Friday 27 November 2015

Sali Niazi Dede, ish-kreu i Bektashinjve, luftëtar i çështjes kombëtare shqiptare, u ekzekutua natën në Selinë e Shenjtë në Tiranë





Nuk firmosi pushtimin e Shqipërisë, fashistët dhe kolabarcionistët
vranë më 28 nëntor 1941 kryegjyshin Botëror Bektashian

Nga Kujtim BORIÇI




Para patriotit Sali Niazi Dedej, 74 vite më parë, vendosën dokumentin e pushtimit të Shqipërisë nga Italia dhe në cilësitë e Kryegjyshit Botëror të Bektashinjve, i kërkojnë të firmosë këtë akt, ku pushtimi, duhej të quhej ‘ftesë nga vetë shqiptarët’. Sali Dedej refuzoi duke thënë: “Ky është pushtim dhe asgjë tjetër! Nuk mund të firmos për robërinë e shqiptarëve, për pushtimin e vendit tim!”. Këto fjalë, të fiksuara dhe në dokumentet e kohës, u pasuan menjëherë me vendimin për ekzekutimin e tij nga pushtuesit e qeveria kuislinge. Kjo ndodhi më 28 nëntor të vitit 1941, në përvjetorin e shpalljes së Pavarësisë, në mjediset e Selisë së Shenjtë të Kryegjyshatës Botërore në Tiranë. “Sali Niazi Dede, është krenaria e bektashizmit dhe patriot i çështjes kombëtare shqiptare...”- pohon mes të tjerave Kryegjyshi Botëror i Bektashinjve Haxhi Baba Edmond Brahimaj.
KUSH ËSHTË ATDHETARI SALI NJAZI DEDE
Sali Njazi Dede lindi më 1876 në fshatin Starje (Starja) të Kolonjës. Në moshë të re, me familjen e tij, emigroi në Turqi ku përfundoi studimet në gjimnaz. Në moshën 20 vjeçare, filloi studimet fetare në teqenë e Haxhi Bektash Veliut...Në postin e lartë të Kryegjyshit u zgjodh në vitin 1913 në Haxhi Bektash. Me përkushtim, arriti cilësi të larta morali. Shumë shpejt u bë i njohur në rrethin klerikal të Turqisë, Egjiptit, Sirisë, Iranit, Irakut, Greqisë, Rumanisë Bullgarisë, Hungarisë, Jugosllavisë, Shqipërisë etj. Misioni i ngarkuar i dha një përvojë të pasur si klerik, organizator dhe drejtues i aftë i Kryegjyshatës Botërore të Bektashinjve. Në vitin 1925, Ataturku me ligj, ndaloi dhe mbylli teqet bektashiane në Turqi. Në vitin 1929, Kongresi i tretë bektashian në Korçë vendosi që qendra e Kryegjyshatës Bektashiane të vendosej në Shqipëri (mbasi ishin bërë bisedimet disa vjeçare me Sali Njazi Dede e qeverinë shqiptare të Zogut dhe Turqisë). Kryegjysh u vendos të ish sërish Sali Njazi Dede, i cili ka vlera të veçanta në privilegjin dhe në respektin e madh që i bëri Shqipërisë dhe shqiptarëve për vendosjen e Kryegjyshatës Botërore Bektashiane në Tiranë. Ai bashkëpunoi me qeverinë e asaj kohe për ligjin mbi fenë. I dha dimension të ri bektashizmit në Shqipëri dhe marrëdhëniet e bashkëpunimin me teqetë në rajon dhe në botë. Ishte krijues i talentuar me mjaftë shkrime. Më 28 nëntor të vitit 1941, Sali Njazi Dede për shkak të mos nënshkrimit prej tij të aktit të kapitullimit të Shqipërisë nga Italia fashiste e vranë mizorisht bashkë me dervishin e tij, Azizin. Ai mbetet një figurë e lartë e bektashizmit në Shqipëri dhe në botë. Albapost, në ciklin e figurave të shquara për vitin 2001, ka emërtuar në emisionin e pullave Sali Njazi Dedein. Sali Dede para se të vinte në Shqipëri si Kryegjysh Botëror, ka një aktivitet të madh si klerik e atdhetar në Turqi, Greqi, Egjipt e vende të tjera...
NATA E KRIMIT TË RËNDË
Mbështetur në dokumente arkivore, nata e 28 nëntorit e vitit 1941 kur u vra Sali Niazi Dede, është parapri me një ditë debatesh të ashpra mes tij dhe përfaqësuesit të mbretit italian në Shqipëri, për të pranuar pushtimin e italianëve si liri, nëpërmjet një shkrimi që ai ta botonte të nesërmen (ditën e 28 nëntorit) në gazetë. Ja si vjen kjo ngjarje në dokumentet e dëshmitë e kohës: “...Sali Niazi Dede ftohet nga përfaqësuesi i mbretit italain i cili i tha: ‘...Edhe drejtuesit e tjerë shpirtërorë kanë thurur lavde për italianët dhe mbretërinë, po ju nuk do të shkruani!’. Sali Niazi Dede iu përgjigj: ‘Unë jam udhëheqës shpirtëror i bektashinjve, nuk jam drejtues i një partie politike, nuk merrem me punë politike’. Pas debatesh të shpra, refuzimit të Sali Dede, funksionari i lartë italian i tha:’...Lëreni, mos flisni, do e shohësh këtë...!’”. Po çfarë ndodhi pak orë më vonë? Pa u afruar mesnata, Sali Dede qe banonte në Selinë e Kryegjyshatës, pasi ka qëndruar deri vonë me dervishët e punonjësit, ka shkuar si zakonisht të flejë gjumë në dhomën e tij. Ndërkohë, sipas një skenari të parapërgatitur, disa persona futen në dhomën e tij dhe e ekzekutojnë, bashkë dhe me një dervish që dëgjoi zhurmë e vajti në ndihmë. Pastaj largohen. Vrasja e Kryegjyshit Botëror Bektashian, bëri bujë të madhe. Menjëherë u arrestuan 17 persona, e zyrtarisht u tha se ‘vrasja ndodhi nga një grup vjedhësish që donin të merrnin një orë shumë të shtrenjtë të Njazi Dede”. Por në fakt, kjo ishte alibi, pasi ora, më voën u gjet. Atë e vranë pushtuesit dhe kuislingët vendas, pasi nuk pranoi të firmosë pushtimin italian si ‘liri për vendin...


SOMARIU

Haxhi Baba Edmond Brahimaj: Ishte klerik e atdhetar i shquar!
Kryegjyshi Botëror i Bektashinjve, Haxhi Baba Edmond Brahimaj e vlerëson lart personalitetin e ish-Kryegjyshit Botëror Sali Niazi Dedej, si njeriun që gjithë jetën punoi e luftoi për bektashizmin dhe atdheun, për lirinë e demokracinë. “Kryegjyshi Botëror Sali Niazi Dede, ishte dhe mbetet një klerik i shquar bektashi dhe një atdhetar që punoi gjithë jetën për besimin, lirinë, demokracinë dhe përparimin e atdheut. Ai u vra pabesisht në Selinë e Shenjtë më 28 nëntor të vitit 1941 nga pushtuesit e kolabarcionistët vendas vetëm se nuk pranoi të firmoste dokumentin e pushtimit të vendit nga fashizmi italian... Në dekadat e para të shekullit të kaluar, ky bektashi e patriot i madh, ndiqte me vemendje ngjarjet kulmore të vendit të tij, Shqipërisë, duke kontribuar maksimalisht në të mirë të kombit të tij. Sali Njazi Dede erdhi në Shqipër me vizion të qartë për Kryeqendrën Botërore të Begtashizmit, jo vetëm të jetonte në paqe e bashkëjetesë me besimet e tjerë fetarë, por dhe të kontribuonte në harmoninë midis feve. Si klerik e atdhetar, ai është shpallur dhe ‘Dëshmor i Atdheut’, duke mbetur një shembull i klerikur tolerant e atdhetar në kohra”- pohon Baba Edmond Ibrahimaj për gazetën “Telegraf”.


SOM
VLERËSIMI
Pas proceseve demoktarike në Shqipëri, ndër figurat e para të rivlerësuara si klerikë e atdhetarë, është dhe ish-Kryegjyshi Botëror i Bektashizmit, Sali Niazi Dede. Krahas vlerësimeve të tjera shtetërore dhe nga organizma jo qeveritarë, ai është shpallur dhe ‘Dëshmor i Atdheut’”


No comments: