Saturday 23 April 2016

Një roman historik – Poezi dhembje madhe e Çamërisë


Prof. Dr. Shevqet Sahit Canhasi / Dhembjen e madhe për Çamërinë e kam ndjerë heret, në vitet e fëmijërisë në Gjakovë, në vendlindjen time, prej buzëve të dy rapsodëve gojartë e qejfllinjve të mëdhenj: Reshyt Sadri Gërçina e Osman Tytyni, që me faqoret e rakisë dhe pjatën e mezes përpara, te Shtylla A’ e elektrikut, në mëhallën e Gërçarëve, këndonin bëmat e Ali pashë Tepelenës, të Suliotëve e të çamëriotëve të tjerë. Dhembja ime erdhi duke u thelluar sa herë që udhëtoja nëpër Greqi, në vitet e gjashtëdhjeta të shekullit që posa e lam mbas. Fillimisht me kërshërinë e turistit e mandej me atë të studiuesit, kërkimtarit. Madje kisha bërë edhe inçizimet magnetofonike të këngëve shumë të moçme të çamëve e të arvanitëve të tjerë nëpër 32 mikrokasetat ?Sakura’ e ?Tompson’, që policia e shtetit ish jugosllav m’i mori me dhunë gjatë bastisjeve e burgosjeve politike. ?S’kanë të bëjnë me politikën. Kontrollojini dhe kthemëni të padëmtuara. Ju s’guxoni të zhdukni këtë pasuri të madhe kombëtare shqiptare’ u pata thënë. Po atëbotë, ata luftonin të zhduknin çdo gjë shqiptare në Kosovë dhe viset shqiptare rreth saj. Memzi s’kishin pritur t’i futnin në dorë ato vlera të paçmueshme kombëtare… Për padrejtësinë e madhe, historike, që u është bërë atdhetarëve çamë, sidomos atyre të besimit islam, e arvanitëve të tjerë kisha biseduar shumë herë me miqtë e mi Aristidh Kola, avokat dhe kryetar i Shoqatës e i revistës ??????’ (Besa’) të Arvanitëve, dhe studiuesi i Historisë së shenjtë të arvanitëve, i pelasgëve dhe i etrurëve, Niko Stylo, që të dy këta autorë të disa librave me vlera të jashtëzakonshme mythologjike, historike, gjuhësore, etnologjike etj.  Me Nikon jam takuar më shpesh në Gjermani (ku jeton aktualisht), Austri e Kosovë, nëpër konferenca shkencore ndërkombëtare, organizuar së bashku nga Akademitë e Shkencave në Prishtinë e Tiranë, nga Instituti Albanologjik i Prishtinës dhe nga Universiteti Mbretëror ?Iliria’ në Prishtinë. Në Durrës kam edhe një mik tjetër çam, profesorin e historisë Hajredin Isufin, autor i disa veprave, si Feja dhe Flamuri, dom Nikollë Kaçorri, botoi ‘Pegi’, Tiranë 2008, Musa Demi dhe qëndresa çame 1800-1947, Sht. botuese Dudaj, Tiranë 2002 etj., ku mbi bazën dokumentare e kam njohur atë tragjedi: gjenocidin grekomadh dhe qëndresën e çamëriotëve.  Po edhe në mërgim, në Baden-Baden, Mühlheim an der Rhur e qytete të tjera të të Gjermanisë, kam njohur shumë çamë e arvanitë, ndër ta edhe mikun tim çamëriot Rahmi Gjyzelin, kampion i çiklizmit në Shqipëri me nënën e tij, që jetonte në lagjen ‘Ali Demi’ të Tiranës. Te kjo zonjë e madhe çame, ku më mbajtën për drekë, më ka pas mahnitur me kujtesën dhe kthjelltësinë e mbamendjes së saj. Ashtu hijerëndë e krenare, gjatë rrëfimit për krimet e përbindshme të ëakëve dhe të andartëve grekë gjatë masakrës së 27 qershorit 1944 në Paramithi e Pargë, si dhe atë të fundtetorit 1944 në Filat, ajo asnjëherë nuk u ligështua. Më rrëfei si ia kishin marrë para syve burrin me kunetërit dhe vëllezërit e saj. Nuk u  kishin dhënë afat as të hiqnin nga brezat qemerët me florinj, po me armët prapa krahëve I kishin vënë përpara. I kishin çuar aty prapa kodrës. Gratë kishin ndier vetëm breshërimën e armëve. Kur shkuan rrëzë kodrës, gjetën trupat pa jetë të burrave dhe qemerët e vjedhur me florinjtë e tyre. Dhe tash, teksa lexova këtë trilogji vuajtjesh e qëndrese mbinjerëzore të çamëriotëve me titullin Çamëria… Klithmë e mbytur, roman historik, pjesa e parë dhe e dytë (Durrës 2013) dhe Pjesa e tretë (Durrës 2014) si në një film tmerri m’u shpalosën edhe një herë skenat makabre të kriminelëve grekomëdhenj. Leximin e bëra me përqendrim të madh e thuajse me një frymë, pa mundur ta ndërpreja as ditën e as natën, ndonëse kisha ardhur në Durrës të pushoja pak ditë pas një pune të dendur hulumtuese-kërkimore.  Posa e kreva leximin e dy pjesëve të para të romanit kërkova të njihem me autorin. Në atë takim tonin Z. Kadri Lutfi Aliu më njoftoi se kishte përgatitur për shtyp edhe pjesën e tretë të romanit me të njëjtin titull dhe, me lutjen time, pati mirësinë të ma jepte ta lexoja dorëshkrimin. Mbeta i befasuar. Faktet e njëmendësisë historike janë shndërruar në fakte artistike tronditëse. Dhe kjo është bërë me mjeshtri të caktuar, jo vetëm si rrëfim romanesk për personazhet e renditje e thjeshtë ngjarjesh tronditëse, por përmes paraqitjes me vërtetësi artistike të njëmendësisë së ndodhur, të tragjedisë të madhe çame në skenën e përgjakur të Epirit tradicionalisht dhe historikisht shqiptar, ku kolonët grekë qysh në lashtësi kishin ngritur pikat e tyre të tregtimit.  Ideja artistike e autorit është shpalosur e realizuar përmes një tablloje madhështore, të shpërnguljes me dhunën e armëve dhe kulturën e krimit më të përbindshëm që përveçon monarkofashistët e tipit të Zervës. Në themelin e idesë artistike të veprës është atdhedashuria e madhe shqiptare e çamëriotëve, ajo lidhje e pashkëputshme shpirtërore midis njerëzve e tokës së të parëve, ajo gatishmëri e vetëflijimit për ta mbrojtur atdheun e tyre nga shkelësit e huaj, qofshin këta osmanllinjtë apo grekërit agresivë. Edhe lexuesit më të ekuilibruar i mbesin në kujtesë skenat e tmerrit: ngado gjak dhe kufoma grashë e burrash, fëmijësh e pleqsh, nënash që janë vrarë me fëmijët në gjrin e tyre. I mbesin në kujtesë fustanellat dhe xhamadanët e lerosur nga gjaku të çamëve të masakruar si në therrtore, gjunjët e thyer, ku xhufkat e kuqe në majat e këpucëve të burrfave e të çunave… Klithmat e mbytura të tyre shtinë në gjynah gurin e drurin, por jo edhe ndërgjegjen e fuqive të mëdha aleate, që e bëjnë veshin e shurdhër para thirrjeve të çamëriotëve, për të mos i lënë të mbyten në pellgun e gjakut që i rrethon në të katër anët, derdhur nga duart vrastare të ushtrisë (sh)Kretane greke nën komandën e Zervës së cytur nga vetë oficeri i Shtabit aleat britanik, e cila na i kujton brigadat çetniko-partizane të UNÇl të ish Jugosllavisë, si ?Šesta Bokeljska’ malazeze e divizionet serbe që me urdhër të J.B. Titos (në shtabin e të cilit ishte i biri i Uinston Çërçillit), u turrën mbi shqiptarët e Kosovës së çliruar, po në përfundim të Luftës së Dytë botërore për t’ia ndërruar fytyrën etnike Kosovës shumë herë të martirizuar. Është fitore e madhe për ne dhe në nderin e tij e të Britanisë së Madhe, kur vetë kryeministri i saj, më 1999, vishet kuq e zi dhe i bëhet krah Presidentit të SHBA, Bill Klinton për t’i dalur zot Kosovës që po vuante situatën e ngjashme me atë të çamëriotëve në qershorin e 1944, nën dhunën e shfrenuar të ushtrisë dhe të paramilitarëve çetnikë të Sllobodan Millosheviçit. Tejet tronditëse dhe e paharrueshme mbetet skena, kur ushtari (sh)kretan i Zervës kishte vënë para tytës e me gishtin në ngalz duke e lëvizur armën sa te njëri sa te tjeri drejt trupave të gjashtë fëmijëve të një 30-vjeçareje çame muslimane (djem e vajza midis 2-12 vjetëve). Nuk të shqitet mendësh figura e gruas-nënë me fustan të gjatë e të errët, me shaminë e rënë nga gërshetat korb të zeza, që e lebetitur del me gjoksin e saj të mbrojë jetërat e fëmijëve. Dhe kur (sh)kretani qëllon mbi fëmijën 8-vjeçar, kapedan Dhimitër Toka, nuk përmbahet më dhe, që t’i shpëtojë edhe fëmijët e tjerë të çames, për herë të parë në jetën e tij, e qëllon armikun pas krahëve. E ngjashme është edhe skena kur avokati i urtë e i autoritetshëm shqiptar Spiro Çalluka qëllon me bastunin e tij Jani Kranjën, oficerin mjekërrsqap të Zervës, që po tërhiqte zvarrë para syve të tij vajzën 12-vjeçare muslimane të Çamërisë. Po kështu tronditës është edfhe rrëfimi i priftit ortodoks shqiptar Foto Gjinika që, me lotët çurg, dëfton për sivëllaun e tij, Myftiun e Paramithisë, Jahsin Gjinikën të posatherur barbarisht, tek po i falej Perëndisë! E therrin pasi ia përdhunuan ndër sy vajzat e gruan! Kur njeriu i lexon faqet e këtij romani historik tripjesësh bindet se Çamëria është trualli i shenjtë shqiptar, është YlliOni, Troja e dardanëve të tejlashtë, Troja e epirotëve sypatrembur, të gatshëm që për tokën e tyre të bëjnë edhe flinë më sublime, që për të të derdhin edhe pikën e fundit të gjakut të fëmijëve në djepëra e në prehërin e nënave, të plakave e të pleqëve buzë varreve dhe të kapedanëve trima që mbrojnë me jetërat e tyre vlerat sublime kombëtare të shqiptarëve çamëriotë. Në fund të leximit ky nuk m’u duk roman historik, por poezi dhembjemadhe, poezi e vuajtjes së pakufishme njerëzore, individuale e kolektive, shikuar në unitetin dialektik të tyre. Po të isha unë autori, do ta titulloja: Klithmë e mbytur, Çamëri… Po kjo ishte e drejta z. Kadri Lutfi Aliu, si autor. Rëndësi ka fakti se kjo nuk ishte më vuajtje e një individi a personazhi, por vuajtje e tërë një kolektiviteti, vuajtje dhembjemadhe kombëtare, e mbarë një pjesë të kombit tonë të martirizuar: të shqiptarëve çamëriotë të besimit islam. Ndaj duhej ngritur në këmbë të gjithë ne që e dimë veten për shqiptarë dhe me tërë zërin të kërkojmë jo shpagim e hakmarrje, por njohjen e të drejtave qytetare e njerëzore për t’u rikthyer në vatrat e tyre, në Çamërinë e tyre, në vendet ku i kanë gjërat më të shenjta, ku i kanë varret dhe tempujt e tyre.  Porosia e pathënë e romanit tripjesësh është se zërin e protestës duhej ta ngritnim jo vetëm ne shqiptarët, por edhe bota e qytetëruar dhe ato fuqi të mëdha në ndërgjegjen e të cilave rëndon pesha e fajit dhe e padrejtësisë ndaj popullit shqiptrar, rëndon cytja e krimit dhe heshtja para masakrës ndaj civilëve të pambrojtur, ndaj pleqve e plakave, ndaj nënave dhe fëmijëve çilimí që i vritnin me gjirin e nënës në gojë. Ndera i çon që ato të ngrisin zërin e protestës të parat, të denuncojnë krimin e përbindshëm kundërshqiptar; të kërkojnë nga qendrat vendimmarrëse ndërkombëtare dhe opinioni demokratik i botës ndreqjen e padrejtësive historike që u janë bërë shqiptarëve çamriotë të besimit islam, si popullatë autoktone; të kërkojmë që ata, me ndërmjetësim dhe garanca ndërkombëtare, të rikthehen në tokat e tyre stërgjyshore, ku janë brez pas brezi, madje që nga tejlashtësia parakristine. Nga paraqitja me vërtetësi artistike e njëmendësisë historike të ?patrimit etnik’ me dhunë ushtarake e paramilire, del se çamriotët qenë viktima të shfrimit patologjik e kafshëror të monarkofashistëve grekë e të gjakajdurit me damkë, gjeneralit shqiptarvrasës Napoleon Zerva.  Me ndjenjën e masës, autori Kadri Lutfi Aliu, edhe vetë bir i një familjeje çame, ka zhvilluar idenë e tij artistike në faqet e një romani interesant, si nga përmbajtja ashtu edhe për nga forma që, herë-herë, të lë pa frymë me magjinë e fjalës, me artin e tij. Mënyrat e paraqitjes së gjithë atyre skenave në imtat më tronditëse të ndodhjeve, turbullojnë keqas ndërgjegjen e njerëzisë. Me mjeshtrinë e veçantë të paraqitjes artistike, me tipizimin e personazheve të shumtë e nga më të ndryshmit, me laryshinë dhe veçoritë e gjuhës dhe të ngjyrimeve e të shprehjeve lokale të tyre, autori bën që vepra e tij letrare, veç vlerave e bukurisë nga ana estetike, të ketë edhe vlera të mëdha njohëse. Shikuar në sferën e ndijshme të njerëzisë, autori ia ka arritur që skenat e tilla vetëvetiu të akuzojnë bartësit e veprave lemeritëse kundërshqiptare.  Të shfytyruar e të dalur jashtë sojit të njeriut, bartësit e kësaj kulture të krimit, që të arrijnë pikësynimet strategjike të Patriarkanës së Athinës për shkombëtarizimin e shqiptarëve dhe përvetësimin e viseve etnike të tyre, nuk lënë gjë pa bërë e nuk stepen para asnjërës nga veprat më çnjerëzore, të cilësuara si krime kundër njerëzimit. Vrasësit e tillë me damkë shkojnë edhe më tutje. Para mundësisë së gjykimit nga opinioni  publik i vendeve demokratike, ata bëjnë çdo gjë për të shlyer gjurmët e krimeve të tyre.  Në vazhdën e ruajtjes dhe të selitjes së traditave liridashëse të atdhetarëve çamëriotë, Kadri Aliu, me mjeshtri artistike të veçantë, shpalon fatin e familjes dhe të trashëgimtarëve të kapedanit të bujarisë së lartë shqiptare të Çamërisë Fuat Ajdonati. Fuati është dhe intelektual i llojit të veçantë, njeri që kishte ndjekur amërisëmësimet në gjimnazin e shquar ?Zozimea’ e ishte pajisur me kulturë e dije, por që ecte në vazhdat e traditave familjare të bujarisë e të mikpritjes proverbiale, të vëllamërisë e të vlerave të larta moralo-etike e njerëzore të të parëve të tij, duke mbjellur e zhvilluar te të bijt dhe e bija dashurinë dhe nderimin ndaj vëllezërve ortodoks, vëllezërve të gjuhës, të gjakut e të truallit të përbashkët shqiptar, ku jetonin të pandarë qysh në mijëravjeçarët e së kaluarës së përbashkët. As osmanllinjtë e as grekërit, deri në imtat e përzënies e të shfarosjes në masë të çamëriotëve myslimanë, duke mbajtur në njërën dorë kryqin e në tjetrën thikën vrastare, nuk kishin arritur ta shprishin e zhbëjnë atë vëllazërim kombëtar farkuar në qindravjeçarët e së kaluarës së idhtë nën robërinë e huaj. Gjithnjë në vazhdën e traditave të ndritshme liridashëse të atdhetarëve çamëriotë, Kadri Aliu shpalon më tutje fatin e pafat të anëtarëve të mbetur të familjes së kapedan Fuat Ajdonatit, njërit prej bujarëve më të shquar të Çamërisë shqiptare që disa nga fuqitë e mëdha, për turpin e tyre, bënë gjithçka ta futnin sërish nën thundrën e egër të Greqisë. Pasardhësit e Fuatit trashëgojnë të gjitha tiparet fisnike të tij dhe i selisin më tutje me përkushtimin më të madh njerëzor e atdhetar. Si edhe Fuati vetë, në romanet e Kadri Aliut, ata sublimojnë vlerat më të larta njerëzore e kombëtare, dashurinë e pafund për njerëzit e gjuhës e të gjakut dhe të truallit të Çamërisë, pa u shkuar kurrë në mendje t’i dallojnë si muslimanë a të krishterë. Pinjollë të një dere çame me emër dhe trashëgimtarë të denjë të Fuatit, ata u lidhën me mish e me shpirt me vëllezërit ortodoksë. Ortodoksët shqiptarë të Çamërisë, pas zezonës që kaluan vëllezërit e tyre muslimanë, dalëngadalë, arritën të mposhtin frigën nga grekomëdhenjtë dhe në imtat më të vështira të kërcënimit përmes spiunësh të Asfalisë, ua shtrijnë duart vëllazërore e me lot për faqe i marrin në përqafim këta. Në disa nga shumë faqet e romaneve janë mbresëlënëse bëmat e vëllamit të Fuatit, kapedanit trim Dhimitër Gjergj Toka, si edhe ato të djemve të tij. Babai i Dhimitrit, Gjergji “punonte si telegrafist në Paramithi, profesion që e kishte përvetësuar fill pasi mbaroi gjimnanzin Zozimea’. Ai e dinte mirëfilli se kur osmanllinjtë krijuan nahijet, Epiri kishte 617.000 frymë, prej të cilëve 497.000 ishin shqiptarë të kulluar përkundrejt 120.000 grekërve e 33.000 vëllehërve. Ai kishte parë me sytë e tij fytyrat e kufomave, me ato çurgje gjaku të mpiksur rrëzë buzëve të parisë së Paramithisë, të masakruar nga Delianaqi me urdhër të Metropolitit të Paramithisë’ për të imponuar me dhunën e armëve e përkrye krimesh të përbindshme shkombëtarizimin e shqiptarëve dhe grabitjen e viseve të tyre etnike. Tronditëse është sidomos skena pranë pusit, kur krimineli me nam, Jorgo Pandazi, në pyetjen e Dhimitrit se ç’po bën aty, përgjigjet: ?Zbatoj porosinë e veçantë që më erdhi një orë më parë direkt nga vetë gjeneral Zerva… Nxjerr nga puset ku janë vetëhedhur për të mos rënë në duart e ushtarëve vajza e gra muslimane. E ashtu gjysmë të vdekura, ua shes andartëve të shfryjnë epshet…Përdhosja e akteve sublime të vashave muslimane bëhet që, ajo që po ndodh sot në Paramithi, të harrohet shpejt’. Aty ishte hedhur një perri flokartë që u shfaq si zanë duke ua shtirë pesë plumba andartëve e s’vdiq nga batarja e plumbave, por duke vallëzuar, sapo ishte hedhur në pus. Dhimitër Tokës i luajti tepeleku i kokës, se e kuptoi që ajo ishte Ajsheja, vajza e vëllamit të tij Fuatit, rënë si një heroinë lashtësisë, bashkë me babain dhe nënën e saj Eminenë, në mbrojtje të nderit e të pragut të kullës së tyre shqiptare. Mbi përdhunuesin Jorgo Pandazi u hodh Kiço Nika, dhe me ato shputat prej harushani e mbërtheu në fyt, po Dhimitri ia kthei: – Lëre të flasë! – se donte ntë mësonte hollësitë e asaj që kishte ndodhur në kullën e vëllamit të tij. Po Jorgua me pabesi rrëmbei si vetëtima revolen e fshehur rrëzë pusit e ia drejtoi në gjoksin kaba të Kiços, po s’arriti ta shkrepte, se Dhimitri që e urrente pabesinë ia shkrehu midis dy vetullave. Në tri pjesët e këtij romani të tërheqin vëmendjen toponimet simpatike:  Qafa e Flamurit, te Rrepët e mali Kurrilë (që na kujton Rrapin e Marashit dhe lagjen e Kurrilës në Prizren), Qafë Bota, Përroi i Selanit, Burimi i Karkamishit, Shkëmbi i Fajkojve (aty ku bardët deklamonin vargje…), Kokëlza, Dhriza (në lindje të Gumenicës), Mollandra [në mos nga MollëAndrra (?), tokë djerrë pas Rrëzanit], Vështi i Ganiut, Xhamia e Mesit (fshatit Salicë), Llafnji, Ura e Verselës (mbi Kallama), Varfanji, Rrëzani etj., që të gjitha tingëllojnë shqip. Ka dhe shprehje që të nguliten në mbamendje, si ajo: Prina kapedan, aty ku na pret nderi! Sojit tonë t’i dalim zot! Shprehje tipike këto të luftëtarëve të lirisë nga Çamëria. Autori është shprehur lirshëm e natyrshëm, pa sforcimet që hetojmë në shumë romane tonat. Është kjo një vepër letrare me vlera të qëndrueshme e që mbetet gjatë në kujtesën e lexuesit nga të gjitha trojet e trungut tokësor shqiptar.

No comments: