Friday 27 November 2015

NA IKU PALEONTOLOGU I RRALLË, PROFESOR LUAN C. HASANAJ



Nga Msc. Albert R. HABAZAJ

Atë ditë nuk ra shi, po rrebesh i paparë, kohë pas kohe, para dhe pas mesditës. Atë ditë na iku një shok shumë i mirë, që ishte dhe një intelektual i plotësuar, i duhur për përparimin e vendit. Na iku Luani. Na la. E përcollëm të dielën e 22 Nëntorit 2015. Ora 12.ºº. Gjatë ceremonialit të lamtumirës, u hap koha. Mbajti. Sa u larguam ne, filloi prapë shiu i fortë me furtunë. Çudi!...Na dhembi fjala nga hidhërimi i humbjes së parakohshme. Ai la pas emrin e lartë dhe dy fëmijë të edukuar: Anin 27 vjeç dhe Belindën 24 vjeçe, studente e shkëlqyer (excellent student). Djali ka studiuar në Itali për Inxhinieri mekanike (Ingegneria dell'Autoveicolo), ndërsa vajza, pasi përfundoi me mesatare 9.97 Bachelor për Shkencat matematike (2009 - 2012) në Universitetin “Ismail Qemali”, Vlorë, fitoi bursë për në Amerikë, ku realizoi Edukimin për “Master i Shkencave të matematikës kompjuterike” (2012 - 2014) në Universiteti Duquesne, Pittsburgh, PA. Është cilësuar “Dekane Nderi e Studentëve të Universitetit “Ismail Qemali” të Vlorës. Vijon doktoraturën dhe i është futur kërkimit shkencor atje, në gjurmët e babait këtu. Belinda nuk e arriti dot… Nuk e priste. Nuk e prisnim. Qe i forte ai. Bëri luftë me sëmundjen trimi. Qe optimist. Por ra. La emrin e mirësinë. Unë ia thashë Fjalën e lamtumirës, sipas kërkesës së tij (nga vëllai vogël m'u tha). Me lot brenda fola. Dy fjalë...Kishte lënë me shkrimin e tij këtë amanet nipit (djalit të vëllait) dhe me atë Flamur e mbuluam të prehet në paqe. Ja teksti i amanetit lënë nipit, djalit të vëllait, të Maksit: “Ditmir! Porosi nga xhaxhi! - Merri këto lekët dhe bli një flamur autoktonus dhe ma hidh mbi arkivol kur të kem dhënë shpirt. Xhaxhi yt Luan Hasanaj, (firma), 15.XI.2015”. Pati zhvillim të kancerit në mushkri (dhe qe femër). Ne do ta kujtojmë gjithmonë mik të pastër, bujar, me literaturën më bashkëkohore të fushës në dorë, por edhe nga Letërsia botërore me përkthime cilësore. Gjithmonë në kërkim shkencor, si në foton më kuptimplotë e simbolike të tij me mikroskop, që po e publikojmë dhe në gazetë. Shkrepsen e miqësisë tonë të pastër e ndezi miku im i paharruar Dr. ing. Kujtim Peçi, që ishte dhe miku i tij, sepse dhëndrrin e Kujtimit, Xhorxhi Gegën, Luani e kishte koleg e mik, shok shkolle e shok të ngushtë dhe Xhoxhi ka Matildën grua, vajzën e vetme të Kujtimit e Lados. Për kujtim të Kujtimit unë, me ndihmën e Lavdies stoike (gruaja e Kujtim Peçit), botova monografinë “Kujtim Peçi, një intelektual i shquar erudit” (Vlorë, 2010). Si bashkautor me Sazan Gurin, Luani ka botuar librin “Ekologjia. Bazat e ekologjisë (njohuri themeltare të shkencës ekologjike), (Tiranë, 2012) dhe ka përkthyer në shqip nga anglishtja librin “Bazat e gjeologjisë: GJEO-150, UV” të autorëve Frederick K. Lutgens, Edward J. Tarbuck e Dennis G. Tassa (Vlorë, mars 2014) Ai ka përkthyer edhe një libër letrar, ndër historitë më të bukura në botë të dashurisë, romanin “Kristalina” të Danielle Steel, (Tiranë: Konica, 2002); si dhe librin metodologjik të edukimit nga Roza Taunsend “Learning Wealth”  (“Si të mësojmë më shumë”), (Vlorë, 2003), etj., etj. Librin e Remnick. “Lenin’s Tomb. Last Days of Sovietic Empire” (“Varri i Leninit, Ditët e fundit të Perandorisë Sovjetike”) e ruaj unë, korrektuar e redaktuar, në desktopin e kompjuterit, të shqipëruar nga Luani në pritje të ndonjë bujari për ta botuar. Në faqen zyrtare elektronike të Universitetit “Ismail Qemali”, Vlorë, rubrika “Njoftime” më 22 Nëntor 2015 postohet: “Lajmërim ndarjeje nga jeta -Të dashur kolegë, pedagogë dhe studentë, Me hidhërim të thellë ju njoftojmë ndarjen nga jeta të kolegut tonë të përbashkët, Prof. Assoc. Luan Hasanaj, pedagog në Departamentin e Shkencave Detare dhe Kërkues Shkencor i shkëlqyer pranë Qendrës Kërkimore Shkencore të Universitetit “Ismail Qemali” të Vlorës. Në emër të gjithë stafit akademik dhe administrativ të Universitetit të Vlorës, Rektori i këtij universiteti Prof. dr. z. Albert Qarri, i dërgon ngushëllimet më të sinqerta familjes së tij, gruas, fëmijëve dhe të afërmëve të tij duke ndarë me ta dhimbjen e papërshkrueshme për humbjen e njeriut të tyre më të dashur por edhe të kolegut dhe mikut tonë më të mirë. Për një material më të zgjeruar për jetën dhe veprën e kolegut tonë Luan Hasanaj klikohet në jetëshkrimin e tij hedhur në faqen online të universitetit tonë. Fjala e lamtumirës, që unë mbajta: Të nderuar miq! Luani na la!...E kemi të vështirë të themi dy fjalë ngushëllimi për Luanin tonë, që s’është më me ne. Dhemb fjala e sa s’çan kraharorin, por Luani qe trim e na do trima dhe ne, respektorët e tij. Ai u lind 60 vjet më parë në një familje atdhetare e dituridashëse nga prindërit Hateme Pilurja, me origjinë nga Nivica e Kurveleshit dhe Caush Pasha Hasanaj nga Koculi i Vlorës, me origjinë kurveleshas dhe ai. Luani ishte i pari ndër 10 fëmijët e Hateme Zonjës dhe Caush Kapedanit. U arsimua; punoi me devotshmëri, përgjegjësi profesionale e aftësi të larta kërkimore - shkencore; u martua me Lolën fisnike e dinjitoze dhe bënë dy fëmijë shumë të mirë, Belindën dhe Anin, të denjë për familjen, dijen, shoqërinë dhe moralin njerëzor. Motra të Luanit tonë: Liri, Flora, Lizeta e Valentina! Vëllezër të vëllait tonë Luan: ti, Aleksandër, Maksi, Arben, Sinan e Albert! Ne, shokët e tij të Universitetit “Ismail Qemali”, që nga rektori i universitetit Prof. dr. Albert Qarri e deri tek punonjësi më i thjeshtë ju ngushëllojmë sinqerisht me dhembje, se Luan Hasanaj qe për ne simboli i mirësisë, etaloni i bujarisë, fisnik  i diturisë, imazhi i gjallë i kërkuesit shkencor. Ai s’mund të kuptohet përveçse me syrin në mikroskop me orë të tëra për analizat e kampioneve e mostrave. Ai s’mund të kuptohet përveçse seriozisht e me vullnet balzakian mbi përkthimin e librave shkencorë të fushës, mundësisht gjurmonte botimet më të reja, korrente nga anglishtja. Ai gëzoi të tjerët, por s’gëzoi dot veten. Nuk arriti të gëzojë begatinë e trurit e të shpirtit të Belindës dhe të Anit. Lola t’i gëzojë. Vëllezërit, motrat e fëmijët të rrojnë e ta kujtojnë. O SHOK I MIRË, inxhinier i respektuar, paleontolog i rrallë, o Profesor Luan Caush Pasha! T’u preftë shpirti në paqe e dritëroftë kujtimi yt për fëmijët e familjen tënde! Në kujtim të tij, ju lutem një minutë heshtje! Lamtumirë vëlla! Nga Albert R. Habazaj. Belinda më dha mua jetëshkrimin e tij dhe më thotë se ai ia kishte lënë vajzës të plotë. Po e botojmë dhe jetëshkrimin e shkencëtarit tonë, që do të na mungojë vetëm fizikisht: “QENDRA KËRKIMORE SHKENCORE PËR STUDIME MJEDISORE: CURRICULUM    VITAE; Mbiemri: Hasanaj (Hasani, Pasha); Emri: Luan; Datëlindja: 19. 01. 1955; Profesioni: Gjeolog, Paleontolog; Adresa: Universiteti “Ismail Qemali”, Vlorë, Qendra Kërkimore - Shkencore, Laboratori i Mikrofaunës. (e punës); Lagja “Kushtrimi”, Rajoni nr. 5,Vlorë. Tel.0692960534. (e shtëpisë); e-mail: luanhasanaj@yahoo.com; arsimimi personal: Shkolla 8 vjeçare Kocul, Vlorë; 1970 - 1974 Shkolla e mesme e Naftës, Dega Gjeologji, Kuçovë; 1974 - 1979 Universiteti i Tiranës, Dega Gjeologji Nafte. Kualifikimi Pasuniversitar: 1981 - 1983 Kurs Pasuniversitar 2 vjeçar, Paleontolog. Diplomë në bazë të temës së mbrojtur: “Biostratigrafia e depozitimeve nga Oligoceni deri në Miocen të poshtëm bazuar në foraminiferet”. Mbrojtje e Gjuhës së Huaj, Anglisht; 1991 Mbrojtje e Titullit “Doktor” në bazë të temës së mbrojtur: “Biostratigrafia dhe paleoekologjia e Miocenit të mesëm e të sipërm në Zonën Jonike dhe Ultësirën Pran-Adriatike”. Shënim: Në bazë të propozimeve të bëra në disertacion për përdorimin edhe në vendin tonë të stratotipeve Mesdhetaro - Europiane (Langhian, Seravalian, Tortonian e Mesinian) u bë e mundur që nga viti 1991, se u pa e domosdoshme që edhe gjeologjia shqiptare të fillonte të punonte dhe të komunikonte me këta terma Europianë. Gjithashtu pjesa e dytë e disertacionit i kushtohet studimeve paleoekologjike të foraminifereve (njëqelizorëve). Në bazë të vrojtimeve statistikore u analizuan shumë raporte si plankton/bentos, plankton/faune totale, aglutinuar/bentos, etj, u paraqitën grafikisht me metodën e regresit linear këto raporte dhe, duke u bazuar në metodën e aktualizmit u nxorën konkluzione të rëndësishme në lidhje me ambientin e sedimentimit dhe mënyrën e jetesës së kësaj mikrofaune. Ky studim ndihmoi në interpretimin për herë të parë në vendin tonë të ambienteve të sedimentimit dhe ngriti nevojën e ndërrmarrjes së të tilla studimeve në të ardhmen nga specialistët përkatës.   Eksperienca Profesionale: 1979 - 1981 dhe 1983 - 1986, Gjeolog në Nd/jen e Kërkimit të Naftës, Vlorë. Puna konsistonte në përshkrimin, dokumentacionin e shllameve dhe kampioneve të puseve e proceseve të ndryshme gjatë shpimit të puseve si dhe ide dhe opinione të ndryshme në lidhje me projektin gjeologjik, përgjithësimin e të dhënave etj.; 1992 - 1996, Shef i Departamentit të Paleontologjisë dhe Petrografisë, në Institutin e Naftës e të Gazit, Fier; 1986 - 2007, Gjeolog-Paleontolog në Qendrën Kombëtare Shkencore të Hidrokarbureve, (Ish- Instituti i Naftës), Fier. Përcaktime (nga Oligoceni i poshtëm deri në Pliocen) moshore të kampioneve dhe shllameve të puseve të kërkimit për naftë e gaz, përcaktimin e kampioneve të sjella nga sektorët e rilevimit, regjional dhe i projektimeve. Përgjithësime biostratigrafike. Përcaktime të kampioneve të kompanive të ndryshme si OXY, OMV, SHELL etj. Punime përgjithësuese e projektuese në bashkëpunim me sektorin e projektimeve. (Bashkautor në projektin e pusit Panaja-10), etj.; 2007-2008, Shërbimi Gjeologjik Shqiptar, Dega Fier; 2009 - vazhdim [deri më 21 Nëntor 2015, dita që na iku - shën im: A. H] Qendra Kërkimore-Shkencore, Laboratori i Mikrofaunës, Universiteti “Ismail Qemali”, Vlorë. PUNIME STUDIMORE- PËRGJITHËSIME: 1) P. Sadushi,….L. Hasanaj etj.: “Deshifrimi biostratigrafik i depozitimeve nga Hatiani në Akuitanian (përfshirë) në rajonin Aranitas-Lapardha dhe bashkëlidhja e tyre me prerjet e puseve”. Fondi i I.Gj.N.G. Fier, 1985; 2) Prillo, L. Hasanaj: “Biostratigrafia e depozitimeve të Burdigalianit në brezin antiklinal të Kurveleshit”. Fondi i I.Gj.N.G. Fier, 1987; 3) Fili, …L. Hasanaj: “Përgjithësimi gjeologo-gjeofizik i rajonit Panaja-Trevllazër”. (Projek. puset Pan-10 dhe Trev-14). Fondi i I.Gj.N.G. Fier, 1987; 4)* Fili I. ..Hasanaj L. etj.; “Studimi i kushteve të sedimentimit dhe formimit të kurtheve të gazit të depozitimeve Tortoniane dhe perspektiva për kërkimin e kurtheve të rinj në V.B. e Frakullës”. 1987. Fondi i I.N.G. Fier; 5)* Gjiknuri L., Hasanaj L., Muhameti P. 1988: “Trajtimi teorik i studimeve ekologjike, mënyra dhe mundësia e kryerjes së studimeve të tilla në zonën tonë neritike”, 1988. Fondi i I. N. G. Fier; 6)* Guri, S, etj….,L. Hasanaj: “Studimi i kushteve të sedimentimit dhe formimit të strukturave të gazit në depozitimet e Tortonianit si dhe perspektiva për kërkimin e objekteve të rinj në rajonin e Frakullës’. (Projek. puset Frak. 82, 88, 90, 91, 93, 94, 95). Fondi i I.Gj.N.G. Fier, 1988; 7) Fili, I etj.…L. Hasanaj: “Përgjithësimi gjeologo - gjeofizik i rajonit   Panaja mbas rezultateve të Pusit Pan.-10 dhe punimeve të reja sizmike”. Projek. puset Pan-12,13.) Fondi i I.Gj.N.G.). Fier, 1989; 8)* Dalipi,V etj….Hasanaj L.: “Biostratigrafia dhe paleoekologjia e depozitimeve të Tortonianit - Mesinianit me metodën mikrofaune dhe nanoplanktonit në U.P.A”. Fondi i I.Gj.N.G. Fier, 1989; 9) Fili,I…etj., Hasanaj L: “Përgithësimi gjeologo-gjeofizik i rajonit Panaja-Trevllazër”. (Projek. i pusit Trevll. 15) Fondi i I.GJ.N.G. Fier, 1989; 10) Fili I…etj...Hasanaj L: “Përgjithësimi gjeologo gjeofizik i rezultateve gjeologjike të fituara nga shpimi i puseve në zonën e Panajasë, perspektiva gasmbajtëse e rajonit dhe ecuria e mëtejshme e punumeve”. (Projek. i pusit Pan-11. Fondi i I.Gj.N.G. Fier, 1990; 12)* Prillo S, Hasanaj L: “Biostratigrafia dhe interpretimet paleoekologjike për depozitimet e Pliocenit në Shqipëri”. Fondi i I.Gj.N.G., Fier 1993; 13) Prillo S, Hasanaj L etj.: “Studimi kompleks biostratigrafik i depozitimeve të Miocenit të mesëm-sipërm që përfshijnë ndërtimin gjeologjik të kateve Langhian, Serravalian, Tortonian dhe Mesinian sipas stratotipeve të Mesdheut”. Fondi i I.Gj.N.G. Fier, 1994; Shënim: Prej propozimeve të bëra në disertacion u ndërmor ky studim revizionues dhe përgjithësues rajonal për gjithë Shqipërinë, ku si përfundim më 2002 u arrit ndërtimi i Hartës së Re Gjeologjike të Shqipërisë; 14) Prillo S…etj….Hasanaj L: “Rishikimi dhe unifikimi sipas zonimit më të ri biostratigrafik me materialin ekzistues të të gjitha puseve të shpuar me metodën e mikrofaunës për depozitimet e Oligocen-Miocen- Quaternarit”. Fondi i I.Gj.N.G. Fier, 2000; 15) Prillo S, Hasanaj L etj. “Korelimi i depozitimeve “lago - mare” të Mesinianit me ato të puseve të shpuar në Ultësirën Pran-Adriatike”. Fondi i I.Gj.N.G. Fier, 2001; 16) Myftari S…etj.,Hasanaj L: “Raport shkencor i projektit: Bashkëlidhja biostratigrafike e prertjeve më të plota sipërfaqësore ekzistuese me puset e kërkimit të shpuar në afërsi të tyre për depozitimet nga Oligoceni në Pliocen (përfshirë) për gjithë zonën Jonikle”. Fondi I Q.K.Sh.H.. Fier, 2002; 17) Bandilli L….,Hasanaj L etj.: “Raport shkencor i projektit: Studimi kompleks gjeologo - gjeofizik i rajonit Dumre-Plashnik-Jagalat për saktësimin e ndërtimit gjeologjik nën planin e mbihypjes së strukturave antiklinale të brezit antiklinal të Beratit”. Fondi I Q.K.Sh.H., Fier 2003; 18) Rakipi N., Hasanaj L. etj.: “Raport shkencor: Studimi kompleks i tektonikës, sedimentimit dhe zonave hidrokarburmbajtëse  në U.P.A duke përfshirë dhe ato detare si dhe bashkëlidhja e depozitimeve detare e kontinentale të Plioccenit të sipërm - Quaternarit”. Fondi i Q.K.Sh.H. Fier, 2004; 19) Rakipi L….Hasanaj L etj. “Raport shkencor: Studimi kompleks i…” (si më sipër), Fondi i Q.K.Sh.H., Fier, 2005; 20) Dore P., …Hasanaj L., …etj.: “ Përgjithësimi  Gjeologo-Gjeofizik i Rajonit të Paper-Tiranës”. Fondi i O. K.SH: H. Fier, 2005; 21) Dore, P…, Hasanaj L.: “Projekt: Vleresimi i rreziqeve që mund të jenë rezultat i erozioneve, shembjeve, rrëshqitjeve, ndotjeve etj., si dhe hartografimi i tyre në rajonin Shkumbin-Vjosë, Cërrik-Tepelenë deri në det”. Fondi i Q.K.Sh.H. Fier, 2005; 22) Rakipi N., …Hasanaj L.: “Raport vjetor i projektit per vitin 2005.: Hartimi i atlasit të stratigrafisë sekuenciale sizmike”. Fondi i Q. K. Sh. H., Fier, 2005; 23) Prifti I…., Hasanaj L.: “Relacion vjetor për vitin 2005. Përpilimi i hartave të gjeoshkencës (gjeologjike) sipas planshetave me shkallë 1:50.000 në Republikën e Shqipërisë”. Fondi i Q.K.Sh.H. Fier; 24) Thomai L., ...Hasanaj., etj.: “Ndërtimi i hartave shumëqëllimore në bazë planshetash me shkallë 1:25.000. dhe bazës së të dhënave për territorin e rrethit Vlorë. Planshetat: Selenicë, Llakatund, Brataj”. Shërbimi Gjeologjik Shqiptar, viti 2007-2008; 25) Dore P., … Hasanaj L., etj.: “Ndërtimi i hartave shumëqëllimore në bazë planshetash me shkallë 1 : 25.000, në bazë të të dhënave për territorin e rrethit Fier”. Shërbimi Gjeologjik Shqiptar, viti 2007 -2008;  26)  Onuzi  K., …Hasanaj  L., etj. “Korelime Gjeologjike në shkallë 1 : 50.000 të territorit të Shqipërisë”. Instituti i Kërkimeve Gjeologjike, Tiranë. Viti 2007; 27) Onuzi. K., Hasanaj L., etj.: “Harta Gjeologjike e Shqipërisë, Shk. 1 : 50.000 - Plansheti nr. 78. VLORA”. Instituti i Kërkimeve Gjeologjike, Tiranë, viti 2007; 28) Qirko A., Hasanaj L. “Ndërtimi i hartave shumëqëllimore me shkallë 1:25.000 të Planshetave GRAME, LIQENI I GUDULLES”. Shërbimi Gjeologjik Shqiptar, Tiranë 2008; 29) Hasanaj L. “Ndërtimi i hartave shumëqëllimore me shkallë 1:25.000 të Planshetave: DUKAT, KOTË, SEVASTER, DHEMBLAN dhe VERMIK”. Shërbimi Gjeologjik Shqiptar, viti 2008; 30) Raport Shkencor (Studim) i Projektit të Koduar II - 1 me temë: “Mineralet e dobishme kryesore të Shqipërisë” - një shkurtimore reklamuese dhe prezantuese. (MONOGRAFI)”. Drejtues të Grupit të Studimit:Prof.as.dr.Ibrahim Milushi, Dr. Tonin Deda; Autorë të Studimit: Irakli Prifti: Universiteti Teknologjik i Tiranës; Petraq Naço:      Universiteti Teknologjik i Tiranës, Instituti i Gjeoshkencave; Luan Hasanaj    Universiteti “Ismail Qemali”, Vlorë. N/ Projekti 3 I “Nafta dhe Gazi në Shqipëri.”  (2008 - 2009). 31) * Universiteti i Vlorës, QKSH. 1- Tema: “Mikrofauna e plazheve të Vlorës”. Qëllimi: Identifikimi i mikroorganizmave, komplekseve në plazh. Krahasimi me Adriatikun, konkluzione ekologjike dhe rekomandime. ARTIKUJ (brenda vendit):1) Hasanaj, Luan: “Mbi korelimin e zonimit tonë biostratigrafik me ato të Stratotipeve të Miocenit në Mesdhe”; Revista “Nafta dhe Gazi”, Nr.2, faqe 27-35, 1990. 2) Prillo, Simon; Hasanaj, Luan: “Mosha e depozitimeve që përmbajnë  Ammonia beccari dhe Cyprideis”; “Bulletini i Shkencave Gjeologjike”, Nr. 3, faqe 81 - 87, Tiranë. 1990; 3) Prillo, Simon; Hasanaj, Luan: “Biostratografia e Plicenit në rajonet Durrës - Kavajë - Prezë në bazë të foraminifereve”; rev. “Nafta shqiptare”, Nr. 1, 1999; 4) Prillo, Simon; Rakipi, Nuri; Hasanaj, Luan; Gjoni, Klement: “Rishikimi i biostratigrafisë dhe ndryshimet përkatëse të disa puseve në rajonin Orikum - Zvërnec - Povelçë; Revista “Nafta shqiptare, vol. 159, nr. 1, viti 2005, f. 49 - 54; 5) Prillo, Simon; Rakipi, Nuri; Hasanaj, Luan: “Bashkëlidhja e depozitimeve detare e kontinentale të Pliocenit të mesëm, të sipërm dhe Kuaternarit në disa rajone të UPA me ato kontinentale të gropave të brendshme”, rev. “Nafta shqiptare”, vol. 160, nr. 2, viti 2005, f. 45- 49; 6) * Bonjaku. M.; Hasanaj L.: “Disa konsiderata paleobatimetrike për depozitimet e Miocenit të mesëm - sipërm në zonën Jonike, Albania. A J N T S, Botim i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, Tiranë 2008 (botuar, nuk e kam origjinalin); ARTIKUJ (jashtë vendit): 1) Prillo S.; Dalipi V.; Hasanaj L. :“ Biostratigraphy of the middle and late Miocene  and Pliocene deposits in the Peri-Adriatik Depression (P.A.D.) based on forams. Paleontologia i Evolucio, tom 24-25, pags: 53-59.  IX Congress. Regional Committee on Mediterranean Neogene Stratigraphy (RCMNS) Barcelona, 1990. _Global Events and Neogene Evolution of the Mediterranian. ISSN : 0211-609X; 2) Sorel D., Bizon G, Aliaj Sh, Hasanaj L.: “ Calage stratigraphique de l’age et de duree des phases compressives des Hellenides externs (Grece Nord-Occidentale at Albanie)  du Miocene a l’aactuel. Bulletin dela Societe Geologique de France., Tom 162, P. 447 - 453, 1992. 3) Fatbardha Avdulaj, Luan Hasanaj: “The main featyres of the oil - bearing carbonate deposits in external Albanides: Artikull-poster në    OFFSHORE MEDITERRANEAN CONFERENCE, RAVENA, ITALY, 2001.(Nuk e kam origjinalin); 4) Simon Prillo, Luan Hasanaj: “Some Foraminiferal data on Serravallian-Tortonian boundary in the Ionian zone of Albania”. Pp.’97-’98. Xth Congress, RCMNS - Regional Committee on Mediteranean Neogene Stratigraphy, 4-9 Sept.1995, Bucuresti. A. Neë lights on Mediterranean Chronology. B. Tethys – Paratethys connections. ISSN 1220-5664; 5) *Simon Prillo, Luan Hasanaj: “Biostratigraphy and paleoenviroment of the Late Messinian Sediments of the Durresi -Lushnja area, Albania”: Bulletin Tome CXXV de l’Academie Serbe des Scienses et des arts.  Classe des Sciences mathematioques et naturelles.   Sciences Natyrelles, Nr. 41,. Pags. 89 - 96.  2002. Neogene of the Paratethys {International Geological Correlation Programme: IGCP 329}. YU ISSN 0352-5740; PËRKTHIME: 1) Daniele STEEL: romani “STAR”, (në shqip: Kristalina + Ylli), Tiranë, Shtëpia botuese “Konica”, 2002; 2) Roza Taunsend: “Learning Wealth”, (në shqip: “Si të mësojmë më shumë”), Vlorë, 2003; 3) Remnick: “Lenin’s Tomb. Last Days of Sovietic Empire”, (në shqip: “Varri i Leninit, Ditët e Fundit të Perandorisë Sovjetike”). Përkthyer. Në përgatitje për botim. Vlorë, 2009. Gjeolog-Paleontolog, Dr. Luan HASANAJ, Vlorë, Janar 2009”. Me këtë paraqitje kemi bërë dhe maketbibliografinë e studiuesit dhe përkthyesit tonë të palodhur deri në minutën e fundit të frymës së tij. Më thotë Belinda, çupa: “Di qe babi po punonte librin e Paleontologjisë për momentin, po ai nuk është botuar akoma. Gjithashtu ditët e fundit që isha këtu, më tha që po priste një libër që kishte punuar me Sazan Gurin të dilte në botim. Do kisha shumë dëshirë ta kisha atë libër nëse botohet”. Për Belindën kam këtë porosi: për pak ditë ti do të ikësh në Amerikë. Do të vazhdosh punën dhe studimet. Në të mbarë tënde. Në gjurmët e babës! Unë Luanin e kisha shok të ngushtë, vëlla pa pjesë. Do të më njoftosh për problemet (që kurrë mos paçi). Mbajeni kokën lart për babain tuaj, se ua shtroi rrugën me nder, me dije dhe me dinjitet. Bëhu krah i Lolës dhe Anit. Rrofshi dhe për atë që më mungon dhe më dhëmb shumë. Tani po e kuptoj, që po shkruaj këto rreshta me lot. Ah, more Luan, ah!...












No comments: