Wednesday 18 November 2015

NJOHJA E VETVETES NË ROMANIN “ SHOKU HIÇ” TË AUTORIT NOVRUZ ABILEKAJ

Nga  Qatip Mara

Thuhet se dimë gjithçka për të tjerët dhe njohim pak e ndoshta aspak vetveten. Njohja e vetvetes është pikënisja e gjithçkaje. Kur lexon  romanin “Shoku Hiç” të autorit Novruz Abilekaj fiton njohuri e përvojë për ta njohur më mirë vetveten në të gjitha proçeset e jetës individuale e shoqërore. Sigurisht njeriu njeh universin me ligjet e ligjshmërinë e tij,ku çdo njeri është qënje materiale duke iu nënështruar  gravitacionit  në hapësirë e kohë, është qënje biologjike duke shkëmbyer lëndët kimike nëpërmjet metabolizimit,por njeriu  si qënje shoqërore nëpërmjet punës e të menduarit ndeshet me shumë vështirësi në një botë të komplikuar  e të sofistifikuar.
     Të gjithë kur lindim e nisim jetën me britma qarjesh,asnjë nuk ka lindur duke qeshur. Autori Novruz  Abilekaj   në faqet e para të romanit “Shoku Hiç “  shkruan :
“ Ne para se të dalim në këtë jetë,ngjizemi brenda një veze mëmësore.Më beso që kam bindjen sikur e kam filluar jetën sapo u krijova në vezoren e sime mëje dhe më vijnë ndërmend kujtime thuajse realitet nga ai nëntëmujor. ………… Luftova me detet e errëta…..derisa sa mbrita……dhe dola në një dritë tmerrësisht të fuqishme,aq të fuqishme sa u drithërova  nga këmbët tek koka. Drita ishte e frikshme,ishte më e frikshme se errësira.Kontakti me botën llamburitëse të dritës….depërtoi thellë meje pa mëshirë, më fshikulloi jashtë e brenda ,më irritoi lëkurën,më tendosi nervat dhe unë befasisht  klitha..”.
 Me imagjinatë krijuese e koncepte të qarta filozofike  mjeksore,autori përshkruan  me bukuri letrare artistike proçesin e lindjes së njeriut e përshtatjen e tij me mjedisin natyror-familjar-shoqëror, ku lufta e të kundërtave si burim rritje e zhvillimi  edhe dritën  e planetit tokë  e prezanton më të frikshme se errësira.Duke përshkruar kujdesin e familjes për të porsa lindurin, autori thotë :
“ Zgjohesha ,ankohesha,klithja e përsëri klithja.Më merrnin në dorë,më afronin…thithja unshëm qumështin e femrës-nënë.Kjo..thithja e ushqimit ,ndodhi ditën e tretë,në ditën kur thonë se bëhet marrëveshja e parë me këtë botë.Ndoshta atë ditë lind ai njeriu që u duhet të tjerëve”..
 Autori me mjeshtëri artistike e me intepretime filozofike të bashkëjetesës e luftës së të kundërtave  midis njeriut dhe natyrës,përshkruan bukur me emocione edhe luftën e të kundërtave brenda njeriut,brenda vetvetes së tij. Duke përshkruar luftën brenda vetvetes, autori shkruan :
      - “Një betejë pa dëshmimtarë.Brenda guvës dëgjohen zëra.Pari shan e kërcënon.Dyti qesh……Dikë kisha brenda lëkurës time,më thellë se këkura,më tej brinjëve,në të gjithë teritoret e mia.Më pëlqente apo nuk më pëlqente,në skenë u bënë dy vetë.Domethënë se u ndava në dy pjesë.  
      -Kush është?-pyeti i pari,domethënë unë,sepse deri në atë çast vetëm veten time njihja si gjallesë brenda e jashtë trupit tim.
      -Shshëët!  Unë jam. Shshëët!  …. Dyti jam…
      -Çfarë Dyti a Duti?  Nuk të njoh,ik!
      -Shshëët! Dyti thuaj! Jam gjysma e përjetshshme e Unit.
       -S’të njoh. S’të dua.Janë teritoret e mia.Është shpella ime,skena ime.Unë jam i tërë Uni. Ik!  -ulërija.
     - Ti je Uni? Ha-ha-ha! Pa mua nuk ke mbijetesë….Jemi dy..
   -Përse duhet të kishte një Pari dhe një Dyti brenda Unit”  Ç’ishte kjo ndarje që po ndodhte?Duhej ta zhdukja Dytin. Me të vërtetë duhet ta zhdukja….”
       Autori përshkruan  e analizon fëmijën-njeri që në dy luftim të përhershëm midis Parit e Dytit,miraton paktin e bashkëjetesës midis tyre.Pari pranon se duhet të vetëmbrohet,ti ruhet rrezikut duke u “pajtuar me rrethimin,ndrydhjen,gojëmbylljen”.
 Autori  Novruz  Abilekaj  rrëfen  bukur duke interpretuar teorinë psikologjike  se në këtë proçes të pandarë bashkëjetese  Pari e Dyti së bashku luajnë rol në strukturën dhe zhvillimin e personalitetit të njeriut qysh në moshën  e hershme fëminore..Pari  është i pranishëm që në lindje dhe është forca e energjisë, udhehiqet nga instiktet. Pari  drejtohet për të kënaqur nevojat dhe dëshirat . Kjo gjë shkakton  në mënyrë të pashmangshme tensione të pazgjidhura ,ndërkohë që lufton të përballet me nevojat e realitetit. Në përballjen me realitetin shfaqet  Dyti i cili punon për të komanduar dëshirat dhe udhëhequr mendimin dhe sjelljen e individit,që shikohet si një përfaqësues i brendshëm i vlerave sociale dhe traditës. Dyti nuk trashëgohet, nuk është i pranishëm në lindje.por zhvillohet si rrjedhojë e mësimit dhe bashkëveprimeve sociale .  Në këtë proçes bashkëpunimi e bashkëveprimi  autori përshkruan si  zgjerohet njohja me botën natyrore e social shoqërore ,si rritet  rrezja e njohjes së vetvetes për kryerjen e detyrave fizike,intelektuale e sociale,me maturimin e sistemit nervor qendror, me vetëdijen. Sigurisht vetëdija si nocion është një çështje që trajtohet nga filozofia, nga psikologjia, psikiatria, mjekësia, drejtësia, religjioni,por autori  Novruz  Abilekaj  me përshkrimin e bukur letrar artistike nëpërmjet  dialogut e monologut me vetveten qartëson  vetëdijen  si aftësi specifike e njeriut, në sajë të së cilës njeriu njeh sendet dhe dukuritë e jashtme qofshin ato natyrore apo shoqërore duke mësuar prej tyre dhe duke marrë  një qëndrim i caktuar,po ashtu vetëdija jepet si një pasqyrë apo një imazh e njeriut jo vetëm për botën e jashtme por edhe për vetveten e vet dhe botën e tij të brendshme ,për të cilin autori shkruan : 
“Më shqetëson fjala e nxjerrë nga goja ime sepse ,duke folur,mund të bezdis ata që janë të mbingopur me njohje e miq,mund të zemëroj ata që janë të lodhur me fjalën. Mund të bezdis edhe ty,mikja ime e ditës së punës. E përsëri,si gjithë njerzit,që pëlqejnë më shumë fjalën e tyre se sa të të tjerëve,do të tregohem këmbëngulës në rrëfimet e mia “ ..
 Përvoja e jetës tregon se të gjithë njerëzit e transmetojnë botën e tyre të jashtme me përjetimet e tyre subjektive.Ne  mendojmë  gjëra të ndryshme çdo çast  në kokën tonë  për të bërë dallimin në mes të realitetit dhe iluzionit. Dhe në fakt ne njerzit e keqkuptojmë njeri-tjetrin gjithë kohën duke  besuar se e kemi kuptuar,përsëri  ne flasim se e kuptojmë njeri tjetrin. Njerëzit i shikojnë gjërat dhe botën nga këndi i ndryshëm , për disa është mirë e për disa është më keq .Ndryshe e përcepton veten një mik, shok, koleg pune dhe krejt ndryshe e vlerësojnë të tjerët atë - varësisht prej këndvështrimit! Perceptimi nga këndvështrimi personal dhe ai nga këndi i syrit të huaj është një dukuri me të cilën konfrontohemi në përditshmërinë tonë. Në këtë proçces jetësor, të gjithë ne, jemi përherë nën vëzhgim të huaj, por njëkohësish jemi edhe vetë vëzhgues ndaj të tjerëve, pavarësisht se ku ndodhemi: në shtëpi, rrugë, punë, apo kafene.
 Përceptimet e autorit të shprehura tek setenca “Njerëzit që përpëliten rreth zeros dhe vdesin si hiç”, janë mbresa të kapura përmes shqisave përceptuese por të skanuara nga truri si organ material i mendimit. Mbresat, përshtypjet  apo informacionet  janë memorizuar në sferën e ndërdijes,të cilat ndryshohen.plotësohen ose përputhen vartësisht prej informacioneve të mëvonshme që burojnë gjatë proçesit jetësor. Këto mbresa apo përshtypje përshkruhen me ndjesi emotive ,të cilat pasqyrohen edhe në botën e jashtme duke përcjellë tek lexuesi vlerësime racionale ose iracionale si të vetes ashtu edhe realitetit natyror  e shoqëror, për të cilin autori shkruan :
Pamja që ka mbështjellë gjithë jetën shpirtin tim,e zbukuruar me një vello të tejdukshme nusërie,është filmuar….Ashtu si tek të gjithë pasardhësit e frymorëve,që janë bosh nga ambicja dhe u ha jetën vetëmbrotja,edhe unë do të tkurresha deri në dështim.Pra,si tërë ata që quhen njerëz të zakonshëm,të cilët të gjithë luftërat,viktimat,dhe varrezat e viktimave i futin Brenda vetes.Janë pikërisht kjo shtresë njerëzish që zënë vendet e mesit,janë ata që i përplasë dallga sa në një kodër në tjetrën,janë ata që përbëjnë edhe lëndën,edhe hiçin e kësaj bashkësie njerëzore që njohim.  …Kjo shtresë e njerëzimit e cilës s’është as në fisin e mbretërve e perandorëve,as në racën e oborrtarëve e lakenjve,as në brigadën e kurvarëve e grabitësve,as në turmën e fanatikëve,lakmon Parin dhe respekton Dytin e vet.Kështu nguroset në zonën e ngushtë rrethuese pranë zeros.Pendimi e shoqëron këtë turmë në çdo lëvizje,majtas-djathtas,poshtë-lartë,para-mbrapa.Prandaj,në çdo rast që i duhet demagogut ,dhelprës,ujkut,ka plot lëndë njerëzore aty,pranë zeros. Aty mund të vjelë Shokun Hiç  ai që preferon t’i quaj shokë skllevërit e vet dhe vjelë Zotërinë Hiç ai që dëshiron ta quajë të veshur me pronësi skllavin e tij të uritur ”.
      Autori Novruz Abilekaj bënë auotpsinë e konfliktit shoqërorë : konfliktete në mes të individëve, brenda grupe njerëzish,konfliktet në mes grupe njerëzish,konfliktet në mes të shteteve. Me dialogun në përshkrimin letrar  qartësisht me koncepte shkencore historike-sociologjike analizon e argumenton burimet e konfliktit.Duke identifikuar burimin apo burimeve të konfliktit na jep informacione të rëndësishmë se si ta adresojmë atë dhe çfarë të ndryshojmë në mënyrë që të menaxhojmë më mirë  qëndrimet, vlerat, përceptimet e ndryshme,mospajtimet për nevojat, qëllimet, prioritetet, interesit,të ardhurat, paisjet, aftësitë, territori. etj.  Mungesën e qartësisë për rolin dhe përgjegjësitë e njeriut për jetën, autori e skalit në analogji me botën e kafshëve duke bashkëbiseduar me miken e punës së përditësuar Lica ,me të cilën thekson :    
                                    “Mos u vrisni si njerëzit”!
      Autori rrëfen se konflikti është i vjetër sa vetë njeriu në tokë,se konflikti gjithherë është i ngjitur me jetën e njerëzve. Aspektet e këtij fenomeni kompleks, e veçanërisht kur kemi të bëjmë me lloje të ndryshme të konflikti si konflikti si konkurrencë,si konflikti si ndeshje interesash autori i përshkruan duke përfshirë gjithçka që nga gjërat fizike,sikurse uji apo territori, e deri në gjëra më abstrakte në idetë e njeriut ku autori thekson se:  “Kur dy njerëz janë fqinj nuk i ndanë asgjë  e dukshme,pëtveç vijës që ka vënë mendja e njeriut “
Duke lexuar përshkrimet e autorit ne kuptojmë se konfliktet janë më komplekse se sa perceptimi i tyre fillestar. Konfliktet kanë aspekte të dukshme dhe të padukshme. Sikurse një ajsberg, shumica e konfliktit mund të jetë i padukshëm, fshehur poshtë sipërfaqes. Natyrisht, kjo është pjesa më e rrezikshme. Në konflikt, mënyra jonë e sjelljes është tendencë për ta penguar palën tjetër që ti arrijë qëllimet e saj; kjo mund të paraqitet nëpërmjet komunikimit verbal dhe jo-verbal si dhe nëpërmjet veprimeve fizike sikur se dhuna. Autori Novruz Abilekaj thekson :”
Toka e fqinjit (dheu,pema,guri,ajri) ka qënë dhe është e lakmuar pikërisht se
është e atij dhe jo e jotja që je afër…..Të mos kalohet ajo vijë e hollë që ka krijuar mendja e fqinjëve se quhet përdhosje dhe jepet alarmi,rrëmbehen armët,pakësohet numri i banorëve të dy anëve.”
Autori përshkruan se si grindjet midis njerëzve shndërrohen në armiqësi ekstreme.:”
“ Njeriu të vret e të humbë varrin se ka arsye.Për shembull,të ka fqinj dhe i duhet të shtyjë gardhin,atë brenda mendjes,pak më tutje,deri te themeli shtëpisë sate,përtej themelit të shtëpisë sate.Po të jetë varri i dukshëm nuk e shtyn dot gardhin se varri nuk të lejon ta shkelësh.Prandaj është zbuluar vdekja e varrit,zhdukja e varrit”
     Shfaqja e konfliktit ilustrohet si një proçes ku palët janë të vetëdijshëm që ekziston një qëllim i papajtueshëm dhe se të tjerët pengojnë arritjen e qëllimit të dëshiruar. Prandaj, është e nevojshme që palët ta organizojnë vetveten në mënyrën më të mirë të kalkuluar për të “fituar”.Qëndrimi paraqet anën subjektive të konfliktit, që përfshin qëndrimet dhe perceptimet e palëve. Pra, çfarë ndjejnë ata. Të një rëndësie të veçantë janë imazhet dhe qëndrimet që kanë palët për njëra tjetrën. Shpesh konfliktet janë të karakterizuara me qëndrime armiqësore në mes të palëve në konflikt. Këto qëndrime  në forma të ndryshme  do të jenë burim i konflikteve të vazhdueshme  përgjatë kohës.Megjithatë, qëndrimet në konflikt nuk janë vetëm se si njëra palë e përcepton tjetrën, por edhe idetë, ndjenjat, besimet, preferencat, vlerat, dhe mjedisi shoqëror i tyre. 
  Autori  Novruz Abilekaj duke mprehur arsyetimin induktiv-deduktiv, me intuitë analizon e përgjithëson duke trasmentuar për lexuesin  konkluzione argumentuese në dallimin e përkatësive dhe ngjajshmërive të jetës së individit në mjedisin shoqërisë konfliktuale.Me aftësitë e talentuara mendore e shpirtin e trazuar  jep këshillë :
   “Kujdes! Mate e peshoje kundërshtarin para se të hidhesh në betejë.Kur e sheh që është më i madh e më i forte,është si Zot,lëre të të shtypë edhe pakëz derisa t’i dalësh nga shpina,ose derisa të jesh më e gatshme,ose derisa mbështetur te një kundërshtar më i fortë i kundërshtarit tend.”
     Autori  i përcjell lexuesit  mesazhe filozofike duke trasmentuar njohuri ,dije e koncepte , mbi qënjen  dhe ekzistencën,natyrën ,hapsirën e kohën,shpirtin  të cilat mund të ndihmojnë individin për të përballuar vështirësitë  e jetës.Duke krahësuar “Botëndreqësit “me “Botëprishësit” fshikullon motivin  sundues,pengues,izolues e shkatërrues të Demonëve të pushteteve absolute në shoqërinë njerëzore, të cilët me çdo kusht e çmim e mbajnë botën “përmbysë”,të cilët me  demagogji e ideologji mashtruese  vetëshpallen si ndërtues të botës,si shpëtimtarë të njerëzve të përcaktuar sipas autorit : “Eh,kjo është raca e të gjallëve që kanë poezi në shpirt,domethënë raca e të mundërve,e të humburve”.  E në vazhdim  autori sjell në vemendjen e lexuesit mendimin e Hamletit : “ O botë,o prapësi,o dreqë,paskam lindur të të ndreq”. Duke analizuar konceptet “I madh”,”I madhërishëm”,”I tmerrshëm” autori demaskon padrejtësitë e pushtetit të pangopur të  princërve,mbretërve a perandorëve të kohës para e pas Hamletit që betimin publik “për të ndrequr botën” jo vetëm  nuk e realizuan,por sipas autorit  ata e lanë : “…Të prishur,mbrapshtë,kokëposhtë,të përmbysur,ndonëse kanë dërguar në parajsën e nëndheut aq shumë jetë të prishësve të saj,domethënë jetë nga raca e tyre njerëzore….Kanë dërguar aq shumë sa numri i atyre që kanë vajtur në botën e përtejme nga luftërat me thonj,me dhëmbë,me dru,me sende të forta prej kocke a metali,me armë zjarri,me helme të shpikura nga botëndreqësit për t’ua injektuar botëprishësve,nuk barabitet me numrin e atyre që u është shuar vetë kandili i jetës”.
      Autori evidenton fakte historike duke i interpretuar  me qartësi filozofike ku çdo fjalë e shprehur  me veshjen e bukur letrare e gjuhësore ndriçon dituri analizuese e përgjithësuese  te lexuesi apo shoqëria publike, për rritjen e ndërgjegjes individuale e shoqërore në kuptimin e jetës e ndryshimin e saj me standartet demokratike. Sigurisht mungesa e lirisë krijon shoqërinë e varfërisë ekonomike ,mjerimit shpirtëror, të “botëprishësve”,të cilët ”  botëndreqësit” i emërtojnë qytetarë,por i trajtojnë si skllevër,ashtu si shkruan  Denis Diderot : “Të kesh skllevër nuk është ndonjë gjë e madhe, por ajo që është e padurueshme është të kesh skllevër e ti quash qytetarë.”
      Autori Novruz Abilekaj, përshkruan  e analizon botën shpirtërore të njeriut,me operacione mendore psikologjike hynë në labirinthet e fshehta të shpirtit të njeriut , diagnostinkon  të mirën (Dashuria,dashamirësia,shpresa,merita,aftësia,thjeshtësia,respekti,e vërteta,mbajtja e fjalës,bujaria,maturia,bamirësia …) dhe të keqen : (Urrejtja,zilia,zhgënjimi,pangopësia,paaftësia,pëlqimi vetes,fyerja,gënjeshtra,tradhëtia,
Shpirtngushtësia,mendjamadhësia,egoizmi,hipokrizia,servilizmi…) të  cilat përshkruhen në romanin “Shoku Hiç” me ilustrimin krahasues midis të mirës e të keqes në karakterin apo personalitetin e njeriut-NJERI dhe njeriut-antinjeri.Lexuesi këto analiza psikologjike e konkluzione filozofike do i shërbejnë si një Katarsis në shpirtin e trazuar nga mundimet e jetës. Autori na jep të letrarizuara bukur konceptet e vlerës dhe çmimit të njeriut hipokrit dhe servilë duke  theksuar : “  …Vlera ime e vërtetë qëndron nga lëkura e brenda saj,por çmimi im varet nga mbilëkura……Mbi këtë rruzull(toka) rolin kryesor e ka çmimi….Nën tokë ,në botën e vdekjes merr kryesimin vlera……. Hipokrizia  dhe servilizmi luajnë një rol parësor në ndryshimin e vlerës dhe në ngritjen e çmimit të mbartësit.”
    Duke lexuar romanin “Shoku Hiç”,të autorit Novruz Abilekaj, lexuesi pasuron përvojën e sjelljeve tona në situata publike, çfarëdo qofshin ato, bile edhe në ambiente familjare,ku dominohen nga kjo fushë e personalitetit të njeriut  të dyzuar e tjetërsuar.  Sipas studimeve shkencore psikologjike ,ne në realitet, të tjerëve u prezantojmë vetëm maskën tonë, e jo realitetin që fshihet brenda ego-s sonë.  Sipas Alphonse  Karr :
   Çdo njeri ka tre karaktere, domethënë  atë që ai ekspozon-paraqet , atë që ai ka, dhe atë që ai mendon se ka.
( Every man has three characters -that which he exhibits ,that  which he has, and that which he thinks he has ).
      Gjithçka që ne e shprehim para të tjerëve, së pari e përpunojmë, analizojmë përmes egos,pastaj varësisht prej situatës, përmes filtrit (superegos), ne ua prezantojmë të tjerëve si qëndrim tonin, që në realitet është vetëm një aktrim i çastit. Mirëpo, në jetë njeriu ka nevojë të aktroj, bile në shumë raste kjo është e domosdoshme që të mund ta mbaj ritmin me të tjerët. Në fakt, jeta është një lojë teatrale, ndërsa ne, pra,individët, jemi artistë me role të ndryshme. Dhe nëse nuk dimë të aktrojmë, bëhemi figura groteske para të tjerëve,pra përqeshemi. E për të qenë i suksesshëm në jetë, duhet të “aktrojmë” sa më mirë! Nuk është e rëndësishme se kush je ti - fytyra jote e vërtet, por se si t’i arrin t’u ofrohesh të tjerëve - me çfarë makijazhi ke arritur ta mbulosh fytyrën e vërtet!
     Duke lexuar romanin “Shoku Hiç” të lindin pyetjet : Kush jemi ne në të vërtet? A jemi ata që me të vërtet mendojmë se jemi, apo ata që në të vërtet shtiremi se jemi? Jemi ne spektatori apo aktori në teatrin e jetës, apo të dyja bashkë njëkohësisht? Jemi ne vërtet të sinqertë, të ndershëm, të moralshëm, të devotshëm, të dashur, human etj. si mendojmë ne vet, apo e
kundërta e këtyre - si mendojnë të tjerët?… Pse vallë nuk mund të jemi,thjesht, një Unë i vetëm dhe i vërtet, si për veten ashtu edhe për të tjerët?. Sipas psikologëve njerëzit sa herë që gjenden para pasqyrës, shohin vetëm atë që dëshirojnë të shohin, por kjo figurë që e shohin në pasqyrë nuk është Uni  i vërtet, por vetëm reflektim i mendimeve të tyre, sepse njerëzit, janë ata që mendojnë se janë! ? Njerëzit janë mësuar ta shohin vetën ashtu siç dëshirojnë ta shohin, e që në realitet, ky është vetëm një gjykim subjektiv. Realitetin tonë nuk mund ta kuptojmë duke e shikuar vetën përmes prizmave të interesit apo dëshirave individuale, personale, por vetëm përmes vlerësimeve objektive gjykuar nga sytë e të tjerëve. Njerëzit në pasqyrë shohin vetëm një pjesë të vogël të personalitetit të tyre, dhe ajo që është më paradoksalja: njeriu që më së keqi mund të na vlerësoj, jemi ne vet. Uni unë është shumë më kompleks se sa ne mendojmë dhe, po aq enigmatike janë edhe pyetjet: Ç’është Uni në të vërtet? Nga se përbëhet ai? Kur krijohet personalitetit ynë dhe nga sa Un-a përbëhet ai?…
Vetëdija është e lidhur ngusht me diturinë, por vetë nuk është dituri apo dije.Vetëdija është kategori-psikologjike, kurse Dituria është kategori gnosologjike domethënë kategori që ka të bëjë me njohjen- e sendeve, dukurive, proçeseve.Dituria është  njohje e vërtetë , një tërësi e gjykimeve të vërteta, ndërsa vetëdija  si kategori psikologjike nuk është e thënë të përmbajë në vete vetëm koncepte, pohime, përftyrime të vërteta .Ndryshe nga dituria ,vetëdija mund të përmbajë në vete dhe zakonisht përmban edhe gjykime e pikëpamje të cilat nuk kanë mbështetje reale argumentuese dhe nuk janë të vërteta.Mitologjia është një vetëdije , por thëniet e saj nuk janë të vërteta ,por  nuk janë edhe pa kurrfarë "logjike" e domethënie.
      Dallimi midis vetëdijës , në njërën anë, dhe diturisë në anën tjetër ilustrohet  në romanin “Shoku  Hiç” të autorit Novruz Abilekaj i cili nëpërmjet dialogut e monologut letrar artistik qartëson lexuesin se vetëdija ka lidhje të ngushtë me të njohurit,sepse vetëdija është kusht paraprak dhe i domosdoshëm që të mund të njohim.Nuk mund të ketë njohje pa vetëdije,por mund të ketë vetëdije pa njohje. Janë të gabueshme ato pikëpamje, të cilat vetëdijën e përkufizojnë si dituri, dije teori etj.Vetëdija e njeriut, sikurse edhe vet njeriu është produkt
 historik e shoqëror…Vetëdija është e lidhur në mënyrë të pandashme me jetën shoqërore të njeriut, të kohës dhe bashkësisë shoqërore, nuk mund të ekzistoj vetëdija e njeriut jashtë dhe pavarësisht nga jeta shoqërore.Prandaj vetëdija është zhvilluar nën ndikimin e jetës së shoqërisë së caktuar.
     Format më të njohura të vetëdijës shoqërore janë filozofia,morali,arti,politika , religjioni, etj.Vetëdija  ka edhe bazë materiale dhe fiziologjke.Shikuar nga ky aspekt , vetëdija është produkt i trurit  si pjesë e materies, e cila ka arritur shkallën më të lartë të zhvillimit dhe strukturimit funksional të saj ...
      Autori Novruz Abilekaj në vazhdim ,në romanin “Shoku Hiç” analizon e argumenton se për shkak të botëkuptimeve kundërthënëse, çensurës etiko-morale, shoqërore se  njerëzit nuk arrijnë ta pasqyrojnë realitetin objektiv ,atë që njerëzit vërtet ndjejnë në brendi. E si rrjedhojë njerëzit  gënjejnë, me apo pa vetëdije, e në vazhdimësi vetveten. Dhe nga kjo del se pasqyrimi ynë i jashtëm, në realitet është vetëm një makijazh para syve të tjerëve, varësisht prej interesave! Atë që ne në të vërtet e ndjejmë në brendi të qenies sonë, nuk e shprehmi pothuajse asnjëherë  besnikërisht. Ne ndryshojmë mendimin, qëndrimin, gjykimin, pozitën etj.në varësi, ose më mirë të themi, në përshtatje të rolit që ne duhet ta luajmë në skenën e teatrit të quajtur jetë. Autori thekson :”I sukseshëm është kush bën atë që duhet dhe jo kush bën atë që do.Të tilla deviza morale i thonë vetëm njerëzit e mençur dhe unë u nënshtrohem gjithë atyre që janë shpallur të mençur,qoftë me shumicë votash,qoftë me propetencën e tyre.”dhe më poshtë autori vazhdon :”-Kam lindur në mes të maleve.Lica.Atje kishte bashkëjetues të mitë o më saktë bashkëfshatarë siç i quajmë ne njerëzit. Kishin kujdes të rronin me faqe e nder.Faqe e nder do të thotë të jesh i kujdesshëm e të zbatosh disa doke,zakone,rregulla e ligje që i ka shpikur njeriu për njeriun”. Autori duke analizuar konceptin e ligjit e fton lexuesin të gjykojë mbi të drejtën dhe lirinë e njeriut të cilat deformohen nga “botëndreqësit” ku autori jep gjykimin e tij se “ kjo e drejtë doemos i takon më të fortit,ndryshe bota do të ishte përmbytur,do të ishte hedhur në erë,nuk do të ekzistonte. Ligjin njeriu e bën për të mos bërë atë që do njeriu.”. 
     Autori me konceptet juridike analizon e demaskon padrejtësitë e pushteteve ndaj njeriut duke e skllavëruar individin e dobët deri edhe duke i marrë jetën.Në sistemet shoqërore me mungesë lirie e deformim të të drejtës, populli ka lënë postutale zhgënjimi  nga mos zbatimi i ligjit duke trasmentuar në breza thënjen :” O e drejtë,Plaç të preftë ! O e shtrembër, Lepe Siurdhonë ! ”. Në sistemet demokratike europiane-perëndimore e amerikane ligji është i shenjtë,barazia e individit para ligjit zbatohet me seriozitetin  e përgjegjësi të lartë shtetërore,ndërsa  në vendet me demokraci fallco me korrupsionin e fshehtë  e kanë shndërruar ligjin e të drejtën në monedhë fitimi maksimal për të grabitur sa më shumë.Autori nëpërmjet analogjisë me botën e kafshëve,demaskon politikanët demagogë e të korruptuar që “flasin për ligjin e bëjnë si të duan me ligjin”..ashtu siç thotë populli për “Ligjin dhe Maliqin”.
     Autori  në bashkëbisedimin e tij shtron pyetjen : “E ç’mund të jetë dashuria nëse nuk është ai mister që na ngjitet për shpirti dhe na shoqëron në gjumin e natës së errët,na del në mes të rrugës e na qorrollis në ditën me diell?.”. Autori rrëfen me ndjeshmëri duke analizuar komunikimin  e marrëdhënijet intime në dashuri,ku shpirti njerëzor në këtë botë me mjedisin e jashtëm komunikon nëpërmjet  hallkave shpirtërore-mendore.Hapi i parë është ajo e instikteve si ajo e urisë,etjes,vetëmbrojtjes instiktive dhe instiktit seksual që aq shumë e ka trajtuar “babai i  psikologjisë”, Sigmund Freud, etj. Hallka e dytë është ajo e ndjenjave ku theksohen frika,dashuria,urrejtja,smira,egoizmi,mëshira, etj,të cilat janë ndjenja pozitive e negative në aspektin moral.Hallka e tretë është llogjika ose arsyetimi që luan rolin e “doganës”  që lejon ndjenjat dhe instiktet që nuk dëmtojnë shoqërinë dhe ndalon ato që dëmtojnë komunitetin dhe njerëzit e tjerë.Këto përbëjnë dhe bazën e normave morale të individit në rapot  me vetveten,familjen dhe shoqërinë.
      Autori e orention lexuesin ti besoj vetvetes. Të vështroj me optimizëm ngjyrat e jetës. Të reagoj me energji ndaj tatëpjetave të jetës. Me fjalë të tjera të zhvilloj jetën pozitive të karakterit vetjak. Gjithë lumturia qëndron këtu dhe në pjesën më të madhe është në duart tona, mjafton të dish ta presësh.Mënyra me të cilën përballon problemet e përditshme varet mbi të gjitha nga karakteri ynë. Është më shumë një çështje mendore, duhet të bindësh vetveten që fati varet nga ti dhe askush tjetër. Mos humb kohë duke pyetur veten: "Përse më ndodh mua". Përkundrazi, mënyra më e mirë për të përballur problemet është të shikosh përpara. Pra, të përqendrosh vëmendjen drejt zgjidhjes së problemit.
      Autori Novruz Abilekaj me përshkrimet e tij  rrezaton optimizëm për ta jetuar të tashmen e jetës duke ju dhënë dashuri të tjerëve. Është me të vërtetë më e mira për t'u frymëzuar, kur
bëhet fjalë për miq.  Mos prit që të vijnë miqtë nga qielli dhe të rrijnë pranë teje nëse nuk i jep asgjë si shkëmbim. Duhet të jesh e kujdesshme, e pranishme, t'i telefonosh, të shqetësohesh për të, ta dëgjosh, ta mbështesësh në momentet e vështira. Duhet të japësh po deshe të marrësh.
 Autori thekson : “Njerëzit flasin,shkruajnë e bëjnë filma për lirinë e dashurisë,edhe për orgjitë në dashuri,ndërsa në të vërtetë dashurinë e fshehin thellë,atje ku është skuta më e padukshme e qenies së tyre”.
       Në pjesën”Rrëmbime të shpirtit që shaktohen nga prekja e mishrave dhe Liria jonë fizike qenka mikroskopike para lirisë së shpirtit”, autori  nëpërmjet përjetimeve reale apo imagjinare zbulon të fshehtat e Unit, i cili na shfaqet në disa forma.Studjuesit amerikan Joseph Luft dhe Harry Ingham duke studiuar sjelljet e njerëzve, kanë arritur në konkluzion se personaliteti ynë nuk përbëhet vetëm prej një “Un-i”, por prej katër “Un-ve”. Pra, katër pjesëve, fushave, sferave  të cilat së bashku  pasqyrojnë personalitetin tonë.Këto katër fusha (un-a) që i bartim në vete, është vështirë t’i kemi së bashku nën kontroll: shpeshherë ato e plotësojnë njëra-tjetrën, mirëpo shpesh edhe e konkurojnë njëra-tjetrën. Dhe kur njëra prej tyre arrin të marr pushtetin, atëherë ajo edhe bëhet pjesë e identitetit tonë, pra ne edhe identifikohemi me karakteristikat e asaj fushe të personalitetit, në sytë e të tjerëve.
      Autori Novruz Abilekaj në romanin “Shoku Hiç”,nëpërmjet personazheve  Blina,Emi, Shoqja  Nina  etj përshkruan  lidhjet sentimentale në botën shpirtërore të femrës,që siç thuhet”sytë e femrës janë pasqyrë e shpirtit të saj”. Njeriu shumë gjëra mund t'i fshehi me sjelljet e veta, deklarimet, pamjen e vet, por asnjëherë nuk mund të fshehi reflektimin e shpirtit të syve. Bebezat e syve zgjerohen kur dikush na pëlqen, ndonjëherë mblidhen. Shkëlqimi në sy tregon gjendjen tonë emotive dhe atë psikike.Dridhërimet, fokusimi i koncetruar i shikimit janë shprehje të gjendjes sonë të brendshme por në të njëjtën kohë edhe reaksion në ngacmimet nga jashtë apo në personin që e vështrojmë. Në sytë tanë shihet gjithçka.Furia seksuale, epidale, brutale, politike, magjike na çon në lartësitë më të shëndritshme dhe në thellësit më të zymta.Kështu jemi gatuar ose kështu qytetërojmë veten për të fshehur mëkatet tona. Kështu te njeriu veprojnë  këto katër fusha të uni-t tonë, që ndoshta, janë përbërësit e personalitetit tonë:
       Edhe në romanin”Shoku Hiç” janë pasqyruar të katër fushat e Unit .Së pari  Uni i pavetëdijshëm (i panjohur edhe për mua edhe për të tjerët): Aty janë të deponuara njohurit e pashfrytëzuara, talenti, por edhe mënyra e të sjellurit, të cilën ne,vështirë ose fare nuk mund ta kontrollojmë.Aty mendohet së është e memorizuar edhe përvoja jonë jetësore e kultivuar që nga fëmijëria për të cilën  autori Novruz Abilekaj kujton :”Isha katër vjeç.Katër vjeç njeriu është shumë më i vogël kur është fjala në fushën e dashurisë ideale dhe tepër më i vogël pët të cekur skëterrat e materializimit seksual të saj…..Ishim katër fëmijë dhe të katër ishin reth katërvjeçarë. Beni,Ganiu e Drita.Luanim e qeshnim.Luanim e grindeshim.Drita lëvizi…U zbuluan këmbët e vogla deri atje ku ato bashkohen në hapsirën e vogël që njeriu ka menduar ta fshehë pas  një rrobe të ngushtë….Hyri rrezja e diellit dhe ndriçoi pikërisht breçkat e bardha të Dritës…Mu trembën sytë si nga pëllëmba e babait ,si nga zogu që fluturon para syve,si nga vetëtima e befasishme….Nuk u trembën vetëm sytë.Nga brenda u tremba më shumë..As thashë e as kuptova gjë veçse nuk harrova kurrë.Nuk ndalova së pyeturi për vite me radhë”.
      Autori përshkruan bukur me emocione malli largimin nga vendlindja kur ishte në moshën pesë vjeçare.Mbresat fëminore nuk harrohen kurrë.Ato kujtohen pas shumë viteve si të freskëta edhe në moshën e pleqërisë dhe ndoshta e shoqërojnë njeriun edhe ditën kur jep shpirt e largohet nga jeta reale.
   Së dyti  Uni i fshehur (i njohur vetëm për mua): Secili e posedon këtë fushë:dëshirat sekrete, ndjenjat ose obsesionet, për të cilat kemi bindjen se të tjerët mund të na refuzojnë ose na lëndojnë. Ne llogarisim me këto reaksione, prandaj edhe i fshehim këto ndjenja prapa një maske mbrojtëse të brendshme. Dëshirat tona, mendimet tona por edhe sekretet e “errëta”, filtri i epsheve tona nuk duhet t’i dijë asnjëri, ato duhet të mbesin pjesë e personalitetit, të njohura vetëm për ne.Autori  përshkruan intimitetin seksual  me shefen Nina në pjesët “Rebelimi i syve që u përqëndruan  atje ku gurgullonte nuri femëror i shefes dhe Luanesha shtrydh njerëzisht viktimën mes këmbëve”. Autori rrëfen me një humor të hollë raportet intime erotike me shefen Nina  për një mëkatë të udhëruar duke argumentuar se instikti, pulsoni erotik, libidoja frojdiane, është e vetmja arsye që i shtyn meshkujt dhe femrat drejt një raporti seksual.Kultura seksuale administron e forcon lidhjet sentimentale midis meshkujve e femrave,të cilët në bashkëpunim shpirtëror e fizik  sfidojnë kompleksin e frikës duke shijuar lumturinë e Unit të tyre.
    Së treti  Uni i verbër (i njohur për të tjerët):  “Nuk më intereson se çfarë mendojnë të tjerët për mua”. Kjo është moto e njerëzve që timonin  e tyre e drejton uni i verbër. Uni i verbër përfshinë shumë dukuri që për ne, nuk janë të “njohura”, por, që të tjerëve u bien në sy, pa i vërejtur ne ato. Pra, ato që të tjerët i dinë për ne, por që ne vetë nuk arrijmë t’i dimë ose nuk dëshirojmë t’i dimë. Këtu kemi të bëjmë me gjërat që për arsye të ndryshme nuk dëshirojmë t’i bëjmë publike, por nganjëherë i shprehin në formë heshtjeje. Ose, ndoshta, pasi ne vetë qëllimisht i shmangemi bisedave që kanë të bëjnë me këtë fushë të personalitetit.
     Së katërti Uni i hapur (i njohur për mua dhe të tjerët): Kjo fushë e uni-t përfshin gjithçka që ne vetëdijshëm e vlerësojmë. Kjo është fusha e personalitetit tonë, në të cilën ne i shpalosim vlerat tona të vërteta.Kush arrin që këtë dritare të uni-t ta hapë mjaftueshëm, ai arrin të fitoj edhe besimin e të tjerëve - arrin të bëhet i suksesshëm, sepse të tjerët e pranojnë si të sinqertë. Kjo do të thotë, që të arrihet baraspesha maksimale mes pasqyrimit tonë dhe atij, shikuar nga
këndvështrimi i të tjerëve. Është e nevojshme të kesh kurajën për t'i marrë përsipër rreziqet: Sfidat janë kripa e jetës dhe, të fituara ose të humbura, janë të nevojshme për tu rritur dhe për
tu bërë më i fortë. Sa më shumë do të kesh kurajën për të përballuar rreziqet, pra të luash "ndeshjen e jetës" si person i parë, aq më shumë do të ndjehesh mirë, sepse do të dish se ke dhënë maksimumin. Fusha e katërt e Unit të hapur ishte për “Shokun Hiç” dritare e mbyllur,në një botë që kafazi rrinte vetëm i kyçur, ashtu siç rrëfen autori Novruz Abilekaj :
 “Në faqet e këtij libri janë derdhur rrëfimet e një shpirti të tejlodhur nga roli i njeriut të përditshëm.Ky njeri,i ndodhur në çdo hap të jetës në betejë të papërfunduar ndonjëherë me kanunet e shoqërisë për rreth tij dhe me moralin institucional,më në fund,shkarkon shpirtin.Ena e shpirtit të tij zien nëpër flakët e betejave midis të të papajtueshmëve të përjetshëm:tabutë morale,vetëmbrojtja,bashkëjetesa nga njëra anë dhe afirmimi i unit dhe joshja e seksit në anën tjetër.”
     Kur lexon romanin” Shoku Hiç”  të autorit Novruz Abilekaj të rrëmben embëlsisht në galaktikën e tij, në universalitetin e jetës që përshkruhet bukur me emocione të fuqishme. Ai të ndihmon të njohësh më mirë vetveten dhe të rifreskon dijen që sejcili lexues ka fituar në të gjitha ciklet të arsimit të tij.Me koncepte të qarta të të gjithë disiplinave shkencore,autori me deduksione në çdo faqe të librit jep informacion shkencor duke e argumentuar në shtratin e ligjeve e ligjësive të  natyrës e shoqërisë njerëzore ekzistencën e njeriut si qënje aktive e natyrës e shoqërisë.Nëpërmjet përshkrimeve letrare janë integruar konceptet shkencore filozofike,
psikologjike,politike,ekonomike,juridike,mjekësore,anatomike, botanike,zoologjike,gjeografike,
morale e religjionale. Nga “Shoku Hiç” mëson të njohësh më mirë vetveten dhe të tjerët se në këtë botë gjërat janë shumë të komplikuara ,se njeriu është shumë i ngatërruar, dhe shumë i ngarkuar nga ngatërresat brenda tij,po mos të harrojmë se gjithçka varet nga kendvështrimi , dhe se njeriu ka aftësi të pamasë justifikuese ,qoftë dhe për veten brenda vetes,pastaj për të pretenduar të paktën  mesin e artë.Njeriu ëndërron për të ardhmen ,shqetësohet vazhdimisht  për të nesërmen duke lejuar ta kapë nostalgjia për të shkuarën,por duhet të kuptojë  që vetëm e tashmja është e sigurt dhe reale, sepse e ardhmja do të vijë gjithmonë e ndryshme nga parashikimi. Vetëm e sotmja është e sigurt dhe reale,është koha efektivisht e realizuar dhe aty përqendrohet tërë ekzistenca jonë .Romani “Shoku Hiç” të frymëzon për ta jetuar jetën ashtu si të vijë duke përballuar e sfiduar  dhimbjet,shqetësimet , pa u turbulluar me imazhet e trishta të shpresave të zhgënjyera në të kaluarën ose me shqetësimet për të ardhmen,  është marrëzi të shprishësh me qëllim të tashmen, duke u hidhëruar për atë që ka ndodhur ose duke u merakosur për atë që do të ndodhë. Megjithëse zemërthyer,duhet të braktisim atë që ka ndodhur.Nuk duhet të harrojmë vargun e njohur të Gëtes: “ Ich habe mein Sach auf nicht gestellt “ – Unë kam për vete , aq sa nuk më tepron asgjë .  
      Autori Novruz Abilekaj në romanin “Shoku Hiç” ushqen shpresën se individi  mund të arrijë atë paqe shpirtërore që është baza e lumturisë njerëzore ,vetëm pasi të ketë hequr dorë nga të gjitha pikësynimet lakmitare dhe të përshtatet me një ekzistencë të thjeshtë dhe të pastër .Për këtë arsye  nuk duhet të harrojmë  që e sotmja vjen vetëm një herë dhe nuk kthehet më. Sepse vërtet jemi të prirur të harrojmë se çdo ditë e vetme është pjesë plotësuese dhe e pazëvendësueshme e jetës sonë.
        Romani”Shoku Hiç” ” ka një strukturë interesante, është një cikël elipsor me pikëtakime meridionale, ku lidhen e kulmohen ngjarjet që thithen nga boshti kontekstual mbi të cilin ngrihen karakteret dhe zbërthehet paralogjia e situatave dhe ndjesive, ku ngrihet monumenti rrëfimit në shkallën e duhur duke shfaqur origjinalitetin dhe vlerat e autorit.Në roman zbërthehen me psikologjinë e kohës vërtetësia e situatave ,  intimiteti, virtualiteti, spiritualiteti dhe terreni i jashtëm  me gjithë problemet e përplasjet e një realiteti sa të vërtetë, po aq dhe të dyshimtë. Autori ka një disiplinë korrekte të kodit të komunikimit si në monolog, ashtu edhe në pjesët dialoguese. Kjo realizohet me tensionin veprues që përfshin shtrirjen lineare të romanit,sigurinë e pasigurinë, vizionet që frymojnë hapësirën që mbërthen në ethe qënien njerëzore dhe gërsheton gjithçka me botën reale. 
     Përdorimi i  ndendur fjalive pyetëse në parashtrimin e ngjarjes sjell impuse mendimi,sepse nëpëmjet pyetjeve kërkohet informacioni për pasurimin e dijeve,ashtu si përballë mësimdhënësit,udhërrëfyesit që ka parasysh dy sistemet që bashkëveprojnë në trurin e njeriut,njeri për informacionin e zakonshën dhe tjetri për infomacionin emotive me baticat dhe zbaticat në veprim e gjykim.Autori duke  rijetuar dramën e pabesueshme të realitetit kërkon ta bëjë më se të besueshme tek vetja e tek të tjerët. Mënyra e trajtimit të jetës këndvështrohet  me këndvështrime që mpleksen këndshëm, sepse  reflekset gjallohen në çdo situatë.Shprehja artistike është individuale. Aty ndeshim harmoni artistike, psikologjike, shpirtërore pa dallim moshe.  Elasticiteti gjuhësorё është për t`u admiruar. Dallohet intertekst letrar dhe gjuhёsorё.             
        Autori Novruz Abilekaj me romanin “Shoku Hiç”  arriti të shfaqet ndryshe,me vizione të qarta për të ardhmen  e krijimtarisë së vet duke trasmentuar te lexuesit devizën se dashuria është ajo që në konceptin financiar quhet “Investim”. Investoni dashurinë tuaj sa më mirëe me mendje dhe zemër së bashku.Askush nuk është më i skllavëruar se ai që gabimisht mendon se është i lirë.Veprimet e bëra me zemër nuk janë asnjëherë të sikletshme apo të gabuara, është pikërisht arsyeja dhe të menduarit që na bëjnë më konfuz ne atë që duam të bëjmë e që kërkojmë.Dashuria nuk është racionale. Veprimet e bëra me zemër ndreqen me tru. Veprimet e bëra me tru nuk ndreqen me zemër! Nuk ka gjë më të bukur kur arsyet e mendjes janë në pajtueshmëri me zerin e zemrës! Por, ja që shpesh na ndodh të kemi një përplasje të fuqishme mes"zerit të zemrës dhe arsyejes" ...janë luftëra të fuqishme që ndodhin brenda nesh ... se ç’kaos na sjellin ... sado të mundohesh ta shtypësh atë zë ai bëhet edhe më i fuqishëm ..sa më shumë mundohesh ta "bindesh" aq më shumë "të bind" që të paktën ndonjëherë  edhe duhet ta dëgjosh zerin e zemrës ...
     Megjithatë, ne kemi parimet tona, për të cilat zemra nganjeherë as që do tja di... por sado e mundimshme dhe e vështirë për tu fituar lufta "zemër arsye" ajo arrihet, pa dyshim ! Është  nevojë e jona të studiojme veten tonë...fundja njeriu është aftësi që studion jetën e vet.
Edhe romani “Shoku Hiç” na trasmeteton mesazhin .Të njohim sa më mirë jetën e vetveten.Kur e arrijmë këtë ,arrijmë shumëçka, i kuptojmë gjërat ndryshe. Kuptojmë se duhet të kemi një raport paqësor me jetën,e cila është e shkurtër dhe çdo gjë është e përkohshme.
      Duke përfunduar së lexuar romanin ”Shoku Hiç” të autorit Novruz Abilekaj të shtohet dëshira  që të ta rilexosh përsëri, për të kuptuar e vlerësuar jetën.Romani është i këndshëm për tu lexuar nga të gjitha moshat,por “Shoku Hiç”  është një mik i vlefshëm për gjimnazistët.studentët e  filozofisë,sociologjisë, psikologjisë ,mësuesit,juristët,mjekët,politikanët e mirë dhe për gjithë intelktualët.
    Këtu largë oqeanit ku banojë i detyruar nga sëmundja, më erdhi në shtëpi,”mysafir” Shoku Hiç. Ndonëse isha me shqetësime shëndetsore nga disa minioperacione,kur fillova të lexoj romanin “Shoku Hiç” mu ndërprenë dhimbjet e plagëve,humba duke u bërë pjesë e librit. Më rrëmbeu  çdo fjalë e shkruar me një peshë të lartë specifike mendimi.Dendësia e arsyetimit  me analiza e sinteza,me induksione- deduksione për jetën e njeriut më angazhuan  që ta rilexoja e ta studjoja për të bërë këtë shkrim modest, Nuk jam kritik letar,por kam dhënë për shumë vite në gjimnaze lëndët histori-filozofi,duke studjuar në mënyrë të vazhdueshme botimet e shkencave filozofike,psikolgjike,sociologjike etj,por kur lexova romanin “Shoku Hiç”,isha një nxënës vemendshëm për të kuptuar çdo fjali të librit.
Urime e suksese  autorit Novruz Abilekaj !
 Qatip Mara

Bayside New York  18 nëntor 2015

No comments: