Monday 22 June 2015

Përsiatje për një intervistë të presidentit Putin

Nga Prof.dr. Eshref Ymeri



                Në një intervistë që presidenti Putin i pati dhënë para do kohësh gazetës italiane “Corriere della sera”, pati deklaruar:
                “Vetëm një i çmendur apo një njeri që është në ëndërr mund të imagjinojë që Rusia mund të sulmojë NATO-n” (Citohet sipas: “Putin: Nuk jam një agresor, pakt me Evropën dhe barazi me USA”.  Marrë nga faqja e internetit “Sot News”. 06 qershor 2015).
Në të vërtetë, me këtë deklaratë, Putini zbulon qëndrimin e tij të pasinqertë ndaj Perëndimit dhe konkretisht ndaj NATO-s. Sepse në pikësynimet e tij të dhunshme kundër Ukrainës, Putini kërkon t’i tregojë muskujt Perëndimit, duke iu hakërruar dhe madje edhe duke e kërcënuar haptas fare. Për këtë qëllim, ai ka ngritur rreth vetes një ushtri të tërë me puthatorë (servilë) profesionistë, të cilët janë bërë zëdhënësit e tij të drejtpërdrejtë. Njëri nga këta puthadorë me paha të madhe është Dmitër Kiselovi (1954).
Dmitër Kiselovi është gazetar rus, drejtues emisionesh televizive, drejtor i përgjithshëm i agjencisë informative ndërkombëtare ruse “Rossia sevodnja” (Rusia Sot) dhe zëvendësdrejtor i përgjithshëm i KSHTRM (Kompanisë Shtetërore Televizive dhe Radiopërhapëse Mbarëruse). Në veprimtarinë e vet gazetareske, Dmitër Kiselovi, për puthadorësinë (servilizmin) e tij karakteristike ndaj Putinit, ka rënë në sy jo vetëm në sytë e opinionit publik rus, por edhe në radhët e opinionit publik ndërkombëtar.
Kështu, me rastin 60-vjetorit të lindjes së Putinit (07 tetor 2012), gjatë zhvillimit të programit me temë “Lajmet e Javës”, Dmitër Kiselovi pati përgatitur një koment që zgjati 12 minuta dhe 41 sekonda. Në atë koment, ai deklaroi:
“Për nga përmasat e veprimtarisë, Putini-politikan, në krahasim me paraardhësit e tij të shek XX, është i krahasueshëm vetëm më Stalinin” (Citohet sipas: “Zemrat e tyre duhen groposur ose duhen djegur, si të papërshtatshme për vazhdimin e jetës”. Marrë nga faqja e internetit “slon.ru”. 09 dhjetor 2013).
Ndërsa në një tjetër shfaqje puthadorësie, Dmitër Kiselovi i drejtohet Putinit me një tjetër deklaratë, këtë herë vetëposhtëruese:
“Vladimir Vladimiroviç, mua më ke besnik, çizmet do të të pastrohen me floknajën time, më pas do t’ju thur dhe këngë” (Citohet sipas: Helena Rikovceva. “Ishte Kiselovi ai që tha për Putinin: mua më ke besnik”. Marrë nga faqja e internetit “svoboda.org”. 13 dhjetor 2013).
Prandaj edhe emri i Dmitër Kiselovit, në pjesën e dytë të listës së Bashkimit Evropian që u hartua për shkak të krizës së Krimesë, figuron mes emrave të personaliteteve politike dhe shtetërore ruse, ndaj të cilave janë vendosur kufizime në marrjen e vizave dhe kufizime të natyrës financiare.
Por, çuditërisht, ky Dmitër Kiselovi, ky puthador i regjur i Putinit, në një tjetër deklaratë, shpalos dyzimin e personalitetit të vet dhe kalon nga roli i poshtëruesit të vetvetes, në rolin e një ngrehaluci agresiv që bëhet karagjoz në sytë e opinionit të shëndoshë publik rus dhe atij ndërkombëtar.
Në emisionin përmbyllës të lajmeve të javës të kanalit televiziv “Rusia 1”, të datës 16 mars 2014, Dmitër Kiselovi deklaroi:
“Federata Ruse, po të jetë nevoja, Shtetet e Bashkuara të Amerikës mund t’i kthejë në hi radioaktiv, duke përdorur armët bërthamore” (Citohet sipas: Rusia mund t’i kthejë në hi radioaktiv Shtetet e Bashkuara të Amerikës - drejtuesi i emisioneve televizive Kiselov”. Marrë nga faqja e internetit “news.liga.net”. 16 mars 2014).
Por ky nuk është i vetmi kërcënim i hapur që u bëhet Shteteve të Bashkuara të Amerikës për t’i fshirë ato nga faqja e dheut. Kryetari i Akademisë Gjeopolitike Konstantin Sivkov, në faqet e së përjavshmes ruse “Korrieri ushtarako-industrial”, ka parashtruar planin e “goditjes së garantuar të kundërshtarit”, duke patur parasysh pikat më të dobëta të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Mbështetur në këndvështrimin e gjeologëve, Konstantin Sivkovi thekson se supervullkani ieloustonian [Yellowstone  supervolcano - ndodhet në veriperëndim të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në cepin veriperëndimor të shtetit  Uaioming (Wyoming) që përfshihet në grupin e të ashtuquajturve shtete malore  - E.Y.] mund të shpërthejë në çdo moment. Sepse, sipas tij, ky vullkan po i afrohet periudhës së aktivizimit dhe, rrjedhimisht, mjafton një shtytje relativisht jo fort e fuqishme. Në përfundim, sipas këtij shkencëtari me pikëpamje kriminale, Shtetet e Bashkuara të Amerikës thjesht do të zhduken nga faqja e dheut, sepse sipërfaqja e tyre do të mbulohet me hi me një shtresë prej disa metrash.
Në hyrje të faqes së internetit që do të citohet më poshtë, thuhet:
“Perëndimi ka filluar një luftë të re të ftohtë kundër Rusisë, e cila është gati të shndërrohet në një luftë “të nxehtë” dhe Rusia duhet të zhduket. Me çfarë mund të përgjigjet Rusia, shtron pyetjen presidenti i Akademisë së Problemeve Gjeopolitike, doktori i shkencave ushtarake Konstantin Sivkov, këshillëtar politik.
Më poshtë vijon shtjellimi konkret i pikëpamjeve të tij për mënyrën e zhdukjes së Shteteve të Bashkuara të Amerikës nga ana e Rusisë nëpërmjet goditjeve bërthamore:
“Gjeologët janë të mendimit se supervullkani ieloustonian mund të shpërthejë në çdo kohë. Shenjat e shtimit të aktivitetit të tij duken sheshit. Prandaj është e mjaftueshme një goditje bërthamore e klasës megaton, për të nxitur shpërthimin e tij. Pasojat do të jenë katastrofike për Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Gjithë territori i vendit do të mbulohet me një shtresë hiri prej dhjetra metrash trashësi…
Në këtë mënyrë,.. Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të pushojnë së ekzistuari, megjithëse edhe për pjesën tjetër të botës pasojat do të jenë katastrofike.
Rusia do të ketë shumë më pak pasoja, për shkak të largësisë nga vendi i shpërthimit, të përmasave të territorit dhe të pozicionit të saj. Dëmi për vendet që ndodhen në pjesët e tjera të botës përballë Shteteve të Bashkuara të Amerikës, gjithashtu, nuk do të jetë i madh. Por ky shpërthim do të jetë katastrofik për mbarë qytetërimin. Se prandaj edhe ekziston një armë e tillë. Me mundësinë e përdorimit të saj, kjo armë duhet t’i presë rrugën çdo mendimi për të sulmuar Rusinë.
Një tjetër mënyrë e studiuar e megagoditjes është nxitja e shpërthimit të dallgëzimeve gjigante (cunameve). Këtë mënyrë e pati propozuar më herët akademiku Andrea Saharov. Me këtë mënyrë realizohet shpërthimi i disa municioneve bërthamore në pikat e përllogaritura përgjatë çarjeve tektonike në thellësitë e brigjeve të Oqenit Paqësor dhe të Oqeanit Atlantik të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (nga tri deri në katër mbushje bërthamore në çdo çarje) në një thellësi nga 1,5 deri në 2 km.
Sipas përllogaritjeve të Saharovit dhe të shkencëtarëve të tjerë, pas shpërthimit të mbushjeve bërthamore në një thellësi të tillë, do të krijohet një dallgëzim i tillë, i cili në brigjet e Shteteve të Bashkuara të Amerikës do të arrijë një lartësi deri në 400-500 m. Duke u përplasur në kontinent, dallgëzimi do t’i përpijë të gjitha objektet në një largësi më shumë se 500 km. Por nëse shpërthimet do të kryhen në thellësi të mëdha, ku korja e tokës në vendtakimet e pllakave është më e hollë, atëherë ato (shpërthimet) do të shkatërrojnë koren dhe magma, duke ardhur në kontakt me ujin e oqeaqnit, do të bëjë që shpërthimet në fjalë të jenë shumë më të fuqishme. Në këtë rast, lartësia e dallgëzimeve të egërsuara (cunameve) do të arrijë më shumë se 1,5 km dhe zona e shkatërrimeve do të zgjerohet përtej bregut në një largësi prej më shumë se 1500 km.
Kjo lloj arme vlerësohet si jashtëzakonisht “e pastër”: sepse nuk do të ketë dimër bërthamor, meqenëse nuk do të formohen re gjigante pluhuri, kurse uji do të bjerë në tokë në formën e rrebesheve radioaktive mbi sipërfaqen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës… Kundërdallgëzimi gjigant do të përpijë disa pjesë të Evropës” (Citohet sipas: “Eksperti: lufta është në prag. E fundit në historinë e Rusisë”. Marrë nga faqja e internetit “Vjesti Ekonomika”. 06 prill 2015).
Pra, në këtë material të faqes së internetit  thuhet se Konstantin Sivkovi qenka këshillëtar politik. Nënkuptohet vetvetiu se këshillëtar politik i kujt qenka konkretisht ky kryetar i Akademisë së Problemeve Gjeopolitike. Se politikën në Rusi e bën vetëm Putini
Boris Vishnjevski, deputet i Kuvendit Legjislativ të Shën-Peterburgut (fraksioni “Jablloko”), me një të dhënë tjetër interesante, e pasuron edhe më tej fondin e urrejtjes së Kremlinit për Perëndimin. Ai ka deklaruar:
“Këtu e ca kohë më parë, në një bisedë rreth tryezës së rrumbullakët për gjendjen e mjeteve të informimit masiv, Nika Strizhak (emri i plotë i saj është Veronika Strizhak, lindur në Leningrad në vitin 1962, e njohur si kinoregjisore, autore filmash dokumentarë dhe si drejtuese emisionesh televizive - E.Y.) është bërë e famshme me një subjekt, në të cilin propozohej që Parada e Fitores (është fjala për paradën ushtarake që zhvillohet në Sheshin e Kuq çdo vit më 09 maj - E.Y.) të zhvendoset në Londër ose në Berlin dhe bëheshin përllogaritje se sa kohë do t’i duhet ushtrisë ruse për të “pushtuar” njërin ose tjetrin kryeqytet të Bashkimit Evropian” (Citohet sipas: Boris Vishnjevski. “Putini dhe opozita “jointeresante””. Marrë nga faqja e internetit “Radiojehona e Moskës”. 07 qershor 2015).
Nëse në Rusi do të ishte ndërtuar me të vërtetë një shtet ligjor dhe nëse president i vendit do të ishte një tjetër individ, me një tjetër format intelektual, sigurisht që gazetari puthador i Putinit, me emrin Dmitër Kiselov, si edhe Kryetari i Akademisë së Problemeve Gjeopolitike Konstantin Sivkovi, do të duhej të merreshin në ndjekje penale për këtë kërcënim që u kanë bërë Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe për mbjelljen në radhët e opinionit publik rus të frymës së urrejtjes për Perëndimin. Por atyre, si njerëz të brumosur me ideologjinë e dhunës putiniane, pas këtyre deklaratave prej krekacorësh të kulluar, nuk u ka hyrë asnjë gjemb në këmbë, sepse pas tyre fshihet vetë Putini.
Kjo propagandë helmatisëse në radhët e popullit rus, kjo urrejtje e përhapur me kaq zell kundër Perëndimit dhe sidomos kundër Shteteve të Bashkuara të Amerikës përmes mjeteve të informimit masiv, të cilat e kanë shndërruar Putinin në “Perëndinë e botës ruse”, i ka dhënë frytet e veta me kahje komuniste. Dhe ja rezultati:
“69% e banorëve të Rusisë e vlerësojnë si ngjarje negative shpërbërjen e Bashkimit Sovjetik në vitin 1991, kurse 61% e tyre i përmbahet mendimit se disa territore të shteteve të tjera, në të vërtetë, duhet t’i përkasin Rusisë” (Citohet sipas: “NATO-Rusi: brezat e rinj po përjetojnë kohën e shkollës së luftës së ftohtë”. Marrë nga faqja e internetit “InoPressa”. 10 qershor 2015).
Pretendimi për pushtimin e territoreve të huaja, të cilin e përkrah shumica e popullit rus, dëshmon fare shkoqur se mjetet e informimit masiv Putini i ka shndërruar në leva të fuqishme të politikës së tij, të cilat kanë kultivuar dhe po kultivojnë me shumë ngulm histerinë e shovinizmit masiv në qëndrimin ndaj vendeve të tjera.
Duke pasur parasysh formatin e formimit psikologjik të popullit rus, i cili propagandën e televizionit shtetëror e merr për të vërtetë “të dërguar nga Hyjnia”, duhet pranuar se informacioni i mëposhtëm është tejet i besueshëm:
“Siç e pranojnë madje ata që janë të lidhur ngushtë me Kremlinin, forca kryesore që formon opinionin publik, është televizioni shtetëror. Më herët, këtë vit, në një bisedë që pati me disa gazetarë të gazetës angleze “The Guardian”, një ish-zyrtar i lartë i Kremlinit, i njohur personalisht me Putinin, deklaroi: “Kush kontrollon televizionin, kontrollon vendin. Sikur televizionin ta hidhnin në dorë komunistët, gjatë tre muajve Rusia do të bëhet komuniste. Nëse kontrollin e tij do ta hidhnin në dorë fashistët, ajo do të bëhet fashiste. Pikërisht në një vend të tillë jetojmë ne”” (Citohet sipas: “Pse rënia e çmimit të naftës e kërcënon Putinin me një përmbysje në oborr”. Marrë nga faqja e internetit “inosmi.ru”. 22 dhjetor 2014).
Deri tani nuk kemi dëgjuar që ndokush në Shtetet e Bashkuara të Amerikës t’i ketë bërë ndonjë kërcënim Rusisë me armë bërthamore, madje deri edhe me zhdukje nga faqja e dheut. Armatimet e rënda që NATO-ja po vendos në republikat e Priballtikut dhe në disa vende të Evropës Lindore, shërbejnë si një përmbushje e kërkesave të këtyre vendeve për shtimin e masave mbrojtëse, meqenëse Kremlini nuk po heq dorë nga lufta që po zhvillon në Ukrainë, pranë kufirit të tyre, luftë, të cilën e ka filluar që në pranverën e vitit 2014.
Po si është e mundur që të bëhen kërcënime kaq të hapura në adresë të Perëndimit dhe sidomos të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, kërcënime këto që përcillen përmes mjeteve të informimit masiv, prapa së cilave qëndron politika e Kremlinit? Me sa duket, politikës ruse i ka mbetur peng mosrealizimi i Testamentit të Pjetri të Parë dhe i planeve të Stalinit për pushtimin e Evropës, të cilin ai ëndërronte ta vinte në jetë me nënshkrimin e Paktit Molotov-Ribentrop më 23 gusht 1939.
Kur u njoha në faqet e internetit me dy kërcënimet e lartpërmendura të Dmitër Kiselovit dhe të Konstantin Sivkovit në adresë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, m’u kujtua libri i Stendalit (1783-1842) me titull “Jeta e Napoleonit” (Vie de Napoléon). Stendali shkruan:
“Që nga koha e Pjetrit të Madh, Rusia besonte me bindje të fortë se ajo do të bëhej sundimtarja e Evropës dhe se e vetmja fuqi që do të matej me të, do të jetë Amerika” (Citohet sipas: Stendhal. “Vie de Napoléon”. Napoléon. Tome I”. Texte établi par Henri Martineau. Paris. Le Livre du divan. 1930, p. 227).
Dhe kështu do të kishte ndodhur me të vërtetë. Po të mos kishin zbarkuar trupat amerikane në Normandi në qeshorin e vitit 1944, për të hapur frontin e dytë kundër Hitlerit, Stalini, nën maskën e “çlirimtarit” të Evropës nga zgjedha e Gjermanisë naziste, do të marshonte drejt Perëndimit, për të arritur deri në Gjibraltar, me qëllim sovjetizimin e mbarë kontinentit.
Pra, mjetet ruse të informimit masiv në shërbim të Putinit, bëjnë publike kërcënime për shfarosjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe për pushtimin e Evropës. Është në traditën e kastës sunduese ruse që popullin rus ta mëkojë në vazhdimësi me psikozën e luftës.
Gjenerali rus Aleksej Kuropatkin (1848-1925), në një memorandum që i dërgonte carit në vitin 1900, shkruante:
“Gjatë 200 vjetëve të fundit, Rusia ka qenë në gjendje lufte 128 vjet… Nga 128 vjet luftërash, 5 vjet kemi bërë luftëra mbrojtëse, kurse 123 vjet kemi bërë luftëra pushtuese” (Citohet sipas: “Sa herë ka luftuar Rusia?”. Marrë nga faqja e internetit “alternathistory.org.ua”.  21 maj 2013).
Kjo psikozë, me kalimin e shekujve, ka ushtruar ndikimin e vet në formimin psikologjik të popullit rus, i cili e ka pranuar despotizmin ushtarak si pjesë të jetës së vet. Prandaj Stendali thekson:
“Në Rusi askush nuk çuditet nga sundimi i despotizmit. Ky është i lidhur pazgjidhshmërisht me fenë dhe përderisa mbartës i tij është një njeri i urtë dhe i sjellshëm, despotizmi atje revolton vetëm pak njerëz me bindje filozofike, të cilët kanë qenë në vende të huaja. Nuk janë thirrjet dhe as medaljet ato që i frymëzojnë ushtarët rusë të hidhen në betejë, por urdhrat e lajkatarit të shenjtë të Nikollajit. Mareshali Masena (André Masséna  1758-1817) ka rrëfyer në praninë time se ushtari rus, kur një bashkatdhetar  rrëzohet pranë tij i vdekur përdhe, është kaq i bindur për faktin që ai do të ringjallet në atdhe, saqë i jep porosi t’i bëjë të fala nënës së tij” (po aty, f. 235-236).
Psikoza e luftës, me të cilën kasta sunduese në Rusi e ka mëkuar popullin e vet për shekuj me radhë, ka bërë që ajo të gjejë një truall të përshtatshëm në radhët e tij, për faktin se kasta në fjalë atë s’e ka lejuar  asnjëherë të jetojë i lirë, asnjëherë nuk e ka lejuar të shijojë frytet e demokracisë, të mishëruar në formatin e një shteti ligjor, ku mbrojtja e pronës dhe e të drejtave të individit përbëjnë themelet e tij.
Dmitër Korçinski (1954), personalitet politik dhe shoqëror ukrainas, gazetar dhe drejtues emisionesh televizive, thotë:
“Rusët… për Kremlinin shërbejnë si një material konsumi, madje si një material, për të cilin atij nuk i dhimbset fort dhe që atë mund ta zëvendësojë me kënaqësi me diçka tjetër, më të përshtatshme… Në vetëdijen e shumicës së rusëve, Kremlini psikologjik nuk duhet të rrijë bosh: rusët heqin dorë vullnetarisht nga subjektiviteti i vetvetes dhe atë ia dorëzojnë kujtdo qoftë, madje edhe forcave armiqësore (bolshevikëve, fjala vjen), por mjafton që ato të mishërojnë në vetvete Kremlinin. Pikërisht ky tipar i psikologjisë kombëtare mund të rezultojë i kobshëm për rusët” (Citohet sipas: Dmitër Korçinski. “Rusët për Kremlinin janë material për konsum”. Marrë nga faqja e internetit “ANVICTORY”. 18  Shkurt 2010).
Faktin që kasta sunduese e ka trajtuar tradicionalisht popullin rus si material konsumi, e ka pranuar edhe vetë bashkëshortja e carit Nikollaj II (1868-1918), caresha Aleksandra Fjodorovna (1872-1918). Në një letër që i dërgonte bashkëshortit të saj më 17 gusht 1916, ajo shkruante:
“Gjeneralët e dinë se ne kemi shumë ushtarë në Rusi dhe prandaj nuk u dhimbset jeta e tyre” (Citohet sipas: Olga Tonina, Aleksandër Afanasjev. “Mos t’ju vijë keq për ushtarët, gratë do të pjellin të tjerë”. Marrë nga faqja e internetit “samlib.ru”. 20 dhjetor 2012).
Edhe në periudhën e sistemit komunist, Kremlini, në vazhdim të traditës së carizmit, popullin rus të tillë e ka pas vlerësuar, si material konsumi. Gazetarja dhe shkrimtarja ruse Julia Llatëjnina (1966), shkruan:
“Popullsia e Bashkimit Sovjetik shërbente si material konsumi për nënshtrimin e mbarë botës. Nga pikëpamja e atyre qëllimeve që i patën vënë vetes bolshevikët dhe Stalini, kjo ishte gjë pa rëndësi” (Citohet sipas: Julia Llatëjnina. “Popullsia e Bashkimit Sovjetik ishte material për konsum për nënshtrimin e mbarë botës”. Marrë nga faqja e internetit “unitpost.com”. 10 maj 2015).
Dhe Julia Llatëjnina vazhdon:
“Gjatë zhvillimit të luftimeve për pushtimin e Berlinit, humbjet në njerëz të Ushtrisë së Kuqe arrinin në 15 mijë ushtarë në 24 orë. Cila ishte arsyeja? Ishte “gara socialiste” mes Konjevit (mareshalit Ivan Konjev - 1897-1973) dhe Zhukovit (mareshalit Gjergj Zhukov - 1896-1974) se kush do ta pushtonte i pari Berlinin” (po aty).
Edhe pas përmbysjes së sistemit komunist, Kremlini, si gjithmonë, popullin rus ka vazhduar ta vlerësojë si material për konsum. Profesori i Universitetit të Ilisë në Gjeorgji Oleg Panfillov (1957), shkruan:
“Kremlini qenka duke mbrojtur rusët? Në Rusi, deri tani, vazhduakan t’i marrin për të vërteta përralla të tilla? Në Taxhikistan, në vitin 1992, Rusia shpërtheu një luftë të përgjakshme civile. Në përfundim, numri i rusëve nga 388,5 mijë në vitin 1989, ra në 68,2 mijë në vitin 2000. Në Çeçeni, gjatë periudhës midis dy luftërave, prej vitit 1994 numri i rusëve u shkurtua nga 294 mijë në vitin 1989 në 40 mijë në vitin 2002. Atje ku Rusia shpërthen luftëra, e pëson jo vetëm popullsia rrënjëse. Kremlini tallet me rusët, të cilët bën sikur i mbron” (Citohet sipas: Oleg Panfillov. “Njerëzit rusë janë material konsumi i Kremlinit”. Marrë nga faqja e internetit “ru.krymr.com”. 17 shtator 2014).
Putini, si vazhdues i politikës së diktatit mbi popullin rus, duhej të përgjigjej për luftën e dytë në Çeçeni që u shoqërua me dhjetra mijëra viktima, me vdekjen e pengjeve në Nord-Ost, për sulmin në shkollën e Beslanit, për luftën me Gjeorgjinë dhe për sulmin që ka ndërmarrë në lindje të Ukrainës që në pranverën e vitit 2014.
Por Putini, ashtu si edhe sundimtarët pararendës të Rusisë, nuk i njeh asnjë përgjegjësi vetes për jetën e rusëve, të cilët i tajton si mish për top, duke i degdisur nëpër fronte luftërash agresive, pa të cilat Kremlini e ka të vështirë të mbijetojë. Sepse edhe në periudhën e sundimit të tij, populli rus vazhdon të mbetet një material konsumi për Putinin.
Zëvendëskryeredaktori i radiostacionit “Jehona e Moskës” Vladimir Varfollomejevi (1966), ka shkruar se si në rrethinat e Moskës  patën varrosur fshehurazi tre ushtarë të vrarë, të cilët Kremlini i kishte dërguar për të luftuar në Lindje të Ukrainës. Ai thotë:
“… minimumi tre arkivolë erdhën këto ditë në rrethinat e Moskës nga Ukraina. Në rrjetet sociale nuk ka asnjë informacion zyrtar… Në pranverë, që të tre, nuk dihet se në ç’mënyrë, përfunduan në vendin fqinj, patën luftuar atje në radhët e forcave antiqeveritare dhe qenë vrarë në fund të muajit maj gjatë zhvillimit të luftimeve në Donjeck” (Citohet sipas: “Në Rusi i varrosin fshehurazi të vrarët në Dombas”. Marrë nga faqja e internetit “belaruspartisan.org”. 19 qershor 2015).
Pra, edhe në kërcënimin e gazetarit dhe publicistit Dmitër Kiselov, tellallit të famshëm të Putinit, edhe në planin e kryetarit të Akademisë së Problemeve Gjeopolitike Konstantin Sivkov, u parashikuaka një luftë shfarosëse kundër Shteteve të Bashkuara të Amerikës, me armë bërthamore. A thua se Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të jenë duke bërë një “gjumë letargjik” kur armët bërthamore ruse “do të japin goditje” në supervullkanin ieloustonian dhe në çarjet tektonike në thellësitë e brigjeve të Oqenit Paqësor dhe të Oqeanit Atlantik, armë këto, të cilat, sipas Konstantin Sivkovit, Rusisë do t’i duhen 10-12 vjet për t’i prodhuar? Edhe në këto kërcënime del fare qartë në spikamë psikologjia çifligariste e Kremlinit, karakteristike për periudhën e bujkrobërisë në Rusi, ku çifligari e trajtonte bujkrobin si mall. Se në një përballje të mundshme bërthamore me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Kremlini nuk e zë në hesap rrezikun që mund t’i kanoset popullit rus, se ky, si gjithmonë, vazhdon të mbetet për të thjesht një material për konsum. Prandaj edhe politologu i shquar rus Dmitër Oreshkin (1953), deklaron:
“Për njerëzit këtu nuk e vret mendjen askush, njerëzit këtu janë material për konsum” (Citohet sipas: Dmitër Oreshkin. “Vladimir Putini - perëndia e diellit”. Marrë nga faqja e internetit “putinbog.wordpress.com”. 09 tetor 2012).
Megjithatë, edhe pse po sillet si krekacor para Ukrainës, edhe pse marrëveshjen e nënshkruar për respektimin e tërësisë së saj territoriale e ka shkelur pa iu bërë vonë fare, Putini e ka marrë një mësim të mirë nga Sekretari i Departamentit të Shtetit Xhon Kerri.
Në takimin që u zvillua në Soçi më 12 maj 2015, Xhon Kerri i dorëzoi presidentit Putin një ultimatum të Barak Obamës, në të cilin bëhej fjalë për shkallëzimin e dhunës në Ukrainë. Këtë e bën të ditur në uebsajtin e vet analisti dhe financieri i shquar rus Sllava Rabinoviç (1966). Sipas një burimi që ai ka siguruar në strukturat e larta të Shërbimit Federativ të Sigurisë, midis Xhon Kerrit dhe presidentit Putin është zhvilluar një bisedë, në të cilën presidenti rus ka marrë këtë paralajmërim:
“… Mister Putin, harrojeni një fjalë të tillë si “Mariupol” (qytet në qarkun e Donjecit, në juglindje të Ukrainës, në bregun e detit Azov  E.Y).Po u futët atje, aty do të jenë disa ushtarakë amerikanë. Po u ndërmor ndonjë sulm kundër tyre, do të krijohet një precedent: për herë të parë, gjatë gjithë historisë, ushtarakë rusë do të sulmojnë ushtarakë amerikanë. Fuqia e Shteteve të Bashkuara të Amerikës do të jetë prapa. Jo përpara, por prapa… Ne do të groposim njëqind mijë ushtarë dhe oficerë tuaj, do ta furnizojmë Ukrainën me armë vdekjeprurëse, do të vendosim sanksionet më të egra dhe do të stakojmë SWIFT-in [Society for Worldwide Interbank Financial Telecommunications (Bashkësia e Telekomunikacioneve Botërore Financiare Interbankare - E.Y.)]. Dhe këtë herë unë nuk bëj shaka. Ne kemi për ta bërë një gjë të tillë… Po e lëmë Krimenë jashtë kllapave. Jo se ne e kemi harruar atë, Krimenë juve do t’jua kujtojë Merkeli, e cila aneksimin e quan aneksim. Punën e Krimesë do ta shikojmë më vonë. Tani fjalën e kemi për Lindjen e Ukrainës” (Citohet sipas: “Sipas të dhënave burimore, Kerri e paralajmëroi Putinin: po shkelët në Mariupol, ne do të groposim njëqind mijë ushtarë dhe oficerë tuaj”. Marrë nga faqja e internetit “InoPress”. 24 maj 2015).
                Sipas fjalëve të Sllava Rabinoviçit, në bazë të protokollit, ishte parashikuar që me Putinin të takohej Obama, por Obama nuk bisedon më me Putinin. Takimin e Xhon Kerrit me Putinin, analisti Sllava Rabinoviç e vlerëson si një “paralajmërim të fundit amerikan”. Sipas mendimit të autoriteteve amerikane, rreziku i ndërhyrjes ushtarake ruse në Ukrainë i kaloi caqet dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës filluan të veprojnë.
Me sa duket, paralajmërimi që Shtetet e Bashkuara i bënë Putinit përmes Xhon Kerrit, e dha rezultatin e vet. Gazetarja ruse Evgjeni Albac (1958), komentatore politike, politologe, veprimtare shoqërore dhe shkrimtare, kryeredaktore e revistës “The New Times”, ka bërë të ditur se Putini ka vendosur të largohet nga Donbasi. Ajo ka deklaruar:
“Vendimi për Donbasin është marrë. Pala ruse do të largohet që andej. Por këtu lind një shqetësim: ç’do të bëhet me ata njerëz në Donbas, të cilët u gjendën mes kudhrës dhe çekanit dhe që tani nuk i duhen më askujt, si do të mbijetojnë në kushtet kur atje ka probleme për dërgimin e ndihmave humanitare se njerëzit s’kanë ç’të hanë?… Autoritetet ruse, më në fund, filluan ta kuptojnë se sanksionet jo vetëm që janë një gjë serioze, por rezultojnë si diçka shumë më serioze. Edhe spiralja e re e sanksioneve dëshmon se ekonomia ruse nuk është më në gjendje të përballojë gjësend” (Citohet sipas: Evgjeni Albac. “Putini vendosi të largohet nga Donbasi”. Marrë nga faqja e internetit “vlasti.net”. 30 mars 2015).
Evgjeni Albac thekson se autoritetet ruse po mundohen që, përmes Xhon Kerrit, ta bindin presidentin Barak Obama të heqë qoftë edhe një pjesë të sanksioneve kundër sektorit bankar rus. Kreu i ministrisë së jashtme të Federatës Ruse Sergej Lavrov, pati deklaruar më herët se vendimin për dhënien e autonomisë krahinave të Donjeckut dhe të Luganskut duhet ta marrë populli ukrainas. Ai pati theksuar gjithashtu se presidenti Poroshenko tani është shansi më i mirë për Ukrainën.
 Me sa duket, Putini kërkon të ringjallë Bashkimin Sovjetik, duke pushtuar territore të huaja, çka do të thotë se ai nuk paska nxjerrë mësime nga përvoja e hidhur e Millosheviçit, i cili kërkonte të rikrijonte me dhunë mikroperandorinë jugosllave, duke kryer agresione kundër disa shteteve të Ballkanit. Elita oligarkike rreth tij duhet ta këshillojë që të heqë dorë nga agresionet kundër vendeve të tjera, për të mos pësuar fatin e Millosheviçit, dhe ta çlirojë popullin rus nga epshet shoviniste që ia ka futur në gjak.
Gazetarja Natalia Dvali i ka marrë një intervistë Konstantin Borovoit (1948), politikan opozitar rus, ish-deputet i parlamentit (1995-2000), sipërmarrës, kryetar i partisë “Zgjedhja Perëndimore”. Në atë intervistë ai ka deklarua se Putini ndodhet në një situatë pa rrugëdalje dhe se një luftë e madhe me Perëndimin është e pashmangshme. Pyetjes së gazetares se çfarë do t’i këshillonte ai Kievit zyrtar, ai i ka dhënë përgjigjen e mëposhtme:
“Që sot Kievi duhet të fillojë të përgatitet për Gjyqin Ndërkombëtar në Hagë dhe për tribunalin kundër Putinit. Në territorin e Ukrainës së pavarur, sovrane, ndodhen formacione ushtarake të një shteti të huaj, të cilat kryejnë akte dhune kundër qytetarëve dhe po u rrëmbejnë tokat. Të gjitha këto krime është e domosdoshme të evidentohen, të grumbullohen video- dhe fotomateriale, të merren në pyetje dëshmitarë, të krijohen komisione dhe qendra informacioni. Kjo po bëhet në nivelin e gazetarëve dhe të vullnetarëve, por, fatkeqësisht, jo në nivel shtetëror. Është e domosdoshme që sot të ngrihen padi në gjykata ndërkombëtare, sepse me kalimin e kohës ikën aktualiteti dhe largohen dëshmitarët e çdo krimi konkret. Sapo Lindja e Ukrainës të çlirohet, atje kanë për t’u zbuluar varre masive, si në Kosovë. Unë nuk kam dyshuar për asnjë çast se Kremlini ka dërguar krematoriume të lëvizshme për djegien e kufomave, me qëllim që të zhdukë gjurmët e krimeve të veta. Në Lindje të Ukrainës kanë shkuar për të luftuar edhe shumë nazistë të ndërkryer, me tatuazhe në formën e kryqeve të thyera. Këta të rinj janë stërvitur për të kryer vrasje etnike, para së gjithash, për të vrarë ukrainas” (Citohet sipas: Natalia Dvali. “Intervistw me Konstantin Borovoin”. Marrw nga faqja e internetit “gordon.ua”. 18 qershor 2015).
 Mënyra se si Putini po sillet jo vetëm ndaj Ukrainës, që është kryeqendër e hershme e kulturës së sllavëve lindorë, por edhe ndaj komunitetit ndërkombëtar dhe sidomos ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të bën të dyshosh se ai duhet të vuajë nga komplekset e inferioritetit. Dhe kjo është një fatkeqësi e rëndë për popullin rus, të cilin intelektualët rusë, me përkrahjen që i japin Putinit, dëshmojnë se notojnë në batakun e shovinizmit rusomadh. Po cila është arsyeja që intelektualët rusë kanë dalë në përkrahje të Putinit? Përgjigjen s’po e jap unë. Se përgjigjen e kësaj pyetjeje e ka dhënë një intelektuale ruse, kritike letrare, zonja Alla Kirejeva, bashkëshortja e poetit të talentuar të viteve ’60 Robert Rozhdjestvjenski.
Gazetarja Natalia Dvali, në një intervistë që i ka marrë para do kohësh, i ka drejtuar asaj edhe pyetjen e mëposhtme:
“ - Si shpjegohet që kaq shumë përfaqësues të inteligjencies krijuese të Rusisë, si shkrimtarë, artistë, muzikantë, jo vetëm që nuk ngrihen kundër politikës së Putinit, por edhe e përkrahin atë aktivisht?”.
Dhe zonja Alla Kirejeva përgjigjet:
- Sepse ata kanë një shpirt prej skllavi, prej lakeu” (Citohet sipas: “Vejusha e poetit Rozhdjestvjenski Kirejeva: Putini, me duart e veta, ka shkaktuar të gjitha tragjeditë kryesore të Rusisë gjatë 15 vjetëve të fundit”. Intervistë për gazetaren Natalia Dvali. Marrë nga faqja e internetit “gordon.ua”. 09 nëntor 2014).

Tiranë, 22 qershor 2015













No comments: