Saturday 14 January 2017

Denatyralizimi i folkorit vjen si pasojë e mosplotësimit kulturor

Denatyralizimi i folkorit vjen si pasojë e mosplotësimit kulturor

Për termin “isopolifoni” po aplikohet (zbatohet) “platforma e hashashit”…

nga MSc. Albert HABAZAJ, studiues i etnologjisë dhe folkorit

Për termin “isopolifoni” këtyre hënave po aplikohet (zbatohet) “platforma e hashashit”. Vertikalët pompozë të akuariumit akademik shqiptar, me “mjakiznakët” e interesit për tjetërsimin apo shitjen e shpirtit të popullit në këngë e valle, me sjellje dhe mënyrë artificial, po e eksperimentojnë negativisht dhe keq folkorin tonë polifonik, të paktën në trevat labe dhe jo labe, ku këndohet pothuaj me tre dhe katër zëra, të mbarënjohur dhe unikalë me marrës, kthyes dhe hedhës individual për çdo njësi folkorike dhe mbushje kolektive të e këngës apo iso nga grupi. Standardin për këngën labe e kanë përcaktuar vetë banorët e parë të këtyre trojeve, paralabët dhe labët. Bartësit në breza kanë detyrë ta ruajnë, përdorin, pasurojnë dhe përcjellin si stafetë të bukur, të hijshme dhe fisnike brez pas brezi,  mbi bazën e traditës.
Po e infekton “isopolifonia” shpirtin e banorëve si droga ish- tokat e virgjëra e pjellore shqiptare (ish do të themi, se s’janë më funksionale për prodhimin e drithërave të bukës, perimeve e zarzavateve, për kullota, blegtori, pemëtari, vreshatri, bletari, për mmirëmbajtjen e shëndetshme të jetës së banorëve të këtij dheu që i thonë Labëri etj.). mund t’ia infektosh me hashash tokat malësorit, fusharakut, bregdetasit apo lumasit lab, por shpirtin-jo, kurrë! Shpirti i labit rron në këngët e në vallet lirike, epike, liriko-epike apo epiko-lirike (sikurse shpirti i popullit shqiptar, sikurse shpirti i tërë popujve të botës, xhanëm, me parimet specifike që ka folkori).

Po përdoret jashtë mase, po teprohet dhe po abuzohet shumë me “ilaçin dhe shërimin” shpirtëror të popullit tonë, të Labërisë sonë; po tejkalohet çdo parametër tolerance me këngën tonë, trashëguar gojarisht brez pas brezi, që kur kanë lindur labët e parë në këto troje, bashkë me tokën, malin, detin, lumin, fushën, kodrinat e pllajat. Kënga labe, quajtur me gjuhën shkencore “Polifonia labe”, është pjesë e së tërës folklorike të pasurisë shpirtërore jo materiale të popullit shqiptar. Në “Fjalorin e gjuhës së sotme shqipe”, botim kryesor akademik i leksikografisë, krahas rreth 41.000 fjalëve dhe njësive frazeologjike është dhe zëri “POLIFONÍ,~A f. muz. Këngë popullore me shumë zëra. Polifonia jonë. Polifonia popullore. Polifonia e Jugut”[1]. Po ky cilësim është dhe në fjalorët vijues shpjegues të mirëfilltë për njësimin dhe standardizimin e normës gjuhësore për leksikografinë shqiptare, për gjuhën letrare kombëtare.
Kënga labe e ka shoqëruar labin në përditshëmrinë e jetës së tij në majë të malit, në buzë të lumit a në breg të detit, përjetësisht.
Mbi 30 vjet më parë, një kupë nga fuçia e saj e mrekullueshme dhe e patjetërsueshme u paraqit në Sofrën Europiane të Folkorit dhe u vlerësua me çmimin më të lartë ndërkombëtar nga Juria e Fondit “Europa për zhvillimin e folkorit”. Në vijim, u ciësua dhe u vlerësuar më gjerë si perlë folkorike botërore dhe u shpall “Kryevepër e trashëgimisë gojore të njerëzimit”. Kjo ngjarje e shënuar për folkorin shqiptar i përket vitit 2005, por e pagëzuar me një emër të ri, më të gjatë dhe të panevojshëm.
Në “Fjalorin e gjuhës së sotme shqipe”, nuk gjendet ky pagëzimi i ri dhe në asnjë botim të nivelit akademik të fushës, por shfaqet në internet me emrin “Iso-polifonia”. Në faqen elektronike Wikipedia është zëri “Iso-polifonia shqiptare”, ku, ndër të tjera, shkruhet: “Iso-polifonia popullore shqiptare, shpallet “Kryevepër e trashëgimisë gojore të njerëzimit”, mbrojtur nga UNESCO. Pa më të voglin dyshim, data 25 nëntor 2005 është një ditë historike për mbarë trashëgiminë kulturore të shqiptarëve por dhe për vetë Shqipërinë. Në këtë ditë “Iso-polifonia popullore shqiptare” futet në listën e “Kryeveprave të trashëgimisë gojore të njerëzimit” mbrojtur nga UNESCO, fakt që u kumtua në të gjitha mediat e botës nga Dr. Koichiro Matscura, Drejtor i Përgjithshëm i UNESCO-s, nga selia qendrore e UNESCO-s në Paris (21-24 Nëntor 2005). Duke e parë si nderim për njësitë folkorike të këngës labe, që u paraqitën në dosjen e dorëzuar, veprimi i jurisë së vlerërimit të traditës botërore folklorike meriton mirënjohjen e gjithë shqiptarëve, veçanërisht të ne, labëve, me bartës, pëlqyes, përhapës, dashamirës, studiues dhe mirënjohës të këngës labe, thesarit tonë shpirtëror. Shumë bukur dhe meritueshëm. Po labi apo dhe shqiptari, si çdo popull i botës, xhanëm, nuk ka kënduar për medalje e dekorata, por sepse ia ka dashur ënda, i ka kënduar shpirti apo i ka vajtuar zemra, sipas rastit në jetën e tij me të gjitha ngjyrat e saj, me dritë e me hije, me ngjyra të ngrohta e të ftohta, të ëmbla, të forta (të ndezura), të qarta (të mbyllëta, të hapëta) apo pa ngjyrë… Siç ka patur jetën.  Atë jetë që dimë dhe atë që s’dimë. Por, ky vlerësim i madh i ka lënë litarët branë, tërkuzët sheshit e ferrat nëpër këmbë. Padashur, për bela a për djallëzi?!... Në qoftë se bëhet fjalë për këngën labe, (që këndohet në dy modele, një që nuk shoqërohet me vegla muzikore dhe një që shoqërohet me instrumentet muzikorë popullorë specifikë, siç janë cula dhe fyelli), ky vlerësim nuk është drejtshkruar, por është keqshkruar. Më përpara këndohej “labçe, vënçe, himarioçe” dhe ashtu thuhej. E folura popullore s’e pranon emërtimin e vënë me paterica. As tualet, as kërcitje kokoshkash, as fryrje tullumbacore, as buzëkuq gjuhësor e as kollare për t’u dukur ashtu siç nuk jemi, se nuk duhet e të jemi ashtu, por kështu siç kemi qenë të pasurohemi e të përmirësohemi në kontekst. As Fjalori i gjuhës shqipe s’e pranon. Shqipja standarde na qorton. Sot kërkohet respektimi i kriterit të ekonomisë së fjalës. Fjala është e shenjtë. Nuk mund të shpërdororet shenjtëria e Hirësisë së Saj, Fjalës. Emërtimi “polifoni” për këngën tonë daton në vitet 1960-‘65[2], me punimet e etnomuzikologut të parë shqiptar Ramadan Sokoli (14. 06. 1920-12.03. 2008), si dhe studiuesve Hysen Filja, Beniamin Kruta, Spiro Shetuni, Agron Xhagolli, Pirro Miso, Bardhosh Gaçe, Kozma Vasili, Jorgo Panajoti, Arsen Mustaqi e të tjerë folkoristë e personalitete të fushës në vijim. Kontributet e Rrok Zojzit, Zihni Sakos e Qemal Haxhihasanit janë pionieret e dritërimit kërkimor e shkencor në fushën e etnografisë dhe, ç’ka na intereson, të folkoristikës, ku përfshihet dhe polifonia jonë popullore, kënga labe. Që të mos humbasë dhe të mos fshihet nga faqja e dheut, që të mos ndryshket apo të mos vidhet ky thesar i rrallë shpirti, nëna Labëri “ka pjellë e bërë drëra” si Yzeir Llanaj me zemërndezur të shumtë për këngën tonë shumë zërëshe, që i vënë gjoksin suferinës, për t’i dalë zot vlerave shpirtërore. Veçse ata e ndjejnë nevojën e vertikalitetit dhe e duan ndihmën e Babashtetit, sot më shumë se kurrë, sepse provokimet që bëhen duhen marrë seriozisht, jo me shaka apo mendjelehtësi, se “hë mo, punë emri është, s’ka problem” janë shumë të rrezikshme dhe me pasoja negative deri për etnokulturën tonë.
Pra, me gjuhën shkencore këngët tona quhen “Këngë polifonike labe[3], apo, duke qenë korrekt me parimin e ekonomizimit të fjalës, thjesht “Polifonia labe[4]”, jo isopolifoni. Kompozita “isopolifoni” nuk është prodhim yni dhe as pëlqehet, as pranohet në Labëri. “Farën që s’është jona, toka jonë s’e rrit”, thuhet këtyre hënave, kur shohim gjasa infektive të shpirtit të popullit në këngë e valle. Duke e vlerësuar si të thjeshtë dhe të thellë artin e populit, të cilit ne i përkasim, studiuesi i etnomuzikologjisë dhe etnokoreografisë, “Mjeshtëri i Madh” Ramazan Bogdani vëren: “Këngët dhe vallet në Labëri kanë mbirë kudo, në çdo vend e kurdoherë, në çdo kohë. Labëria është simboli i shprehjeve hap e këngë, pëllëmbë e valle Vallen labi e ka hedhur kudo, në gërxhe e në gurë. Vallet labe shquhen për shoqërimin me këngë prandaj i quajmë valle të kënduara”[5]. Specialisti ka ndjekur me vëmendje deri në detaje dinamikën folklorike të valles labe, edhe në Festivalin e Dytë Folklorik Kombëtar të Gjirokastrës (1973), në të cilin kjo pasuri e vyer e folklorit shqiptar u dallua për gamën dhe larminë aq të pasur, që veç interpretimit të krijimeve tradicionalë, qëndronte tek pasurimi me elementë të rinj. Dhe, në këtë drejtim, sipas etnokoreografit, përgjithësisht tek vallet labe, ndihej një konceptim i shëndoshë ideoestetik. Bogdani gjykon se ky konceptim vërehej veçanërisht tek ato valle të shoqëruara me tekste nga folkori i ri, ku rrjedhimisht edhe ndërtimi arktektoniok i valles ishte fiksuar me ndryshime stilistikore. Të kësaj natyre studiuesi  klasifikon dhe vallen “Drit’ e planetit të tërë  e grupit të Tërbaçit. Përmbajtja e tekstit është politike, që për kohën ishte preferencë dhe pothuaj kryedëshirë e krijuesve dhe interpretuesve për t’u paraqitur e shfaqur para publikut, udhëheqjes së kohës, etj. Profesori i fushës vëren se kompozicioni koreografik paraqitet nga një grup burrash të vendosur në gjysmërrethi, formacion ky që pasuron fondin e valleve labe nga pikpamja e ndërtimit arkitektonik (krahas varianteve të tjera, njëri në dy grupe dhe tjetri vetëm me dy valltarë). Sipas tij, vallen e Tërbaçit e përshkon psikologjia folkorike labe, duke u mbështetur tek shtrati tradicional i valleve të burrave labë, tek motivi “asimetrik”, që mishërohet me tipare të larmishme. Ai thekson: “… tek vallja “Drit’ e planetit të tërë”, valltarët, në formacion gjysmërrethi, të zënë për duarsh “zinxhir” pranë e pranë njeri me tjetrin dhe të inkuadruar në veprimet plastiko-koreografike, i japin atij krijimi karakterin e mirëfilltë epik dhe një tingëllim të ri ideoestetik. Artistët popullorë duke e luajtur këtë valle manifestojnë një forcë të brendshme, që duket tek mjetet shprehëse folkorike-koreografike si, te bashkimi i valltarëve sup më sup, te përplasja e herëpashershme e këmbëve në tokë dhe te ngritja e theksuar e këmbëve nga toka, te shkëputja e dy valltarëve të parë për të kërcyer më vete, ku dallohet veçanërisht valltari i parë nëpërmjet uljeve të rënda mbi të dy këmbët, rrotullimeve të prera të trupit etj. Gjithashtu impulsiteti i artistëve popullorë mishërohet edhe nga interpretimi i[6] tyre me vërtetësi e shije artistike që, veç të tjerave, shprehet edhe me veprime të lira të karakterit improvizues (fenomen ky i njohur në fushën e folkoristikës), duke e mbajtur krijimin të gjallë, të freskët dhe gjithnjë në përtëritje”. Kështu shkruan profesor Bogdani. Shkurt i vitit 1974. Ky është gjykimi i shkruar dhe i botuar i Profesionistit në librat e nivelit akademik.
Ndërsa prof. Shetuni ka ravijëzuar vijat kryesore të portretit të këngës labe, ndër të cilat spikasin “Pasuria e madhe e folkorit lab, bukuria e pakrahasueshme e tij, origjinaliteti i theksuar, dashuria e veçantë e malësorëve vendas për artin popullor, aftësitë e shquara krijuese e e interpretuese të tyre, njohja e drejtpërdrejtë e kulturës muzikore labe në mjediset ku ajo jeton gjallërisht…[7]
Vlen të kujtojmë se 30 vjet më parë e kaluar grupi folklorik i Vranisht - Tërbaçit është nderuar me një çmim ndërkombëtar, më të lartin e kontinetit plak “Europa për Zhvillimin e Folkorit”. Po e citojmë të plotë shkrimin për t’u kujtuar studiuesve, bartësve dhe banorëve të trevës, se jo shumë vite më parë, ne kemi pasur një grup folkorik me famë, jo vetëm brenda Shqipërisë, por edhe në shkallë ndërkombëtare, ende pa u infektuar nga lajlelulet isopolifonike, që të tjerët, por dhe ca të verbuar nga raca jonë, duan të na e bëjnë të “birë” atë farë që kurrë s’ka mbirë e s’ka për të mbirë në këto troje labërore të këngës polifonike popullore shqiptare. Po e citojmë të plotë shkrimin edhe për të thënë: “A nuk i kemi ne të gjitha mundësitë shpirtërore, jo materiale dhe të kulturës materiale të traditës sonë të paktën për t’u kthyer te tek fama e dikurshme?”. E megjithatë, kjo varet nga ne. Falë vëmendjes dhe pasionit të gazetarit të njohur dhe shkrimtarit tonë të dashur Duro Mustafaj, po e sjellim të plotë shkrimin “Atëherë kur grupi folklorik i Vranisht - Tërbaçit nderohej me një çmim ndërkombëtar”, ribotuar në gazetën “Hora”, Tetor 2004 (sipas origjinalit të botuar për herë të parë në vitin 1986, si pasqyrim i menjëhershëm i jehonës së madhe që pati kjo ngjarje e madhe folkorike për mbarë Shqipërinë). Ja shkrimi: “Në konkursin evropian, që u zhvillua në Hamburg të RFGJ-së, në mars 1985 u paraqit edhe vendi ynë me një film shkencor folkorik dhe me një album të përgatitur nga Instituti i Kulturës Popullore pranë Akademisë së Shkencave të Shqipërisë [sot Instituti i Antropologjisë Kulturore dhe Studimeve të Artit (IAKSA), Tiranë - shën. im: A. H] për veprimtarinë e grupit folkorik të Vranisht - Tërbaçit të Vlorës. Për vlerat e spikatura shkencore e artistike, Juria e Fondit “Europa për zhvillimin e Folkorit” e nderoi grupin e Vranisht - Tërbaçit me çmimin e vitit 1986. Grupi folkorik i Vranisht - Tërbaçit, tashmë i njohur në tërë vendin tonë, zotëron një repertor shumë të pasur. Një vend të rëndësishëm këtu zë lirika, sidomos lirika baritore, që lidhet me vetë natyrën e Labërisë dhe jetën baritore të banorëve të saj. Mirëpo, në repertorin e tij, përparësia i takon epikës, ajo pasqyron jetën gjithë luftëra, përpjekje e sakrifica të malësorit lab, jetë e mbushur sa me drama e tragjedi, aq edhe me heroizëm të pashoq. Interesante shfaqen veçanërisht tekstet poetike të krijuara në këto dyzet vitet e fundit, në frymën e poetikës tradicionale. Kënga polifonike e Vranisht - Tërbaçit, muzikalisht, krahas tipareve të përbashkëta me këngët polifonike të fshatarave ose zonave të tjera etnografike të Labërisë ka edhe disa tipare të veçanta. Mes të tjerash, ajo dallohet nga karakteri i thellë emocional i interpretimit, shpesh me zëra të gjoksit dhe ngaherë me patos. Anëtari i Jurisë së Fondit “Europa për zhvillimin e Folkorit”, drejtor i Muzeut Kombëtar të Skocisë, prof. Aleksandër Fenton kur erdhi në vendin tonë për të dhënë çmimin e lartë, shprehu kënaqësinë e tij të thellë për këtë ngjarje. Ai midis të tjerave tha: “Nuk është e papritur që një skocez ta ndjejë veten në Shqipëri si në shtëpi të tij. - Ju të gjithë e njihni Skocinë nëpërmjet poetit Xhorxh Bajron dhe poemës së tij “Udhëtimet e Çajd Haroldit”, të cilin e mësojnë në shkollat tuaja. Bajroni i donte shqiptarët dhe ata e donin atë. Shqiptarët, që janë nga popujt më të vjetër të Ballkanit, në të gjithë historinë e tyre plotë vështirësi e shqetësime, kanë ruajtur gjuhën dhe kulturën e tyre, unike dhe të lashtë. Shteti shqiptar i ka dhënë një mbështetje aktive mbledhjes, regjistrimit dhe studimit në terren të kulturës së popullit, artit të tij. Shqiptarët punojnë shumë, ndaj duhet edhe të zbaviten e të çlodhen. Kudo në Shqipëri ka grupe folkorike, që ndihmojnë në ruajtjen e valleve, të këngëve, të kostumeve popullore. Në një vend kaq të pasur me tradita të tilla, është ndoshta vështirë të zgjedhësh, por megjithatë, Jurisë iu desh të zgjedhë dikë për çmimin “Evropa për Artin Popullor” dhe ajo zgjodhi grupin folkorik të Vranisht - Tërbaçit, që ndodhet në malësitë e mrekullueshme të Labërisë”. Prof. Aleksandër Fenton tha: “Sikur të isha rritur këtu, në këtë vend me tradita të rralla kulturore artistike, me siguri që do isha bërë pjesëtar i rregullt i grupit tuaj folkorik”[8].


Por, edhe pa i marrë e pa i varur në qafë ato dekorata europiane dhe botërore që përmendëm, labërishtja polifonike është kënduar vitesh, shekujsh e mijëvjeçarësh, kaluar kurrizeve pafund të kohës, ndoshta më mirë, por pa mundësi inçizimi. Është kënduar nga një lab i vetëm, nga dy, nga tre, katër e shumë zëra, sipas rastit e mundësisë, se kënga ka qenë pjesë organike e pazvendësueshme, e pandarë e qenies së banorit lab, një lloj “melhemi” për vujatje, një lloj “gjethe dafine” për lavdi, vrull i frymëmarrjes në jetë. Në dhembje - balsam bredhi. Qyshkur. Deri më sot. Dhe nesër. Padiskutim. Si pjesë e së tërës. Me identitet. Me dinjitet. Në krahë të të tjerëve. Në vendin e vet. Vlen të theksojmë një shprehje të udhëpërshkruesit (gjeograf e oqeanograf) studiuesit dhe akademikut francez Zhak Burkar (Jacques Bourcart: 1891-1965), të cilën po e citojmë jo vetëm si argument shpirtëror për ekzistencën e një uniteti shqiptar, por në kontekst me vlera historike: “…pasuria e folkorit dhe e traditave muzikore, cilësitë krejt të veçanta të shqiptarit përgatisin sigurisht terrenin e nevojshëm për lulëzimin e një qytetërimi shumë të veçantë dhe domosdo shumë interesant”[9].
Ka një thënie lapidare enciklopedisti i madh, rilindasi ynë filozof Sami Frashëri: …“Banorët e Labërisë, kanë prirje dhe aftësi natyrore për poezi dhe këngë…”. Ecim në kohë. Jemi në demokraci. Kënga labe pëson luhajtje, ndihen tronditshëm ulje ngritjet. Minjtë e gjirizeve e brejnë për ta shpërfytyruar. Nuk mundën t’ia mernin frymën. “Kishte pjellë e bërë drëra” Nënë Labëria.  Koha kërkoi bijtë e këngës t’i dalin zot. Festivali Folkorik Kombëtar i Gjirokastërs, në vitit 2000 na gjen përsëri në kalanë e Gjirokastrës. Grupit polifonik të Tërbaçit i ra shorti të hap tiparin për grupin e prefekturës së Vlorës. Kënga “O shokë do zëmë një këngë”, vjen si një oshtimë nga malet e Labërisë, si një shpalosje e fustanellës labe, me zërin plot kumbim të këngëtarit të mirënjohur e potent Syrja Hodo”[10] shkruhet në guidën e historisë folkoristike të Vlorës.
Janë kuptim plotë vargjet e kësaj kënge që ka bërë Sinan Mullahu:
O shokë, do zëmë një këngë,
Do ma mbani a ta lëmë!
Medet ne për mëndjen tënë,
Mbetëm shamata e grënjë.
Nga e gjithë puna që bëjmë,
Një metër vend do zëmë.
Dhe ajo gur e shkëmbënjë.
O baltë e kuqe këlkënjë!
Këngët-o, dertet-o
Këngë e derte pambarim…
Kjo këngë është kënduar me derte labërore në shpatull të shekullit që lamë pasë, 72 vite më parë, që më të hyrë të vitit 1945. Grupi polifonik i Tërbaçit e këndoi në Festivalin Folklorik Kombëtar të Gjirokastrës. Sa aktuale, ç’mesazhe të qarta që na përcjell. As ke ç’u shton, as ke ç’tu heqësh edhe pse 72 vjet s’janë pak. Lum kush ka fat të gdhendë vargje të tilla. Faleminderit, xha Sinan! (Shih dhe gazeta “Labëria”; Albert Habazaj: “Një tufë me lule”, data 15 gusht 2002,  f.7, 11)
Kënga e bukur çel natyrshëm si trëndalif i freskët, në hapësirat e saj, nga komuniteti që e do, këndohet, pëlqehet, qarkullon. Sepse vetëm kur ka fjalën, melodinë, veshjen, gjestin, vallen (edhe veglën muzikore, në ato komunitete që është traditë e përdoret), realizohet sinkretizimi artistik i folkorit, i cili është një nga parimet kryesore specifike, që një këngë apo një vale të futet në thesaret folkorike.  Kështu kënga labe buron e nuk shteron se rrjedh e kulluar nga gurra popullore, nga ky thesar i paçmuar. Atë, siç e kanë kënduar të parët me pleq, me burra, gra, djem e vajza e fëmijë, edhe në kohët që vijnë do të këndohet dhe pasurohet fisnikërisht bukur. Po përmend vetëm Tërbaçin, i cili nuk rron me erën e lavdisë së grupit të famshëm të Tërbaçit. Ka kohë që ka bërë emër Grupi i Djemve të Tërbaçit me Endri Hodon, Elsid Gjokaj etj. Nga 1 gushti i vitit 2016, dhjetë nëna tërbaçiote krijuan Grupin e Vajzave të Tërbaçit, vullnetarisht për hir të emrit dhe nderit që u ka dhënë vendlindja. Gjithçmos e bënë me forcat e tyre, me shpenzimet e tyre edhe kostumet karakteristike. Shpresa Kapo (Çelaj), Baftie Dautaj (Xhelili), Hava Çelaj (Muçaj), Liljana Rrapi (Kapo), Evgjeni Habilaj (Seferi), Antoneta Goxhaj (Mehmeti), Liri Gaçe (Shkurtaj), Vitore Shiroka (Vera), Lavdie Goxho (Xhaka) dhe Madelona Mwzyraj (Skwndaj) bwnw vepwr shpirti. E shkruan emrin e tyre dhe e dhanw mwsimin  e duhur pwr fwmijwt e tyre, pwrv nipwr dhe mbesa, se shumica janw gjyshe. E lanw emrin nw historikun e kwngws labe. Emblema e sotme e polifonisw femwrore me kwngw e valle. Kemi shkruar për to jo pak herë dhe në shtypin e shkruar dhe në atë online e kurrë nuk do të reshtim së shkruari për to, sepse e meritojnë. Për Krishtlindjet dhe Vitin e Ri 2017 shkuan në Tërbaç, në natyrë, në vende historike e kulturore dhe realizuan një detyrë të madhe ndaj vendlindjes. I dhanë një dhuratë të çmuar folkorike-kulturore brezave, edhe me ndihmën tonë vëllazërore: telereportazhin aq të pëlqyer “Dhjetë shqiponjat e Tërabçit”, përgatitur me pasion dhe profesionalizëm nga gazetari i “Tv APOLLON” poeti dhe studiuesi Gentjan Banaj, të cilit i shprehim mirëbnjohjen përsëri e përsëri
Kemi një tërheqje të vëmendjes: Se dhe koha bën të vetën, po na ikin baballarët e këngës labe të gjysmës së dytë të shekulllit të Njëzetë. Një nga një po bien lisat e lartë të folkorit lab, të këngës magjike labërore, aq të perëndishme, në kuptimin më mrekullor të fjalës. Ra i pari Maliq Lila i Bënçës. Ra Hamdi Pulo i Tragjasit. Edhe Arap Merua i Bratit. Dhe Lefter Haxhiraj i Armenit. Iku i lënduar Kujtim Mici i Tërbaçit. Muhamet Tartarin e Vranishtit s’po e lë shëndeti të jetë ai Muhamet Tartari i Parë. Por ai e ka shkruar emrin dhe e ka lënë gjurmën e tij. Të pashlyeshme. Të papërsëritshme. Kush e ka njohur krijimtarinë dhe punën titanike të Metos, gati vetmohuese me grupet zinxhir të Vranishtit, më jep të drejtë në këto vlerësime të merituara. Etnokultura e Vranishtit gjen sinonimin tek madhërori i pa shoq Muhamet Tartari. Një jetë të tërë në veprimtari, si “zgalem i furtunës-o” në këngët e tij. E ka vlerësuar shoqëria për qetësinë, burrërinë, bujarinë e urtësinë, por sidomos për kontributin e madh që ka për ruajtjen e zhvillimin e folkorit në zonën e Lumit të Vlorës. Nderim e jetë të gjatë atij gojëmjalti e penëfloriri, fisnikut të lartë të Vranishtit e Labërisë mbarë. Bien lisat, po ka të tjerë lartërorë. (Po e ngushtoj ravijëzimin vetëm në bashkitë e Vlorës, Himarës dhe Selenicës). Është Lefter Çipa pilurioti (i madh jo nga trupi, por nga bëmat folkoristike dhe etnokulturore), është Feti Brahimi i Lapardhasë, Meleq Kapllani i Kaninës, Nexhip Seraj i Bratit, Llambro Hysi i Kallaratit. Ka plot Labëria!... “Ç’kishn pjellë ato nëna?/ Kishin pjellë e bërë drëra!”…
Dhe vazhdon stafeta me Nertesi Asllanin e Bolenës (më të riun ndër të mëdhenjtë), me Kristo Çipën e Pilurit, Felek Bletën e Vërmikut. Vazhdon rëndë me Tomor Lelon, që, përveçse këngëtar i fuqishëm është dhe një portretizues i çastit me këngë në formën e bejteve, një improvizues i spikatur, me vargjet e atypëratyshme, apo duke pasqyruar menjëherë pas ndodhjes apo shfaqjes së dukurive të ndryshme. Tomor Lelo, nipi i Heroit të Popullit (në Luftës së Vlorës, 1920) mund të jetë një rast unikal, që plotëson pothuaj të gjitha parimet, ato ligjet e pashkruara të folkorit si një lloj i veçantë artistik. Vajtimin burrëror në Labëri e aplikon natyrshëm vetëm Tomor Lelo (jo më vetëm në tre bashkitë që trajtuam, por në të të gjitha bashkitë e qarqet ku këndohet labërisht: Vlorë, Tepelenë, Gjirokastër, Sarandë, Delvinë, Përmet, Fier, Mallakastër). Kujtojmë vajtimin e Tomorrit në përcjelljen e kthyesit të kënëgës pilurjote Qirjako Bala. Elegjia e Tomit i preku dhe i mallëngjeu të gjithë pjesëmarrësit në atë përcjellje mortore (përfshi dhe autorin e këtyre radhëve). Mund ta quajmë pa droje Tomor S. Lelon monument folkorik në lëvizje, duke udhëtuar nëpër epika, lirika e këngë të përvajshme…Paçin uratën e Folkorit shqiptar dhe të Polifonisë labe!



[1] ) Akademia e Shkencave e RPS të Shqipërisë, Instituti i Gjuhësisë dhe i Letërsisë, “Fjalor i Gjuhës së sotme shqipe”, Tiranë, 1980, f. 1514.
[2] ) Sokoli, Ramadan, “Polifonia jonë popullore”, në “Folkori muzikor shqiptar” (Morfologjia), Tiranë, 1965, f. 127 -138.
[3] ) Akad. e Shkencave e RPSSh, Inst. i Kulturës Popullore, Sekt. i muzikës e koreografisë,  përgat. Spiro Shetuni, Agron Xhagolli, “Këngë polifonike labe”, Tiranë, 1986.
[4] ) Shetuni, Spiro, “Polifonia labe”, Akad. e Shkencave e RPSSh, Inst. i Kulturës Popullore, Tiranë, 1989.
[5] ) Bogdani, Ramazan H., “Shpirti i popullit në valle”, Tiranë, “Naim Frashëri”, 1978, f. 170-171.
[6] ) Bogdani, Ramazan H., vep. e cit., f. 176-177.
[7] ) Shetuni, Spiro, “Polifonia labe”, vep. e cit. , f. 5.
[8] ) Gazeta “Hora”, tetor 2004, f. 4
[9] ) Andrea, Fotaq: “Pena të arta franceze për shqiptarët (1332 - 2007): Antologji e ilustruar - udhëpërshkrime, letërsi, art, kulturë”, Tiranë: Gent grafik, 2009, f. 511.
[10] ) “Vlora nëpër festivale: Festivali Folkorik Kombëtar, Qarku Vlorë, Gjirokastër 2004”, Vlorë, Triptik, 204, f. 13.

No comments: