Sunday 26 February 2017

E ardhmja e kombit vjen e sigurt kur pranohet e shkuara dhe e sotmja

Vilhelme Vrana Haxhiraj
E ardhmja e kombit vjen e sigurt kur pranohet e shkuara dhe e sotmja –IV-

   Eh, sa jetë elitash mohoi komunizmi,ky sistem barbar i pluhurizimit të vlerave humane! I vrau pa mëshirë, i burgosi në qelivarret e vdekjes, i internoi në llomi kënetash, i sakatosi fizikisht,i gjymtoi mendërisht dhe i baltosi morlisht, duke i bërë shtretër për mushkonja e gjarpërinjë,por idetë e tyre janë ende gjallë. Sot të gjithë“Ata” janë në këmbë për të folur e për të treguar realitetin e hidhur,për kalvarët e vuajtjeve çnjerëzore të një kombi që e çmon lirinë,ku secili rrëfen dhembjen me gjuhën e së vërtetës.”       
Vivra
Diktatori paranojak më parë vrau besimin...,pastaj palcën dhe trurin e kombit
Një kombi që i kanë vrarë besimin; një kombi që i zhdukën palcën që përfaqësohet nga shtresa e mesme, e thënë ndryshe (kollona vertebrale që mban në këmbë shtetin),si dhe kombit që i helmojnë, i pluhurizojnë e i varrosin trurin e tij, inteligjencën, e cila udhëheq ndërgjegjen kombëtare, është i destinuar të vuajë deri sa të çkombëtarizohet.
     Prej vitit 1944 deri më 1978, në 34 vjet Shqipëria komuniste ndoqi një poliktikë të jashtme jo rigoroze. Ajo vendosi dhe prishi alenaca me“miq të mëdhenj”të cilët i mbivlerësoi, kurse më pas u armiqësua me ta. Kurse në politikën e brendshme PKSh mbolli frikën e vrasjeve me apo pa gjyq, të burgimit, internimit vetëm për një fjalë goje. Shqiptarët e ndershëm i vranë e i burgosën si antiparti e antipushtet, me akuzë “agjitacion e propagabndë”(pse nuk piu dollinë për mustaqet e Stalinit;ose, përse e rrëkëlleu gotën e rakisë  për qejf të kokës së peshkut dhe jo për Partinë dhe udhëheqësin legjendar; apo dikush shprehu të vërtetën e madhe se,( fëmijët i kishin fjetur të uritur se në dyqane nuk kishte bukë). Në vazhdën e 70 arrestimeve dhe vrasjeve të vitit 1944,(me akuzën si kriminel lufte); burgosjet e vitit 1945 për shpronësimet dhe dorëzimin e floririt; burgosja  dhe vrasja e deputetëve apo përkrahësve të tyre. Më 1946                                                                                                                                                   .    Shqipëria ,Parajsa ku kanë folenë Perënditë, u shndërrua në një një burg me tela me gjemba, ku kishte vetëm rojtarë dhe të burgosur.  Vrasja apo burgosja e udhëheqësve të luftës çlirimtare,  vrasja e inxhinierëve të Maliqit; mbyllja e shkollës së Harry Fullzit”, ndjekja e Amabsadës Amerikane nga Tirana. Kjo ishte pasqyra ku paranojaku Hoxha me klyshët e tij, si bijtë e hienës, shihnin shembëlltyrën e tyre kriminale e vrastare.
*Më 1947-48 vrasja e burgosja e inxhinierve të Naftës. Pastaj më 1950 në Vlorë u burgosën 75 persona (nga borgjezia e tregtarët e qytetit apo çifligarët në fshat për taksat e jashtëzakonshme). Kjo maskaradë u quajt gjyqi i kulakëve, me akuzën e përbashkët “sabotatorë”.Njerëzit janë të ndryshëm, se kanë karakter, edukim, kulturë, ide dhe formim individual të veçantë. Duke qenë të tillë ,si dhe në kushte jetike të ndryshme,si mund të kryejnë të gjithë një gabim e të njëjtin faj këta njerëz të ndryshëm? Udhëheqja e PKSH së asnjëherë nuk interesohej për fatin e shqiptarëve që jetonin brenda kufijëve të Shqipërisë Londineze, aq më tepër për shqiparët që jetonin në Jugosllavi. Ishte merakosur për Poan e Istrien si dhe bregdetit slloven. Pas marrjes së këtyre të fundit, E. Hoxha më 18 gusht 1947, përshëndeti personalisht për këtë fitore të madhe të arritur nga Jugosllavia. Kjo tregon se edhe vetë sistemi “Republikë Popullore e Shqipërisë” ishte një tjetër imitim jugosllav.
(Doktoratura:Artan Hoxha- Tiranë 2014 Marrëdhëniet mes ortodoksisë autoqfale shqiptare dhe komunizmit 1945-67.

*Improvizimi i hedhjes së bombës në Ambasadën  sovjetike në Tiranë
 Të mençurit gojëkyçur, veshëvulosur e symbyllur, pyesnin ndërgjegjen që i mundonte: “Cili vallë do të jetë krimi i radhës?!” Më 26 shkurt 1951 regjimi komunist ekzekutoi  22 intelektualë shqiptarë me pretekstin se, në 21 shkurt kishin shpërthyer një bombë në ambasadën sovjetike në Tiranë. Ata u ekzekutuan në mesnatë, në afërsi të urës së Beshirit, 15 km larg Tiranës, të lidhur dorë për dorë me zinxhir dhe u varrosën në një gropë të përbashkët. Diktatura komuniste inskenoi në stilin e saj vrastar, të ashtuquajturën bombë për justifikimin e valës së terrorit që ndërmorri kundër figurave të shquara të cilëve mund t'u njohim vetëm një faj, patriotizmin, antikomunizmin dhe formimin e tyre në vendet e zhvilluara perëndimore. Ishte absurditet, preteksti për hedhjen e bombës në oborrin e ambasadës sovjetike, kur këta njerëz nuk kishin lidhje me këtë institucion diplomacie.Kjo erdhi si pasojë e kthesës politike të diktatorit E.Hoxha drejt politikës së Moskës, vetëm për të rritur e forcuar besimin e Stalinit. Në këtë ngjarje gjetën zbatim në mënyrë të përsosur gjithë urdhërat dhe taktikat sovjetike për të eliminuar kundërshtarët, duke ia kaluar madje edhe vetë udhëheqësit shpirtëror, Stalinit. Kjo masë ekstreme e marrë nga sistemi jashtë ligjeve në fuqi, solli pushkatimin e intelektualëve nga familje fisnike shqiptare dhe kjo do të vazhdonte edhe në të ardhmen me spastrimin, internimin e familjeve të tyre, me breza dhe si fise. Intelektualët e vrarë nga diktatura komuniste 66 vite më parë ishin; Sabiha Kasimati, Mehmet Shkupi, Ali Qoralliu, Anton Delhysa, Gafur Jegeni, Fadil Dizdari, Gjon Temali, Haki Kodra, Jonuz Kaceli, Lluka Rankoviç, Manush Peshkopia, Myftar Jegeni, Niko Lezo, Pjerin Guraziu, Reiz Selfo, Zyhdi Herri, Tefik Shehu, Thoma Katundi. Eh, sa jetë elitash çoi dëm komunizmi,ky sistem barbar i mohimit të vlerave?! I vrau,i burgosi, i internoi, i sakatosi, i gjymtoi e i baltosi duke i bërë shtretër për mushkonja e gjarpërinjë, por idetë e tyre janë ende gjallë. Sot janë në këmbë për të folur e për të treguar realitetin e hidhurdhe për kalvarët e vuajtjeve me gjuhën e së vërtetës...
 Fjalët e një diplomati :"në kohën kur kanë jetuar këta personalitete, e vërteta ishte si qiri mes një errësire të madhe, por nga ai qiri u ndezën shumë qirinj të tjerë". Sipas tij, "sot drita e së vërtetës së tyre, shkëlqen sikurse do të shikojmë në këtë ekspozitë që po e përurojmë sot, një dritë që komunizmi dhe asnjë lloj diktature nuk mund ta shuajë dot". Në këtë kontekst, Ambasadori Withers tha se "për këtë arsye ne duhet të jemi të kujdesshëm, sepse përpjekja për të cilën ata luftuan vazhdon ende, dhe nëse nuk tregohemi të kujdeshëm për të mbrojtur të vërtetën që ata e mbrojtën me jetët e tyre, ata qirinj mund të rishuhen përsëri" – tha Ambasadori i SHBA në Tiranë, John Withers, më 10 maj 2010 (Presidenti Topi dekoron me urdhrin “Nderi i Kombit” 4 intelektualë të vrarë nga Komunizmi:
  *Qetësia e rreme e viteve 1950-53
Gjatë viteve 1950–53, duket në pamje të jashtme se janë periudhë  e qetësisë relative që flet për marrëdhënie të mira mes kampit socialist. Klerikët e lartë të kishës ortodokse lëviznin shpesh në vendet e bllokut sovjetik, në kishat ortodokse simotra. Kishin edhe financimet shtetërore të mira, në krahasim me komunitetet e tjera fetare. Edhe pse pozita e kishës ortodokse ishte disi më e privilegjuar se sa ajo e kultit musliman dhe katolik, por nuk kishte të drejtën të arsimonte klerikët e vet dhe as të hapte shkolla teologjike. Pra këtu dukej ndërhyrja dh vartësia e saj nga pushteti qëndror .Vdekja e Stalinit më 1953 dhe ardhja e Hrushovit në krye të BS, solli  prishjen e miqësisë Tiranë-Moskë
    Pas vdekjes së Stalinit më 1953 marrëdhëniet Moskë- Tiranë po shkonin drejt ftohjes. Këtu ndikoi era e re e politikës së BS për një bashkëpunim të ri me Perëndimin që solli vizita e Nikita Hrushovit në ShBA më 1951, si dhe sulmi që Hrushovi i bëri Stalinit si diktator. Më 28 mars 1955 Shqipëria aderoi në Traktatin e Varshavës, organizatë ushtarake e krijuar nga BS, që bashkoi vendet komuniste të Evropës lindore për t’iu kundërvënë NATO-s.Në maj 1959,pavarësisht nga vizita e Hrushovit, marrëdhëniet Tiranë-Moskë, nuk ishin në nivelin e dikurshëm. Shkak u bë qëndrimi i PK të BS ndaj Jugosllavisë. me të cilën Shqipëria ishte ndarë që në vitin 1948. Kurse Nëntori i 1960 shënoi fundin e marrëdhënieve Moskë-Tiranë. E.Hoxha në mbledhjen e 81 Partive Komuniste e Punëtore të Botës kritikoi rëndë politikën hrushoviane e titiste .Kjo solli një tronditje në Kampin Socialist të lindjes, gjë që s’u përtyp lehtë nga B.S.
“Më 1961 u ndërprenë marrëdhëniet diplomatike të Shqipërisë me aleatin e saj më të madh, B. S. Dalja faktike e Shqipërisë nga Traktati i Varshavës më 1962 dhe dalja ligjore më 1968, solli vetizolimin e saj. Ky izolim i padrejtë i një kombi që e çmonte së tepërmi lirinë, solli jo vetëm varfërinë materiale të këtij vendi të pasur, por edhe varfërinë mendore dhe shpirtërore të tij.
     Shqipëria e vogël atë kohë, kishte një ndarje të dyfishtë, që vazhdoi gjatë...:
1- Shqipëria e detyruar nga Partia-shtet( P.P.SH) padrejtësisht ishte ndarë nga bota Perëndimore.
2- Politika e njëanshme e Diktaturës hoxhiane i kishte ndarë shqiptarët në 2 kampe, në armiq të betuar të njëri-tjetrit. Si duket kjo shoqëri e mbushur me urrejtje, mllefe dhe hakmarrje vazhdon edhe sot pas gati 20 vjetësh” (Vivra-9-4-2008-Standard- Fjala e Lirë, Tribuna Shqiptare, Illyria, Gazeta Kritika)
*Nënshtrimi i  Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë(KOASH)
KOASH u nënështrua përfundimisht nga qeveria komuniste e Hoxhës në shkurtin e 1950, me udhëheqëse shpirtërore Patriarkanën e Moskës. Në Kongresin e III të Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë  asistonin E.Hoxha dhe Adil Çarçani. Ndërhyrja e qeverisë komuniste të Hoxhës dhe aprovimi personal i tij  në çështjet e besimeve fetare në ndryshmin e statutit të Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë e miratuar në vitin 1928 nga Qeveria e Monarkisë së Zogut, ishte me pasoja të mëdha për këto komunitet fetar dhe Shqipërinë. Në atë statut të miratuar nga Kongresi i III i Kishës Orthodhokse, u sanksionua që në krye të asaj kishe mund të vinte në Shqipëri çdo Peshkop i huaj. Pas rënies së komunizmit, duke u bazuar në statutin e vitit 1950, erdhi në Shqipëri edhe “Hirësia e tij” Anastas Janullatos,  që gjithçka mund të jetë, por njeri i Zotit , kurrë!  Prania e tij ngjalli polemika dhe debate të mëdha të cilat vazhdojnë ende jo vetëm në qarqet fetare por dhe ato shtetërore.”  ( botoi -alba-soul -9-shkurt-2017) . Është fakt i pamohueshëm se faktor dhe aktor është politika komuniste që edhe sot kisha Fan Nolit dhe Visarion Xhuvanit ka humbur identitetin.
(Doktoratura:Artan Hoxha- Tiranë 2014 Marrëdhëniet mes ortodoksisë autoqfale shqiptare dhe komunizmit 1945-67)
    Prishja e marrëdhënieve  me BS e çliroi diktaturën shqiptare nga nevoja për të përdorur Kishën ortodokse. Veçanërisht lidhja me Kinën maoiste hapi një kapitull të ri në marrëdhëniet e regjimit me bashkësitë fetare, përfshi këtu edhe K.Ortodokse të Shqipërisë. Pas prishjes me Moskën, në fillim të miqësisë me Kinën u ndie ndikimi  negativ i saj në politikën fetare të diktaturës, e cila nisi luftën deri në shkatërrimin e institucioneve fetare muslimane, katolike dhe ortodokse (1964-67) .Në 3 vite E.Hoxha përgatiti terrenin dhe në Kongresin V të PPSh–së nisi Revolucionin Kulturor, që me fakte u çel në shkurt të vitit 1967. Institucionet fetare ishin të pafuqishme për t’i rezistuar valës së shkatërrimeve si dhe burgosjes , apo vrasjes së klerikëve. 
*Shqiperia e 23 burgjeve dhe 48 kampeve të përqëndrimit
   Shqipëria e genocidit komunist, nga parajsa, e përkëdhelura e Zotit,ku kanë folenë perënditë ishte shndërruar në një burg,mbushur  me rojtarë e të burgosur.  Ky vend magjik e prrallor, i admiruar nga të gjithë ishte kthyer në një varrezë plot me varre pa emër. Në baltën që i lindi, u varros palca dhe truri i kombit. Duke ndjekur shembullin e Stalinit, komunizmi shqiptar shpiku Luftën e Klasave, në fshat damkosi kulakun,  që ishte genocidi brenda llojit, si përvoja më e egër e terrorit vrastar,më e dhunshme ,antinatyrale  dhe antinjerëzore… “përndjekja, lufta e klasave, dhuna ndaj fjalës së lirë, të thënë e të shkruar, terrori, heronjtë dhe viktimat e tij, shkelja e të drejtave të njeriut, janë pasojë e një regjimi diktatorial armik i demokracisë, prandaj dënimi i krimeve, integrimi pa kushte, pozicionimi i merituar i tyre në historinë dhe realitetin e vendit, janë elementë të rikthimit të ligjshmërisë, jo si favor, por si një e drejtë themelore, pa të cilën demokracia nuk do të ishte e plotë". (Presidenti i Republikës Bamir Topi, Info-presidencë-10-maj-2010) 
 Nëqoftëse do t’i referohemi shifrave zyrtare të shpallura nga Komisioni trepalsh i përbërë nga përfaqësues të Ministrisë së Drejtësisë, Komitetit Shtetëror të të Përndjekurve Politikë dhe Shoqatës Kombëtare të të Përndjekurve Politikë, rezultojnë këto të dhëna: Të ekzekutuar 6.023  persona; -Të vdekur në burg 1.065; -Të burgosur 34.135(26.768 burra dhe 7.367 gra); -Të sëmurë mendorë 260; -Të internuar deri në vitin 1954  janë: 59.517;  -Të vdekur në internim 9.000. Xhelatët e kohës së kolerës komuniste kishin burgosur 150 shkrimtarë, poetë, përkthyes, gazetarë të burgosur, nga ata u pushkatuan  15 , një( 1) i varur, 12 të vdekur në hetuesi e burg dhe sa e sa të tjerë vdekur në internim…
   Po të shtojmë numrin e fëmijëve të internuar nën katërmbëdhjetë vjeç, si dhe ata që janë internuar pas vitit 1954 dhe që nuk janë përfshirë në këto lista, atëhere rezulton se numri i përgjithshëm i atyre që kanë pësuar direkt persekutimin i kalon të 260.000 personat. Duke marrë parasysh se gati 70% e tyre i përkasin periudhës deri në vitin 1954, kur popullsia e vendit nuk i kalonte të 1.000.000 banorët, rezulton se mbi 18% e asaj popullsie është persekutuar direkt. Po t’i shtojmë kësaj edhe pjesëtarët e tjerë të familjeve të tyre, atëhere përqindja arrin përmasa rrënqethëse, në gjysmën e popullsisë .( AQSh-komisioni trepalsh)
   Për terrorin dhe krimet e diktaturës krimet komuniste mjafton të kujtojmë natën e fundgushtit 1949, ku në kampin shfarosës të Tepelenës, ku mbaheshin 1200 të burgosur, vdiqën 33 fëmijë, shumica  mirditorë. Ç’krim kishin bërë ata fëmijë të pafajshëm, ato foshnje që prisnin të pinin gjirin e nënës?! Ç’pati shteti komunist me ta?Pse nuk lejoi të rriteshin si fëmijët e tjerë, sepse edhe ata ishin bijët Shqipes?
“Vetëm në Shkodër,4000 familje nuk kanë gjetur eshtrat e familjarve vdekur në burgje apo internim.(vo: Fritz Radovani- fjala e lirë).Kurse në Vlorë nga 1800 të burgosur politikë, 400 janë pa asnjë dëshmi. Torturat ishin 40 lloje nga më çnjerëzoret. I linin  njerëzit pa bukë për ditë të tëra, të varur në mur me zinxhirë prej100 kg dhe u hidhnin ujë të ftohtë në dimrin e akullt. I linin të vërtiteshin në 1 m vend për orë të tëra derisa t’u binte të fikët. Janë vrarë dhe dënuar femra që nuk iu nënshtruan sistemit komunist, pa bërë asnjë faj, por vetëm për agjitacion dhe propagandë etj.
Revolucioni kulturor 1967, vrau  besimin e shqiptarit e ndërgjegjjen  kombëtare. 
Pas largimit të H.Kapos e deri më 6 shkurt 1948, Ambasador i Shqipërisë në Jugosllavi ishte Tuk Jakova, më pas Ramadan Çitaku, që u shkarkua pas "prishjes së madhe" madje u shkarkua edhe si anëtar i Presidiumit të Kuvendit Popullor. Krahas politikës së jashtme, ku Shqipëria e vogël është përdorur si mashë nga shtetet të cilët i besoi, ata e morën nën mbrojtjen vetëm për të realizuar synimet e tyre, por kurrë për të plotësuar interesat  e saj. Revolucioni kultural kinez i vitit 1966, që u pranua dhe  dhe nisi e u zbatua në Shqipëri në shkurt 1967, nuk kishte asnjë lidhje me konceptin revolucion e aq më tepër kulturor. Cilën gjellë të të tjerëve: të serbëve , të rusëve  apo të kinezëve,  pa ia provuar shijen, nuk e gatoi në tenxhere shqiptari dritëshurtër në kohën e kolerës dhe ia përshtati shijes së rrallë mesdhetare?!  I ashtuquajtuari revolucion kulturor ishte ngjitja e luftës së klasave në kurbën më të lartë të piramidës së vuajtjeve anti njerëzore, si dhe ashpërsimit të saj. Daullet binin në Kinë, por çuditërisht jehona e tyre  u dëgjua në Shqipëri. Dhe nuk ishte e rastësishme  që shqiptarët nisën vallen me atë ritmin e revolucionit kulturor kinez. Kujtoj se në verën e vitit 1966 u mohuan profesionin, duke i nxjerrë në rrugën e madhe  vetëm në Vlorë 165 intelektualë ( mësuesë, ekonomistë, inxhinierë, mjekë, specialistë të të gjitha fushave etje, për të cilët deri atëherë kishin nevojë. Kurse tani  jo më...,sepse ata  intelektualë, të cilëve u mohuan profesionin, nuk ishin të aftë dhe të besuarit e PPSh që ta ngrinin luftën e Klasave në shkallën më të lartë të saj.  Nuk duhet të harrojmë se për 22 vite “Partia mëmë”nxori bijtë e saj të arsimuar me mësimet e saj dritëdhënëse, të cilët u vunë në krye të këtij revolucioni. U ngritën kundër kishave dhe xhamijave, vazhduan luftën e klasave në një fazë të re më të egër. U turrën si hienat për kërmë, ndaj klerikëve myslyman dhe veçanërisht atyre katolikë.  Mendjendriturit thonë: “Qenit i vjen rrebeja, kur ha këmbët e tij.”  Ose “ Qenit kur i vjen ngordhja, shkon e përmjer në derë të xhamisë ...”  Dhjetëra -mijëra familje u dëbuan nga qytetet, i internuan në fshatra, ku nuk kishin asnjë strehë ku të fusnin kokën. Ata që dikur kishin qenë pronarë të atyre trojeve i strehuan në kotecet e pulave, në angare e duhanit apo në varret  e pashallarëve. Prishën kishat dhe xhamitë, kurse qindra fretër të arsimuar në Austri , Romë apo në liceun Françeskan të Shkodrës, i burgosi , i vrau, i vari dikatatura e egër komuniste me urdhër të miqve të mëdhenj sllav. Veprime të tilla e qetësonin E. Hoxhën, i jepnin atë kënaqësi që i jep Vampirit kur kafshon në fyt viktimën , që të jetojë  me gjakun e tij. Kjo tragjedi  tregoi se shtetit utopik komunist  shqiptar me themele prej rëre, filluan t’i grryhen të ashtuquajturat themele. Pasi hëngri kokat e fisnikërisë, intelektualëve, hëngri shokët e luftës me prejardhje fisnike, më pas filloi të hajë vetveten.Për realizimin e genocidit, veproi në mënyrën më vulgare të ligësisë. Sapo njërin vëlla e ngrinte në detyrë të lartë shtetërore, vëllanë tjetër e eliminonte. Apo detyronte djalin të dënonte me vdekje babanë. Viti 1967 shënoi fillimin e etapës përfundimtare të  shkatërrimit të shqiptarëve, ku gjëmëmadhi vuri dorë mbi institucionet fetare, vrau besimin e shqiptarëve. Menjëherë filluan arrestime në masë të klerit katolik e mysliman. Dhjetëra fretër u burgosën, u vranë në emër të revolucionit kulturor kinez. Dhjetëra qindra familje të ashtuquajtura të deklasuara, pa asnjë lajmërim u çuan kamionin te dera dhe i dëbuan nga qytetet si të padëshirueshëm të pushtetit diktatorial, si antishqiptarë. I trajtuan sikur të ishin plehëra dhe jo njerëz. Pas burgimeve apo internimeve shumë vjeçare, ndoshta kishin nisur të krijonin një bazë ekonomike në qytet, por kur i vërvitën si plehra  në angaret e duhanit të kooperativës, apo në kotecet e pulave të fermave e kooperativave, apo shndërruan në shtëpi banimi  varret e Pashallarëve. Për të gjithë ata shqiptarë  nisi një etapë e re  e luftës së klasave dhe internimit që vazhdoi dhe mori fund në vitin 1990.
Shkurorëzimi diplomatik i PPSh me Kinën
Më 28 korrik 1978, PPSh-ja përmes Gazetës Zëri i Popullit” dhe ATSh-ës, njoftoi prishjen e marrëdhënieve politike, ekonomike dhe kulturore me Republikën Popullore të Kinës. Si shkak PKSh akuzoi qeverinë kineze si revizioniste dhe tradhtare të marksizëm -leninizmit. Pra PPSh si i  fundmi i mohikanëve, ngeli i vetmi vend komunist në botë që do të ndërtonte komunizmin, duke ndjekur dogmat marksiste –leniniste, ndërsa shqiptarit i shtrëngoi rripin. Punëtori I ndërtimit e mbante shpirtin me një kothere misri të lyer me sheqer. Të njëjtën gjë bënte fshatari në pikun e vapës së korrikut, i thahej fyti për një pikë dhallë. Heqja e oborrit kooperativist  e shkatërroi ekonominë shqiptare.
Shkurorëzimi i PPSh me të gjithë  miqtë, vetizolimi , prerja e marrëdhënieve tregtare me jashtë, e çoi nivelin ekonomik në zero. Fabrikat e uzinat u mbyllën për mungesë të lëndës së parë, buxheti shtetëror shkoi në nivelin e tre ditëve bukë… Burgjet të tejmbushur me djem dhe vajza nënash, që kishin lënë udhëkryqeve të jetës grate dhe  fëmijët  jetimë me prindër gjallë… Të ngelur si peshku pa ujë, me lugën e zbrazët, të vetizoluar me detyrim  të PPSh nga bota e zhvilluar, pa mjete jetese për 50 vjet me radhë, me shqiptarët u eksperimentua. Është një lloj si me kafshët e Tundrës, të Stepës apo të Pyjeve Tropikale, t’u mohosh lirinë , ushqimin dhe jetën e tyre në tërësi e t’i mbyllësh në një kopsht zoologjik, i çon drejt zhdukjes si specie. Shqiptarët e gjorë të mbyllur si në një kafaz hermetik, të cilëve u lejuan vetëm ajrin, ujin dhe dritën, duke ia prerë çdo burim jetik, provuan se sa kohë do të duronin. Ne jemi racë e çuditshme, tepër e veçantë, që i mbijetojmë çdo situate apo çdo rrethane. Mjerë kombi!

“Vëllazërim gjaku “-Kështu niste  një shkrim gazeta "Bashkimi" më 17 maj 1946.Gjashtë  Maqedonas:Dushko Popoviç, Ilia Antevski, Rade Ugrinovski, Kristo Oxhaklisti, Trifon Andovski dhe Drage Todorovski, dënuar nga Gjykata e Tiranës për akte terrorizmi u varën në Tiranë më 14 maj 1943. Kur nderonin 6 terroristë ndaj shqiptarëve, si të mos revoltohesh me qëndrimin e komunistëve shqipëtarë, kur më 2 prill 1945, ndodhi Masakra e Tivarit nga banditët serbo   malazes që hiqeshin si "vëllezër" dhe si "miq" të mëdhenj të shqiptarëve.
Ja përse nuk mund të mendohej që Kosova t'i kthehej Shqipërisë
 Po e mbyll këtë kapitull me një paragraf tejet domethënës thënë nga Kreu i Shtetit Shqiptar…Prof.Dr.Bamir Topi:
“Qëndresa dhe vdekja e këtyre personaliteteve të jetës kulturore dhe ligjore shqiptare dhe e shumë të tjerëve që njohën kodin e ferrit të Dantes, me të drejtë sot duhet të shihen si elita e qëndresës.
Ajo na mëson një të vërtetë të madhe, pa të cilën do ta kishim të vështirë të kuptojmë se ç’ndodhi, në një kohë kur populli shqiptar u gjend përballë sfidash të egra, ku ndonjëri edhe u thye, ku të tjerë u shndërruan në qenie pa të drejta, ose ndokush u shndërrua në instrument ideologjik të regjimit.
 Kjo e vërtetë është tragjike, por edhe heroike. Ajo na thotë se aty ku ishte burgu, aty ku ishin telat me gjemba, aty ku ishin torturat, aty ky përballej vdekja - aty ishte ATDHEU.
Aty ishte At Vinçens Prendushi, Myzafer Pipa, Musine Kokalari, Trifon Xhagjika, Vilson Blloshmi, Genc Leka, Havzi Nela, Arshi Pipa, Pjetër Arbnori, e mbi 150 shkrimtarë, përkthyes e artistë të tjerë të dënuar për fajin e vetëm se deshën fjalën e lirë!

 ”Presidenti Topi, Panorama-gazeta shqiptare-10-5-2010 )Fjala gjatë dekorimit me “Nder i Kombit”:të vrarëve nga diktatura: Genc, Leka, Vilson Blloshmi, Muzafer Pipa,Havzi Nelaj(

Thursday 23 February 2017

KËNGA E TOKËS

   Resmi Osmani                                                                       Novelë
                                          KËNGA E TOKËS
        
         1
         Po e them që në fillim: jam jetim. Fëmijë pa fëmijëri, i ri pa djalëri.Kjo është e djeshmja.Të nesërmen nuk e dua të jem burrë pa burrëri. Prindërit vdiqën në një aksident automobilistik. Prapësitë e verbëra të jetës, si të kishin humbur udhën labirinteve të tyre të pafund, gjetën të lirë shtegun e jetës sime. Mbeta  fillikat. Pa të afërm, më shpunë në shtëpinë e fëmijës. Sido që kujdeseshin, nënë e baba s’të bëhet kush. Më shumë na e nxinte jetën një shprehje që përdorej shpesh nga pastruesja Xhija : Të shkretët bonjakë, sa zbardhen pendët e korbit, aq zbardhet fati i jetimit! Kur mbarova nentvjeçaren më dhanë një bursë për shkollën profesionale ”Kristo Isak” në Berat, ne degen agrobiznes. Kur e mbarova isha tetëmbëdhjetë vjeç. Notat e mia ishin të pamjaftueshme  për të ndjekur shkollën më tej “Detyra jonë mbaroi- më thanë në shkollë-ti je në moshë që duhet t’i dalësh zot vetes. Udha e mbarë dhe paç fat! Fati im ishte një firmë ndërtimi në Fier. Më strehuan në një dhomë të një pallati të përfunduar por që kish mbetur pa shitur.Fillova të punoj si ndihmës i një mjeshtri që shtronte pllakat. Puna ishte e lodhshme po isha i ri dhe me dëshirë për të punuar dhe mësuar. E përvetësova shpejt mjeshtërinë me ato yçklat e vogla të zanatit dhe ma shtuan edhe pagën. Por firma falimentoj, dhe si i thonë, tani kam mbetur ne diell! E shtyj me ato pak pagesa të rrogave të prapambetura që firma na I shlyen si me pikatore. Edhe per të mbledhur kanoçe ne kazanët e të fshirave, nuk ka vend, atyre, veç qenve, u kanë dalë zot  me kohë të tjerët dhe s’të lenë t’u hysh në pjesë.
      E gjitha kjo që do t’u rrëfej, nisi nga  nje lexim ne internet. Si i ngeshem e i papunë po vozitja ne internet. Diku, ne mes pallateve u shfaq nje kopsht perimesh, gje jo e zakonshme ne qytet. Nje komentues kishte shkruar: “Më jepni një copë tokë dhe unë do t’u bëj një mrekulli !” Dikush tjetër kishte shkruar me shpoti thënien :”Më jepni një pikë ku të mbështetem dhe unë do të lëviz globin!” Ai që do të bënte mrekullinë, ishte një professor i vjetër e i njohur i bujqësisë, i dyti që gaxhitej, një emër i panjohur, i stisur per t’u zderhallur  ne feisbuk. Kaluan ditë. isha katandisur për të qarë hallin,më shumë i uritur e i panginjur larë e palarë, po kush ta qan hallin? Gjithkujt i sosin e i teprojnë hallet e tij.
         Kishte rënë mbrëmja dhe isha shtrirë në shtrat. S’po më zinte gjumi.Perfundova së lexuari Robinson Kruzonë që e kasha blerë te një bukinist me çmim të ulur. Mëndja gjezdiste azat në livadhet e fantazisë. ” Më jepni një copë tokë dhe unë do t’u bëj një mrekulli!” S’më hiqej që s’më hiqej nga mendja kjo e thënë. Një copë tokë!A nuk ishte dhe ajo një copë tokë si ishulli i Robinsonit, një ishull pa det? E ç’mund të bëhet në ‘të? Nisi të punojë përfytyrimi e fantazia, vegimit iu shfaqën mirazhe marramendëse të lbyrta e ylberore:një lulishte me trëndafila, jasemin, jargavanë, zambakë e karafila e stolisur mrekullisht me mozaikun e ngjyrave, një arë me grurë të pjekur që zverdhon si ar dhe e valëvit era, me misrin shtat hedhur e gjelbërim, perimet ku midis kuqëlojnë domatet,jeshilojnë specat e sallatat, ermirojnë pjeprat,harbojnë shalqinjtë,zverdhojnë lulediellit e dashuruara pas yllit të ditës që e ndjekin atë nga lindja deri në perëndim. Livadhet e lulëzuara ku blegërijnë delet e lodrojnë shqerrat. Edhe mbi shkëmbenj, ku ka një grusht tokë, mbin e lulëzon një lule, edhe në shkretëtirë, atje ku del një burim  në oaz rritet një hurma e gjallon jeta. Toka, një nga kater elementet. Kur mbruhet me djerse dhe punë, prej saj rritet mrekullia. Nuk ka tokë të keqe, por bujq të këqinj!Na ushqen dhe na jep strehën e fundit.Për të janë bërë luftëra, është mbjellë me eshtra dhe mbrujtur me gjak. Jo më kot të lashtët i kishin dhene asaj nje Perëndi:  Demetrën. Më e vjetër se jeta, por çuditërisht e përjetshme dhe me pjellori të pashterrshme, që ushqen miliardat që e popullojnë. E madhe pafund, por për të bërë mrekullinë nuk duhet veç një copë e saj dhe për strehën e fundit një pëllëmbë e saj dhe urimi: të qoftë e lehtë toka!Tokë, nëna jonë e mirë.Ti asnjëherë nuk na bëhesh njerkë.Je e bekuar me shënjtëri. Mbi ty janë themelet e shtëpive tona, tek ti fillon pragu i tyre, ti je Atdheu, aq e dashur sa burrat kur nisen në udhen e mergimit, marin një grusht prej teje si hajmali…..
      Mirë. Por që të bëhet mrekullia duheshin: një copë tokë, që unë se kasha,vullneti për punë, dituria për bujqësinë dhe kapitali. Toka mund të gjendej,vullneti për punë s’më mungonte, dituria mund të përfitohet nga përvoja dhe leximet, por kapitali? Këtu rashë  ngusht, por tek e fundit’ puna a nuk ishte vlerë e kapitalizuar?
       Mendohu e mendohu dhe më në fund:
       E vendosa: çfarë? Mos u ngutni ta dini, shpejt do t’a merrni vesh!
       2
       Udhes, kur shkonim me kamion per të marrë inerte ne shtrat të lumit, në të ngjitur te qafës, majtas niste një kodër me majë të dystë, më pas vinte pylli me dushqe, kurse anash ndahej rruga që të shpinte në fshatrat e luginës. Në faqen jugore kishte dhe një burim të ftohtë ku ne qëndronim, pinim ujë dhe shplanim pluhurin. Ishte tokë e komunës. E dija që komunat jepnin toka me qira. Para se të vendosja, mora mikrobuzin e linjës dhe shkova  e pashë. Djerrina e sheshtë, me barëra, shkurre e ferra të rralla, ishte ndoca një hektar e më shumë. Toka vinte si në të murrme-kafe e shplarë e nuk dukej e lyrshme, por barërat, trifilidhe gramoret gjethe ngushta dukeshin të shëndetshme. I rashë rrotull deri te fillimi i pyllit me dushqe dhe shkurre që zinte tërë shpinën e kodres së ulët deri te lugina midis dy kodrave ku dukeshin ca ara te vogla të mbjella. Kur dielli zuri të digjte, qëndrova nën hijen e një gorrice kurorëmadhe te ngarkuar me fruta, që ishte e vetmja pemë. Zbrita te burimi dhe u freskova. Uji këndonte këngën e tij. Dikur rridhte nëpër një sylinë hekuri dhe kishte pasur një mur mbajtës me gurë, por ato ishin prishur e rrënuar dhe uji kishte hapur udhën e rrjedhjes së tij. Kjo tokë plotësonte kushtet që më duheshin për të bërë atë mrekullinë që mendoja: ishte pranë xhadesë dhe rrugës që shkonte për në fshat,  e rrihte dielli thuajse gjithë ditën e lume, kishte pranë pyllin që do të më jepte shumëçka dhe burimin me ujë të bollshëm.Anës udhës shkonte një linjë elektrike për në një stan matanë kodrës. Kjo nuk ishte më e mira, por toka dhe vendi  që më duhej. Vendosa ta marr me qera, dhe ta lidh jetën time me të! Natyrisht po të ma jepnin.
        Kur shkova në zyrat e komunës ishte mesi i majit. Kryetari nuk ndodhej aty dhe mu desh të prisja gjatë. I shkova në zyrë. Trupbëshëm, me kokëne rruar si top dhe sy të fryrë e rrëmba të kuq. Gogësinte.Dukej që s’ishte nginjur me gjumë. Më ftoi të ulesha dhe më pyeti se pse kasha kërkuar të takohesha me të. Ia spjegova si munda. E pashë që kërkesa iu duk e pazakontë dhe u bë esëll. Uli mbi tyryezë hartën dhe ndali gishtin te vendi që i kisha thënë.
      -Sa hektarë kërkon dhe për sa kohë?
      -Dy për arë dhe tre pyll. Për pesëdhjet vjet! Dua tëjem I sigurtë që s’ka pronar.
       Ai nuk ktheu përgjigje. Zakon burokratësh. Me siguri do fillonte të bënte të vështirën për të treguar se po më bënte nder të madh.
        -Nuk ka pronar, por na prish punë. Është kullotë e fshatit.
        -Unë them ti ndërroj faqen atij vendi dhe përfitimi do të jetë shumë më i madh se i kullotës.
        -Paske qënë çudi njeri. Shokët e tu çajnë ferrën: ca në Greqi, Itali,gjermani, Amerikë dhe Angli e deri në Honolulu,teksa ti do të bësh një fermë në një djerrinë. Buzëqeshte dhe s’ma ndante shikimin. Dukej që s’ia mbushja synë.
    - Ata që ikin, shkojnë të përfitojnë duke shitur krahun e punës, nga begatia dhe pasuria e të tjerëve, duke lënë shkretë e të pa përdorura pasuritë tona natyrore, që po të vihen në punë, do ta bëjnë po aq të begatë sa edhe  vëndet ku ata shkojnë. Mendoj se kjo është detyra jonë, ndryshe, si do t’a bëjmë Shqipërinë si gjithë Evropa?
    - Bravo për idealizmin tënd!Më fole si ata analistët e televizioneve.  E di ç’ke, bëj një kërkesë me shkrim. Di ta bësh? Ç‘pyetje koti bëj dhe unë ,ti je me shkollë. Hidh në letër ato që më the  me gojë. Shko e shkruaje në paradhomë te sekretarja. Unë po dal për një kafe. Kur t’a mbarosh, firmose dhe lerja sekretares. Do t’a shqyrtojmë në këshillin e komunës nga fundi i javës. Zere se e ke të marrë. Të hënën e ardhme eja të marrësh përgjigjen dhe të lidhim kontratën. U morëm vesh?
        Nga padurimi numëroja ditët.Të hënën, mora mikrobuzin dhe pas një ore sosa në qëndër të komunës.
        Kryetari ishte shënd e verë e me të mira. Më priti si një të njohur të vjetër. Vendimi ishte marrë, qeradhënia ishte miratur. Sekretarja nxori në ekranin e kompjuterit një format standard të kontratës dhe shënoi gjeneralitetet e mia, pastaj e printoi. Kryetari lexoi detyrimet e palëve. Pasi unë u shfaqa mirkuptues me kushtet, firmosëm dhe akti u vulos. Kontrata u shoqërua edhe me një skicë ku ishin konturuar me të kuqe kufijtë e ekonomisë që mund ta bëja timen .
      -Tashti,or mik, ta lagim!- më zuri për krahu dhe shkuam në lokalin e vetëm.-Raki, konjak, fërnet?- I thashë që nuk pëlqeja pije alkolike. Ai porositi raki, unë një çaj.- E po, t’a gëzosh or mik! Po hele-hele, na thuaj ndonjë gjë për vete dhe ç’ke ndër mend të bësh?
      I fola për vete dhe ëndërrat e mia.Se në atë copë tokë doja të bëja një mrekulli dhe se do të prodhoja për vetkonsum , ashtu siç duhet të bëjë çdo bujk në tokën e tij, thuajse gjithë ç’duhej për jetesë dhe tepricën për treg. Pa ia fshehur që isha trokë. Më dëgjoi dhe në fund mu duk i mallëngjyer.
     -Kjo është goxha trimëri, çdo gjë nga e para! “Më jepni një copë tokë dhe unë do t’u bëj një mrekulli” ,përsëriti ai. Te kjo s’më kishte shkuar mendja. Këtu tek ne gjysma e tokave janë batall dhe të gjithë ankohen nga varfëria! Si e the atë citatin nga Bibla?”Kush punon tokën e tij, do t’a mbushë  barkun me bukë!” Dhe ku pa? Në ato shkretëtirat dhe gjysmëshkretëtirat e Izraelit, pa lere këtu në këto tokat tona gjithë tul!
     Heshti dhe gjerbi  rakinë duke u menduar gjatë.
       -Do të ndihmojmë sa të mundemi. Kemi në magazi pajisje nga ato që na u dhanë për familjet që u përmbytën herën e fundit: çadra, shtresa, orendi vegla pune. Zgjidh ç’farë të të duhet. Mjafton që magazinieri ti bëjë dalje dhe ti të firmosësh.Me to mund ta shtysh deri sa të zënë shirat e vjeshtës, pastaj do të duhet nje rulot. Po deri atëhere, me të parë e me të bërë. Si thonë :ditë  e re nafakë e re!
          Magazinieri, që e thërrisnin Çize, mesoburrë, kockë e lëkurë, me një shapkë të zgjyrosur e të vënë mënjanë, me laps në vesh, e bllokun e fletëdaljeve në dorë,  më rrëfeu pirgun e rrëmujshëm të pasurisë së tij. “Zgjidh e merr”- më tha- ti heq Çizja mënjanë. Dhe unë që s’u besoja syve zgjodha: një çadër të madhe dhe paisjet për ta ngrehur, kunja hekuri, një direk-strumbullar, dyshek, batanie, një shtrat portativ, vegla pune, orendi kuzhine të aluminta…. U bë një pirg. Isha bërë i pasur! I nxorëm përjashta dhe i palosëm dhe vum rregull.
       -Po….?
       -Mos ki kasavet se Çizja ka edhe gurin edhe arrën!
       -Gjemani atë lapangjozin,Baçin e dum-dumit, se kemi ca plaçka për të hequr- u tha ai ca fëmijëve që ishin duke luajtur.
         Baçi, që ishte thuajse në moshë time, erdhi duke vërshëllyer e me duar në xhepa.
        -Më thirre xha Çize?
        -Sille këtu atë harvallinën se kemi për të mbartur ca plaçka.Porosi e kryetarit.
         -Deri ku?
          Ja spjegova.
         -I lyen gjë rrotat ti or mik?
          Ngrita supat dhe pashë nga Çizja i dëshpëruar. Ato pak lekë që kisha thashë të blija bukë dhe ca ushqime te dyqani i atyshëm.
          -Naftën do t’a jap unë, po çap e mos bëj dysh llafin e kryetarit, se ja, as gjysmë ore udhë nuk mban!
           E hodhëm në rimorkio ngarkesën, hipa dhe vetë në të dhe dum-dumi, ashtu siç kishte dhe emrin, mori të përpjetën e udhës së  kalldrëmtë duke bubutirë e lënë pas një fjollë tymi të zi.
          Bashkë me Baçin e shkarkuam pajën time. Ngritja e çadrës dhe sistemimi i atyre pak gjërave, deshi ca kohë. U largova që ta shihja pak përsëlargu. U duk sikur mbiu nga dheu apo ra nga qielli.A nuk kishte rënë kështu mbi malin Ararat arka e Noes? Kjo do të ishte shtëpia ime e re. Nga jashtë nuk kuptohej, por brenda ishte e bollshme.Hapa shtratin portativ, ormisa shtresat, në krahun tjetër vendosa tryezën e ulët dhe një stol plastik.Enët i vendosa në një arkë kartoni, kurse ato pak ushqime që bleva, në një kanistër plastmasi. Fenerin e vara në strumbullar. Veglat e punës: kazma, lopata, beli, shati, sëpata, dhe një sharrë dore, që do të ishin armët e mia, i lashë përjashta. “E po të shkoftë mbarë e mirë!” urova veten. Befas ndjeva uri. Kishte kaluar mesdita. Thashë të bëja një pilaf e me të të mblidhja drekë e darkë. Hapa një gropë të vogël, vura një dorë shkarpa e mbi to dru më të plota që i kasha me shumicë, dhuratë nga pylli. Në vënd të këmjeve vura tre gurë e mbi to tenxheren. I dhashë flakë zjarrit, shkarpat e thata morën menjëherë dhe flakët ndrinë posht tenxheres. Hodha harxhet dhe tërë lezet po prisja gjellën. Sa të bëhej, i rashë edhe një herë rrotull djerrinës. Kur u ktheva, besoja se pilafi duhet të ishte bërë, por mos! Në vend të pilafit, ishte bërë një llapa si ajo që u bëjnë fëmijëve. Nuk kisha ditur të merrja masat e ujit dhe orizit. Shija ishte e shplarë. I shtova dhe pak kripë dhe e hëngra me bukë si të ishte supë. U binda që gatimi ishte mjeshtëri më vete që duhej mësuar.
         3
         Do ta mbaj mend gjatë atë natë të parë që bujta në atë tokë që do të ishte pjesë e jetës sime  për aq shumë vite. Nën çadër bënte vapë. Dola përjashta, shtrova batanien dhe u shtriva në shpinë. Frynte një puhizë, ajri ishte i ermiruar me amzën e barërave dhe bimësisë. Isha fillikat. I vetëm dhe vetmi. Më dukej vetja si një gjeth që era e kishte shkëputur nga pema e madhe e jetës dhe e kishte degdisur në këtë qoshe të braktisur. Per dyshek kisha tokën, për mbulesë qiellin pa fund e anë të  stolisur me hënë e yje. Mund të jesh vetëm, por jo i vetëm. Janë kujtimet. I thërras, vijnë, ashtu siç janë, më së shumti të trishtuara e të zymta por edhe të gëzuara e të ndritura, me plot të njohur, që më kanë dashur e i kam dashur, por edhe të tjerë që s’më kanë dashur e shkaktuar dhimbje. Sido qofshin janë jeta ime dhe unë vozis mes tyre duke ripërjetuar përfytyrimin e së shkuarës. Është hëna, atje lart, që herë si drapër e herë si monedhë e artë , kalëron nga lindja në perëndim, edhe ajo është shoqja ime. Pafundësia e yjeve, që dërgojnë dritën e zbehtë për të parë se ç’bëjmë ne këtu poshtë. Janë zogjtë e natës që këndojnë në pyll, qyqe-qyqe vera, moj vajzë lesh prera, që kërkon vëlla gjonin, që i përgjigjet por as shihen as takohen. Është jeta e natës që gëlon,  që ne e ndjejmë por se shohim, janë mendimet dhe dëshirat që më kaplojnë, në to regëtin ajo flakëza e kaltër e shpresës. Humbas në gjumë  dhe bashkë  me të vijnë dhe ëndërrat…
     Sapo ranë rrezet e para të mëngjesit u zgjova.Reth e qark ishte shpërndarë një tufë dele që kullosnin. Bariu, burrë I vjetër, që s’ia ndante sytë çadrës, më uroi mëngjesin , u afrua dhe u mbështet mbi kërrabë.
       -  Më quajnë Smail, po më thërresin Malo Çobani.Po ty si të quajnë,se edhe ti do ta kesh një emër?
        -Jo një, por dy. I pari Agim Xhani, i dyti, që sot, Robinson.
        -Si i pa dëgjuar ky emër, duhet të jetë llagap allafrënga, puna jote. Sido qoftë,t’i gëzosh!
      -Që sot e tutje, kjo është pronë private- i thashë,- e ke futur tufën gabim.
       -Kjo është musha e fshatit. Që kur i doli pronari?
       -E kam marrë me qera.
       -Mos je nga ata që kërkojnë antika? Nuk e di që këtu të ketë patur ndonjë kala apo qytezë!
       -Kam dëgjuar se këtu kanë fshehur një qyp me flori. Do gërmoj sa ta gjej dhe kur ta gjej, do bëj një mrekulli!     
        Më pa i habitur, me siguri mendoj se isha ndonjë i lajthitur.
      -Luaj vendit more!  Mos je gjë magjistar? Kjo tokë-fang, nuk ka nga ai madem që thua ti, gërmo, por shiko se floririn e ke sheshit, mbi dhe, këtu dhe në gjithë çeltirat e pyllit. Janë bimët mjekësore, që më par i mblidhte fshati, por tani s’merret njeri me to. I njeh?
    -Jo.
    - E bëjmë kështu: do ti rrëfej unë, një për një,por ti ama do më lësh të kullos deri sa ta punosh tokën. Si yst, do të jap edhe ndonjë napë djathë dhe bidon qumësht. Mblidhi bimët, janë me leverdi, bëjnë një thes me para. Vijnë e ti marrin në vend.
     Ujdija mu duk e pranueshme. I lam dhentë azat dhe Malua, nisi të më rrëfente bimët: rigonin, trumëzën, bar-bletën, lule basanin, kinë-fushën, lule–murrizin, lule–shtogun, kamomilin, mullagen, gjethet e manaferrës, hithri
ën, rrushkullin e shumë të tjera. Mora mostra nga të gjitha dhe i lidha tufa.
    -Si ja bën për të ngrënë?
    -Me të parë e me të bërë.
    -Dëgjo Malon ti dhe vëre vath në vesh: pa miell, pa vaj  pa djathë e kripë mos e ler veten asnjë herë. Në i paç këto je i ushqyer. Se mielli, de, bëhet bukë, petulla, kulaç, petë e makarona, byrek, trahana, vaji po hyn në të gjitha, djathi është gjellë për çdo vakt, e kripa lezeti i të gjithave. Po deshe, hajde në stan dhe merr një saç për të pjekur bukën se mua s’më lipset më . Epo t’u bëftë e mbarë, or çun!
     Malua shkoi pas tufës në të tjera kullota, duke lënë pas mirësi.U bëm miq dhe këshillat e tij më shërbyen shumë. Ndjeva se më kishte marrë  uria. Laga pak miell, e rraha, vura tiganin dhe bëra dy petulla të mëdha.
Mora një kuti teneqeje bosh, i lidha një tel si dorezë, hodha dy lugë qumësht pluhur, ujë dhe një lugë kafe”Lori” dhe e vura në prush. Kafja binte erë të mirë. Hëngra dhe mëngjesi më shijoi goxha.
       Erdhi një teknik dhe bëri lidhjen e korentit elektrik nga linja që shkonte në fshat.  Çadra u ndriçua e u bë ditë. Më shumë iu gëzova karikimit të baterisë së celularit, ishte e vetmja lidhje ime me botën.
      Më prisnin punët. Por nga t’ia filloja? Nisa të vij rrotull, mëndja bluante, përpiqej tu vinte radhë gjërave: ferma duhej thurur me hendek dhe gardhuar së paku nga dy anë, e gjithë toka për arë duhej pastruar nga shkurret, burimi duhej bërë i ri, ndën të mund të bëhej një hauz për ujitje të terracave që mund t’i  hapja për perimet dhe bimët që donin ujitje, duhej filluar punimi i tokës që do të mbillej në vjeshtë dhe puna që s’priste, mbledhja e bimëve mjekësore pasi u ikte koha. Punët ishin shumë, por unë vetëm një i vetëm, synimet të shumta, mundësitë të pakta. Bëra një skicë. Patriarku Noe, sefte bëri një vresht dhe mbolli ullinj.Andej do ta filloja dhe unë: Në krye vreshti, ullishtja dhe pemishtja, më poshtë toka e bukës dhe bimëve të tjera, në shpatinë terracat e perimeve. Një brezi i bukur i ngjeshur me selvi , gardh i gjallë duhet të zëvëndësonte shëmtinë e atij,   me ferra e driza. Caktova dhe vendin ku do të ngrihej shtëpia dhe, patjetër edhe lulishten me trëndafila!Në përfytyrimin tim u shfaq dhe lulëzoi si mirazh, ajo që profesori i ditur e kishte quajtur mrekulli. Por vegimet u davaritën shpejt, u gjenda me këmbë në tokë dhe para vetes kisha djerrinën, ishullin pa det të Robinsonit, ku duhej të vija në provë vullnetin tim.
       4
       Kishin kaluar dy muaj. Dy muaj sfilitje, mundim. Tokën e thura me hendek dhe e gardhova nga dy anë, që të mos ishte si han pa porta. Rregullova burimin me mure guri dhe i vura një sylynë të re. E gjithë dita ishte e zënë me punë: dielli më thoshte mirmëngjes dhe unë i thosha natën e mirë. Punoja tokën që do të mbillja në vjeshtë. Djerrina ishte e thatë dhe e ngjeshur.Në çdo goditje të kazmës ngriheshin cirka dheu dhe pluhuri që më ngjiteshin në trup dhe fytyrën e djersitur. Djersa kullonte çurg, më verbonte e përcëllonte sytë, çdo plis po lagej e mbruhej me djersën time. Duart në fillim mu bënë me flluka, më pas, pasi u përthanë u kthyen në kallo si guall breshke. Gjithë trupi më therte, por sidomos shpatullat, si t’i kisha ngarkuar me një barrë të rëndë që më mehte frymën dhe gjithë lodhja mblidhej në bel. Ecja ngadalë, si breshka, centimetër pas centimetri që mezi bëheshin metro. Kur i hidhja një sy asaj që duhej punuar, më zinte frika, më dukej sikur kisha për të shëmbur një mal! Nuk e lija punën, pa bërë njëqind metro katrore gërmim në ditë. Ç’po ndodhte me mua, mos po bëhesha skllav i tokës dhe po humbja lirinë time?Jo. Ishte një “skllavëri” e pranuar, ishte punë e padetyruar, punë për vete që e bëja me dëshirë, që do të më siguronte lirinë duke më çliruar nga skllavëria ekonomike!Thonë që buka të shpie në derë të hasmit, mua mw kishte  çuar në kazanët e të fshirave! Ne,unë dhe toka, po lidheshim bashkë. Na lidhte puna dhe dashuria. Ishte punë fisnike, po e ngjallja këtë djerrinë, po i jepja shpirt nga shpirti im, dashuri nga dashuria ime, po e çliroja nga shterpësia prej beronje dhe po i ktheja pjellorinë.  
         Kur shtrëngonte vapa, shkoja mblidhja bimët mjekësore. Mbarova rigonin, pastaj lulebasanin, trumzën, lulemurrizin dhe shtogun, barbletën. I thava në hije të gorricës, i pastrova, lidha në rufa dhe ambalazhova në thaës plastmasi. Gjeta adresën në internet te firmës”Mediherb” dhe u dërgova një mesazh. Erdhen me një kamionçinë “Tojota” kur e kasha humbur shpresën. E kishin sjellë peshoren me vete. E pashë që u pëlqyen. I peshuan, i ngarkuan dhe më paguan me para në dorë. S’u besova syve. Aq  para s’kisha pasur asnjë herë! Ishte fruit I parë i punës sime. Malo Çobani kishte të drejtë kur tha se floriri ishte sheshit. Ika bashkë me ta dhe hapa një llogari në bankë. Nuk mund t’i mbaja aq shumë lekë në çadër. Mbajta aq sa më duheshin për të shkuar ditët. Bëra Pazar, dhe u ktheva në fermë me taksi! Këtë herë ja lejova vetes këtë luks.
       Qëllonte që të kisha vizitorë. Erdhi një kushëri nga fshati I largët dhe më solli një trashëgim që ma kishte lënë gjyshi nga nëna,  një armë gjahu, çifte me gjithë pajisjet: fishekët, kapsollet, saçmet e plumbat, gjerdanin, një kuti me barut dhe më mësoi sesi ta përdorja. Më tha se do të më duhej.Dukej mosbesues përsa kasha nisur.Gjithsesi, më uroi fat dhe u largua. Vizitorët e tjerë Ishin nga fshati afër. Kur u binte udha, hapnin lesën e gardhit dhe ktheheshin. Kishte nga ata,  të cilët fjalët që i thashë Malos se kërkoja qypin me flori, i kishin marrë si të vërteta. Hidhnin një sy, më njatjetonin, seç thoshin me vete dhe largoheshin. Me siguri dikush u kishte thënë që isha i marrë. Por pata edhe vizita të tjera: në fillim të korrikut, një bletë që kishte roitur kushedi se ku, u vesh në një degë të gorricës si të ishte një  bistak rrushi, tërë kohës gumzhinin.Me droje se mos më iknin i ndoqa me sy tërë pasditen. Kur erdhi mbrëmja, mora një arkë druri me kapak, i hapa një deriçkë posht dhe i puthita mirë kapakun, pastaj bëra një sherbet të ëmbël me sheqer dhe i lyeva paretet. Kur ra muzgu, e shkunda roin në arkë dhe i vura kapakun. Bëra një pod me gurë posht hijes së gorricës dhe e vura aty. Të nesërmen isha në ankth, por bletës i pëlqeu dhe nisi të dilte për kullotë. U bëmë tre. Tre punëtorë.Si në përrallë: unë, bleta dhe familja e milingonave. Bletët vallzonin lule më lule dhe mblidhnin mjaltë , unë përpiqësha të nxirja mjaltë nga toka. Milingonat e kishin folenë pranë çadrës. Jo vetëm i admiroja, por kur ligështohesha, më jepnin edhe zemër. Një varg dilte nga mbretëria përrallore e nëndheut nëpër rrugëzën e pastruar dhe shpërndahej lëndinës në kërkim të zahiresë, tjetri kthehej, ngarkuar me gjithëfar farëzash, shpesh më të mëdhaja se pesha e tyre, sa u kërrusej shpina dhe u merreshin këmbët, hynin në fole dhe mbushnin hambarët e tyre për dimërin që vinte. Kështu gjithë ditën, me të njëjtin zell, pa pushim.Të punosh si milingonat, me po atë zell! Ishin pjesë e jetës sime të përditshme. Ato bënin mrekullinë e tyre, unë përpiqesha të bëja timen.
      Një ditë nga ditët, sapo kisha lënë punën dhe po gatisja drekën, kur u shfaq i drojtur miku i paftuar. Në sy i lexohej trishtim por edhe mosbesim, më shihte me ndrojtje. Aroma  e salçiçeve që po fërgoheshin e këndellte. Në shenjë miqësie e besimi luante lehtë bishtin tufëlor. Qeni ishte shtatmadh, kercinjgjatë, veshllapush, me mantel të kuqërremtë, gjoksgjerë, me një blanë të bardhë në ballë.Nofulla të fuqishme,por sytë të pikëlluar e pa dritë, të trishtuar si të ishin sy njeriu në vuajtje. Në vesh kishte një pullë plastmasi të verdhë. Ishte i dobët nga të pa ushqyerit. Me siguri në vuajtje, i braktisur e fatkeq.
     “Eja, o mik, mos kij frikë. Të kanë përzënë, të kanë lënë rrugëve në fatin tënd? Si erdhe tek mua, e di që ke gjetur një të ngjashëm nga fati, rrugët tona puqen. Ku ta dish, unë që kam vendosur ti dal zot vetes, mund të jem bamirësi yt!”
      I dhashë një salçiçe. E kullufiti shpejt. Duket që i pëlqeu se sytë iu zbutën dhe filloi të lëpihej, por dukej që  kishte uri. U ul në bisht dhe s’ma ndante shikimin lutës. Hyra në çadër dhe i bëra përshesh me qumësht në një tas plastmasi. E lashë sa hëngri dhe e thirra të vinte.
U afrua, me hapa të ngadaltë duke kuisur me zë të ulët, si të lutej. U tregua i afrueshëm. Mu dhimbs. E ledhatova  midis veshëve e pastaj në shpatulla. I pranoj ledhatimet dhe mu fërkua pas këmbëve.
     “Si thua, bëhemi shokë? Si e ke emrin? S’di të ma thuash, por sido që ta kesh, unë do të quaj  Çapi. Si thua, të pëlqen Çapi?”
     Përgjigja qe një ungërimë e mbytur si kuisje, që s’më thoshte asgjë. Ky emër mu kujtua se e  kishte qeni i gjyshit nga nëna në fshat.
     Çapi qëndroi me mua. Qëlloi i mençur dhe i dëgjueshëm. U bëm shokë të pandarë.
      5
     Ra njkë shi e zbuti dhenë. Nuk e di pse mu kujtua ky varg i një kënge të vjetër. Kur nuk pritej, në mesgushti, pasdite qielli u zu e u mbulua me re që sa vinin e dëndësoheshin. Nuk pati as bubullima as shkrepëtima. Shiu filloi i qetë e i shtruar, zbriste nga qielli ngadalë. Toka e tharë dhe e plasaritur nga të nxehtit, kishte hapur gjoksin dhe e priste me etje duke pirë çdo pikë, dihaste e frymëmerrte duke çliruar atë aromën e veçantë pakëz si të amësht e të pikërrt që është parfumi i trupit të saj,si aroma e gruas pas banjos. E ndjeja me gjithë qënien time. Shiu kurdo që bie, eshte një bekim, por ky i gushtit është një dhuratë me bereqet. Nuk rreshti gjith natën. Pikat trokisnin mbi çadër dhe kënga e shiut më nanuriste si ninullë. Bëra gjumë të qetë e pa ëndërra.
     Mirëmëngjes o  diell!
     Mirmëngjes o ditë e re!
     Qielli, pylli, kodrat e lugina të lara nga shiu llapsnin e ndrinin. Ndjehej freskia e këndshme. Mora Çapin, hodha çiften në krahë dhe bëm një shëtitje nëpër pyll. Vesa më freskonte pulpët.Merrja frymë me gjithë mushkritë. Kur u kthyem, bëra një kafe të madhe me qumësht pluhur, me të përcolla biskotat që ishin bërë gur të forta, pastaj, o burra në punë! Toka ishte lagur e zbutur, kazma hynte si në brumë. Mora në dorë plisat e ugarit,që i kishte pjekur dielli, nga shiu ishin thërrmuar e shkoqur si bukëvale dhe u derdhën nëpër hapësirat e gishtave. Punova me dëshirë e pa ndërprerje, se e dija që dielli do ta thante sërish tokën, por u detyrova ta ndërpres. E lehura e Çapit bëri të shihja që dikush ishte te lesa e gardhit. E qetësova Çapin dhe e hapa lesën.Para meje qëndronte një vajzë e re, këmbëhollë, mbathur me atlete pa çarape, pantallona të shkurtëra xhins(pantallona u thënçin se ishin si breçka)me funde të zhduritura e fijezuara. Kanotjerja me gushë të hapur, i linte t’i dukeshin të ndarat e gjinjve, flokët të prera shkurt e të ngrira me xhel si gjemba iriqi. E bukur? S’mund ta them..simpatike? Po. Buzëqeshja i shkonte shumë. Në shpinë kishte hedhur një çantë udhëtimi me rripa. Më ngjau se diku e kisha parë. Më shihte drejt në sy me një buzëqeshje të shtirë.
      -Kështu i pret miqtë! Nuk po më fton të hyj brenda?
      -Njihemi gjë?
      -Pa mendohu mirë!
      - Nuk më kujtohet gjë. Kush je ti?
      - Liza në botën e çudirave.
      - Qënke në humor.
       Në vend që të përgjigjej, ajo, pa prtitur ja shkrepi të qarit dhe lotët i rrodhën çurk. Po kjo ç’qe? U çudita e  u zura në befasi. Ç’është e drejta lotët si duroj dot.
      -Pse, kaq shumë kam ndryshuar sa s’më njeh dot. Jam Linda, kam qënë dy vjet posht teje në shkollë. Si edhe ti kisha ardhur nga shtëpia e fëmijës. E mban mend sa herë kemi kërcyer në mbrëmjet e vallëzimit?
      -Ah, tashti po, më kujtohesh. Eja Brenda.
       Më ndoqi pas. Qëndruam të heshtur ,  ndën hije të gorricës, pa ditur nga t’ia fillonim.
      -Hiqe çantën, me se e paske mbushur aq shumë?
      - Me gurë, që të mos më marrë era!- e hoqi çantën nga supat dhe u ul.
      - Si më gjete?
      - Pas zërit kokoshit, ta gjeta shtëpinë-cicëriu ajo- duke më treguar celularin, pastaj nxori një pasqyrë të vogël dhe fshiu me kartopecetë vazhdat e zeza të rimelit që i kishin mbetur nga lotet nëpër faqe.
      S’po i jepja dot udhë kësaj ardhjeje të Lindës. Kujtuam vitet e shkollës, të njohurit e përbashkët, mësuesit dhe pastaj biseda shterri. I vetëm me të, u ndjeva në zor.  E pyeta pse kishte ardhur.
     Më tha se në qershor kishte mbaruar shkollën në degën e “Hoteleri turizmit”. I kishin gjetur punë në një butik si shitëse. Kishte punuar dy muaj, por e kishin pushuar se gjasme s’dinte të sillej mirë me klientet, por e kishin liruar vendin për një tjetër. Më pas, ishte punësuar në një motel periferik që e quanin Apollon si kameriere. Më la të kuptoja se atje i kërkonin ca shërbime që ajo nuk i honepste dhe nuk mund t’i bënte. Pastaj ma tha troç:
     -Mora vesh për ty dhe erdha. Ne jemi njësoj, të dy jetim, pa njerëz të afërm, fatkeq. Të ngjashmit gjejnë njëri-tjetrin. Dua të rri me ty, e t’i ndajmë tok të mira e të këqia!
      Kjo ishte e ç’ishte!
      - Si të rrish me mua? Thuajse pa u njohur dhe ….pa u dashur!
      - Kush tha të më duash? Zere se më ke kushërirë apo ca më shumë, motër, njeri  të afërm, si të jemi rritur tok. Bëhemi ortakë. Ke për të parë se edhe unë di të punoj. Pastaj do kujdesem për ty: do të gatuaj, do të laj ndrresat, do të arnoj çorapet dhe do të bëj shoqëri, ti nuk do të jesh më vetëm. S’do të jem barrë për ty, ke për ta parë do t’a nxjer vetë bukën e gojës! Fliste shpejt e si me gulç, në sy i lexohej lutje e përgjërim, pamja e fytyrës ishte për t’u mëshiruar.
      - Gjë që s’bëhet- ja preva pa u menduar gjatë- shko nga ke ardhur!
      Ajo ja shkrepi të qarit. Supat i dridheshin, sytë e saj luteshin.
     -Ku të shkoj? Në këtë botë të madhe, por që s’ka një vend për mua. Jetime, pa njeri, e vetme, pa punë, pa shtëpi, pa katandi. Fatin e jetimit mos e pastë as qeni! Ç‘them dhe unë, ti qenin e ke pranuar! Si thua, më pak se ai vlej unë për ty?
      Ngashërehej, fliste me gulçe, lotët i rridhnin nëpër faqe. Ishin lot dhimbjeje, dëshpërimi, mbledhur në shpirt si vrer kushedi prej sa kohësh, apo nga një e keqe që i kishte ndodhur së voni. Ishte për t’u mëshiruar, por ç’mund të bëja unë? Kur nuk po merrte një pergjigje, qaramania u bë grifshë;
      -Për mua ka dy zgjidhje: ose nikoqire, në daç edhe ortake në fermën Robinson, ose lavire në motelin Apollon se kjo më ka mbetur! Këtë do ti mor i pashpirt, që unë të shes trupin? Hë, folë, këtë do?- Fytyura iu egërsua, sytë i shkrepëtinë, më zuri fort këmishën në gjoks dhe më shkundi fort. U shqita dhe u zbrapsa se mos më jepte ndonjë shuplakë.
     -Pse, këtu ka arritur puna? Ti je njeri i lire. Kërko një mundësi dhe do ta gjesh. Mos u kap pas meje! Pastaj, ti je femër, dhe femrat gjithmonë e kanë një telash me vete! Si i thonë, zjarri dhe baruti nuk rrinë bashkë!
      -Liri i thua ti kësaj?Kjo eshtë më keq se skllavëria. Se fundja skllavit ia jepnin një copë bukë sa të mbante shpirtin gjall. Sa për atë havalenë mos gjyko si prapanik.
       U shamatuam gjatë, por në fund u thyeva.Pranova që ajo të qëndronte me mua. Mu kujtua nga bibla Adami: që ai të mos ndjehej i vetmuar, Zoti krijoj Evën. Se burri ka nevojë për grua. Mua fati po më sillte Lindën! Asaj iu duk sikur i fala botën, në fytyrë iu kthye pamja e paqtë dhe një buzëqeshje mirënjohëse, më përqafoi dhe shtrëngoi fort në gjoks “Ke për të parë sa e mirë do të jem për ty, s’ke për t’u penduar” tha si me pëshpëritje. Hym në çadër.
      - Nga jashtë nuk duket, por qenka e bollshme edhe për dy veta. Unë do të fle në këtë anë që është e lirë. Gjumin e bëj të qetë dhe nuk gërrhas.
        Kishte kaluar vakti i drekës. Linda hapi çantën dhe nxori një pako, e çpështolli dhe shtroi mbi peceta dy hamburger dhe dy bidona koka-kola. E kishte sjellë drekën me vete. Qoftet dhe qebapi mbanin aromë të mirë. Drekuam në heshtje, pastaj i fola dhe i bëra të qarta kërkesat  e mia. Të hidhurat që në fillim. S’më kundërshtoi për asgjë. As mirë as keq. I rrëfeva skicën që kisha bërë dhe me nota optimizmi dhe entuziaste si e parafytyroja fermën tonë: në krye ullishtja, pastaj vreshti, shtëpia dhe oborri i lulëzuar, arat me të mbjella, terracat e perimeve….. Linda dëgjonte. Kur mbarova, ajo tha:
        -Ëndërr agronomike! Si në përrallën  me urdhër të peshkut!
        Më erdhi inat. Ato që i thashë vërtet i besoja, isha i bindur, ashtu e kisha vendosur. Nuk duroja kundërshtime. E pse jo? Isha i ri, i fuqishëm, i arsimuar, e mbi të gjitha i vendosur. Gjithmonë ka një fillim, dhe unë e kisha filluar. Lufta për ekzistencë kërkon edhe guxim.
         -A e ke menduar që më shumë se gjashtë miliard njerëz tre herë në ditë ulen për të ngrënë vaktin në tryezë. Nga vjen ai ushqim? Është prodhim i tokës dhe punës së bujqërve, përvojës, punës, mundit dhe djersës së tyre. I atyre bujqërve që me përbuzje i quajnë fshatarë, të trashë e malokë. Bujqësia është profesioni më i vjetër në botë dhe bujku njeri i nderuar! Shtetet më të përparuar janë ata që kanë bujqësinë më të zhvilluar. Jo si ne që s’punojmë tokën tonë dhe ankohemi nga varfëria!
        Linda e ktheu në shaka. Duartrokiti dhe tha: “ bravo professor”, siç e ke nisur do të bëhesh deputet!
       Kaluan ditë, kaluan javë. Linda punonte me mua me të keq e pa ditur sesi. Duart ju vranë, i dolën kallo, ata thonjtë e bukur ju thyen dhe ajo i preu rrafsh , manykyri ju fshi. Djersët i rridhnin çurk. Duronte lodhjen dhe mundimin. Duket se e kishte vendosur: Asnjë ankesë. Ushqeheshim si mundnim, varfërisht, por nuk na vinte uri dhe puna ecte, toka e punuar shtohej përditë. Ndërtuam edhe terracat posht burimit për të mbjellë perimet e vjeshtës, gjithësa do të na duheshin për konsumin tonë: lakra, lulelakra, presh e qepë, karrota, rrepka, erza, spinaq e pazi. Në tregtoren e fitofarmacisë, ku bleva fidanat,agronomi i vjetër,që e quanin Kozma Ndreko, shumë dashamir, më fali disa paketa me farëra që ishin në prag të skadencës por që nuk e kishin humbur fuqinë mbirëse, më dha edhe një broshurë me udhëzime për selitjen e perimeve dhe plot këshilla të vlefshme.
          Në gusht-shtator e më pas, filluan të piqen frutat e pyllit. Thanat kuqëlonin që larg, manaferrat kokërrmëdha si diamante të zinj, kulumbritë me pah të përhinjtë dhe reflekse mavi, maretë vareshin në degë si vathë të kuq, trëndafilat e egër ishin plot kokrra të kuqërremta. Lajthitë sido kokërrvogla, kishin thelpinj të shijshëm erëmirë. Linda bëri lëngje, prevede dhe reçel, mbushi vazot si zahire dimri, përditë shpija në tregtoret e qytetit arkat e mbushura plot. Lajthitë , i bleu një punishte akulloresh. Çmimi i shitjes ishte i mirë dhe ne patëm ca të ardhura nga s’i prisnim. Me to do të blenim farërat për mbjelljet e vjeshtës.
            6
            Bashkësisë sonë ju shtua edhe një pjestar i ri: Pirati.
           Ndodhia është pak për të qeshur, por unë do t’ua rrëfej. Te kopshti i perimeve, vura re se një kafshë mi hante lakrat. Në tokën e butë vura re gjurmë që mu dukën si këmbë lepuri. Bëra disa leqe me tel dhe i vura në shtigjet e kalimit të hapsirave të gardhit. Të nesërmen kur shkuam të shihnim, dëgjuam mjaullima të forta. Në vend të lepurit kishte rënë në lak një maçok, trupmadh, I përhinjtë me blana të bardha. Në përpjekje për t’u liruar, laku i kishte shtrënguar fytin dhe mezi merte frymë, gulçonte mjaullinte dhe ishte bërë bishë.U afrova ta zgjidhja por ai harkoi shpinën, kreshpëroi qimet, nxori kthetrat, u gafrrua, gërthiti dhe zbardhi dhëmbët e mprehtë sit ë donte të më shqyente. Një tigër në miniaturë. I erdhëm rrotull por s’na qaste. Po ta linim, edhe pse thonë se macja ka shtatë shpirtëra, me siguri do të ngordhte. Dhe faji do të ishte imi. Atëhere, morëm një xhakavento xhins dhe ja hodhëm përsipër, e pështollëm dhe ja zgjidhëm lakun. Megjithëse kundërshtonte, e shpum në çadër, dhe  e “ burgosëm” nën një arkë plastmasi. Bëri potere, majulliu e u përqall, goditi me putra paretet e arkës, por nuk e liruam. Kur e lanë fuqitë dhe e kapiti uria, i dham për të ngrënë. Linda e lau dhe i vuri një kordele në qafë. E quajtëm Pirat. Ai u miqësua dhe u lidh me Lindën, shkrinte nga lezeti kur ajo e përkëdhelte. Natën flinte në fund të këmbëve të saj. Por nuk e harroi zakonin e vjetër,ditën delte për gjueti dhe vriste ndonjë zog apo kafshë të vogël.
      Kishin kaluar dy muaj që linda flinte nën çadrën time dhe bënte detyrat e amvisës si të ishte zonjë shtëpie.Linda moj Linda! Si do t’i shkojë filli shoqërisë  sonë? Jetojmë nën një strehë, shpesh hamë në një pjatë, punojmë në një ovrat, kujdesemi për njeri-tjetrin, por unë ende nuk po gjej tek ti atë tërheqje që e quajnë dashuri. Për mua ajo ishte një shoqe e afërt.Ajo dritë dhe shkëndijat që buronin prej syve të saj, e që flisnin shumë , nuk arrinin të ndiznin brenda meje atë zjarr që e quajnë dashuri. Por si lind dashuria? E vërteta është që ndjej dhimbsuri, por edhe përgjegjësi për jetën e saj. Mos pas tyre vjen edhe dashuria? Apo në fillim lind dashuria, vetiu, si një goditje trullosëse në zemër, e më pas  dhimbsuria dhe përgjegjësia? Këto mendime më silleshin në  mendje si një gjë a gjëzë  dhe unë s’dija tu jepja udhë.
      Një natë s’po më zinte gjumi.
     - Gimi, nuk të flihet- pyeti Linda që nuk e di pse u zgjua.
     -Jo. Besoj tashti do të fle.
     -Përse mendon?
     - Mendimet vijnë rrëmujshëm e të trazuara si një gjeratore.  S’di cilë të veçoj. Po ti?
     - Për ne të dy- tha ajo duke psherëtirë dhe zë ulët si t’i fliste vetes,- Kaq të afërt e kaq të largët- pastaj zgjati dorën dhe rroku timen. Ndjeva ngrohtësinë dhe atë pulsimin e veçantë të më depërtonte në shtat. Nuk e hoqa dorën.Parandjeva se diçka mund të ndodhte. Linda u afrua ngadalë, ma vuri dorën nën krye, ma ngriti pak kokën, ndjeva frymën e saj dhe ngrohtësinë e buzëve që u puqën pas të mijave me fërgëllimë….. ndodhi ajo që i druhesha por edhe që e dëshiroja. E merrni me mënt. Ju dham njeri - tjetrit.
      Adami tashti kishte Evën e tij dhe Eva Adamin e saj! Kjo natë bëri që të ndjeheshim më të lidhur e të afërt me njeri-tjetrin. Fjetëm të përqafuar. Kur ra mëngjesi e u zgjuam, linda kishte çelur si një lule e zbukuiruar nga buzëqeshja që rrëzëllinte si një shkulm drite. Ndjehesha i lirë dhe i shpenguar nga ajo që e prisja të ndodhte e që më mbante të lidhur e ndjenja ngurtësuar. Ç’ishte për të bërë, u bë, vetiu si një thirrje zërash të brendshëm e vrundullim zemrash, natyrshëm  me dëshirë e pa pendesë.
      Punonim, lodheshim, bënim dashuri dhe kjo na çlodhte.       
      E tillë është jeta,një ekzistencë midis katër elementeve: tokës mëmë që mban dhe ushqen tërë gjallesat, ujit, që pa të s’ka jetë, zjarrit, jo vetëm atij që na dhuroi Prometeu po dhe atij zjarri që digjet në vatrëne diellit e që na jep dritë,  dhe ajrit, e gjitha kjo me gjithë krijesat e saj, është ajo që ne e quajmë natyrë dhe ne jemi pjesë e saj. Por është edhe një element i pestë: puna, vullneti njerëzor, për të përdorur burimet natyrore dhe për të shndrruar atë që është e padobishme në të dobishme. Këtë ishim duke bërë bashkë me Lindën. Edhe pse dikush mund të na quante të “marrë”, kjo na bënte të ndjeheshim  krenarë  dhe punën  tonë t’a quanim të vlerësuar.
      Fillimi i vjeshtës së parë erdhi i ngrohtë e i ndritur, më pas u freskua dhe gjethet u ngjyen me të verdhë.Nuk vonuan edhe shirat.Po afronte koha e të mbjellave.
    Ndjeja këngën e tokës. Vinte së thelli,si një jehonë, si një melodi shumzëshe, me gjuhën e fshehtë, me misterin e nëndheut,  ngjyhej nga ari i dritës së diellit, ermironte me parfumin e saj të veçantë që trazohej me puhinë e ajrit dhe shpërndahej hapësirave. Ishte si këngë e gëzuar dasme, toka priste të martohej, priste në gjirin e saj  farën që ti falte jetë e dashuri, të bëhej e plleshme e të mos mbetej shterpë. Jo kushdo e ndjen këngën e tokës.Duhet ta duash,të jesh i lidhur shpirtërisht me të, ta kesh mbrujtur me djersë dhe unë e doja. Për të kisha derdhur djersë e lagur çdo plis tërë verën. Ajo këngë ishte si një grishje e premtim për realizimin e një ëndërre.
      Ishte koha e të mbjellave. Po mbolle do të korrësh dhe ç’të mbjellësh do të korrësh! Unë po mbillja, dhe fara ishte e zgjedhur, e fisnikëruar, i tillë do të ishte dhe fryti që do të korrja. Të hedhësh farën në tokë është si një rit i shënjtë. Fara! Një kokërrz, që ruan të fjetur  brenda vetes jetën . Një mrekulli, një sajesë e natyrës për të ruajtur dhe përtërirë krijesat e saj. Në tokën e gatitur mbollëm grurin, elbin dhe thekrën. E mbuluam me shat dhe pastaj e dystuam me një trinë që e kasha bërë me thupra. U mbreha në të si të isha kalë! Prisja me padurim shfaqjen e bimëzave. E dija se çpo ndodhte. Farat i ishin dorëzuar tokës. Në gjirin e saj, si fëmija në gjinë e së ëmës, ato në lagështi e të ngrohtë,  po kryenin atë alkimi shndrrimesh që po iu jepte jetë  embrioneve, daljes së rrënjëzave dhe mugullimit të sythit të gjetheve. Rrënjëzat me ngut pështillnin tokën dhe depërtonin thellë nga ku thithnin lëndët që të ushqenin bimëzën, teksa mugujt e kërcejve çanin tokën e ngjiteshin lart në kërkim të dritës dhe ajrit për të shndrruar në sheqer ujin dhe gazin karbonik që tua përcillnin rrënjëve. Ishte si pritja e lindjes së një fëmije. Nuk vonoi dhe bimët mbinë, pak e nga pak toka u gjelbërua dhe u mbulua nga qilimi i gjelbër i gjetheve. Gëzim për sytë, kënaqësi për shpirtin! I shihnim dhe s’nginjeshim së pari.
     Më pas mbollëm thierzat, qiqrat, bathët, bizelet, përgatitëm vendin për fasulet, qepët e hudhrat……pastaj hapëm gropat për mbjelljen e ullinjve dhe pemëve.
                                                                 *      *       *  
       Ditë të mbushura me punë.
       Po afronin të ftohtat. Nuk mund të dimëronim në çadër.Në qendër të komunës kasha parë një rulot të vjetër. Ishte i sipërmarrjes së mirëmbajtjes së rrugëve. Ata nuk e përdornin më. Bëra Pazar me ta dhe e bleva me çmim të pranueshëm  e me pagesë  të ndarë në këste, duke filluar nga korrjet e vitit të ardhshëm. Baçi e rimorkjoi me dum-dum dhe na e solli në fermë. E vendosa aty ku ishte çadra. Linda e quajti me shaka “Shtëpia me rrota” dhe e pastroi me themel. Mbyllëm plasat me shtupë dhe i dham bojë jashtë e Brenda. Ishte si një çlirim. Aty, ca si ngusht, por kishim gjërat e domosdoshme e  mund të jetohej. Muret e brendshme i zbukuruam. Në ballë vendosa fotografinë e prindërve të mi. Linda u ndje ngusht.Ajo s’i kishte njohur prindërit që e kishin sjellë në jetë, dinte emrat e tyre, por edhe ata e pasigurtë nëse ishin të vertetë. Edhe pse këtë gjë e dija, atë ditë më erdhi keq për të.  
       Vija re që linda ishte zbukuruar, harlisur dhe çelur si një lule kur vjen pranvera. Ja thashë. Ajo u miklua dhe ma ktheu tërë naze:
        -Zbukurohem për ty!
       7
        Thonë mirë:shtrigat s’të lënë të bësh dasëm. Ishin një “shtrigan” dhe një “shtrigë”. Duhmën e tyre e ndjeu Çapi që nisi të lehë me kokën drejt lesës së gardhit. E qetsova dhe ngava para që të shihja se kush ishte. Pashë një çift. Djali më përshëndeti duke ngritur dorën. I përshëndeta. Djali i veshur me plaçka lëkure dhe çizme ,size të errëta, kishte mjekër të shkurtër dhe flokë të lidhur bishtkali. Vajza, streçe dhe minifund, posht xhakaventos xhins, dekolte e hapur. Kishte bërë tualet të rëndë.
        -Jemi shokë të lindës, unë jam Berti dhe kjo e fejuara ime Lola. Kemi mall për të dhe erdhëm ta takojmë.
        Linda s’më kishte folur për ta dhe emrat e tyre(po qe se ishin të vërtetët) s’më thoshin gjë. Sido qoftë i ftova të hynin në oborr. Sakaq, u afrua dhe Linda. Vërejta që nuk i pëlqeu kjo ardhje , ajo thjesht u dha dorën ftohtë sa për mirësjellje.
      -  Ku humbe moj linda? Si na ike tinëz e pa thënë një fjalë.Ti na kishe dhënë fjalën që nuk do të ndaheshe nga shoqëria jonë. Nga s’të kemi kërkuar këto kohë, por tek e fundit ja: të gjetëm! Lola u mërzit shumë pas ikjes sate- tha Berti – dhe po më bën të çuditem, që braktise një pallat dhe luksin për një rulot në humbëtirë- pastaj më hodhi mua një shikim përbuzës, por nuk tha gjë. Ai shikim përçmues thoshte gjithëçka.
       - Bëra zgjedhjen time, ju s’keni pse të qederoseni-u përgjegj Linda.
       - Ti s’je veç një çupëlinë dhe s’e kupton që ke bërë zgjedhjen e gabuar e i ke rënë të mires me shkelm. Kemi ardhur të të marrim. Makina na pret te rruga.
       - Hiqeni nga mëndja. Veç e vdekur!
       - Kur të dëgjosh se ç’do të të them, ke për të ndërruar mendje. Kemi gjetur punë në Milano, në një restaurant luksoz, me pagë e kushte të mira jetese. Do të shkosh bashkë me Lolën. Dokumentat i kemi bërë gati. Pasaportat, vizat, gjithëçka duhet për të udhëtuar si njerëz. Aty u presin Gazi me çupat e tjera. Do jetosh si në përrallë. Hë, si thua?
       -Faleminderit për kujdesin. Përgjigja ime është jo dhe jo! Shihni punët tuaja, unë e kam timen.
        Dëgjoja i heshtur,por i tronditur nga kjo e papritur, pa marrë pjesë në bisedë. Ishte e drejta e Lindës të përgjigjej dhe të vendoste, por kisha një parandjenjë se punët mund të merrnin për keq dhe nuk gaboja. Berti u skërmit, në sy i feksi një dritë e keqe e verdhëreme dhe në çere i ra hija e zemërimit që i vinte së brendshmi. Humbi qetësinë dhe shtirjen.
-Dëgjo ti kuçkë e vogël, do s’do, gjall a vdekur ti do vish me ne. S’ka lindur akoma ajo që tallet me mua- dhe e zuri nga krahu që ta tërhiqte. Linda desh të shqitej por nuk mundej.
 -  Lëshoma krahun se më vrave!
             Çapi , kur pa që ata kapën Lindën,duke lehur egërsisht e duke kërveshur dhëmbët, u sul mbi ta, por Berti arriti ta godiste me shkelm në brinjë dhe qeni u tërhoq duke angullirë thekshëm. Më këputi shpirtin.
              Lola e kapi Lindën nga krahu tjetër:
             -  Eja zemër, besoje motrën, është për të mirën tënde!
             Ishte radha ime. Këtu, ditën më drekë po luhej një dramë rrëmbimi, mbi vajzën me të cilën bashkjetoja e që ishte bërë pjesë e dashur e jetës sime. Teksa ata po e tërhiqnin zere zvarrë Lindën, u turra në rulot dhe i bëra një telefon policisë, pastaj mora çiften, që ishte e mbushur dhe u derdha përjashta. Linda bërtiste, thërriste emrin tim dhe mundohej t’u shpëtonte nga thonjtë.
          -  Lereni Lindën, ndryshe do t’u qëlloj- i kërcënova dhe i drejtova armën me gishtin në këmëz.
          Rrëmbyesi, nxori nga brezi revolverin, i hoqi siguresën dhe ja vuri tytën në kokë lindës.
           -  Ule armën, përndryshe, qaje kuçkën, kam për t’ia hedhur trutë në erë! E them dhe e bëj!
           - Gimi-klithi Linda- mos, bëj si të thotë.
          Na ndanin pak metra. Me armët në shënjë. Vdekja ishte në mes, mjaftonte një tërheqje gishti. Atë çast isha bërë tym. S’mendoja asgjë, por thirrja e lindës më solli në vete dhe e ula grykën e armës.
          -  Ashtu djalë i mbarë!- tha gangsteri dhe e tërhoqi Lindën thuajse zvarrë duke ecur praptazi, por duke ia mbajtur revolverin në kokë.
         Qëndroja i shtangur, trupmpirë, ata kishin marrë prenë e tyre dhe po largoheshin teksa mua zemërimi po ma errësonte arsyen. Befas pata një çast kthiellimi. Me çiften në dorë i ndoqa pas. Lindën e plasën në ndenjëset e pasme, ata të dy u ulën përpara. Kur sapo ndezi makinën, mora shenjë gomën e parë majtas dhe e qëllova. Kisha goditur në shenjë. Goma skopjoi me zhurmë si shpërthimi i një bombe dhe u ngrit një shtëllungë pluhur, kurse makina u rrotullua në vend. Linda Zbriti me vërtik dhe zuri vrapin. Rrëmbyesi dhe shoqëruesja e tij zbritën nga makina. Ai qëlloi me revolver, por në ajër, jo për të na vrarë por për të na trembur. Linda mu hodh në krahë. Dridhej si një zog që bie nga çerdhja. Mbusha çiften, pa menduar se ç’po bëja. Rastisi që në rrugë qëlluan kalimtarë që ktheheshin nga qyteti. Ata na njihnin, mbajtën këmbët dhe u afruan pranë nesh. Berti u detyrua të fshihte armën dhe të tërhiqej duke na sharë me rrënjë e degë, nxori gomën rezervë dhe nisi ta montojë. Ndërkaq, në kthesë të rrugës u dëgjua sirena e makinës së policisë që nuk vonoi të vinte.
     Oficeri i policisë më pyeti se ç’farë kishte ngjarë. Ja rrëfeva. I quajturi Berti për ta ishte kontigjent kriminal i njohur. I vunë prangat dhe i komunikuan arsyen: rrëmbim personi me qëllim trafikimi dhe armëmbajtje pa leje, ndërsa Lindës si bashkpjesmarrëse në krim. Sipas neneve përkatëse, u treguan dhe dënimin që i priste.
       Ajo ngjarje shkaktoi një të krisur mes meje e Lindës.Dyshime të pafund dhe hamendje ogurzeza mi pushtuan mendimet. Linda u mpak e u bë një grusht njeri.Pas një hezitimi të gjatë, bëra pyetjen që nëse përgjigja do të qe si e mendoja, do të ishte fatale:
      -  Ke shkuar me Bertin? Rrëfemë të drejtën. Dua ta di, se po më plas zemra!
      -  Jo. Kjo është e vërteta. Besomë. Ishte kjo arsyeja që  unë u largova prej andej.- Zëri  i dridhej dhe sytë ju rrëmbushën me lot.
      -   Pse s’ma ke thënë?
      - Besoj të kujtohet. A nuk të thashë atë ditë, ose nikoqire në fermën Robinson, ose lavire në motel “Apollon”? Mu duk që kaqë ishte e mjaftueshme.     
       Përgjigja mu duk bindëse. Ajo kishte të drejtë.
     

        8
        Dimëri zvarriste ditët e fundit,pranvera e ndiqte pas, çap pas çapi. Dimri zemërak e godiste me ndonjë ditë të ftohtë e me ngrica, por pranvera i thërriste baba-diellit dhe ai dërgnte ngrohtësi e dritë për të çelur lulet e para.Në korije, kulumbritë dhe murrizet hodhën vellon e bardhë të luleve si fustan nuserie.
       Për ne dimëri kaloi  me punë: mbollëm ullinjtë, pastaj pemët, pesë rrënjë nga çdo lloj dhe në fund i erdhi radha vreshtit. Ferma po merrte pamje të plotë. Po gjallërohej bashkë me natyrën . Me ngrohjen e motit, të lashtat u ngritën dhe u kallëzuan, bishtajoret lulëzuan e u mbushën me plot lule të vogla borë të bardha, mbinë farërat e mbjella në farishten e perimeve . Erdhën ditët e kthiellta, të kaltra, me dritë lbyrëse e të ngrohta. Natyra u vesh me të gjelbër  , njerëzia  xhveshi  rrobet e dimrit. Gjithëçka ndryshonte para syve tanë: I pari u zverdh dhe u poq elbi, që i shkeli synë grurit që s’deshi të mbetej  pas , ca më vonë thekra shtathedhur. Ara u mbush me arin e kallzave të arrirë. Ishte një shndrrim që ne e ndiqnim përditë, një tabllo që ndrronte ngjyrë si me magji  dhe merrte formën përfundimtare.
      Erdhi koha e të korrave. Çoheshim heret, që mos të na zinte vapa.E nisëm me elbin.Që ditën e parë Linda preu dorën e majtë, por pak. Edhe të korrurit kishte ustallëkun e tij. Gruri na hëngri më shumë kohë e punë dhe në fund thekra. Lidhëm duajt dhe i vendosëm në kapule tre e nga tre, në rresht, si skuadrat e një ushtrie. Ishte ushtria e bukës. Thonë, që sado me kujdes të korrësh, ara e mban farën. Pas korrjes u kthyem dhe mblodhëm kallzat. Nuk donim  të na shkonte dëm asnjë kokërr. I lidhëm në dorza.
     Shkova në fshat dhe porosita të  vinte makina shirëse. Ishte një makinë e vogël nga permasat që e tërhiqte dhe e vinte në punë një traktor me goma. U deshën dy dit që shirja të përfundonte. Prodhimi ishte i mbarë. Gruri ishte i pastër,qelqor, i rëndë, elbi me një cipë ngjurë okërr, thekra kokërrgjatë e pak si e mpitë.Shihja pirgjet e drithrave  dhe në mua u dëgjua kënga e jetës . Në atë këngë përzjeheshin zërat e gjithë moshave. Ishte këngë gëzimi.Bashkë me të mu shfaqën vegime fëmijësh më biskota ndër duar, tryeza të shtruar me lloj e lloj bukësh,gjevrekësh, simite me atë ermirimin e sapo dalë nga furra, amvisa që tëhollnin petët, pjata mbushur me makarona, trahanaja që avullonte, pitet që sapo dilnin nga furra, ëmbëlsirat dhe byrekët….ishin pamje me ngjyra të ndritura, plot diell, ku spikaste siguria e qënies, kënaqësia e shijimit, pjesë e jetës së përditshme. Gruri ishte i denjë për një poemë, ishte palca e jetës. Profecinë biblike e shihja të  përmbushur: ”Kush punon tokën e tij, do ta ngopë barkun me bukë!”
      I lam  togjet që të thaheshin, i hodhëm në erë që të ndahej ai pak byk që kishte mbetur dhe mbushëm thasët. I vum stivë dhe i mbuluam me mushama se mos na zinte ndonjë shi. Aty ishte buka jonë, buka e njerëzve! Fryt i punës dhe lodhjes, në çdo kokërr ishte djersa jonë. Tani i dhashë kuptim atij mallkimit që kisha dëgjuar të thuhej:”Të vraftë buka e gojës!” Toka ishte treguar bujare, por  s’na e kishte dhënë si lëmoshë, por si këmbim të punës. Një natyralist i njohur kishte thënë: ”S’duhet të presim lëmoshë nga natyra, t’ja rrëmbejumë asaj. Kjo është detyra jonë!” S’më pëlqen fjala rrëmbim, më duket e ashpër, e dhunshme. Kjo e jona ishte si një bashkmarveshje:  një këmbim i punës me prodhimin, toka na e kishte shpërblyer kujdesin për të  me të mira material,atë që është ushqimi ynë i përditshëm.  
        Prodhimin e shitëm që në lëmë. Mbajtëm vetëm pak gjë për vete. Tërë grurin, tre ton, e bleu fabrika e makaronave, elbin fabrika e  birrës dhe thekrën fabrika e miellit. Llogaria rrjedhëse në bankë u shtua shpejt.
      Kur i thonë fjalës, s’kishim kohë të merrnim frymë. Puna zinte punën: duheshin vjelë bishtajoret , thierzat, bizelet, bathët, qiqërat, fasulet, ishin arrirë dhe kishte rrezik të shkoqeshin. Pa ishin edhe bimët mjekësore, ujitja , kujdesja dhe vjelja e perimeve.  Domatet nisën të kuqëlojnë, specat jeshilonin, patllixhanat vareshin si ca vathe blu…çdo mëngjes vinte nje kamionçinë e restaurant”Natyra” dhe i merrte si prodhim bio.
                                                               * * *       
  Në këtë kohë, si të mbinte nga dheu çatisi një gazetare eTV.Klan me gjithë kameramanin.Quhej Alma Çupi E shkathët, gazmore, e qeshur, me një zë tingëllues, cicërinte si kanarinë.  Na intervistoi mjeshtërisht e si pa kuptuar dhe filmuan gjithëçka tonën pa harruar edhe Çapin dhe Piratin. Ajo filmoi tabelën me emërin e  fermës tonë “ Robinson”  mua më cilësoj si: ”Robinsoni në ishullin pa det” dhe emisionin e titulloi “Në kërkim të arit të gjelbër”. Linda deshi ti mbante për drekë po ata nguteshin për gjetkë. Iku siç kishte ardhur, e qeshur dhe dashamire, si një rrymë oksigjeni gjallërues.
         Emisioni u dha në television. Dukej që ishte ndjekur nga qindra shikues se filluan të na vinin mesazhe dhe imeile në fb. jo vetëm me përgëzime por edhe me oferta dhe dhurime. Firma “Agrotek” na ofroi një traktor “Landini” dhe agregatët e tij me kredi afatgjatë, Fidanishtja “Rameta” fidana frutorë falas, “Agrohelpi” pesticide për mbrojten e bimëve dhe vreshtit. Ferma e dhive “Alpina” na premtoi një ftujë barsë, me kusht që një nga kecat që do të pillte t’ja  kthenim asaj, me kushtin:”Jep një dhe merr një”
        Ishim bërë të njohur! Vendosa që këto mundësi ti shfrytëzoja.  I pari do të ishte traktori. U deshën kapërcyer shumë burokraci, por në fund traktori erdhi. Ishte I markës “Landini”, flakë i kuq, me zinxhirë, tridhjet e pesë kuaj fuqi, lehtësisht I manovrueshëm  dhe i pajisur me aggregate: plug, frezë, kultivator. I bëra një strehë me furka të larta që e mbulova me kashtë thekri. Ndjeva lehtësim në shpatulla e shpinë. Barrën e tyre do ta lehtësonte traktori. Atë verë ngjanë dhe ndodhi të tjera. Bleta roiti dhe u bëm me dy zgjoje. Të më parshmes i morëm mjaltin. Ngjyrë ari dhe aromë lule mali. Me atë rast, linda bëri petulla, i shijonim të ngjyera në mjaltë.
         M’at’anë kodrës, si nja një gjysmë ore larg, ishte ferma e dhive “Alpine”, një racë franceze.Pronari i saj, një ish deputet e politikan, që i kishte braktisur për tu marrë me fermën e tij, më dërgoi ftesë për një vizitë.
        Një pasdite, hodha çiften krahut dhe tok me Lindën dhe Çapin, i shkuam për vizitë. Na priti si të na kishte të njohur të vjetër. Na rrëfeu stallat dhe pa hequr dorë nga zakoni i politikanit mbajti një ligjëratë për dobinë dhe rëndësinë e punës në bujqësi. Na gostiti me djathë të njomë dhe gjizë të freskët dhe siç na kishte premtuar na dhuroi një ftujë barsë. Kushti ishte, që ne nga pjellja e saj, ti kthenim një kec femër. Më dhuroi edhe një libër me titull ”Dhia nëna e njerëzimit” të shkruar nga zootekniku dhe studjuesi i njohur Illo Foto.
     Shkuam tre dhe u kthyem katër. E quajtëm “Alpina”.Ishte e bukur si zonjushe, këmbëgjatë, me kokë delikate, sytë të bukur si të kaprolleve dhe krejt me ngjyrë kafe të çelur.  I ngrita një strehë të përkohshme, por  të rehatshme.
     Lexova librin.Illo Foto, e kishte shkruar me aq dashuri, duke nisur nga Amaltea mitike dhe me dituri shkencore për mbarështimin, sa më la mbresa të pashlyera dhe më bëri që Alpinën e bukur dhe elegante, t’a dua si të ishte pjestar i familjes. Ajo u bë manare dhe na ndiqte pas me atë të ecurin e saj nazik. Me kalimin e ditëve, gjiri ju zmadhua e iu var  thithat iu frynë.  Prisnim me padurim që ajo të pillte kecat. Kujdesin për të ja lashë Lindës.
      

        9
        Koha rridhte si uji, rryma e saj na merrte me vete, lundronim në të shpesh edhe kundër rrymës, ndodhnin ndryshime, të pritura por edhe të papritura, se e besoj që  e keni dëgjuar të thonë se  “Bujqësia është shtëpi pa çati”.Na është dashur të përballemi me stuhitë dhe rrebeshet, me breshërin, ngricat, zhegun përvëlues, thatësirën, me forcat e natyrës që janë shpesh të verbëra, dilnim herë të mundur e herë fitimtarë, por asnjë herë  të mposhtur. Na është dashur ta fillojmë shpesh nga e para dhe këmbëngulja jonë  më së shumti  kurorëzohej me arritjen e synimit të punës së nisur. Ne ishim luftëtarë! Të tillë e ndjenim veten. Kjo ishte fush-beteja jonë. Kishim kënaqësi, gëzime, fitore, por edhe dështime e dëshpërim.
      U rrita, u burrërova. Puna dhe praktika e mbarështimit dhe selitjes së bimëve u bë shkollë, ku përditë mësoja  ndonjë të fshehtë  që shtonte dituritë e mia, po bëhesha  bujk i vërtetë.Tashmë shihja dhe gjykoja jo vetëm bulqizën time por edhe jashtë saj, më larg në hapësirën bujqësore të vendit.
     Bashkë me prodhuesit e perimeve në sera që arrinin në dhjetë  ha. Krijuam shoqatën “Dimri i gjelbër”, kryetar të së cilës më zgjodhën mua. Do të prodhonte perime me kërkesë dhe porosi të një firme daneze në Kopenhagen,atje ku dimëri ishte I “bardhë” nga bora, e cila na furnizonte me farëra sipas kërkesave dhe gustove të klientëve të saj: sallata të tre llojeve, mini karrota dhe rrepka me katër ngjyra dhe erza.
       Më dhimbte shpirti kur shihja qindra hektarë tokë të lëna djerrë . Varfëria nuk mund të shporret me fjalime politikanësh që na thonë sa të  varfër jemi! Tokat ashtu si gratë e fëmijët, prisnin të ktheheshin të zotët nga mërgimi,që në to të lëronte plugu, të hidhej fara dhe njerëzia të gëzonin frytet e punës.Vallë a do të ndodhte? E shpresoja.
     Mësova ta dua natyrën dhe të shijoj bukurinë e saj e të kisha kënaqësi shpirtërore nga ajo që kisha krijuar me duart e mia. Në to kishte shumë poezi e lirizëm dhe muzika që buronte prej tyre kishte tinguj të hareshëm e  hyjnorë. Stinët kanë bukurinë e tyre gjithandej, por  te ne ato ishin të veçanta:
            Kur dimri tërhiqet dhe moti nis të ngrohet, te pemët fryhen sythat,shfaqen burbuqet dhe më pas çelin lulet, që janë stolia e pranverës. Lulëzimi i ngjan një festivali dhe ka bukluri të veçsntë. Larmia e ngjyrave që pikëzojnë transparencën e ajrit pranveror, mozaiku I formuar nga e kuqja, e bardha, trandafilija dhe lejla në sfondin  e rimtë të qiellit dhe të blertën e gjrtheve, krijojnë atë pejsazh të mahnitshëm, që nxit fantazinë dhe dëshirën per krijim:piktori i hedh atë në tablo, poeti në vargje, kompozitori në harmonineë e tingujve…lulëzimi! Emri i kësaj dukurie është vetë bukuria!E para çel bajamja. Ajo duke ju gëzuar ngrohtësisë dhe dritës, “merr në sy” rrezikun e ngricave shpalos azhurin e saj të bardhë, stoli e veshjes së saj pranverore.Sheh lulja lulen dhe çelet. Pas bajames stafetën e marrin kumbullat, kajsitë, pjeshkët, qershitë e vishnjet dhe lulëzimin e mbyll plot bardhësi dhe hijeshi  molla. Luzma e bletëve dhe kandrrave, në kërkim të nektarit, mblesërojnë pllenimin dhe lidhjen e frutave.Nis rritja e shpejtë e frutave. Nuk vonojnë të piqen luleshtrydhet, si vathë të kuq shfaqen qershitë në veshët e gjelbër të degëve, kokrrat e arta të kajsive rëndojnë degët, pa piqen pjeshkët ngjyrë allë e kumbullat blu, më pas në vjeshtë dardhat e mollët. Laroset ngjyroset dhe ëmbëlsohet rrushi dhe  mushti grafllohet në butet e verës….. frutat janë shija e stinëve. Ato vinin në tryezën tonë por edhe në treg  të këputura drejt e nga dega të bukura,aromatike, të shijshme. Pemët tona, që i kishim artisur e selitur, na i bënin dhuratë për kujdesin që tregonim  për to.
      Jetonim mirë. Ushqeheshi shëndetshëm me atë që prodhonim, jo vetëm për vete por edhe për treg: drithrat, perimet e gjithfarshme, frutat, rrushi dhe vera e rakia, vaji i ullirit  bulmetrat nga dhitë, mishi dhe vezët nga shpendët dhe lepujt e butë etj. Blinim pak gjëra.
 
       Epilog
       Kishin kaluar dhjetë vjet.
Në ditët e para të vjeshtës së dytë, nxora makinën nga garazhi dhe e lashë të ndezur para portës. Prisja të Dilte Linda që do të përcillte për në shkollë djalin,Robinin, kurse unë do të shkoja në Rinas për të udhëtuar drejt Kopenhagenit me cilsinë e kryetarit të shoqatës “Dimri i gjelbër” për të shoqëruar ngarkesën e parë të perimeve në tregun e atyshëm.Hodha sytë mbi portë ku ishte shkruar ”Ferma Robinson” Ndodhën shumë ngjarje. Mund t’u  rrëfëja shumë prej tyre,por nuk dua t’u lodh. Lindi  dhe u rrit djali , që është gëzimi i syve tanë. E quajtëm Robin. Lidhëm martesën në gjëndje civile dhe tani si i thonë: burrë e grua mish e thua. Brezi i selvive është rritur dhe ka krijuar një gardh te dendur e të plotë. Rulotin e zëvëndësoi vila dykatëshe, e rrethuar me trëndafila dhe bimë kacavjerrëse. Në katin e parë ështe qilari i verës dhe vajit të ullirit dhe depua e zahireve. Në katin e dytë mjediset e banimit. Posht vreshtit   stalla e dhive, kotecët e pulave dhe lepurave të butë. Anash vilës parku i bletëve me tridhjet zgjoje. Në bulqizën tonë çdo gjë kishte marrë formë e sistemuar për bukuri, pa lënë pa mbjellë asnjë pëllëmbë tokë.
      Sapo doli Linda me djalin erdhi postjeri dhe më dorzoi një zarf. Ishte nga ambasada amerikane.E hapëm me kersheri: Na kishte dalë llotaria amerikane! Linda, për të provuar fatin kishte aplikuar dhe fati kishte qënë i mirë. Pam njëri tjetrin.Të dy e denim. Ne nuk do të shkonim në Amerikë.Pesëqind vjet pas Kolombit ne kishim zbuluar dhe krijuar me punë “Amerikën” tonë. Ndoshta  nuk ishte ajo mrekullija që unë kisha menduar fillimisht,por kisha arritur që një djerrinë të shkretë me tokë të varfër, ta ktheja në një oaz shprese, jetese e mirëqënieje. Se toka  e mëmëdheut ështe bujare dhe ta shperblen punën dhe dashurinë për të.
          Fund

          Janar-shkurt 2017