme e pronarëve, janë zëdhënës të verbër të tyre, një shtyp I tillë ka gjasa dhe rrezik që ta keqinformojë lexuesin dhe ta drejtoj në një informacjon pa krye. Pra ka shtyp të lirë por jo të pavarur  
-Mesazhi tuaj për inteligjencën e shoqërinë shqiptare sot....
Inteligjenca e sotme duhet të luaj një rol më aktiv ka shumë në dorë për fatet e Shqipërisë duhet të jetë më aktive, nuk duhet të përfundojë të diskutojë nëpër kafene por ta coj zërin e vet më lartë dhe më fortë, nuk po i ndahet Shqipërisë ky tranzicion kaq i vështirë. Ndërsa shkruaja dhe lexoja për Diktatorët mendoja sa vjet dhe sa kohë përpara gratë apo të dashurat e tyre shpreheshin hapur se ato kishin qenë të dashurat e këtyre përbindëshave kush nga shqiptarët apo shqiptaret ka patur guximin dhe kurajon ta shqiptojë një gjë të tillë? Duhet ta largojë indiferencën dhe moskokëcarjen janë gabime shumë të rënda që kur t’i kujtojmë do të na vrasë shumë ndërgjegja por do të jetë vonë. Kurrë nuk duhet të themi se historia fillon nga ne duhet të vlerësojmë punën dhe djersën e prindërve tanë. Mos të harrojmë traditën mos ta zhdukim atë sepse ajo flet për identitetin tonë....
Ju faleminderit!
Bisedoi:Raimonda MOISIU

No comments: