Saturday 4 June 2016

‘Bota Internetike’ dhe Shqipëria narrative

‘Bota Internetike’ dhe Shqipëria narrative
Shqiptarët njihen më shumë me njëri-tjetrin kur ikin prej Shqipërisë së vogël
Dr Fatmir Terziu
Abstrakt
Dikur një shkrim të tillë e pata cilësuar “Përtej çmimit për shkrimtarin Faruk Myrtaj”. Për shkrimtarin dikur rinor dhe të dashuruar pas poezisë. Por vetëm për pak kohë. Vetëm për pak ‘dashuri’ në nivelin poetik. “Nivelin poetik?!” Të tillë, nëse do të rezervonim një titull nga e shkuara, që në fillim për njeriun e letrave shqipe, Faruk Myrtaj. Mjafton të kujtojmë një poezi të tij të hershme “Vlora në çdo stinë” (1984) të kuptojmë tingëllimën semantike, që bashkon sensin aestetik të krijuesit nga njëra anë dhe njeriut, që krijon estetikisht nga ana tjetër. Kjo ishte dhe mbetet Vlora e autorit në çdo stinë, po aq sa ai gjen vendin filozofik mes ujit të ‘tërhequr’ nga deti dhe hapësirës së lënë për njerëzit e tij të dashur e të komunikueshëm. Gjen racionimin mes racionales. Gjen natyralen mes natyralizmit.
Kështu fundja është gatuar poeti, tregimtari, shkrimtari dhe publicisti, që gjen kohën, hapësirën dhe vendin, mes një metafizike të ndjeshme racionale dhe natyrale. Kjo metafizikë, natyrshëm sjell në varg dhe në jetë ata dy të ‘dashuruar në vendtakimin breg’, aty ku e urta e popullit çmohet më shumë: ‘mali me mal’ që ndodh edhe takohen...
Ndërsa unë shpreha dëshirën të shkruaj diçka për prozën e tij, mjaft vite më parë, ai me kënaqësi më afroi një ‘filozofi’ sinqeriteti: “Nuk di nëse njihemi, nëse jemi takuar, por kjo nuk ka pikën e rëndësisë! Shqiptarët njihen më shumë me njëri-tjetrin kur ikin prej Shqipërisë së vogël, teksa duhej të ndodhte e kundërta! Por kjo mundësi duket se ka ardhur edhe prej faktit që ‘Bota Internetike’ nuk është më e madhe se Shqipëria Reale!” Dhe unë gërmoj në bagazhin e tij tashmë të shtuar edhe në disa gjuhë të tjera, mes paraleles ‘Bota Internetike’ dhe Shqipëria narrative, ku vepra e tij është përkthyer dhe lexohet këndshëm, njëlloj si në shqip.
Autori kompleks i letrave shqipe
‘Bota Internetike’ dhe Shqipëria narrative, po aq sa dhe pjesa dihatëse e krijimtarisë së Myrtajt, tingëllon tamam moderne. E tillë është në prozën e shkruar nga një shkrimtar shqiptar si Myrtaj. E tillë është dhe veçohet tek “Nudo Zyrtare”, po aq edhe tek “Dritat e Italisë”. Apo, edhe mjeshtërisht tek “Atdheu tjetër”. Tek të gjitha krijimet e Myrtaj, në fakt e shprehura dhe fjala ngjajnë si një plotësim i njëra tjetrës, aspak tekanjoze më njëra-tjetrën dhe tepër tipike, tepër Farukiane.
Këtë e pranon vetë autori: “Po, është e vërtetë, “Nudo Zyrtare” ka qenë dukja ime e parë serioze. Jo se ndjehem i pakënaqur me tregimet e mia të periudhës së minierës, jo”. Dhe këtu ndoshta fjala ‘pakënaqësi’ lidhet edhe me pikëlidhjet e vjetra, ajo natyrshëm ruan lidhjen model shkrimtar-lexues dhe ndjehet krenare edhe pse sinqeritetiti i Myrtajt shpjegon: “Ka lexues dhe shkrimtarë që më mbajnë prej atyre mbresave. Për mua ka qenë përcaktuese periudha 5 vjeçare e punës nëntokë, në  Selenicë të Vlorës. Në një kuptim, u jam falenderues njollave në biografi, që m'i përdorën për të mos më lejuar të ndiqja shkollën e lartë. Thuajse u mbylla në shtëpi-punë, dhe nisa të mendoja për botën pa mua. Edhe pse dija pak  për të, më pak akoma për letrat e mëdha dhe shkrimtarët, por them se  mos-dija është shkak parësor që na bën të kërkojmë”.
Autori kompleks i letrave shqipe ndjehet modest, por edhe pse i tillë, ai zbulon vlerat e rrëmbimeve dhe frymëzimeve poetike: “Vjershat që shkruaja asokohe natyrisht më dukeshin të bukura, librin e parë e botova me to, por shpejt duhet të pranoja se poeti ishte provizor  tek unë: ishte shfaqur vetëm sa për të më joshur. Tek tjetërkush do përfundoja! Në të vërtetë proza nuk e përjashton poezinë tek kurmi i  saj: njëlloj si gratë e mira që nuk na i marrin për të keq kur, me to në krah, syri na rrëmbehet tek ndonjë femër e bukur që është fati i dikujt tjetër!”
Dhe pikërisht aty ku ndërton themelet jeta nis dhe kastracioni njërëzor, nis avazi i mallkimit. Një dritare… Një shtëpi… Një vatër që i mungon kryeburrit, të zotit të shtëpisë. Dhe këtu sintaksa godet dyfish. Godet me figurën letrare të huazuar nga fqinja e saj ‘letërsi’ dhe rigodet me fshesën ironike tejet të goditur popullore. Natyrshëm ajo mirëpritet teksa pena dhe ideja e Farukut sjedh me domëthënie një bagazh të lehtë për t’u kuptuar: “Koha e shkurtër e qëndrimit në një nga vendbanimet e përkohshme, ndërpritej bashkë me njohjet e reja që kurrë nuk arrinin të bëheshin të vjetra. Më së fundi, ngaqë ishte verë, ishim vendosur në një qëndër zjarri të madhe, një nga ata bunkerët e artilerisë së rëndë, që pushteti i kaluar besonte se do ta përdorte në rast sulmi të njëkohshëm të dy superfuqive.
Më kujtohet mirë dita kur e braktisëm bunkerin. Ikëm prej andej si prej një lufte, për të mos u kthyer më kurrë atje, nëse nuk quhen kthim kujtimet për të. Nëna kishte ardhur për të na marrë, mua, vëllanë tjetër dhe motrën, më e madhja mes nesh, që ishim në shkollë. Atje jashtë, në rrugë, priste babai. Na përqafoi të dyve, përqafoi edhe mamanë dhe pastaj përsëri ne të dyve. Motra e madhe nuk ia ndante sytë. Mos kishte kthyer ndonjë gotë babai?! I pashë me lotë sytë e babait. Vështrova nga mamaja. Kuptova se kishte ndodhur diçka e mirë, gjersa ajo nuk i fshehu lotët prej nesh.
“I kanë dhuruar një shtëpi...”, na tha mamaja me zë të ulët…”
Dhe ndërsa “Dritarja e Fundit” hapet ashtu metaforike, ashtu fuqishëm artistikisht ajo zbret dhe plotëson dëshirat e lexuesit që përhumbet në këtë mrekulli letrare. Thuajse me një gjuhë të ngjashme dhe tepër tërheqëse pikëtakohet edhe tregimi:“Autobuzi i datës 1”. Autori seleksionon mënyrën komunikuese letrare dhe paraqet një pesazh që gati të mbërthen që në hyrje: “Ditën e parë të çdo muaji, Sherafi i gjatë, me supet paksa të rëna, gjithnjë i veshur me sqimë dhe buzëgaz, duket tek sheshi në qendër. Është e vetmja ditë e muajit me autobuz të ardhur nga kryeqyteti. Kësaj dite ‘S’ është qytet-thi më i çuditshëm në botë. E vetmja ditë ndryshe e tij. Ditëve të tjera ai harrohet pas halleve të veta të vogla dhe llafeve për botën e madhe.
Klubi ku dehen minatorët, skuadra e futbollit të kategorisë së tretë, hoteli ku thuajse s’bujt askush, kinemaja ku filmat lajmërohen gjithnjë si të rinj për shkak të ndryshimit të titujve, muzeu ku drejtori që është edhe ciceron  përsërit tërë entusiazmë se e ardhmja nis tek e shkuara, gjithçka shoqërohet nga mbiemërori “Minatori”. Njerëzit ushqehen nga miniera, aty punojnë tërë burrat, deri sa dalin në pension ose deri ditën kur pësojnë ndonjë aksident nën tokë. Në hyrje dhe në qendër të qytetthit është vendosur i njëjti bust, Busti i Minatorit, dhe ... edhe VC-ja publike quhet “VC Minatori”…”
Por gjuha seleksionuese e Myrtajt i përshtatet edhe kohës, pikërisht tamam ashtu si edhe karakteret e tij të gjinisë femërore përshtaten. Pikërisht si “Bermuda” manaxhon bukurinë e saj. Këtu ajo që natyrshëm të bën të përhumbesh, nuk është thjesht bota femërore e karaktereve, por figura e përsosur që i paraqet ato nën modelin Farukian të prozërimit shqip. Aty natyrshëm rrjedha e lojës prozatorike kalon në rregulla të detajuara: “Secila prej femrave të tjera në këtë qytet do ta dëshironte këtë gjë, por asnjera nuk guxoi.
Mbase pikërisht kjo pafuqi, kujdesi ynë për të mos rrezikuar, bindja e shfaqur si urtësi dhe mirësjellje nga ana jonë, e pati shtyrë Gridën drejt atij veprimi të guximshëm, që fillimisht mund të dukej si gjest kryeneç. Në të vërtetë, shkurtimi me dy tri gishtrinj i fustanit, po të krahasohet me minifundet e sotme, me fundet deri në ije të çarë, me zbulimin e kërthizës së barkut, për të mos kujtuar pastaj pothuaj-nudot,  ishte një ndryshim fare i vogël, një gjest aq i papërfillshëm sa, tani, pas disa vitesh nga ajo mbrëmje, tingëllon si diçka për të qeshur. Tashmë, jo vetëm bukuria natyrore që nuk ka pse fshihet më por, me njëqind mënyra, me njëmijë mjete, ç’nuk bëhet që të ajo të shfaqet edhe atje ku s’është.” Ndoshta kjo është ‘Bota Internetike’ dhe Shqipëria narrative, ajo që na bën ta ndjejmë afër dhe larg njëri-tjetrin mes letrave. Aty ku fjala rikthehet e pasur.
Fjala ‘rikthehet’ e pasur
Dhe kur kalon përsëri aty ku ti ke pikasur ‘pikën e dobët’ edhe autori e ndjen arritjen e tij padyshim “Nudo Zyrtare” është tjetra për t’u shprehur. Autori shprehet: “Nudo Zyrtare” është libri i shkruar shumë shpejt. Ishin bërë disa vite duke  rënduar pas jetës, gazetave ku kam punuar, një jetë të tjetërt në Tiranën e lehtësuar nga hija direkte e izolimit, dhe shënimet që mbaja po ma  merrnin frymën. Punoja në Ministrinë e Kulturës, që pjesë e shtetit ishte, por jeta që kisha bërë nuk më linte ta doja as edhe këtë variant shteti. Miku yt dhe  imi, Lazër Stani, deri edhe së fundi ka përsëritur se “FM është armiku i  Shtetit”! Në një kuptim po, gjersa shteti ende nuk është bërë Shtet,  guvernator, qeverisës. Realisht unë nuk ndjehem dot mirë me qeveritë, jo  vetëm në Tiranë, por me ato në Tiranë ca më shumë!” Kështu natyrshëm është proza e Myrtajt që ndjehet mirë, është “Nudo Zyrtare”, se tek e fundit ç’është jotja mbetet jotja në ekonominë e “Lekut”, e pse jo edhe të ekonomisë së “Letrës” për shkrimtarin…, poetin, artistin.
Pra natyrshëm fjala rikthehet e pasur te “Nudo Zyrtare”, aty ku autori thotë hapur: “Nudo nuk doli keq, fitoi edhe çmimin si libri më i mirë i vitit (atëherë  nuk kishin dalë në qarkullim pendat e arta!). Vitin e kaluar, teksa gugloja emrin tim për të rejat e fundit në  internet, vura se ribotimin e tij në Shkup! Për të mirë ishte nisur, i dërgova falenderimet,ishte shenjë pozitive për autorin, por a nuk duhej të  më njoftonte botuesi Halil Zendeli? Bëra sikur u zemërova me të, por realisht urova që të më ndodhte kjo edhe  me librat e tjerë!”
Gjithësesi njeriu i letrave e thotë hapur ndjesinë e tij, e shpreh qartë dhe kuptueshëm. Planet kanë ikur dhe veprat kanë mbërritur: “vjet, me një parathënie të të pandreqshmit Stani, botova “Hijet e  Virgjëreshave”, tek Arbëria e Abaz Veizit. Një botues, një shkrimtar i  veçantë por ende i panjohur, për mua një mik e dashamirës që, në një  shkrim esse të gjatë, është shprehur aq superlativ për mua sa nuk do të më  mjaftoj jeta për ta justifikuar!” Dhe ne bashkohemi me esenë e Veizit, të palexuar deri më tash, për të thënë ndoshta atë që ne ndiem për veprën e Faruk Myrtajt, tregimin e tij tingëllues bukur shqip edhe në gjuhë të tjera… ‘Bota Internetike’ dhe Shqipëria narrative qasen këtu dhe në emër të korsives, italikes së determinuar të fjalëqaset mes filozofisë e mesazhit.
Në emër të ‘korsives’
Në një botë njërëzore ku privatja duket tashmë një diskutim, edhe më shumë hamendësi mbesin tek gruppyetësori “në është apo ekziston ndonjë gjë private?” (Nitzche). Thjesht pronë e jotja! Ajo pronë të cilën publiku s’ka të drejtë të ta ‘dhunojë’, askush të ta njohë. Vërtet a ka ndonjë ‘personale’ qoftë kjo, dhe jo ‘shumë private’ të konsiderohet si e tillë? Në teorinë filozofike të Niçes, po aq edhe në mendimin e tij një gjë e tillë shmanget nën gërma korsive, të cilën vetëm një letërsi me këmbë të shëndosha e figuron maturisht. Dhe një letërsi e tillë me ‘këmbët e Niçes’ ka edhe stacionin e dëshiruar. Rrugës drejt këtij stacioni ku korsivja gjen simbolikën, të gjitha përipecitë njërëzore, janë njërëzore, por jo historikisht ‘personale’ dhe jo mundësisht private. Nuk janë të tilla edhe në lidhje me ëndërrshuarjen njërëzore; ‘vdekjen’, kur ajo ndodh realisht dhe jo ashtu ku Reso Pajtimi, ‘banori i Pallatit të Beqarëve’ vdes nën gërmat korsive të Faruk Myrtajt e “Nudo Zyrtare”. Në këtë tregim dy rrugë prezantojnë simbolikën e fjalës korsive. Njëra konsiston në marrjen në konsideratë të problematikës së emërtimeve me tipiken e kohës në mes, “Pallati i Beqarëve”, [edhe pse shumica ishin baballarë me disa fëmijë: shënimi im], dhe tjetra me riskimin e shikimit të emrit ‘shok’, ‘vëlla’ apo thjesht ‘banori ynë’ nën metafizikën e një keopsi dukurikërkues në një lëmsh të trazuar e tepër ‘korsiv’ që ngjet vetëm në teorinë e mendimtarit Nitzche (Niçe). Ne e dimë se çfarë Niçja riskon në këtë respekt. Emrat dhe emërtimet mund të konstituohen në anën e largët të ‘jetës’ së karakterit, marrë nga një pikë avantazhi për të ardhmen e botës së tij, nëpërmjet një afirmimi të ‘vazhdimësisë’. Dhe prapë aty ku ky derivat kritik anëson tërësoren ‘personalja’ rikthehet si pjesë e komentueshme, madje humor-lexuese në shtjellën problematike të njeriut që e përcjell atë me përditësinë e tij. A nuk tingëllon e ngjashme kthesa letrare e Myrtajt në ecurinë e tregimit në fjalë, kur thotë në vetën e parë dhe në gjuhën e të ardhurit të parë të qytetarëve, për nga rradha dhe jo nga numri: “Ku e gjeti që më vdiq mua ky mavri!” Dhe këtu mungon retorika, se retorika me të vdekurin, po aq me të pranishmit e gjallë, ‘por të vdekur’ se s’ka si të jenë ndryshe në kohën e “Pallatit të Beqarëve”, ku Reso ka kusuret dhe llogaritë e veta, nuk shkon as edhe për arsye gjuhësore dhe as për norma të tjera të përafërta, që i sjell ‘vështrimi i [gjysëm] të vdekurve të pranishëm.
Në këtë mes retorika e Myrtajt ka vetëm një arsye, një arsye që shënon aksidentin e pikëpyetur, aksidentin që në fakt kurrë nuk ka ndodhur, por që u hamendësua si i ndodhur. I hamendësuar i tillë se edhe vdekja e tjetrit kushton, se edhe ajo hyn në llogarinë e ‘të ardhurit të parë’. Vdekja e tjetrit shton fjalitë korsive të Myrtajt, teksa 250 lekëshi i Resos ‘nuk mundi ta shtynte vdekjen së paku deri në mesditën tjetër”. Dhe sikur të mos mjaftonte llogaria e 250 lekëshit të Resos, që edhe për hir të trukeve ‘te xhami i dollapit në dhomën 303 të Pallatit të Beqarëve” del figuracioni i goditur aritmetik që Myrtaj e sjell për llogari të kohës që jeton i gjithë ai nocion i grumbullit rreth të vdekurit, duke mos harruar edhe Akim Rolin dhe borxhin e tij që id ha shansin të jetë ‘një privilegj për shkak të borxhit të papaguar dhe të ulet në vendin e njeriut të familjes pranë të vdekurit, në një ‘varrim pa lot’. Madje në një varrim ku Myrtaj ligjëron metaforikisht ‘buzëqeshje të shkrirë te gjithë përcjellësit”.
Në fund korsivja e fjalës mbyllëse të tregimit të Myrtajt flet më shumë: “Sikur Reso Pajtimi të ishte gjallë. Mbase pikërisht për këtë Akim Roli shpresonte se një ditë borxhi do t’i shlyhej. Qoftë edhe duke e harruar atë.”
Këndi ku ngrihet Myrtaj
Nuk e di pse më erdhën ndër mend disa emra kur nisa të shkruaj për shkrimtarin shqiptar Faruk Myrtaj. Janë dhjetra që më qarkulluan ndër mendje: Nasi Lera, Betim Muço, Zija Çela, Teodor Laço, Kiço Blushi, Lazër Stani, Agron Tufa, Ramiz Gjini, Halil Jaçellari, Roland Gjozaj, Teodor Keko, Ilirian Zhupa, Rudolf Marku, Ardian Kyçyku, Thani Naqo, e mjaft të tjerë. Nuk e di vërtet pse më pas u ndala tek “Sytë e Dashurisë” të Nasi Lerës, “Në Bregenc Nuk Shkohet për të Vdekur” të Lazër Stanit dhe “Nesër është e Diel” të Halil Jaçellarit. Diku ndoshta nuhata mes larmisë leksikore një nuancë disi pikëlidhjeje që më transportoi mendimin gjetkë, pikërisht aty ku një bisedë me një kolegen time të Universitetit të Roehamptonit në Londër më bëri të thelloj kërkimet dhe të nis të shkruaj për këtë temë që prej kohësh në fakt më pati intriguar. Kështu duke kërkuar dhe vazhduar kërkimet e mia gjeta tregimet e përkthyera në gjuhën angleze të Faruk Myrtajt nga Përparim Kapllani dhe Arben Kallamata, që menjëherë më tingëlluan ndryshe dhe gati-gati më bënë t’i rilexoj e pse t’a fsheh t’i rilexoj gati dy-tre herë. Dhe të them natyrshëm ky rilexim nuk ka të bëjë aspak me ‘sfidat e dygjuhësisë që Ardian Vehbiu e shpreh në intervistën e Endrit Trebickës, edhe pse ato si të tilla të pamohueshme vetë Vehbiu i quan ‘të përballueshme’. Ajo që më pas unë kuptova ishte në fakt një problem tjetër: Tregimet e Faruk Myrtajt flisnin shumë bukur ‘shqip’ edhe në Gjuhën Angleze. Dhe pikërisht këtu unë u ndala dhe i afrova koleges simë një tufë nga vëllimi me tregime i Faruk Myrtajt “Hijet e Virgjëreshave’. Një prej tregimeve përkthyer nga Kallamata “Dritarja e Fundit” (The Last Window) kishte mbërthyer më së shumti kolegen time Maxine Neëlands, që është edhe Lektore në School of Social Sciences, Media and Cultural Studies në University of East London. Ajo që në fakt biseda miqësore me të më ngacmoi ishte pikërisht kjo punë e mirë e përkthimit, për të sjellur në anglisht ato vlera ende të fshehura të tregimit shqip. Ato natyrshëm janë shumë dhe kanë vlera të papërsëritshme. Për rastin konkret tregimi i piketuar i Myrtajt shërbeu si një model vlerësimi dhe rimburësimi për këtë mungesë të madhe në tregun e tregimit. Natyrshëm ky ishte problemi, më tha Neëlands, por ajo që më bëri të pëlqej tregimet e Myrtajt ishte diçka ndryshe, mënyra e renditjes së frymëzimit, një frymëzim tipik tregues dhe tërheqës. Duke pikasur këtë vlerësim dhe duke u mbushur me krenari për tregimtarin shqiptar, vendosa të shoh më tej krijimtarinë e tij që tashmë kishte filluar të tërhiqte sadopak edhe lexuesit në gjuhën angleze, siç e tregonte edhe fakti i tregimeve të përkthyera nga autorë të ndryshëm e të sjella për lexuesin e gjuhës së huaj në mënyrë të përsosur.
Të përkthesh tregimet e tjetrit natyrshëm do të thotë se ato kanë ngjallur interes. Interesi për to ka qenë që në botimin e parë të tij në poezi “Dielli i nëntokës” (The sun of the underground) (1985) të cilin e botoi në Tiranë dhe ishte thuajse një frymëzim që krehu imagjinatën e tij të trazuar të punës në nëntokën e Selenicës. Pastaj botimi tjetër në poezi “Rroba e fjalëve gjithnjë ngushtë më rri” (The cloth of ëords always is tight on me) (1991), që e bëri të linte gati përgjithmonë këtë zhanër dhe të niste rrugën e tij ku spikat më tepër. Ai nisi me “Njërëz që unë kam njohur” (1987), “Marrëveshje për të jetuar” (Deal for life) (1989), Nudo Zyrtare (1996), “Njerëzit janë tepër” (The People are unnecessary) (2000), “Njerëzit janë tepër” (The People are unnecessary) 2000, Shkup, Macedonia, “Luftëtarët vriten në paqe” (Warriors get killed in peace) 2003, Pristina, Kosove, “Nudo Zyrtare", (ripublished-ribotuar), 2006, Shkup, Macedonia, “Hijet e Virgjereshave", (The Virgins Shadows), 2006, Tirana, Albania. Novela “Qyteti i Ministrave” (The City of Ministers) (1998) e shkruara nga Faruk myrtaj padyshim më pas krijoi edhe brumin e tij të veçantë që kishte nisur të vlonte me vëllimin “Nudo Zyrtare”.
E gjetëm “Atdhe-un tjetër”
(Një roman me të gjitha ‘gjërat’ filozofike me vete, për veten, Tjetrin, për të gjithë)
Në kuptimin më të saktë filozofik “Atdheu” është kombi i “baballarëve” të dikujt, “etërve” ose “patriarkëve”. Kjo fjalë mund të shihet si një koncept nacionalist, aq sa lidhet mes kombeve. (Krahaso me atdheun dhe dhelindjen [natyrshëm edhe mëmëdheu]) Ndërsa ‘mëmëdheu’ ka diçka më të thellë, më të dallueshme edhe pse në gjuhën shqipe citohet si ‘dheu i nënës’. Sidoqoftë, ende sot në gjuhën shqipe nuk ka një rregull të përkushtuar të përdorimit të fjalëve ‘mëmëdhe’ dhe ‘atdhe’. Nuk ka dhe nuk përcaktohet pse. Ndërsa vendet perëndimore kanë një tendencë më të madhe për të përdorur fjalën ‘atdhe’ edhe në gjuhën shqipe të paktën këto vitet e fundit, fjala ‘atdhe’ ka marë peshë më të madhe se ajo që Çajupi i letrave e quante ‘Mëmëdhe quhet toka, ku më ka rënë koka...”.
Duke kërkuar në Fjalorin “Enciklopedia Britanike” për termin e “atdheut” lista shkon në rreth 50 vende, që mundësojnë përdorimin gati ekuivalent të kësaj fjale. Dhe ndërsa listës me 50 shtetet në afrimitet i renditet fjala kuptimëse, ajo që shihet disi më afër është mes dy gjuhëve. Nuk e di pse fjala “Atdheu” në shqip është thuajse një përshtatje disi afrime me konceptin e saj sinonim në gjuhën irlandeze që citohet “Athartha”, por di se të dy gjuhët e kanë këtë fjalë të pa huazuar, ose të formëzuar në afëri. Kështu gjeografia e ‘atdheut’ nuk përcakton as edhe pozitën, jug, perëndim apo edhe lindje, veri. Ajo mbetet një fjalë që zgjon mjaft enigma në brendësi dhe në funksion të saj. Edhe pse në historinë tonë, ndikimi ka qenë edhe më herët me historitë romake dhe bizante, fjala latinisht për ‘atdheun’, ‘patria’ nuk ka lënë shenjë të madhe. As edhe nga grekët e nga sllavët nuk ka ndonjë shenjë. E vetmja qëndron me kuptimin e saj sinonim, ‘mëmëdhe’. Atdheu në gjuhën shqipe funksion më herët, jo vetëm në ardhjet poetike të kohërave, as edhe vetëm në citimet dhe shkrimet me rilindasit, por më herët në historinë ilire dhe arbëreshe. ‘Mëmëdheu’ i përdorur vonë, jo ai mëmëdhe poetik, por ai që erdhi dhe ndikoi pas 1917-ës, me “Ruskaja Matushka” të cilin natyrshëm e shoh edhe sot si një koncept të ‘nënë nënëdheu’ ka krijuar dyzime tek vetë ‘mëmëdheu’ origjinal shqiptar. Sot edhe më fanatikët rusë, pra vetë rusët nuk e konceptojnë më njësoj atë. Pra vetë ata kanë syrgjynosur ngjyresat e shumta, ato që fundosnin njeriun për hir të moralit apokratik. Dheu i jetës, sido që të ngjyrohet është nocioni tjetër me njeriun e dashuruar pas tij, është vetë lidhja dhe filozofia e jetës. Në kohërat që pasojmë zgjedhja varet dhe do të varet nga konotacioni i kërkuar nga vetë ‘autori-njeri’ në një kontekst të veçantë. Atdheu sugjeron qeverinë dhe rendin. Atdheu ndërlidh lindjen dhe vetë atë rilindje ku je edukuar. Fatos Arapi në një nga poezitë e tij citon se “Atdheu s’është sa sedilja e makinës tënde/sa karrigia e zyrës/sa dhoma komode/a më dëgjon/ti që flamur të ri u gdhive në mëngjes/ për ta ndryshuar, ndoshta, prapë në mbrëmje?” Pra ai është vetë koncepti dhe konceptimi.
‘Mëmëdheu’ intrigon. Intrigon mes fjalës. Dhe, fjala ‘atdheu’ mban ngjyresa të shumta. Këto ngjyresa i sqaron më së miri pena dhe filozofia e një gjuhe të veçantë, tek “Atdhe tjetër”, autori i këtij libri të shkruar dhe konceptuar thellë, shkrimtari Faruk Myrtaj. Po ç’është në fakt ‘Atdhé tjetër?
Nga, dhe tek romani me ‘Atdhé tjetër’
Romani ‘Atdhé tjetër nuk është thjesht një premtim të cilin Myrtaj e pati shtruar (jo premtuar) kur shkruajti ‘në vend të një autobiografie’: “Tek unë, gjithnjë, kanë plotësuar njeri tjetrin krijuesi me gazetarin. ... Të shkruarat janë natyra e sinqertë e krijuesit: Kurrë nuk jam shquar për inisiativë, pragmatizmi im është pothuaj Zero...Sikur të mos mjaftonin këto, më 3 nëntor 2003 u nisa për mërgim të largët. Ngaqë u binda se nuk i ndihmoja dot në Atdheun tim, u ofrova fëmijëve një Atdhe tjetër. Së paku, këtu ku jemi, në Kanada, shpresoj të mos i pengojnë, siç u ndodhi prindërve të tyre...”. Romani është pikërisht rruga që hapi Myrtaj fill pas viteve 90-të në mesin e letrave shqipe. Jo më kot poeti Andi Meçaj, një djalë tejet i talentuar, në truallin e ‘atdheut’ të shkrimtari Hyqmet Meçaj, një emër tjetër i shquar i letrave shqipe, shprehet hapur “Faruk Myrtaj është njeri prej shkrimtarëve të sotëm shqiptarë që veçohet për frymën e re që solli, sidomos në prozën e viteve pas nëntëddhjetës.” Dhe në këtë rrugë romani “Atdhe tjetër” ka shumë për të folur. Flet me stilin, gjuhën e veçantë, kthinën e saj semantiko-filozofike, fine dhe tejet toske e ‘rafinuar’ do të shprehej botuesi i romanit të tij, poeti dhe botuesi i ‘Milosao’-s Agim Mato.
Në këtë ‘nga dhe tek romani’ duket se zë vend edhe logjika e një rruge të paralajmëruar. Asaj rruge në të cilën lindi libri i parë me vjersha, “Dielli i Nëntokës” (1985). Dhe për autorin e tij, ‘nuk është tjetër veçse një llagëm ku ndjehem ngushtë, por edhe i paralajmëruar, bashkë me ta. Qytetërimi kurrë s’ka për ta respektuar Njeriun, përderisa e shtynë atë të rrezikohet në dhè. E çfarë pastaj se këtë, më duket, e ka shkruar ideatori i komunizmit antinjerëzor, V.I.Lenini?!”
Lidhja me ‘dheun’ e ka kërrusur që në vitin 1978 ku imazhi i ‘Një fotografije të fillimvitit 1978-të, mes njerëzve të nëntokës, i është bërë kambanë që bje papushim’. Dhe ai ‘dhe’ i pjesëtuar në vdekje, pa parashtesën ‘at’; ose të hequr nga ata që të bënin ‘zap’ rishtroi fate njerëzish që autori i kujton: “disa prej tyre u aksidentuan me vdekje qysh sa isha unë atje, të tjerët sëmureshin të djelave të pushimit ose kur gjatën lejeve të zakonshme; ata që dilnin në pension vdisnin shpejt. Nuk e donin nëntokën, por u ishin shndërruar jetët funksion i saj...” Edhe ajo tokë ishte pjesë e At-dheut..., sidoqoftë edhe ‘mëmëdheut’, edhe ajo ishte bartësja që do të hapte plagë të tjera semantike për ‘Atdhé tjetër...
Ecje apo ‘fluturim’?
Koha, hapësira dhe vendi janë filozofia e dallueshme lehtë në roman. Gjuha me të cilën ndërtohet kjo trio filozofike është ana dalluese. Romani nis me një tren. Nis me një kuotim. Një paragraf ku citohet “Më  kish ndodhur të udhëtoja dendur me atë tren lokal, isha mësuar me të,  s’kish pse të më dukej i çuditshëm.  I çuditshëm më ngjante vetëm pasi dikush, që vizitoi vendlindjen time, vërejti se ky tren ecte aq ngadalë sa mund të zbrisje prej vagonit të fundit, të ndizje cigarin te një këmbësor dhe të hipje sërish në të...” Dhe ti e kupton se ku je. Je pikërisht aty ku ngadalë hapet dhe funksionon ‘magjia’ e gjërave. Gjërave për të cilat Heidegger do të shprehej gati me një ton tipik të bashkëngjitur me ‘atdheun’ e këtyre gjërave. Gjërave që kanë filozofinë e tyre. Të veçantën që e hasim sa tek kapja mes emrave të cilët gatuajnë vlerat dhe ngjarjet, aq edhe tek filozofia që sjell homonimet dhe paralelet, pikërisht aty ku del Danteja, Koperfildi, Herta Muller, Orhan Pamuku apo edhe projekti për një atdhe tjetër.
Si i tillë romani është një udhëtim i pandalshëm. Ndërsa treni i autorit në fillesën e tij është aq i ngadaltë, udhëtimi i prozës dhe filozofisë së shkrimtarit është rrufe që shfaqet e zhduket enkas. Nxjerr ‘flakën’ e saj vetëtimë dhe gjëmon diku larg për të gjetur ‘ambasadat’ apo edhe ‘Njeriu që humbiste republikat’. Dhe në këtë shpejtësi ‘maramendëse’ por të shtruar mirë në orbitën e saj lëvizëse, shkrimtari që e di mirë se ‘nga vetja nuk iket’ lë pas ‘orët e së shkuarës’ dhe diku rrëmon tek ‘Jetët imitojnë të shkruarat’. Në këto ndalesa të thekëta filozofike, ‘Atdhé tjetër bëhet një model që të jep shpirt nga jeta e tij, të bën për vete, të garanton atë që ti e kërkon, pa ditur se nga të vjen. Ky është nocioni me të cilin fjalia mund fjalën dhe fjala merr në dorë artin e së bukurës. E bukura e fjalës është ngado, por mjafton të citohet “Ndryshimi qëndronte se prej avionit nuk mund të dilja, të ndizja një cigar me ndokënd dhe të kthehesha sërish në të. Por ky ndryshim s’ishte i vetëm. Në trenin dikur, ndonëse i qetë si në vendlindje, s’e dija kordinatën e ndodhjes në botë, kurse në avion mund të kqyrja edhe rrugën që po bëja përqark saj...” Është rastësi kjo filozofi e pastër dhe kjo gjuhë kaq e thjeshtë, por tipike? Jo ndiqni edhe këtë shkëputje tjetër: “Kur vonohemi gjer në ardhjen tjetër, ndodh që ronitet dheu i  bardhë. Babai mbase është ngritur për të parë për ne, të mërguarit. Sa herë kemi hall, vjen e na shfaqet në ëndërr. Si për të na kujtuar se kudo duhet duruar, se ikja kthim i papushimtë është. Siç edhe kthimi vdekur, pamundësi ikje përgjithnjë...Se, a thua është e rastit që pikërisht të nesërmeve të ëndrrave tona, na bën telefon vëllai që është ende atje, në vendlindje: Jam këtu..., thotë, dhe ne e dimë ku është. Ka shkuar te vendi me dhè të bardhë, pastron ndonjë bar, duke i rrëfyer babait për fëmijët tanë dhe për ne...”
Sinkron dhe (a)sinkron
Në sinkron nuk janë pak personazhe. Ata shpesh s’kanë emra të përveçëm, por janë të gjithë të përveçëm. Edhe atëherë kur Myrtaj i quan ‘Në listën e ekzilistëve të famshëm’ apo edhe kur e citon produktin e të ushqyerit ‘made-in-Albany Pizza’. Udhëtimi i tyre është fenomen tjetër. Humbin dhe shfaqen nën ombrellën e strukjes, por truku magjik dhe prirja e veçantë për të spiraluar në kohë, hapësirë dhe vend e bën jolinearitetin e zhdërvjelltë të romanit një arsye më shumë për të prezantuar bukur fatin shqiptar në botën e ngjeshur të letrave. Romani që mungon në këtë artkënd tipologjik flet më shumë se sa mjaft ‘fiktivitete’ apo ‘fiksione’ barrierash të mbjella me kolona e bedena thatanike shekujsh, më shumë se ‘drumet’ dhe ‘cyrlat’ apo ‘baritoret’ e mbjella me saksi ferash në dhomat letrare atje, ku është ‘atdheu’ apo edhe ku shfaqet ‘atdhe tjetër.
Në këtë roman ka njëmijë e një halle. Aty është gjithkush, aty jemi ne, janë ata, janë të tjerët. Është vetja, vetvetja, ai tjetri dhe Tjetri i madh, i papërkulshëm. I vdekshmi i pavdekshëm. Është jeta, shkolla, gjuha, është edhe i humburi që s’e gjeti dhe nuk e gjen veten. Është frymori dhe njeriu. Është vetë jeta. Si i tillë, i veçantë në llojin e tij, romani ka ardhur në kohën e duhur, në kohën kur vetë ‘Atdhé tjetër’ i bën nder çdo gjuhe, çdo atdheu real. Madje edhe atij në letër...
E veçanta, tipikja dhe tipologjia
‘Atdhé tjetër’ tregon se Myrtaj është një shkrimtar me gjuhë tipike. Dakordësia me këtë pikasje nuk vetëm pjesë e analizës sime, por një realitet që sillet lehtë në vëmendje. Mjafton të shohësh disa fraza të autorit në këtë roman. Shembujt janë shumë dhe prurja është racionale. Shembulli i parë: “Si mund të bëhej fjalë për ikje, kur s’dihej për ku? Dhe si mund të perceptohej ikja, kur endè s’dija ku isha? Ftesa s’kish të bënte me ikjen në trenin e avashëm të provincës, as me avionin që prekte Grinuiçin dhe rrotullohej në të kundërtën e planetit. Nuk kish asnjë grimcë energjie lidhëse me ndonjë lloj ikje, ajo ndjehej mirë dhe mobiljet e dhomës ishin po ato.”
Autori është konstruktiv. Bindës dhe realist. Fjalori i tij dhe fjala ‘ikje’ nuk është vetëm veprim. Folja në vetvete është filozofi. Atëherë si duhet kuptuar shpejtësia në dy kohë, në variacion me ikjen e njeriut? Në rastin konkret nga përshkrimet e përzgjedhjes, panoramikja është brenda skutës së foljes. Ajo nuk i intereson lexuesit, as në aspektin e vendit ku treni ecën me ngadalë, as edhe kur kap vijën meridiane të Grinuiçit. Folja është edhe individuale. Kjo mund të provohet më lehtë akoma. Nga përshkrimet panoramike të peisazhit të zgjedhjes së tij folja është bartëse në fjali individuale.
Myrtaj kurrë nuk futet në detaje të tregojë një kontakt master, por jep këndin nga ku kjo mjeshtëri mund të lexohet e rilexohet gjatë. Kjo mund të provohet lehtë. Për shembull, në argumentim të librit, aty nga ku merr edhe jetëlidhja me fabulën, syzhet (lexo F. Terziu: Kritika Ndryshe: V. 1dhe 2) rëmon të shpjegojë në mënyrë të sqimtë: “Mund t’ua kisha kërkuar edhe vetë shkresën zyrtare, me justifikimin se do duhej t’ua tregoja familiarëve apo patriotëve të mi kur të interesoheshin, por jo vetëm për pasaktësi në përdorjen e gjuhës, nuk e bëra këtë. Por, as atë ditë, as më vonë, as sot e kësaj dite, s’do guxoj të rrëfej se pafjalëbindja ime kish vetëm një shkak: imazhin tim për heronjtë e Kafkës.” (233) Është një stinë tjetër. Njerëz të tjerë në frontin e ndjesisë dhe emocioneve tuaja. Botë tjetër? Skena në vetvete është bindshëm dramatike - një nga momentet më dramatike, në fakt, në letërsinë e këtij lloji, ku socialja dhe personalja janë arsye të joperceptimit. Njeriu nuk percepton dot njeriun, dhe për njeriun, (këtu s’dihet se kush) ajo përballje mbetet thjesht një frymor.

Shumica e lexuesve në këtë pikë janë kapur kështu mes vetes dhe rilexojnë vetveten. Proza në vetvete është transparente. Dhe perceptimi varion. Në ndihmë të mjaft frazave Myrtaj përdor një lupë argjendari për të parë jo thjesht lustracionin, por për të detajuar plagët e materies. Çdo frazë e këtij romani përmban një ‘koleksion’ të plotë perceptimesh të latuara në fraza të  paharrueshme, metafora origjinale, apo skena të përshkruara gjallërisht, që mbesin gjatë në mendje. Romani i botuar nga “Milosao”, Sarandë, ka një rrugëtim të hapur. Mes merakut të fjalës së përzgjedhur të shkrimtarit, merr kryeneçësi edhe kjo udhë që kërkon vendin e saj, aty ku letrat shqipe s’e pranojnë pluhurin. Ndërsa Myrtaj vazhdon të ndjekë me vëmendje udhën e tij kafkaeske në stil dhe në vecori, duke vënë gurin meritor në letërsinë shqipe. Edhe pse ‘ndasia’ torbëkrahi, ia kalon armatës ‘majëkrahi’ të ‘revolucionarëve’ jurikrijues dhe jurindërtues të shtetin shqiptar, ana cmim duket vetëm një aneks i zgjerimit të kuzhinës ‘soc-plus-pas-realistike’ të ndërtuar me kafeklane dhe me poza politeske. Ajo që kthen vëmendjen tek Myrtaj është stili, gjuha dhe ana tjetër e duhur e shkrimit shqip. Vendi i ka takuar që në fillim. 

No comments: