Monday 27 March 2017

JOSHEMI ME DEMOKRACINË, GËLLTISIM DEMAGOGJINË!!

JOSHEMI ME DEMOKRACINË, GËLLTISIM DEMAGOGJINË!!
Kjo trajtesë me aspekte filozofike dhe përvoja historike në organizimet shtetërore politike, merr shtysë nga aktualiteti i padëshirueshëm i zhvillimeve politike, ekonomike dhe juridike që i janë diktuar shoqërisë shqiptare, gjatë periudhës së kalimit të marëdhineve në prodhim nga sistemi shtetëror socialist në sistemin shtetëror demokratik.
Shoqëria shqiptare, me trashëgimi konceptesh jetësore perëndimore, e ndodhur gjeografikisht në kufijt ndarës mes lindjes dhe perëndimit, është përballur me invazione të huaja: romake, bizantine, otomane dhe në gjysmë shekullin e kaluar nën edukimin moral, politik, ekonomik dhe shoqëror të bolshevizmit, ka përballuar trysni dhe kriza të shumta e të shumllojta, por asnjëherë nuk e humbi identitetin e saj të qytetarit europian. Brenda vetvetes shoqëria shqiptare ruajti traditat më të vyera të trashëguara që nga lashtësia dhe asnjiherë nuk u mposht nga ndikimet e huaja.
Erdhi viti 1990 me shndërrimet e mëdha në sistemet shtetërore, dhe shoqëria shqiptare e përqafoi pa hezitim ndryshimin, duke treguar se nuk i është zhdukur identiteti gjenetik, u hodh në krahun e sistemit shtetëror demokratik. Por faktorë të brendshëm dhe të jashtëm, edukimi i kultivuar tek disa gjatë sistemit socialist, ndikuan në uzurpimin e pushtetit dhe vështirësuan kalimin e shpejtë të shndërrimit. Si pasojë ka 26 vjet që kjo shoqëri dergjet në periudhën e tranzicionit famkeq, duke u mbajtur qëllimisht larg ligjeve dhe parimeve demokratike. Në këtë këndvështrim, si intelektual dhe në përgjgje të thirrjeve për vendosjen e shtetit të së drejtës, shtjellohet ky shkrim përmbledhës.
I.- Lindja e idealit demokratik
Ideali demokratik, thuhet se e ka origjinën në Greqinë e lashtë të epokës klasike (shek. V dhe IV pk), në periudhën e reformave të Solonit, Pisistratit  dhe Klistenit, që  bënë të mundur përparimin dhe ngritjen e sistemit demokratik, sistem që u përfundua nga Perikliu. Në ato kohëra u formuluan kriteret e demokracisë politike të drejtpërdrejtë, ku qytetarët i merrnin vetë vendimet lidhur me njësitë administrative përkatëse. Sigurisht për kohën ajo formë e demokracisë ishte një kthesë e madhe për shoqërinë, megjithëse ishte e kufizuar, femrat, skllevërit dhe banorët e huaj të Athinës, nuk konsideroheshin si qytetarë dhe si të tillë nuk kishin të drejta për të vendosur edhe zgjedhjet, parim themelor i demokracisë zinin një rol dytësor (preferohej shorti - tërheqja-shansi), ishte arritur barazia në përcaktimin e magjistratëve .
Eklezia (shoqëri e thirrur ose asamble e cila i drejtohet shoqërisë nga një bashkësi e caktuar), merrte vendime për gjithçka. Ajo ndihmohej në detyrën e saj nga këshilli (senati), ku diskutoheshin çështjet e ngritura nga asambleja dhe jepeshin mendime paraprake. Funksionet e magjistratit ishin kolegjiale dhe vjetore, mbikqyreshin ngushtësisht nga populli. Magjistratët kryesorë të qytetit mbanin pushtetin ekzekutiv. Demokracia ndikonte edhe në zbutjen e pabarazisë ekonomike dhe shoqërore me praktikën e liturgjive (kryerje punë publike ose veprime shërbese), detyrime që shteti u ngarkonte qytetarëve më të pasur, për të mbështetur më të varfrit, si dhe duke siguruar punë për të gjithë.
Para se të njihemi edhe me “Asambletë e para përfaqësuese në Mesjetë”, mendoj se duhet të ndalemi tek origjina e idealit të demokracisë. Më lart u citua se origjina e saj vjen nga Greqia e lashtë, që nga epoka klasike. Pikërisht për të realizuar sqarimet lidhur me keqkuptimet mes nocionit përgjithësues dhe të veçantë të përcaktimeve me emrin Greqi, duhet të bëhet dallimi mes hapësirave të Greqisë së lashtë dhe hapësirës që shtrihet shteti i Greqisë së sotme.
● Greqia e Lashtë është përcaktuar me qytetërimin që i përket periudhes së historisë greke, që zgjati nga Periudha Arkaike (shekullit të VIII deri në shek.VI p. K.) dhe përfundoi në vitin 146 p.K. Historia na njeh me hapësirat territoriale të Greqisë së lashtë, e cila shtrihej nga Azia e vogël, Afrika veriore, Italia e jugut e deri në brigjet e Spanjës. Në hapësirën e Greqisë së lashtë, kuptohet bënin pjesë etni të ndryshme me dialekte të veçanta, ishte një territor i përbërë nga shumë rajone, ku çdo rajon kishte të folurën e tij. Sa sipër, arrihet në përfundimin se Greqia e lashtë, jetëgjatësinë dhe shtrirjen e saj territoriale e mbylli në vitin 167 para erës sonë. Ndërsa shteti i sotëm Grek e ka fillesën në vitin 1830, si i tillë nuk është aspak vazhdimsi e Greqisë së lashtë, apo helenizmit, të zhdukura afro 2.200 vjetësh (146 p.e.s.- 2017 e.s.) nga historia e shoqërisë njerëzore. Kombësia e shtetit të sotëm Grek, është ndërtuar mbi bazën e besimit ortodoks dhe gjuhës kishtare ortookse; ndërsa Greqia e lashtë,  ishte e përbërë nga shumë rajone, banorë të etnive të ndryshme, me gjuhë, zakone, kultura të ndryshme, po ashtu Greqia e lashtë nuk bazohej tek besimi ortodoks .
Në këto ekzistenca shumë të hershme, të hershme dhe të sotme, nuk ka baza argumentuese, llogjike dhe të drejta që dikush nga ato ish rajone, kur dikur bënin të përbashkëtën, të bëhet trashëgimtarë, apo të deklarohen pasardhës të drejtë për drejtë të dijeve, kulturës, traditave, qytetërimit, të cilat shfaqin vazhdimësinë e ekzistencës në çdo territor të atyre rajoneve, por sot janë me emra të përveçëm dhe quhen shtete. Dijet, klultura, përparimet, zhvillimet, i gjithë qytetërimi i lashtë, nuk kanë qenë të izoluara, apo produkt i një fisi, rajoni apo rrace, por ato kanë qenë dhe mbeten qytetërim ndërkombëtar (me të shprehurit e sotëm).       
Në qytetërimin e Greqisë së lashtë, organizimi politik me idealet e demokracisë, nuk ishin të vetmet që përdoreshin në Athinë, parime demokratike, bile më të plota, i ndeshim edhe në organizimin politik shtetëror të Epirit, të cilat i gjejmë të aplikuara si më poshtë.
● Për vërtetësinë e mos izolimit rajonal të qytetërimit të lashtë, ka shumë argumente dhe të dhëna historike, por le të ndalemi në Epir me Dodonën thesprote. Fillimisht një faltore e vogël, e ndërtuar në shek. IV p.K. për nder të Zeusit (Zeusi i Dodonës, njihej si Zeusi Pellazg, një hyjni që parashikonte fatin), ndërsa në shek. 3 p.K. mbreti i Epirit, Pirro bëri ndërtime të mëdha në Dodonë, ku një herë në katër vjet organizoheshin lojra, rrethoi me mur orakullin dhe drurin e shenjtë (“Lisin”), gjithashtu ndërtoi një faltore për Herakliun dhe një tjetër pë Dionën, për herë të parë atje u ndërtua një theatër. Në atë kohë Dodona, krahas të qënurit qendër fetare bëhet edhe qendër e rëndësishme politike e Epirit.
Delphi, vend i rëndësishëm arkeologjik, një qytet historik i Greqisë së lashtë (në juglindje të Agrinios), vend i  shenjtë më i rëndësishëm në nderim të perëndisë së Apollonit së bashku me Didyma (Didyma ishte një qytet i Greqisë së lashtë në rajonin Ionia, pranë qytetit modern turk Didim). Delfi lidhet me delfinët. legjenda rrëfen se Apollo sëparë erdhi në Delfi në formën e delfinit, që mbante në shpinë priftërinjtë e Kretës. Sipas Homerit, orakulli është Pytho. Një legjendë tjetër shprehet se Apollo duke ecur nga veriu në Delfi, u ndal në Tempe (sot Tempes), qytet në Thesali, për të marrë “Laurel” (e njohur si pemë) të cilën ai e konsideronte “bimë të shenjtë”.
Këto ishin dy qendra të shenjta dhe të rëndësishme në hapësirën panhelenike, pra “ndërrajonale” të lashtësisë, gjithashtu vërtetohet se në emërin e përgjthshëm të “Greqisë së lashtë”, siç u tha përfshinte rajone të shumta, që sot quhen shtete. Shkurtimisht le të njihemi me  organizimin  administrativ të tre fiseve kryesore epirote, fise jogreke edhe me organizimet politike federative, kanë ruajtur të drejta të barabarta për secilin pjesëmarrës në federatë.
● Në gjysmën e dytë të shek. IV p.K. ndryshime të rëndësishme ndodhën edhe në organizimin shtetëror të Epirit. Lidhja e Mollosëve u shndërrua në formën shtetërore të karakterit federativ, ashtu siç ishte edhe më përpara, por me emërtim të ri kushtetues: “Aleancë e Epirotëve”. Shtet i epirotëve (po e quajmë kështu atë aleancë), u formua nga bashkimi i shtetit të mollosëve me aleatët (symahoi), me Kasopenë dhe Elean fqinje, si edhe me shtetin e thesprotëve. “Aleanca Epirote” mendohet të jetë vendosur në kohën e Aleksandrit, ose pas vdekjes së tij, kur Kleopatra, e shoqja trashëgoi “mbretërinë”. Federata epirote nga pikëpamja e formës së qeverisjes, përfaqësonte një shtet federativ me bazë monarkinë dhe me të drejta të barabarta të të gjithë pjesëmarrësve në federatë.
Në kuadrin e federatës, çdo bashkësi etnike e madhe apo e vogël, kishte organizimin e brendshëm të saj, Kuvendin e popullit dhe prostatin e tij. Bashkësitë, në qeverisjen e shtetit epirot, merrnin pjesë nëpërmjet kolegjit, përfaqësuesve të tyre (damiorgë), që zgjidheshin nga çdo komunitet i veçantë etnik. Në krye të shtetit qëndronte mbreti, i cili zgjidhej nga familja mbretërore e mollosëve të dinastisë tradicionale të Eakidëve, por quhej mbret i shtetit Epirot. Ashtu si dhe më përpara, pushteti i tij vazhdoi të ishte i kufizuar nga prostati, i cili megjithëse ruante titullin Mbret “i mollosëve”, ushtronte autoritetin e tij mbi të gjithë territorin e shtetit Epirot. Mbreti ishte i detyruar të ruante ligjet, të organizonte mbledhjet e asamblesë të nënshtetasve epirotë dhe t’i drejtonte ato.
Eklezia e mollosëve, ia lëshoi vendin asamblesë së re, më të gjerë, ku merrte pjesë e gjithë popullsia e shtetit Epirot. Kjo asamble kishte funksione legjislative, miratonte edhe dekretet shtetërore dhe quhej Symahia e epirotëve. Mbas një shekulli u zëvendësua nga “Lidhja Republikane Epirote”. Vdekja e Aleksandrit mollos, çoi në prishjen e marrëdhënieve midis shtetit të Epirit dhe të Maqedonisë. Në krye të luftës kundër Maqedonisë u vendos Olimbia (bijë mollose), e cila u kthye në vendlindje për t’iu kundërvënë Antipatresit të Aleksandrit maqedon, që ishte në opozitë. Me ardhjen në Epir, Olimbia filloi të sundojë shtetin epirot si mbikqyrse, ndihmëse e nipit të mitur Neoptolemit II, sëbashku me Ajakidin të birin e Arrybës. Olimbia u detyrua tja lëshointe pushtetin Kasandrit, i biri i Antipatrit, dhe më pas u vra.
Gjendja në Epir nuk ndryshoi edhe kur në krye të shtetit Epirot u vendos Alketa II, i biri i Ajakidit, i cili ndryshoi politikë dhe bëri aleancë me Maqedoninë, veprim që krijoi një opozitë të fortë në Epir, kundër së cilës ai luftoi me ashpërsi, por pa rezultat. Në vitin 307 p.e.s. gjendja filloi të ndryshonte. Glaukia ndërhyri me forcë në punët e brendshme të Epirit, vendosi në fronin mbretëror Pirron 12-vjeçar dhe ndikimin e tij që zgjati 5 vjet, pasi Kasandri organizoi shfronësimin e Pirros dhe vendosi në fron Neoptolemin II. Pirroja u largua për disa vite në Egjypt. Atje mësoi shumë nga jeta shoqërore, nga arti luftarak, u dallua për shkathtësi, guxim dhe trimëri të rrallë në disa nga betejat e zhvilluara. Vdekja e Kasandrit të Maqedonisë në vitin 297 dhe zemërimi i popullsisë epirote ndaj Neoptolemit II, bëri të mundur që Pirro, i përkrahur nga Ptolemeu (i cili shpresonte ta kishte Pirron   mbështetje për planet e tij në Greqi) të rikthehej në Epir në fronin e Mbretërisë Epirote.
Me këtë trajtesë të shkurtër historike, lidhur me organizimet politike të periudhave të lashtësisë, u njohëm me disa parime demokratike që funksiononin në disa shtete të Ballkanit jugor, të cilat nuk i plotësonin të gjitha kriteret, siç i pëcaktojmë sot, kritere të cilat  përmirësoheshin në vazhdimësi, prandaj do ndalemi disi edhe në organizimet politike të Europës mesjetare.
Nga të dhënat historike, rezulton se në Europën mesjetare nuk ekzistonte ndonjë shtet demokratik, por ishin disa qytete, (komuna) në Flandër (Belgjikë) dhe Itali, të cilat kishin përvoja të përafërta me demokracinë. Në nivel kombëtar, ekzistonin asambletë përfaqësuese, të zgjedhura nga populli dhe të mbledhura nga dëshira e mirë e mbretit, si Parlamenti në AngliKortesi (kuvendi) në Spanjë, Shtresat e Përgjithshme në Francë. Në të vërtetë vetëm asambletë angleze zotëronin pushtet të vërtetë, që nga firmosja e “Magna Carta, 1215, Angli” (Kartës së Madhe në 1215), ku përcaktohej se për taksat, duhet të jepej miratim nga Parlamenti.
● Kaluan mijëvjeçarë dhe shekuj, ndër të cilët përvojat dhe vetë jeta në bashkësi shoqërore, ndikuan pak e nga pak në përmbushjen dhe plotësimin e kritereve, parimeve të demokracisë në organizimet politike, derisa u arrit në “Lindjen e demokracive moderne
Ideali demokratik modern shfaqet në fillim të shekullit XVIII, i cili bazohet në vlerësimin e individit dhe barazinë gjyqësore, duke krijuar një konceptim të ri mbi të drejtat e njeriut. Konceptim ku njeriu i lirë dhe i pajisur me vullnetin e tij, nuk është më i nënshtruar nga forcat hyjnore.
Liria tek njeriu, përkufizohet si një dhunti e vetvetishme (spontane) e qenies njerëzore dhe realizohet plotësisht nëpërmjet njohjes së të drejtave natyrore, të patjetërsueshme, të shenjta. Ky konceptim e trondit shoqërinë e urdhërave dhe privilegjeve të Regjimit të Vjetër dhe pranohet solemnisht në Francën e Revolucionit, ku Deklarata mbi të drejtat e njeriut dhe qytetarit e vitit 1789 deklaroi se: “Njerëzit lindin dhe qëndrojnë të lirë dhe të barabartë si e drejtë ”. Ndërsa në Paris, më 10/12/ 1948, nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara, u miratua “Deklarata Universale për të Drejtat e Njeriut (DUDNj), por edhe kësaj deklarate, gjatë viteve i janë bërë përpunime me traktate ndërkombëtare, lëvizje apo kalime ekonomike, instrumente rajonale të të drejtave të njeriut. Karta Ndërkombëtare e të Drejtave të Njeriut përbëhet nga Deklarata Universale për të Drejtat e Njeriut, Konventa Ndërkombëtare mbi të Drejtat Ekonomike, Sociale e Kulturore, Konventa Ndërkombëtare mbi të Drejtat Civile dhe Politike, me dy Protokolle fakultative, jo të detyrueshme, të cilat shtjellojnë më tej të drejtat e njeriut, u miratuan nga Asambleja e Përgjithshme e OKB në vitin 1966. Në vitin 1976, pasi Konventat ishin ratifikuar nga mjaft shtete anëtare dhe me  plotësim e kuorumit, ato hynë në fuqi. “Karta Ndërkombtëare e të Drejtave të Njeriut,” mori fuqi në Ligjin Ndërkombëtar.
Në nenin 18 të “Deklaratës Universale pёr të Drejtat e Njeriut”, sanksionohet se secili ka të drejtën e lirisë së mendimit, tё ndërgjegjes dhe tё fesё; ku përfshihet liria e ndёrrimit të fesё, tё bindjeve dhe lirinë që njeriu (qoftë vetë ose në bashkësi me të tjerët), të shfaqë publikisht ose privatisht fenё apo bindjen e vet, nёpёrmjet arsimit, praktikёs, kryerjes së kultit dhe riteve fetare. Nenin 19, siguron të drejtën e lirisë së mendimit e të shprehjes; kjo e drejtë përfshin lirinë e mendimit pa ndërhyrje, lirinë e kërkimit marrjen dhe pёrhapjen e   informacionit, ideve, me çfarëdo mjetesh, pa marrë parasysh kufijtë. Neni 15 ”Askush nuk duhet të privohet arbitrarisht nga shtetësia e tij, as nga e drejta për të ndërruar shtetësinë”.
 Deklarata vërtet saktëson detyrimin e shteteve për respektimin e ndërrimeve të besimit fetar, të drejtën e lëvizjes dhe shtetësisë, por kaq e vërtetë është se disa shtete Ballkanike ( të theksuara shteti Grek dhe ai Serb), në praktikë jo vetëm që nuk e zbatojnë, por besimin fetar e kanë prioritet për eskpansionizëm, nxitje konfliktesh deri në kryerje gjenocidi ndaj pakicave me etni dhe besim fetar ndryshe, duke goditur rëndë demokracinë.
Bazat e lirive dhe të drejtave themelore të njeriut dhe aktet më të rëndësishme të cituara më lart, janë sanksionuar edhe mbas Luftës së Dytë Botërore me miratim aktesh të tjera të rëndësishme për garantimin e tyre. Realizimi dhe zbatimi në praktikë i konventave, akteve të tjera ligjore në mbrojnë të drejtave themelore të njeriut, gjejnë zgjidhje nëse organizimet shtetërore zbatojnë parimet e demokracisë; ndryshe ato vështirësohen edhe nëse ndiqen rryma të tjera filozofike, apo mos aplikimi i drejtë i konceptit filozofik që i përshtatet zhvillimit ekonomiko-shoqëror, veprime të cilat janë vërtetuart tek ne.
                  II.- Disa koncepte filozofike dhe pozicionet e partive tona politike
            Demokracia është formë qeverisje ku shumica e njerëzve ushtrojnë sovranitetin e tyre ose drejtëpërdrejtë, nëpërmjet referendumeve, ose indirekt, nëpërmjet zgjedhjes së përfaqësuesve. Mbas luftës së Dytë Botërore, teoritë për demokracitë qeverisëse shtetërore janë të shumta dhe me dallime mes tyre. Njihen disa sisteme politike qeverisëse, ndër ta veçohet sistemi shtetërore demokratik. Ka disa rende shtetërore si rende liberale, rende shtetërore një partiake, siç ka dhe rende shtetërore të quajtura demokratike por nuk lidhen aspak me kuptimin e fjalës demokraci.
Nisur nga aktet themelore të miratuara ndërkombëtarisht, kërkohet që shtetet e regjimeve demokratike, në Kushtetutat e tyre, duhet të garantojnë, liritë themelore të njeriut; organizimin e  zgjedhjeve të lira e të rregullta dhe shumë partiake; ndarjen e pushteteve legjislative me ato ekzekutive; të drejtën universale të votës; mënyrat, praktikat që ndiqen për ndryshimet e nevojshme në Kushtetutë; sigurinë që ligjet të gjejnë përputhje me kushtetutën dhe zbatueshmtrinë. Vendosja e së drejtës universale e “votës”, si një akt madhor është arritje e madhe e demokracisë. Kjo e drejtë, fillimet e saj i kishte shumë të kufizuara, për një kohë të gjatë, e drejta e votës i ishte rezervuar gjithmonë një pakice; përjashtonte nga zgjedhësit në popullatë ata që nuk kishin të ardhura të mjaftueshme etj.
E drejta e votës tek ne është shpërfillur, ajo është masakruar moralisht, materialisht dhe politikisht. Vota është shkëmbyer me para, pasuri, padrejtësi dhe deri edhe në krim.   Mos respektimi i së drejtës së votës, ka shkatërruar edhe pozicionet e përfaqësueseve të dalë nga manipulimi i votave, të cilët vallëzojnë me kapërcime të elektoratit sa anash, lart, poshtë, kryq e tërthor. Goditje, “ataku” synimeve të “demokracisë.”
Ngjarjet e mëdha që ndodhen në vendet e Europës lindore në vitin 1989 e mbas,  shpërbërja e Bashkimit Sovjetik në vitin 1991, i dhanë fund përballjejes mes pushteteve një partiake dhe demokracisë liberale në favor të kësaj të fundit. U arrit që pluralizmi liberal të fitoi epërsinë si sistem demokratik, megjithatë, pavarësisht nga vlerat ku ky sistem është vendosur, në praktike ka shumë regjime që ushtrojnë pushtetin autoriar. Krahas pranimit dhe përshtatjes të së “drejtës së votës” nga të gjitha shtetet e regjimeve liberale, u ngritën edhe organizata të mëdha politike, si partitë politike dhe sindikatat, duke  pranuar liritë kolektive, si: liria e protestës, antarësimet në sindikata, shoqatat civile etj. Kalimi në këto koncepte, duke mënjanuar konceptimin klasik të rolit të individit në fushën politike, sollën (prunë) ndryshime të mëdha në politikë, duke përmbysur rregullat ekzistuese. Partitë politike, të majta, të djathta, të qendrës majtas apo djathtas, tashmë filluan të rrjeshtohen në gara për të marrë pushtetin. Hyrja në gara në një mënyrë ose tjetrën, lehtëson dhe mxit mashtrimet, shpifjet, kamuflimet, të cilat me ndikimin  nga “nxehja e gjakrave garuese”, shpien edhe në konflikte antagoniste, siç ndodhi tek ne në vitet 1996-1997. Me lindjen e rivalitetit mes grupeve të mëdha shoqërore edhe asambletë legjislative u grupuan sipas forcave politike. Në këto kushte, për të siguruar shumicën parlamentare dhe marrjen e pushtetit, lindi struktura politike:“Koalicionet parlamentare”.
Demokracitë liberale, si shumëfishim i organizatave politike, sociale dhe ekonomike. kanë formuar grupe interesi që vendosen në mes të individit dhe pushtetit, kjo ka siguruar rritjen e rolit të shtetit, misionin e kufjtë e vet. Përballë këtij zhvillimi, mendimtarë të fushës  ekonomike dhe politologë, mendojnë edhe për një rikthim të decentralizimit (liberalizmit), duke studiuar mundësitë në “zvogëlimin e shtetit”, kjo edhe për arësye të disa dukurive se pluralizmi i opinioneve të ndryshme, në kushte të caktuara, shpie në dobësimin e pushtetit.
Nuk do ndalemi për të treguar rrugën që ka ecur dhe ecet në vendin tonë, lidhur me zbatimet e parimeve demokratike, sepse me vëmëndje të përqëndruar, kushdo shqiptar me informimin përkatës, arrin të kuptoj largësitë ekstreme gjatë këtyre 26 viteve. Organizimet politike tek ne, arrihen të kuptohen me dallimet mes organizimeve shtetërore demokratike të disa shtete europiane (jo ballkanike), me organizimet shtetërore politike në vendin tonë me  kohën e mbretërisë, kohën e “demokracisë popullore” ose “diktaturën e proletariatit” dhe kohën e tranzicionit të egër partiak të qeverisur si nga e djathta dhe e majta shqiptare. Shpresohet në masat e qeverisjes aktuale, parlamentit dhe dashamirësinë këmbëngulëse të faktorit ndërkombëtar, të themelohet vendosja e shtetit të së drejtës edhe në Shqipëri.
Ligjet dialektike tregojmë se “sasia dëmton cilësinë”. Efektet negative të këtij ligji tek ne, janë vërtetuar edhe praktikisht sidomos në fushën politike shumëpartiake, universitete të shumta, me zbatimin e politikës së ekonomisë liberale, jashtë parimeve të demokracisë liberale, etj Mbas vitit 1990, me ligjërimin e pluralizmit politik, është abuzuar rëndshëm me shtrëmbërimet e parimeve të demokracisë nga mos njohja, ose nga prirjet “shqiptare” për të synuar drejt ekstremeve, pa u menduar se e vërteta gjendet mes dy ekstremeve apo dy të kundërtave. Si këpurdhat mbinë njëra pas tjetrës tek ne 219 parti politike nga viti 1990 e deri sot, me parti për numur popullsie më të madh në krahasim me çdo vend të Evropës. Të 219 partitë tona politike, ideollogjikisht dhe objektivisht nuk kanë arritur dot as nivelin  mesatar të parimeve demokratike që aplikojnë disa shtete europiane (ekstremizmi negativ), megjithatë shteti Shqiptar me anë të Buxhetit shtetëror për vitin 2016 ka financuar vetëm për tre partitë e mëdha 151.432.381 lekë të reja. Kësaj shume i shtojmë donacionet dhe të ardhurat e tjera, rezulton se këto tre parti sigurojnë 230.908.363 lekë të reja të ardhura (sipas gazetës Tema të datë 26 mars 2017). Kuptohet se këto të ardhura më pas përdoren për të përballuar shpenzimet partiake. Taksapaguesit shqiptarë paguajnë vetëm për këto  tre parti kryesore 180.444.081 lekë, ose afro 1,9 miliardë lekë të vjetra dhe sëbashku me qytetarët shqiptarë, nëpërmjet blerjeve ku përfshihet edhe rritja e çmimeve të mallrave të konsumit që bëhet për sponsorizimet e partive, shumat që dalin nga xhepat e familjeve shqiptare arrijnë në 2 miliardë e 310 milionë lekë të vjetra.
Fenomeni i shfaqur tek ne, me parcelizim partish sipas shtresave të  ndryshme të popullsisë, ka prodhuar papërgjegjshmëri ndaj kritereve demokratike, ka konsoliduar dhe fetishizuar rolin e “individit” dhe paprekshmërinë e "liderëve partiakë” si rrjedhojë, politika ka devijuar drejt “kriptoautokracisë”. Zhvillimet politike; ngërçi ekonomik; indiferenca apo “strukja” e pushtetit dhe pafuqishmëria për të luftuar “fenomenet e pista”: korrupsionin aktiv e pasiv në çdo hallkë të shtetit, trafiqet negative shtetërore e ndërshtetërore, janë fenomene që shkatërrojnë pushtetin, dobësojnë shtetin prandaj duhen ndalur me masa drastike. Pa ngurim duhet filluar me zbatimin e “Reformës në drejtësi” dhe me miratimin e akteve ligjore e nënligjore, të cilat realizohen pa u “tromaksur” prej kushteve të njërit apo tjetrit krah politik, apo strukturë administrative shtetërore me apo pa konflikt interesi.
Të gjitha këto “plagë të rënda kanceroze”, të mbjella dhe të kultivuara nga politika, janë të pranishme dhe po e grryejnë (scoop out) shoqërinë tonë, njihen prej të gjithëve, prandaj mbi  90 % e shqiptarëve kanë treguar dhe tregojnë vullnet të plotë për tu kuruar dhe shkëputur përgjithmonë nga “Uni” i djeshëm dhe i sotëm, si dhe nga “autokracia”.
Për të kuptuar se si arrihet në “zvoglimin e shtetit”, sjellim për lexim platformën elektorale, të njërit prej kandidatëve për presidencën Franceze. Sipas shtypit, ajo platformë elektorale synon “Ti japë fjalën popullit”, që nënkupton dobësim të “parlamentit”, me dhënie prioritet “votës popullore”, e cila sigurohet me anën e “Referendumeve”. Realizimi në praktikë i referendumeve, sipas këtij koncepti, bën të mundur marrjen e përgjigjeve për pyetjet, lidhur me probleme të veçanta e të rëndësishme, drejtëpërsëdrejti nga elektorati, dhe vendosja në ligj, në përputhje me përgjigjen e pjesëmarrësve në referendum.
Konceptimin e demokracisë, sipas masave për “zvoglim të shtetit”, shumica e drejtuesave europianë e denoncojnë si një atentat ndaj institucioneve të demokracisë. Këto ide i quajnë pretekste, gjoja dëshirohet ti jepet fjala popullit, por realisht ata mendojnë se përbëjnë rrezik dhe krijojnë paqendrueshmëri dhe çoroditje të elektoratit. Kohëzgjatja, apo periudha, brenda së cilave vend të rëndësishëm zë përvoja, tregon se kërkohet seriozitet ndaj qendrimeve korrekte dhe ligjore me ekzistencën “shumë partiake”, të cilat tek ne kanë krijuar shqetësime, përçarje dhe rishfaqur “luftën e klasave”, fenomene tepër negative, me pasoja serioze në frenimin e zhvillimit ekonomik dhe prospertitetit shoqëror. Nëse është koha për realizim të “zvoglim të  shtetit”, e sigurtë që jemi tepër vonë për realizimin e platformës “Zvoglim të detyrueshëm të numurit shumë partiak”.
          Nga institucionet shkencore të fushave përkatëse, kërkohen studime, hulumtime dhe kryerje analizash me konkluzione shkencore, të argumentuara për të ndërruar “binarët” e politikës, pa hezitim drejt vendosjes së parimeve themelore të demokracisë dhe shtetit të së drejtës. Shoqëria jonë sot përballet edhe me tendencën e pushtetit teknokratik. Dihet se forcimi i shtetit demokratik, duke filluar nga shekullit XX, ka ndihmuar në rritjen e rolit të qeverisë dhe administratës; ndërsa pushteti teknokratik (i shteteve në fund të shekullit të XX), ka tendencë për zëvendësimin e pushtetit të të zgjedhurve. Nga bashkëbisedimet me sipërmarrësit, ndodh që të rrezikohen debatet me të cilat zakonisht kërkohet rregullimi i interesave të kundërta. Edhe zhvillimi i shoqërisë demokratike karakterizohet nga prania e qytetarëve në pjesëmarrjen politike, kjo si rrjedhojë e rënies së ideologjive mobilizuese që shoqërohen, si dhe shfaqja gjithnjë e më shumë e krizës së ligjshmërisë së institucioneve politike. Ky “deficit demokratik” rritet shpesh nga një personalizim më i madh i pushtetit.
Disiplina filozofike e “Gnoseologjia”, ndihmon për të kuptuar dhe njohur realitetin, mundësitë për realizimin e njohjes, vërtetësinë e njohjes, aftësitë, apo limtet tona për njohjet. Me shumëllojshmëritë e njohjes, janë marrë shumë filozofë dhe ekzistojnë drejtime të ndryshme për mënyrat dhe rrugët që ndihmojnë njohjen e realitetit, si: empirizmi, i cili bazohet tek përvoja dhe rekomandon se për njohjen e botës, duhet medoemos që ajo të shihet, të preket, të dëgjohet, të nuhatet, të shijohet. Pra është e kushtëzuar me ndjerjen dhe perceptimin (ndërgjegjësimin), përfshirja e përvojave të jashtme dhe e të brendshme, refleksionet që janë në jetën e brendshme të njeriut. Ndërsa sensualizmi, nuk mbështetet tek përvojat, por rekomandon se njohja është e mundur vetëm me anë të shqisave. Sipas “Racionalizimit”, burimi kryesor (ose i vetëm) i njohjes së botës, është arsyeja apo mendja; vetëm arsyeja, mendja është në gjendje ta kuptojë kush është themelore, e përgjithshme dhe e domosdoshme, pa njohjen e tyre nuk mund të ketë shkencë të vërtetë. Empirizmi, pikëpamje tjetër filozofike, trajton “përvojën” si burim kryesor të njohjes së botës nga njeriu. Nërsa koncepti i njohjes sipas pikpamjes filozofike të kritiçizmit, bëhet me anë të "bashkëpunimit" të “shqisave” dhe të “mendjes”, apo “arësyes”. Kanti, përfaqësues kryesor i kriticizmit, ka konkluduar se njohja fillon me shqisat dhe përvojën, por formën e saj përfundimtare e jep “mendja”. Mendja i jep trajtë, formë, materialit kaotik të shqisave dhe vendos një ligjshmëri të caktuar. Kanti përfundon duke konstatuar se "mendja është ligjëdhënese e natyrës". Intuitivizmi, njohjen e vërtetë e kushtëzon vetëm në bazë të intuitës, si aftësi irracionale (e paarësyeshme) e njeriut, vetëm intuita (mprehtësia) është në gjendje ta kuptojë, të njohë çfarë është më kryesore për jetën, si proces i përhershëm. Dogmatizmi. Ky koncept filozofik kundërshton të renë dhe i jep mbeshtetje të kaluarës, ndodhet në krahun që kundërshton të rejat, bashkëkohoret, nuk përshtatet me ndryshimin.
Së fundi do ndalemi tek “Demagogjia”, jo se duhet të ishte e para për tu trajtuar, por se është një praktikë politike që konsiderohet si degjenerim i demokracisë. Partitë politike, krahas fushatave, demagogjinë e përdorin në vazhdimësi si “levë” për të siguruar besimin e elektoratit me anë të “joshjes” së dëshirave, përmbushjes se synimeve të tyre me premtime të cilat mbeten të papërmbushura. Një përkufizim të pranuar të demagogjsë, e gjejmë tek shkrimtari çek Milan Kundera (lindur më 1.4. 1929), i cili konkludon: “Ata që konsiderojnë djallin një ithtar të së keqës dhe engjëjt luftëtarë për të mirën, pranojë demagogjinë e engjëjve. Gjërat janë qartësisht më të ndërlikuara. “Demagogjia”, rrejdh nga“demagogos” që përbëhet nga dy fjalë “demos”= popull dhe “ago”= udhëheq, pra nënkuptohet se “udhëheq populli”. Në pamje të parë krijohet përshtypje pozitive, sepse thuhet që udhëheq populli. Por të vërtetën e demagogjisë, e ka sqaruar historiani Thukididi, nisur nga “demagogët” athinas që zëvëndësuan “udhëheqjen e popullit”. Ata me gënjeshtra mashtruan asemblenë athinase përmes premtimeve të rreme, të pasinqerta e spekulimeve ndaj  kundërshtarëve politikë. Platoni, mbas disa vitesh, demagogjinë e përkufizon si formë të korruptuar të qeverisjes që rrjedh direkt nga demokracia. Megjithatë, në dallim nga qeverisjet e tjera të korruptuara si tirania dhe oligarkia, ai preferonte demagogjinë, pasi kjo të paktën nuk e shmang (avoid) lirinë.  Për Aristotelin demagogjia është forma më e keqe e mundshme e qeverisjes, pasi favorizon padrejtësisht më shumë të varfërit se sa të pasurit. Këtë gjykim ai e kishte pasi gabimisht i konsideronte njerëzit përgjithësisht të barabartë, ndërsa në të vërtetë njerëzit janë të barabartë vetëm nga natyra.
III.- Kriza e shteteve dhe disa aspkte të rendit tonë shoqëror
Krizat në shtetet e fuqishëme janë shfaqur gjithnjë e më shumë si realitet që prej viteve 1970, me ngritjen e neoliberalizmit. Lëvizja Upgrade (përmirësim) e liberalizmit, u shfaq pas Luftës së Parë Botërore, e cila kufizon ndërhyrjen e shtetit në çështjet ligjore dhe ekonomike. Milton Friedman, Frank Knight George Stigler, por edhe austriaku Friedrich Hayek, mbrojtën parimet e tregut të lirë dhe kritikuan ndërhyrjen e shtetit. Ata theksuan nevojën për të reduktuar sektorin publik; nevoja për të rritur lirinë e aktivitetit ekonomik dhe për të zvogëluar rolin e sindikatave ndaj kërkesave të tyre për rritjen e pagave, të cilat ndikojnë në zgjerimin e shkallës së papunësisë. Këto mendime janë të njohura në vitet shtatëdhjetë me rritjen e çmimeve dhe rënien e punësimit.
Në ditët e sotme “stanjacioni (frenimi) shekullor” ka mbërthyer ekonomitë më të zhvilluara të botës. Të gjithë vrejmë me shqetësim se tek disa, pasuria po shtohet, ndërsa pagat reale po qëndrojnë thuajse të pandryshuara, çmimet rriten dhe papunësia tek forcat e punës është në rënie. Shqetësues është edhe fakti se ligjvënësit, institucionet kërkomore shkencore, nuk japin ide të reja në favor të ndryshimit të stanjaciomit, ose janë të zbeta, për të mos thënë mungojnë.
Stanjacioni që po mbërthente (shtrëngonte) ekonomitë, disa shteteve të fuqishme e shikonin si rrjedhojë e ofertës, prandaj u hodhën mendime për marrje masash duke nxitur uljen e taksave mbi fitimet, uljen e pagave me synim për të rritur investimet. Në të vërtetë normat e taksimit rezultojnë shumë më të ulëta krahas atyre të 40 viteve më parë dhe, ulja e mëtejshme e taksave do të ndikojë në rritjen të ndjeshme të deficiteve fiskale. Shqetësim serioz janë edhe nivelet shumë të larta të borxheve. Marrja në konsideratë e këtyre fakteve nuk këshillonte që oferta të aplikonte masa të tilla, ndryshe ato masa ishin të pajustifikuara dhe të papërgjegjshme. Në vlerësim të situatës, disa shtete kanë vlerësuar se mendimi më i mirë dhe më i drejtë duhet ti gjej zgjidhjet tek “kërkesa”. Prandaj i u drejtuan teorisë së John Maynard Keynes më 1936. Kur “kërkesa agregate” (niveli i shpenzimeve reale mbi mallra të konsumit final që familjet, bizneset, qeveria apo blerësit jashtë vendit) është në nivel më të ulët se sa prodhimi i kërkuar për punësim të plotë, atëherë prodhimi bie në nivelin e kërkesës.
Kërkesa Agregte” është raporti në mes shpenzimeve agregate (shpenzimet totale) dhe nivelit të çmimive. “Shpenzimet Agregate” janë shuma e shpenzimeve të çdo sektori në ekonomi: si familjet (konsumi), firmat (investimet), qeveria, dhe neto eksporti (diferenca mes eksportit dhe importit). Dihet, kërkesa për investime private është e pavarur, siç është gjithashtu e pavarur edhe kërkesa konsumatore. Zgjidhjen e situatave të tilla, teoricienë të ekonomisë e shikojnë tek masat e qeverisë, si mjeti që ndihmon në rritjen e punësimit dhe rritjes ekonomike, nëse kërkesa autonome bie nën nivelin e kapaciteteve prodhuese vendet e punës fillojnë të mbyllen, si rrjedhojë rritet papunësia, bie niveli ekonomik. Ky fenomen spjegohet kryesisht nga roli gjithmonë në rritje i shtetit në jetën ekonomike dhe qytetarit, gjë që shkaktohet rritja e shpenzimeve qeveritare, që shoqërohet me rritje të borxheve publike. Buxhetet kalojnë në krizë dhe shpenzimet publike bëhen të pakontrolluara. Situatë analoge, e ngjajshme edhe me qeverisjet e vendit tonë.
Dihet se prona mbi mjetet e prodhimit, kushtëzon edhe mënyrën e prodhimit. Si faktor subjektiv prona shenjon marrëdhëniet e prodhimit, të cilat përcaktohen nga forcat prodhuse; si rrjedhojë ndryshimi i marrëdhënieve të prodhimit, kushtëzohet nga zhvillimi i forcave prodhuese. Kur forcat prodhuese nuk përputhen (ndeshen) me marrëdhëniet e ë tyre vjetra të prodhimit, kuptohet nuk ndryshojnë forcat prodhuese por ndryshon marrëdhënia në prodhim, ky ndryshim nënkupton kalimin cilësor nga një marrëdhënie prodhimi në një tjetër. Po kështu ndodh edhe me organizimet shtetërore mbi bazën e tregut të lirë", ku siguria për qëndrueshmëri dhe zhvillim ekonomiko-shoqëror kushtëzohet nga raporti i përputhjes së "ofertës me kërkesën". Nëse oferta nuk merr në konsideratë për tu përputhur me kërkesën, e cila ka shumë përbërës si: nivelin ekonomik, nivelin kulturor, vendndodhjen, stinët, moshat, gjinitë, racat, ngjyrat, atëhere do të kemi superprodhim, rritje çmimesh dhe  rritje të papunësinë, shtohen stoqet, ngadalësohet zhvillimi. Ndryshe marrja seriozisht në konsideratë e përbërësve të “kërkesës”, “oferta” do të bjerë në nivelin e kërkesës. Kështu ligji i përputhjes, apo ruajtja e ekuilibrave mes ofertës dhe kërkesës, janë domosdoshmëri objektive, jo vetëm për organizimet shtetërore demokratike.
Gjatë gjithë periudhës së tranzicionit tek ne, nuk janë studjuar dhe aplikuar ligjet, është deklaruar bujshëm për “ekonomi të tregut të lirë”, por tregut të lirë i kanë munguar rregullat dhe ligjëshmëritë përkatëse. Tregu ynë është kacafytur me spontaneitetin, ka mbetur i pa informuar, as i edukuar me ligjet objektive që karakterizojnë “tregun e lirë”. Deri sot “Oferta dhe kërkesa” në “tregun e lirë”, është pushtuar nga rrëmuja, monopolet jashtë kontrollit, elemente këto favorizuese për lulëzimin e “tregut të zi”.  
Në përfundim të kësaj trajtese, thirrja mbështet plotësisht shpejtimin e përfundimit të “Reformës në Drejtësi", përfshirë të gjitha aktet e saj ligjore e nën ligjore; ndërsa partitë politike parlamentare ti largohen “politikave të rrugës”, të distancohen nga “kotësitë” e debateve, sharjeve, shpifjeve, grindjeve, të kërkojnë ngritjen e nivelit të tyre profesional politik, juridik, ekonomik në përshtatje me parimet e demokracisë dhe elementët përbërse të saj, të cilat janë të domosdoshme për tu zbatuar. Duke qenë se ndodhemi në prag fushate, ka rëndësi përzgjedhja e kandidatëve sipas plotësimit të kushteve themelore të cilat janë reflektuar në “Reformën e Drejtësisë”.

Mars 2017                            Fahri Dahri

Sunday 26 March 2017

KRONIKË: KOSOVA E PËRGJAKUR

KRONIKË: KOSOVA E PËRGJAKUR


(Në mbrëmjen e 24 Marsit 1999, ora 19.50, NATO ndërmerr inkursione sulmuese kundër klikës militare të Sllobdan Millosheviçit)
“Ҫështja Kosova” ka qënë problemi më prezent dhe më imprehtë i vitit 1988 i kancelarive në Kosovë dhe në ish-Jugosllavi, në Shqipëri dhe në Ballkan, në Evropë dhe më gjerë. U shpalos si rrallëherë në histori genocidi më i egër i ushtruar ndaj popullsisë shqiptare, por njëherësh edhe qëndresa më stoike e saj për të mbijetuar dhe për të siguruar vazhdimësinë e rrjedhës së saj. Kur dhuna serbe mori përmasat e një genocidi të vërtetë duke ndërprerë jetë njerëzore të pafajshme, por edhe të një spastrimi etnik duke shpërngulur me dhunë popullsinë shqiptare nga trojet dhe vatrat e saj stërgjyshore, në mbrëmjen e 24 marsit 1999, ora 19.50, tetëdhjetë aeroplanë të sofistikuar të Aleancës së Atlantikut Verior (NATO-s), ndërmuarën inkursione sulmuese kundër klanit politik të Serbisë dhe jo kundër popullsisë civile. Ja se si rrodhën ngjarjet në të pastajmen.


1.- ZHVILLIMI I SITUATAVE 1-10 PRILL 1999.

  Le të provojmë të sjellim në vemendjen e lexuesit, sa më pranë realitetit disa probleme, që kanë të bëjnë me zhvillimet luftarake, nismat dhe veprimtaria diplomtatike, fluksi i të ardhurve dhe, dëshmi e pjesëshme e genocidit dhe spastrimit etnik në Kosovë në fundmarsin dhe fillimprillin e vitit 1999.
  Për zhvillimet e situatave të luftimit mund të ofrojmë sa vijon. Kryekomandanti Suprem i NATO-s në operacionin kundër klikës militare serbe, gjenerali amerikan Uesli Klark, në vijimësi ka pohuar se, veprimet luftarake janë zhvilluar sipas planizimit nga Shtabi Drejtues i këtij operacioni. Ato në periudhën informuese ndodhen në fazën e katërt, çka do të thotë se objekt i goditjes janë forcat e këmbsorisë, të artilerisë e tankeve, venddrejtimet dhe vendkomandat, sistemi i komandimit dhe komunikimit, aerodromet ushtarake dhe ato civile, depot e rezervave të naftës, etj.
  Goditjet e NATO-s, si ato të aviacionit dhe ato me raketa, kanë rezultuar precize, për rrjedhojë janë goditur më shumë se 150 objektiva, duke nxjerrë jashtë luftimit më shumë se 50% të aeroplanëve luftarakë serbë tip Mig-29 (prodhim rus), u goditën sistemet e mbrojtjes kundërajrore, për rrjedhojë ka rënë fuqia dhe aftësia luftarake e Serbisë.
  Që nga 6 prilli do të vijojnë goditje masive nga më të fortat të përdorura në ditët e para. U bombarduan disa qytete si dhe u shkatërruan duke u shkatuar dëme të konsiderueshme. Pranohet se, me dëmtimet e deritashme Serbia është kthyer njëqind vjet prapa. Mund të nënvizohet se, u nxorr jashtë funksionimit ura e fundit mbi lumin Danub në qytetin Novi Sad; u shkatërrua antena televizive e Beogradit, për pasojë disa qytete nuk mund të informohen prej televizionit shtetëror; u shkatërrua aerodromi i Slatinës në Prishtinë si dhe një pjesë e hekurudhës në Vojvodinë, e cila e lidh atë me Kroacinë; u nxorr jashtë përdorimit depua e karburantit në Sombor, po ashtu u dëmtua rëndë edhe hekurudha që bashkon Kraljevon me Kragujevacin, etj. Në ditët që do të vijnë nuk do të rreshtë së aplikuari sulmi ushtarak. Kështu më 9 prill u godit një aerodrom ushtarak vetëm 20 km. pranë Beogradit, ashtu si janë realizuar dhjetra shpërthime në rrethinat e Beogradit. Po këtë datë, për më tepër se gjashtë orë ka patur shkëmbim zjarri midis forcave të UÇK-së dhe atyre serbe në kufirin midis Kosovës dhe Shqipërisë. Disa predha mortaje të artilerisë serbe ranë në territorin shqiptar në Tropojë, Kamenicë, Padesh etj., çka edhe përbën incident të armatosur kundër një vendi sovran. Ky rast është bërë objekt i medias perëndimore, i diplomacisë dhe i politikës ndërrajonale.
  Mendimi dhe qëndrimi i përbashkët është se, sulmet mbi makinën ushtarake të Beogradit do të vijojnë sipas planit të Aleancës së Atlantikut, përderisa edhe Milosheviçi vijon të këmbëngulë në mendimet dhe qëndrimet e genocidit dhe spastrimit etnik të Kosovës. Duhet të nënvizojmë se Këshilli i NATO-s ka vendosur dërgimin në Shqipëri (pasi të jepet miratimi nga Qeveria Shqiptare) të një force për një mision humanitar. Kështu do të vijnë njëzet e katër helikopterë supoermodernë të emërtuar “APACHE”, çka do të thotë artileri dhe sistem raketash taktike, me synim dhënien e goditjes në thellësi dhe rritjen e aftësive vepruese të NATO-s. Këta helikopterë do të kryejnë operacione ajrore efektive në Kosovë. Ja edhe disa të dhëna taktiko-luftarake për këtë teknikë luftarake. Ai përfaqëson helikopterin kryesor të sulmit të Forcave Toksore Amerikane. Ka aftësi të perceptojë e shkatërrojë mjetet e  blinduara dhe objektiva të tjera të kundërshtarit si natën ashtu edhe në kushte të këqija të motit. Drejtohet nga një ekuipazh prej dy vetash - piloti e shënjuesi. Fluturon në lartësi deri gjashtëmijë metra. Kohëzgjatja e misionit është 2,5 orë. Ka në armatim tetë raketa kundërtanke “Hellfire” të drejtuara me rreze lazer, tridhjetë e tetë raketa të tjera të kalibrit 2,75 inch dhe 1200 shtimje të topit 30 m/m. Vendqëndrimi i ekuipazhit është i blinduar. Pesha e vetë helikopterit është 5,3 ton, kurse me armatim 7,9 ton. Fluturimi i parë është kryer më 30 shtator 1975. Emrin e ka marrë nga një fis i herëshm indian në SHBA. Është në përbërje të forcave toksore greke e britanike, ndërsa Hollanda e ka në pajisje të forcave ajrore. Është planifikuar sofistikimi i tij i mëtejshëm.
  Në këto situata, natyrshëm do të marrin jetë edhe disa nisma e veprimtari diplomatike. Edhe pse në përgjithësi është konsoliduar mendimi teorik dhe qëndrimi praktik se, rruga diplomatike quhet “e tejkaluar” mbas Rambujesë, përsëri nuk kanë munguar nismat e ndryshme diplomatike, të cilat ofrojnë teza për mundësimin e zgjidhjes së konfliktit Serbi-NATO dhe Serbi-Kosovë me  mjete diplomatike. Së pari ka qënë Rusia, si inspiruese kryesore e Serbisë në kushtet aktuale, e cila hera-herës ka hedhur idenë e kompromisit diplomatik, duke shpresuar se ka akoma mjete e mundësi diplomatike për të zgjidhur problemin, i cili tashmë është bërë shumë i ashpër. Por diplomacia evropiane dhe ajo botërore kanë dhënë përgjigjen,”... mjetet diplomatike janë tejkaluar, Serbisë dhe Milosheviçit i mbetet të zbatojë deri në një Marrëveshjen e Rambujesë...”. Së dyti, Sekretari i Përgjithëshëm i OKB-së, Kofi Annan, ka hedhur idenë e konsumimit të rrugës diplomatike. Ai i ka sugjeruar palës serbe : të tërheqë forcat ushtarake nga Kosova; të realizojë kthimin e të dëbuarve me forcë në trojet e tyre; të ndërpresë genocidin dhe spastrimin etnik; të pranojë një forcë shumëkombëshe në Kosovë; të premtojë një autonomi të zgjeruar të popullsisë shqiptare, etj.
Këtyre kërkesave klika e Beogradit u është përgjigjur nagativisht, prandaj edhe propozimi është konsideruar i konsumuar.
Më dt. 12 prill 1999 është mundësuar një mbledhje e ministrave të jashtëm të Aleancës së Atlantikut. Mori pjesë edhe ministri i jashtëm i vendit tonë z. Paskal Milo, i cili u prononcua direkt për kanalin televizin CNN.
Më 14 prill 1999 u realizua një mbledhje e jashtëzakonëshme e Këshillit të Evropës. Kancelari gjerman Gerhard Shreder, me cilësinë e kryesuesit të rradhës, paraqiti një plan-ide të ngjajëshme me atë “Marshall” pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, me synim evropianizimin e Ballkanit. Ky plan gjithësesi u mirëprit duke patur në themel, pushimin e goditjeve nga NATO-ja për 24 orë, kohë kjo e mjaftueshme për tërheqjen e trupave serbe nha Kosova, dhe mandej Kosova, në formë protektorati të administrohet nga Këshilli i Evropës. Por në takimin e jashtëzakonëshëm të ministrave të Këshillit të NATO-s më 12 prill, pika 4 e Deklaratës së përbashkët shprehet :”Goditjet ajrore do të vazhdojnë deri sa presidenti Millosheviç të pranojë kërkesat e Komunitetit Ndërkombëtar. Presidenti serb e di fare mirë se çfarë duhet të bëjë. Ai duhet: të sigurojë një ndalim të verifikueshëm të të gjithë veprimeve ushtarake dhe ndalimin e menjëherëshëm të dhunës dhe represionit; të sigurojë tërheqjen e trupave ushtarake, policore dhe atyre paraushtarake nga Kosova;  të pranojë vendosjen në Kosovë të pranisë së një force ndërkombëtare; të pranojë rikthimin pa kushte dhe të sigurtë të të gjithë refugjatëve dhe personave të shpërngulur me dhunë, si dhe mospengimin e organizatave humanitare në ndihmimin e refugjatëve; të ofrojë garanci të besueshme të vullnetit të tij për të bashkëpunuar mbi bazën e Marrëveshjes së Rambujesë në arritjen e një marrëveshjeje për Kosovën në kuadrin politik dhe në përputhje me të drejtën ndërkombëtare dhe Kartën e Kombeve të Bashkuara. Deklarata prej 15 pikash nënvizon se, përgjegjësia për krizën aktuale bije drejtpësëdrejti mbi presidentin serb Millosheviç.
  Së treti, është vetë Serbia, e cila ka propozuar një zgjidhje paqësore. Më 6 prill Beogradi dekretoi një “Armëpushim të njëanëshëm” me UÇK-në, duke i kërkuar të njëjtin qëndrim edhe NATO-s. Diplomacia serbe këtë e quajti “shprehje të vullnetit të mirë”. Serbët propozuan që, me Rugovën (Ibrahim), të quajtur “Udhëheqës të moderuar”, të hartohet një “marrëveshje e përkohëshme”, e cila mandej do të çojë në “Autonomi thelbësore” të Kosovës. Po ashtu ata servirën edhe përgatitjen e një programi “Për kthimin e refugjatëve”, i cili do të zbatohet “Me pjesëmarrjen e duhur të Komisariatit të lartë të Refugjatëve të OKB-së” dhe të Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq. Gjithashtu premtonin që, me rastin e festimit të Pashkëve më 11 prill, do të ndalohen “të gjitha operacionet e Ushtrisë e të Policisë në Kosovë kundër UÇK-së. Së fundi, u bëjnë thirrje “Elementëve ekstremistë” që të respektojnë këtë vullnet dhe të mos ndërmarrin “aksione të reja terroriste kundër civilëve dhe përfaqësuesve të pushtetit”.
Ja pra ky ishte thelbi i propozimit të “Armëpushimit të njëanëshëm” që serviri klani serb pasi kishte ushtruar dhunë të pashembullt dhe pasi kishte shpërngulur nga vatrat stërgjyshore më se 1,4 milion banorë shqiptarë që prej fillimit të konfliktit.
  Dhe, pas kësaj, cili është vlerësimi dhe qëndrimi i diplomacisë shqiptare, ballkanike, evropiane dhe më gjerë, qoftë ai institucional por edhe personal?
Gati e tërë diplomacia ndërkombëtare ndodhet në një emërues të përbashkët për këtë problem: ”... Kemi të bëjmë me një mashtrim të rradhës nga Beogradi zyrtar...”, kanë deklaruar shumica e diplomatëve dhe politikanëve, si dhe e analistëve politikë e ushtarakë. Ministria e Punëve të Jashtme e Shqipërisë e deklaroi si një “Përpjekje mashtruese të Millosheviçit për të fituar kohë”, “...i vënë përballë presionit në rritje të opinionit publik ndërkombëtar, i vënë përballë goditjeve gjithnjë e më të fuqishme dhe të efektëshme të NATO-s, regjimi kriminal i Beogradit përpiqet që përmes kësaj lëvizjeje mashtruese të vazhdojë i qetë fushatën e tij të genocidit dhe të spastrimit etnik në Kosovë...”.  Deklarata e Qeverisë Shqiptare vijon të fuqishme ndërkombëtare të mishëruar në praninë e forcave të NATO-s në Kosovë”. “Paqja e vërtetë në Kosovë do të realizohet vetëm kur regjimi kriminal i Beogradit të ndalë fushatën e genocidit, të tërheqë forcat ushtarake, paraushtarake dhe policore nga Kosova, të pranojë kushtet e paqes për një Kosovë të lirë dhe demokratike dhe, të lejojë kthimin deri tek banori i fundit i të dëbuarve me forcë nga Kosova, nën një garanci
  Presidenti shqiptar, Rexhep Meidani, e vlerësoi vendimin serb, as më shumë e as më pak, por “demagogji dhe provokacion cinik. Shqiptarët e Kosovës mund të kthehen në vatrat e tyre së bashku me trupat toksore të drejtuara nga NATO-ja... Duhen edhe sulmet nga toka për të ndaluar makinën ushtarake vrastare të Jugosllavisë dhe për të penguar shpërnguljen e mëtejshëme të shqiptarëve etnikë nga trojet e tyre... Millosheviçi ka qënë burimi kryesor i të gjitha konflikteve në Ballkan në dhjetëvjeçarin e fundit... Nuk ka vend më për akuza e lojra spekulative... Tani ka vetëm përgjegjësi politike e kombëtare për përballimin e situatës”.
  Presidenti amerikan Bill Klinton, lidhur me vendimin e Serbisë ka shprehur këtë opinion :”SHBA-ja nuk e pranon ofertën serbe; sulmet e NATO-s do të vazhdojnë”. Më tej vijon :” që të ndërpresim bombardimet, duhet që presidenti jugosllav, Sllobodan Millosheviç , të japë pëlqimin për një Kosovë ndëretnike; të heqë forcat e tij nga Kosova; të lejojë kthimin e shqiptarëve dhe mbrojtjen e tyre nga forca ndërkombëtare; të pranojë një forcë ndërkombëtare në Kosovë...”.
  Por më 7 prill Klinton do të pohojë edhe sa vijon:” Sllobodan Millosheviç ka dhjetë vjet që mban peng Kosovën, Jugosllavinë dhe Ballkanin. Ka dhjetë vjet që ushtron dhunë e derdh gjak. Tani ne do ta ngopim me bombardime e me gjak. Mbi popullin e Kosovës po ushtrohet dhunë. Dhjetra femra kosovare janë përdhunuar në një qëndër stërvitore, prandaj jemi të vendosur në nismën që tashmë kemi ndërmarrë...”.  Pra, qëndrimi i presidentit amerikan Bill Klinton është i qartë e i prerë: do të vijojnë goditjet e klanit serb deri sa presidenti serb të pranojë marrëveshjen e Rambujesë.
  Zhak Shirak, presidenti francez, në vijimësi është prononcuar sa vijon: “Armëpushimi duhet të ishte shoqëruar me masa e të tregojë e sigurojë paqen në Kosovë, ndërsa masat e ofruara konsiderohen të pamjaftueshme”.
  Lionel Zhospën, kryeministër i Francës, pohon:”Përpara marrëzisë dhe masakrave serbe, NATO-ja do të intensifikojë më tej bombardimet dhe do të godasë objektiva të rëndësisë strategjike”.
  Gerhard Shreder, kancelari i Gjermanisë, shprehet :” Oferta për armëpushim e paraqitur të martën (6 prril 1999) nga presidenti jugosllav është e nevojëshme por e pamjaftueshme”.
  Qëndrimi i Qeverisë Britanike shprehet përmes zëdhënësit të kryeministrit Toni Bler. Ai pohon:”...ne e kemi pritur një dredhi diplomatike nga Millosheviçi. Ne nuk do të bjemë viktima e propozimit. Ju i dini kushtet tona për ndërprerjen e fushatës ajrore. Deri sa të plotësohen ato, fushata ajrore do të vazhdojë”.
  Qëndrimi i Aleancës së Atlantikut Verior (NATO) artikulohet përmes Sekretarit të Përgjithëshëm të saj, z. Havier Solana, i cili është prononcuar për një zgjidhje politike, e cila nuk u pranua nga pala serbe. Në vijim vjen qëndrimi i prerë i NATO-s përmes zëdhënësit të saj, Xhemi Shi, i cili pohon disa herë :” Në Kosovë ka shumë të humbur. Numri varion nga dhjetë mijë deri në njëqind mijë familjarë të shkëputur... Bombardimet e NATO-s po fillojnë të jenë të dhimbëshme për regjimin e Sllobodan Millosheviçit... NATO dhe Këshilli i NATO-s do të vazhdojë sulmet kundër objektivave strategjike...Propoganda e arkitektëve serbë nuk do të goditet nga NATO,... nuk do të pranojmë rezultatet e spastrimit etnik në Kosovë”.
  Ueslli Klark, komandant suprem i NATO-s, pohon:”...sulmet ajrore të Aleancës nuk mund të ndalin krimet serbe në Kosovë, por bombardimet do të vazhdojnë deri sa t’i jepet fund represionit...Ushtarët serbë në Kosovë janë të lodhur e të rraskapitur, por ende të aftë për të kryer krime të tmerrëshme kundër civilëve... Goditjet e NATO-s do të vazhdojnë përderisa Aleanca ka nevojë të përmbushë objektivat e saj. Vetëm goditjet ajrore nuk janë të mjaftueshme për të ndaluar krimet më të këqija. Kjo nuk do të ketë efekt. Nga ana tjetër, ne jemi në gjëndje të sulmojmë instalimet dhe njësitë që përdoren nga serbët për aktet e tyre shtypëse. Dhe pikërisht ne këtë po bëjmë. Ne sulmojmë dhe shkatërrojmë sistematikisht komandat dhe qendrat e tyre të kontrollit, mbrojtjet kundërajrore si dhe kapacitetin e tyre për të sulmuar popullin e Kosovës... Beogradi nuk mund të injorojë kërkesat e Aleancës. Sulmet e NATO-s janë të kontrolluara nga nivelet politike. Do hyjmë në shekullin e ri duke eleminuar difektet, nacionalizmin e dhunëshëm, shqiptarët do të fitojnë atë që do të fitojë Evropa...”.
  William Cohen, sekretari amerikan i mbrojtjes, gjatë një vizite pune në Evropë pohon:”...Misioni im në Evropë do të përfundojë në NATO, pikërisht për kundërshtimin e këtij propozimi, - të vendimit serb për armëpushim të njëanëshëm. Në dhjetëvjeçarin e fundit Millosheviçi i ka larë duartë me gjak në Kroaci, Slloveni, Maqedoni, Bosnjë-Hercegovinë, e veçanërisht në Kosovë... Me këtë propozim Millosheviçi vesh lëkurën e qëngjit, por duartë e tij të përgjakura nuk mund të mbajnë kurorën e paqes prej dafine...”.
  Devid Levi, zëdhënës i Këshillit të Sigurimit Kombëtar të Shtëpisë së Bardhë, pohon edhe sa vijon:”... do të zhvillojmë një fushatë të pazvogëluar, të pazbutur e të pandalëshme... E kemi bërë shumë të qartë se çdo masë boshe apo gjysmake, nuk do të ndërpresë bombardimin... Në rast se Millosheviçi nuk bën atë që është e nevojëshme, NATO do të vazhdojë fushatën e saj. Ajo do të jetë e palëkundur”.
  Bulent Eçevit, kryeministër i Turqisë shprehet :” Një zgjidhje e drejtë do të jetë ajo që të japë garanci konkrete për kosovarët. Pa këtë armëpushimi është pa kuptim...”.
  Masimmo D’ Alema, kryeministër i Italisë, shprehet edhe sa vijon:”...Jam në pritje të më shumë informacioneve lidhur me armëpushimin e njëanëshëm në Kosovë i njoftuar nga Beogradi... Dua të mësoj përmbajtjen, kan tekstin dhe qëllimin e iniciativës së njoftuar nga presidenti Millosheviç, që të mund të vlerësoj ato me kujdes sidomos me vendet aleate”.
  Kunt Vollebek, kryetar i rradhës i OSBE-së pohon: ”...Jugosllavia synon destabilizimin e Ballkanit. Kosovarët e shpërngulur me forcë duhet të qëndrojnë pranë vatrave të tyre. Millosheviçi e do Kosovën pa kosovarë. Shtatëdhjetë vëzhgues të OSBE-së monitorojnë situatën në kufirin shqiptaro-jugosllav”.
  Balazino , zëdhënës i Solanës në Tiranë pohon: ”...Zgjidhja do të vijë kur Millosheviçi të tërheqë trupat ushtarake nga Kosova dhe të lejojë kthimin e gjithë refugjatëve në shtëpitë e tyre...”.
  Lidhur me problemin e vendimit të Serbisë për pushim zjarri të njëanëshëm, qëndrimi i Rusisë është shfaqur i lëkundur në fillim, dhe më i qartë më vonë. Kështu në mbrëmjen e 6 prillit Rusia shprehet se, mirëpret këtë propozim. E quan atë me vlerë, si dhe e konsideron një hap përpara për arritjen e paqes në Kosovë. Po këtë ditë Sergei Prikodko, këshilltar i presidentit Jelcin, pohon:”Moska shpreson se ky demarrsh i Jugosllavisë do të përbëjë një kthesë serioze në evoluimin e ngjarjeve në Jugosllavi... Armëpushimi i kërkuar nga Beogradi regjistrohet në kuadrin e përpjekjeve tona për t’u dhënë fund armiqësive në rajon dhe për fillimin e bisedimeve politike... Tani NATO-ja duhet t’u japë menjëherë fund bormbardimeve kundër Jugosllavisë dhe të përfitojë nga ky shans...”.
  Boris Jelcini, presidenti Rus, më datën 9 prill shprehet me një pohim që gati tronditi botën:”...Ne nuk do t’i japim armë Serbisë. Kemi kërkuar mbledhjen  e jashtëzakonëshme të Grupit të të Tetëve ( 7 vendet më të zhvilluara + Rusia). Unë personalisht dhe Rusia nuk e duam luftën, por mos na tërhiqni ne në luftë. I kam kërkuar Aleancës së Atlantikut, SHBA-së dhe Gjermanisë, që të studjojnë propozimin tonë...”.
Ky propozim tronditës do të zbutet disi më datën 10 prill pas një deklarimi të Igor Ivanov, ministër i jashtëm i Rusisë, i cili në një bisedë telefonike prej 45’ me Robin Kuk, ministër i jashtëm i Britanisë së Madhe, deklarohet :”... Rusia nuk ka asnjë qëllim të përfshihet në konflikt dhe, nuk dëshiron asnjë shkallëzim... Rusia nuk ka synim të përfshihet në konflikt dhe nuk dëshiron që konflikti në Kosovë të zgjerohet”.
    Këto janë disa nga prononcimet e diplomacisë lidhur me propozimin e Serbisë më dt. 6 prill për një armëpushim të njëanëshëm. Pas kësaj diplomacia nuk hesht, por gjithësesi nismën e ka Perëndimi. Tashmë Komuniteti Botëror dhe ai Evropian i ofrojnë palës serbe përmbushjen e pesë kërkesave. Më 12 prill sekretarja e Shtetit e SHBA-së realizon një takim të ministrave të jashtëm të vendeve anëtare të NATO-s. Mori pjesë edhe ministri i jashtëm i Shqipërisë z. Paskal Milo, i cili dha intervistë drejtpërdrejt në CNN. Zonja Ollbrajt kërkoi përmbushjen e pesë kërkesave si dhe këmbënguli që Beogradi të lirojë udhëheqësin kosovar, Ibrahim Rugovën, dhe familjen e tij. Ollbrajt ndëshkoi edhe cënimin e tërësisë territoriale të Shqipërisë nga pala serbe, sepse më dt. 11 prill mëse trembëdhjetë predha artilerie kanë rënë në territorin shqiptar në Tropojë e Padesh, duke vrarë tre civilë dhe plagosur dymbëdhjetë të tjerë. Po ashtu më dt. 12 prill janë zhvilluar luftime të ashpra në kufirin midis Shqipërisë dhe Serbisë. Nuk ka patur të plagosur dhe as viktima.
  Qeveria Shqiptare i ka denoncuar këto veprime dhunuese por ka shprehur qëndrimin e saj kategorik për të mos rënë preh e provokimeve dhe synimeve serbe për ta shtrirë konfliktin jashtë kufirit shtetëror serb.
  Po cila është panorama e paraqitur me fluksin e të ardhurve për nevojë nga Kosova?
  Qeveria serbe, pas vendimit të njëanëshëm për të ndërprerë zjarrin me rastin e festimit të Pashkëve, mbylli edhe kufirin me fqinjët si dhe ndaloi ikjen e popullsisë kosovare jashtë kufijve shtetërorë të ish-Jugosllavisë. Pas dy ditësh, më dt. 8 prill, në Qafën e Morinës, pas shumë peripecish të lodhëshme e drobitëse, mundën të hyjnë në territorin shqiptar mëse 1500 vetë. Ndërkohë diplomacia evropiane e më gjerë impenjohet me problemin e të shpërngulurve të ardhur në Republikën e Maqedonisë, e cila i ka mbajtur ata në kufij për tre ditë pa u dhënë asnjë ndihmë të larguarve me dhunë nga Kosova.
Gazeta “Republika” e dt. 11 prill pohon se nga fillimi i konfliktit janë shpërngulur nga Kosova mëse 1,4 milion banorë shqiptarë (306 mijë janë vendosur në Shqipëri, 35 mijë në Mal të Zi, 75 mijë në Maqedoni, ashtu sikurse ka edhe në plan të Evropës për sistemimin e mjaft të shpërngulurve në Gjermani më se 45 mijë, në Turqi 20 mijë, e kështu edhe në vendet e tjera. Agjencia prestigjioze CNN në mëngjesin e dt. 15 prill për këtë problem servir këto shifra: në Shqipëri janë të ardhur 314 mijë; në Maqedoni janë të tillë 118 mijë, dhe në Mal të Zi 67 mijë.
  Por mbi këtë valë të ikurish, genocidi rëndon si asnjëherë tjetër. Ja disa dëshmi.
  Jakup Krasniqi, zëdhënës i UÇK-së, sipas gazetës “Shekulli” të dt. 2 prill, jep këto të dhëna: Spastrimi etnik në Kosovë po vazhdon prej njëzet vjetësh duke kaluar në disa faza. “Faza e parë ishte burgimi dhe përndjekja; e dyta, vrasja  në ushtri, largimi nga puna dhe mbyllja e shkollave; e treta, çnderimet e popullit duke prekur nderin e kombit shqiptar, më pas lufta e armatosur duke  djegur e shkatërruar dhe, së fundi shkatërrimi i ekonomisë dhe pamundësia për të jetuar, e cila i ngjan një kataklizme, shkatërrimi i çdo lloj dokumenti kulturor, arësimor që do të kishte një rëndësi të veçantë për ardhmërinë e Kosovës”.
  Sipas gazetës “Kushtrim Brezash” të dt. 2 prill jepen edhe këto shifra. Në fshatin Krushë janë gjetur 50 të vrarë poshtë një ure.. Njëzet arësimtarë kosovarë vriten para nxënësve të shkollës së tyre....Pesëqind kosovarë të vrarë janë gjetur në Ballacerk dhe Celinë...Ndër 200 të vrarët në Suharekë ka gra, fëmijë dhe pleq... Dhjetra vajza kosovare, (shtypi prononcohet për 200 të tilla), veçohen nga familjet dhe përdhunohen deri në prani të prindërve. (Një grua në TV Klan më 3 prill pohon se femrat kosovare janë përdhunuar nga mëse njëzet partnerë pa dëshirën e tyre)... Njëzet e pesë mijë shqiptarë kosovarë mbahen në Deçan të rrethuar si pengje para grykave të topave të tankeve serbë... Më shumë se 500 mijë kosovarë, numur ky që rritet vazhdimisht, janë shpërngulur me forcë për në Shqipëri, Maqedoni etj. ( 213 mijë në Shqipëri; 71 mijë në Maqedoni, 32 mijë në Mal të Zi etj)... Vriten mizorisht intelektualë të njohur si Fehmi Agani, Bajram Kelmendi, Latif Berisha, Agim Hyseni, Teki Dervishi etj.
  Sipas TV Teuta në mëngjezin e 5 prillit mësojmë këto shifra, në një minutë e tridhjetë sekonda u vranë 100 njerëz, nga të cilët u identifikuan vetëm njëzet e gjashtë; 300 mijë kosovarë akoma u drejtohen kufijve të fqinjëve...
  Sipas Masimo D’ Alema, kryeministrit italian i ardhur me traget gjatë natës së 3 prillit me tragetin ushtarak “San Xhorxhio”, shprehet :”...Kam dëgjuar gjëra tragjike...”.
  Sipas gazetës “Ushtria” dt. 7 prill mund të mësojmë edhe sa vijon:”... rreshtuan të gjithë burrat nga 10-45 vjeçarë (gjithsej 52 vetë). I zhveshën lakuriq; u muarën çfarë kishin...Pastaj u hapën nga një plagë në trup me thikë... Në Krushë në 20 metra katror u vranë 112 burra, të stivosur u hodhën benzinë dhe i dogjën... Një fëmijë 6-7 vjeçar, me kokën e lidhur nga plagë plumbi, qan babanë e tij...-”....babin ma kan vra !!! O, ku-ku!!! Medet!!! Babin ma kanë vra, o i mjeri unë...!”.  Dhe vaji i tij shkrinte drurë e gurë, por jo zemrën e arkandëve. ...E ëma e këtij fëmije tregon:-”...kokën ja çanë me thikë kur po vraponte tek babai i vet i vrarë... Tani jeton i tronditur deri në kllapi!!!”
  Një gruaje i ka shterrur qumështi, qumështi që ushqen e rrit fëmijën;  dhe fëmijën ja ushqen një komshije shkodrane.
Në fshatin Tërrnie vetëm nga një familje u vranë 30 vetë njëherësh. “...Është e vështirë me kenë burrë; madje duhet me ditë me kenë i tillë...”, pohon njeri prej burrave.
-Tash, si kena pështue, jemi mirë!!!,- ngashërehet një grua rreth të 35-save kur flet me vëllanë në Zvicër në telefon nga reparti i Gardës së Republikës në Mullet më dt. 10 prill.   
  Ka edhe mjaft pohime të tjera të dhimbëshme për ushtrim genocidi.
  Selami Elshani, 37-vjeçar nga Ratija i komunës Rahovec pohon:”...na veçuan 200 burra, 13 na futën në një oborr... Më vonë një grupi prej 15 vetash na komunikuan pushkatimin... na qëlluan me armë dhe unë u plagosa... Na mbuluan me kashtë dhe na spërkatën me benzinë... Unë shpëtova i gjallë... Rrugës pashë më shumë se 100 vetë të masakruar... Burra dhe djem pa kokë, pa krahë, me këmbë të prera e sy të nxjerrë... Rrugët ishin plot të vrarë...”.
  Naile Dana, 28-vjeçare nga Krusha e Madhe shprehet :”... shkuam në fshatin Nagavec dhe u futëm në një shtëpi... Vjehrra ime dhe dymbëdhjetë të tjerë u vranë nga bombardimi ajror në një shtëpi... rrugës kam parë tmerr... Qindra kufoma të shtrira pajetë...”.
  Homiz Nuza,  77-vjeçar nga Smolica e Gjakovës, gjen forca të rrëfejë :”... Por në Teqe të Shabanit serbi ka vrarë 40 burra njëherësh, midis të cilëve edhe Sheh Zenelin... Në Gjakovë kanë vrarë shumë njerëz...., sa nuk mund të numurohen...”.
  Lazie Berisha, 45-vjeçare nga Brestonci i komunës së Rahovecit, pohon edhe sa më poshtë:”...Të tetë mijë banorët e të katër fshatrave u vendosën në Brestan nga 100 banorë në çdo shtëpi... Para se të vinim ne, ishim pushkatuar 47 burra;...nga një bombë u vranë pesë vetë në një shtëpi;... në një shtëpi tjetër në bodrum u vranë njëzet vetë nga një bombë... Kur dualëm kemi parë tmerr të vërtetë... Më shumë se treqind të vrarë kishin mbushur rrugët... rreth njëqind burra, që nuk u larguan nga fshati i kishin  therur krejt këmbsoria serbe, e cila kishte hyrë aty pas bombardimit...”.
  Një tjetër pohon:”... katërmbëdhjetë vajza janë përdhunuar nga më shumë se njëzet ushtarë në një kamp stërvitor të ushtrisë serbe në Gjakovë....Pas këtij akti makabër ato janë vrarë barbarisht.....”.
  Në mëngjezin e 15 prillit, mjaft televizione prestigjioze të Evropës si dhe disa agjenci shtypi, shprehen për një akt genocidi të pashëmbullt deri në këto ditë. Dy helikopterë serbë mitralojnë një kolonë refugjatësh kosovarë, që shpërngulen drejt Shqipërisë... Kjo kolonë nuk ishte më larg se 2-3 km. nga kufiri shqiptar... U vranë 75 vetë, u plagosën dhjetra të tjerë... Pamjet janë rrënqethëse... Pala serbe si zakonisht për këtë masakër makabre akuzoi Aleancën e Atlantikut...
  Pohimet e ushtrimit të genocidit dhe spastrimit etnik janë të shumta, por për të mbetur sa më pranë të vërtetës, po citoj diçka nga pohimi që bën akademiku i njohur kosovar Rexhep Qosja, i cili për gazetën “Ushtria” të dt. 7 prill shprehet edhe sa vijon: ”Nga Kosova nëpërmjet Bllacës kalova në Maqedoni... Nuk di ku e kam familjen... Këtu vazhdon genocidi njëlloj si në Kosovë... Duket sikur nuk ka shqiptarë, s’ka më njerëz, ka vetëm disa qënie që vdesin me krye në urinë dhe fekale... Në Gjermaninë naziste kishte një tragjedi sistematike, këtu po ndodh një tragjedi kaotike... Kolona e njerëzve lëviz me milimetra në kilometra rrugë...”.

  Më shumë se sa problemet që nënvizuam më sipër, duhet vlerësuar posaçërisht edhe një moment. Serbia punon (në atë kohë) në mënyrë sistematike për të shtrirë konfliktin sidomos në Shqipëri, por edhe më tej, me synim që të destabilizojë gjendjen në rajon. Mund të jetë shprehje e kësaj politike edhe qëndrimi i dyshimtë i qeverisë Maqedonase, e cila nuk pranoi futjen e të ardhurve nga lufta në territorin e saj, duke i mbajtur për tre ditë në kufi refugjatët në gjendje mjerane.
  Po ashtu ka patur edhe demostrime anti- NATO në mjaft vende të botës. Më e gjallëruar paraqitet kjo lëvizje në Rusi, por edhe në vende të tjera. Parlamenti Serb më dt. 12 prill duartrokiti në kor propozimin e ultranacionalistit serb Sheshel, i cili në bashkëpunim me Sllobodan Millosheviçin, servirën kartën “e futjes në një aleancë të Serbisë me Rusinë dhe Bjellorusinë”. Po ashtu në kufirin shqiptar disa herë kanë provokuar me sulme tokësore, por edhe janë hedhur predha artilerie, sikurse ndodhi edhe më dt. 12 prill në Tropojën e Vjetër, Padesh e Kamenicë, ku nga predhat e artilerisë serbe u vranë tre vetë si dhe u plagosën dymbëdhjetë shqiptarë të tjerë.    Analistët e huaj këshillojnë që Shqipëria të mos bjerë preh e provokimeve ndjellakeqe të Serbisë. Duhet theksuar që NATO, SHBA, Turqi, e të tjerë, kanë dhënë garanci për sigurimin e sovranitetit dhe paprekshmërisë së vendit tonë. Më datën  11 prill në vendin tonë bëri një vizitë disaorëshe edhe presidenti i Turqisë, z. Sulejman Demirel. Ka patur edhe lëvizje të tjera diplomatike nga Italia dhe vende të tjera.
  Me përparësi duhet vlerësuar çështja e veprimtarisë terroriste, e cila kohët e fundit është intensifikuar. Gazeta “Republika” e datës 11 prill, prononcohet edhe sa vijon:”... deri tani janë ndaluar 27 persona, që dyshohet se kanë lidhje me shërbimin sekret serb (UDB-në), por në këtë drejtim ka shumë për t’u bërë, pasi sipas informacioneve, ka shumë të infiltruar nga rradhët e Serbisë dhe agjenturës së saj...”  
   Këto janë disa nga zhvillimet e situatave në fushën ushtarake; nismat dhe veprimtaria diplomatike për problemet në Kosovë; fluksi i të ardhurve për nevojë, si dhe disa nga dëshmitë rrënqethëse për genocidin e ushtruar në pranverën e hidhur të vitit 1999, pra plot pesë vjetë më parë.

  Fatkeqësisht më dt. 17 mars 2004, pas pesë vitesh, në Kosovë u rishfaq një konfrontim midis dy etnive, asaj serbe dhe shqiptare, i cili, vetëm pas më pak se njëzet e katër orësh ka ndërprerë jetën e njëzet njerëzve, ashtu sikurse gati katërqind të tjerë janë plagosur. Le të shpresojmë që të mbyllet me sa më pak humbje njerëzore.

 Safet N. Ramolli
Tel. 2/434 381
Cel. 068 29 80 067
10 Prill 1999


2.- ZHVILLIMET E SITUATAVE

 (15 prill-3 maj 1999)
  Periudha në fjalë ka si evenimente kryesore:
- Kremtimin e 50-vjetorit të krijimit të Aleancës së Atlantikut Verior (NATO);
- Avancimin e linjës politiko-diplomatike në çështjen e Kosovës;
- Ashpërsimin e veprimeve goditëse të NATO-s kundër objektivave ushtarake në Serbi;
- Rritjen e fluksit të të ardhurve për nevojë nga Kosova;
- Vënien më mirë nën kontroll të problemit të manaxhimit të krizës humanitare  në Kosovë etj. etj

Përvjetori i 50-të i Krijimit të NATO-s (23-25 prill 1999) nuk u kremtua me solemnitetin që e kishte nevojë një eveniment i tillë, dhe kjo për shkak të kryerjes së fushatës ushtarake me Serbinë. Në konkluzion të fundit presidenti i SHBA-së Bill Klinton do të shprehej: ”NATO-ja në të ardhmen do të lëvizë në tre shina: në atë politike, në atë ushtarake dhe, në atë ekonomike”. Këshili i Evropës i mbledhur më dt. 25-27 prill do të shprehej për një shumë prej 30 miliardë dollarë amerikanë si nevojë për ringritjen e Ballkanit.

Le të provojmë të shprehemi mbi zhvimin e fushatës ushtarake

Të ndjekura hap pas hapi, ecuria e veprimeve luftarake rezulton gati si vijon. Më 17-19 prill janë goditur 305 objektiva ushtarake në qytetin Kragujevac, në qytete të tjera si dhe një urë strategjike mbi lumin Danub, e cila lidhte Kroacinë. Presidenti amerikan Bill Klinton i kërkoi Kongresit Amerikan gjashtë miliardë dollarë amerikanë për të përballuar veprimet në Kosovë, njëherësh ka kërkuar mobilizimin e tridhjetë e tre mijë rezervistëve. Në harkun e ditëve 17-21 prill, erdhën në Shqipëri helikopterët “Apache” sëbashku me ekuipazhin përkatës. Agjensitë e shtypit bëjnë të ditur se, në një minutë veprimesh luftarake çmimi që përballon Pentagoni është 45 mijë dollarë amerikanë. Më 22 prill shtypi shqiptar shprehet se, një raketë jugosllave me destinacion Kukësin, asgjësohet në ajër prej raketave amerikave vetëm tetë sekonda pas lëshimit të saj.

  Ishte 22 prill, kur disa orë para mbërritjes në Beograd të të plotfuqishmit të Jelcinit, presidentit të Rusisë për Ballkanin, ish kryeministri i Rusisë Çernomerdin, u godit me raketë një nga rezidencat qeveritare të Jugosllavisë (ishte një vepër me vlera historike e ndërtimore, pasi në të kanë banuar disa prej Krajlëve të Serbisë, përfshi edhe ish kryetarin më jetëgjatë-Josif Broz Tito).
  Më 28 prill zëdhënësit e NATO-s në konferencën e zakonëshme për shtyp shprehin se në tridhjetë e pesë netët e goditjeve ushtarake janë realizuar 4500 goditje. Në to kanë rezultuar gjashtë gabime (goditja mbi autokolonën ku kishte edhe shqiptarë si mburojë e gjallë nga ku humbën jetën 60 vetë; goditja e një pjese transheje hekurudhore në kohën që mbi atë u ndodh një tren; goditja e një objektivi civil në distancën 200 m. nga objektivi i caktuar; goditja e Televizionit Shtetëror të Serbisë ku edhe humbën jetën pesë vetë; goditja e një ure strategjike në Kosovë kur mbi të u ndodh një autobuz, i cili u nda dycopësh etj). Në përfundim zëdhënësit shprehen :”...nëse Millosheviçi nuk do të këmbëngulte, gabimet e mësipërme nuk do të ndodhnin...”. Këto gabime janë shfrytëzuar prej makinës propogandistike serbe. Kështu sulmi i NATO-s në natën e tridhjetë e pestë është epitetuar më barbari, ku gjetën vdekjen njëzet civilë të pafajshëm. Njëherësh Pentagoni konfirmon mobilizimin e tridhjetë e tre mijë rezervistëve.
  29 prilli përkon me natën e tridhjetë e shtatë të fushatës ushtarake. Objekt i goditjeve ka qënë Beogradi ushtarak (aerodromi, uzinat etj) dhe kryeqëndra e Malit të Zi, Podgorica. U goditën kryesisht depozita karburanti, rafineri, ura mbi lumin Sava. Kjo është epitetuar “Nata e tmerrit”, sepse janë lëshuar mëse 600 raketa, prandaj një gazetar shprehet :”... Një shi i tmerrëshëm raketash në Beograd...”. Është goditur edhe një uzinë cigaresh, pronë e Millosheviçit. Kanë qënë në shënjestër të goditjeve Shtabi i Përgjithëshëm i Ushtrisë; Qëndra e Komandimit në Beograd, Ministria e Brendëshme, një zonë rezidenciale e Millosheviçit etj. Në natën e 30 prillit bombardohen objekte ushtarake në qytetet Pançevo, Sombar, Podgoricë ku u vranë pesë vetë, Novi Sad-i u godit me dy raketa.
  U deklarua shkatërrimi i mëse 70% të depove të karburantit. Pala amerikane këmbëngul për intensifikimin e goditjeve deri sa Millosheviçi të përmbushë kushtet (presidenti amerikan ka dhënë pëlqimin për rritjen e numrit të aeroplanëve me njëzet e pesë copë strategjikë B-52).
  Media, duke marrë shkas nga të dhënat e palëve në konflikt, më 1-2 maj shprehet se, në dyzet ditë sulmesh janë kryer mëse 14 mijë fluturime. Është goditur ura strategjike e Rozhanit në Kosovë, në të cilën u ndodh një autobuz, për rrjedhojë pati edhe viktima. Në ditët e fundit të luftimeve NATO-ja ka pranuar humbjen e dy avionëve amerikanë, njeri prej të cilëve i tipit herrier. Njeri prej tyre është rrëxuar për defekt teknik në detin Adriatik sapo është ngritur për fluturim, ndërkohë tjetri ka rënë rreth 20-30 km. në jugë të Beogradit, por që shkaqet nuk janë zbardhur ende, veçse dihet që piloti është shpëtuar.
  Kjo është pak a shumë kronologjia e zhvillimit të veprimeve luftarake. Por gjatë gjithë periudhës në fjalë ka patur provokime në kufirin verior të vendit tonë nga forcat ushtarake serbe. Më 22 prill, në konferencën e zakonëshme për shtyp, ministri i informacionit, Musa Ulqini, konfirmon se, në distancën 400 m. në territorin shtetëror jugosllav është qëlluar me armë artilerije në drejtim të postave kufitare shqiptare. Më 29 prill konfirmohet rasti i goditjes me predha artilerije në dy-tre posta kufitare në veri të vendit tonë, Kukës e Has, ku edhe është vrarë një i ri shqiptar njëzetepesëvjeçar.
  Më datat 2-3 maj janë vënë në goditje sistemi i ushqimit me energji elektrike dhe i televizionit shtetëror serb, për rrjedhojë ¾ e Serbisë më 4 prill, sipas komenteve që bën rrjeti televiziv italian, nuk kanë energji elektrike dhe sinjal televiziv. (rrjeti elektrik nuk është shkatërruar, por është nxjerrë jashtë shërbimit duke goditur me predha, të cilat krijojnë re pluhuri prej grafiti, e cila shkakton lidhje të shkurtër. Janë goditur edhe trupat këmbrore.

Si ka evoluar ecuria në fushën politiko-diplomatike?

  Në këtë hark kohor rezultojnë disa nisma politiko-diplomatike për zgjidhjen paqësore të krizës në Kosovë. Më aktivët paraqiten aleatët e përhershëm të Serbisë, psh Rusia. Presidenti rus, Boris Jelcin më 28 prill, dita e festës kombëtare të Jugosllavisë, në telegramin përshëndetës, garanton udhëheqjen jugosllave se, “Udhëheqja Ruse do të bëjë gjithëçka që është bërë e mundur për zgjidhjen më të shpejtë të krizës në Kosovë duke mbështetur sovranitetin dhe integritetin territorial të RFJ-së”. Më 19 prill, pasdite, Jelcini përmes një bisede të gjatë telefonike, e informon homologun amerikan se, presidenti i RFJ-së nuk është dakort të përmbushë kërkesat e NATO-s. Por presidenti rus do të angazhojë fuqishëm me një mision të posaçëm ish-kryeministrin Çernomedin (i plotfuqishëm i Jelcinit për Ballkanin), nga data 22 deri në fund të prillit. Më 29 prill ai ndërmerr një udhëtim diplomatik në Gjermani, Itali dhe Federatën Jugosllave, me objekt- mundësimin e një zgjidhjeje paqësore të krizës në Kosovë. Në Itali pati takime pune me kryeministrin dhe minsitrin e jashtëm, Massimmo D’Alema, Lamberto Dini, etj. Ai u takua në Bon me kancelarin gjerman Gerhard Shreder dhe, mandej në Beograd me Millosheviçin. Në Beograd ai çoi një mesazh, që mesa duket ishte i mirëpritur nga NATO-ja, por qëndrimi kryeneç i Millosheviçit, bëri që të dështojë në këtë mision diplomatik. Gjithësesi ai ra dakort me Millosheviçin në shtatë pika, të cilat nga diplomacia perëndimore u konsideruan të pamjaftueshme. Ato ishin mjaft larg kërkesave që ka NATO-ja nga regjimi serb. Gjithësesi “shtatëpikëshi” përmbante:
- çdo zgjidhje do të bazohet mbi integritetin territorial të RFJ-së në të cilën Kosova është pjesë integrale;
- dialog i drejtpërdrejtë, pandërmjetësi ndërkombëtare, mes Beogradit dhe liderëve shqiptarë të Kosovës;
- çdo zgjidhje politike do të realizohet mbi barazinë e të gjitha komuniteteve etnike në Kosovë;
- do të garantohet hyrja e lirë për organizatat humanitare nën flamurin e UNHCR-së dhe të Kryqit të Kuq;
- Beogradi do të diskutojë përshtatjen e nivelit të forcave të tij në Kosovë në momentin që NATO-ja tërhiqet nga kufijtë jugosllavë;
- Jugosllavia është e gatëshme të pranojë për diskutim “praninë ndërkombëtare të OKB-së”;
- e gjithë krahina, përfshi Kosovën, do të rikonstruktohet.
  Por sekretarja e shtetit e SHBA-së, Medllin Ollbrajt, për sa më sipër u deklarua: “...Deklaratat e bëra nga Beogradi dhe planet që ata paraqesin nuk mund të konsiderohen as si propozime serioze”, ndërsa kancelari gjerman do të konfirmonte :”Mund të kemi zgjidhje politike e ushtarake të besueshme nëse Serbia përmbush tre kushte :- ndërprerjen e dhunës kundër shqiptarëve;- rikthimin e kontrolluar të shqiptarëve të shpërngulur me dhunë nga Kosova;- prania e një forca ushtarake ndërkombëtare”.
Të njëjtin qëndrim shfaqi edhe kryeministri francez, Lionel Zhospen në vizitën që bëri në Shqipëri më 30 prill kur u shpreh:”... do të shkojmë deri në fund në fushatën ushtarake kundër Serbisë për t’i dhënë fund luftës dhe spastrimit etnik në Kosovë..., futja e forcave këmbësore mund të them se nuk është aktuale”, nënvizoi Ai.
  Këto përfundime mund të themi se janë në rrjedhën e pesë kushteve që ka vënë NATO-ja për t’u përmbushur nga Beogradi. Këto në mënyrën më të thjeshtë i paraqet në tre pika sekretari i përgjithshëm i NATO-s z. Havier Solana në një intevistë dhënë më 1 maj kur shprehet :”Përpjekja e të gjithë neve, por edhe e Sekretarit të Përgjithëshëm të OKB-së, Kofi Annan, dhe e vetë Rusisë është që refugjatët të kthehen në shtëpitë e tyre... Dhe që kjo të ndodhi është e nevojëshme në rradhë të parë të mos vriten nga forcat serbe. Së dyti, që forcat serbe, të rregullta dhe paraushtarake, të tërhiqen. Së treti, që të ketë atje një forcë ndërkombëtare e angazhuar në Kosovë, që të garantojë sigurinë e refugjatëve”.
Por misioni i Çernomerdinit do të vijojë edhe më 3 maj, kur ai niset me mision të posaçëm në SHBA për të takuar edhe Bill Klintonin.
  Në planin e Lëvizjes Diplomatike përfshihet edhe Sekretari i Përgjithëshëm i OKB-së, Kofi Annan, i cili më 28 prill ndërmerr një udhëtim në Moskë ku takon edhe presidentin rus. Atje shtron alternativën e një zgjidhjeje të krizës së Kosovës nën ndikimin e fuqishëm të Rusisë. Me mision në Rusi më 28 prill shkon edhe ministri i mbrojtjes i Gjermanisë, Rudolf Sharping dhe zëvendëssekreatari i Shtetit i SHBA-së Tabllot, si një negociator për Rusinë lidhur me rolin e rëndësishëm që ajo mund të luajë.
  Nga Kampi Francez vjen reagimi i saj përmes vizitës së kryeministrit Lionel Zhospen në Tiranë, Fier dhe Elbasan më 30 prill, është i pari kryeministër francez që zbret në Tiranë në gjysëmshekullin e fundit. Në thelb të takimit, që zhvilloi me presidentin shqiptar Rexhep Meidani, me zëvendëskryeministrin Ilir Meta dhe me drejtues të tjerë të Shtetit Shqiptar, pasi i kërkoi falje kryeministrit shqiptar Majko me telefonatë në Gjermani, ku Ai ndodhej për vizitë, u shpreh :
- i qëndrojmë besnikë Rambujesë, kuadrit gjeografik që u përcaktua atje dhe përjashtojmë ndarjen e Kosovës;
- mendoj të shikojmë mundësinë e një Kosove të pavarur dhe më pas të një shteti të ri të Malit të Zi jashtë Jugosllavisë, si dhe integrimin direkt të tyre në Evropë;
- e quaj të gabuar mendimin për një republikë të pavarur të Kosovës, ajo duhet të kalojë një fazë të ndërmjeme sikurse është ajo e “protektoratit ndërkombëtar”;
- të ndërtojmë një mentalitet të ri në raportin, kufij shtetërorë dhe zhvillim ekonomik demokratik në rajon.
  Në vendin tonë në kuadrin e veprimeve diplomatike dhe politiko-ushtarake në datat 29-30 prill vijnë mjaft personalitete të tjera psh. zëvëndëskryeministri dhe ministri i jashtëm austriak Volfang Schussel, i cili u takua me ministrin e jashtëm shqiptar Paskal Milo, i cili premtoi një ndihmë të menjëherëshme. Gjenerali Shelton, shef i shtabeve të bashkuara të ushtrisë amerikane, takohet në Rinas me ministrin e mbrojtjes shqiptare Luan Hajdaraga. Në ministrinë e mbrojtjes shqiptare kanë zhvilluar bisedime, De Gran- ministër i mbrojtjes i mbretërisë së Hollandës, George Robertson, sekretar i shtetit për mbrojtjen e Anglisë, gjenerali Majcen, shef i shtabit të përgjithëshëm të ushtrisë së Austrisë, shefi i shtabit të përgjithëshëm të ushtrisë gjermane bëri jjë vizitë në Divizionin e Korçës, etj. Miqtë e ardhur u shprehën si vijon: anglezi Robertson, takoi presidentin dhe ministrin e mbrojtjes shqiptare, shprehu gatishmërinë për t’i shkuar deri në fund zgjidhjes së krizës në Kosovë. “Ju përgëzoj për qëndrimin dhe punën e madhe të bërë ngga qeveria dhe veçanërisht nga forcat e armatosura”, tha Ai. Amerikani Shilton, në takimin me ministrin e mbrojtjes premtoi vendosmërinë e qeverisë amerikane, por edhe inspektoi trupat amerikane. “Në Amerikë popullin shqiptar e konsiderojnë mik të madh të popullit amerikan”, tha midis të tjerash .
  Edhe drejtuesit e Shtetit Shqiptar kanë qënë të angazhuar totalisht me zhvillimet e situatave në Kosovë dhe në verilindje të vendit. Presidenti , Rexhep Meidani, më 21 prill ndërmerr një udhëtim për në SHBA e Francë (Strasburg), i ftuar të marrë pjesë në kremtimet e 50-vjetorit të krijimit të NATO-s. Atje u shpreh për vendosmërinë e Shtetit Shqiptar për të qëndruar përkrah NATO-s, për të pritur të ardhurit për nevojë nga Kosova dhe, për mospranimin e alternativës “... për një ndarje të Kosovës”. Më 26 prill ai takoi në Francë për mëse një orë e gjysëm shkrimtarin shqiptar Ismail Kadare, duke vënë në qëndër të bisedës “Çështjen Kosova”.
  Më 27 prill ai takoi presidentin dhe kryeministrin e Francës, Zhak Shirak dhe Lionel Zhospin. Thelbin e bisedës e shpreh në intervistën dhënë gazetës “la Parisien” më 27 prill kur shprehet :”... ndarja do të ishte zgjidhja më e keqe për rajonin... Ajo do të ishte një bombë me sahat... Duhet të gjëndet një zgjidhje tjetër, si psh një protektorat ndërkombëtar”. Më poshtë vazhdon se tani çështja është :”... një konflikt midis diktaturës dhe demokracisë, midis spastrimit etnik dhe respektimit të të drejtave të njeriut...”. Në takimin me kryeministrin francez, sikurse shprehet ky i fundit, “... evokuan perspektivën e avancimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian...Por mendojmë se, një plan ekonomik është i nevojëshëm për të gjithë Ballkanin”.
  Kryeministri shqiptar Pandeli Majko, përveç ngarkesës së përditëshme për të përballuar situatën në vend edhe për shkak të të ardhurve për nevojë nga flakët e luftës në Kosovë, me ftesë të kancelarit gjerman Gerhard Shreder, ndërmorri një vizitë dyditore në Gjermani, 29-30 prill. Problemi qëndror ishte ai i gjëndjes dhe i perspektivës në Kosovë. Shprehu vendosmërinë e qeverisë shqiptare për të qënë përkrah NATO-s, si dhe për të manaxhuar krizën humanitare. Në takimin me minsitrin e mbrojtjes, Rudolf Sharping, u shpreh edhe :”... në Ballkan tashmë po flet gjuha ushtarake...”. Ai pati një bisedë edhe me ministrin e jashtëm Joshka Fisher.
  Veprimtari intensive diplomatike ka patur edhe shefi i diplomacisë shqiptare, ministri i jashtëm Paskal Milo. Pas kthimit nga Samiti i 50-vjetorit të Krijimit të NATO-s, më 23-25 prill dhe të Këshillit të Evropës në Strasburg më 25-27 prill, dha një konferencë shtypi. Në thelb nënvizoi :”Këshilli i Evropës theksoi, të mendojmë e të punojmë për një Ballkan të evropianizuar dhe jo për një Evropë të ballkanizuar”. Ai pohoi se në Amerikë dhe në Evropë janë bindur për genocidin dhe spastrimin etnik në Kosovë. Njëherësh i bëri thirrje, - ftesë,- Ibraim Rugovës, udhëheqësit të moderuar sikurse epitetohet nga diplomacia, që me familjen e tij të vijë në Shqipëri, sepse Kosova tashmë është shpopulluar gati nga një milion shqiptarë. Edhe në Tiranë mund të bisedohet për probleme të rëndësishme si në vitin 1913 në Konferencën e Ambasadorëve në Londër. 
Si paraqitet fluksi i të shpërngulurve me dhunë, por edhe opinione dhe qëndrime.
  Ka vijuar ardhja e të shpërngulurve me dhunë. Më 18 prill numri i tyre në Shqipëri kap shifrën 326 mijë. Po këtë ditë një mjet transporti i kosovarëve has në një minë serbe prej shpërthimit të së cilës gjetën vdekjen pesë vetë, gra e fëmijë.
Më 19 prill Serbia rimbyll kufijtë për ardhjen e kosovarëve, por më 27 prill të shpërngulurit me dhunë rezultojnë si vijon: në Shqipëri- 364.720 vetë; në Maqedoni – 135.425 vetë; në Mal të Zi – 372-000 vetë ( gjithsej 527.734 vetë). Më datën 28 prill në Shqipëri rezultojnë 367.900 vetë të ardhur; në Maqedoni – 168.000 vetë, dhe në Mal të Zi – 75.000 vetë. Më datën 30 prill në Shqipëri numri arrin në shifrën 373.400 vetë; në Maqedoni – 170.600 vetë. Më 1 maj në Shqipëri numri i të ardhurve arrin në 390.000 vetë, por parashikohet të vijnë deri në 600.000. Më datat 2-3 maj janë shpërngulur rreth 20.000 kosovarë, prej të cilëve 15.000 në Maqedoni. Pra shuma e përgjithëshme rezulton të jetë gati 650.000 vetë.
  Ka edhe zhvillime të tjera të cilat mund të evidentohen. Më 28 prill zëvëndëskryeministri i RFJ-së, përfaqësuesi i opozitës Serbe të Partisë Socialiste të Millosheviçit, Vuk Drashkoviç, shkarkohet nga detyra. Një ditë më parë ai kishte dhënë një intervistë në një stacion televiziv britanik (intervistë e cila u transmetua shtatëherë), në të cilën shprehte rezervat e tij lidhur me tejkalimin e kompetencave nga Millosheviçi. Drashkoviçi tërhoqi nga kabineti qeveritar edhe tre ministrat e tij. (Pas kësaj ai ndodhet jashtë territorit jugosllav). Qëndrimin e tij ai e shpreh edhe përmes reagimit që vijoj: ”... nuk është nevoja të luftosh deri në fund kundër një bote të tërë; të raskapitësh deri edhe ushtarin e fundit; të shtysh popullin deri në limitin e fundit të vuajtjes... Ekziston një alternativë tjetër që mbron të drejtat tona themelore, interesat e shtetit sovran dhe integritetin tonë territorial: ta shqyrtojmë”, shprehet Drashkoviç.
Nga diplomacia evropiane e më gjërë, ky qëndrim është konsideruar si e çara e parë e madhe në klanin e Sllobodan Millosheviçit. Priten edhe reagime të tjera.
  Agjencia Jugosllave “Tanjung” në orën 22.30 të datës 28 prill transmeton lajmin: “Presidenti i Serbisë dhe udhëheqësi i moderuar Rugova, kanë rënë dakort të formojnë një qeveri të përkohëshme të Kosovës”. Por ky mendim, që bije në kundërshtim me atë që është vendosur në Rambuje dhe Paris, është shprehur edhe në Tiranë nga zëvëndësi i Rugovës dhe zëdhënësi i tij në Tiranë më 2-3 maj, të cilët nuk e njohin qeverinë e Thaçit. Natyrisht këto “të çara” nuk janë në interes të zgjidhjes së çështjes kosovare.
  Ka edhe ndonjë reagim në SHBA, të cilët i tregojnë kufijtë ligjorë presidentit Klinton. Në orët e vona të datës 27 prill, Kongresi Amerikan vendosi që Klintoni të marrë vendime për të nxjerrë forca të këmbsorisë në rajone të tjera, pa marrë vendimin e Kongresit Amerikan më parë.
  Më 2 maj, në orën 10.00, nga prifti amerikan Xheki Xhekson, një amerikan me ngjyrë ky, anëtar i Komitetit të të Drejtave të Njeriut, u mundësua lirimi i tre ushtarëve amerikanë të kapur më 30 mars në kufirin Serbi-Maqedoni. Të liruarit kaluan në Kroaci, prej andej në një bazë ushtarake në Gjermani ku takuan familjet e tyre për t’u transportuar në vendbanim në SHBA. Ishte diçka emocionuese momenti kur i takonte, i përqafonte, i udhëzonte të faleshin, u fuste krahët apo i kapte përdore si fëmijë, dhe ua dorëzoi familjeve me shumë dashamirësi dhe detyrim moral...
Një gjest dhe sjellje etike ushtroi edhe kryeministri francez Lionel Zhospen në vizitën në Tiranë më 30 prill kur takoi forcat e NATO-s në Elbasan, të cilat janë nën komandën e kuadrove francezë.
  Nuk i kanë shpëtuar “ndëshkimit” për shkak të misionit (si pushtet i katërt) edhe gazetarët. Në Angli vritet pranë vendbanimit një gazetare mjaft publike, e cila është nderuar gati si princesha Diana. (Dyshohet hakmarrje serbe për shkak të përkrahjes dhe mbështetjes së saj për çështjen kosovare). Po ashtu më 28 prill në Serbi është gjetur i vrarë me plumb prapa kokës gazetari i Dayjli Telegraph, ndërkohë është kërcënuar edhe gazetari i BBS-së angleze.
Ja edhe disa reagime:
  Gerhard Shreder, kancelar i Gjermanisë, shprehet :” Gjermania sëbashku me partnerë të tjerë të NATO-s, dëshiron që t’i jepen fund krimeve dhe shpërnguljeve dhe të gjejë një zgjidhje që do të lejojë rilindjen e një Kosove të re demokratike. Por kushtet tona ndaj Beogradit mbesin të njëjta”.
  Keizo Obuki, kryeministër i Japonisë,  shprehet se Japonia nuk ka përse të paguajë çmimin e sulmeve të NATO-s, por do të vazhdojë të kontribuojë për të asistuar refugjatët kosovarë me financime direkte por edhe përmes organizatave të OKB-së.
  Jorgos Papandreu, ministër i jashtëm i Greqisë, pohon se Jugosllavia ka bërë hapa përpara kur pranon forcat ndërkombëtare, kjo duhet të shoqërohet me një lëvizje të ngjajëshme nga ana e NATO-s.
  Këto rezultojnë disa nga zhvillimet e situatave në Kosovë  në periudhën 16 prill-3 maj të vitit 1999. Ato i kemi përcaktuar në lëmin e fushatës ushtarake, ecurisë në fushën politiko-diplomatike dhe, fluksin e të shpërngulurve me dhunë, por edhe me disa qëndrime e reagime për këto çështje.
Safet N. Ramolli
Tel. 2/434 381
Cel. 068 29 80 067
3 Maj 1999


3.- MBI ZHVILLIMIN E SITUATAVE
( 5-25 maj 1999)
Le të sjellim në vëmendje të lexusesit :
 - zhvillimet e situatave luftarake;
- ecuria e veprimtarisë diplomatike;
- veprimet propogandistike dhe fillesat e rënies morale të qytetarëve dhe ushtarëve serbë; dhe
-  dhjetë gabimet e NATO-s, si dhe pohime për këto zhvillime.

Si u zhvilluan situatat luftarake?

  Mendimi i NATO-s ka qënë unik : të vijojnë bombardimet mbi Serbi deri në plotësimin e pesë kushteve të vëna nga NATO-ja. Kështu që kanë vijuar goditjet kryesisht mbi rrjetin elektrik, antenat televizive, depozitat apo rafineritë e karburanteve, depo armatimi, grupime artilerie dhe tanke; kolona këmbsorie e objekte të tjera.
  Më 6 maj mblidhet Këshilli i Grupit të të Shtatëve + Rusia, ose e shprehur ndryshe G8, për të formuluar një zgjidhje paqësore të krizës në Kosovë. Por presidenti Klinton deklaron se, do të vijojnë goditjet, Pentagoni ka siguruar mbështetje financiare dyfishe si dhe njëqind e nëntëdhjetë e gjashtë avionë të tjerë.
  Më 7 maj janë goditur trupat serbe në vijën e kufirit me Shqipërinë, ndërsa pas një dite një predhë e NATO-s ka goditur selinë e Ambasadës Kineze në Beograd, prej së cilës mbetën tre të vrarë dhe disa të plagosur. Gjithësesi, zëdhënësi politik i NATO-s ka pranuar se është një incident i padëshirueshëm dhe i paqëllimshëm. Flitet se UÇK-ja disponon tridhjetë mijë vetë, por nuk dihet numri i saktë, gjithësesi pohohet se, ata janë të disiplinuar, të stërvitur, të motivuar nën moton :”Luftojmë për Liri ! Gjuhë! Flamur!”.  Në Nish u godit spitali civil.
  Më 9 maj, ora 22.30, zëdhënësi i Shtabit Madhor të Jugosllavisë deklaron se ka filluar tërheqja e forcave ushtarake të Jugosllavisë nga Kosova (kjo nuk është aspak e vërtetë, sepse pas pak ditësh do të intensifikohen goditjet e Serbisë). Në sulmet e NATO-s ka qënë objektiv rrënimi i aerodromeve, por janë zhvilluar më 11 maj luftime të ashpra midis forcave serbe dhe UÇK-së, rrëzohet një aeroplan Mig-69 në territorin shqiptar. Zëdhënësi i NATO-s, Xhimi Shir, më 8 maj deklarohet :”Ja bilanci i dyzet e katër ditëve të angazhimit luftarak : në Kosovë janë shkatërruar 20% e strukturave të armatimit; kanë dalë jashtë përdorimit arteriet kryesore rrugore dhe hekurudhore si dhe të gjitha urat mbi lumin Danub; mbi 60% e aeroplanëve serbë Mig-69 janë eleminuar ose janë detyruar të qëndrojnë në tokë, etj”. Pentagoni ka urdhëruar dërgimin e 176 avionëve të tjerë duke arritur numri në 639. Dëshmitë flasin për 46 varre të luftëtarëve të UÇK-së në Bajram Curri. Komandanti suprem i NATO-s, pesëdhjetë e katërvjeç, i njohur personlaisht me presidentin Klinton nga mosha e adoleshencës, shkolluar në Akademinë Ushtarake të Uest Pontit, diplomuar në Oksfrod për filozofi, politikë dhe ekonomi, deklarohet :”Ja si do ta palos unë Millosheviçin”. Janë 700 avionë që në njëzet e katër orë hedhin raketa e bomba mbi Serbi në kuadrin e operacionit “Forca Aleate”. Faza e parë: qëndrat e radarëve dhe raketave; faza e dytë: kazerma, fabrika, ura, bunkierë, grumbullime ushtarake e paraushtarake, rezidenca presidenciale e Millosheviçit etj. “...Misioni i NATO-s është të drejtojë fushatën ajrore, të sulmojë e shkatërrojë ushtrinë e madhe serbe dhe infrastrukturat që e mbështesin atë... Do të vazhdojmë të sulmojmë objektivat ushtarakë dhe disa “target” që kanë ndonjë rëndësi të veçantë për Millosheviçin dhe për mbështetësit e tij më të afërt”.
  Më 12 maj deklarohet se është nata e pesëdhjetë e sulmeve, u ndërmorrën 600 misione (fluturime) duke asgjësuar pesë aeroplanë Mig-69 dhe 21 aeroplanë gjurmuesë; janë goditur pesë aerodrome dhe shtatë ura duke shkatuar shumë viktima ushtarakë dhe familjet e tyre; po këtë ditë rezultojnë dy të vrarë në fshatin Kamenicë të Tropojës dhe 80 të plagosur.
  Më 14 maj janë ndërmarrë 767 inkursione, është goditur Nishi, Novi Sad, Prishtina etj; po ashtu janë goditur ura, depozita karburanti, aerodrome etj. Gjatë 51 netëve sulmi janë ndërmarrë 20 mijë fluturime me mbi 7 mijë sulme objektesh. Gjithashtu thuhet se më 12 maj nga një gabim i NATO-s në Koshare pranë Prizrenit janë vrarë 85 apo 100 kosovarë, të cilët mbahen peng për t’u përdorur si mburojë e gjallë prej serbëve.
  Nata e 55-të e fushatës ushtarake, pra më 18 maj 1999, shoqërohet edhe me spjegimet se, 225 mijë burra e djem të paregjistruar në UÇK, rezultojnë të humbur kohët e fundit; dëmet ekonomike për Beogradin rezultojnë të jenë 100 milion dollarë, prej të cilëve 1/10 i përkasin kryeqytetit të ish-Jugosllavisë; në Gorrisha pranë Prizrenit janë aksidentuar disa kosovarë.    Më 23 maj, kur jemi në natën e 59-të të fushatës ushtarake, u kryen 684 fluturime, u goditën termocentralet jo vetëm me bomba me grafit (në këtë rast ndërpritet  linja elektrike por nuk dëmtohet fizikisht rrjeti elektrik) por edhe me bomba shpërthyese. Po këtë ditë presidenti amerikan deklarohet se, duhet të përgatiten 50 mijë ushtarë në kufi me Kosovën si forcë paqeruajtëse, por pasi të jenë plotësuar pesë kërkesat e NATO-s. Duhen akoma tre javë për të përgatitur një forcë të mjaftueshme për veprimet këmbësore në Kosovë. Uesli Klark deklarohet se, goditjet e NATO-s kanë rezultuar të efektëshme dhe pas pak ditësh Millosheviçi do të gjunjëzohet. Serbisë i janë shkaktuar dëme të mëdha ekonomike, 500 mijë njerëz kanë mbetur pa punë, 2 milion të tjerë kanë mbetur pa të ardhura; nga 648 aksionet – 245 prej atyre kanë qënë bombardime. Në natën e 20 majit NATO ka kryer gati 500 fluturime (inkursione), duke realizuar 118 goditje. Një raketë e devijuar nga shenja e një kazerme, ka rënë në një spital ku edhe janë vrarë tre vetë e plagosur disa të tjerë. Është dëmtuar edhe rezidenca e ambasadës të Suedisë. Midis forcave të ushtrisë shqiptare dhe serbe ka rezultuar shkëmbim zjarri.
  Gazeta “Republika” e dt. 23 maj 1999 prononcohet edhe sa vijon: më 20 maj nga goditjet e NATO-s dëmtohet rezidenca e ambasadës së Indisë dhe Pakistanit.
  Më 21 maj 1999 një raketë e destinuar mbi një depo armësh ka devijuar dhe ka goditur një spital ku janë vrarë katër vetë dhe janë plagosur dhjetra të tjerë. Njëherësh është dëmtuar edhe rezidenca e ambasadave të Suedisë dhe Spanjës.
  Aeroplanët e NATO-s goditën edhe një spital si dhe rezidencën e ambasadorit irakien, por thuhet se në shenjë ishte një depo armësh.
  Televizioni Shtetëror Shqiptar në lajmet e orës 16.00 të dt. 25 maj 1999, shprehet edhe sa vijon: nuk dihet fati i 100 mijë burrave e të rinjve; një kamera jep dëshmi të zhvarrimeve, eksportimit në zonat ku ka bombarduar NATO;  në 62 ditët inkursione ushtarake kundër Serbisë janë dëmtuar qëndra komandimi e drejtimi, institucionet e ministrisë së mbrojtjes, të ministrisë së brendëshme, shtabi i përgjithëshëm; venddislokimet e raketave, artilerisë dhe tankeve; 100 aeroplanë luftarakë ose më shumë se gjysma e tyre; 75% e raketave tokë-ajër, 50% e depove të municionit; janë nxjerrë jashtë funksionit uzina e fabrika armatimi e municioni (200 të tilla, aerodrome, fabrika ndihmëse për ushtrinë etj.); janë shkatërruar 500 pajisje ushtarake, kazerma, 1/3 e gjithë pajisjeve të rënda serbe etj. Në Kosovë qindra fshatra e mijëra shtëpi janë shkatërruar e djegur; gati një milion shqiptarë janë deportuar me dhunë, me qindra të tjerë janë masakruar, dhunuar, prerë në qafë; 500 mijë janë të papunë nga qëndrat ekonomike të shkatërruara, 2 milion mbeten pa të ardhura; 100 milion dollarë rezulton vlera e dëmtimeve, ose e thënë më ndryshe, Serbia është kthyer 50 vjet prapa.
  Këto janë pak a shumë zhvillimet e situatave në fushën e veprimeve ushtarake. Gjithësesi janë më pranë së vërtetës, sepse janë mbledhur e sistemuar nga burimet e besueshme amerikane etj.

Po si rezulton ecuria e veprimtarisë diplomatike?

  Më 4 maj presidenti amerikan Bill Klinton mori dy letra, njëra nga ish kryeministri rus Çernomerdin (pas kthimit nga misioni diplomatik në Itali, Gjermani e Jugosllavi), dhe një tjetër personale nga Millosheviçi përmes Xheki Xhekson (prifti amerikan me ngjyrë, që arriti lirimin e tre pengjeve amerikanë). Përgjigja ka qënë: do të vijojnë goditjet deri sa të plotësohen kushtet e NATO-s.
  Më 5 maj, 75 km. Në verilindje të Rinasit është rrëxuar një helikopter “Apache”. Dy pilotët kanë humbur jetën në ditën e Dëshmorëve të Shqipërisë. Njihen si dy viktimat e para të NATO-s. Më 23 maj gazeta “Republika” u shpreh se ai është goditur nga forcat e MKA-së serbe).  Po këtë ditë lirohet Ibrahim Rugova dhe shkon në Itali sëbashku me familjen e tij (takoi kryeministrin Masimmo D’ Alema, ministrin e jashtëm Lamberto Dini. Deklarohet se Millosheviçin e ka takuar me dëshirën e tij dhe, se është dakort për futjen e NATO-s në Kosovë.
  Më 6 maj 1999 në Bruksel mblidhet Grupi 7+Rusia. Hartohet një dokument për zgjidhjen paqësore të krizës në Kosovë. Plani i këtij takimi përpos të tjerash, parashikon në pikën 3 dhe 6 :”Dislokimi i një force civile sigurie”, ”Çmilitarizimi i UÇK-së”. Por Klintoni në takimin me kancelarin gjerman Gerhard Shreder shprehet se, do të vijojnë goditjet me ashpërsi.
  Më 8 maj 1999 disa agjensi prestigjioze të lajmeve japin dy lajme tronditëse: i pari pohon se gjëndet i vrarë në periferi të Prishtinës zëvëndëskryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës- akademiku Fehmi Agani, bashkëpunëtor i ngushtë i Rugovës dhe firmëtar i marrëveshjes në Rambuje (për të ndjerin më dt. 29 mars apo 2 prill 1999 u deklarua se ai ishte vrarë me disa të tjerë). Lajmi i dytë hedh dritë për një predhë të NATO-s, e cila ka goditur Rezidencën e Republikës së Kinës në Beograd, janë vrarë tre vetë dhe janë plagosur disa të tjerë. Të nesërmen presidenti amerikan Bill Klinton i kërkoi falje publike presidentit të Kinës, ashtu si zëdhënësi i NATO-s deklaron se kanë filluar hetimet e çështjes.
 Në Tiranë  vjen për vizitë presidenti italian Oskar Luigji Skalfaro, i cili viziton Kukësin, Durrësin dhe Kavajën. Por gjithësesi pas një jave në Itali bëhen zgjedhjet e reja. Shoqërohej prej Lamberto Dinit. Më 11 maj kancelari gjerman vizitoi Kinën, ish kryeministri rus vijon negociatat.
  Më 7 maj ministri i jashtëm shqiptar Paskal Milot takohet në Itali me Rugovën. “... Do të vij së shpejti në Tiranë... Çdo takim mes shqiptarëve është i dobishëm...”.
  Klinton deklarohet se trupat me aprovimin e OKB-së mund të vijnë nga vendet e NATO-s, Rusia e Ukrahina, secila me struktura komandimi më vehte, të dislokuara në sektorë të ndryshëm të Kosovës. (Trupat ushtarake të NATO-s të marrin në mbrojtje krthimin e refugjatëve). Plani përfshin: tipet e armatimit që duhet të kenë ushtarët dhe rregullat e reagimit nëse ndeshen me kërcënime; sasia e trupës serbe; shkalla e autonomisë së ardhëshme për administratën e Kosovës etj.).
  Ministria e Jashtme e Republikës së Kinës rekomandon që çdo masë e diplomacisë mos lerë jashtë Beogradin; kemi qënë e jemi për një zgjidhje politike, të respektimit të sovranitetit dhe të integritetit territorial të Jugosllavisë.
  Më 12 maj 1999 ka zhvillime diplomatike mjaft të ashpra: presidenti rus-Boris Jelcini- shkarkon nga detyra kryeministrin Primakov dhe në vend të tij caktoi Sergej Stipaçev, ish ministër i brendëshëm. Por nga ana tjetër Duma e Rusisë ka kërkuar dorëheqjen e vetë Jelcinit.
  Kancelari gjerman Shrëder viziton Kinën dhe kërkon falje publike për katër viktimat në ambasadën e Kinës në Beograd, premton se do të intensifikohen hetimet. Presidenti francez Zhak Shirak më 12 maj në mbrëmje viziton Rusinë, sikurse sekretari i përgjithëshëm i NATO-s, Havier Solana, për gjysëm dite viziton Tiranën, ku edhe deklarohet :”NATO-ja nuk do të lejojë intenvenimin e Shqipërisë nga Serbia”. Në Itali ka qënë “...natë diplomatike”, Çiampi pritet të zgjidhet president. Vërtetohet se në ambasadën e Kinës në Beograd janë hedhur pesë predha, njëra prej atyre nuk ka shpërthyer.  Më 18 maj vjen sekretari i përgjithëshëm i OKB-së, Kofi Annan, pas vizitës në Kukës dhe takimit me personalitete shqiptare nuk dha konferencë për shtyp.
  Për herë të parë në historinë e marrëdhënieve Shqipëri-Angli, në vendin tonë vjen për vizitë kryeministri britanik Toni Bler. Ai u deklarua se: ”Jemi demokracia më e vjetër në Evropë dhe s’ mund të pranojmë dhunën e serbëve,... çështja e jonë është e drejtë dhe nuk ka sesi mos fitojmë; NATO nuk lufton për territore por për vlerat e demokracisë,...ushtarakët britanikë në Shqipëri duhet të jenë krenarë për kontributin që japin,... edhe pesëdhjetë vjet më parë ndërtuam Evropën,... “. Në Elbasan  ai vizitoi kosovarët veshur me bluzë sportive të kuqe dhe pantallona të zeza- simbol i Flamurit Kombëtar Shqiptar.
  Po më dt. 8 maj kancelari gjerman Gerard Shrëder takon në Romë kryeministrin  italian Masimmo D’ Alema, diskutojnë për gjetjen e një zgjidhjeje paqësore. Më dt. 21 maj propoganda serbe pohon se Millosheviçi ka pranuar planin e Grupit 7 + Rusia, por NATO-ja këmbëngul në zbatimin e pesë pikave.
Ja tani edhe disa nga veprimet propogandistike dhe fillesat e rënies morale të qytetarëve dhe ushtarakëve serbë.
  Tre kanë rezultuar mjetet e dobësimit të makinës ushtarake të Serbisë: goditjet me predha e raketa; veprimet diplomatike, dhe ato propogandistike.
Historia e njerëzimit njeh e pranon efektin e mjetit propogandistik gjatë zhvillimit të veprimeve luftarake, prandaj NATO-ja si institucion politik e ushtarak, në fushatën ushtarake kundër Serbisë, e cila më 25 maj ka hyrë në muajin e tretë, ka organizuar e përdorur edhe këtë mundësi.
  Disa ditë pasi ka filluar fushata ushtarake, do të jetë vetë sekretarja e shtetit amerikan, Medlin Ollbrajt, e cila ka formuluar një thirrje për ushtarët dhe popullsinë serbe në gjuhën kroate, që ajo të braktiste politikën shkatërruese të liderit serb Sllobodan Millosheviç. Në të pastajmen kjo “armë” është intensifikuar dhe ka dhënë edhe efektet e para. Ja pak a shumë kronika. Më 5 maj 1999, presidenti amerikan Bill Klinton vizitoi qëndrën e NATO-s në Bruksel si dhe dy bazat ushtarake amerikane në Gjermani. Ai takoi tre ushtarët e liruar të mbajtur peng nga Serbia, duke u thënë: ”Jeni qytetarë trima amerikanë!”. Ai pohoi se mund të ketë ndërprerje të përkohëshme të goditjeve, por me kusht që të jenë tërhequr forcat serbe nga Kosova.
  Ueslli Klark, komandant suprem i NATO-s ka deklaruar: ”Millosheviçi mendoi se bombardimi do të bëhej në një ditë. Tani ai e kuptoi se ka bërë gabim të madh në vlerësim... Pilotët italianë ndërkohë janë ndër më të mirët e NATO-s dhe janë të bindur çdo ditë e më shumë në fushatën ajrore”.
  Më 8 maj 1999, “Gazeta Shqiptare” prononcohet se “...oficerët e Serbisë gradohen për idetë politike, për gatishmërinë për të përdorur funksionet morale të një ushtaraku të armatosur dhe për ta kthyer kundër vetë popullit të tyre në Kosovë”. Po këtë ditë u konfirmua se është vrarë akademiku Fehmi Agani (i gjetur pranë Lipjanit disa kilometra larg Prishtinës. E kishte marrë prej një treni policia serbe më 6 maj. Ishte krahu i djathtë i Ibrahim Rugovës, i shquar për tolerancë, prirës i rezistencës paqësore, nënëshkrues i marrëveshjes së Rambujesë; më 29 mars u njoftua se ishte vrarë bashkë me Beton Haxhinë, e disa të tjerë).
 Zhelko Raznjatoviç, (Arkan) pohon se më 8 maj në vendin e qëndrës së tij të pushtetit, u godit nga raketat e NATO-s rezidenca e ambasadës së Kinës. Vetë Zhelko ka një histori të tërë të vjedhjeve në Evropën e Veriut dhe në Milano; krijoi milicinë e tij vullnetare në Erdut, pranë Vukovarit, “Tigrat”, të veshur me të zeza e që udhëtonin me makina të tipit fuoristrada.
  Zoran Gjingjiç, ish kryetar i Bashkisë së Beogradit në vitet 1997-1998, ka qënë në grupimin opozitar “Zajedno”(Sëbashku), tani ka kundërshtuar hapur Millosheviçin, “... Millosheviçi duhet të përgjigjet për krime lufte në Kosovë”.
  Më 12 maj agjensitë e shtypit bëjnë të ditur se, në Serbi ka filluar largimi i familjeve të ushtarakëve të lartë, por njëherësh sqarojmë se ka një vendim të NATO-s për moslejimin e 140 titullarëve me në krye Millosheviçin. Ky hap tregon se oficerët e lartë po e ndjejnë fundin e hidhur.
  Më 14 maj rrëxohet një avion pa pilot. Italianët shprehen se do të vijojnë hetimet. Më 18 maj NATO-ja ndërmerr inkursione dhe sulme ndaj mjeteve agjitative masive (u goditën antenat televizive, ashtu si u hodhën fletushka me thirrje, përmes të cilave u kërkohet ushtarakëve serbë të largohen sa më parë nga Kosova). Po këtë ditë flitet se, mëse njëmijë ushtarakë serbë braktisën detyrën ushtarake. Po ashtu shtohen protestat e grave serbe kundër vijimit të luftës nga Millosheviçi, çka po vret njerëz të pafajëshëm nga të dy palët.
  Më 19 maj shtypi i huaj bën jehonë grumbullimeve dhe protestave të nënave serbe, të cilat duke përcjellë djemtë e tyre në banesën e fundit, të humbur në beteja pakuptim dhe paideal, shprehen në kor :”Mos na i ço më djemtë drejt vdekjes! Mjaft më luftë!”. Më 20 maj janë mëse katër mijë gra serbe, të cilat protestojnë nëpër rrugë kundër vrasjes së djemve të tyre në një luftë pakuptim. Kështu, më 25 maj agjensitë e lajmeve flasin për dezertime në masë të ushtarëve; ka edhe ndeshje me armë midis atyre që duan të largohen dhe të tjerëve që janë besnikë të Millosheviçit dhe të gjeneralëve.
  Ka disa ditë, pra prej datës 20 maj, që Beogradi dhe qytetet të tjera i nënështrohen errësirës për shkak të dëmtimit të centraleve elektrike, po ashtu është racionuar uji i pijëshëm. Qeveria e Millosheviçit ka marrë një vendim që punonjësit e ndërmarrjeve të dëmtuara nga predhat e NATO-s të paguhen vetëm njëzet dollarë nga dyqind që paguheshin më parë. Këto e të tjera fakte po sjellin rrënimin moral të ushtrisë serbe dhe të familjeve të tyre, por edhe të krejt popullsisë serbe.

Cilat janë vlerësuar si dhjetë gabimet e NATO-s gjatë bombardimeve?

  Më 5 prill, duke synuar kazermat në qytetin Aleksinac, 200 km. Në jugë të Beogradit, u shkaktuan 17 viktima të pafajëshme civile.
  Më 9 prill janë goditur disa banesa pranë një centrali telegrafik në Prishtinë, nuk ka të dhëna për viktimat.
  Më 12 prill, një raketë e lëshuar mbi një urë ku kalonte treni në Gërdelicka Klisma, u vravë 55 vetë.
  Më 14 prill, pas një bombardimi të karvaneve në zonën e Gjakovës, u vranë 75 vetë, shumica refugjatë kosovarë.
  Më 28 prill, synohet një kazermë në Surdrelicë, 250 km. Në jugë të Beogradit, por u godit një zonë e banuar, gjetën vdekjen 20 civilë.
  Më 1 maj u bombardua një urë në Luzanë të Kosovës, 20 km. Në veri të Prishtinës, ku u ndodh një autobuz, vdiqën 45-60 vetë.
  Më 7 maj, sulmohet në mes të ditës aerodromi i Nishit, pati 50 të vdekur e 70 të plagosur. Bomba thërrmuese devijuar nga trajektorja ra në zonë të preferuar ku edhe ndodhet një treg i madh, një klinikë dhe një universitet, u vranë 20 vetë. Nënvizojmë se qyteti i Nishit ka mëse 500 mijë banorë
  Më 8 maj, u njoftua se pas bombardimeve të selisë së ambasadës së Kinës në datën 7 maj, u vranë dy vetë dhe u plagosën katër të tjerë.
  Më 12 maj, në Koshare pranë Prizrenit, goditet një kazermë ushtarake ku mbetën të vrarë 75 shqiptarë.( Kazerma prej disa javësh është çliruar nga serbët).
  Më 21 maj, thuhet se një raketë e devijuar nga objektivi i saj që ishte një kazermë ushtarake, ka rënë në një spital ku janë vrarë tre vetë dhe plagosur disa të tjerë. U dëmtua edhe rezidenca e ambasadës së Suedisë.

Ja edhe disa nga deklarimet më të fundit.
  z. Sabri Godo, kryetar i Komisionit të Politikës së Jashtme të Parlamentit Shqiptar: “Rugova tashmë ka dalë jashtë përgjegjësisë së tij”.
  z. Xhimi Shir, zëdhënës  politik i NATO-s :”Millosheviçi duhet ta dijë që NATO-ja do të vazhdojë operacionet ushtarake ditë mbas dite, natë mbas nate, deri kur të sigurohet se janë respektuar kërkesat e vëna nga Komuniteti Ndërkombëtar”. Më 25 maj ai artikulon: ”Nëse Beogradi nuk dorëzohet, ne do të vazhdojmë sulmet deri në qershorin e vitit 2000”.
  z. Milo Gjukanoviç, president i Malit të Zi : ”Millosheviçi ka hyrë në luftë kundër NATO-s me shpresë se konflikti do të jetë i shkurtër. Nuk është e mençur të vihesh kundër një bote të tërë,...Millosheviçi mundohet të verë gurë në rrotat e demokracisë në Ballkan”.
  z. Havier Solana, sekretar i përgjithëshëm i NATO-s : ”Millosheviçi duhet të pranojë planin e  G8 dhe nëse nuk do ta bëjë, NATO do të jetë e detyruar t’ia imponojë me të njëjtat mjete që kemi përdorur deri më sot, pra me çdo lloj presioni politik dhe ushtarak. Nëse i mbetet një thërrmi arësyeje, duhet ta vështrojë si një plan të mençur për të...”. Më tej nënvizon se Millosheviçi është i izoluar, në planin e brendëshëm duhet të llogarisë shkatërrimet e mëdha në planin politik, atë ekonomik dhe ushtarak.
  z. Lamberto Dini, ministër i jashtëm i Italisë, tërheq vëmëndjen se, ndërhyrja e OKB-së dhe një rezolutë e Këshillit të Sigurimit, lehtëson Millosheviçin të pranojë kushtet për armëpushim në Kosovë. Këto do të bëjnë që “Konflikti aktual mes Jugosllavisë e NATO-s, të bëhet akoma më qartë si kontradiktë midis Jugosllavisë dhe Bashkësisë Ndërkombëtare”.
  z. Butros Butros Gali, ish-sekretar i përgjithëshëm i OKB-së: ”Shpresoj shumë që pjesëmarrja e Rusisë në ndërmjetësim të sjellë një zgjidhje paqësore në Kosovë”.
  z. Viktor Çenomerdin, ish-kryeministër i Rusisë : ”Parimet e aprovuara në mbledhjen e ministrave të G8 përbëjnë një bazë të shëndoshë për zgjidhjen politike të krizës jugosllave..., kryesorja është të ulesh në tryezën e bisedimeve...”.
  z. Ueslli Klark, komandant suprem i forcave të NATO-s : ”Sot konflikti i armatosur ka karakteristikat e tij specifike... Në çdo operacion ushtarak objektivat politikë dhe limitet politike duhet të kenë prioritetin. Është mëse normale...”.
  z. Zoran Gjingjiç, ish-kryetar i bashkisë së Beogradit : ”... Millosheviçi duhet të përgjigjet për krime lufte në Kosovë...”.
  Disa politikanë serbë shprehen : ”Millosheviçi e ka vendin në gjyqin ndërkombëtar”.
  Natyrisht që ka edhe deklarime e qëndrime të ndryshme, por që gjithësesi bëjnë përgjegjës Sllobodan Millosheviçin për të gjitha krimet në Kosovë dhe dëmtimet e ekonomisë në Serbi.
  Sipas gazetës “Republika” të datës 28 maj 1999, “... Diktatori i Beogradit akuzohet zyrtarisht për krime lufte kundër njerëzimit në Kosovë”. Këtë konfirmim për shtyp e jep kryeprokurorja e Gjykatës së Hagës, Luiz Arbur më dt. 27 maj. Me të njëjtën akuzë përfshihen edhe katër titullarë të tjerë.
Gjykatës së Krimeve të Luftës së OKB-së, më dt. 27 maj i janë dorëzuar fakte “... për spastrimet etnike masive nga forcat serbe në Kosovë edhe gjatë dymbëdhjetë muajve para se NATO të fillonte bombardimet”. Kjo u dorëzua nga një Grup i të Drejtave të Njeriut. Hidhet dritë se, në vitin 1998 gjysëm milioni shqiptarë të Kosovës janë dëbuar forcërisht nga shtëpitë e tyre; 450 fshatra në Kosovë u shkatërruan; 41.538 shtëpi dhe apartamente u shkatërruan; policia serbe vrau 1934 njerëz të identifikuar, nga të cilët 229 gra, 223 fëmijë dhe 395 pleq.
Pikat kryesore të padisë janë:
- duke filluar nga janari i vitit 1999 e deri në ditën që formulohet kjo akuzë, pra më 27 maj 1999, të akuzuarit kanë planifikuar, nxitur, urdhëruar, kryer ose ndihmuar e mbështetur një fushatë terrori dhe dhune ndaj civilëve shqiptarë të Kosovës që jetojnë në Kosovë në Republikën Federative të Jugosllavisë;
- forcat e RFJ-së dhe Serbisë kanë dëbuar me forcë në mënyrë sistematike dhe kanë zhvendosur brenda Kosovës qindramijëra shqiptarë të Kosovës nga shtëpitë e tyre;
- nëpër Kosovë forcat e RFJ-së dhe Serbisë kanë grabitur e plaçkitur pasurinë personale dhe tregëtare të shqiptarëve të Kosovës, të nxjerrë me forcë nga shtëpitë e tyre;
- forcat e RFJ-së dhe Serbisë janë angazhuar në një fushatë sistematike të shkatërrimit të pronës;
- duke filluar më 1 janar ose rreth 1 janarit 1999, e duke vijuar deri në ditën e kësaj padie, forcat e RFJ-së dhe të Serbisë, duke vepruar në drejtim, me inkurajimin ose mbështetjen e të akuzuarve, kanë kryer veprime që kanë rezultuar në dëbimin e detyruar të rreth 740 mijë civilëve shqiptarë të Kosovës;
- forcat e RFJ-së dhe Serbisë, me inkurajimin ose me mbështetjen e të akuzuarve kanë vrarë qindra civilë shqiptarë të Kosovës. Këto vrasje kanë ndodhur në mënyrë të gjërë dhe sistematike nëpër krahinën e Kosovës dhe kanë rezultuar me vdekjen e shumë burrave, grave dhe fëmijëve;
- forcat e RFJ-së dhe Serbisë, duke vepruar në drejtim, me inkurajimin ose me mbështetjen e të akuzuarve kanë përdorur mjetet dhe metodat e parashikuara për kryerjen e një fushate persekutimi kundër popullsisë civile shqiptare të Kosovës, bazuar në motive politike, raciale ose fetare;
- nëpërmjet këtyre veprimeve të akuzuarit kanë planifikuar, nxitur, urdhëruar, kryer ose ndihmuar e mbështetur planifikimin, përgatitjen ose kryerjen e:
  = pika 1- dëbimit, krim kundër njerëzimit;
  = pika 2- vrasjes, krim kundër njerëzimit;
  = pika 3- vrasjes së robërve, shkelje e ligjeve të luftës;
  = pika 4- persekutimeve, krim kundër njerëzimit.
  Bashkë me Sllobodan Millosheviçin janë akuzuar edhe katër anëtarë të tjerë të lidershipit të tij si : presidenti i Serbisë; ministri i brendshëm; shefi i përgjithëshëm i ushtrisë; të artikuluar me emra janë: Milan Milutinoviç, Nikolla Sainoviç, Dragoljub Ojdaniç dhe Vlajko Stojilikoviç.
  Pra, këto janë artikuluar nga diplomacia si dhjetë gabime të NATO-s gjatë përdorimit të forcës ushtarake kundër makinës militare Serbe; disa deklarime të personaliteteve të ndryshme për zhvillimet e periudhës në fjalë në territorin e Kosovës, si dhe përmbajtja e padisë kundrejt drejtuesve të ish-Republikës Federative të Jugosllavisë, përgjegjës për krimet e kryera ndaj popullsisë shqiptare në Kosovë.

Safet N. Ramolli