Monday 30 November 2015

Shoqata “Peja” modeli i festimeve të Pavarësisë në Londër


Udhëtimi i Pavarësisë u duartrokit shqiptarçe në mes të Londrës edhe nga Shoqata më e organizuar shqiptare në Britaninë e Madhe, “Peja”, që drejtohet nga i mirënjohuri Burim Turjaka dhe një staf model intelektualësh. Të gjithë me një zë, të gjithë të bashkuar në një ambient tejet festiv, pa fryrje të tepruara dhe pa arsye të tjera për të treguar se modelet e tilla jetojnë gjatë dhe kryejnë festiven e duhur komunitare. Pasditja e rrugës më të populluar londineze, që nis që nga kufiri me Oxford Street dhe deri në Finchley Road e më tej në Kilburn High Road kishte një pamje festive. Festivja e përzyer me mushtin e traditës shqiptare më tej oshëtiu në sallën plot ku fjala e Burim Turjakës, i dha intonacionin e duhur sallës dhe të gjithë më pas në këmbë për intonimin e Himnit Kombëtar.
Në sallën pa dallime kishte shqiptarë nga mjaft treva, ku vlerat ishin vlera reale dhe festa ishte me tërë ngjyrat e ngjyrimet e Pavarësisë shqiptare. Në këtë festë të gjithë ishin Ambasadorë të kulturës shqiptare, të gjithë ishin e gjitha e festives. Dhe kështu modeli i Pejës ishte më shumë se Faleminderit.

Faleminderit ('Thank you') është lutja më e mirë që dikush mund të thotë. Kjo fjalë brenda disa nënkuptimesh mirrënjohëse, bashkë me fjalët Faleminderit shumë!, thonë më shumë. Faleminderit shpreh mirënjohje ekstreme, përulësinë, mirëkuptimin dhe respektin ndaj vyrtyteve të larta të njeriut.










Sunday 29 November 2015

Si u përndoq poeti Faslli Haliti nga Sigurimi i shtetit dhe u denoncua nga kolegët


VIJOJNË PJESË NGA LIBRI " KADARE I DENONCUAR" I GAZETARIT DHE PUBLICISTIT TE NJOHUR DASHNOR KALOCI

Si u përndoq poeti Faslli Haliti nga Sigurimi i shtetit dhe u denoncua nga kolegët



“Çuditemi me Ismail Kadarenë, autorin e shkrimit kritik “Ditët e sotme në poezinë e një të riu”, botuar në gazetën “Drita”, që është shprehur se vëllmi “Sot” na qenka një nga librat “më interesantë poetikë të botuar kohët e fundit” nga Shtëpia Botuese “Naim Frashëri”. Ose: “Në vjerasht e Faslli Halitit socializmi nuk qëndron në fjalë, ai është brenda vargjeve, brenda subjektit të thjeshtë të vjershave”. Për ç’socializmëm e ka fjalën autori i artikullit”?

Arkivi Qëndror i Shtetit. Fondi 14. Ap. Komitetit Qëndror të PPSH-së, (Struktura) Dosja 308. Viti 1973
……………………………………………………………………………………………………..


Kapitulli  i XXI-të    

-Ne dhe shumë pjesmarrës të diskutimit krijonjës të organizuar nga Shtëpia e Kulturës e qytetit tonë për librin “Sot”, të Faslli Halitit, s’pajtohemi as me mendimet subjektive të Ismail Kadaresë dhe as me çmimin e tretë që zhuria e poezisë i dha këtij vëllimi në konkursin e madh kombëtar të shpallur me rastin e 25 vjetorit të çlirimit të Atdheut tone...?!
                        Kapllan Resuli, shkrimtar
                        Spiro  Dinaku, nënpunës
                        Hysen Kurti, punëtor
Dokumenti që po botojmë në këtë pjesë të librit, është një informacion që shefi i kabinetit të Ramiz Alisë, Ilo Kodra, i bën eprorit të tij, lidhur me një problem që ka ndodhur në rrethin letrar të Lushnjes, në mes drejtuesit të atij rrethi Hasan Çobani dhe poetit e letrarit të ri, Faslli Haliti. Po kështu pjesë e kësaj dosje, janë edhe dy tre letra të tjera: Një kërkesë e Faslli Halitit për një takim me sekretarin e Komitetit Qëndror, letra e një “grupi shokësh” nga Lushnja, dhe një artikulli i gazetës lokale “Shkëndia” të atij qyteti, me titull  “Dielli dhe një poemë që spekullon me të”. Të gjitha këto janë dërguar në adresë të Komitetit Qëndror, ku sekretari Ilo Kodra, pasi ka bërë një përmbledhje të tyre, ku ka shënuar si pretendimet e Halitit dhe të Çobanit, ia ka dorzuar shefit të tij, Ramiz Alia. Sipas të gjitha letrave që ndodhen në atë dosje, dhe asaj ç’ka ka shkruar Ilo Kodra në përmbledhjen e këtyre letrave, debati në mes drejtuesit të rrethit letrar të Lushnjes dhe poetit Faslli Haliti, ka ardhur pasi Faslliu ka paraqitur një poemë për botim në ALMANAK-un e Lushnjes dhe Çobani jo vetëm që nuk ja ka botuar, por i ka thënë atij se atë do ta dërgonte në Degën e Brendëshme, pasi ishte poemë armiqësore. Pas kësaj, Faslliu e ripunon poemën (“Dielli dhe rrëkerat”) dhe e dërgon në gazetën “Zëri i Rinisë”, e cila e boton menjëherë. I nxehur tej mase nga kjo gjë, Hasan Çobani mbledh rrethin letrar dhe i nxit një grup të rinjsh që të shkruajnë një shkrim kritik kundër poemës së Halitit. Dhe ky shkrim me titull “Dielli dhe një poemë që spekullon me të”, u botua në gazetën lokale “Shkëndia” të atij qyteti. Por ngjarja nuk mbaron këtu. Pas artikullit tejet kritik në “Shkëndia”, rrethi letrar i Lushnjes organizon një tjetër diskutim krijues duke marrë në analizë poemën e Halitit “Dielli dhe rrëkerat”, në të cilën merr pjesë dhe Sekretari i Parë i Komitetit të Partisë Rrapi Gjermeni. Në atë takim letrarësh, Faslli Haliti është vënë në bankon e të akuzuarëve, njësoj si në një gjyq politik dhe kjo gjë duket qartë edhe nga shënimet që ka mbajtur Sekretari i Parë Rrapi Gjermeni. Por ky demaskim publik dhe këto sulme ndaj letrarit të ri Faslli Haliti, nuk ishin të vetmet, pasi dy tre vjet më parë, shkrimtari Kapallan Resuli (emigrant politik, i ardhur në Shqipëri nga Jugosllavia, në atë kohë mësues në fshatrat e Lushnjes), kishte shkruar një artikull të gjatë kundër tij si person (Faslliut), dhe gjithë krijimtarisë letrare, të cilin e dërgon për botim në gazetën “Zëri i Popullit”. Bashkë me Resulin, në atë artikull që nuk dihet se përse nuk u botua kurrë, kanë firmosur si bashkëautorë dhe Spiro Dinaku, (nënpunës), Hysen Kurti, (punëtor). Në atë artikull, apo më saktë “pretëncë prokurori”, Resuli dhe dy firmëtarët e tjerë të shkrimit, e kanë nxirë të gjithë punën dhe krijimtarinë e Halitit, duke e akuzuar hapur, si “armik i partisë dhe i popullit”. Po ashtu në atë artikull, ata kanë akuzuar edhe shkrimtarin Ismail Kadare që ka vlerësuar atë në shtyp, ku midis të tjerash shprehen:
“Çuditemi me autorin e shkrimit kritik “Ditët e sotme në poezinë e një të riu”, botuar në gazetën “Drita”, që është shprehur se vëllmi “Sot” na qenka një nga librat “më interesantë poetikë të botuar kohët e fundit” nga Shtëpia Botuese “Naim Frashëri”. Ndërsa diku më poshtë lidhur me vlersimin që Kadare, i ka bërë një poeme të Halitit, Resuli dhe dy bashkëautorët e shkrimit, janë shprehur: “Na vjen të qeshim me autorin e shkrimit kritik të Faslli Halitit”?!
Po të shohim me vëmëndje si artikullin e Resulit dhe dy bashkëpunëtorëve të tij, ashtu dhe se si janë zhvilluar ngjarjet, disa vjet para dhe pas asaj përplasje në mes Faslli Halitit dhe rrethit letrar të Lushnjes, do vëmë re se problemi nuk është aq i thjeshtë. Apo më saktë, gjithë ajo furi sulmesh nuk drejtoheshin kundër Faslli Halitit, por direkt ndaj shkrimtarit Ismail Kadare.
I cili ishte personi që nga pozicioni i redaktorit, i kishte botuar Halitit, vëllimin e parë me poezi, edhe pse nuk kishte asnjë njohje me poetin e ri lushnjar, por për faktin e thjeshtë, se poezitë e tij i kishin pëlqyer. Gjë e cila kishte sjellë sa gëzim e lumturi tek Haliti e rrethi i tij miqësor, aq dhe shumë xhelozi dhe zili tek letrarët e tjerë të aij qyteti të vogël në zemër të Myzeqesë. Kjo pasi asokohe jo vetëm botimi i një libri, por dhe i një poezie apo vjershe të vetme me dy tre strofa rradhitur diku në një cep gazete, bënte të njohur dhe me shumë emër e autoritet autorin e saj. Dhe kjo gjë ndodhte, kur poezitë apo vëllimi poetik vlersohej nga kritika, ndërsa e kundërta, kur ajo sulmohej, siç ndodhi në rastin konkret ndaj Halitit, jeta e autorit merrte tjetër drejtim dhe nuk dihet se si shkonte fati i tij?! Kështu ndodhi dhe me Halitin, i cili vetëm për ato sulme që u bënë ndaj tij, u hoq nga arsimi dhe përfundoi për gati dhjetë vjet me rradhë si punëtor i thjeshtë me kazëm e lopatë në bujqësi dhe ndërrmarjen komunale të qytetit të Lushnjes. Tre vjet më vonë, (viti 1970), ndërsa Haliti vazhdonte punën në bujqësi, Kapllan Resuli arrestohet dhe dënohet me dhjetë vite burg politik, duke u akuzuar për agjitacion e propagandë, përgatitje për terror etj etj. Të gjitha akuza të montuara nga Sigurimi i Shtetit, ashtu siç janë dënuar një pjesë e madhe e emigrantëve politik kosovarë që vinin në Shqipëri. Dhe gjatë “grumbullimit të provave” nga hetuesia, iu kërkua dhe Lidhjes së Shkrimtarëve e Artistëve të Shqipërisë (ku Resuli ishte anëtar), si dhe organeve të tjera të shtypit, që të dërgonin pranë sektorit përkatës në Komitetin Qëndror të PPSH-së, çdo dorëshkrim apo letër që kishte të bënte me Kapllan Resulin. Kështu artikulli i Resulit me shënimin përkatës të Ibrahim Uruçit, (sekretar i organizatës bazë të partisë të Lidhje së Shkrimtarëve dhe Artistëve), si dhe me një shënim vlerësues e dashamirës qe kishte bërë kritiku Muzafer Xhaxhiu për Halitin, u dërgua në Komitetin Qëndror të PPSH-së. Kjo gjë e duket edhe nga shënimi që ka bërë Uruçi në shkresën përcjellëse të këtyre dokumenteve dërguar Pirro Kondit. Por nuk është kjo gjëja kryesore që u zgjatëm në këto shpjegime, por për të dalë te arsyeja e vërtetë sepse Kapllan Resuli sulmonte Kadarenë? Lidhur me këtë apo dhe më përplasjet e tjera që Kapllan Resuli ka pasur me Kadarenë që nga viti 1966, ai ka dhënë shpjegimet dhe versionet e tija, madje duke bërë edhe një libër, të gjithin kundër Kadaresë me titull “Fytyra e vërtetë e Kadaresë”, botuar në Gjenevë në vitin 1992. Ndërsa Kadareja nuk është ndalur fare te sulmet që i vinin prej kolegut shkrimtar, dhe nuk i është përgjigjur kurrë, ndonëse në disa nga librat e tij (“Ftesë në studio”, Tiranë, 1990), kur ka trajtuar fatin e veprës së tij, “Përbindëshi”, ka folur shkurt dhe për sulmet që i vinin nga Resuli, por pa ja përmëndur emrin. Por në fillimet e viteve ’90-të, në intervista të ndryshme iu është përgjigjur pyetjeve të gazetarëve lidhur më këtë çështje, ku mes të tjerash ka thënë se; përkulej para vuajtjeve të Resulit. Në librin e tij kundër Kadaresë, (botimi i vitit 1992, në Gjenevë, Resuli akuzon Kadarenë si shkrimtar i përkëdhelur i regjimit dhe gjithashtu ndalet gjatë tek sulmet dhe kritikat që ai (Kapllani), ka bërë ndaj Kadaresë dhe veprave të tij, si “Gjenerali”, dhe “Dasma”. Madje duke e thënë me mburrje se ai (Kapllani), e ka sulmuar Kadarenë që në vitin 1966, përpara Bilal Xhaferrit. Dhe atë gjë e kishte bërë publikisht në ato vite, si në shtyp, ashtu dhe në diskutimet krijuese të Lidhjes etj. Ndërsa më tej ai mohon të ketë bërë ndonjë shkrim kundër Kadaresë dhe në mes të tjerash, ka shkruar: “Jo unë nuk jam autori i atij artikulli dhe as i ndonjë artikulli tjetër kundra Kadaresë në përgjithësi, e kundra “Përbindëshit” në veçanëti. Apsolutisht asnji artikull unë nuk kam botue deri më sot kundra Kadaresë. Bile as fjala ime në Plenium nuk asht botue, se as për atë gjë s’kam pas kopetenca!”. (“Fytyra e vërtetë e Kadaresë”, Botuar në Gjenëvë, fq. 77), Kështu Resuli e ka mohuar autorësinë e shkrimit ndaj Faslli Halitit, i cili në fakt është sulm i hapur mbi Kadarenë, ndoshta duke kujtuar se ai shkrim që nuk u botua kurrë, kishte humbur përgjithmonë në dëngjet me letra e shkrime të pabotuara të koshave të redaksive. Dhe për këtë, Resuli ndoshta është nisur më shumë dhe nga fakti se, për atë artikull, Faslli Haliti nuk ka folur kurrë. Dhe po ashtu, as Kadareja. Të cilët vërtet nuk e kanë pohuar asnjëherë ekzistencën e atij artikulli-pretencë, pasi edhe sot e kësaj dite ata nuk kanë dijeni për të. Kjo është dhe arsyeja kryesore që shkrimin e Kapllan Resulit kundër Faslli Halitit dhe Kadaresë, po e botojmë të plotë në këtë pjesë të këtij libri, bashkë me letrat e tjera që gjenden në atë dosje, të cilat u përgatitën në atë kohë për dënimin e Halitit.

Fondi: KOMITETI QENDROR I PARTISE PUNES SE SHQIPERISE

SEKTORI I ARSIMIT

Përmbajtja: Letër e një grupi shokësh nga Lushnja, kërkese e Faslli Halitit, artikull i gazetës “Shkëndia” drejtuar Komitetit Qëndror të PPSH-së;
-Mbi vëllimin poetik “Sot” të Faslli Halitit si poezi që s’pasqyron tipiken.
-Mbi artikullin “Dielli dhe një poemë që spekullon me të”
Mbi kërkesën për takim të Faslli Halitit
Eshtë shkrimtar. Para ca kohësh përgatiti një poemë me titull “Dielli dhe rrëkerat” dhe e paraqiti në redaksinë e Almanakut të Lushnjës. Njëri nga shokët e redaksisë, Hasan Çobani, ngriti çështjen se poema ishte e keqe politikisht dhe mbasi kërkoi që të largohej nga mbledhja Faslliu (edhe Faslliu është anëtar i redaksisë së Almanakut), u tha shokëve të tjerë se këtë poezi duhet ta dorëzonte në Degën e Punëve të Brendëshme si material armiqësor.
Më vonë unë e dërgova poezinë për botim në gazetën “Zëri i Rinisë”, mbasi e ripunova sipas vërejtjeve që më bënë dhe ajo e botoi.
Disa ditë më vonë doli edhe gazeta “Drita” me një artikull për poezinë tonë dhe aty thuhet se poezia e Faslli Halitit karakterizohet nga vargu i ngjeshur dhe shkrin në një personalen me të përgjithshëmen”.
Kjo gjë nuk i pëlqeu me sa duket shokut Hasan: prandaj ky përgatiti një shkrim kundër, jo vetëm ndaj poezisë në fjalë, por ndaj tërë krijimtarisë time dhe e botoi në gazetën lokale “Shkëndia” datë 25 Janar 1973. Artikulli ka firmën e 10 të rinjëve të grupit letrar të shkollës ku është pedagog dhe drejtonjës i grupit vetë shoku Hasan.
Në këtë artikull ka për mua akuza tepër të rënda dhe krejt të padrejta dhe jepet mendimi se unë nuk mund të japë poezi pa u çliruar sa s’është vonë nga individualizmi mikroborgjez.
Dua të vë në dukje se rrethi letrar përbëhet nga 30 të rinj, por në mbledhjen ku u diskutua për poezinë time ishin vetëm 10. Një nga të rinjtë që ishin në atë mbledhje tha se ata ishin mbledhur me ngut dhe aty shoku Hasan u kishte thënë se do të diskutonin për poemën e Faslliut e cila është e keqe dhe ne duhet ta kundërshtojmë. Ai kishte nxjerrë pastaj nga xhepi artikullin në fjalë dhe si e lexoi e u bë ndonjë vërejtje kërkuan që ta firmosnin atë: kurse ai vetë nuk e ka shënuar emrin e tij.
Kur ndonjëri nga të rinjtë shfaqi ngurrim, ai ju tha këtë gjë e din edhe sekretari i Partisë.
Lutet të shihet çështja nga ana jonë.
27.10.1973   Ilo Kodra
Arkivi Qëndror i Shtetit. Fondi 14. Ap. Komitetit Qëndror të PPSH-së, (Struktura) Dosja 308. Viti 1973
……………………………………………………………………………………………………..

Kapitulli  i XXII-të
Kjo pjesë e dosjes është marrë nga një shkrim i shkrimtarit dhe kritikut letrar Muzafer Xhaxhiu, i cili ka vlersuar me nota pozitive poezinë e poetit të ri, Faslli Haliti, të botuar në revistën “Nëntori” si dhe vjershën e gjatë pamflet ”Dielli dhe rrëkerat”, e cila është kritikuar ashpër nga Kapllan Resuli dhe dy personat e tjerë. Nuk diuhet me saktësi se si ka përfunduar ky vlersim i Muzafer Xhaxhiut bashkë me dokumentet e mësipërme, por nga praktika të tilla dhe qënia e saj në këtë dosje, duket se ajo është grumbulluar si “provë materiale” për të fajsuar poetin Faslli Haliti dhe i është dërguar Komitetit Qëndror nga ana e Ibrahim Uruçit, pas kërkesës që është bërë nga sektori I arsim-kulturës pranë atij aparati.

“Drita” 21 Janar, në një shkrim për poezinë tonë shkruar nga Muzafer Xhaxhiu thotë:

“Për një frazë poetike të ngjeshur dallohet edhe vjersha e Fazlli Halitit, i cili sjell në vargje mbresa të gjalla nga jeta duke krijuar kështu akuarele me ngjyra të mbrujtura herë me lirizëm dhe herë me një humor të lehtë që godet diku hapur dhe diku tërthorazi. Në një cikël vjershash botuar në “Nëntori” si dhe vjershën e gjatë pamflet “Dielli dhe rrëkerat” poeti duket se po e çon më tej prirjen për t’u shkrirë në një personalen me të përgjithshmen”
                              Ibrahim Uruçi

Arkivi Qëndror i Shtetit. Po aty. Fondi 14. Ap. Komitetit Qëndror të PPSH-së, (Struktura) Dosja 308. Viti 1973
…………………………………………………………………………………………………………………

Kapitulli  i XXIII-të
Ashtu si dhe dokumentet e mësipërme, edhe këto shënime që duket se janë mbajtur nga Rrapi Gjermeni, (Sekretar i Parë i Komitetit të Partisë së rrethit të Lushnjes), gjatë diskutimit krijues në atë qytet ku u morr në analizë poeti Faslli Haliti, tregojnë dhe hedhin dritë mbi ato çka janë thënë aty në atë diskutim, i cili më tepër i ngjan një gjyqi public. Mbetet disi e paqartë nëse këto shënime janë mendime të vetë Rrapit Gjermenit, apo ai ka shënuar se ç’kanë thënë diskutantët e rrethit letrar të Lushnjes që kanë marrë pjesë në atë mbledhje. Ashtu si edhe dokumenet e tjerë dhe këto shënime të Gjermenit, botohen të plota.

Me Rr. Gjermenin, (në vërtet janë pikat Ramiz Alia i ka formuluar për sekretarin e pare,  pas takimit tim me të për
kritikën e poems nga 10 gjimnazistët, për botimin e saj, për të cilën më than ë mënyrën implicite: Poema, më tha është e gabur ideologjikisht, por ne nuk jemi dakord me kritikën që të bëhet ty në plan personal e politik. Ne do t’u heqim vërejta shokëve të gazette «Shkëndija» dhe instruktorit të komitetit të partisë që përgjigjet për gazetën.Pastaj ç’duan të thonë:  pa u çliruar sa s’është vonë nga individualizmi mikroborgjez, domethënë, pa të future në burg.(FH)

Poezia ngre probleme për diskutim dhe për qëndrim ndaj zgjedhjes së tyre. (problemeve)

Është pozitive që janë nuhatur këto probleme (në një kohë kur lexuesi fare vetëm para dhe pas botimit, si dhe kritiku M. Xhaxhiu, nuk kanë kapur gjë).


Mund të kritikohej dhe në gazetë, por që në këtë mënyrë, aq më tepër kur kishim një reagim nga “Zëri i Rinisë”?

    4. Cilat janë difektet e artikullit?


E trajton poemën si një paragoditje politike dhe ideologjike me pozicione të caktuara.

E sjerdizon kritikën me një demonstrim e diskretitim politik të anëtarit. (autorit)


Pa e analizuar vë në dyshim gjithë krijimtarinë e tij.(autorit)

Një poezi lidhet për (fermën? FH). dhe e diskretiton atë.

Në fund bën aluzion për fatin e autorit.

Me një fjalë nuk është një kritikë ideologjike, sado e pakët që mund të ishte, por një demostrim politik shoqëror i krijimtarisë dhe e personit.(autorit)
Meriton të shikohet si e e ka vetëvlerësuar artikullin dhe si është aprovuar botimi i tij.
Pjesa e parë e artikullit është tepër me forma solide
Për pjesën e dytë (personale) ku mund të jenë në dijeni nxënësit?
Siç duket në këto punë gjetën të tjerët dhe për të shprehur mendimet e tyre përdorën rininë (mos ngjan kështu edhe me letrën për festivalin)
Ata që kanë mendime ta thonë vetë hapur
Në këtë mes sa rol losin Hasan Çobani, Gazmend Kongoli dhe Razi Brahimi? Kjo do parë me shumë kujdes
A ka gjëra subjektive në marrëdhëniet e tyre me Faslli Halitin?
Për të ka qenë shkruar dhe një artikull denigrues 1969-’70 nga Kapllan Resuli, Gjergj Pinderi dhe Hysen Kurti
…………………………………………………………………………………………..
Poezia e Faslli Halitit
1. Tablloja e zymtë – kundër gjësë së verdhë (Historia e Partisë – portreti i Enverit), pse kjo kundërvënie?
2. Ka dy pole: a) Partia, Enver. b) Shefi i strehimit, kryetari i Këshillit
3. Vetëm Partia, Enveri, kanë vënë duart.
Ideja e një martirizimi të parëndësishëm për Partinë dhe për shokun Enver.
4. Asnjë nga ata që meritojnë strehim nuk merr (as Qazimi, as Meti, as Llazi, as Koçua). Marrin të gjithë ata që nuk e meritojnë?!
5. Partia dhe Enveri nuk flasin, të tjerët, (Lili, Koli flenë)
6. Gjithshka….zgjidhet me hatërhartim pesimist për gjëndjen-
7. Kujt i duhen nxjerrë dhëmbët, cilës burokraci?

1. Kush është në mes të Partisë dhe të Enverit dhe masave e puntorisë që ndikojnë të zgjidhen këto probleme?
Sa rol lot ky mekanizëm shtetëror?
2. Ç’është kjo atmosferë mjerimi, verdhësie, gjerdan, lotësh frikash, sentimentalizimi
3. Çdo të thotë të koleksionosh tmerre?
4. Në fund të fundit, ose nuk kemi këtu një deformim të realitetit
Arkivi Qëndror i Shtetit. Po aty. Fondi 14. Ap. Komitetit Qëndror të PPSH-së, (Struktura) Dosja 308. Viti 1973
…………………………………………………………………………………………………..

Kapitulli  i XXIV-të 

-Çuditemi me Ismail Kadarenë, autorin e shkrimit kritik “Ditët e sotme në poezinë e një të riu”, botuar në gazetën “Drita”, që është shprehur se vëllmi “Sot” na qenka një nga librat “më interesantë poetikë të botuar kohët e fundit” nga Shtëpia Botuese “Naim Frashëri”. Ose: “Në vjerasht e Faslli Halitit socializmi nuk qëndron në fjalë, ai është brenda vargjeve, brenda subjektit të thjeshtë të vjershave”. Për ç’socializmëm e ka fjalën autori i artikullit?
                                       Kapllan Resuli

Dokumenti që publikohet në këtë pjesë të librit është shkrimi i Kapllan Resulit (dhe dy personave të tjerë) që u dërgua për botim te “Zëri i Popullit”, diku nga viti 1970, në të cilin merrej në analizë dhe kritikohej ashpër poeti Faslli Haliti për poemën “Dielli dhe rrëkerat”, e cila ishte vlerësuar si e arrirrë dhe me nota mjaft pozitive nga shkrimtari Ismail Kadare. Ky shkrim i cili nuk u botua te “Zëri i Popullit”, tre vjet më vonë, (në kohën që goditej e kritikohej Faslli Haliti dhe Resuli ndodhej në burg), i është dërguar Komitetit Qëndror të PPSH-së dhe përkatësisht Pirro Kondit, nga ana e Ibrahim Uruçit, sekretar I Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve në atë kohë, në kuadrin e grumbullimit “të provave materiale” për fajësimin e goditjen e poetit të ri myzeqar, Halite. Si shkrimi i Resulit, ashtu dhe shkresa përcjellëse e Uruçit, botohet e plotë.

Shoku Pirro
Ky artikull është dërguar në “Zëri i Popullit” dy tre vjet më parë. Një nga autorët është Kapllan Resuli, sot i burgosur politik.
Është dënuar nga gjyqi jonë si anti pushtetit.
Ky njeri ka ardhur para disa vjetësh nga Jugosllavia si emigrant politik.
Të gjitha shënimet (anash) për këtë artikull janë vënë nga redaksia e Zërit të Popullit
                                                                       Ibrahim Uruçi
…………………………………………………………………………………………………………………..
POEZI  QË  S’PASQYRON  TIPIKEN
Lidhur me vëllimin “Sot” të Faslli Halitit
                         
Ca kohë më parë Shtëpia Botuese “Naim Frashëri” nxorri në dritë vëllimin “Sot” të letrarit lushnjar, Faslli Haliti.
Libri përmbledh 47 vjersha, shumica të botuar në organet e shtypit këto tre-katër vjetët e fundit. Bien në sy menjëherë se vjersht e Faslli Halitit janë të shkurtëra e kryesisht me varg të lirë; dromca të vogla që lexohen shpejt e poashtu shpejt edhe harrohen se kalojnë pa lënë ndonjë mbresë më të thellë. Ka mes tyre edhe krijime më të mira, por shumica porsa janë të dala nga djepi diletantesk e pa ndonjë vlerë, ashtu siç e ka konstatuar edhe Ismail Kadareja, që thotë: “Shpesh herë vjerasht e tij (të Faslli Halitit), janë të parealizuara. Shpesh herë një vjershë e tij qëndron midis një grumbulli vjershash pa vlerë. (“Ditët e sotme në poezinë e një të riu”, gazeta “Drita” Nr. 42, datë 12.X.1969).
Një numër i konsiderueshëm i vjershave të këtij vëllimi, jo vetëm që janë të parealizuara dhe pa asnjë vlerë, por paraqesin edhe pikëpamje të gabuara ideo-politike dhe si të tilla janë denigruese dhe në kundërshtim flagrant me realitetin dhe mësimet e partisë.
Ndër krijimet më të mira të këtij vëllimi, duken “Mbas mbledhjes”, “Panoramë myzeqare”, “Kish ujë në shpatull Myzeqeja”, “Kur vinin pranverat”, “Dhurim gjaku”, “Bisedë me babanë”, “Ai lulëzon”, dhe “Deri diku mund të këndoja i pari, e di”.
Kur themi se këto janë krijimet më të mira të Faslli Halitit, kjo s’do të thotë se këto krijime janë të përsosura e pa të meta. Edhe këto krijime kush më shumë dhe kush më pak, kush në përmbajtje dhe kush në formë, çalojnë aty këtu dhe hapin shteg për diskutime, duke i lënë kështu lexuesit shumë për të dëshiruar. Fjala vjen vjersha “Dhurim gjaku”, është e mirë por në katër vargjet e fundit, janë të tepërta dhe s’mund të thonë asgjë të re, kështu që s’i kanë mujtë redaktorët e vëllimit lirisht t’i hjekin vargjet që paraprijnë;

“Gjaku im Vietnam,
Eshtë i një grupi me tëndin”

E kanë thënë njëherë atë që pa ndonjë nevojë na e përsërit Faslli Haliti në vargjet “Shqiptarët gjakun e tyre, një grupi me tëndin e kanë”
Përsëritje të tilla të panevojshme që e dëmtojnë poezinë ka shumë në krijimet e Faslli Halitit. Në vjershën “Kullimi”, ai thotë: “Në ndërgjegjien time ka këneta, pellgje, moçale”. Fjalët ‘keneta’ dhe ‘moçale’, kanë të njëtën kuptim. E dyta është dhe fjalin e huaj, sllave (moçvara), në kuptimin ad literum të fjalës kënetë, kështu që kemi jo vetëm një përsëritje që s’thotë asgjë të re, një përsëritje që e dëmton poezinë, por kemi dhe futjen e panevojshme dhe të padëshiruar të një fjale të huaj.
Tek poezija “Duhet të këndoja i pari, e di”, përsëritjen e fjalës ndërsa, në fillim të vargut të parë dhe të tetë, jo vetem që s’ja kanë arrijtë qëllimit, efektit artistik, por edhe e dëmton shumëm ritmin e poezisë dhe rrjedhën e mendimit, duke krijuar kështu një frazë në kundërshtim me sintaksën e shqipes. Për këtë poezi, me që thamë se është e mirë, duhet të shtojmë se ajo është e mirë vetëm në qoftë se e shikojmë si një autokritikë personale.
Mirpo po ta shikojmë në planin e përgjithshëm, ashtu siç duhet shikuar një vepër artistike, ku uni i poetit duhet të shkrihet me unin e përgjithshëm, atëhere na duhet të themi se kjo poezi, jo vetëm që s’është e mirë, por edhe shtrembëron realitetin, se s’është e vërtetë se rinia e Myzeqësë qëndroi “Si dhëndrri që pret dhe përcjell”, ndërsa të tjerët po ja shtronin “hekurudhën te dera e shtëpisë”. Rinia e Myzeqesë hodhi kazmat e para dhe të fundit krah për krah me rininë e krahinave të tjera që vërshoi në Myzeqe. Rinia e Myzeqesë i priti dhe I përcolli vëllezërit dhe motrat e krahinave të tjera, jo e “mpirë” dhe “e hutuar” siç thotë F. Haliti, por me këngë dhe valle duke kënduar dhe duke kërcyer. Ndaj edhe themi se për këtë poezi, Faslli Halitin është për t’u përgëzuar për rrëfimin dhe autokritikën e sinqertë të ngritur në art, por ama ai duhet të dijën se çështja personale që nuk shkrihen në çështjet e përgjithshme, lexuesit pak ose aspak i interesojnë. E kur këto çështjet lënë shteg edhe për interpretime të padëshiruara, atëhere është më mirë që të mos ngrihen fare, në qoftë se s’kemi aftësitë dhe forcat për të ngritur në art ashtu siç duhet  duke i shikuar përmes kuadrit të përgjithshëm, përmes asaj që është tipike.
Ndër krijimet që posa kanë dalë nga djepi diletantesk mund të përmëndim “Kullimi”, “Veç kujdes”, “Kthimi i Skënderbeut”, “Rruga”, “Kolegu”, “Rini”, “lulzimi dhe ne”, dhe “Zhurmë”.
Mendimi ynë si lexues është që vëllimi duhet të kishte dalë vetëm me këto vjersha. Sa u përket 31 vjershave të tjera ne rezervojmë mendimin tonë. Pejsazhet “Pranverë”, “Shi maji”,
“Ardhja e vjeshtës”, “Unë nuhas pranverë”, “Marsi në Sarandë”, dhe “Shije të reja”, ne na duken tepër të përgjithshëme, pa jetë pa ngjyrëv kombëtare.

“Marsi,
Me kokën e kaltër
Me trupin e gjelbër
Kitarë e ujrave vari në qafë
Si tela kitarash rrëkerat i dredh
Luleve, blerimit, iu bën serenadë”.
                 (Marsi në Sarandë)

“Mbi koka jeshile pemësh
Natyra derdhi bojë të verdhë
Vjeshta krahët e artë
Mbi fusha i hodhi,
Dhe kodrave lart”.
                (Ardhja e vjeshtës)

“Nyja nyjën thërret
Me rrezet paralele zgjaten kërcellet
Blerimi kap syrin e gjelbërt gjithë qejf
Ujrat pranverore buzëqeshin të qeta
Pemishteve pjeshka fustanin e purpurt
Nis zbukuron me lulet e veta,
                (Unë nuhas pranverën)

Ja disa strofa të këtyre pejsazheve ku manija dhe dora e njeriut tonë nuk duket asgjëkundi. Këto pejsazhe bien erë kozmopolitizëm, s’e kjo natyrë që na vizaton autori, nuk pasqyron transformimin socialist në fshatin tonë fushor, apo malor, nuk ka asgjë kombëtare, asgjë shqiptare. Vargje të tilla për natyrën kanë shkruar dikur romantikët dhe sot shkruajnë poetët e rrymave të ndryshme, por kurrsesi shkrimtarët e realizmit socialist, për të cilët kozmopolitizmi, si armë e nacionalizmit borgjez, është i huaj.
Panorama e Myzeqesë që na jep Faslli Haliti nuk është ajo e ditëve tona. Ai thotë:

“M’i madh mik i fushës, plugu 
Mbi skenën e blertë këndon 
Një kor drapërinjsh, kazmash, kombajnash
E shoqëron”.

Është e vërtetë se dikur ka qenë “M’i madhi mik i fushës plugu”, Mirpo sot kjo panoramë ka ndryshuar. Në vënd të plugut kemi traktorët që buçasin anëembanë Myzeqesë dhe në vënd të krahëve të njëri-tjetrit, kemi kombajnat dhe maqineritë e tjera agroteknike. Buqësia jonë është modernizuar dhe plugu s’është më “miku më i madh i fushës”.
Dhe, ajo që është më e rendësishme, në Myzeqë sot vjeshta nuk sheh më fytyrën e vet “mbi pellgje me ujë” (“Ardhja e vjeshtës”). Këtë pasqyrim e ka pas vjeshta në Myzeqenë e bejlerëve dhe agallarëve, por jo në Myzeqenë e partisë dhe të popullit punues.
Me plot të drejtë na thotë një agronom në Lushnje:
“Në qoftë se është e vërtëtë ajo që thotë Faslli Haliti në vëllimin e tij “Sot”, për Myzeqenë, në qoftë se është e vërtetë se vjeshta sheh fytyrën e vetë mbi pellgjet me ujë këtu në Myzeqe, atëhere Partia dhe Qeveria duyhet të më hedhin hekurat në duar, se më kanë vënë në dispozicion miliarda për t’ja ndryshuar pamjen Myzeqesë, për të tharë kënetat dhe pellgjet, që vjeshtat më të mos shohin fytyrën e tyre mbi pellgjet me ujë. E këtë gjë duhet ta dijë fare mirë Faslli Haliti, se edhe në qoftë se s’ka kaluar në fushë për të parë ndryshimet kolosale, sihariqi i këtyre ndryshimeve duhet t’i ketë arrijtur edhe në dhomën e tij prej fildishi, ku me siguri nuk dëgjhoet piskama e mushkonjave”.

Ja dhe disa vargje nga vjersha “Shije të reja”:
“Retë lëshojnë shiun
Zbardhon si vijë e bardhë horizonti
Zverdhen zhabinat e verdha
Më kërkuat fusha
arat fshatrat
Erdha”.

Vallë, tre vargjet e fundit të kësaj strofe a nuk edukojnë tek lexuesi pasivitetin nënshtrimin e njeriut prej natyrës? Si është e mundur që fshatari ynë kooperativist i edukuar nga partia me botkuptimin materialist, sot, mbas 25 vjetëve, përsëri të presë lëmoshë nga natyra? Kësaj i thonë të shkruash larg fshatit dhe fshatarit, që nga tavolina. Do të ishte mirë që më parë autori të vizitointe rezervuarët e Thanës, hauzet dhe kanalet vaditëse anë e kënd Republikës….Por e keqja s’qëndron këtu?
Le të ndalemi tek vjerash “Sot”, “Kuadrove që nuk u iket”, “Në fushë”, “Unë, mësuesi i fshatit”, “Mik në fshat”, “Ike”, “Ajo”, “Kaloj”, “Nata”, etj.

Njerëz që venë në kamp në Durrës
Që venë të takojnë të fejuarën
Që nisen të shohin një ndeshje futbolli
Që nisen të marrin provimin e parë
Që nisen të marrin provimin e fundit
Që nisen kufirit ushtarë”.

Po të heqi vargun e fundit, autori në vjershën “Sot”, na server si problemet më shqetësonjëse të kohës sonë, pushimin, dashurinë dhe diplomën për të garantuar qetësinë personale
Ç’vargje të neveritëshme?!

Vallë s’kishte mundësi autori në vjershën “Sot” të na paraqistë inisiativa që kanë lindur në gjirin e të rinjëve dhe të masave për të zbukuruar malet me taraca, për të përvetësuar mësimet e partisë dhe të shokut Enver, për të hequr dorë nga prona personale, për të mësuar gjithë artin ushtarak etj.
“Sot”! Vallë, ku duket heroizimi masiv, ku duket solidariteti popullor, ku spikat uniteti moralo-politik Parti-Popull….?! Askund, askund, veç predikimeve të sëmura….veç predikimeve alla-revizioniste…veç rrugëve pakrye:
“Njerëz që ikin kudo
ku të mundin…”.
                                “Sot”
Besnikëria dhe gadishëmria e kuadrove tona të edukuar nga mësimet e mëdha të partisë për të vërshuar poshtë, ku e lyp nevoja e atdheut – ja lajtmotivi që duhet të frymëzonte Faslli Halitin. Por këtë fakt autori e ka injoruar në vëllimin e tij duke shkruar:
“Kuadro kudo nëpër poste ku jinni,
Që dot nuk ju iket 
Që dot nuk ju zbritet…?!”
                     (“Kuadrove që nuk ju iket”).
Vëllë ky është realiteti ynë? Kurrsesi! Faslli Haliti do të bëjë mirë që të njihet me të gjithë kuadrot e reja që kanë zbritur nga kryeqyteti në qytetin e Lushnjës dhe ndër të gjithë qytetet dhe fshatrat e Shqipërisë, për të kuptuar se tipari karakteristik i kuadrove tona nuk është “ngurimi i imagjinuar nga Faslli Haliti, por besnikëria dhe gatishëmria e tyre. Nëse autorin e zë meraku për ata pak individë trumykur e burokrat që nuk shohin më tej nga hunda e tyre, e këshillojmë që të mos shqetësohet, sepse Revolucioniut fitimatar nuk i bëhet vonë për të tillë bashkëudhëtarë miopë dhe egoist.

“Kemi përpara vjershën “Në fushë”, Lexojmë;
“Nuk prashitet më
Nuk korret më
Vapë
Sa s’ka”.

Stepjen nga vështirësitë, ja ç’na edukojnë këto katër vargje?! Sjellim ndërmënd vargjet e poetit tonë të respektuar, F.S. Noli:

“T’u tha gryka po s’të pihet
T’u mpi këmba po s’të rrihet
Se mileti po të pret…
………………………………………
Shpejt or Marathonomak”!
Ç’optimizëm na ngjallin këto vargje të shkruara 39 vjet më parë?!
Sa keq na vjen që Faslli Haliti, në vënd që të na japën figurën e Marathonomakut të ri të kalitur në kudhërën e partisë, na  servir një fshatar, individ i cili, pasi i than gjoksin katruveve, ngul kazmën në tokë dhe ja fut gjumit nën hijen e goricës? E ç’mund të mësojë lexuesi prej një vjershe të këtillë, ku as nuk duket puan kolektive, ku askund nuk vështrohet teknkika dhe agroteknika, ku veç misrit dhe grurit, nuk mbillet asnjë kulturë tjetër, ku autori predikon përtacinë dhe stepjen nga vështirësitë? Dhe kur? 39 vjet mbas Marathonomakut të F.S. Nolit, kur ne me plot të drejtë presim prej poetëve tanë që s’ë paku nga ana ideore, të qëndrojnë më lart se F.S. Noli.
Lidhur me vjershën “Mik në fshat”, që është një ndër vjerasht më të mira të këtij vëllimi dhe që ka vargje dhe pasazhe të mrekullueshme, është shkruar në ndonjë artikull kritik se gjoja këtu na u pasqyruakan ndryshimet social-ekonomike që po ndodhin në fshatin tonë socialist, etj. S’ka si të mos qeshim me këtë vlersim subjektivist, që bien në kontraditë me vargjet e letrarit të ri, i cili në mes të tjerash thotë:

“Daja fshatrave nuk la pa u thënë:
Nusen me nipin sonte kam miq,
Po dreqi ta hajë se sot bukë gruri
Plaka ime s’paska gatuar!
Po jemi në kohën e lëmit moj plakë”!

A nuk flasin këto vargje për një fshat më të prapambetur, edhe të pakolektivizuar, kub sejcili fshatar ka magjen dhe lëmin e tij?
Nëse Shahini do të paraqitej si anëtar i kooperatisvës, ankesa e tij do të ishte absurd, sepse në kooperativë anëtarët bukë nuk gatuajnë vetë, por e marrin në dyqanin e bukës, ndersa lëmenjtë janë pronë e paprekëshme e kolektivit të bashkuar. Autori gjithashtu ka harruar faktin se shallvaret dhe tumanet nëpër fshatra tona fushore dhe malore janë zëvëndësuar me veshjen e lehtë socialiste?!
“Kjo qenka moj nusja e nipit të Shahinit?!
Ç’qënka moj qyqe kjo nuse kështu?!
Kjo të shikoka në kokërr të syrit
Supet përjashta fustanin nën gju”?!

Ky fanatizëm ky ambijent fshataresk, bien në kontraditë me fshatin e ri socialist ku të rejat dhe nuset po shkallmojnë dita ditës zakonet e vjetra, po luftojnë thashethemet, po përqafojnë normat e moralit të ri, po futen gjithnjë e më shumë në rrugën e përparimit, po marrin pjesë gjallërisht në të gjitha fushat e jetës.
Asnjë përgëzim nuk meriton as vjersha “Unë mësuesi i fshatit”, sepe autori, në vënd të figurës së mësuesit, komisar drite dhe përçonjës i politikës së partisë në fshat, na ka dhënë figurën e një mesuesi qesharak;

“Pantallonat e mija zhytur në çizme
Flokët e mij të qullur
Që kullojnë
Që varen teposhtë
Si flokët e Senekës”.

Ky mësues ka katandisur në këtë gjendje sepse “imazhi i vajzës bukuroshe”, e tërheq vazhdimisht drejt qytetit. Në asnjë varg ky mësues nuk del si aktivist shoqëror në fshat. Mëndja e tij është e mbarsur vetëm me formula, konveksjone dhe “eksklamacione”. Ky lloj mësuesi s’ka asgjë të përbashkët me Ndrec Ndue Gjokën, Ismet Sali Bruçajn, me mësuesit e Kolonjës e të Mirditës, dhe me mijra e mijra mësues të tjerë që lumturinë e gjejnë në fshat, në gjirin e fshatarësisë kooperativiste.
Në një kohë kur Partia lufton për emancipimin e femrës shqiptare, në një kohë kur udhëheqësi ynë i madh shoku Enver Hoxha ngre lart gjestin e qytetares Athina Mile, që zgjodhi për bashkëshort një të ri kooperativist nga Malësia e Mirditës, Faslli Haliti në poezinë “Ajo” dhe “Ike”, na e paraqet femrën të varfër shpirtërisht dhe të prapambetur nga ana ideore:
“Jam fshatar ( qytetare)
Jeni fshatar!
S’mund të martohemi bashkë!
                                            (“Ajo”).

“Në livadhin e blertë të shpirtit të ri
Me lule ndjenjash, dashuri të njomë,
Ishe
Por ike
Ike skëterrës së shpirtit të tij
Ku lulëzonte vetëm një diplomë”.
                                                     (“Ike”)

Ashtu si te vjersha “Kuadrove që nuk u iket”, edhe në këto dy vjersha të vogla, autori nuk ka kapur tipiken që ne e shohim të mishëruar në gjestin e Athina Miles dhe të qindar arsimtareve myzeqare dhe korçare që vullnetarisht kanë shkuar në zonat e thella malore të Veriut, për të shërbyer si edukatore të brezit të ri.
I padrejtë na duket krahasimi i natës me nënën e dëshmorit që i dha Luftës Nacional-Çlirimtare djalin apo vajzën e vet: “Nata, si nënë dëshmori me sharpin e zi…”. Dhe jo vetëm në këtë vjershë. Krahasimet e Faslli Halitit thuajse nga vjershë në vjershë çalojnë. Paralelizmi i pranverës me hoxhallarët dhe i fluturave me nuska në poezinë “Kur vinin pranverat”, tregojnë papjekuri të theksuar.
Shenja formalizmi dhe manjerizmi vëmë re te vjersha “Kaloj”, ku e gjithë amfora na duket e kërkuar artificialisht, në kundërshtim edhe me natyrën e gjuhës sonë, e cila pranon të tilla frazeologji; “buzë lumit”, “buzë liqenit”, “buzë detit”, “buzë malit”, por kurrsesi; “buzë vetullve”, “buzë syve”, “buzë flokëve”, “buzë buzëve”, etj.
S’jemi dakort as me konceptin ideo-politik të autorit që duke kaluar tek traseja, nuk sheh tek aksionet tona dashurinë ndaj Atdheut, por dashurinë seksuale; nuk sheh bukuritë e sakrificës dhe të vetmohimit, bukuri të entuziazmit rinor, të patriotizmit dhe të ndërgjegjies së lartë socialiste, por bukuritë e syrit të aksionistëve, të buzëve vishnje, të syrit, të vetullave, të trupit të hijshëm dhe flokëve. Dhe autori shpif me paturpësinë më të madhe kundër aksionistëve tona, kundër motrave dhe bijave tona, duke thënë se një njeriu të tillë, ato me qindra ja bëjnë me dorë, e ftojnë për dashuri seksuale. Kjo siç thamë është një shpifje e paturpshme dhe e palejueshme, se njerëzve të tillë, aksioinistet tona, rinia jonë, jo vetëm që s’ua ka bërë dhe s’ja bën me dorë, por u ka pështyrë dhe u pështyn në surrat dhe ka marrë dhe marr masa kudo që i zbulon për edukimin e tyre. Një mendim i tillë i autorit asesi s’pajtohet me realitetin ndër aksionet tona, ku shkohet për t’u kalitur ideologjikisht e fizikisht edhe jo për t’u dashuruar.
Partisë Faslli Haliti i kushton vetëm vjershën “Kudo” e cila s’është gjë tjetër vecse pllakat, ku PPSH - në e gjejmë vetëm të shkruar vetëm; “mbi mezhda”, “bri rrugës”,”ballin e malit”, “mbi faqen e xhamit”, “në hyrjen e një fabrike”, “në prolog të një poeme”, por jo në zemrat e njerëzve të cilët nën emrin e saj munden me furtunën, me zjarrin, me tërmetin, me armiqtë e revolucionit dhe kurdoherë dalin fitimtarë.
Në vëllimin “Sot”, ndeshemi edhe me krijime shumë të dobta nga ana artistike, si fjala vjen “Lushnja natën”, që s’paraqet asgjë të re, asgjë të veçantë për Lushnjën si qytet i rëndësishëm bujqësor dhe industrial.
Fakti që autori s’na flet as për punëtorët e turnit të natës, as për bisedat e nxënësve që kthehen nga shkolla e bashkuar pa shkëputje nga puna, as për traktorët që në periferi të qytetit zhurmojnë  gjer në orët më të vona të natës, na bën të mëndojmë se Faslli Haliti e sodit jetën vetëm nga larg.
Vjerash “Kujtimi im nga një eskursion”, inkuadrohet ndër krijimet më të dobta, të pafrymëzuara, ku vetëm përmënden dhe objekte ku autori dhe kolegët e tij kanë parë dhe kanë marrë me vete. Në përgjithësi poezia e Faslli Halitit është një poezi e përciptë, pa frymëzim, e ftohtë, e për më tepër denigruese, sepse Faslli Haliti nuk e vështron realitetin tonë ashtu siç është, por siç ka qenë dikur, nuk krijon poezi të realizmit socialist, por poezi të sëmura që dalin duke e vështruar realitetin përmes një prizmi personal e të huaj për ideologjinë tonë.
Çuditemi me autorin e shkrimit kritik “Ditët e sotme në poezinë e një të riu”, botuar në gazetën “Drita”, që është shprehur se vëllmi “Sot” na qenka një nga librat “më interesantë poetikë të botuar kohët e fundit” nga Shtëpia Botuese “Naim Frashëri”. Ose: “Në vjerasht e Faslli Halitit socializmi nuk qëndron në fjalë, ai është brenda vargjeve, brenda subjektit të thjeshtë të vjershave”. Për ç’socializmëm e ka fjalën autori i artikullit? Partishmëria jonë tek vëllimi i Faslli Halitit është e jashtëme, qëndron vetëm në fjalë dhe nuk futet në brendi të subjektit. E përsa i përket vjershave të gabuara, ajo është edhe e huaj.
Ne dhe shumë pjesmarrës të diskutimit krijonjës të organizuar nga Shtëpia e Kulturës e qytetit tonë për lbrin “Sot”, s’pajtohemi as me mendimet subjektive të Ismail Kadaresë dhe as me çmimin e tretë që zhuria e poezisë i dha këtij vëllimi në konkursin e madh kombëtar të shpallur me rastin e 25 vjetorit të çlirimit të Atdheut tonë. Ne jemi të mendimit që autorëve të rinj u duhet dhënë ndihmë për të përvehtësuar mësimet e partisë, për të njohur jetën dhe për të zotëruar artin e të shkruarit, por në asnjë mënytrë të mos u bëhen lëshime në ideologji ose t’u fërkohen krahët kur ata nuk e meritojnë. Tek autorët e rinj nuk duhet vlerësuar vetëm manitë e tyre për të krijuar figura bajate;

“Kamarieria puhi
servir freski”.
                            
Apo;
“Kooperativa berbere e rreptë
flokrat e ferrave fare i qethi”.

E themi këtë se figura të tilla, tendenca formaliste dhe manjerizmi, e bëjnë lexuesin tonë të rëvoltohet, të pështyjnë në atë poezi e të thotë; “Kjo nuk është poezia që unë kërkoj nga poetët e realizmit socialist”.
                      Kapllan Resuli, shkrimtar
                                Spiro Dinaku, nënpunës
                                Hysen Kurti, punëtor

Arkivi Qëndror i Shtetit. Po aty. Fondi 14. Ap. Komitetit Qëndror të PPSH-së, (Struktura) Dosja 308. Viti 1973