Sunday 18 September 2016

Historia në shtratin e së vërtetës

Nga Prof.dr. Eshref Ymeri

Historia
në shtratin e së vërtetës

       Pedagogu dhe filozofi anglez Xhon Lok (John Locke - 1632-1704), idetë e të cilit patën një ndikim të fuqishëm në zhvillimin e filozofisë politike, ka lënë një aforizëm të shkëlqyer për brezat pasardhës. Ai ka thënë:
       “Asgjë nuk është kaq e mrekullueshme për syrin sesa e vërteta për mendjen, asgjë nuk është kaq e shëmtuar dhe kaq e papajtueshme për arsyen sesa gënjeshtra”.
       Intelektuali i mirënjohur erudit Mërgim Korça, në harkun e viteve 2005-2014, ka botuar tre libra interesantë nga fusha e historiografisë. Në vitin 2005, shtëpia botuese “Media Enter”, hodhi në qarkullim librin e tij të parë me titull “Histori të pashkruara” (268 f.) Në vitin 2008, shtëpia botuese “Maluka” nxori nga shtypi librin e tij të dytë me titull “Hedhje dritë rreth shtrembërimesh historike” (351 f.). Libri i tretë me titull “Çështja kolaboracionizëm e të tjera. T’i gjykojmë!” (519 f.) është botuar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës (Detroit) në vitin 2014. Pra, në tërësi, këto tre libra prej 1138 faqesh gjithsej, i kushtohen kohës së luftës dhe periudhës së diktaturës së egër enverhoxhiste gjysmëshekullore.
       Në një paraqitje të shkurtër që i ka bërë vëllimit “Histori të pashkruara”, publicisti i mirënjohur Mero Baze shkruan:
       “Nëse do të ketë ndonjëherë një bilanc të asaj çfarë duhet të ishte shkruar dhe asaj çfarë duhet të ishte fshirë nga letrat shqipe, në raport me Shqipërinë e pesëdhjetë viteve të komunizmit, ky libër do të mbetej. Kam dyshimin e madh se në asnjë vend të bllokut lindor, regjimi nuk ka pasur fatin komod që ka pasur në Shqipëri. Për komunizmin shqiptar u prodhuan mijëra dhe miliona faqe të shkruara për ta mbajtur atë në këmbë dhe thuajse asgjë për ta ndriçuar errësirën e tij pas rënies. Shqipëria është thuajse i vetmi vend që nuk ka dokumentuar aksidentin e saj  më të madh historik” (f. 5).
       Mendoj se publicisti Mero Baze ka bërë një vlerësim mjaft objektiv për përmbajtjen e këtij libri, duke nxjerrë në spikamë faktin se historia pesëdhjetëvjeçare e komunizmit shqiptar ka në themelin e vet gënjeshtrën dhe mashtrimin. Për më tepër, gënjeshtra dhe mashtrimi vazhdojnë të gëzojnë një status të privilegjuar edhe pas ndërrimit të sistemit në fillim të viteve ’90, paçka se që asokohe ka kaluar më shumë se një çerek shekulli.
       Shkrimtarja dhe publicistja e shquar Vilhelme Vranari Haxhiraj shkruan:
       “Të bësh diçka për atdheun është përgjegjësi morale, detyrë dhe nder” (“Bashkë në dashuri dhe atdhetari. Aurelia dhe Ajvaz Voka. Amanda Edit”. Bukuresht 2013, f. 139).
       Pra, duke pasur parasysh faktin që e vërteta historike vazhdon të mbetet e pandriçuar dhe gënjeshtra dhe mashtrimi shiten ende si “produkt i cilësisë së lartë” në veprat e historianëve të traditës, intelektuali Mërgim Korça, nisur nga dëshira për të bërë diçka për atdheun, i pati hyrë punës për largimin e territ informativ dhe për nxjerrjen në dritën e diellit të mjaft fakteve tronditëse për shumë ngjarje të rëndësishme dhe personalitete të shquara të kombit shqiptar.
       Pas 08 nëntorit të vitit 1941, kur, nën mbikëqyrjen e rreptë të dy emisarëve shovinistë jugosllavë Miladin Popoviç dhe Dushan Mugosha, u themelua Partia Komuniste e Shqipërisë, në vendin tonë u hodh fara e mallkuar e përçarjes kombëtare, e cila u kurorëzua me shpërthimin e luftës civile në fillimvjeshtën e vitit 1943. Domosdo që lufta civile do të vendoste përballë njëri-tjetrit shqiptarin kundër shqiptarit, në përputhje me strategjinë afatshkurtër dhe afatgjatë të serbosllavizmit. Sipas asaj strategjie, shqiptarët duhej të ishin patjetër të përçarë, se vetëm kësisoj duhej të mbetej e paprekur Çështja Madhore e Ribashkimit të Trojeve Etnike Shqiptare, të cilat shovinizmi evropian i pati copëtuar dhe ua pati aneksuar dy armiqve tradicionalë të kombit shqiptarë, sllavëve dhe grekëve. Prandaj të gjitha ato formacione politike, intelektualë të shquar dhe përfaqësues të besimeve fetare që ishin për mbrojtjen e dinjitetit kombëtar dhe për mbijetesën e tij edhe në kushtet e pushtimit fashist, për dëbimin e emisarëve jugosllavë, si edhe për ribashkimin e trojeve tona etnike, u shpallën armiq dhe tradhtarë dhe kundër tyre u ndërsye tërë propaganda komuniste. Në anën tjetër të barrikadës, u radhitën komunistët shqiptarë, aleatët besnikë të sllavizmit dhe varrmihësit e nacionalizmit shqiptar, me Enver Hoxhën në krye, të cilët pas luftës shpërthyen luftën e egër të klasave, si vazhdim të luftës civile, që u shoqërua me pushkatime të kundërshtarëve politikë, që kishin filluar që gjatë viteve të luftës, me burgosje afatgjata, me shpronësime dhe me internime nëpër kampe përqendrimi, duke pasur në themel shpifjen e pamëshirshme kundër tyre.
       Faktet dhe të vëertetat u vunë në shënjestër të shpifjes komuniste. Historiani i lashtësisë romake Taciti (Tacitus - 55-120) ka thënë:
       “Humbi turpi, sundon poshtërsia, zanati i shpifjes nuk e njeh turpin! Shpifja gjithmonë kërkon të vrasë të vërtetën,… të vrasë historinë” (Citohet sipas: Rasim Bebo. “Artikuj dhe ngjarje. Pjesa II”. Botime “Vllamasi”. Tiranë 2013, f. 122).
       Pamjen më të dhimbshme të përçarjes tragjike mbarëshqiptare, e ka dhënë poeti i talentuar Gjovalin Lumaj, kur, në vëllimin poetik me titull “Kelmendi në vargjet e mia”, përshkruan luftën vëllavrasëse që shpërtheu kur nisi kryengritja e Malësisë së Madhe. Këto vargje Mërgim Korça i citon në librin në fjalë:

       “Dit’e ftohtë kjo ditë janari,
       Cemi rrjedh me gjak shqyptari,
       N’të dy anët ka viktima,
N’të dy anët ka djelm trima,
Rreptë t’u ndeshë porsi dragoj,
Trima boll, por jo heroj,
Heroizëm ktu nuk ka,
Tragjedi, tmerr e hatá,
Luftoi sot vllau me vlla,
Serbi fort i ka përça! (f. 155).

       Tek ndjek faqet e këtij libri, lexuesi nuk mund të mos përjetojë një ndjenjë të lemerishme kur njihet me shkrimin me titull “Shqiptarët pushkatojnë shqiptarët që shumë e deshën Shqipërinë”. Në këtë shkrim bëhet fjalë për pushkatimin e disa të rinjve nacionalistë korçarë më 20 qershor 1945. Në qendër të shkrimit është i riu sypatrembur Ajdin Kulla nga Zëmblaku. Me dorën e dridhur mbi tastierën e kompjuterit, Mërgim Korça,  sipas vendimit të trupit gjykues, u bën të njohur lexuesve arsyen se pse Ajdin Kulla dënohej me vdekje:
       “…për agjitacion e propagandë, duke qenë koshient i politikës së Shqipërisë Etnike” (f. 177).
       Pra, qëllimi kryesor që shtronin në programin e vet komunistët shqiptarë me Enver Hoxhën në krye, nën vëzhgimin e përhershëm të Beogradit, ishte zhdukja nga fjalori i gjuhës shqipe i shprehjes “Shqipëri Etnike”.
       Të gjitha këto ngjarje tragjike, kanë gjetur një pasqyrim befasues në penën e intelektualit të shquar Mërgim Korça. Ai është mbështetur vetëm në fakte konkrete, duke i vjelë ato me shumë kujdes nga dokumentet që ruhen në rojtinën (arkivin) e shtetit. Në këto dokumente shtjellohet hollësisht veprimtaria atdhetare, me të dhëna të hollësishme, e shumë figurave të shquara të nacionalizmit shqiptar, si Atë Gjergj Fishta, Hasan Dosti, Lef Nosi, Mid’hat Frashëri, Mustafa Kruja, Patër Anton Harapi dhe shumë e shumë të tjerë, përfshirë këtu edhe përfaqësues të shquar të klerit katolik.
       Në këtë libër më ka lënë mbresa të fuqishme një fakt mjaft interesant që sjell autori për moralin e lartë, me të cilin ishte mbrujtur karakteri i Mustafa Krujës, kur ky ishte Kryetar i Këshillit Ministror. Konsulli gjerman në Tiranë i kishte kërkuar asokohe që t’i dorëzoheshin Gjemanisë 300 hebrenj që ndodheshin në Shqipëri, si refugjatë të ardhur nga Jugosllavia. Kërkesën e vet, konsulli e pati shoqëruar me listën emërore të hebrenjve dhe me adresat e tyre në Kosovën shqiptare. Mustafa Kruja mori masa të menjëhershme për t’i zhvendosur hebrenjtë në zonën e Gjirokastrës, dha porosi t’u ndërroheshin emrat dhe të pajiseshin me pasaporta shqiptare. Paskëtaj ai e pati njoftuar konsullin gjerman se të gjitha hetimet që qenë kryer në Kosovë lidhur me listat emërore, kishin rezultuar negative.
       Mërgim Korça citon librin e mëkëmbësit italian në Shqipëri Farnçesko Jakomoni , me titull “La Politica dell’Italia in Albania” (Politika e Italisë në Shqipëri”). Ja se si është shprehur Jakomoni për Mustafa Krujën:
       “Ai ishte njeri me zemër të gjerë dhe nëpërmjet tij mundësuam përmes përfaqësive tona jashtë shtetit, t’i pajisnim hebrenjtë gjermanë, bohemë, polakë, hungarezë dhe rumunë me pasaporta shqiptare. Atyre u krijohej mundësia t’u shmangeshin persekutimeve raciale, duke iu drejtuar Shqipërisë” (f. 93-94).
       Me këtë qëndrim tejet fisnik që mbajti ndaj hebrenjve, në bashkëpunim të ngushtë me familjet shqiptare që i strehuan në vatrat e tyre, Mustafa Kruja e dëshmoi në praktikë se Shqipëria ia shpëtoi moralin Evropës, siç deklaronte para do kohësh qytetarja 84-vjeçare hebreoamerikane Johanna Neumann, sipas një shkrimi të publicistes së talentuar Elida Buçpapaj, me titull “Takimi me zonjën Johanna Neumann, e cila i tregoi botës se moralin e Evropës e shpëtuan shqiptarët”, të botuar në internet më 14 maj 2014.
       Për këtë qëndrim të lartë, burrëror, besëmadh, që ka mbajtur Mustafa Kruja ndaj hebrenjve para furisë së nazizmit gjerman për shfarosjen e tyre, e meriton plotësisht të vlerësohet nga Presidenti i Republikës me dekoratën më të lartë “Nderi i Kombit”. Është e çuditshme se si është e mundur që Presidenti i Izraelit nuk e ka shpallur Mustafa Krujën “Hero Kombëtar”. Ata hebrenj, përfshirë këtu edhe zonjën Johanna Neumann, që Mustafa Kruja i shpëtoi nga vdekja e sigurt, dhe pasardhësit e tyre, duhej ta kishin ngritur me kohë zërin për nderimin e figurës së lartë të Mustafa Krujës nga ana e autoriteteve izraelite.
       Pra, në gjykimet që jep për të gjitha këto personalitete shqiptare, Mërgim Korça ka si busull vetëm kriterin e së vërtetës. Prandaj ai shkruan:
       “Burimi i parë, ndihmën e të cilit kërkuam për të përcaktuar kriterin e gjykimit tonë ndaj figurave që luajtën rol tejet aktiv në përcaktimin e fateve të kombit tonë gjatë gjysmës së dytë të shekullit të kaluar, na mëson që t’i referohemi së vërtetës dhe këtë të fundit ta gjykojmë me drejtësi” (po aty, f. 35).
       Analiza mjaft interesante ka bërë Mërgim Korça për Enver Hoxhën, si një figurë qendrore në historinë gjysmëshekullore të sundimit të tij me mjetet më të egra të diktaturës, si edhe për bashkëpunëtorë të tij të afërt, si Bedri Spahiu, Mehmet Shehu e shumë të tjerë, të cilët i eliminoi njërin pas tjetrit. Për Enver Hoxhën, ai shkruan:
       “…brumosja e tij me amoralitetin e Leninit, me kriminalitetin paranojak të Stalinit, çoi në lindjen e asaj krijese dështake që Enver Hoxha e quante me mburrje njeriu i ri socialist. Përse e zgjodhi ai këtë rrugë? Përgjigjja është tejet e thjeshtë. Amoraliteti i Leninit ishte ylli i tij polar. Te shpirtvogëlsia, smira e skajshme si dhe shpirti gjakatar i Stalinit si pasojë e të qenit i dështuar ndërmjet bashkëkohësve të tij, Enver Hoxha shihte alteregon (vetëshëmbëlltyrën), mësuesin e tij… Ai dhunoi, torturoi, ua bloi kockat, ua shkuli thonjtë dhe i ropi të gjallë intelektualët dhe klerikët e virtytshëm më të shquar e gjithashtu ajkën e burrave të ndershëm e patriotë… Dhunoi gjithashtu kampeve të përqendrimit dhjetëra mijëra vetë që t’ia shtinte drithmën popullit mbarë dhe kësisoj e transformoi shqiptarin në një krijesë amorfe pa shtyllë kurrizore. Këtë la prapa Enver Hoxha” (f. 35-36).
       Mërgim Korça është ndalur edhe në përshkrimin e një ngjarjeje që lidhet me figurën kriminale dhe të pabesë të Mehmet Shehut. Kur legjenda e maleve Prek Cali i Kelmendit, me dy malësorë trima, kishte mbetur në një shpellë, i rrethuar nga forcat komuniste dhe dëgjoi thirrjen që i qe drejtuar për t’u dorëzuar, ai kishte vënë si kusht që të vinte vetëm Mehmet Shehu, duke shpresuar në besën e tij. Mehmet Shehu shkoi dhe iu drejtua Prek Calit:
       “E more Prek Cali, të pat ardhur dita ta mbyllje historinë tënde me shkronja ari po të ishe bërë me ne! Pse bërë kështu? I gjegjet trimi legjendar burrnisht: Zotni, faji bjen mbi ju se ju u bȃtë aleatë me anmikun tonë shekullor, me Serbin!” (f. 51).
       Pra, aleanca vetëposhtëruese e komunistëve shqiptarë me shovinizmin serbomadh, ishte arsyeja kryesore e shpërthimit të Kryengritjës së Malësisë së Madhe në janar të vitit 1945. Trimi Prek Cali vendosi të dorëzohej në besë të Mehmet Shehut, me kusht që t’i falej jeta. Mehmet shehu i dha fjalën se do t’i falej jeta. Por pas ca kohësh Prek Calin e pushkatuan. Valentin Previzi, ish-oficer akademist, shok burgu me Prek Calin, në kujtimet e veta që ia pati lënë për t’i botuar të vëllait të vet, piktorit Lek Previzi, shkruan për Prek Calin:
       “Ai s’e priste që Mehmet Shehu ta hante fjalën e dhanë. Si malësor, ai s’mund ta konceptonte nji gja të tillë. Por harronte ai se Mehmet Shehu nuk ishte si burrat e Malësisë që kur jepnin fjalën, e mbanin atë edhe me çmimin e jetës. Ai nuk ishte tjetër, veçse nji aventurier gjakatar, i etun për pushtet, që nuk e kishte për asgja me thye besën e mos me mbajtë fjalën” (Valentin Previzi. “Si u dorëzue dhe si u pushkatue Prek Cali”. Faqja e internetit “Radi and Radi”. 22 prill 2014).
       Me të njëjtat përjetime emocionuese e përcjell lexuesi edhe përmbajtjen e librit “Hedhje drite rreth shtrembërimesh historike”, në të cilin autori ngre një sërë problemesh të mprehta, gjithmonë në mbrojtje të së vërtetës dhe në polemikë të hapur me historianë të moshuar që ende nuk kanë mundur të çlirohen dot nga vargonjtë e ideologjisë komuniste në pasqyrimin e dogmave të një periudhe të perënduar.
       Mjaft mbresëlënëse është parathënia e këtij libri, me autor Prof. Ardian Ndreca, i cili, në harmoni të plotë me këndvështrimet e autorit në trajtimin e historisë, e vë theksin te roli i gjëmshëm që luajti Enver Hoxha dhe klika mercenare rreth tij, të cilët “u përpoqën sistematikisht në dekadat e errëta të regjimit komunist, me u dhanë me hangër shqiptarëve nji histori të mykun e të kalbun prej paragjykimeve marksiste, klasore, ateiste, sektare, rajonale, politike, personale… tue e kthye historinë në nji copë parafinë që mund të modelohej prej zjarrmit revolucionar që frynte asokohe prej Tirane në të gjithë vendin” (f. 6-7).
       Në librin e tretë “Çështja kolaboracionizëm e të tjera. T’i gjykojmë!”, Mërgim Korça, mbi bazën e fakteve konkrete, heq një paralele mes bashkëpunimit të figurave të shquara nacionaliste shqiptare, si Mustafa Kruja etj. me italianët, bashkëpunim që ishte tërësisht në shërbim të atdheut, dhe bashkëpunimit të Enver Hoxhës me shovinizmin jugosllav, i cili, siç e vërtetoi koha, ishte varrmihës për fatet e kombit shqiptar.
       Nga leximi i të tre librave të lartpërmendur të Mërgim Korçës, vjen përfundimi i vetvetishëm se historia e Shqipërisë duhet rishkruar mbi bazën e dokumenteve rojtinore (arkivore), duke pasur në themel vetëm kriterin e së vërtetës. Të bën përshtypje fakti që një inxhinier i talentuar në profesionin e vet, i ka hyrë me mjaft pasion, me mjaft përkushtim intelektual, zbardhjes së të vërtetave historike për periudhën e lartpërmendur.
       Nga një intervistë që i ka dhënë Revistës “Kuvendi”, lexuesi njihet me rrugën e brumosjes së Mërgim Korçës që në moshë të njomë me një moral të lartë kombëtar në mjedisin e familjes së tij. Ai shkruan:
       “Që në fëmijëri, im atë më ka pasë mëkuar dashurinë për Atdheun, krenarinë kombëtare si edhe njohjen e së kaluarës historike e gjithashtu edhe përpjekjet e rilindasve për gjuhën tonë të bukur shqipe. E si të mos më nguliteshin këto gjëra në kokë tek më jepte detyra shtëpie të mësoja përmendësh vargjet e Lahutës, poezitë e Nolit, bukolikat tejet atdhedashëse të Naimit e nga ana tjetër dëgjoja pastaj nga goja e Mid’hat Frashërit apo Mustafa Merlikës se si flisnin për Kongresin e Manastirit, si edhe përpjekjet e tyre lidhur me gjuhën e shkruar shqipe… Po gjithashtu e kam të qartë vrullin, me të cilin fliste Qazim Koculi me krenari të madhe kombëtare rreth flakjes në det të forcave italiane më 1920” (“Histori të pashkruara”, f. 158).
       Kuptohet vetvetiu që Mërgim Korça ka shkelur në sinoret e historianëve të brumosur keq me ideologjinë komuniste, nga e cila nuk mund të shërohen dot derisa të vijë koha për të shtegtuar në botën e përtejme. Për këtë kategori historianësh, që e trajtojnë historinë si “pronë të tyre”, Prof. Ardian Ndreca, në parathënien e librit të dytë (f. 7), ka bërë një vlerësim bukur të qëlluar:
“Qarqet e vjetra të inteligjencies ish-zyrtare që përbajnë shumicën e historianëve shqiptarë, shohin me përbuzje çdo përpjekje me u fut në territorin e tyre, i cili trajtohet si ekskluziv dhe i paprekshëm”.
Historia e periudhës së sundimit komunist vërtet duhet rishkruar, por vetëm duke e vendosur atë në shtratin e së vërtetës, ashtu siç është munduar ta vendosë intelektuali i shquar Mërgim Korça. Në të kundërt, Shqipëria do të vazhdojë të mbetet një vend larg qytetërimit. Sepse e vërteta, - thotë shkrimtari, publicisti dhe filozofi francez Alber Kamy (Albert Camus - 1913-1960) është i vetmi përparim i qytetërimit.
Historia në fjalë duhet rishkruar sidomos për dy arsye kryesore:
Së pari, që shqiptarët me vetëdije të lartë kombëtare të kuptojnë dhe të binden për fjalët profetike që prifti ortodoks Imzot Irné Banushi (1906-1973) i pati thënë dikur inxhinierit Mërgim Korça:
“…armiqtë tanë shekullorë, sllavët, e organizuan komunizmin në Shqipëri pikërisht për të na gëlltitur si komb” (“Histori të pashkruara”, f. 228).
Së dyti, që shqiptarët, pavarësisht nga bindjet e tyre politike, ta kuptojnë dhe të bëhen të ndërgjegjshëm plotësisht për pasojat tragjike të organizimit të komunizmit në vendin tonë. Sepse në këtë mënyrë do të vetëdijësohen plotësisht për trashëgiminë kriminale të veprës së Enver Hoxhës, i cili, si i dështuar ndërmjet bashkëkohësve të tij gjatë viteve të qëndrimit në Francë, filloi të vuante nga kompleksi i inferioritetit, çka e bëri që, kur erdhi në pushtet, të shikonte rreth vetes vetëm armiq.
Prandaj, me shumë të drejtë, Mërgim Korça shtron pyetjen:
Po ç’la prapa Enver Hoxha? Dhe përgjigjet:
“Kjo është edhe fatkeqësia edhe më e madhe: … është lënia e shqiptarit në mes të katër udhëve. Morën arratinë shqiptarët për pak bukë, për pak mirëqenie. Gjysmë milioni përballen përditë me trusninë e ndërrimit të fesë, të detyruar nga nevoja që si lëmoshë Qiries grek t’ia shesin lirë, më lirë nga të tjerët, krahun e tyre të punës, qoftë edhe në Janinë, në Janinën e Ali Pashait. Nuk u vjen turp atyre? Jo, nuk u vjen, se aty i katandisi diktatori. Po ato vajza shqiptare që detyrohen dhe nderin e tyre e shesin rrugëve të Evropës, nuk kanë sadopak turp? Jo, nuk kanë, se diktatori i dogji në turrën e druve kanunet tona të vjetra e kështu e preu me sëpatë trashëgiminë morale që vajzat tona kishin nga vajzat Suljote” (po aty, f. 112-113).
Më lart u tha se historia e periudhës komuniste duhet rishkruar. Por a do të jetë e lehtë për ta realizuar një gjë të tillë, duke e ndarë atë nga politika? Kjo do të jetë një ndërmarrje e vështirë, për arsyen e thjeshtë se duhet të ketë në themel të vërtetën. Sepse, siç thotë Alber Kamy, “nuk ka të vërtetë të mos mbartë në vetvete ashpërsinë e vet”. Sepse e vërteta do t’ia heqë petët “lakrorit” komunist që gatoi Enver Hoxha dhe këtë, së bashku me kriminelë të tjerë rreth tij, do t’i demaskojë në një mënyrë të pamëshirshme në sytë e mbarë kombit shqiptar.  Gjithsesi, kanë filluar të hidhen hapat e para drejt së vërtetës historike. Hapa të tillë janë vënë re në veprat e mjaft  penave të talentuara, si Profesori i mirënjohur i historisë Rasim Bebo, Mërgim Korça, dr. Vasfi Baruti, Enver Lepenica, Kastriot Dervishi, Pjetër Pepa, Kostaq Xoxa e të tjerë.
Le të shpresojmë që të vijë një ditë kur e vërteta, duke mbetur jashtë rrethojave të politikës, të marrë statusin që i takon dhe të bëhet “kryezonjë” e historisë sonë kombëtare edhe në mjediset e Akademisë së Shkencave. Le të shpresojmë që të bëhen realitet fjalët e Shtjefën Gjeçovit (1873-1929), i cili thoshte:
“Kur të binden shqiptarët se të gjithë janë të një Gjaku, Gjuhe dhe Ideali, nga një anë, e kur mes tyre të mbizotërojë Njerëzia, Vëllazëria, Besa dhe Mirënjohja, nga ana tjetër, atëherë atyre s’kanë ç’t’u bëjnë armiqtë” (Vilhelme Vranari Haxhiraj, vepër e cituar, f. 142).
Kolumbus, Ohajo
08 shtator 2016
-------------------------
       Reagime
Bota Sot
09 shtator 2016
Nazmi Berisha
Nuk po guxoj me thanë ndonjë koment përveçse me Ju përgëzue dhe falënderue nga zemra për mundin dhe qëllimin për me shkrue këtë perlë analize historie, për me sqarue miopët e mediokritetin që i ka kaplue pseudo- intelektualët.
Ju falemnderit, ju falemnderit!

---------- Forwarded message ----------
From: Eshref Ymeri 
ymerieshref@gmail.com
Date: 2016-09-09 8:57 GMT-07:00
Subject: Një kërkesë miqësore për të falënderuar zotin Nazmi Berisha në rubrikën tuaj "Komente"
To: Bota Sot
info@botasot.info

I nderuar zoti Nazmi,
Ju falënderoj nga zemra për fjalët frymëzuese që keni shprehur në rubrikën "Komente" për analizën time me titull "Historia në shtratin e së vërtetës". Ju jam tepër mirënjohës për përkrahjen tuaj në mbrojtje të së vërtetës, e cila e ka “trupin plagë” nga shtrembërimet që po i bëhen gjithandej. Shërbëtorët e sllavizmit, pasardhës të Enver Hoxhës, e shtrembërojnë të vërtetën se nuk kanë burrërinë t'i dalin asaj ballë për ballë. Grekët dhe serbët mundohen të mashtrojnë, duke i rënë moh të vërtetës, sikur Skënderbeu është grek apo serb, mohojnë të vërtetën për prejardhjen e Nënë Terezës. Presidenti italina Serxho Matarela (Sergio Matarella) shtrembëroi të vërtetën në një mënyrë skandaloze, kur, në fjalimin që mbajti nga tribuna e parlamentit serb më 25 maj 2015, deklaroi se 17 perandorë romakë na paskan qenë me prejardhje serbe, ndërkohë që ata, faktikisht, kanë prejardhje ilire. Fqinjët grekosllavë s’lënë kusur për të na mohuar historinë.
Me respekt dhe mirënjohje.
Eshref Ymeri
Kolumbus, Ohajo
09 shtator 2016


No comments: