Thursday 19 November 2015

CIKËL: PËR PARISIN

CIKËL: PËR PARISIN
 


 PËLLUMBAT FLUTUROJNË
 
Shesheve të Parisit pëllumbat e paqes u përpoqën t’ua vrisnin.
 

Gugatjet, këmbana pa gjuhëza
Fluturimet, rrathë të zinj tymi,
Krahët ajër i sharruar,
Këmbët pranga të ndryshkura,
Sytë shpella varresh.
  
Një çast
Violinat prehër heshtjeje,
Mona Lizës faqeve i rrëshqiti një margaritar,
Luvri, telajo e bardhë.
Karafila gjaku Siena,
Venë e ndalur Shanz Elizeja,
Në këmbë të pëllumbave
Fjongo e zezë lidhur Harku Triumfit,
Kopshtet, krah pëllumbash,
Me gërshërë ndryshku prerë,
Sheshet, erë ngjyrë gjaku të përflakur,
Ejfeli flamur gjysmështizë
Bota: Paris, me ty,
Në mort më shumë se në gëzim.
 
Një çast...
Dhe..., pëllumbat e paqes..., pëllumbat e paqes
Përgjakur, gjymtuar, krejt trupi i copëtuar 
Si i vdekuri nga varri u ngritën
Hapën krahët dhe qiellit fluturuan.
 

 
PARISI NË ZI
 
 
Qielli i qelqtë u shkërrmoq, befas, u nxiiiii...,
Rrëqethëse qarja, me ulërima: oiiii..., oiiiii...,
Lotët rrëke s’pushojnë, rrjedhin shiiiii...,
Oqeani ndal dallgët, kripë lotësh piiii...,
Ejfeli lidh ballit shirit të zezën shami...,
Parisit i gjithi në gjunj mban ziii....,
Me ligje qajnë vargjet: oiiii...., oiiii...,
Loti im shterur, qepallesh kripur, oiiiiii...,
Shkriposet rrugët lanë rrebesh bie e shiii...,
Dhe bota luan vendit, lëshon kujen, oiiii..
Kujen...,kujen...,kujen...
Ku-jeee...-niiii....
Oiiii..., ooo....iiiii, ooo....iiiiii....
          O       O
          I         I
          I         I
          I         I
          .         .
          .         .
          .         .
 


KUAJ TROJE
 

Kashaisjen,  me krehër të ri
Kapur pas krifës, kalorësit e kollarisur,
Kofshëve, kurrizit,  shpatullave, bishtit
Kalit të Trojës duke kalëruar ia kryejnë.
 
Jelesh mbërthyer,
Çizme çeliku mbathur,
Barkut me mamuze majëheshta
Shpojnë, trokthi kuajt i ngasin.
 
Fort frerin dhëmbësh fërkojnë
Dhembin dhëmballët, shkërrmoqen.
As vickla, as shkelma, as tërbime
Me të katra, gallopthi, trokthi
Ua marrim frymën në vrap
Djersitur, lodhur, dobësuar
Në strajca tagji misri u çojnë
Butrin shtruar ua kemi për shtart
Patkonjtë nga qielli u kthen sakahia pas pak.
 
Mes rehatish puplash shtrihen
Gjumit të vdekjes ia kaputin
Me gërrgërritjes së gërrhimave.
 
Trojanët, lidhur me litarë
Stërmundimshëm, rrëshqanthi,
Mbytur në pellgjet e djersës
Brenda qytetit Kalin e çuan,
Portat i mbyllën me trarë të rëndë
Në vaska vere festuan
Sytë mbyllën me pllak gjumi arkivol të rëndë.
 
Vështrim nuk hodhën të shihnin barkun e mbarsur
Kali odisenia natën gjumashe priste barkun për të zbrazur.
 
Botë e kollarisur, përgjumur
Mbi shala moderne Kuajsh kapërdisur,
Lodhni, ngitni revan,
A vallë harroni që janë e do të jenë
Barkqelbësirash mbushur
Kuaj odisenian .
 
Barku as heshta, as kordha, shigjeta, shpata
Gjoks e bel shtrënguar, bombat gjerdan
Kollaret tuaj si fitila kanë.
 


 
RRJEDHIN LOTË
 

Syri si zemra ndjen,
Zemra shkul brinjët gardh kraharori
Syri ngarkon qerpikët me rubinë.
 
Kush zemrën eshkë e ka kthyer
Syri bërë shkretëtirë.
 

 
PERËNDITË KU JANË?

 
Perënditë, në janë
Majëmalesh, në qiell,
Në frone shkëmbinjsh,
Të ftohta, mermer,
Vendit të luajnë
Pak gjunjët të thyejnë
Pafajësisë së të përgjakurve
Me flakët e ferrit dantesk
Përgjaksve t’ua kthejnë.
 
Perënditë në se janë,
(Edhe pse vet s’besoj,
Askujt këtë gjë në botë
S’kam të drejtë t’ia mohoj)
Mbi frone këmbëkryq,
Një sy le të çelin,
Të prishin pak gjumin
Për shpirt të të vrarve,
Të falen, përulen,
Dhe shpirtin e përgjaksve
Ta përvëlojnë
Në prushin e turrës së druve.
 

 
TË PASHPIRTËT
 

Kush për shpirt ka shkretëtira  të shkretuara
Edhe retinën e syve, perden e tyre, vet sytë
Dhe edhe qepallat e qerpikët i ka mbjellë me rërë,
S’ka ku ta gjej oazin e fshehur, pikëz loti,
Pikëz vese të bjerë  
Të njomë qoftë dhe një thërrmijëz të vogël,
Djegur në zhegun zhuritës,
Ta bëj pakëz të ndiej
Edhe pse s’ka rrënjë.
 

 
TË AFËRMVE TË VIKTIMAVE

 
Një tufë trëndafilsh?
Trëndafilat e kopshteve të Parisit vrapuan
Për mua s’lanë vend.
 
Një letër shiritzezë?
Postierët pëllumba të gjithë
Qenë të zënë.
 
U ula dhe lotë, thashë, po dërgoj,
Një pikë loti nga ai, që,
Me ngrohtësinë e tyre shkriu
Ajzbergët s’i la të qëndronin në këmbë
 

NEW YORK-PARIS
 
Katërmbëdhjetë vjet më parë
Mëngjesi i New Yorkut gdhiu,
Flakë kuçedrash që qiellin zhuritën,
Globit jetën si në makinë mishi ia grinë.
Zjarr që detet dhe oqeanet i thau
Dhe pikën e fundit të ujit ua thëthiu.
 
Kontinentit të vjetër
Gllënjka e verës së mesditës
Kantinë helmi,
Sytë rubineta shiu  
Lumenjtë e fryrë të tyre përmbytën
Detet dhe oqeanet
Anija s’mbytet
Mes dallgësh dhe valësh
Ulet e ngrihet në lundrim.
 
***
Thëngjijtë nën hirin e ftohtë fjetur, fshehur
Mbrëmjes u ndezën, shpërthyen vullkan,
Gjumit të natës flakë fabrikash vajguri i vunë,
Me pabesi makbethiane e torturuan, vranë.
 
Zjarri i llavës lulet e bukura Parisit,
Një nga një ia këput, ia djeg
Tmerri, gërshërë kasapësh,
Që mishin qeth.
 
Përtej Oqeanit,
Kontinenti i Ri
Dorën hedh urë mbi përmbi dallgë,
Fidan fidanishtesh fushave të Francës prej flakëve flakëruar,
Fasho freskuese fjalët fërfëllijnë,
Det dashurie derdhur për dëshmorët,
Lule lirie lulishteve lindin, lulëzojnë,
Buqeta besimi për buzët e bulevardit,
Vllazërim me vendin e vllazëruar,
Parqet e Parisit në paqe të prehen.
 
USA

No comments: