Wednesday 25 January 2017

“E lojtura” romani që ridimensionon Shpresa Vranarin



Dr Fatmir Terziu

Tanja përtyp dhe përtypet me vetminë. Një qen apo ‘qenush’ i shprish paksa rutinën e kësaj vetmie. Një vetmi që rrethrotullohet në një pikë. Fati i i njeriut të vetmuar. Fati i gjësë së gjallë apo gjallesës që ende frymon mes vetmisë. Dhe gjithë kjo luftë protestë mes ndjenjës dhe vetmisë, mes njeriut Tanjë dhe qenit ‘qenush’ kapërdihet si një fabulë në një roman tejet tërheqës. Është romani “E lojtura” i shkrimtares Shpresa Vranari, romani që vjen mes një proze të dashur në të shkruar, mes një gjuhe tërheqëse, por mes një dhimbjeje trishtuese që shënohet mes shumë galimeve ndjellëse, por që kulmon me tronditjen e saj nga ‘vdekja e vajzës’. Ishte kjo vdekje që Tanjës i kishte ‘prishur hullinë e zakonshme të jetës’, ishte kjo vdekje që i kishte pjellë vetminë, luftën kapriçioze me të dhe me instiktin e vetëm të dialogut filozofik me qenushin.
E gjitha kapërcen stinë. Koha mbetet metafizike, po aq sa edhe hapësira dhe vendi. Lëvizjet, instiktet, kombinacionet evulojnë në kohë dhe pikëtakimi mbetet vjeshta që bën ‘tualetin e fundit, duke nxjerrë në pah format e sëmura të saj’. Ajo që sipas autores, vihej re mirë tek ‘çdo ndryshim i saj, edhe në gjethnajën që i vinte rreth e rreth shtëpisë’. Një lëvizje tektonike që kapërcen mesazhin dhe fuqizon fabulën dhe syzhet (normën letrare që ndërmjetëson fabulën dhe mesazhin) në këtë metafizikë që shpreh lidhjen e një natyre tekanjoze ndaj një krimi që shënon: “skandali i fundit që kishte kërcur (ngrirë) monotoninë kishte qenë vetvrasja e një stomatologu skizofren. Po nuk kishte qenë vetëm kjo, ai kishte marrë në udhën e largët dhe të bijën pesëvjeçare, të braktisur nga e shoqja’. Kjo dhe mjaft aspekte të tjera e bëjnë këtë roman një prozë të mirëfilltë letrare me dimensione të thella psikologjike, vlerat e të cilave shumëzohen mes një racionimi të kushtëzuar të hapësirës në të cilën ndodhin si të tilla ngjarjet e romanit. Kjo të bën të rrëmosh në vite, në vitet që pasojnë krijimtarinë e Shpresa Vranarit.
Shpresa Vranari filloi të shkruajë qysh kur ishte studente. Por, libri i saj i parë doli nga botimi në vitet 1993. Ishin një tufë tregimesh, si një provë për të filluar punën serioze. Në vitet 1994 ajo botoi romanin “Mos më gjykoni”. Fati i heroinës Merita Kondi është bazuar mbi një ngjarje të vërtetë dhe heroina nuk del nga arradha e të persekutarave politike, por nga arradha e përvetësimimit të pasurisë socialiste. Por ajo si edhe shumë gra e burra që vuajtën burgun komunist, paraqet me ngjyra të thekshme shtazërinë e sistemit, dhunën dhe çnjerëzoren që arriti të bluajë mijra e mijra jetë , nën kudhrën e “ligjeve komuniste”. Kur autorja shkoi në Lidhjen e shkrimtareve dhe takoi poetin e ri Visar Zhitin, ajo u befasua kur dëgjoi nga ai të thotë …se… “ky është një roman i vërtetë, po, po një roman .” Pohoi ai duke tundur qetazi atë kokë të mbushur me kaçurela gjysmë të zbardhura nga vitet e gjata të burgut.
Ishte pastaj një vit më vonë kur ajo boton romanin e marë në konsideratë, “E lojtura”, që ishte një tjetër realitet makabër mbi sistemin komunist, një tjetër shuplakë e fortë. Tashmë syri i autores depërton deri në skutat e zdrangura të ndërgjegjes së klasës në sundim, “dinastisë së komunizmit”. Dhe tash jemi në një spital psiqiatrik, ku dhëmbët e karierës komuniste shkatërrojnë pa asnjë drudhmë keqardhje një jetë.
Është Tanja që e mbyllin brenda mureve të gurta të çmendinës, për të shpëtuar karierën partiake të familjes. Është Tanja që akuzon me portretin e saj skeletik dhe dominant nga njëra faqe në tjetrën. Është Tanja një lloj skulpture, ku fare mirë gjithkush sheh skrupulozitetin e atij sistemi që ende dhe sot, nga një pjesë ish komunistësh, të mbetur ende në këmbë, si pas një rrebeshi… vazhdojnë ta quajnë si “kohë e artë”.
Një roman jashtëzakonisht me tematikë të fortë. Vranari përshkruan më të tmerrshmen e jetës në detaje të pamëshirshme për të. Vranari është jashtëzakonisht e aftë kur vjen puna për ndërtimin e një strukture dramatike. Ky është një roman për jetën, të cilën vetëm Zoti ta dhuron, një roman që godet lirshëm dhe përcjell fuqishëm simbolikën e tij për jetën edhe pse mundet e shkundet nga vetmia. Kjo është brutale fizike, ajo ekspozon brutalitetin në lojëra më të mëdha dhe të vogla që ne të luajmë, dhe kjo është mrekullisht tërheqëse dhe e dhimbshme edhe në të lexuar.
Shkrimtarja nuk e ka vetëm përshtypje mesazhin e saj në roman, duhet theksuar edhe një herë. Aftësinë e saj për të kombinuar detajet në çdo minutë ë jetës së përditshme me kontekstet e mëdha historike e bëjnë Shpresa Vranarin, edhe pse një autore modeste, një autore me një prozë të krijuar bukur, tejet interesante, që zor të kuptohet pse është mbajtur kaq ‘e strukur’, në një kohë që është konsultuar nga Dr Gjinovefa Halili e redaktuar nga shkrimtari Nasi Lera.
E gjithë historia në roman është mjeshtri e përbërë dhe shumëdimensionale. Personazhe të lirshëm, si protagonistë duke ndryshuar, pjesë e jetës, raporte konfidenciale të mbikqyrjes, dhe të gjitha plotësuar me moto signifikative në çdo kapitull. Romani nuk është kronologjik, por në mënyrë të përsëritur rinxjerr kumtet dhe rrethanat nga periudha të ndryshme kohë më parë, jo vetëm që të shtojë rëndësinë por të mbajë deri në dihatje dhe në pezullim kronologjinë, por edhe për mënyrat e egra të emocioneve, dhe justifikimin e tmerrshëm të vrasjes. Kjo është administruar në qetësi nga Shpresa Vranari në këtë libër në lidhje me vetminë dhe jetën, ku “E lojtura” nuk është thjesht një metaforë në një kombinim të dimensioneve ... por një dimension që të mbajë gjallë lexuesit dhe të vë në dukje papërkuljen dhe forcën e ekzistencës.
Ngadalshëm, ndjeshëm, por edhe kompletuar gjen shpalosjen e komplotit në thelbin e romanit, dhe kjo është një kënaqësi për të ndjekur më pas ecurinë. Ritëm me nge e narrativet oportunist që mundëson lexuesin  të mbetet në mendjen e personazheve, dhe ansjelltas personazhet të kacafyten në memorjen e tij gjatë e gjatë. Kah fundi i romanit, autorja kapërcen ritmin. Pavarësisht nga zgjidhja e pashmangshme mes ndjenjave, Vranari arrin të lë qetë hapësirë edhe për dilemën e lexuesit, por kjo nuk duket fare e papritur papritur thuajse për të gjithë nivelet dhe tërë lexuesit e saj. Ky roman është bujar i dashur mes dhimbjes dhe qartëson shumë për talentin e shkrimtares Shpresa Vranari.
  shkruash e të rrëfesh atë ç’ka don, atë që të shqetëson e të rri si një pikëpyetje e madhe në brendësi të shpirtit tënd…është e drejta e gjithkujt. Mjafton të gjesh shtegun e të zgjedhesh fjalën që duhet. Ky është dhe lejtmotivi i atyre që marrin penën e shkruajnë. Të depërtojnë në çdo shpirt e të japin sado pak nga përvoja e ndjesive dhe mendimeve të tyre. Kjo është dhe detyra e vështirë që marrin mbi shpatulla shkrimtarët…qofshin “të vegjël” apo “të mëdhenj’. E hapin tej e tej zemrën me të vetmen dëshirë ...të komunikojnë me lexuesit, të cilët nuk janë të panjohur për ta. Sepse ata janë njësh…njerëz që kanë nevojë të dëgjojnë “fjalën”. Tek krijimtaria e shkrimtares Shpresa Vranari vjen kjo frymë komunikimi me një stil të veçantë, qe shpreh vetë autoren  në një lidhje të hapur, të sinqertë, të thellë dhe njerëzore me lexuesin.
Shpresa Vranari u lind në qytetin e Vlorës dhe pasi kreu studimet e larta, ka punuar për një kohë të gjatë në profilin e saj si mësuese e letersise shqipe dhe asaj të huaj, në shkollat e mesme. Jeta për të ka qënë “jetë” si e mijëra personave të tjerë. Po e veçanta e saj ishte dëshira për të shkruar, e cila kishte lindur qysh në fëmininë e largët, kur nën qiellin e verës, mbushur det me yje xixëllitës, në fshatin Borsh,  ajo dëgjonte apo rrëfente përrallat dhe legjendat shqiptare.  Ishte kjo një kohë e bollshme, me brumin që përgatitej  që nga pikëlimimi i yjeve e deri tek stërkalat e detit blu. Por në veçanti ishte koha kur mësoi të shoh tej e përtej shpirtin, njerëzit,  të cilët do ta shoqërojnë gjithandej gjatë krijimtarisë së saj.

Ju do të mendoni se mbi njëqind faqet e romanit kanë brenda vetëm fatin tragjik të pafund, por jo aty mes fletëve të arta të tij struket edhe një enigmë tjetër e cila zbulohet vetëm kur ke lexuar krejt hapësirën e ngjeshur mes një gjuhe tejet tërheqëse të autores.

No comments: