Wednesday 1 July 2015

EPIRI PASTHIRRMË JUGU



                              Pirro Loli


“Kujtesa dhëmb kudo që ta prekësh”
                                                                                          J. Seferi



                                                                           POEMË


                                                                                      
HYRJE

Do t’i fryj hirit, të ndez zjarrin e fikur. Atje
Nata                  
 vajton mbi pyje por,
unë do kthehem ku dergjen kujtimet e pavarrosura. Atje
ku hithrat e kujtimeve të hidhura rriten pas derës. Atje
Ku kishat e moçme dhe muret e shtëpive vezullojnë nga myshku. Atje
Ku nëpër ugarin e butë digjet portokalli si diell...

I vonuar jam si i ngritur nga varri
 Zemra më  përplaset nëpër brinjë. Dua të vrapoj.
Ka shekuj që më presin. Të vdekurit e mi
 Të patretur
 shtrirë pingul mes përmes gadishullit
Veri - Jug.

*  *  *

Epir,
pasthirrmë e vonuar!
Kambanë memece  100 vjeçare çahu, thërrmohu
Ulëri, zgjohu kufomë e ngrirë në bronc
Nuk hedh dot një valle çame, s’ia them dot me fyell
Nuk qaj dot si zog….
O qiell, qiell i kaltër, më i kthjellti në botë, lwsho një vetëtimë mbi mua, o të më djegë të tërin, o kthema fustanellën në valle…t’ia marr asaj këngës me oii, që më gërmon në zemër...

***
“ Çish të ikim nga shtëpia?
                              Çish t’i lëm gjushrit në varre,
                              me kurmet pa tretur fare?...”
Oiiii, oiii!!

*  *  *


     Kjo poemë , e vetmja në krijimtarinë time, nuk ka datë fillimi.
Dhe, mesa shoh, nuk do të ketë as fund. Ajo është shkruar fillimisht në mendje, e pse jo, para se të lindja. Motiv pas motivi, si lëndë e munguar ekzistenciale. Kish filluar nga Çajupi im dhe  nga e gjithë elita e zagoritëve që “shkruanin” pjesën e tyre tek unë. Ishte e gjithë dinastia e dilenje me në krye profesorin e madh, Ilia Dilo Sheperin, dënuar me vdekje nga shovinizmi grek; ishin haritenjtë, dera e bëmave dhe e ngjarjeve të mëdha me në krye Mihalin Hariton e Janinës e të Prizrenit, Petron, Dhiogjenin... deputetë, shkencëtarë e avokatë si Gjergji Çako që tononin politika të mëdha, ishte Aristidh Rruci, beu sqimatar sheperjot,  firmëtari i Pavarësisë, ai që iu bë krah Ismail Qemalit,  dëshmitar okular i masakrave greke dhe i ndarjes fatale; ishin dhjetëra e qindra kuadro zagorite nga të gjitha fshatrat e saj brenda dhe jashtë atdheut, ndoshta dhe ata , të gjithë kanë shkruar pjesën e tyre si zëdhënës të intelektit zagorit mbarëpopullor, kush më pak e kush më shumë, të gjithë anti kompleksit shovinist të “Vorio-Epirit”. Të gjithë në një mendje. Dhe nuk kishin as regjisorë as shtet që t’i drejtonte, por kishin një udhëzues më të fuqishëm, gjakun e shqiptarit, ADN-në e patriotizmit më të kulluar të shqiptarizmit, fqinjësisë së mirë, lirisë dhe drejtësisë shoqërore.

 Mua më ra radha të shprehem në vargje;

E kam  pritur heshtjen,
por nuk ma tha të vërtetën;

*  *  *
    Kompleksi anti historik o gjeografik i të ashtuquajturit “Vorio-Epir”, ashtu, falsifikuar  nga politika “megaloideiste” greke (rreth vitit 1840) si kolonizim i pastër mesjetar, ashtu miratuar e ligjëruar me vulat e diplomacisë më pervese të fuqive të mëdha,
 është turp i Evropës,
 thikë në shpinë nga fqinjët tanë shekullorë
dhe një tragjedi kombëtare me shumë akte.

Po unë nuk di të shkruaj tragjedi.

Nuk dua të ringjall Eskilin, as gjakun ta laj me gjak, nuk pres të vërsulet një ditë Shën Gjergji me kalin e bardhë, të gozhdojë me heshtë  dragoin fajtor;  
Jo, jo, unë nuk di të shkruaj tragjedi, anipse trojet e saj gjatë e gjerë të përgjakura, thellë e më thellë arrijnë deri te rrënjët... Ato janë projektuar në Moskë, Beograd e Athinë dhe lulëzuan në mugëtirën mjegullore të Londrës (1913) ku skelete duarsh  makbethiane ulën perdet e rënda, fikën qirinj e llambadarë dhe me fytyrat e errëta për rreth, trupin tim e ndanë si kokrrën e  pjeshkës në një pjatë të zezë. Sllavët e jugut,    fqinjët tanë , rreth 1300 vjeçarë, buzëpërdredhurit historikë të Serbisë e Malit të Zi mbetën të kënaqur  me gllabërimin e e trojeve të Kosovës e Metohisë.
 Greqia në bashkëjetesë mijëra vjeçare, e pabesa historike, pasi më rrëmbeu trojet më vitale, pasi zabatoi genocidin gjakësor kundër popullsisë çame, disi “e pakënaqur”, me atë cinizëmin bizantin tha: Vorio -Epirin ose gjysmën tjetër do ta marr më vonë, më vonë do t’u marr dhe të vdekurit dhe qetë-qetë me ta do vinë tek unë malet dhe luginat, veshjet, fustanellat,  këngët dhe çatitë e shtëpive dhe bari dhe burimet; në mos, andej do kalojë cerberi dhe zjarrin do ta ndez nga barku i kalit si në Trojë. (Është për t’u habitur që dhe sot e kësaj dite, pas 100 vjetësh nga fqinjët tanë të lashtë (organizma terroriste), vinë zëra e shigjeta plot helm kundër nesh).

*  *  *

Mbushur deti i urrejtjes  me kripë
Dhe oktapodë të ngordhur. Nacionalizmi grek zverdh si nikotinë
për  çdo president e qeveri
Kishat si dhoma parlamenti
Lot të ftohtë derdh një qiri.

... Ëndrra në diell, të frikshme, shekullore...
Nëpër këmbë më pleksen shpirtrat e pistë, shpifje, sharje, shantazhe zhurmojnë dallgë dallgë, aty tërhiqen aty shpërthejnë e shpërndahen shkumë shkumë…
Zhurma që nuk arrijnë te heshtja,
 shpresa për të mbetur shpresëhumbur;
Sa flakë për të djegur gurët e themeleve dhe ullinjtë e shenjtë rritur në kopshtin e Edenit;
sa orë pa akrepa,
sa stinë pa diell.
Endërra dhe plane muzgu në budrume pseudopriftërinjsh
Që nxijnë si nata

*  *  *

Në shpirtin tim kanë heshtur gjatë mijëra violina që mund të vajtonin nëpër balada e nekrologji popullore,
Por,
 askush nuk mund të ma ndali trëndafilin e fjalës
As gjethin e lotit tim
të këndojë.
Çamëria e dhjetëra qytete e fshatra të nxjerrë nga rrënjët e tyre të lashta, masakruar nga tortura bizantine me djepe e me varre;
Dhe ata, arvanitët,  të heshtur në gurë, gdhendur në varre shekullore dhe mermerë...;
 Atyre të urtëve majë Olimpit në emra perëndish,  me gjuhën e tyre,  më e lashta e kontinentit, u vure heshtjen mbi pllakën e varrit e “pandehe” se  i përpiu deti e i hëngri mali;

Ata malit i dhanë majë,
Ata detit i dhanë dallgë.

*  *  *

Unë qesh dhe qaj se e di kodin tim gjenetik, e di ADN-në e Aleksandrit, të Pirros  të Gjergjit,  të Nënë Terezës..., e di
  dhe se si ju po i thyeni vertebrat e eposit  të lashtë si rrukullisen brigjeve orteqe e rënkojnë,
 e  thyhen shtëpi, pemë, balada
 tinguj.

 *  *  *
Unë jam me Elitin, vëlla, me Jorgo Seferin
jam gjak i De Radës, Naimit e Çajupit. “Ne nga Homeri rrjedhim të gjithë”( Seferi) - Poshtë leshit të deshëve që kullufiste Polifmi, do të dilnin nga shpella të gjithë poetët e botës -
Por unë jam teli i këputur i violinës buzë muzgut
Larguar
brigjeve të mia
Ku jargavani vrapon  si kuajt.

*  *  *

Në këtë botë që gjithnjë ngushtohet, secili prej nesh ka nevojë për të gjithë të tjerët. Duhet ta kërkojmë njeriun, gjithkund ku mund të jetë - Po,  faleminderit, Jorgo Seferi, faleminderit,  poet!... Por, dëgjo dhe mua, nuk e kapërcej dot ngërçin që më mbetet në fyt, kur murgjit, e tu që atëherë, kur dhe historia nuk i mban mend, mohuan e shtrëmbëruan gjithçka pelazgjike e iliriane, shpërfillën qindra historianë profetë e poetë grekë e latinë; kur katundarët miopë të Athinës së re, ma vënë në dyshim origjinën,  gjuhën, kulturën, universitetin, akademinë, këngën, fustanellën e vallen, të vdekurit e mëdhenj,  historinë dhe kombin. Është e frikshme kjo, vëlla, e frikshme siç mund të jetë  dhe ksenofobia ime, por,
të parët tanë që kanë ndriçuar dhe mendjet e botës, na thanë se njeriu që kalon masën, duhet të ndëshkohet(Herakliti) – “as dielli nuk e kalon masën, ndryshe ndërhyjnë erinitë, zbatuese të së drejtës...”
...
Unë jam kambanë e kristaltë, kam zërin tim modest
Mos ma ndaloni lotin e dashurisë,
Me dhimbje, vërtet por, po trokas me grusht në portat e erinive:
S’ka miq në honet e vajtimit. S’ka ura në pellgjet e gjakut.
S’ka pëllumba në shpellat e krimit. Dy anët e urës së lashtë, Dy skaje dhimbjeje kanë ngrirë në erë.
 Në Epir karafili nuk shkrep më.
Drizat çelën para agut
Rrugët janë  prerë.

*  *  *

... Është e pikëlluar dora ime në supin tënd, vëlla, Mos prit të lulëzojnë bajamet. Jargavanët nuk do t’i ndezë deti. Mermerët nuk do shkëlqejnë në diell. Dhe deti nuk do marrë frymë.
As fustanella ime nuk valëzon si duhet në trup të huaj. Le të zbardhë agu i ftohtë i agimit, me atë borinën mbi shelgje. Në  kryqëzimin e erës, mbi Epir është varur Kutia e Pandorës
( shih si varet e lëkundet në ajër)
Copëtuar,
Çarë
E shtypur nga të gjitha anët.

*  *  *

E braktisa vetveten: Unë, politikani “modern” si lepur me bark të bardhë jam përkulur, jam fshehur në ferrë
      kam buzëqeshur nga frika. Jam blerë e jam shitur
kam heshtur, kur odave të Brukselit dhe të OKB-së
Si ujk i plagosur
Duhet të ulërija.
Po  sot jehon një zë tej shkëmbit tej gjumit e barit
Kontinenti po lëviz qepallat nëpër paragrafe
Po bije dylli nga  timpani i veshit
Po vjen në vend bebja e syrit por,
Tek ty është i frikshëm pylli
Ku nuk lëviz asnjë gjeth,
asnjë vijë uji
Asnjë pemë
Asnjë zog.

*  *  *  

Çdo trup me hapësirë kufizohet. Asgjë nuk do ndryshojë
Veç në kodrat e urrejtjes akulli do të shkrijë
 në zyrat e doganës dhe në liqenin e Janinës
Me të qeshur do na presë e përcjellë dashnorja e pashait
Dhe fërshëllima e vjeshtës. 

Ka shumë trëndafila dhe pëllumba në shesin “Sintagma”
I kam parë nga afër si shpërthejnë e tjetërsohen në gjarpërinj  sapo kapërcejnë pragun e parlamentit.
Si nxihen puplat e pëllumbit
Dhe pulëbardhat e anëdetit që hidhen pupthi shkallëve të kushtetutës
Dhe glasat i hedhin mbi paçavuren tënde,  ligjin e luftës.


                                                                                                 pirololi@hotmail.com











I

 PASTHIRRMË E PRERË


1.

Kjo pasthirrmë shpon  mesin e qiellit të grabitur
Te kërthiza e prerë
Te pika e lotit të trazuar
Tek e shenjta e njohur,
 klithmë e bardhë pulëbardhe
që  baticën e shtyn më tej.

*  *  *

Unë jam palca e Epirit të  lashtë.
Unë jam Çamëria
Andej ku bleta thith sumbullat e gjirit
Andej ku pikon nektari nga hojet e arta
E trupi i mandarinës
mbushet me mornica.

Atje lart te burimet e ftohta
Shtëpia ime buzë liqenit të Janinës
Përjetësisht derëhapur për pulëbardhat;

që kur është krijuar bota.

Nën vete në oborrin e shtëpisë
Flenë eshtrat e stërgjyshërve
Që nga koha e bronzit
Dhe trupi i një djaloshi 12 vjeçar
që u vra sot
kokulur
tek mbillte ullinj me të atin.

Dy plumba iu shkrinë në shpatull...

* * *

Një hije, ndoshta, pasthirrma ime,
Një akrep ore në fushën e diellit
Një anije me vela
Në syprinën e ujit që drithërohet nga era
Drejt atij bregu
ku më presin hyjnitë.

Pasthirrma ime
Rikthim te vetvetja
Përmes një lumi të turbullt.

2.

Hap sytë në errësirën e natës mbushur me mullarë të zinj
Ulërij në boshllëk
Qenkam gjallë
Buzë më buzë me një dhimbje therëse
100 vjeçare
Të një plage
që rrjedh gjak të freskët,
 gjak të kulluar
Jam gjallë,...Banoj pranë parlamentit tuaj
Ku ushtarët ndërrojnë turnet me shpatë në dorë
E fustanellën time veshur...

Shpirti im plot batica e zbatica, uturin
i errët si toka, gjëmon
thellë - thellë si deti.
Mbrujtur
plot me vese e virtyte
shkrirë tek unë poeti dhe profeti
por dhe djalli dhe i biri
që nuk qenka e lehtë
t’i nxjerrësh nga vetja...

3.

Po u drejtohem gjetheve
dhe zogjve
dhe poeteve:

Gjethet gjethuan
Dhe psherëtinë

Zogjtë e gëzuar mbi degën e prillit
u puthën në buzë...

Poetët,
nuk e di pse varën kokën të trishtuar.
Me ritmet dhe rimat e tyre në të dyja gjuhët
ramë dakord të heshtnim në një paanshmëri të thellë,
Syulur,  të turpëruar
që akoma nuk e kemi vrarë veten.

Sidoqoftë unë vetëm me gjethet, zogjtë dhe poetët
Mund të arrij te stacioni i kërkuar.

4.

Poetët i njohin këngët e njëri-tjetrit
Trillet e zogjve
Kopenë e deleve të Epirit që i hëngri ujku
Dhe fluturimin e fajkoit.

Një dorë poetësh jemi, Homeri, Eskili, Naimi, Eliti... 
Në suferinat e detit para nesh
me duart e shtrënguara në tëmtha na prin
Jorgo Seferi  me një grup marinarësh
 Të mbytur.

Atje ku janë çelur ishujt
dhe deti është mbushur me të vdekur,
prej dore më merr Eliti
Dhe më tregon me gisht
se bisha ulërin ndër pisha
 e thika vetëtimash e presin detin thela-thela...

Në dhomat e të urtëve  qiri i përjetshëm
 digjet Kostandin Kavafi.

Nuk kemi as vota as paragrafë për njëri-tjetrin.
Unë dhe ata
statuja të heshtura mermeri
të ftohta 
me fajin e paanshmërisë së thellë.

Nga pala ime kam Homerin. Dhe De Radën.
 Dhe Naimin zëëmbël tek këndon
 “O alithis pothos ton alvanon”.  Ende
s’qenka zbutur mëria e Akilit?!
Ndruhet Seferi të hedhë hapa më tej: 
Kudo që ecën shkel nëpër plagë...” O mendje e shkundur,
o Athinë,
o pyll i vjetër, plot me miq të vrarë...

Shumë herë në stinën e prillit
 mbrapsht m’i ke kthyer zambakët
kokëvarur
të përgjakur në ujëra...

*  *  *

Harroje gjuhën e  qyqes kobzezë
Harroje lakminë
Harroji bandat e andartëve,
Kokat e prera
rivrasjen e eshtrave

Mos më fol nga honet e krimit. 
Në shpella të errëta
nuk gugatin pëllumbat,

5.

-  Po lëvizin statujat – tha Jorgo Seferi – po vdesin, po mbarohen
... Çdo natë nga puset e tharë...
- ...
- Bajamet po shfaqen në dritaren time,
Deti do t’i ndezi të gjithë jargavanët
Dhe malet do të jenë blu..

                  ?!  ...

Fjala  e shpon letrën  e del nga ana tjetër
për të mbirë në ngricë e dëborë
dhe te maja e plumbit dhe te lulja e limonit
fjala ka damarë të trashë si druri
ka zemër të bardhë si mermeri
gjak të kaltër si engjëlli
e plagë të thella hap
deri te lumi e deti
deri te trupi i gruas krejt lakuriq.




II




BATICAT E KRIMIT

1.

kush tha që Shqiptari është i duruar si pema
Kush tha që dhe i kryqëzuar
nuk vdes
Kush tha që ka lindur nga vdekja
Dhe vdekjen e përqesh?!

Unë nuk jetoj dot në këto hije të rënda heronjsh
I kam lënë pozat e gjakut

Nuk ndeshem dot as me Hektorin as me Akilin
Nuk dua të jem Gjergj Elez Alia
Me nëntë plagë në trup
Që i del bajlozit përballë
Për të shpëtuar vendin - nuk  e besoj
Që i vogli shtrin viganin
Dhe i shtypuri tiranin - nuk
Jam Davidi i vogël
Që me një të goditur
Shtriu Goliathin - as ai heroi që u hodh mbi tank
Dhe mbeti si një shuk flake në ajër...

Më lodhi heroi, historia dhe legjenda. O zot, besomë
Unë jam zvogëluar, zvogëluar shumë
dhe nuk dal në mes të rrugës për role makbethiane
megjithëse tragjeditë i kam më të thella.

Dhe endem, rrotullohem si fije kashte
shpesh verbohem
 dhe harroj ku kam lindur
Atje  midis dy rrudhash shtrënguar
në mes të përroit,
në dallgën e detit
a në mal.

...Kanë qindra vjet që kreshnikët e mi zbritën nga legjenda
Dhe u strehuan në një shpellë qëkur
Kishte dalë plumbi...
Por unë përsëri e vazhdova të pamundurën.

2.

Epiri
Temperaturë e lartë në prushin e buzës sime
Kaproll i kapur në kurthin e pabesisë nga jashtë dhe nga brenda. Bastardët e mi
I thurin lavde tigrit
Që dalëngadalë t’i gllabërojë.

E njoh gjakun tim
Racën time e di
Shpesh gjarpërinj të kapërthyer në ekstazë
Pjellin fatin tim
Të zi….

Kam njohur Hamza Kastriotin
Nipin e Gjergjit të madh. Kam njohur lloj-lloj ballabanë, tradhtarë, bastardë, zervistë që nga muret e përgjakura të Kostandinopojës
Mbirë mbi gjakun tim rebel si metastaza
Dhe nuk e kam pasur të lehtë
t’i nxjerr gëlbazat pa  neveri
pa dhimbë
e pa kollë.

Harabelë rrjepacakë të kohës’ sotme
Të shitur për thërrime buke,
Bretkosa bërrakash kuakin
 për fletëra të ndryshkura rrapi - certifikata –
letra bakalli – falsifikime - kuak- kuak!
Marrin emra grekë, sjellje e veshje e kombësi e Kafen turke pinë ekspres. Greqishten e flasin barbarisht
Kuak, kuak, kuak! Lejomëni t’u puth dorën
mesihorite, qirje ! Kuak- kuak –kuak! 
Rrofshi xhelatë të mi!
Pas kënetash kulmakësh të kalbur
Efkaristo poli!

*  *  *

E zgjedhur kjo fara ime  mbirë atje
Në tokë të butë
Lule, sythe,  kristale,  fruta çelin për të huaj
Por hije nuk kanë, sikur s’kanë qenë e sikur s’janë më
Fjalë të pathëna
Harruar.

Fuqia e lavdisë së tyre
Në gjakun pa damarë
Gjethe kurore që thahet e zhbëhet
Drita e hënës së zbetë sipër në pllajë
Nuk është as ujë as ajër..

*  *  *

Lumenjtë e duarve të mia dalin nga shtrati
Pa tru
Përmbytin fusha
Thyejnë pemë
Dhe detin e turbullojnë.

Bastard,
s’kam të bëj me ty që vjedh e vret
Mallkuar ai gen i pabesë
Paçka se çdo pyll ka derrat e vet.

Përpara bretkocave kuak – kuak- i ul sytë i turpëruar
Përbrenda ulërij
nga ç’qilar kacikokleftësh I nxjer valë e baticës.
Si fije kashte i shtyn
Atje dhe këtu.?

3.

Vikasin dhe heronjtë e tu
Sajuar
në sqetulla të errëta të natës
Ku as qerpiku i hënës nuk hyn.

Mega – alo - idea
mallkimi yt
çmenduri e verbër
 epidemia juaj kombëtare
170 vjet ngarkuar me ankthin e kolerës mbi shpinë.

Megalo – mavro-ide,
me koletër, andartë, xacër, venizellos,
 zervasë, krisi avgjistë,  millosheviçë,  29-nëntoristë...
 tundin leckat nëpër pemë
Shartuar dardha në gorricë...

MAVI  korb  sqepngulur  nëpër eshtra njeriu
Pendët e veta shkul një nga një
e kështu  lakuriq, pa pendë nëpër ekrane
gdhihet korb i bardhë..

MAVI- mbushur kërcunj të vjetër dhe bistakë të rinj
Kufoma mbetur në lëndinë,

Racistë,
Armiq të harruar
Që dhe portokallet e limonët
Dhe qentë e rrugës
zhytën kokën në baltë
Të turpëruar

*   *  *

Hiena që vetë hienat do t’i përbuzte
Nepërka neveritëse që nepërkën e helmojnë në buzë
E gjakun e diellit
Derdhin nëpër copat e mishit tim
Dhe nëpër rrugët e Athinës zjarre ndezin
pa kuptim kundër hyjnisë.

Në Kurvelesh, Përmet e Hormovë...
vdekja brodhi kaluar
Në buzët e andartëve si në nofullat  buzët e ujqërve
kishte gjak
Dhe, të pavarrosur i lanë pleqtë e fëmijët . Qentë dhe macet
Në oborrin e kishës pa varrosur e lanë dhe heshtjen
Dhe moskokëçarjen e botës.

Pllanga-pllanga gjaku i kulluar
Nëpër muret e kishës dhe të shkollës
Akoma çel lulëkuqe të njoma.

Dhunë e errët në truallin e heshtur
Të gjakut
Dhe të varrit të virgjër
Gjëma gjëmoi brenda gjëmës
Tej e tej Epirit
Zjarri ra mbi     Epirin e lashtë
Po rrufeja goditi në Hormovë..

“Qaj moj Shqipëri, ulëri e gjorë
Gratë e Kurveleshit me foshnja në dorë”...


Janë kate-kate të vdekurit e mi
Të patretur. Qenë nisur për në Parajsë
Tani ngrihen nga nata si fantazma. Më flasin
Më urdhërojnë dhe zbresin madhështorë deri te vdekja.
Ja tek mblidhen, të numërojnë, eshtrat e tyre
Një kokë e prerë, e patretur,
një krah, një brinjë
Foshnja të nxjerra nga barku i nënës
Dhe burra të therur me thikë
I nxehtë ky gjak rrëshqet nëpër gurë. Në  mesnatën e
Makbethit
dhe në mesditën me diell...
Shpirti i tyre heshti gjatë si gjarpri
në dimrin e shpellës së zezë


Nuk janë bar i egër a krisje kanceroze
atje në cep të arës
Rritur vetvetiu, por
farë e zgjedhur hedhur nga shkalla e sipërme
Në tokën helene
të butë e të ngrohtë

Djepe që përkundin mërinë, pabesitë
 dhe sherret, urrejtje gjaku dallgë-dallgë. Peshkaqenët dhëmbënxirë
 plagosur kafshojnë mishrat e tyre





III


NETËT E MAKBETHIT



Me fytyrë nga Evropa kemi besuar. Prej andej,
Thjesht mashtrim e gogësimë dhe ca tespihe të verdha
 që rrotulloheshin nëpër duar.

Se për ne Zoti gjithmonë
Vjen vonë
Duke çaluar.

Ishte kali i Trojës
ndërtuar me dhogat e Moskës, Beogradit Athinës
që trokun e mbajti në Berlin, Londër e Paris...
Nuk dolën heshta, mburoja e zjarre nga barku i tij
Por mjete moderne
Firma e zarfe...
Vula mbi dyllë të zi.
1913.
Rusi
Berlin
Londër
Paris


Duar të bardha fantazmash stërvitur në varre mesjete
Bisturi greko-serbe Prerje gjeometrike
në pjesët më të shëndosha të trupit tim

E në çdo prerje maleve
e fushave e burimeve të mia
Gjaku i kulluar valëzonte
e bënte dallgë.

Pi një kafe të hidhur, në Berlin, Londër, Paris
e në filxhan shoh një pyll të prerë
një ari rusoplak dhëmbënxirë
një hartë të grisur
një bisht dhelpre të fshehur
e krahë korbash
që dridhen nga kufomat.

Në mugëtirën mjegullore të Londrës
Skelete duarsh  makbethiane ulën perdet e rënda
Fikën qirinj e llambadarë
Dhe me fytyrat e errëta për rreth.

Kronikë e thatë. Londër 1913.
Epiri drithërimë
Pa formë,
Pa trup
Pa shpirt pa jugë e veri
Një pasthirrmë pas klithme
Hakmarrje, sokëllimë
Nuremberg i munguar.

*   *   *

Këshilli i (mos) Sigurimit
OKB epokë e trishtuar
 Monotone, fosil i mbetur nga hiri i Luftës shefa burokratë me bërryla të ngrënë;

Nëpër tavolina me lustër
 salla grilambyllur ku përplasen tri miza të majme
E kuqe
E verdhë
 Blu
Që bëjnë zhu zhu zhu..mbi  masakra, intriga, copëtime, fragmente lufte...
 copa-copa, malet, luginat, pemët, njerëzit...
Ku koka, ku këmba, ku sytë…
Dosje gjaku
me kilometra katrore…    

*  *  *
Kur u zgjova atë mëngjes pas netëve makbethiane
Në atë mjegull të trashë metropolesh
Nuk e dija
 ku e kisha gjysmën e zemrës, veshkën, mushkërinë, këmbën e djathtë
Dhe mëlçinë e hidhërimit.

Dhe Zoti ishte larg, larg
Ai gjithmonë vjen vonë
Duke çaluar...

Heshtën perënditë, mbylli sytë bota
U kyçën nofullat, u mbyll timpani i veshit
Damarët çanë burimet dhe  mëmat e Epirit
nëpër hone t e dëshpërimit
Çirrnin faqet
E pranë kryqit
 ulërinin

Krushqia  sllavo-greke,
me makbethin e Londrës
Nuk i dëgjuan klithmat e maleve e deteve tona 
Pa frymë  xixëllonjat
Në allçi pema dhe lumi
Ngujuar në metal zërat, sirenat, meloditë...

*  *  *

Çamëri,  pasthirrmë e vonuar, ulëri!
Akull i ngrirë,
Hi i ftohur
Kambanë memece 100 vjeçare
kufomë e patretur eh, eeeh!
Ç’ më ka grirë malli për vallen tënde,
Loti më është tharë e nuk qaj dot si zog...
Me Oiiiiii, oiiiiii!
“Çamët duke ikur
                              e duke luftuar
                              ngarkuar me plaçka
                              dhe foshnjat në duar,
                              hedhin sitë prapa:
                              shtëpitë përvëluar,
                              ka gjulet e topit
                              ullinjtë të copëtuar.
                              Çamëri e shkretë
                              shumë u përvëlove
                              çdo pëllëmbë tokë,
                              me gjak e mbëlove.
E pa dinjaja me si,
                              ç’bë Zerva në Çamëri.
                              mbilli njerzit në shtëpi,
                              i therri si bagëti.
                              Dhe grave  që ishin me barrë,
                              me thikë në bark u ranë,
                              ua nxorrën jenët gjallë,
                              dhe ata me thikë i vranë
Kur dola në Mal të Zi,
                              klaj, moj, klaj për Çamëri,
                              pashë gratë nën ulli,
                              pashë nuset pa stoli,
                              burrat shkuan eksori ( internim) .
                              Kafshët mbenë pa bari,
                              lehte qëni në shtëpi,
                              bukë nuk i hidh njeri.”



O qiell, qiell i kaltër, më i kthjellëti në botë,
lësho një vetëtimë mbi mua,
o digjmë të tërin, o kthema fustanellën në valle... t’ia marr  këngës çame me oi, oi...








IV

ZOGJ SIAMEZË


“Në kohën time adhuronin më tepër diamantin që bëhet qymyr, sesa qymyrin që bëhet diamant...”
                 O.Elitis


1.

Të dënuar jemi të flemë si zogj siamezë ngjitur
në një fole, në kurriz të njëri-tjetrit
në vdektë njëri,
tjetrit s’ka ç’i mbetet?!

 Ç’ Zot na ngjizi e na la kaq pranë. Këtu.
Ku
e njëjta re
shkon mbi flokët tona
Ku
mjegulla dhe nata na mbulojnë faqet
Ku
malet si rruaza gjigante kanë mbirë pranë e pranë
Dhe asnjëherë nuk e kanë parë njëri-tjetrin në sy.

Ne kemi fjetur në një gjumë
pranë e pranë dhe retë e shiut i shtynim me këmbë...

Dy kuaj që kemi mbështetur qafën te njeri-tjetri
E në diell fërkohemi e lozim, përkëdhelemi
duke bërë sikur kafshohemi me dhëmbë nga gjunjët
Nuk duan asgjë tjetër veç një hije lisi
Një sup miqësor bregut detit a buzë fushës
E të dy
t’i shtyjnë mjegullat e detit me këmbë.

S’ka rëndësi  cili do të vdesë i pari a i dyti
Ne së bashku nuk i shpëtojmë dot dritës së fortë
Të atij ylli që na pret; do shkasë  drita
 e, ndoshta,
përtej vdekjes do bëhemi vëllezër.

Shpirti ynë merr frymë nga guri
Zjarri
Lumi
Dhe zogu
Atje tek shtëpiza  buzë stuhisë.

*  *  *

Bashkë u bëmë në anijet me vela
për të gjetur bashkën e artë

Dhe në fushat e bukës
dhe në të gjakut
Por kurrë nuk u shkrimë. E di. Nuk i përkisja botës suaj
Unë kisha zota të tjerë.

Dhe yjet kanë ftohtë
Por nuk rrinë dot bërryl më bërryl
E nëse ngrijnë të veçuar
Bien në hon
Pa flakë
Të ndarë
Pa gjurmë.

I papranueshëm isha, mospërfillës ju
e pati profetë nga të dy palët
Që thanë “është i marrë, është i marrë:”
Nuk i pëlqen të jetë i lumtur.

Po. Po.
Le të jem i ndarë, të këndoj kundër frikës
Le të jem i vogël
Flutur në erë
a feniks.

*  *  *  

Ne qemë të mallkuar
Ne i bëjmë hije njëri-tjetrit dhe asnjëherë
nuk e kemi parë diellin të plotë
As domethënien e yjeve
As thellësinë e shpirtit
as Zotin vetë

Të mangët i përkasim njëri-tjetrit, me dorën në sup
Duke fundosur
Vetveten.

  *  *  *

Me një copë çarçafi të bardhë nuk e mbështollëm dot
Krishtin tonë harruar
Që na kish dërguar Zoti
Atë
Të vogëlthin,
S’e mbrojtëm dot nga Kryqi
T’i mbanim në diell vatrat tona,
Dhe qiellin  e erës,
muzgut dhe zogut.

Çaprazë me dy gryka të metalta unë dhe ti
Të sertë
Çifte pa çapraz
pa qëndruar në krah të njëra tjetrës
As të vëna një mbi një
As binjake
As çiftëzuar.

*  *  *

Pas 3000 vjetësh
legjenda i theu degët e inatit
lëvizi Poseidoni, buzëqeshi, dhe e fali Odisenë
gjumi i ëmbël e zuri heroin
shiheni si përkundet  me ballin prej kripe
Përmbi dallgë.

Po eja, o mik të ngrohim duart në një trung ulliri
Të mbulohemi me një re të bardhë
T’i riçelim  mitet
 si zambakë guri dikur...

Eh,
Centauri në trupin e Herkulit
Edhe i mundur
nuk shqitej dot
Pa shkulur copa nga trupi i heroit.

... Të dy  e kemi njohur Zotin dhe djallin 
Të dy mallkuam njëri-tjetrin
dhe perënditë që i krijuam vetë
 na harruan

Se ne kacafyteshim dhe ekzistonim
për të vrarë vetveten.

2.

Sot u zgjova mbytur nga ankthi në Akropol
me një kokë mermeri në duar. Ngjante me fytyrën time
në ballë dhe në rrudha. Cilën të hedh,  kokën time
apo të mermertën tuaj?

Ne ngjajmë dhe në ëndrra,
Ne duhemi
dhe urrehemi
të ngjitur te njëri-tjetri
si  siamezë nga e njëjta vezë.

Rrotullohem kolonave në Akropol
si somnambul
në tempullin tonë të përbashkët
Dielli pak më tej,
i hedh detit jargavanë

E mua
në sup të muzgut më treten statujat

O qytet i Perikliut, mund të ishe gur diellor
Në fund të lotit tim, jo lule e tharë
në  kurorën e lavdisë... 

E sheh?
Asnjë i burgosur nuk vjen në teatër si dikur
U kanë ngrirë zinxhirët në kyçet e këmbës...
Vrasësve, trafikantëve,
Dhe emigrantëve të pafajshëm

Këtu në teatrin “Dionisiu”
Vetëm gjethe të kalbura vjeshte
Nëpër stola guri.
Shtatore të lodhura
As hënën nuk e mbajnë dot në supe
E hëna hesht e trishtuar në supe tempujsh ku përditë vdesin perënditë
Me qefinin e verdhë në faqe

Nuk e shoh portën e diellit
Vetëm hëna hyn e del si dhelpër
E në nofullat e ngushta mban një pëllumb.


3.

Pemë shtatlartë
Me hijë të rëndë
Një trung i vjetër me dy koka
Të ndryshme
e mermerta dhe imja.

Le të përleshen dhe në ëndërr,
le ta shqyejnë njëra-tjetrën nga leshrat e kokës
por
duke qeshur ta presim gjëmën
erën dhe shiun
Parajsën
dhe ferrin...

Pranë e pranë qëndrojmë në legjendë e histori
të dy kemi fjetur në një llogore
Dëbora s’mbulohet me shi

Nuk na lidhën përsëmbari as zakonet as besa
lumenjtë e  fryrë Arvanitët
që vërshuan nëpër fusha;
 Ti
 i zbetë si fytyra e të vdekurit
Nuk e pranoje gjakun e kulluar
Që  t’i mbushte damarët plot nipër e mbesa.

4.

shumë herë na u këputën krahët
degët e gjethet
E ne vajtonim nëpër balada ku buzë më buzë
 putheshim   me vdekjen. Ndërkohë hidhnim rrënjë
dhe majë dallgës
dhe vesës e lules

Mbi aventura shaluar Ne
 nëpër  kurrize gjarpërinjsh.
Si breshër mbi Athinë kemi zbritur mbi ty
Të rreptë e të zhurmshëm

pas një fije shprese në tokë e në det
Por të zot për parmendë e për shpatë
Dhe të bukur,
Dhe të varfër me dy thërrime brinjë .

Na josh aventura
lëvizja, ndryshimi, e bukura   dhe  këmisha  e gjarprit   pulla-pulla
Se  ai nuk ha me kurriz…

Ne,
gjarprin e helmojmë
Me hidhërimin në gji
Me helmin në gojë...

5.

Në trojet e mia të hirta ka mbirë rëra
Kambana zëmekur rënkon mbi kokallat e mia
Që një natë i zbuloi shiu
e pandërprerë
në kujë
Ulërinin qentë e tërbuar.

Anije e fundosur
Direk-thyer mes për mes
Pjerrtas lëkundet, lëkundet
E gërryer, e grirë nga dallgët dhe kripa
Njëqind vjet...
Ajri i udhëkryqeve flakërin
nga gjaku i pëllumbave
të bardhë.

Jugu im bie nga jugu
 Por,
 fjala ma mori gojën. Si orakull i heshtur,  përtyp duhan të grirë dhe
ha mallkimin e fisit.

*  *  *

I thashë Seferit me dorën në supin e pikëlluar
Mos prit të lulëzojnë bajamet
Mermerët nuk do shkëlqejnë në diell
Dhe deti nuk merr frymë
nuk valëzon...

Euripidi i deshi guvat e bregdetit damarët në pëllëmbë të dorës
e në fytyrë të njeriut
i ngjanin si një rrjetë
ku zotat bëjnë pre si bishat;  më kot depërtoi  te gjethet
e pemës
te zogjtë
që puthen në buzë

“i vrazhdë,
të paktë i pati miqtë
kur erdhi ora u shqye nga qentë.”
(i fili tu itan ligi irthe
 o hepos he ton spraksan ta shqila)








IV

VENAT E GURIT


“ Luledielli që kaq vite shikonte diellin, tani ka ulur kokën dhe vështron baltën”
                                                                            J. Ricos
                              

1.

Stërgjyshët e mi  banonin në bokërima të thata
Midis  eshtrash mali
dhe  dallgësh deti por,
  gjithmonë kuvendonin me yjet.

Atje, nën lisin hyjnor në Dodonë
E pritën Odisenë
E i treguan rrënjët e diellit. Të barit e të erës.
 Adresat e çdo Itake në këtë botë.

Të vijë qukapiku të gërmojë faqen e gurit
e të gjejë venat e gjakut;
të caktojë moshën te drurët
T’i numërojë rrathët e lisit të Dodonës

Pastaj  le të vdesë zogu i ditur
Të tretet pa  kuptuar
gdhendur
Në  gjenealogjinë e botës.

*  *  *

Sperma ime është shpërndarë e ndrit
në supet e çdo statuje
Në tre mbretëritë fillestare të botës,
ku kish dorë Albani me të bijtë:
Në qiell të Olimpit
Strehoi perënditë,
Në Dodonën tokësore strehoi  Zeusin rrufehedhës
Të parin tempull në Evropë
Dhe,
Po të vësh veshin në pllakat e oborrit tim
Do dëgjosh hapat e nëndheut më të poshtë
Dhe rënkimet e të vdekurve të përhershëm
Që në heshtje i komandon Hadi
Pagëzuar nga im atë...

2.

I kam kapërcyer të gjitha kurthet
Terrin e shkëmbit dhe sirenat
Gjer te gjinjtë e saj  si kaproll vrapova drejt agut
Që zbardh në dëborë
Por ti
M’i ka rrëmbyer dhe gjurmët.


Gjuha ime me germa argjendi që në themelet e  njeriut.
 Në erë dhe në zogj murgjit e tu helenë
Veshur dinakërisht si engjëj
 ia morën fletët erës
dhe gjuhën zogut

Ish koha kur kish lindur Kaini
dhe në hapësirat e tua vërtitej një korb.

Ti shkrove gjuhën mbi gjuhën time,  more zërin  pelazgjik, monedhat e Aleksandrit dhe shkronjat...

Si zogu i qyqes ata murgjit e tu
Që u veçuan në shpella dërguar nga hyjni të rreme
rrëmbyen gjithçka, gjithçka  që gjetën
dijen,
Homerin, Aleksandrin
Arvanitët
Epirin  dhe historinë...

E tani Orfeu që magjepsi zogjtë e drurët,
që mundi centaurin   që ngjalli Euridikën                                          
nuk guxon ta kapë në dorë lirën
Por qan si çilimi pas trungut të prerë të një dafine .
Dhe unë që balli m’u rreshk nga era, zhegu e bora
Si ujk i plagosur majë bregut
lëpij plagët e ndezura
e digjem përbrenda

*  *  *                                  

Dikush filloi të tregoi përralla për rrënjët e lashta Pastaj peshqit më kot vraponin në shtratin e thatë të lumit
Për të kërkuar germa të tjera Dhe lindën mite shumë për erën fletë-fletë dhe gjuhën e zogut humbur
Ish koha kur kish lindur Kaini
Dhe një korb.

Kalo nëpër damarët e mermerëve të tua, kapërce statujat buzë rrugës
E do gjesh buronjat e mia ujëshumë
Që tejpërtej ujitin fushat e grurit
Dhe zogun
Dhe erën.
Dhe statujën e Abelit
harruar.

*  *  *

Mallkimi biblik vjen që nga kopshti i Edenit.
Unë jam Odiseja aventurieri i përsosur
Unë jam Troja
Akili dhe Hektori
Dhe kalin dinak ëndrrën time më të zgjuar,
Odisenë dhe Penelopën  m’i keni marrë. Të tjerët ishin turma, ose ushtarë
Që mbushnin rreshtat nga të dyja anët.

*  *  *

Nga të dyja anët e urës erëra të acarta fryjnë
në  rërën e mashtrimit
Deti psherëtin
pulëbardhat nxijnë.

Unë i mbuloj sytë me pëllëmbë si mik,
 jo si i huaj
Nuk i shoh dot plehrat që lulëzojnë nëpër presidiume
Më dhimbet nekrologjia juaj.

3.

Mbase “vetë drita do të jetë tirani - tha Kavafi-
Ç’të reja do të tregojë s’e di njeri”
(Isos to fos thane mia nea tirania
Pos kseri ti qenëria pragmata tha diksi.)

Ne ishim barbarët, Kostandin,

Por  kuvendonim me Zotat
Ne vinim nga vetmia,
nga shtrëngatat e shiut
Nga guri
dhe pyjet e errëta.

Ju prisnit si për festë, 
Ne dhe mund ta digjnim qytetin
 ju më kot dridheshit nga frika
e më kot  i mbuluat rrugët me lule
Ne nuk erdhëm:
ne
kishim zota të tjerë që ju nuk ua shqiptonit dot emrat
nuk ishim ne agresorët,
ne do të ktheheshim
për ta ndërtuar qytetin që ju vetë
barbarisht
e kishit shkatërruar.
Ne qemë e vetmja zgjidhje.

4.

Epiri:
krater vullkani në veprim ku llava djeg ferra e gjemba
Brenda vetes hedh gurë e shkëmbinj  e  më tepër
 vret me heshtjen e tij.

Dhe  çadër e zezë telash të ndryshkur
Gjysmë e hapur gjysmë mbyllur
Ku dy duar kundërshtare shtyjnë njëra tjetrën kush e kush
Ta shtrëngojë.

5.

I lashtë jam
në rrënjë e në thinja pinjoll i Adamit,
Por, nuk arrita kurrë në mes nesh të mbjell
Një trëndafil
dhe kur më duhej të mbroja bukën dhe detin
dhe njëmijë ishujt e tu i mbusha me gjakun tim
Ti zemrën e qepe me penj e me baltë; Lëkurë e iriqtë
Mbi mishin tim të bardhë
valle gjembash të zinj.

Unë lutem e lutem i trishtuar
E çdo mëngjes mundohem
 t’i shkul një nga një gjembat e iriqtë
o Zot,  them e lutem, o Zoti Krisht, Jepmë forcë
Të mos ta urrej fqinjin tim...

*  *  *

Që nga Homeri në Eladhë
Nuk ka pemë të larta
Trungjet priten e bëhen dërrasa
Me to ndërtohen mobilie me lustër
Njerëz të drunjtë, manekinë
E, sidomos kuaj.

I kam parë me sy
Në çdo kthesë rruge
Si Laokoonti i kam prekur me gisht
I kam qëlluar me beben e syrit si shigjetë
E kam dëgjuar brenda barkut të kalit
tinguj misterioze të metaltë...

Gjithandej fenerë të kuq që tundin nofullat prej dhoge
E hingëllijnë
nëpër erë…

* *  *

Së jashtmi ti,
Sajuar ngjyer zbukuruar
si pasqyrë e ndritshme 
Në mermerin e verbër ballë për ballë
shihesh e puthesh me vetvetn sy më sy...

Kokërdhokë homerikë
Pa beben e dritës
Me lot të ftohtë
Shkëlqejnë
Në heshtje lagen në shi.
Pëlcasin pasqyrat e mermerta
si gra të veja në vetmi

*  *  *
Yni ka qenë Jezu Krishti
Po ti ma mohove, (Krishti yt ka lindur nga stomaku)
ti e këpute gjuhëzën  e kambanës
Ti nuk e njohe  të vërtetin
As të gozhduar, as të gjallë…
Po ai këtu ka qenë në rrënojat e Epirit të pushtuar
në shpellat e krimit
në fytyrën e fëmijëve të vdekur
në nënat e therura dhe pleqtë e djegur
ai këtu ka qenë
dhe në shpinë të gjarprit dhe në kurriz të akrepit.

As të pushtuar, as të çliruar nga njëri-tjetri
Edhe kur plagët e mia zunë kore
Në teh të thikës historia
E vërteta 
Derdh gjak
e kripa e detit e djeg.

*  *  *
Vite të mbrapshtë,
Trazuar me ciklopë të egër në shpella kurthesh
E cerberë skëterre  me kokë zjarri
Që klith në fund të Ferrit
Tërë frikë.
E ankthi rrëzon pemë, rrugë e drita - të tha Kavafi.
E në të
“ shuhet dhe humbet figura jote erotike..”

6.

Atdheu i lashtë
Imi dhe yti nuk kishte kufij.
Në ullinj i njohim rrudhat e etërve
Dhe gjoksin e erës ndër brigje e shkëmbinj
Atdheu  ishte buka dhe era dhe deti
Anije prej bore gjithnjë në lëvizje
Ishte guri dhe shiu dhe balta
Kalë i egër
ndër shtigje  vetmie

Udhëtime të vrullshme si era
Pas bishtit të kaltër të ylberit
Dhe në ecje e sipër krijuan atdhe për të gjithë.
Të palakmuar

Hapat e mia nuk shpëtojnë nga vetvetja e aventurës
Dhe nuk dinë ku venë
Jelet e kalit kryeneç s’kanë sy
Dhe vrinkthi tunden
e ikin në erë.

Trokthi lëshohen nëpër fushën e trishtë
Pa kufi,
në luftë me erën dhe shiun
Arianës ia humbën fillin, ishte një kohë që unë
Kalëroja mbi kalin e Aleksandrit e të Pirros
ti më mbaje frerin
dhe myllin e shpatës.


Atdheu im qe dhe mugëtira e panjohur Në ikje
doja të isha pjesë e bregut, e detit. Dhe e mbrëmjes. Kudo kisha çati për vete dhe atdhe për të gjithë

Dhe në rrudhat e detit zogjtë e mi ndërtonin fole
Vetëm qielli mbi kokat tona
Kish mbetur pa banuar

Ishim të papërsosur
dorëlëshuar
I dhamë të gjitha pamjet e gjërave që mbeten
Dhe ti, u dhe formën që doje
Afshin e përbuzjes le në mes
Dhe e mbolle në breza miopësh.

Pikoi heshtja
Gjumë i gjerë vetmia e natës
Nostalgjia. Farë e zgjedhur. Mbirë  në tokë të butë
Lule, sythe, kristale, fruta çelin për të huaj
Pa hije , sikur s’kanë qenë e sikur s’janë më. Fjalë e pathënë
Heshtje harruar.

Por,
Kupa e qiellit nuk shihet
As kur ngrihet
As kur rrëzohet

*  *  *
E vërteta jonë marrëzi e urtë si bletët
Enden e enden nëpër krahët e tyre për të mbledhur mjaltin në hoje
Duke vdekur në ajër
Gjaku i tyre i dikurshëm gëlon në damarë
Si nëpër gjethet e ullirit
Ku lodron ajri i kulluar dhe vaji.

I ati i tim ati, i ati i të atit e kështu me radhë
Që përpara fjalës
Përpara mjegullës
Atdhe kishin tejpamjen e syrit e më tej

Kombin nuk e njihnin
Thjesht ati i atit tim
ishte tokë det
ajër dhe fis.

Nuk e fsheh
Kokëkrisja, papërsosmëria
Mospërfillja e vdekjes dhe rreziku janë
Alfabeti im që zmadhohet e zvogëlohet si hija
E një reje në një kodër

Unë linda në një mjegull të trashë
Në shpat të malit
përballjen e parë me botën e pata me një shkëmb.
Guri dhe shkëmbi dhe mjegulla e trashë
s’m’u ndanë tërë jetën në kohët moderne
ose atdheu
si pengesë që duhet kaluar.

*  *  *

Mos bën sikur nuk e di. Unë jam Dardani
I biri i Zeusit që themelova Dardaninë. Gjysma ime zbriti
në Trojë. Pastaj ti e di si vanë punët,
Zeusi u zëmërua me ne dhe në shekuj

hodhi shi e vetëtima
e një gjarpër na futi  nën lëkurë.

50 shekuj Dardani
3000 vjet Iliri.
Me  Odiseun, isha këmba këmbës në Trojë dhe në Itakë
Sytë të skuqur i kemi nga kripa e detit.
Kam qenë me Akilin dhe me Hektorin
Dhe në barkun e kalit
dhe në zjarret e Trojës.
E kam parë nga ballkoni
Se si nën një hënë të zbetë
shqepte pëlhurën Penelopa
Është dëshmitare hëna, atje

nën hirin e oxhakut tim puqur me detin
Në oborrin e pasmë
Janë eshtrat e saj.
Të bardha..


*  *  *

Kemi kaluar çaste me pulsin e njeri tjetrit në në duar
Si  dikur përqafuar me perënditë
me bukën dhe erën në sofër
Pak çaste, pak
 sa mbajnë dëborën
mbi gjethe ullinjtë.

Gjak i pastër ky imi, gjak arvanit,
Vetëm një dorë,  një gisht dhe si shkëmb i fundosur
Ngrihet mbi dallgë një ditë.

Dhe  mbeta më tragjik se Odiseu
Më humbi qeni besnik, më tradhtoi Penelopa
Kurrizin më ktheu Athinaja
M’ u thyen të tëra busullat
Era m’ u bë kundër
Eci nuk e di ku më nxjerr nata,
pëlhura është grisur
Me hile u ndanë udhët  dhe fati erdhi me ty

Por,

Netët bizantine të kokave të prera e lashë pas shpine
Baladat e gjakut dhe përrallat
Dhe milingonat historike që shkruajnë me këmbët e holla
Hieroglifë të falsifikuar

Tani vij si syth i blertë prilli
Nuk tremb asnjë zog
Pasthirrma ime e pakëputur
Vazhdimësi e pandërprerë
e ujit, gurit, barit, bukës dhe kripës

Nuk kam asnjë gjëndër vreri
Dhe do lutem te Zoti i vërtetë
Se Zoti yt, gjithmonë
Vjen vonë
duke çaluar.                              

6.

Bashkë me Homerin dhe Jani Ricosin U futëm në barkun e kalit të drunjtë. Homeri mbante një statujë
unë një pasqyrë, Jani një granatë e një trëndafil.
Pasqyra ime çeli e barku i kalit u ça
Duke hapur në ajër të gjitha rropullitë...
Homeri e mori në krah statujën U ul këmbëkryq para portës së Trojës dhe qau me lot të verbër.


Syth më syth e pikë më pikë – Ricosi - instrument engjëllor
Kitarë drithëruese. Për qerpikët e dashurisë
Dhe klishe llamburitëse   
Për luftë e qëndresë. Në duar i djeg trëndafili i kuq
Dhe granatën nuk di ku ta hedhë
e i trishtuar më tha:
-         Po lëvizin statujat, vëlla, po vdesin, po shuhen
... Çdo natë nga puset e tharë...
- ...
-         Mos ma qaj Greqinë -  tha prapë poeti - kur kujton
se ajo po epet me thikën në kockë
dhe litarin në fyt, - ja tek sulet sërish,
me gjinjtë e ngritur mbi vdekjen,
më e fuqishme, më mizore
për të mbërthyer bishën kudo që të jetë
në zemër të Ferrit
a në shpellën e yllit...

*  *  *
Unë vrapoja e vrapoja drejt shpellës
ku fshihet dielli. Mes Qiklopit dhe sirenave mashtruese
Kapërcej Skilën dhe Karibdën
Dhe ëndërroj të jem i fortë si Herkuli
Të jem Akil Këmbëshpejti
 Eneu që bëri Romën
 Të di të bëj dhe
 kalë druri.

Në kohën e akullit e të borës deri në përgjakje ia rinxirrnim syrin ciklopit
Bora na binte në pëllëmbë të dorës dhe ngricat egërsisht na sulmonin në eshtra
Ciklopi i egërsuar përditë hedh shpella akulli
Dhe deti i mbyt barkat tona.











VI

FILLI I  ARIANËS


1.

Një djalosh flokëverdhë
Që ngjan me Paridin e Helenës
mban në dorën e shtrënguar fillin e Arianës

Tezeu
Do ta mbyste shtazën fshehur tutje në bark të labirinthit
Pas fillit të kthehej
te Ariana, e dashura e tij.

Por ti nuk doje të vritej Minotauri
Shtaza ngjizur në një ferrë me farë kau
dhe fillin djallëzisht
e këpute copa copa

Skaji i këputur i fillit të Arianës nuk arrin dot
në Bruksel a në Mekë. Vetëm skaji tjetër është i sigurt
I palëvizshëm
Ja,
dredhur e përdredhur që në kohën e Arianës
gjer në palcë në trungun e ullirit plak
Në mes të oborrit tim.
Kam tre mijë vjet që endem botës cep më cep
Por nga ky ulli s’jam larguar asnjë grimë
Prej gryke më shtrëngon ky fill magjik
Yll vezullues i ujërave të mia
Në netët me agime munguar.

*  *  *

Pylli ushqehet me histori shirash
që i ka në kujtesë çdo pemë
edhe e prerë
edhe e copëtuar.

Thonë se perëndive u dhashë emër
 Dhe ato më mësuan më të shtrenjtat,
Gjuhën e parë dhe virtytin
Që i ruajta dhe në stinën e hidhërimit të madh
Edhe në stinët e zjarrit

3.

Diversioni i parë i natyrës
Ti
Kobziu zogu i qyqes
Komando moderne
Vrasëse me gjak të bardhë
Në gjurmët e një krimi që në hapat e shpellës
mijëra vjet...
I lindur nga nënë tinëzare në folenë e botës
Vezë e bardhë, zezonë  e një race tjetër

I padeshifrueshëm
I paemër
I pagjak

E veç kur rritet
ashtu i frikshëm me puplat  mbrapsht,
Sulmon nënën e mjerë
Të mashtruarën
që e rriti me thërrimen e hollë të bukës
nënënjerkën e mjerë
kockë e lëkurë

*  *  *

Adresën e detit e di çdo lumë
Por ti e devijove lumin

Që në fillesë i mashtrove mermerët
Dhe kockat
Kur ti kërkove dafinat e Aleksandrit
rroposur në fund të Azisë.

Ti ëndrra me sy hapët ke parë
dhe akoma nuk e di se dhe Helena
Në Trojë kurrë nuk ka qenë
“Ajo veç ishte një fantazmë”...
Tipote stin Troia-ena eidholo...
Etsi to thelan oi theoi..., tha Euripidi

Paridi (imi apo yti) i gëzuar puthte një hije
E unë e ti pas asaj ëndrre
Luftonim,
thereshim me njeri tjetrin
për Helenën 10 vjet rresht.

*  *  *
Në të korra drapri yt fërshëllen
Në ara të tjera
Vrapit është vrarë kaprolli i bardhë
“mendje e ndryshkur “ në atë pyll të virgjër plot me miq të vrarë”
(ena partheno dhasos skotomenos filon to miklo mas**)  

Si pendul sahati lëkundesh
gjetkë puthesh
gjetkë mbarsesh
gjetkë pjell.

*  *  *

Qirinjtë e djallit  mbirë në honet e gjakut
ndizen në kishat greko – serbe E  kukuvajkat me raso
Pinë vajin e altarit. Heshtën priftërinjtë,  
Heshtën nga të dyja palët.

Diku dua t’i tregoj  dhe mëkatet e mia
 por
Retë që enden det më det nuk m’i pranuan
As kishat...
Çfarë mund të pohosh atje, medet
Atje falen e pështyjnë  xhelatë e katilë
Nën veladonin e zi
E s’ka vend për njerëzit  që vërtet  
Besojnë në Krisht.


T’i besosh pasqyrës
Me rrudhat e plakës si vajzë e bukur e sajuar
A t’i rrëfesh vetvetes jetën tënde
Të gënjeshtërt. Të besosh në damarin e gjakut
Që shikon vampiri në ëndërr  ?!

I ngatërrove varret, eshtrat gurët
Dhe qirinj hipokritë kërkon të ndezësh Atje ku shpirtrat e familjes sime ti i nxjerr nga varri dhe u vesh uniformat e tua prej stratioti. Edhe ata maska të vdekurish gjoja
rënë heroikisht në oborrin tim
 luftës së fundit.

Unë qesh se e di ADN-ë time
E di kodin gjenetik
Shkruar në venat e gurit.

4.

Pse nuk rrahe dhe ti të rriteshe nga pika e rrudhur
E jugut. (Një herë të tregoje veten se vjen nga Aeropagu i Athinës ku gjykoheshin dhe perënditë)

Ajo pika e gjakut  valuar  më pikonte nga veriu
Mbi çatinë  e shtëpisë. Vertikalisht mbi kokën tënde Kosova
E qetë, ritmike Zbret e ngjishet ashtit të harruar. Dhe zbret më të poshtë Herë e kulluar si loti
Herë flakërimë si gjaku.

Unë u zgjata hapësirës për të të prekur kockën e ballit
Gjer në zemrën e foshnjës
Gjer te syri i gurit. Vertebrat
E njohën njëra-tjetrën. Para se vrullshëm të qarkullojë
E njëjta palcë, Gjymtyrët e paralizuara nisën të lëvizin.

Në passkenën e asaj lufte të shenjte
Shekujsh të grabitur. Një thikë ndriçonte në ajër
Një thikë që kërkonte shpinën time

Duke puthur  xhelatin serb mu në buzë.
në dorën e djathtë, nën mëngën e këmishës
Shtrëngoje thikën që shihje në ëndërr
Për të qëlluar në mish fëmijësh
Si në shpellën e ujkut
si në Hormovë, Përmet
Çamëri. Është i freskët gjaku
e mban mend?
.....
E unë desha të të ftoja në dasmë
Por
Ti nuk ma ke njohur akoma gjysmën time të lirisë

Ti nuk do t’i njohësh ato dy buzë mbi lumin Ibër
Që presin të puthen.
Është i vetmi lumë në Evropë që shket mbi shtrat të florinjtë,
Si Akeronti në mes të Epirit Ku Pazar me të vdekurit
bëjnë perënditë;

është klithma ime që shpërthen nga zemra e kombit
përplaset me vrull
 rrotullohet nëpër brinjët e gjoksit tim.
Si damar gjaku që rrjedh nga brenda
Nga jashtë çarë me thika e intriga...

E çdo mëngjes,  i egër perçeturbull              
Ky lumë prej gjaku
Nuk nxirrte trungje pemësh
Por kufoma shqiptarësh.
 Në breg  ti, fërkoje duart,
Ato duar që mbanin thikën, atë
Thikë që kërkonte shpinën time
 Zbuluar deri në eshtër.

*  *  *

Ndanë detit tënd
Të gjithë djemtë e tu hanë barin e harresës.
E harruat sëmundjen e vjetër
Paçka se me Evropën në një grup

Fati i Atridëve u ndjek si mallkim
metastazat e Trojës keni në trup.

Letër bakalli demokracia jote
Në pergamenë antike fosil
Një ëndërr endet
E tymtë shkon e vjen rrëshqet në shkumë deti  ëndërr e re dhe e vjetër
Greqinë e madhe e bënë poetët
Po e prishin politikanët e vegjël
pa orakuj  nëpër mjegull ecën kuturu
akropoli si anije e bardhë lundron nëpër shkumë ëndrrash dhe në ëndrra ka mbet`

unë jam  orakulli i Delfit
dhe ndoshta  Greqinë e dua më tepër se çdo grek.

*  *  *
  
Karonti nuk të nxjerr matanë pa pagesë
Ruaje një monedhë të hollë
Që mbi ty të mos bien mizat me krahë të argjendtë.
Sido që të ndodhë  unë do t’i lutem atij plaku
të fisit tim
T’ua falë kacidhen e ferrit
Që të vdekurit
të mos mbeten pirg kufomash në breg.

Ju e braktisët demokracinë e Platonit,  luksi u josh
Ç’e doni mbushur kasafortën e shtetit
Më madhështore
ajo duket bosh!

unë e kam pirë detin me Ezopin
dhe gjakun e algave
e njoh

*  *  *

Peshk akuariumi rrotullohesh në xham
E imiton veten
sikur të ishe dikush tjetër
Oqeanit i bije pash më pash...

Shushurijnë shpifjet shtyjnë  shoqja-shoqen si valë deti
E vraga lënë rrëketë e shiut nën shkrepa vetëtimash të largëta Vetgërryejnë faqet e mermerit
Dhe në xhamin e ballit tim
Të thella ngrihen rrudhat

Gjethet qajnë
Akulli është mavi
Dhe kudo ka njolla bore

Utopia e maleve është përrallë
Si engjëjt e rremë
hardhuca po plas duke pritur
t’i thonë je mbesë dinosoauri...

Palë-palë urrejtja
Në shtatë lëkurë dhe gjarprin që nuk do të ndryshojë
Shpifje shkumëzuese për t’u sosur te heshtja
Falsifikime
Që shiten me kile në të tëra tregjet e botës
Mish bruto pa kocka
Filozofi zvarranikësh lajkash të pështira
Myk
Kronologji prostitutash kujtesa e rreme historike
Që deti mezi kollitet dhe me dhimbje
i nxjerr si jashtëqitje

Ngjyra shkurresh në erën e muzgut shpifjet
Gjethe të rëna të kalbura Të pakuptimta
si klithmat e palloit. E padeshifrueshme
Shpifja jote  U trash si gungë shtogu në shtatë lëkurë
Pa gjak,
 flamë zverdhur e nëpër botë...






VII




BASHKA E ARTË



“Po ta dije sa e bukur është goja jote, do më puthje sytë të mos mund të të shihja”
                             J.Ricos




1.

Atë ditë bashkë do të nisemi drejt  një pallati
në mes të kontinentit
ku mbi  bashkën e artë të dashit
 këmbëkryq rrinë komisionarët e Brukselit
 me tespihet e verdha në duar...

S’ka më tramundana
Flakë në qiell dhe shkëmbinj të ngrirë në ajër
Nuk na kërkon njeri të mbjellim dhëmbët e dragoit
Bokërimave tona;
Nuk ka më dema me dhëmbë bronzi
Që lëshojnë flakë nga goja;
Orfeu ka triumfuar mbi sirenat
Nuk do ta lidhim zjarrin nyje, por thjesht do shohim sa larg na ka çuar ëndrra;

Unë Jasoni
me Medenë vrasëse  përsëri do martohem
Veç perënditë të bien dakord që hartën time ta shtrojnë përsëri mbi tryezë.  Atje në Berlin Londër a Paris
Orfeu le të qajë i mallëngjyer
Dhe ne të shtrëngojmë duart.

*  *  *

Asgjë nuk do të ndodhë atë ditë
Veçse,
Një ulli i ri do ndritë në dritaren tuaj
E me droje si vashë bukuroshe
do mbulojë të argjendin e gjethes në faqe

Ullinjtë e Epirit
Këmbëkryq si stërgjyshër, në kuvendin e fundit
Vendosën që ata më pleqtë prej tyre
T’i kthejnë në statuja
Ose në të vërteta
si mishi

Në  Epirin Veri - Jug – Lindje - Perëndim
Të lindë dielli i natyrshëm e trëndafili i egër të mbijë
mbi gur.

Gjunjët e mbledhur në bark 100 vjet:
Një yll i ri ndriti mbi kokën tonë
dhe unë i shtriva lirshëm këmbët
Që e thyen shtratin e hekurt  çark
e dolën jashtë parmakut të dritares
Dora e statujës sime ngrirë nga jugu
Më ra në gjunjë e më zgjoi...

Le të jetë palca e dimrit
Le të ngrijë Liqeni i Janinës
Atë ditë do vishem në të bardha
Dhe trenat e Evropës do t’i mbush me këngë.
Unë do ta zgjas pa drojë dorën
Do të ta zbërthej këmishën e natës
Dhe një trëndafil do të vë
Mes gjinjve të tu.

2.

Xixëllonjat shkruajnë me hieroglifë nëpër fletët e natës
lista diplomatësh me përvojë
vdekur që në kohën
e Perikliut e Platonit... por

Agimi zbardh i ftohtë
me një borinë mbi shelgje
Në një kryqëzim ere, 
Mbi Epir
është varur Kutia e Pandorës
Copëtuar e çarë nga të gjitha anët.

*  *  *

Në atë ditë do kurdiset ndryshe zembereku i diellit
Do të pimë me kupën e hënës
Do të dehemi dhe Dionisit do t’i japim
shtetësi universale
Oborret do të mbushen me zambakë Vajzat tona
 mbesa të Artemisit
Me atë fytyrën e shenjtëruar
Krejt lakuriq
si perëndesha
Do t’i bien kryq e tërthor Egjeut
Me të gjithë djemtë e botës dashuruar.

*  *  *
Jehon një zë tej shkëmbit
Tej gjumit e barit

Krishti është një dhe kambanat janë njëlloj
Merre foshnjën time pagëzoje
E unë tëndes do t’i var një kryq të florinjtë.

Le të bëhet dritë nga të dy anët
Merre gjysmën e zemrës sime si garanci
Të çelin, dallëndyshet
Në çdo oborr e dritare.

Do ta vëmë në gjumë Cerberin dhe Karontin
Mermerët do të ndritin mes territ
Dhe si kali i Aleksandrit
Që vraponte mes reve aziatike
Përsëri përmendësh do ta mësojmë Iliadën

3.

Atë ditë unë do ta shtoj tryezën
Me dema të pjekur si në kohën e Akilit
Në tryezë do të jenë 1000 limona vezullues
Dhe hëna si kupë e florinjtë mbushur me verë
Pas dere përmalluar
mund të jetë dhe qeni i Odisesë
Dy trafikantë të mërzitur që psherëtijnë në dyert e doganës që nuk ekzistojnë
Dhe gjaku i trashë i shiut
Te ish polici i trafikut.

*  *  *
 Si atëherë
Pranë e pranë në legjenda, mite e histori
Të dy fjetur buzë rrugës në një llogore...
Dëbora s’mbulohet me shi.

Zgjidh e merr, llambën apo natën
Ujin apo etjen
Ylli i çlirimit tënd jam unë, nga kthetrat e asaj ëndrre të ligë
Një kokërr mollë ka ngelur Një kokërr mollë
në degën e tharë
Çlirohu nga unë.TE LUIMI I IRAKLITIT

Te lumi i Iraklitit
peshku zë peshk,
peshku copëton peshkun me një peshk të mprehtë,
peshku sajon peshk, peshku banon tek peshku,
peshku i shmanget peshkut të rrethuar.
Te lumi i Iraklitit
peshku dashuron peshkun,
sytë e tu - thotë - ndrijnë si të peshkut në qiell,
dua tok të shkojmë në një det të përbashkët,
o, më i bukur se grigja!
Te lumi i Iraklitit
peshku ëndërron peshkun më të mirë,
peshku përgjunjet përpara peshkut, i këndon peshkut,
i lutet peshkut për një lundrim më të lehtë.
Te lumi i Iraklitit
unë - peshk i vetmuar, unë - peshk i përzgjedhur
shkruaj çasteve të rralla ca peshq të vegjël
tek shkalla e ardjendtë, kaq shpejt,
sa mund të jetë errësira, mes sikletit që dridhet.

Shqipëroi:
G. JOVANI

4.

E kam shtrënguar në grusht gurin e urrejtjes
Deri në përgjakje
Që guri të mos përplaset me gurë.
Të flejë urrejtja në vezën e gurit
Dhe nëse,
E çel e nxehta e korrikut
Si zog hakmarrës e ogurzi
Do ta lë të vdesë i vetmuar.
Le të mbeten shtrirë krahët e mi
Mbi fushat e mia pluguar me varre
Gjer te kufiri i gurit dhe i gjarprit
Të më rrjedhë çurg rrjedha e gjakut nëpër gishta
T’i mbulojë bari i butë gurët kilometrikë
Që na ndajnë dhe distancat.

Nuk do ta lë të rëndohet ajri
Nuk ndahet më dysh kufiri nga pragu
As reja e jargavantë që buzëqesh
Mbi lumë,

Atë ditë do të ngjallen të vdekurit
Do marrin mbi shpinë eshtrat e njëri-tjetrit
E do nisen të kërkojnë të gjallët
Të gjallët e ikur
Të gjallët e vdekur

Bari do shpërthejë
pas hapave të tyre
Dhe era do t’i ndezë qirinjtë e fikur.

Pa do pastroj varret nga bari i thinjur
Do krasit limonët e portokallet
Do fle me sythet e prillit
Të çelin yjet
Të zgjohen të vdekurit e mi
E të dalin në valle si në festën e diellit.

5.

Fantazitë shkencore të mekanikës kuantike
Njësuar nga Ajnshtajni, Planku e Bori
Nuk i marr seriozisht - çdo trup e komb në Purgator
Mund të pastrohet nga vetvetja
Jo nga  djalli.

Kërkova drejtësi dhe e gjeta vetëm
Te vesa e barit. Te bimët. Te gjethet e borzilokut dhe manaferrat
Masive të dhimbshme
si heshtja. Dhe u drejtova gjetheve
zogjve dhe poetëve.

Eh!,
Dashuritë tona jetëshkurtra vazhduan kaq gjatë
Korridore vajtimi pafund
Triumfe të paqena
Fatalitet.

Të mirupafshim, vëlla: Në të gjitha stinët
I lirë të bjerë shiu
I lirë të rritet bari
Në Ibër e në Prevezë në Janinë e Preshevë
Në Athinë e Tiranë
në dheun e perëndive
T’i bashkojmë malet luginat dhe detet
Shiun dhe erën
T’i mbushim ballkonet e Ballkanit
Me jaseminë
dhe ylberë.





EPILOG

    Tingull në violinën që qan mbi balada në folenë e vet, kjo pasthirrmë;
pirgu i vertebrave të këputura,
rrahje zemre,
shpirti i rrënuar nga rremat që zgjon të mbyturit. Dhe perënditë e mia që po japin shpirt.
Bukë e prerë nga thika për së kithti,
midhje e zezë me dy kanata të këputura  shkulur nga valvula  e mishtë
Dhe klithmë e mbytur
Dhe dy buzë që nuk mund të puthen
ndarë nga sharrë dhëmbësh
kërcënues.


Më kanë ndarë nga  vetvetja
mënjanuar nga drita nga nëna nga të vdekurit
nga Deti dhe buka

 U sorollata në shekuj
Nëpër kontinente. Kockat m’ u bënë pluhur, por
Fytyra ime dhe në gjumë kthehet si tiktaku i sahatit
 te honi i kufirit
Te shkëmbi buzë  muzgut
 te lumi i ndaluar.

Heshtja, durimi si një hyjni pa ngjyrë
Më mbylli në  gjumë letargjik
Shtresa, shtresa të trasha përsipër
Në hi...  Si heshtja e sythave të jargavanit
Që më kot pret të çelet. 100 vjet gjumë hiri
100 vjet ëndërr, ndaluar
të shpërthejë jashtë dritares.



Por unë e di. Miti  i dhimbjes Thinjat e durimit
Dhe ndryshimi i kufirit
Nuk të çon askund. Pas tyre mbijnë
Veç trëndafila të vdekur.

Në barkun e minotaurit
e qetë
Digjet një xixëllonjë
dremit
e zgjohet në flakë
E gatshme ta ndezë çarçafin e natës 

*  *  * 
Mjafton një qiri, mjafton
Le të jetë e zbetë flaka
Le të jetë e ftohtë drita
Ajo vjen e ndizet e vezullon
Kur vijnë e trashen hijet

*  *  *
Ulërin e grindet era në trup të lisit të Dodonës vetëtimat
Rrahin e varen në qiell si gjarpër. Po ku, ku janë
Falltarët, profetët e poetët e Eladhës.
Pse ka vdekur Aeropagu,
Ku shkoi bubullima e honeve të thella
Që rrëzoi lisin stërgjyshor ?!

Zogjtë dhe peshqit
 Malet dhe lumenjtë dhe pemët dhe dallëndyshet
Nuk e njohin kufirin dhe ndarjen
As të vdekurit
As mushkat dhe gomarët.

Po lumi do kthehet te lumi
Pemët do lulëzojnë në rrënjë
Të vdekurit do të zgjohen
 pa kuptuar.

Udhë e largët
Si nga toka tek drita
Por,
Dhe në u shoftë e u djegtë ylli i saj 
Një pikë dielli
do ta lërë në sy...  

Kjo pasthirrmë
Qiri  i hollë që ndriçon duke u dredhur
 fobi dëshpëruese e një moti të egër 100 vjeçar
Të një  ujku të plakur
 Pa dhëmbë e pa qime.

Djallit po i thyhen brirët. Po i mblidhen kthetrat
po tkurret në ajër armiku i Eladhës
ai ka nevojë të çlirohet nga unë së pari
Pastaj borxhet të lajë.

Gisht akuzues
Drejt një fytyre të errët
Dhe   hyjnive të rreme e përhershme kjo pasthirrmë jugu
do ta lërë në sy...  

                                                                                                 pirololi1945A@hotmail.com



No comments: