Wednesday 25 January 2017

Dialog me cingël

Dialog me cingël
Në vend të .... një skice
Dr Fatmir Terziu


-Ai madem kishte tre ndejmje.
-Tani nuk mblidhet as edhe një.
-Tre ndejmjet kishin tre qendra..., tre dyqane, tre ... tani as që ka edhe një. Ai madem kishte një rrugë, një ujësjellës, kishte ....
-Ehu kishte!? I kishte, por s’kishte Pari ama.
-Si, s’kishte kryetar? Kishte dhe madje tre. Nga një kryetar për çdo lagje.
-Jo, ore jo. Kryetar zyre...
-Dhe tani e ka.
-E ka për fat... Është vetëm një metër e rreth tridhjetë centimetra nga toka. Mund të kishte qenë edhe ai si të tjerët rreth dy metra. Por, jo!
-E quanin shkurtabiq në fëmijëri. E thërrisnin, xhuxh, cingel, çupar në rini. E cilësojnë rrumbullak në të pesëdhjetat.
-E shihni? E shikoni se edhe nofkat e tij kanë pësuar evolucion?! Në fakt e gjithë jeta e tij është e tillë.
-Ka qenë komandant çete kur ishte pionier. Sekretar rinie në rininë e tij. Shef grash në zbor. Kryetar partie në Pluralizëm. Është kryetar zyre tani.
-Dhe si kryetar zyre ka evolucionin e tij. Ishte në vitin 1990-të i kandiduar nga një parti. Në vitin 1992, kandidoi nga dy. Pastaj nga tre. Dhe tani nga më e reja...
-Në të njëzetë vitet e Demokracisë ai është vetëm “Kryetar”!
-Ë më ta lumsha, ë! A ke diçka për të thënë?
-Jo, kurrë s’kam për të thënë gjë, veç se keni harruar se ka qenë brigadier që pas mbarimit të klasës së tetë, pastaj normist pas mbarimit të shkollës së natës bujqësore dhe Sekretar Byroje pas mbarimit të Shkollës së Partisë në Tiranë.
-Ai tani ka,... ka edhe makinë për zona malore.
- E ka zyra e tij...
-Ai banon në Tiranë.
-Po ama është zyrtar në vendlindje, a ku di unë...
-Ai s’ka shtëpi në fshat, se flen dhe darkon tek hallexhinjtë.
-Ej, thiri mendjes! Ai ka tre shtëpia. Të treja i ka në Tiranë.
-Djalin e ka shofer.
-Vajzën drejtuese fondacioni për zonat rurale...
-Kunatin roje, ... kunatën shefe.
-Vazhdo!
Djalin e tezes e ka ...
Në të s’ëmës...
Më fal, por mos shaj...
-Si të mos shaj?
Vazhdo....
Si të vazhdoj? A nuk mjaftojnë këto?
-Jo, jo! Mos vazhdo më, të thashë..., se u hutova në të s’ëmës. Po, që s’të pyeta, a e dini kush është ky?
-Ë, pra ë, gjejeni emrin e tij po ua mbajti. Ai është një, por jo vetëm një dosido. Edhe pse kemi njësha të shumtë të tillë.
-E që thua ti, njësha...
-Të gjithë rrojnë, begatojnë e prosperojnë në Atdhe! Këtë e dini me siguri..., se torbën e emigrimit e urrejnë. Për ata, pra të tillët guri më i rrëndë është jashtë torbe, atje, pra në Atdheun torbë të tyre...

Ah më tha një ditë, se desh harrova, sikur të kishte ndonjë kolltuk me rrota?!

No comments: