Saturday 23 April 2016

NDIHMESA E NERMIN VLORA FALASCHIT NË FUSHËN E STUDIMEVE ANTROPOLOGJIKE DHE ETNOLOGJIKE



Nga MSc. Albert HABAZAJ*

Kam emocion e ndihem krenar që jam këtu, në Akademinë e Shkencave të Shqipërisë, që të kumtoj për Nerminin, dijetaren me shpirt të madh. Jam katalogues e drejtoj Bibliotekën Qendrore të Universitetit të Vlorës, që ka emrin e Ismail Qemalit. Biblioteka ka emrin Nermin Vlora Falaschi. Kështu që unë kam fatin e veçantë, se çdo ditë shoh e takohem me Nerminin. Takimet dhe bisedat me të më kanë bërë më të mirë … Çdo mëngjes, sa ulem e hap kompjuterin, më shfaqet shprehja, që kam shkruar në desktop: “MIRËMËNGJESI, PUNË! MIRËMËNGJESI, LIBËR! MIRËMËNGJESI, BIBLIOTEKË! MIRËMËNGJESI, NERMIN!” Ç’rastësi bukurisht simbolike! Sot është 23 Prilli, Dita Botërore e Librit dhe, është nder, dinjitet e përgjegjësi e madhe për ne, që në tempullin shqiptar të dijes, këtu, në Akademinë e Shkencave, po përurojmë Librin Diellor në trajtë njeriu, që quhet Nermin Vlora Falaschi. Sot duhet të isha në Vlorë, sepse bëjmë çdo 23 prill veprimtari në universitet dhe në qytetin tonë. Më erdhi mirë që Kryetari i Akademinë e Shkencave, prof. Myzafer Korkuti shprehu mirënjohje për punën humanistike të Nermin Vlorës, duke rekomanduar që të futet edhe në tekstet shkollore, sepse, deri më sot nga sistemi arsimor shqiptar, pothuaj nuk është njohur apo nuk është përfillur studimtaria e saj titanike. Më në fund, Nerminit iu hap dera e Akademinë e Shkencave të Shqipërisë. Qoftë ogur i mirë!…
Linguisti danez Holger Pedersen (07. 04. 1867 - 25. 10. 1953) ka bërë këtë vlerësim: “Gjuha shqipe është një gjuhë e fuqishme dhe e bukur që duhet të jetë krenaria e folësve të saj dhe një mjet i shenjtë për zhvillimin kulturor dhe intelektual të kombit të vjetër shqiptar”.
Në këtë kuadër, qysh kur zonja Luka ideoi e konceptoi realizimin e Konferencës shkencore “Nermin Vlora Falaschi, dritë diturie dhe patriotizmi” në përkujtim të 95 vjetorit të Ambasadores së Kombit Nermin Vlora Falaschit (Tiranë, 18. 04. 1921 - Romë, 28. 11. 2004; tok me Renzon prehen në Kaninë) dhe të kontributit të saj në fushën e studimeve albanologjike, më erdhën ndërmend vargjet e poezisë “Borxhet e mia” të xhevahirit të Letrave shqipe, Xhevahir Spahiu. Akademia e Shkencave, shoqëria shqiptare po shlyen një nga borxhet e mëdha që i kemi shkrimtares fisnike dhe humanistes dritërore[1], Nermin Vlora për emrin e lartë që na ka dhënë në universin e dijes, qytetërimit  dhe përparimit. Puna kërkimore - shkencore në terren, në jo pak por në 12 vende të ndryshme të botës, falë mundësisë që i krijoi i shoqi, diplomati Renzo Falaschi, na jep të drejtën dhe na ngarkon me detyrë ta trajtojmë me objektivitet dhe ta vlerësojmë studimtarinë e saj të çmuar, që na ka lënë dhe në fushën e antropologjisë kulturore. Duke studiuar botimet e saj, duke shfletuar me vëmendje dorëshkrimet e lëna si bulëzime antropologjike nga udhëtimet për tek kulturat e popujve të ndryshëm, vendesh të largët e të spikatur që nga SHBA në Ugandën tropikale, që nga Anglia në  Çekosllovaki, që nga Kina në Kolumbi [Kolombi], që nga Portugalia në Kosovë ... dhe më pas kthimi në të tashmen, vetvetiu na shfaqet shëmbëlltyra e saj si një Edith Durham shqiptare nëpër botë; duke thurur shkrimet e saj antropologjike, si një mozaik magjik lulesh kulturore, gjatë udhëtimeve, qëndrimeve në ato hapësira ku shkeli, jetoi e punoi, në krah të bashkëshortit të saj, ambasador i Italisë në disa shtete të botës. E arsimuar për shkencat juridike, Nermini iu përkushtua tërësisht lundrimit në detin e shkencave humane si një anije e bardhë me vela, deri në fund të frymës. Dha kontribute të dukshme në dy fusha: në krijimtarinë letrare dhe në kërkimin shkencor, nga ku, me këtë kumtesë të vogël për veprën e humanistes së madhe, do të qëmtonim sadopak nga ndihmesa e saj me qasjet antropologjike dhe etnologjike, që na ka lënë si visare kulturore.
I- Qasjet antropologjike të Nermin Vlora Falaschit qëmtohen në veprat e saj me përmbajtje  shkencore mbi qytetërimet e lashta euro-mesdhetare dhe me interpretimin e dokumenteve epigrafike të pellazgëve, ilirëve dhe të etruskëve. Ndër rreth 40 libra, nga botimet me udhëshkrime të Nerminit, ku studiuesja paraqet vështrimet e saj antropologjike përmendim librat: “Kina”, (1972), “Bashkësia dhe autonomia” (1973), “Konsiderime mbi civilizimin Çibça” (1979), “Pellazgët, Ilirët, Etruskët, Shqiptarët” (1984), “Etruskishtja-gjuhë e gjallë” (1989), “Lashtësia e gjuhës shqipe” (1991), “Shqiptarët, popull i ndarë” (1996), “Prona gjuhësore dhe gjenetike. Probabilitetet e monogjenezës embrionale të fjalëve” (1997), etj. E pajisur me ndjeshmëri, mendim e intiutë, e ambientuar me jetën nomade të diplomatit, Nermini shfaqet e realizuar si një eksploruese e shquar, studiuese e traditave dhe e dokeve të të huajve dhe të shqiptarëve. Ravijëzohet si një pioniere e antropologjisë kulturore, se dhe nga botimet e shënimet e shumta ende të pabotuara, del që ajo nuk u angazhua vetëm në studimin e traditave të shoqërive parake e të largëta, të gjuhëve që si fillim janë të huaja, por vëzhgoi, studioi dhe shkroi edhe për gjurmimet në zabelet e Afrikës në ndjekje të primatëve. Studimin e traditave, dokeve (zakoneve) të njerëzve, të popujve tribalë në Afrikën Lindore apo në Amerikën e Jugut, Nermin Vlora e realizonte jo vetëm si studim krahasimtar të kulturave dhe shoqërive, si antroplogji që trajton krahasimin e popujve të zbuluar në kufijtë e ekspansionit europian, etj., por në një kuptim më të gjerë, duke e parë si problem qendror kërkimin për përgjithësime dhe teori mbi sjelljet sociale dhe kulturat e njerëzve. Nermini ishte e pajisur me dituri të thella. Shkruante shumë mirë me gjuhën standarte në italisht dhe shqip. Gjithashtu, komunikonte në gjuhët spanjolle, angleze, frënge, turke, greke, italiane dhe shqipe, njësoj si intelektualët, gjuhëtarët e oratorët (gojëtarët) më të mirë të vendeve përkatës. Edhe pse nuk kishte shkollim të mirëfilltë antropologjik, (studimet e larta i kreu për drejtësi në Universitetin e Sienës (Toskana, Itali; 1952 - 1957), ajo kishte nuhatje e dhunti antropologjike, studionte me dëshirë dhe zhytej thellë në jetën e njerëzve. Ngulmonte të futej natyrale sa më në imtësi të jetës së përditshme të komunitetit, lagjes a grupit. Gjuhën e vendit ku bujtëte e dinte mirë, mësonte dialektet e tyre, gjuhën e grupit në jetën e përditëshme, sepse e kishte merak parimin fonetik, sikur të ishte fonetikane. Përpiqej të mësonte dhe përshtatej shpejt me mënyrën e tyre të jetësës. Përmes vëzhgimit me pjesëmarrje, jetonte me ta me thjeshtësi e pa i fyer, duke vëzhguar modelet e jetesës. Puna në terren me ekspedita vetiake të njëpasnjëshme e pajisi me një gjuhë dhe kulturë të re. Kërkimi i gjatë dhe i thellë në literaturën e vjetër, në arkiva, në dokumenta të shkruar, fotografi, filma e objekte muzealë, harmonizuar me vëzhgimin me pjesëmarrje, me nëndarjet e duhura për studiuesen tone, prodhuan depërtim të mprehtë në kulturë dhe në proceset e vazhdimësisë dhe ndryshimit. Dyzet vjet me radhë udhëtoi, punoi e jetoi anekënd Europës, Azisë, Afrikës, Amerikës Latine e gjetkë, çka vlen ta themi krenarisht vërtetësinë, se Nermin Vlora Falaschi, me stazh të plotësuar të punës në terren “për të njohur tjetrin” është ndoshta nga të parat antropologje europiane e shek, XX me origjinë shqiptare. Gjykojmë se tradita e saj kërkimore përbën një model për t’u përfillur, studiuar e vlerësuar në fillesat ende të brishta antropologjike në Shqipëri. Ajo, falë mundësisë dhe dhuntisë vetiake, “i ka parë në sy” kulturat e popujve që ka “vizituar” dhe ku është mikpritur në këndvështrimin antropologjik, duke iu referuar përvojës së mësuar, së akumuluar, atyre modeleve për sjelljen të transmentuara socialisht dhe karakteristike për një shoqëri të caktuar. Një vlerë e dukshme në studimtarinë e saj antropologjike është se, edhe sipas saj, kultura përbëhet jo nga ngjarje e gjëra që ne mund t’i vëzhgojmë, numërojmë dhe masim, por përbëhet edhe nga ide dhe kuptime të përbashkëta. Humanizmi i saj kulturor e shkencor tejshikonte mirësi njerëzore qytetare, çka njerëzit mësojnë për t’u përmirësuar. Edhe nga shkrimet e saj dalin ide mbi standartet për të vendosur se çfarë është kultura, për të vendosur çfarë mund të jetë ajo, për të vendosur se ç’duhet bërë me të dhe për të vendosur si duhet të veprohet për të. Me shfaqjen herë pas hershme të xixëllimeve të mendimit antropologjik, kulturën ajo e vështronte dhe më tutje, si një sistem ideacional (konceptual).
Për studimtarinë e saj antropologjike, Falaschi vuri lentet e të tjerëve, i pa me sytë e banorëve përkatës të shoqërive e hapësirave, ku i ra fati t’i shkelte e të jetonte familjarisht; apo, në se shprehemi me gjuhë metaforike, ajo u fut në lëkurën e tyre. Veçse, asnjëherë nuk i hoqi syzet e saj, sepse gjykonte që bota nuk mund të zbulohet “me të vërtetë” vetëm duke e parë me syzet e tjetrit, pa i pasur vënë gjithashtu syzet tona. Në Kolumbi, të vetmin shtet të Amerikës së  Jugut, që laget nga dy oqeane, Atlantiku e Paqësori, jetoi 5 vjet dhe e njohu mirë përditshmërinë e zakonshme, mënyrën e jetesës së banorëve të atjeshëm. Pasi vizitoi “Muzeun e Artë” në Bogotá, (më i famshmi në botë, ku ruhen 50.000 koleksione), u bind se pajisjet e arta që pà, punuar me mjeshëtri të madhe, paraqesnin një kulturë të zhvilluar e magjepse. Me dashuri të veçantë e, patjetër, me vështirësi të ndryshme, ajo filloi gërmimet me kryeneçësi. Ishte e mendimit me  profesorin e gjenetikës humane në Universitetin Stanford, Kaliforni, Luigi Luca Cavalli-Sforza, i cili nuk e pranon datën e origjinës së gjuhëve indoeuropiane caktuar me anë të glotokronologjisë [Glotokronologji /a gr. chronos - kohë; logos- dije dhe glota - gjuhë; gjuh. metodë krahasimtare që merret me statistikën e fjalëve; leksikostatistikë]. Ajo gjykonte se popujt lëvizin vazhdimisht, nga një anë në anën tjetër të botës, atje ku gjejnë mënyra jetese të përshtatshme dhe e  kishte për zemër thënien se lëvizja e popullsive është njëfarësoj “motu perpetuo”, (lëvizje përjetësore) njësoj si valët e detit, që nuk asnjë mundësi t’i jepet emri një vale a një tjetre. Idea e prejardhjes së popullsive nga një vend  a nga një tjetër i vlejti në  gërmimet mbi qytetërimin parakolumbian Çibça në Bogotá. Fillimisht shfletoi autorët e ndryshëm para saj se çfarë kishin shkruar për këtë temë: Një autor përkrahte me vendosmëri pikëpamjen se popullsirat çibça kishin ardhur nga ngushtica e Beringut. Një tjetër autor, po aq i palëkundur, caktonte prejardhjen e tyre nga Polinezia (ndoshta 3000-2000 vjet p.K). Dhe Nermini thotë se si njëri ashtu dhe tjetri kishin të drejtë, meqë ato popullsi do të kenë ardhur si nga ngushtica e Beringut (që lidh Oqeanin Paqësor në veri me Arktikun: Siberi-Alaskë), ashtu dhe nga Polinezia (rajon i Paqësorit qendror, më lindori i 3 grupeve të mëdha të ishujve të Paqësorit). Sidoqoftë, sipas saj, një pikë mbetet kryesore dhe e pakundërshtueshme: “Alfabetin fonetike kanë zbuluar pellazgët dhe e kanë përhapur në vendet e ndryshme të botës ku ata kanë arritur me anijet e tyre të shpejta dhe të përsosura”.[2] Në Bogotá ajo studioi kulturën të parëve në atë rajon, sidomos atë para viteve 1500, kur në ato brigje e territore u dyndën kolonizatorët spanjollë. Dokumentet shkruajnë se, para ardhjes së spanjollëve, Kolumbia ishte pushtuar prej indianëve çibça. Vendbanimet e para të përhershme të europianëve u ngritën në brigjet karaibike; prej tyre Santa Maura u themelua më 1525 dhe Kartagena tetë vjet më vonë. Kolonizimin e brendësisë së vendit e udhëhoqi eksploruesi spanjoll Gonzalo Jiménez de Quesada-s, i cili i theu çibçat dhe themeloi qytetin e Bogotásë më 1538. Megjithatë, të parët e banorëve të asaj hapërsire, siç ishin fiset taironasit e sidomos chibchas (apo muiscas), janë parë si indigjene, të cilët ajo i studioi në thellësi kulturalisht. Për botimin e librave mbi qytetërimin e lashtë parakolumbian “çibça” është nderuar nga qeveria e Kolumbisë me dekoratën më të lartë të nderit “Oficial de la Orden de San Carlos” (1981), etj.  
II- Në fushë e etnologjisë, veprimtarja e diasporës shqiptare Nermin Vlora Falaschi shkëlqeu me guxim. Ajo, si një atdhetare e kulluar, gjenetikisht e brumosur me dashurinë për vendin e të parëve, si dhe me respektin për të vërtetën, ka një kontribut të dukshëm me begatitë etnologjike, që na ka lënë pasuri ne, shqiptarëve. Duke patur mundësinë e njohjes nga afër për një periudhë 25 vjeçare, sidomos gjatë viteve që kemi jetuar dhe punar në Itali, pohojmë se nuk kemi takuar njeriun me emrin Nermin Vlora Falaschi, por shpirtëzimin e Qiririt të Naimit, me emrin Nermin Vlora, që “në shpirt ka dashurinë, pa digjet për njerëzinë”[3]. Ajo u shkri si qiriri për lirinë qytetare të shqiptarëve, për lashtësinë e gjuhës shqipe, për traditat më të mira që na lanë të parët, për doket ndër shqiptarë. Ajo trajtesën “Nga etnocentrizmi në pluralizëm kulturor” e shikonte me interes përbashkues kulturash e qytetërimesh, si “qytetërime të ngjeshura pas njëri-tjetrit”[4] edhe pse e dinte që punonte në një trase të vështirë.  Qytetërimin e shikonte si një arritje me dyer të hapura, ku jepet, merret, tjetërsohet ... Është identiteti ynë kombëtar pronë e popullit shqiptar, që as jepet, as merret, as tjetërsohet, sepse me identitet kombëtar ajo kuptonte identitetin kulturor dhe qytetar, me komponente të tillë siç janë gjuha e banorëve, trashëgimia historike, kultura popullore, mentaliteti shoqëror, mënyra e jetesës, e drejta e  bashkuar, feja (jofeja). Si pjesë e së tërës ballkaniko-mesdhetare, shqiptarët kanë identitetin e tyre fizik, moral, kulturor, juridik e politik. Kishte lajtmotiv proverbin e gjeniut kozmik Leonardo da Vinçi (15.04.1452-02.05.1519): “Il corpo nostro è sottoposto al cielo e lo cielo è sottoposto allo spirito” (“Trupi ynë i nënshtrohet qiellit dhe qielli i nënshtrohet shpirtit”).  I sëmbonte në zemër gjenocidi i shovenëve grekë mbi popullatën e pafajshme çame në trojet e të parëve të saj. I dhembte tragjedia e dardanes së lashtë, Kosovës sonë të dashur, saqë klithma e shpirtit dhe e mendimit të saj jehonte deri në Dardanele ... Me veprën shkrimore dhe veprimin praktik, e nderonte etninë shqiptare, si gjenezën e saj të nderit, si bashkësi që përmbledh të tërë ata shtetas që flasin shqipen si gjuhë amtare, atë bashkësi, që siç e përcakton dhe etnologu akademik Mark Tirta: “përmbledh tërë shqipfolësit, që kanë një territor të caktuar të vetin, kulturë të vetën, të përbashkët që kanë një vetëdije të përkatësisë në këtë etni. Shkalla më  e lartë e etnisë shqiptare është etnia komb, etnia e organizuar në një shtet kombëtar. Etnia shqiptare përfshin brenda si bashkësi sociale: gjuhën, rracën, demografinë, territorin, ekonominë, klasat sociale, kulturë-etnokulturë, rrjetin urban, metropolin, institucionet politike”[5]. Kishte bindjen se funksionimi harmonishëm sinkretik i këtyre elementëve mbajnë kohezionin etnik e përforcojnë vetëdijen kombëtare. Ajo ishte një atdhetare idealiste, që i mëshonte me forcë e me shpirt patriotizmit platonik, ideal, të bukurisë morale, edhe asaj fizike; simbol i përsosmërisë së rracës së bukur (kurrë pa përbuzur të tjerët, njerëzit me ngjyrë). Nuk pajtohej me nacionalizmin që cilësohet si patriotizëm agresiv dhe shkakton konflikte diplomatike me vendet fqinje dhe ftoh miqësinë me popujt kufitarë me shqiptarët. Sipas botimit të nivelit akademik “Fjalori Enciklopedik shqiptar”, Nermin Vlora “iu kushtua sidomos  hulumtimit të lidhjeve kulturore e gjuhësore ndërmjet etruskëve dhe paraardhësve të Shqiptarëve, duke synuar të dëshmojë lashtësinë e etnosit shqiptar. Mbajti lidhje të vazhdueshme me Shqipërinë e me Kosovën, duke dhënë ndihmesë në afirmimin e vlerave të kulturës shqiptare në botë, dhe në sensibilizimin e opinionit ndërkombëtar rreth çështjes kombëtare shqiptare”[6]. Nga studimi i botimeve të saj etnokulturore, vërejmë se Falaschi nderonte kulturën e traditës, atë që zhvillohet në shekuj si praktikë jete, si një ushqim social që drejton jetën ekonomike të njerëzve. Po aq respektonte dhe e shikonte me vëmendje kulturën reflekse, atë të kultivuar e që merret me arsimim, me specializime të posaçme, me libra. Nga studimi i veprës së saj del, se ajo nuk i shikonte të shkëputura këto nëndisiplina të fushës së etnologjisë, por të ndërthurura midis tyre, që marrin e japin, disa herë njëjtësojnë të kaluarën e largët me të tashmen, shkrihen bashkë, duke këmbëngulur tek funksioni etno-integrues me identitetin kombëtar shqiptar. Nermini qe një rilindase e re, e vërtetë, jo në kuptimin metaforik e romantik, por në rrafshin shkencor vërtetësor, ajo këmbëngulte me qetësi, me qartësi e argumente për lashtësinë e gjuhës shqipe, që gjuha cilësohet tipari kryesor dallues i një etnie nga një tjetër. Ajo shkruan: “...vetë etnia e nji populli i përket gjuhës që ai flet”[7]. Bënte dhe kërkonte krahasimin nga druri i gjuhëve të fjalëve të shqipes jo vetëm me 2 apo 3 gjuhë, por gërmonte ndër ngjasimet dhe dallimet midis 12 gjuhëve të tjera. Entuziazmohej me zgjidhjen në trajtë pyetjeje të Cavalli-Sforzës se pse është e ligjshme të mendojmë se ka mundësi të bëhet një krahasim bazor midis evoluimit biologjik dhe atij gjuhësor dhe arrinte në përfundimin se ka analogji midis evoluimit të gjenit edhe të gjuhëve. Në këtë konteks, përmendte shpesh tezën darviniane, që po të njihet druri biologjik i grupeve të fiseve të ndryshme të njerëzve, do të ishte e mundur të njihej edhe ai i gjuhëve. Në kohë të reja, Nermini u bë ideali i  atdhedashurisë pa interes, i trimërisë së fjalës së vërtetë, i humanizmit, i diturisë, i përsosmërisë estetike. Edhe i bukurisë së rracës shqiptare! Ajo e shkruante dhe e fliste më bukur e më pastër shqipen se sa ne, banorët indigjenë (vendës, rrënjës). Ajo krahasohej, matej e guxonte të bënte polemika shkencore me elitën tonë diturake për lashtësinë e gjuhës shqipe. Edhe pse jo pak herë fjala e saj nuk mbërrinte në destinacion, sepse s’depërton dot fjala në veshë të shurdhër. Ajo qe një studiuese e zjarrtë, e gatshme për çdolloj dialogu në tryeza shkencore, të përbëra nga studiues që e duan të vërtetën. Theksonte që ishte romantike dhe kulturorët ilirianë i quante njerëz romantikë. Në biseda të ngushta, dëshpërueshëm, thoshte shpesh: “Me sa dihet, fati i romantikëve është dështimi”. Në këtë 95 vjetor të lindjes,  shëmbëlltyra e saj na vjen si një polemiste shkencore, atdhetare humaniste  e dritërore, diturore universale, që të falte shpirtin, por nuk bëhej kurrë  palë me oportunizmin inferior të kornizave teorike me lojëra fjalësh të lodhura. Ajo e donte shumë vendin e të parëve, po aq sa dhe të vërtetën objektive. Guxonte dhe s’lodhej të futej në tejlashtësi, në periudhën para-indoeuropiane. Ajo nxit dhe dëshiron që studiuesit shqiptarë ta aplikojnë metodën e radiokarbonit ose Karbonit 14 (C14), ta thellojnë studimin e gjuhësinë me anë të biologjisë, bazimin mbi dokumentet epigrafike, por jo thjesht bilingue (shkrojtur në dy gjuhë të ndryshme), si psh. etruskisht-latinisht etj., se, nuk mjafton vetëm njohja e greqishtes së vjetër ose e latinishtes, argumenton Falaschi, por përpos gjuhëve europiane, duhet të njihet, së pakut, një gjuhë aziatike ashtu si duhen edhe pak dijen mbi sanskritishten. Jemi të mendimit se kërkon studim tërheqja e vëmendjes që Nermini na bën me mbishkrimin në sakrofagun që gjendet në kështjellën-muze të qytetit të Kortonës (Cortona, Arezzo, Toscana, Itali), të cilit ajo, nga paraqitja pellazgo-etruske dhe shqip-italisht, i bën një ndërtim dinamik këtij dokumenti epigrafik në 12 gjuhë dhe konkretisht në pellazgo-ilirishte, etruskishte, shqipe, hebraishte, sanskritishte, portugalishte, persishte, italishte, romanishte, spanjishte, latinishte dhe anglishte. Herë të tjera fjalët që lexohen nëpër dokumentet epigrafikë i krahason me shqipen dhe me gjuhët neo-latine (anglo-saksone), me arabishten, me turqishten, me frëngjishten ... dhe shënon se “ky mbishkrim lexohet vetëm me anën e gjuuhës sonë”[8].
Me përgatitjen e saj kulturore humanistike, edhe ajo mendonte se qytëtërimet kanë lindur gjithmonë afër lumenjve dhe fillojnë me pellazgët yjnor. Duke i mëshuar tezës së prejardhjes së shqiptarëve nga pellazgët, sikurse glotologu ynë Spiro Konda, filolog i diplomuar në Fakultetin Filozofik të Universitetit të Athinës dhe njohës i mirë i botës antike me veprën e tij madhore “Shqiptarët dhe problemi pellazgjik”[9], që ende “fle” sirtarëve të burokracisë sonë akademike, ajo kërkonte t’i zgjonte nga gjumi teoricienët shqiptarë të linguistikës. I trajtonte shqiptarët si pasardhës të ilirëve. Studiuesja i trajtonte shqiptarët si pasardhës të ilirëve dhe e shpie më tutje në kohë dhe në hapësirë idenë, duke u shprehur se Iliria e lashtë, me prejardhje Pellazgjike, ishte vendi i njerëzve  të lirë (“i lir), e cila shtrihej gjatë Ballkanit perëndimor. Përbëhej nga shoqëri fisore e zhvilluar, me një mbret të vetëm për gjithë Ilirinë. Ajo këmbëngul në tezën se shqiptarët e sotëm njihen si si të vetmit dhe autentikë (se nuk ngjallin dyshime, se janë të vërtetë, origjinalë) mbijetues të atij qytetërimi pellazgjik shumë të lashtë, i cili u bë  i vetmi fener pluskues i popujve me të cilët pati kontakte, duke lundruar nëpër dete të ndryshme dhe  duke lënë hulli diturie të madhe. Ajo shpalos idiomën pellazgo-iliro-trako-etruske, duke depërtuar thellë në lashtësinë tonë. Me gjithë ulje ngritjet e dritëhijet e historisë përgjatë shekujve e mijëvjeçarëve, etnokultura jonë, etnologjia e shqiptarëve njihet, ka dallesat dhe përbashkësitë me kulturat e popujve të tjerë, sidomos me fqinjët kufitarë, si rezultat i marrëdhëineve nga miqësitë, krushqitë, shkëmbimet në natyrë, dhuratat, tregtia, pushtimet, etj. Ajo kërkon ura komunikumi midis fqinjëvë gjeografikë me gjuhë të ndryshme, duke e quajtur pasuri shpirtërore diversitetin kulturor, kur i shërben shëndetit miqësor të mirëshkuarjes reciproke. Ka një shprehje Nermini që e shkruan me keqardhje: “Kultura e të mundurve shkatërrohet nga fituesit”[10]. Gjithsesi, historia jonë ekziston, kur shumë popuj qytetërimformues të botës janë zhdukur nga harta e globit Për ne, shumë mbushmendës, po ta argumentojmë me metodën e korelimit (krahasimit) të mikrofaunës, është edhe fakti që: kur në këtë hapësirë të globit ekzistonin popujt e vjetër të Mesdheut, ndër ta, më vonë edhe Greqia e Vjetër dhe Roma e Lashtë, si mund të mos ekzistonte Dheu i atyre që i mendojmë dhe i pranojmë si të parët tanë,  Dheu ku kemi lindur, ku banojmë, jetojmë e veprojmë edhe ne si komunitet që e mbajmë veten si pasardhës të ilirëve. Ajo shikonte shumë tutje dhe kishte idenë se në lashtësi ishin Pellazgët Yjnor, “shpikës të alfabetit fonetik”, popuj të Detit, të cilët i quajtën “Iliri” trojet e banuara nga njerëzit e tyre të lirë”[11]. Për të nxitur studiuesit shqiptarë të fushës për kërkime, ajo paraqet drurin gjenealogjik të gjuhëve dhe grafikun e 10 gjuhëve më të vjetra, (përgatitur nga studiues të huaj dhe përkatësisht druri gjenalogjik i formimit të gjuhëve indoeuropiane nga linguisti gjerman August Schleicher dhe grafika nga Alberto Piazza e Eric Minch, të cilët i mbështet edhe i mirënjohuri Cavalli-Sforza) ku shqipja (pellazgo-ilirishtja, shën im: A. H) gjendet para gjuhëve të tjera të vjetra: armene, greke, keltike (kelte), balltike, sllave, gjermane, italike, indiane dhe iranike. Protogjuhë?! Që është e para me fjalët e gjuhës së përbashkët në origjinë?! Edhe sipas Nerminit, Gjuha shqipe është gjuha e shtëpisë për shqiptarët. Ilirishten e quan gjyshe të shqipes, ndërsa stërgjyshe të shqipes quan pellazgjishten, ndonëse gjurmë të gjuhës së shkruar s’ka ende. Shqetësimi i saj është i shfaqshëm: “Nuk është Liria që mungon, por mungojnë njerëz të lirë”[12]. Ndihmesa e Nermin Vlora Falaschit në fushën e studimeve antropologjike dhe etnologjike është një diamant kulturor për “shtëpinë tonë të përbashkët adriatikase”, siç e kishte për zemër të shprehej shpesh ajo, e cila deri në frymën e fundit jetoi me parimin të studiuesit Vittorio Alfieri (1749-1803): “Volli, sempre volli, fortemente volli” (Desha, gjithmonë desha, me këmbëngulje desha”). Është domethënës shënimi dedikues (kushtues) që Nermini bën në faqet e para një monografie shkencore: “Ky libër është uratë  për bashkimin e gjithë etnive shqiptare në vatrën e madhe europiane”[13]. E ndikuar fuqishëm nga Leonardo, edhe ajo e shikonte rruzullin si makrokozmos dhe njeriun si mikrokozmos. E pajisur me forcë të pamposhtur, me energji yjore,  krenare dhe e virtytshme si përherë, stërmbesa e Plakut të Bardhë të Flamurit të Pavarësisë, Ismail Qemal Vlorës, edhe me përurimin e Akademisë Kulturore “Iliria” në Romë më 8 qershor 2000, me funksionimin e saj sipëror për katër vjet, deri sa u bë frymë hyjnore, ajo dha e bëri maksimumin e mundshëm për Shqipërinë. “Një xixëll mbi Ilirinë dhe në trashëgimtaren e saj fare të vockël, Shqipërinë”[14], e quan punën e saj titanike e mira jonë mendimtare. Nuk është xixëll, por yjësi në qiellin e dijes; sidomos ndriçon ngrohtë në fushën e linguistikës dhe albanologjisë.

*) drejtor i Bibliotekën Qendrore “Nermin Vlora Falaschi”, Universiteti “Ismail Qemali”, Vlorë, ALBANIA
Akademia e Shkencave, Tiranë, e shtunë, 23 prill 2016



























Bibliografi:

AKADEMIA Culturale “Iliria”: “Dall’ etnocentrismo al pluralismo culturale”, Romë, Bardi Editore s.rl, 2000.
AKADEMIA e Shkencave e Shqipërisë, Fjalori enciklopedik shqiptar, 3” Tiranë, 2009.
BRAUDEL, Fernand, “Mesdheu; hapësira, historia, njerëzit dhe traditat”, Tiranë, Botimet IDK, 1986.
FALASCHI, Nermin Vlora: “E nesërmja e kohës”, Shkup, “Gjon Buzuku”, 1991.
FALASCHI, Nermin Vlora: “Lashtësia e gjuhës shqipe sipas dokumenteve epigrafike nga Egjeu deri në Atlantik”, seria “Qytetërime të lashta mesdhetare - III”, Romë, Bardi Editore, 1991.
FALASCHI, Nermin Vlora: “Prona gjuhësore dhe gjenetike. Probabilitetet e monogjenezës embrionale të fjalëve”, Tiranë, Toena, 1997.
FRASHËRI, Naim: “Vepra letrare, 2”, Tiranë, “Naim Frashëri”, 1995.
HABAZAJ, Albert:  “Nermin Vlora, shkrimtare fisnike dhe humaniste”, gaz. “Tirana Observer” e përditshme pavarur, Viti XI i bot., nr. 3084, e diel, 5 korrik 2015.
KONDA, Spiro N.: “Shqiptarët dhe problemi pellazgjik”, Tiranë, 1964.
TIRTA, Mark: “Enologjia e shqiptarëve”, Tiranë, Geer, 2006.















[1]) HABAZAJ, Albert:  “Nermin Vlora, shkrimtare fisnike dhe humaniste”, gaz. “Tirana Observer” e përditshme pavarur, Viti XI i bot., nr. 3084, e diel, 5 korrik 2015 f. 1, 15, 18 - 19.
[2] ) FALASCHI, Nermin Vlora: “Prona gjuhësore dhe gjenetike. Probabilitetet e monogjenezës embrionale të fjalëve”, Tiranë, Toena, 1997, f. 60.
[3] ) FRASHËRI, Naim: “Vepra letrare, 2”, Tiranë, “Naim Frashëri”, 1995, f. 15 - 16.
[4] ) BRAUDEL, Fernand, “Mesdheu; hapësira, historia, njerëzit dhe traditat”, Tiranë, Botimet IDK, 1986, f. 7.
[5]TIRTA, Mark: “Enologjia e shqiptarëve”, Tiranë, Geer, 2006, f. 21 - 22.
[6] ) AKADEMIA e Shkencave e Shqipërisë, Fjalori enciklopedik shqiptar, 3” Tiranë, 2009, f. 2900.
[7] ) AKADEMIA Culturale “Iliria”: “Dall’ etnocentrismo al pluralismo culturale”, Romë, Bardi Editore s.rl, 2000, f. 177.
[8] ) FALASCHI, Nermin Vlora: “Prona gjuhësore dhe gjenetike…”, vep. e cit., f. 53.
[9] ) KONDA, Spiro N.: “Shqiptarët dhe problemi pellazgjik”, Tiranë, 1964, 370 f.
[10] ) FALASCHI, Nermin Vlora: “Prona…”, vep. e cit., f. 65.
[11] ) AKADEMIA Culturale “Iliria”: Po aty, f. 178.
[12] ) FALASCHI, Nermin Vlora: “E nesërmja e kohës”, Shkup, “Gjon Buzuku”, 1991, f. 7.
[13] ) FALASCHI, Nermin Vlora: “Lashtësia e gjuhës shqipe sipas dokumenteve epigrafike nga Egjeu deri në Atlantik”, seria “Qytetërime të lashta mesdhetare - III”, Romë, Bardi Editore, 1991, f. 4. --
[14] ) FALASCHI, Nermin Vlora: “Prona …”, vep. e cit., f. 67.

No comments: