Monday 13 March 2017

Bajram Daklani, hero i vrarë shumë herë

Bajram Daklani, hero i vrarë shumë herë      



 Nga Gani Qarri
bajram 1879-1923
Personalitet i shquar kombëtar me një histori të ndritshme atdhetarie, (shumëfish i vrarë), i shuar pabesisht dhe zhdukur pa gjurmë as varr.
Hero dhe prijës besnik popullor, ardhur në jetë rreth vitit 1879, në një familje patriotike shqiptare, zbritur kohë më parë nga Malësia në Gjakovë, dhe njëri nga kryengritësit më të dalluar të këtyre trojeve, i vrarë me tradhti, më 3 shkurt të vitit 1923 në fshatin Rogovë të Hasit.
Udhëheqës trim dhe rilindës përparimtar, i marrë më qafë nga shqiptarë të shitur e tradhtarë të pa-përmirësuar asnjëherë, të cilët shpejtë dhe pa menduar gjatë, kaluan në çmenduri, kthyen në vrasës të heronjve më të mirë kombëtar dhe shndërruan në renegat të pa-përmirësuar të pushtuesve më barbar.
Luftëtar i mirënjohur popullor me një histori të veçantë flijimi, për të cilin u thurën këngë, mite dhe legjenda, por u përmend rrallë dhe shkrua edhe më pak, për të mos thënë fare, tërthorazi dhe vetëm në kontest të ngjarjeve e biografive të personaliteteve të tjera historike
Fat, pothuajse i njëjtë me atë të heronjve të vendit, atëbotë do ti përcillte atëbotë edhe trojet shqiptare, të cilat, s`do mend, se sot e atëherë ishin dhe mbetën më të rrezikuarat në Ballkan dhe Evropë.
Ndaj, që nga fundshekulli i XIX, dhe fillimi i luftimeve ruso-turke më 24 prill 1877, territoret e para që do të binin pre e pushtimeve të pareshtura nga shtetet hegjemoniste fqinje ishin ato shqiptare, siç ishin edhe vet shqiptarët ata të cilët të parët do ta paguanin tagrin më të rëndë të luftërave të huaja shkatërrimtare.
Kështu që, trojeve të pambrojtura të Shqipërisë Etnike, qysh atëherë, më tepër se çdo gjë tjetër, u duheshin luftëtar trima, burra të pushkës dhe heronj  të organizimit e të qëndresës, që të mbrohej vendi nga agresorët e shumtë të cilët kishin mësy Shqipërinë Etnike nga të gjitha anët ,duke filluar nga Greqia në jug dhe Serbia e Mali i Zi në lindje e veri.
Vetëm rezistenca me armë në dorë, nga kryengritjet sporadike, deri te organizimi i mirëfilltë.  
i mëvonshëm politiko-ushtarak i tyre, më 1878 e këtej, kur dhe u formua Lidhja Kombëtare Shqiptare e Prizrenit, bënë që të ruhej ,kjo pak tokë, të cilën ne ende e kemi, nga krejt ajo që dikur kishim dhe ishte e jona.
Madje, shtetet hegjemoniste fqinje, nuk mjaftoheshin vetëm me ato që kishin marrë nga ne, por planifikonin që pasi shqiptarët ti dëbonin pushtuesit otoman nga trojet e tyre, ato të ndanin e copëtonin ndërmjet vete edhe tokat e mbetura të Shqipërisë, sikur të mos ishin trimat Hasan Prishtina, Isa Buletini, Bajram Curri, Bajram Daklani etj, që të kapnin pushkët dhe organizonin kryengritje pas kryengritjesh, për mbrojtjen e tokave amtare.
Ndaj, pas periudhës heroike të Skënderbeut dhe që nga krijimi i “Lidhjes Kombëtare Shqiptare të Prizrenit” Kosova u shndërrua në vatrën e zhvillimeve kryesore kombëtare, amën e luftërave më të mëdha çlirimtare dhe arenën biblike të të gjitha ngjarjeve më me rëndësi historike për Shqipërinë dhe shqiptarët kudo.
Dardani e vjetër në vitet më të vështira për kombin, u kthye në lokomotivë të përpjekjeve për liri, lindi burra të zot, të pushkës e të pendës, dha ideologët kryesor të kryengritjeve gjithëshqiptare dhe nxori udhëheqësit më të shquar të çështjes kombëtare.
Për ta argumentuar më së miri sensin luftarak të trimave dardan, po sjellë vetëm pak rreshta, të udhëheqësit të mirënjohur kombëtar, Fan Stilian Noli, i cili nga përvoja me shqiptarët e të gjitha trojeve , më 1924, të shekullit të kaluar, në poezinë “Merr e zgjidh”, për luftëtarët e Kosovës, do të shprehej:
A të duhen luftëtarë?
Dhe arratinë armiku të marrë!?
A do botës ti vesh zjarr?
Merr nja dhjetë kosovarë!….

Kurse, njëri nga trimat më të njohur të kësaj kategorie dhe pinjolli më i denjë i një familje patriotike shqiptare, pa dyshim ishte dhe mbeti, heroi nga Kosova, Bajram Daklani.
Udhëheqës i njohur popullor dhe luftëtar besnik i atdheut, i shuar në pabesi-më 1923, në Rogovë të Hasit,nga shërbëtor të Serbisë, shqiptarë të shitur e tradhtarë, të cilët për pak para dhe pushtet fiktiv, vranë njërin nga personalitetet më të shquara kombëtare.
Armiq të përbetuar të popullit të vet dhe kundërshtar të përhershëm të çlirimit të atdheut, të cilët , siç vranë ata dje, patriotët më të denjë kombëtar, vrasin edhe bijtë e tyre sot, luftëtarët më të mirë, që lindën tokat shqiptare.
Në këtë fshat, si në shumicën e vendbanimeve shqiptare të trojeve tona etnike, nuk ka as nuk kishte asnjë serb vendor, ndaj siç duket, punën e pistë të tradhtisë e bënë përsëri vet shqiptarët.
E për të kuptuar më mirë dhe në detaje fatkeqësitë tragjike që vetëm tradhtarët e kombit dinë ti shkaktojnë popullit të vet , shikojeni me vëmendje një nga masakrat më të trishtueshme të luftës së fundit, ndaj djemve më të mirë të lirisë së atdheut, ndodhur më 29 janar të vitit 1999,poashtu në fshatin Rogovë të Hasit.  https://www.facebook.com/JimBelushiOFFICIAL/photos/a.207713346051762.1073741828.207712382718525/734612640028494   
Megjithatë, mbetet për keqardhje fakti, se si përkundër të gjitha kurtheve dhe tradhtive të ndodhura ndër vite, me shumë pasoja edhe për çështjen kombëtare, pothuajse është bërë traditë, që shqiptarët në vijimësi, të bëjnë sikur vërtetë i “kujtojnë” me zemër dëshmorët, derisa një pjesë jo e vogël e personave të dyshimtë dhe familjeve me ndikime jo vetëm lokale, ende vazhdon ti fsheh me nostalgji tradhtarët dhe shkaktarët e kaq shumë tragjedive dhe vdekjeve të pafajshme.
Nga palavdi të tilla, pësoi edhe heroi Bajram Daklani, ani pse ai qysh i ri, u dëshmua për guxim, trimëri e atdhetarizëm të lartë, dhe ndër të parët iu bashkua çetave të kohës që luftonin për liri.
Madje ky hero, sikur ishte i lindur pikërisht për mote të vështira e ngjarje të mëdha dhe periudha të mundimshme të historisë, nëpër të cilat, pothuajse e gjithë elita kombëtare u dashtë të kalonte dhe sprovohej në vepër, për mbrojtje të pareshtur të atdheut dhe sigurim të mbijetesës kombëtare të trojeve tona.
Mbetet shqetësues fakti se si, pasqyra e jetës dhe veprës së Bajram Daklanit, ende shpjegohet vetëm sipërfaqësisht, cekët dhe si një kronikë e pa-sistemuar sa e si duhet, kurse historia e bujshme e bëmave të tij të mëdha, paraqitet zbehtë, pjesërisht dhe me shkëputje të herëpashershme, edhe pse ky hero, ishte dhe mbetet, njëri ndër personalitete më të shquara luftarake të Kombit Shqiptar.
Ky Burrë përherë u gjend përkrah Bajram Currit, mori pjesë aktive në të gjitha betejat vendimtare, dhe kryengritjet kryesore në Kosovë e Shqipëri kudo që ato, aso kohe u zhvilluan për atdhe.
Ai, megjithëse atëbotë, për nga mosha ishte gati fëmijë, dhe siç thotë fjala popullore, ende pa i rënë “brisk fytyrës“, që në rininë e hershme të tij, iu bashkua çetës së Sahit Mulës, në të cilën si trim i dalluar e atdhetar i denjë që ishte, u bë njëri nga pjesëtarët më të mirë, e pa kaluar shumë kohë edhe udhëheqësi kryesor i saj.
Sahit Mula, gjithashtu ishte kryengritës kombëtar dhe dashamirë e bashkëpunëtor i Bajram Currit, por që edhe ai do të vritej me para nga shqiptarët.
Sipas këngës së rapsodit, personi që porositi vrasjen e tij, ishte Murtez Aga nga Gjakova, ndërsa dorasi- Hazir Syla;
Murtez Aga duel në shkallë,
Hazir Sylës po i qon fjalë
****************************
Një hyzmet Hazir ta due
Sahit Mulën prema mue
Pas vrasjes së Sahit Mulës, në krye të çetës, do të vinte luftëtari më i mirë që ajo kishte, heroi Bajram Daklani.
Besimin e fituar nga bashkëluftëtarët, do ta kurorëzonte me udhëheqje të suksesshme të  luftërave dhe betejave të pareshtura deri në fund të jetës së tij, për çlirim dhe pavarësi të atdheut të cilin ai e donte aq shumë.
Bajram Daklani, ishte tepër i ndjeshëm ,sidomos kur vihej në pyetje liria e popullit të tij dhe çështja kombëtare. Në këto raste, ai refuzonte pa asnjë hezitim edhe vendimet e Sulltanit (mbretit) i cili sa herë dëshironte ti mësynte shqiptarët, aq herë kërkonte dorëzimin e armëve nga kryengritësit e trojeve të tyre.
Madje, trimi nuk u ligësua as kur forcat turke e rrethuan dhe i dogjën kullën me topa artilerie, në përpjekje që ta mundnin dhe kapnin të gjallë heroin.
Përkundrazi, ai me bashkëluftëtarët e vet, rezistuan fort dhe bënë qëndresë të paepur mu si burrat e motit, duke luftuar me aq guxim, sa që ti bënin turqit jo vetëm të iknin por edhe të mos gjenin shteg se nga t’ia mbanin, ngjarje e cila nga populli u shndërrua në këngën, si kjo:
Në Stamboll po thërret tellalli
********************************
Na u rrethu Bajram Daklani
Se ja theu mbretit fermanin
Bajram Daklani me bashkëluftëtar, edhe pas shkatërrimit të Kullës, nga forcat otomane, jo vetëm se nuk do të zmbrapseshin, por përkundrazi, ata do të vërsuleshin si-kur shkrep reja(vetëtima) edhe në fushë të mejdanit;
Janë dal trimat për mejdan
Krisi reja për nizam,…….thotë kënga!
Kurse me të marrë vesh Bajram Curri se miku dhe bashkëluftëtari i tij besnik, ishte rrethuar nga forcat turke, pa vonuar edhe ai do të vihej në ndjekje të nizamëve otoman, të cilët, nga frika do ti binin trup ujit dhe iknin për mes lumit.
Nis po ik asqeri lumit
I ndjek çeta e Bajram Currit
Madje Plaku i Maleve, ishte prekur aq shumë nga sulmi i papritur i otomanëve, ndaj bashkëvendësit, bashkëluftëtarit dhe bashkëveprimtarit të tij të ngushtë, Bajram Daklanit, sa që vetëm kënga di ti përsërisë në mënyrën më origjinale, fjalët domethënëse të tij, drejtuar çaushit turk;
Ndal çaush, kah po shkon
Se këtu nuk je, në Anadoll
Ta laj trupin krejt me gjak
Në gjoks nishanat ti kalli flak
Për aq më tepër, Bajram Curri do t`ia përsëriste edhe një herë çaushit turk, traditën e vendlindjes së përbashkët të të dy kryengritësve kombëtar, Bajram Currit dhe Bajram Daklanit, duke i rikujtuar atij, se:
Kështu Gjakova e ka adet
Nga një çaush me vra për vjet
Përveç aksioneve të përbashkëta me Bajram Currin, Bajram Daklanin jo vetëm një herë, e gjejmë edhe në luftimet e udhëhequra nga Zeqir Halili, siç do të shkruante Dr. Jusuf Bajraktarit, në librin historik, „Gjakova me rrethinë në fund të shekullit XIX dhe në fillim të shekullit XX, 1878-1912, Prishtinë, 1998”)
Ndihmesa e Bajram Daklanit në luftën e Malësisë!
Bajram Daklani mori pjesë aktive në të gjitha kryengritjet e mëdha dhe betejat vendimtare kudo që ato ndodhën; në Kosovë e Shqipëri dhe trojet tjera shqiptare, për liri dhe çlirim kombëtar.
Edhe në kohën kur forcat e Perandorisë turke me 13 maj të vitit 1911, me rreth 40 mijë trupa dhe artileri të rëndë të udhëhequra nga Turgut Pasha, filluan një ofensivë të gjerë kundër Malësisë së Madhe, malësorëve kryengritës të prirë nga Dede Gjon Luli e Isa Buletini, përveç Bajram Curri që me forcat e veta, u vërsulej turqve nga Krasniqja, Bajram Daklani i ndiqte ato që nga Dukagjini me çetën e tij.
Pasi që forcat e bashkuara kombëtare të lirisë u shkaktuan humbje të mëdha, kapën shume armë e municione dhe thyen përfundimisht forcat turke, Porta e lartë (Perandoria turke)shkarkoi nga funksioni udhëheqës dhe largoi nga Shqipëria Turgut Pashën.
Ndërsa, ndihmësi i tij Ethem Pasha, gjatë tërheqjes në drejtim të Gjakovës, do të plagosej rëndë nga çeta e Bajram Daklanit dhe vdiste nga plagët, në spitalin e Shkupit.
“Fermani” i Adil Beut
Kryengritjet e pareshtura të viteve 1909,1910,1911 acaruan aq shumë gjendjen politike në trojet shqiptare, sa që më 12 Janar të vitit 1912,kohë kur shumë fshatra dhe qytete tanimë ishin çliruar nga kryengritësit vendor dhe rënë në duart e tyre, qeveria turke shpërndau parlamentin dhe vendosi gjendjen e jashtëzakonshme në trevat më kryengritëse shqiptare, siç ishte Kosova.
Ndaj, në mars të vitit 1912, vet ministri i brendshëm turk Haxhi Adil beu, u mundua kinse ti vizitonte qytetet kryesore të Kosovës dhe përpoq për të bindur përsëri shqiptarët që ata edhe më tej, të pajtoheshin me robërinë dhe nënshtroheshin Perandorisë otomane.
Por luftëtarët kombëtar të drejtuar nga patriotët Bajram Curri, Bajram Daklani, Zeqir Halili dhe shumë të tjerë, e ndoqën ministrin turk, me armë në dorë, ngado që ai shkonte.
Madje, gjatë rrugëtimit të këtij ministrit, konvoj i të cilit me gjithë betejat e ashpra, arriti në Gjakovë prej nga ai planifikonte të shkonte në Prizren, me ç ‘rast, tri ditë luftime u zhvilluan vetëm në trevën 7-8 kilometërshe hasjane, sa duhet të ketë përafërsisht gjatësi frontale, hapësira nga Raça e Moglica deri te Ura e Fshejtë.
Udhëheqës të luftimeve edhe këtu, përsëri ishin heronjtë Bajram Daklani dhe Zeqir Halili.
Ishte 7 marsi i vitit 1912,kur Haxhi Adil beu, nën mbrojtjen e trupave të shumta ushtarake turke, përpiqej të vijonte udhëtimin, nga Gjakova për në Prizren, por Bajram Daklani dhe Zeqir Halili, arritën ti prenin atij rrugën, me të arritur te Ura e Fshejtë dhe e detyruan ministrin e brendshëm turk,(që aty) të nënshkruante vendimin(fermanin) për hapjen e shkollave në gjuhën            shqipe…..(,Dr. Masar Rizvanolli “Zhvillimi i arsimit shqip në Gjakovë deri më 1918” gjakovapress 6 mars 2014)                      
Ndërsa në muajt prill e maj të vitit 1912, të gjitha krahinat shqiptare, filluan lidhjen e Besës ndërmjet veti, me qëllim të përgatitjes sa më efektive të Luftës së Përgjithshme Kombëtare për çlirimin e atdheut.
Ndaj, me qëllim të ndihmesës së Kryengritjes, në prill të vitit 1912, Bajram Daklani në krye të kryengritësve nga Krasniqja, Hasi dhe Reka, sulmoi Gjakovën.
Aksioni i tij, detyroi organet turke që përveç grumbullimit të trupave nga rajoni edhe Korparmata e shtatë e trupave otomane, nga Ferizaj, të nisej drejt Gjakovës.
Kjo strategji ç ‘orientoi forcat pushtuese turke, futi huti në radhët e tyre, dhe krijoi kushtet për mbajtjen e Kuvendit të Junikut, në të cilin u morën vendime me rëndësi dhe soll akti historik për organizimin e Kryengritjes së Përgjithshme Kombëtare dhe çlirimin e Shqipërisë etnike.
Kuvendi i Junikut
Fakti se edhe në grahmat e fundit të jetës së Perandorisë otomane në Ballkan, turqit ende mohonin me këmbëngulje ekzistencën e popullit shqiptar, ndalonin të drejtën e tij për arsim amtar, derisa në anën tjetër,shumë kohë më parë, kishin hapë qindra shkolla në gjuhët greke, serbe e italiane, dhe ende nuk lejonin në asnjë mënyrë, as krijimin e shtetit autonom të kombit tonë, qoftë edhe në kuadër të Perandorisë, siç ishte vepruar më parë nga vet kjo edhe me shtetet tjera ballkanike, para se ato të arrinin pavarësinë,përfundimisht i detyroi deputetët shqiptar, që gjendjen e tensionuar në terren, nga arenat e luftës në atdhe, ta bartnin në Parlamentin e tensionuar perandorak otoman
Dhe kur më 11 janar të vitit 1912, mbahej seanca e tretë e Parlamentit turk, në emër të 25 deputetëve bashkëkombës dhe gjithë popullit shqiptar, fjalën do ta merrte patrioti Hasan Prishtina.
Ai me guxim dhe trimëri të pa parë deri atëherë, do të deklaronte me vendosmëri, se: Nëse edhe kësaj radhe nuk do të merren parasysh kërkesat e drejta kombëtare të shqiptarëve, si: përdorimi i lirë i gjuhës amtare, njohja e kombit dhe pranimi i shtetit të unisuar autonom shqiptar në trojet e tij etnike, në kuadër të Perandorisë, unë jam i pari ,ai që do ta marr flamurin e lirisë në dorë dhe do ti prijë popullit tim në luftën për çlirim nga Perandoria osmane.
Megjithatë, qeveria turke, përkundër të gjitha thirrjeve dhe përpjekjeve të përfaqësuesve shqiptar, jo vetëm se vazhdonte të refuzoj me këmbëngulje çdo kërkesë të popullit tonë, por ajo ndërmori hapa edhe më radikal duke ua ndaluar atyre me ligj, që ta quanin veten shqiptar, dhe dënonte në mënyrën më të rëndë secilin bashkëkombës tonin, që guxonte ta quante veten të tillë, siç ishte-arbëror.
Kështu që shqiptarëve nuk u mbeti më asnjë rrugëdalje tjetër, përveçse përfundimisht të kapnin armët për liri dhe çlirimin e tyre kombëtar.
Ndaj, nga Stambolli, Hasan Prishtina do të kthehej me urgjencë në atdhe, ku pas përgatitjeve të gjithanshme, me mbështetjen e fortë të gjeneralëve të tij, Bajram Curri, Isa Buletini, Bajram Daklani ,Zeqir Halili etj. nga 21 deri më 25 maj 1912, në praninë e 250 delegatëve të mbledhur nga të gjitha krahinat shqiptare, do të mbante Kuvendin e Junikut, në të cilin u mor vendimi historik për shpalljen e Kryengritjes së Përgjithshme Kombëtare.
kuv
Foto e kuvendit të Junikut
Ai si ideolog dhe udhëheqësi kryesor i saj, përgatiti edhe planin operativ të Kryengritjes, i cili parashihte që kundër forcave pushtuese turke, në Kosovë të hapeshin katër fronte lufte:
1.Fronti i Dukagjinit që do të udhëhiqej nga Bajram Curri, Bajram Daklani dhe Hasan Ferri i Plavës etj.
2.Fronti i Drenicës nga Hasan Prishtina e Ahmet Delia i Prekazit
3.Fronti i Kosovës verilindore nga Isa Buletini e Nazmi Gafurri
4.Fronti lindoro-perëndimor nga Idriz Seferi dhe Mehmet Deralla
Pas miratimit të vendimeve të Kuvendit të Junikut,forcat kryengritëse nga muaji-Maj, deri në fillim-gushtin e vitit 1912,çliruan vendbanimet më të mëdha shqiptare dhe qytetet kryesore të Kosovës.
Kurse, më 4 gusht të atij viti, mbi 30 mijë kryengritës shqiptar do të marshonin nga të gjitha anët në drejtim të Shkupit, të cilët fillimisht u grumbulluan në Ferizaj.
Më 6 gusht 1912, aty u mbajt edhe një Kuvend konsultues i udhëheqësve kryesor, me ç`rast Riza bej Kryeziu, (babai i Cena beg Kryeziut-vrasësit të Bajram Currit) edhe një herë kundërshtoi ashpër idenë e Hasan Prishtinës për Pavarësinë e Shqipërisë, megjithëse e sëmura e Bosforit, siç quhej aso kohe Perandoria otomane, tanimë numëronte ditët e fundit në Ballkan.
Për ti mënjanuar përçarjet ndërmjet prijësve të Kryengritjes, Hasan Prishtina u detyrua, që të bënte një lëshim të dhembshëm, „anashkalonte” përkohësisht vendimet e Kuvendit të Junikut për Pavarësi, dhe modifikonte ato në një kërkesë prej 14 pikash-për autonomi, që në histori do të njiheshin si ”14 pikat e Hasan Prishtinës”.
Më 9 gusht të vitit 1912, Prijësit e Kryengritjes së Përgjithshme, i dorëzuan Memorandumin e fundit, komisionit të qeverisë perandorake turke, me një ultimatum prej 48 orësh, për aprovimin e kërkesave të shqiptarëve, para se ata, ta çlironin Shkupin.
Ngritja e Flamurit Kombëtar nga Bajram Daklani                                                                
Qeveria turke edhe pas kalimit të afatit të parashtruar, nuk mori mundimin tu kthente asnjë përgjigje kryengritësve shqiptar, madje ajo nuk mori fare parasysh as kërkesën e “tyre” për autonomi në kuadër të Perandorisë otomane.
Kështu që me urdhër të Bajram Currit, kryekomandantit të forcave të Kryengritjes së Përgjithshme, më 11 gusht nga Gjakova në Ferizaj do të vinte Bajram Daklani me luftëtarët e tij.
Ai, përveçse ishte udhëheqës i kryengritësve nga Krasniqja, Hasi e Reka dhe bënte pjesë në grupin e prijësve madhor të Kryengritjes së Përgjithshme Kombëtare, ishte edhe njeriu më i  besueshëm i Bajram Currit.
Kështu që, për realizimin e detyrës më të ndritshme historike e kombëtare, Plaku i Maleve, zgjodhi pikërisht Bajram Daklanin, pajisi atë me një Flamur të Madh Shqiptar, e vendosi në krye të 200 luftëtarëve më të mirë, i besoi aktin e shenjtë atdhetar, që të hynte si pararojë e kryengritësve popullor në Shkup dhe ngrinte Flamurin Kombëtar mbi ish kryeqytetin e Kosovës së lirë.
Ndaj, siç do të shkruante edhe gazeta “Shkupi” e datës 19 gusht të vitit 1912, më 12 gusht të atij viti, Bajram Daklani do të futej triumfalisht në kryeqytet dhe pas 500 vjetësh sundimi turk, ai i pari do ta ngrinte lart dhe me krenari, Flamurin Kombëtar të fitores në Shkupin e çliruar.
Po-ashtu, gazeta ”Shkupi”e të njëjtës datë (19 shtator 1912) edhe në radhitjen, e hyrjes së forcave kryengritëse shqiptare në Shkup, shkruan se i pari ishte; ”Bajram Daklani me 200 pushkë, Bajram Curri me 5000 pushkë, Isa Boletini me 3000 pushkë, Ahmet beu nga Kumanova me 1000 pushkë etj.
Kurse, Riza Beu, gjenin e tradhtisë të brumosur në gjak, do ta dëshmonte edhe një herë më tepër, duke mos u ndalë fare në Shkup por duke marrë rrugën me pasuesit e vet për në Selanik, kinse për ta “liru” nga burgu, “babën-mbret”-Sulltan Hamitin e dytë, ku mbahej i mbyllur nga focat e Ataturkut, të cilat do t`ia thyenin hundët keq dhe detyronin atë bashkë me bashibozukët e tij, që të mos e ndalnin ikjen me bisht nën shalë, deri në Gjakovë.
Legjendë e Kryengritjes së Përgjithshme Kombëtare
Shkëlqimi i emrit dhe veprës së tij, shndërrimin në legjendë të Kryengritjes së Përgjithshme Kombëtare dhe ngjitjen në piedestalin e historisë së heronjve të kombit, Bajram Daklani do ti arrinte pikërisht më 12 gusht të vitit 1912, ditën kur ai qoi në vend porosinë e kryekomandantit të Kryengritjes së Përgjithshme Bajram Currit, realizoi ëndrrën shekullore të shqiptarëve dhe hyri triumfalisht në histori, duke ngrit i pari Flamurin Shqiptar në Shkupin e sapoçliruar dhe kryeqendrën e Vilajetit të Kosovës.
Sado që gëzimi i shqiptarëve ishte mese i drejtë, meritor dhe i arritur me shumë mund e sakrifica të pareshtura mbinjerëzore, mjerisht arritjet kulmore të tyre pas qindra vitesh robërie, vetëm tri dit pas valëvitjes së lirë të Flamurit Kombëtar, të ngritur nga ky hero në ish Kryeqytetin Dardan, do të nisnin ,papritur të hijezoheshin dhe kërcënoheshin me zhbërje.
Sipas Dr.Hakif Bajramit, më 15 gusht të vitit 1912,nga Beogradi në Shkup do të arrinin tre diplomat të lartë evropian me një ultimatum në dorë, me të cilin kërkonin çarmatosjen e menjëhershme të kryengritësve shqiptar, demobilizimin e pa kusht të tyre dhe kthimin me detyrim, nëpër shtëpitë e veta, me arsyetimin se , nuk do të pranohej ndryshimi i kufijve të Perandorisë osmane me forcën e armëve, nga Fuqitë e Mëdha.
Por, Trimat e Fitores së Shekullit me në krye Hasan Prishtinën, kryekomandantin e forcave të Kryengritjes së Përgjithshme, Bajram Currin dhe legjendarin e ngritjes së Flamurit kombëtar në Shkup, heroin Bajram Daklani, nuk pranuan asnjërën nga kushtet e Fuqive të mëdha, dhe për katër ditë me radhë shpallën gjendjen e jashtëzakonshme mbi Shkup e rrethinë.
Kryengritësit Kombëtar, të dëshpëruar me qëndrimin e Fuqive të Mëdha dhe të zhgënjyer thellë nga tradhtitë e vazhdueshme të Perandorisë otomane, kërkuan me këmbëngulje, që së pari, të sqarohej Fati i Atdheut dhe bëhej e ditur e ardhmja e Shqipërisë Etnike, para se të flitej për kushtet e ultimatumit, ndaj dhe sollën vendimin që të mos tërhiqeshin nga Shkupi, pa marrë përgjigjen sesi do të vendosej për çështjen e atdheut të tyre.
Përgjigja gjysmake turke
E vënë nën presion të madh nga kryengritësit shqiptar dhe shtytytjet e Fuqive të Mëdha, më 18 gusht të vitit 1912, më në fund do të arrinte përgjigja gjysmake e qeverisë perandorake turke, e cila megjithëse e vonuar, nuk pranonte as kërkesat elementare për autonomi të shqiptarëve, por vetëm 12 nga 14 pikat e parashtruara nga Hasan Prishtina.
Gjendja u acarua edhe më tepër, kur përveç ultimatumit të Fuqive të Mëdha dhe përgjigjes së paqartë të Perandorisë otomane, forcat pushtuese serbe, arritën që të burgosnin Hasan Prishtinën, Idriz Seferin e ndonjë udhëheqësi tjetër të shquar shqiptar.
Dëbimi i otomanëve
Por Kryengritësit Kombëtar megjithëse të rrethuar nga të gjitha anët me armiq, të cilët synonin hiq më pak se sa copëtimin e të gjitha tokave shqiptare dhe shuarjen e tërësishme të Shqipërisë nga harta e Ballkanit dhe Europës,jo vetëm se nuk u dorëzuan, por ata nuk e lanë as luftën në gjysmë dhe nën udhëheqjen e patriotëve, Bajram Curri, Bajram Daklani, Isa Buletini etj. vazhduan rezistencën kombëtare, si ditën dhe mundën deri në dëbimin e otomanëve nga trojet e veta dhe arritjen e lirisë.
Kështu që, falë përpjekjeve të pareshtura e vetëmohuese dhe sakrificave mbinjerëzore të tyre, shqiptarët larguan përfundimisht pushtuesit otoman nga trojet e veta kombëtare dhe krijuan mundësinë që më 28 Nëntor 1912 të shpallej Pavarësia e Shqipërisë!
Pas disa muajsh u mblodh edhe Konferenca e Ambasadorëve në Londër, e cila më 22 mars të vitit 1913, shënoi kufijtë aktual, ndërsa më 29 korrik të atij viti, vendosi përfundimisht, vetëm për njohje të pjesshme të tokave kombëtare si Shtet të Pavarur, duke lënë jashtë kufijve të Shqipërisë londineze, mbi gjysmën e trojeve etnike shqiptare, përfshi edhe Kosovën e Çamërinë  të cilat u copëtuan me dhunë, aneksuan dhe ranë nën pushtimin e egër të shteteve hegjemoniste fqinje.
Kështu që, njëjtë si për shumicën e patriotëve të shumëvuajtur shqiptar nga Kosova, edhe për heroin Bajram Daklani, vazhdoi lufta e pandërprerë çlirimtare, deri në vdekje dhe shuarjen e tij fizike.
Shpërthimi i Kryengritjes në Malësi                                                                                         
Nga fundi i shtatorit të vitit 1913,nuk ishin më vetëm Kosova dhe viset tjera shqiptare nën pushtimin sllav,që vuanin nga agresioni serbo-malazez, por edhe gjendja e popullit në Malësi u rëndua aq shumë sa që nga represioni i pushtuesve serb, ata u detyruan me gra e fëmijë ,ti linin shtëpitë dhe iknin nëpër male.
Ndaj dhe ftuan Bajram Currin, që të kthehej nga Shkodra dhe organizonte kryengritjen e armatosur në Malësi, për  dëbimin e pushtuesve serbo-malazez që terrorizonin shqiptarët në vatrat e veta.
foto2
Tre nga kryengritësit e luftërave kombëtare të udhëhequra nga Bajram Curri e Bajram Daklani.
Luftimet, jo vetëm se u përhapën shumë shpejt në gjithë Malësin, por dhe u zhvilluan aq beteja të përgjakshme, sa që sipas citimit të disa shënimeve në “www.pashtriku.org.”, gjenerali serb Sava Llazaroviç, apo Savë Batarja- epitet të cilin e kishte marrë nga kërdia e bërë mbi popullsinë civile shqiptare në Kosovë,dhe gjenerali malazez Radomir Veshoviç i cili në pak më shumë se 6 muaj, dhe në këto data e vite, vrau tre heronjtë kryesor shqiptar: Më 17 korrik 1915 në orët e mëngjesit Çerçiz Topullin, mbas ditën e asaj date,po më 15 korrik 1915, masakroi Mehmet Shpendin, kurse më 23 janar 1916 Isa Buletinin, do të kërkonin të rrisnin numrin e forcave serbo-malazeze në 12 mijë trupa, me shpresë se do ti përballonin sulmet e kryengritësve shqiptar.
Mehmet Shpendi,i dëshpëruar nga lidhja me tradhti, derisa gjenerali Veshoviq ,atë dhe pjesëtarët tjerë të delegacionit, i kishte ftuar kinse në bisedime, para se të ndërronte jetë, nën torturat barbare të gjeneralit Veshoviq, shqiptarëve kudo do tua linte këtë amanet:

Tokë e Qiell, dorëzanë ua paça lanë
Kurrë besë shkjaut, mos me i zanë!

Beteja për mbrojtjen e Flamurit
Pas mbarimit të Luftës së Parë Botërore dhe tërheqjes së forcave Austro-Hungareze nga tokat shqiptare, të trimëruar nga “Traktati i fshehtë i Londrës, 26 prill 1915, i cili parashihte copëtimin definiv edhe të asaj pak Shqipërie që kishte mbetur si Shtet i Pavarur nga njohja ndërkombëtare e para dy viteve, më 1913 në Konferencën e Londrës , forcat italiane në verën e vitit 1919, pushtuan Shqipërinë deri në fshatrat e para të Kukësit dhe anën jugore të lumit Drin, kurse forcat pushtuese serbe përveç Kosovës, okupuan edhe Shqipërinë Veriore deri në brigjet e këtij lumi.
Me ripushtimin e vendit nga ushtritë e huaja, Komiteti për Mbrojtjen e Kosovës, (krijuar në ilegalitet më 1 Maj të vitit 1918,shpallur publikisht dhe vendosur më 7 nëntor të atij viti, në Shkodër),për mbrojtjen e tokave të shtetit të pavarur shqiptar dhe çlirimin e Kosovës nga Serbia, do të ftonte Bajram Daklanin, si njëri nga udhëheqësit kryesor të “Komitetit për Çlirim” që me çetën e tij të vendosej në Vaun e Spasit, pikën strategjike e cila lidh rajonin e Kukësit, Pukës dhe Mirditës.
foto3
Foto nga  Komiteti i Kosovës
Pjesëtarët e “Komitetit për Mbrojtjen e Kosovës”
Në këmbë: Nexho Haxhisadiku, 2.Adush Kastrati, 3.Halim Gostivari, 4.Bajram Daklani
Ulur: 5.Hamdi Zajmi, 6.Hoxhë Kadri Prishtina,7.Hysni Curri
Bajram Daklani ishte i njohur në këto anë, pasi që ai edhe gjatë kryengritjes antiosmane të vitit 19911, kishte udhëheq luftimet për çlirimin e atyre vendeve nga Perandoria turke, i cili qysh atëherë për kontributin e dhënë kombëtar, do të emërohej komandant i postës së xhandarmërisë në Vaun e Spasit.
Ndaj, para se forcat pushtuese italiane dhe ato okupatore serbe të pushtonin edhe atë pikë nevralgjike, sipas udhëzimeve të Komitetit Kombëtar për Mbrojtjen e Kosovës, Bajram Daklani me disa luftëtar do të vendosej në Vaun e Spasit, ku ai kishte ngritur edhe Flamurin Kombëtar, i cili e kishte bërë traditë që ky Flamur ta shoqëronte heroin ,ngado që ai shkonte, dhe vetëm aty, ai ende valonte i lirë.
Ky fakt pushtuesve italian u pengonte , ndaj sipas shkrimeve të gazetës “Populli” që asokohe botohej nga Salih Nivica në Shkodër, pjesëtar i lartë i Komitetit të Kosovës dhe hero kombëtar, që pa kaluar shumë kohë, edhe ai më 10 janar 1920,do të vritej me tradhti, qetësia në Vaun e Spasit, zgjati deri më 24 korrik të vitit 1919, kur forcat pushtuese italiane, i dërguan një ultimatum Bajram Daklanit, që ta largonte flamurin dhe dorëzonte menjëherë pikën të cilën e mbante nën kontroll.
Megjithëse ai, kishte vetëm 10 bashkëluftëtar, të cilët si atdhetar të flakët dhe kryengritës të    përbetuar për jetë a vdekje që ishin, ata dinin dhe donin me gjithë zemër ti mbronin në mënyrën më të mirë tokat e Shqipërisë dhe Flamurin Kombëtar, ndaj me një zë dhe vendosmëri të paparë, të gjithë hodhën poshtë me përbuzje, kërkesën poshtëruese për dorëzim para pushtuesve italian.
Okupatorët, të bindura se një numër kaq të vogël mbrojtësish do ta mposhtnin shpejt e lehtë dhe pa mundime të mëdha, qysh në orët e paradites filluan një sulm të ashpër me të gjitha llojet e armëve, mbi luftëtarët dardan, me pretendimin që ta pushtonin ushtarakisht Vaun e Spasit dhe largonin me forcë prej andej Flamurin Shqiptar.
Por, megjithëse beteja zgjati deri në orët e mbrëmjes dhe goditjet me predha e mitraloz të rëndë vazhdonin pareshtur gjatë gjithë ditës, “10 komitët”- trima të Kosovës së robëruar me në krye Bajram Daklanin, nuk lejuan për asnjë moment, që për gjallje të tyre të pushtohej Vau i Spasit dhe binte simboli i shqiptarizmës, para se ata të gjithë, të vdisnin.
Kështu që, edhe pse i tejshpuar nga plumbat e armikut, Flamuri Kombëtar vazhdonte të qëndronte lartë dhe valëvitej krenar e i pamposhtur, mbi kokat e luftëtarëve të paepur shqiptar.
Madje, vendosmëria e heroit Bajram Daklani dhe bashkëluftëtarëve të tij, detyroi ushtarët italianë që të tërhiqeshin, jo vetëm nga afërsia e brigjeve të lumit Drin, por edhe të zmbrapseshin tejet larg nga posta e Vaut të Spasit.
Qëndresa historike e 24 korrikut të vitit 1919,nuk ishte beteja e parë as heroizmi i fundit i heroit Bajram Daklanit, ai do të shënonte kushedi edhe sa e sa ngjarje e legjenda dhe shkruante shumë kronologji të tjera trimërie edhe më magjike, të cilat jo vetëm se do të rrezatonin kudo patriotizëm të lartë dhe atdhedashuri shembullore por  edhe do ta  vendosnin atë në piedestalin e elitës së personaliteteve më të mëdha kombëtare.
Vijimi i rezistencës në Kosovë
Fatkeqësisht e ashtuquajtura Konferencë e Paqes,(18-21 janar 1919), në Paris edhe një herë vendosi kundër vullnetit të shqiptarëve dhe la edhe pas Luftës së Parë Botërore, përsëri Kosovën nën pushtimin serb, ndaj menjëherë pas ri-okupimit të saj, në vjeshtën e vitit 1918, mbi shqiptarët, njëjtë si edhe pas pushtimit të vitit 1912, sërish filloi terrori i pafund shtetëror i Serbisë për shkombëtarizim dhe dëbimin me dhunë të tyre nga trojet e veta.
Më 1919, në emër të “reformës agrare” Serbia u mori tokat banorëve vendor shqiptar, nga 1920,nisi kolonizimin e Kosovës me ardhacak serbo-malazez dhe pa vonuar shumë, filloi edhe dëbimin me dhunë të shqiptarëve autokton, ndaj shqiptarët e robëruar nuk kishin nga t`ia mbanin, përveçse të ngriheshin përsëri kundër okupimit dhe akteve të tilla tmerruese të okupatorëve serb.

Teksti 2- Bajram Daklani

Mospajtim me Konferencën e Versajës
Në Ballkan e më gjerë, sa vuanin shqiptarët në trojet e pushtuara nga shtetet hegjemoniste fqinje të cilat synonin shfarosjen e tërësishme të tyre, nuk pati edhe një popull tjetër të vuante si ata, në këtë pjesë të Evropës.
Kështu që me të drejtë dhe nuk kishin si të pajtoheshin me vendimet e konferencës së Versajës, të cilat edhe pas Luftës së Parë Botërore, lanë popullin dhe trojet tona të ndara dhe nën okupim të huaj.
Madje, siç ishin të rënda e të papranueshme për popullin tonë, këto aktet të padrejta të kësaj Konference, ato i kundërshtuan me forcë e kryengritje edhe disa popuj të tjerë si dhe kundërshtuan udhëheqësit me renome të tyre, në mesin e të cilëve ishte edhe intelektuali, letrari dhe ushtaraku i shquar italian, Gabriele D’Annunzio (1863-1938).
Sipas shënimeve të Eqrem bej Vlorës, në vëllimin e II-t, të kujtimeve të tij, botuar më 2001 në Tiranë, Gabriele D’Annunzio, në vitin 1920, do të organizonte në Trieste të Italisë një tubim të madh të të gjitha organizatave kombëtare, nga popujt tokat e të cilëve kishin rënë nën pushtimin jugosllav, dhe ishin të gatshëm të luftonin për çlirimin e tyre, nga ky shtet okupues.
Në këtë Konferencë, me pëlqimin e Bajram Currit dhe vendimin e “Komitetit për Mbrojtjen e Kosovës”, përfaqësues të shqiptarëve në konferencën e lartcekur, do të dërgoheshin pjesëtarët e shquar të këtij komiteti, si nipi i Sylejman Vokshit, Beqir Vokshi dhe heroi Bajram Daklani, i cili në konferencë do të mbante edhe një fjalim të zjarrtë mbi shkeljet e rënda të të drejtave të shqiptarëve nga pushtuesit sllavo-grek.
foto4
Bajram Daklani foto
Gabriele D’Annunzio, i bindur për vuajtjet e pafund të shqiptarëve nën okupim, delegacionit të Kosovës do ti premtonte që në Trieste, se pa vonuar ,do tu dërgonte atyre një anije me armatim e municione, në mbështetje të luftës së drejtë, që ata bënin, për çlirimin e vendit të vet nga sllavët. (Eqrem bej Vlora, Kujtime, vëllimi II, SHLK, Tiranë 2001)
Ishte koha kur Populli Shqiptar i Kosovës, kryengritjen e filluar nga viti 1919,të udhëhequr nga Azem Bejta, Bajram Daklani, Sadik Rama etj., me vendim të Komitetit për Mbrojtjen e Kosovës, vazhdonte ta rriste e zgjeronte gjithandej Kosovës, duke ngritur në këmbë mese 10 mijë luftëtar, vetëm në Drenicë dhe Rrafsh të Dukagjinit.
Bajram Daklani si njëri nga udhëheqësit kryesor të “Komitetit për Çlirim”, krahut të armatosur të “Komitetit Kombëtar për Mbrojtjen e Kosovës”, me çetën e vet luftarake, koordinonte veprimet kryengritëse me Azem Galicën, dhe Sadik Ramën, duke u angazhuar kudo që e kërkonte nevoja kundër forcave pushtuese serbe në Kosovë që nga Hasi e Anadrinia deri në Llapushë e Drenicë, por edhe trojet tjera të pushtuara shqiptare.
Ato vite banorët vendor, përjetonin vështirësitë më të mëdha nga xhandarmëria serbe dhe kolonët serbo-malazez, të cilët të nxitur e armatosur nga okupatori, herë pas here, organizoheshin në grupe të egërsuara masive dhe sulmonin shqiptarët autokton në shtëpitë e veta.
Në mënyrë që tua bënin shqiptarëve jetën të pamundur dhe dëbonin ata me dhunë e presione banditeske nga trojet e veta stërgjyshore, më të theksuara ishin sulmet e serbëve në Anadrini, e veçanërisht kundër banorëve të fshatit Krushë, të njohur tanimë për masakrat çnjerëzore të forcave pushtuese serbe mbi popullsinë e pambrojtur civile të këtij fshati, edhe gjatë luftës së vitit 1999, kur çetnikët vranë qindra gra e fëmijë të pafajshëm, vetëm pse ata ishin shqiptar.
Fshatrat Krushë e vogël, por edhe ajo e madhe, gjithmonë mbetën lakmi e pushtuesve, qoftë për faktin se që të dyja ishin të banuara plotësisht me shqiptar, ashtu edhe për arsyen se ato kanë tokë shumë prodhuese dhe ndodhen në pozita tejet të lakmueshme strategjike,të vendosura njëra pas tjetrës, buzë rrugës Prizren-Gjakovë.
Ndaj kur banorët e pambrojtur shqiptar, binin pre e sulmeve të grupeve të egërsuara çetnike serbe, Bajram Daklani me bashkëluftëtar, i cili asokohe shpesh qëndronte në Has dhe Anadrini (Radostë),pa vonuar u vinte në ndihmë bashkëkombësve të tij.
Falë patriotëve të shquar Bajram Daklani e Azem Bejta,Sadik Rama etj., edhe atëherë ,përkundër pranisë së okupatorit dhe numrit të madh të forcave pushtuese serbe, luftëtarët e “Komitetit për Çlirim” të cilët atdheun e donin më shumë se jetën, vepronin kudo dhe në tërë Kosovën.
Ndërsa në fund të korrikut të vitit 1920,kur trupat e serbe-sulmuan në drejtim të Shkodrës dhe pushtuan Kastratin, luftimeve kundër agresorëve sllav, të udhëhequra nga Bajram Curri, ju bashkua edhe Bajram Daklani me kryengritës nga Kosova, si dhe vullnetar nga Shkodra, Shqipëria e Mesme etj.
Zona e lirë e Junikut
Përpjekjet e pareshtura të kryengritësve shqiptar të Kosovës, detyruan Fuqitë e Mëdha, që nga 9 nëntori i vitit 1921,Junikun dhe disa fshatra përreth, që nga Qafa e Morinës deri në grykë të Deçanit ti njihnin si  Zonën e Lirë Neutrale të Junikut.
Territori i kësaj Zone, përveç Junikut, përfshinte edhe fshatrat Mulliç, Batush, Brovinë, Ponoshec, Popoc, Babaj i Bokës, Shishman dhe Koshare, etj. ndërsa kryetar i Zonës Neutrale, nga Komiteti për Mbrojtjen e Kosovës u zgjodh Beqir Vokshi, nipi i kryekomandantit të forcave të Lidhjes së Prizrenit, Sylejman Vokshit të famshëm.
foto5
Beqir Vokshi 
Çetat kryengritëse, ditët e vështira të dimrit i kalonin në territoret e kësaj Zone.
Edhe Kruma, asokohe ishte caktuar si Prefekturë e Hasit dhe Kosovës, ndaj kryengritësit e çështjes kombëtare nga Kosova, dëshironin të vepronin të lirë në Prefekturën e tyre, gjë të cilën e kundërshtonte edhe me forcën e armëve, qeveria e Ahmet Zogut.
Madje, Muharrem Bajraktari si shef i xhandarmërisë dhe Prend Jaku major dhe njëri nga oficerët më aktiv kundër kryengritësve të Kosovës, në shërbim të të cilit, ishte vënë edhe Zefi i vogël, jo vetëm se përndiqnin armiqësisht, luftëtarët dardanë, por terrorizonin pa mëshirë dhe torturonin deri në vdekje secilin banorë të Hasit, i cili guxonte ti mbante, tu vinte në ndihmë apo edhe vetëm të kontaktonte kryengritësit e Kosovës.
Krahas dy pushteteve antikombëtare, atij shqiptar dhe pushtuesve serbosllav, që ishin vënë në ndjekje të kryengritësve të Kosovës, kundër tyre ishin ngritur edhe shumica e bajraktarëve dhe e bejlerëve  vendor.
Edhe ndonjë luftëtar i deridjeshëm i çetave kaloi në anën e Zogut. Kështu ndodhi edhe me trimin e njohur nga Mirdita, Zefin e Vogël, i cili që nga viti 1910 nuk e kishte lëshuar pushkën nga dora, në luftë kundër armiqve të ndryshëm. Tash u bë mik dhe shok i ngushtë i major Prenk Jakut, komandant në Krumë…https://www.facebook.com/255830334508735/posts/736118489813248
Për aq më keq, me një aksion të koordinuar ndërmjet forcave të Zogut dhe forcave pushtuese serbe, nën udhëheqjen e Prend Jakut, në fund të janarit të vitit 1923, pas pak më tepër se dy vitesh ekzistence, do të pushtohej edhe Zona e Lirë e Junikut, e cila më 21 shkurt të vitit 1923,me pëlqimin e qeverisë së Ahmet Zogut, do ti dorëzohej okupatorit serb.
Me të shkelur “Zonën e Lirë të Junikut” ,Serbia nuk zgjodhi mënyrë as mjete për ti asgjësuar, jo vetëm ndonjë nga kryengritësit e vetmuar që ende mund të kishin mbetur në atë zonë, por edhe të gjithë shqiptarët atdhetar të trevave liridashëse të Kosovës.
Që në fillim të operacioneve pushtuese, në përpjekje për mbrojtjen e kësaj Zone të Lirë, ishte plagosë Hamdi Zajmi njëri nga bashkëluftëtarët më të ngushtë të Bajram Daklanit.
foto6
Hamdi Zajmi 
Ndaj edhe pse dimër e acar i madh, dhe përkundër kushteve të rënda atmosferike, çeta e Bajram Daklanit me Hamdiun e plagosur mbi krah, ishin detyruar të tërhiqeshin me shpejtësi në drejtim të Anadrinisë, për tu vendosur përkohësisht tek familja Domi në fshatin Radostë, ku Hamdiu e kishte të motrën të martuar.
Nga ngricat dhe të ftohtit e dimrit të vitit 1923, duke mos mundur të ecte dhe lëvizte, gjatë tërheqjes, Hamdiu i plagosur kishte pësuar edhe ngrirjen e këmbëve, i cili nuk kishte ku ti mjekonte ato as plagën.
Haraçi i Gani Kryeziut
Pas rënies së Zonës Neutrale të Junikut, Prefektura e pushtetit okupues serb në Kosovë, tanimë kishte shpallë vendimin për shuarjen e të gjitha forcave kryengritëse dhe eliminimin e secilit udhëheqës kombëtar, në brendi të Kosovës dhe jashtë territorit të saj.
Kështu që, jo vetëm mjekimi por edhe strehimi i thjeshtë, pa rënë në sy të okupatorit, spiunëve dhe bashkëpunëtorëve të tij, ishin pothuajse të pamundura.
Luftëtarët kombëtar, nuk ishin të përndjekur vetëm nga pushtuesi, por edhe nga shërbëtorët e tij besnik, të cilët shpesh herë dinin të ishin edhe më të këqij se vet okupatori.
Derisa Cena beg Kryeziu me të vëllain Hasanin, përndiqte kryengritësit e Kosovës, në Shqipëri, vëllai i tyre, Gani bej Kryeziu, vazhdonte gjuetinë këmba këmbës, ndaj luftëtarëve të lirisë, në Kosovë.
Ishin kohë aq të vështira ato, sa që një numër familjesh kryengritëse, të shtrënguara nga gjendje të tilla të pa-rrugëdalje tjetër , për të shpëtuar familjarët e vet nga duart e pushtuesit dhe duarve të zgjatura të tij, detyroheshin që “begut-kryezi” ti paguanin haraç të rëndë, me shpresën që të paktën përkohësisht, deri në gjetjen e ndonjë zgjidhje tjetër, bijtë e tyre të mos ndiqeshin edhe nga spiunët, para se ata fatkeqësia ti hidhte në duart e okupatorit serb.
Të njëjtin fat, përjetoi edhe Familja atdhetare Zajmi nga Gjakova, e cila për shpëtimin e djalit të saj, luftëtarit dhe pjesëtarit të çetës së Bajram Daklanit, Hamdiut të plagosur ,ishte detyruar që të lidhte një marrëveshje tejet të kushtueshme me Gani bej Kryeziun.
….qe te mos ngucet ky grup, Shaban Zajmi ben marrëveshje me Gani Beun ti paguaj nga nje sheke drithe ne dite per te ruajtuar vellaun dhe grupin e shokeve te tij. Per 90 dite deri ne sherimin e Hamdiut, Shaban Zajmi i jep Gani Begut vleren e 72 napolonave.
Pjesë nga shkrimi i profesor Agim Zajmit, dërguar nga Tirana.
Argatët e përbetuar të Serbisë- kryezinjtë e Gjakovës, drithin e kishin vetëm si masë pazari, por në fakt ata drithin nuk e donin ,donin vetëm para të “thata“, kështu që edhe Shaban Zajmi, i vëllai i Hamdiut, ishte detyruar t`ia paguante shtrenjtë, me të holla haraçin Gani bej Kryeziut.
Ky gjynahqar, njerëzve të cilëve u merrte paratë, përveç biznesit me fatkeqësinë që i kishte goditur dhe detyruar  hallegjinjt që të trokisnin edhe në derë të hasmit dhe drejtoheshin atij për ndihmë në këmbim të pagesës, i kushtëzonte ata edhe me “vendstrehimin” se ku “klientët” e tij duhej të rrinin, duke i dërguar te “Jatakët”, e  vet, me të cilët kishte marrëveshje, që kryengritësit të cilët ishin në gjendje të paguanin haraç, ti “strehonte” ndonjë ditë “dimri”, kurse për udhëheqësit më të dalluar, ai në ato vende përgatiste fundin e tyre me tradhti.
Jatak* shprehje serbe me të cilën pushtuesi quante njerëzit që strehonin kundërshtarët e pushtetit, “banditët” gjatë dimrit.
Një përfundim të tillë makabër, begu kryezi, i kishte përgatitur në qetësi të trishtë edhe Bajram Daklanit, të cilin, pas marrjes së parave nga Shaban Zajmi, vëllai i Hamdi Zajmit, e ”udhëzoi” ata që Bajram Daklani bashkë me Hamdiun e plagosur dhe ndonjërin nga pjesëtarët e çetës së tij, të strehoheshin në familjen Dobroshi nga Rogova e Hasit, në oborrin e së cilës familje, ata bashkërisht, edhe likuiduan heroin.
Vrasja me tradhti e Bajram Daklanit
Bajram Daklani, thuhet se u vra më 3 shkurt të vitit të 1923, mbrëmjen që ai me disa bashkëluftëtar, sipas marrëveshjes së arritur ndërmjet Gani bej Kryeziut dhe Shaban Zajmit sapo bënin të hynin në oborrin e familjes Dobroshi, pasardhësit e së cilës sipas Dr. Shkelzen Zajmit, ka vite që jetojnë në Gjakovë.
Heroi vet dhe bashkëluftëtarët e tij, shtëpinë e familjes Dobroshi, e mendonin vetëm si një vendstrehim, kohë-shkurtër dhe kalimtar, madje atyre u ishte thënë edhe të “sigurt”, siç u ishte premtuar (veresie), para se ata të merrnin rrugën drejt Pashtrikut, vend ku vetëm shqipet lindin dhe trimat e lirisë ndërtojnë foletë e qëndresës në larësi të tilla.
Ndaj të shtrënguar edhe nga acari i madh i dimrit, plagës së Hamdiut si dhe ndjekjes këmba këmbës nga pushtuesi serb, ata më në fund ishin detyruar që sipas marrëveshjes me begun haraçegji, ti drejtoheshin shtëpisë së Dan Dobroshit në Rogovë, pa e ditur se pikërisht aty ishte ndalesa e fundit e patriotit Bajram Daklani dhe pika fatale, nga e cila për heroin nuk kishte më kthim prapa.
Rogova e prishi Hasin
Hasi, që nga lashtësia,siç dëshmohet edhe nga kronikat shekullore, konsiderohej si treva më e sigurt dhe mikpritëse e përmbaruar për garanci në rajon e më gjerë.
Kjo trevë tradicionalisht ishte vendi më mikpritës, bukëdhënës dhe oaza më e preferuar, sidomos për kryengritës e atdhetar të kombit nga të gjitha trojet, si vatër e garantuar për mbajtjen e fjalës së dhënë dhe besnikëri të palëkundur, në të cilën, deri atëherë, kurrë nuk kishte ndodhur që të ngitej a keqtrajtohej, qoftë edhe një bari i thjeshtë a udhëtar i largët e i panjohur, i rastësisë, se lëre më të vriteshin e tradhtoheshin pas shpine luftëtarët e lirisë dhe patriotët kombëtar.
Në Has edhe në vitet më të vështira, kaluan dhe qëndruan të sigurt dhe mbajtën në Besë, të ruajtur më mirë se në cilindo vend tjetër, personalitetet më të larta kombëtare të kohës, nga Bajram Curri e Azem Bejta deri te Bajram Daklani e Sadik Rama dhe shumë të tjerë.
Aty deri me vrasjen e Bajram Daklanit, nuk kishte ndodhur kurrë të tradhtohej a pritej kush në besë, deri ditën që në një skaj të Hasit,si fshati Rogovë, organet okupuese të Serbisë dhe këlyshët e Gani bej Kryeziut, më në fund kishin mbërri të infiltronin spiunët e vet dhe krijonin bashkëpunëtorë, me të cilët, përgatitën bashkërisht edhe kurthin ogurzi, për eliminimin përfundimtar të heroit dhe prijësit të dalluar kombëtar, Bajram Daklanit.
Mjerisht, ata kishin zgjedhur edhe shenjëtarët më të sprovuar, të cilët jo vetëm se u treguan aq të kujdesshëm sa që përveç likuidimit të Bajram Daklanit, të mos vrisnin as plagosnin askënd tjetër, si dhe të zhdukeshin ashtu siç kishin ardhur të “pa-emër” e të pa gjurmë, duke “humbur” si ti kishte lëshuar toka dhe mbetur të pa zbuluar asnjëherë.
Kështu që heroin, nuk e shpëtuan as marrëveshjet e dakorduara ndërmjet Shaban Zajmit me familjen Dobroshi, nuk e shpëtoi kanuni as tradita, si masa obligative sigurie ndër shqiptarët.
Më-kot ishin mbajtur të gjitha takimet dhe zhvilluar aq shumë biseda të gjata, për tu marrë vesh mirë e në detaje me të zotin e shtëpisë Dan Dobroshin dhe meshkujt e asaj familjeje, si për kohën kur Bajram Daklani të cilin ata e njihnin mirë, me Hamdiun e plagosur dhe pjesëtarët e tjerë të çetës së tij, do të arrinin atje, ashtu edhe për derën të cilën, sipas marrëveshjes trimat duhej ta përdornin për të hy në oborr.
Madje, sipas versionit i cili edhe sot tregohet, nga pasardhësit e Hamdi dhe Shaban Zajmit, marrëveshja ishte që kryengritësit në shtëpinë e “Jatakut” të lidhur këmbë e krye me Kryezinjtë e Gjakovës, të shkonin pasi që të binte terri, të mos hynin përmes dyerve kryesore dhe anën e përparme të oborrit, por të futeshin kopshtit dhe përmes derës së prapme e cila kishte dalje në kopsht, të futeshin në oborrin e shtëpisë së familjes Dobroshi.
Meqenëse Hamdi Zajmi nuk mund të ecte, Bajram Daklani, mbante pjesën e përparme të vigut, mbi të cilin ishte shtrirë Hamdiu i plagosur, ndaj me të kaluar kopshtin dhe afruar derës së prapme, e cila ishte e ngushtë dhe përmes saj mund të kalonte vetëm nga një njeri, Bajram Daklani lëshoi vigun për të hapë ngadalë derën dhe bërë vend që ta fusnin Hamdiun me vig në oborr.
Por me të futur vetëm gjysmën e trupit të vet brenda oborrit, në përpjekje që ta stabilizonte derën si duhet, ende pa u ulur që të ngritë vigun nga toka, nga kulla e Dobroshve, flakërojnë krismat kobzeza të pushkës, të cilat si të porositura enkas për të, qëlluan vetëm mbi trupin shtatlartë të heroit, duke shpuar tej për tej, gjoksin e tij prej luani dhe lënë në vend të vdekur heroin Bajram Daklani.
Kështu, u shkelën të gjitha parimet e Besës, ra poshtë çdo premtim i dhënë, zhgënjyen të gjitha marrëveshjet dhe kthyen në tradhti, krejt garancitë për siguri, të kamufluara me “Be e Rrëfe” nga “dobroshët”.
Për herë të parë dhe pa-prit e pa kujtua, ndodhi edhe në një skaj të Hasit, ajo që nuk do duhej dhe që nuk kishte ndodhur kurrë në këto anë, u pre në Besë një Hero dhe shua me tradhti edhe një pushkë e lirisë dhe shpresës së shqiptarëve të robëruar.
Nga ajo ditë, jo vetëm se u pikëlluan bashkëkombësit kudo, por më shumë se të gjithë, sa “për të hy edhe në dhe për së gjalli” u zhgënjyen dhe dëshpëruan sidomos banorët hasjan, për të cilët, për herë të parë në historinë e kësaj treve, ndodhte diçka e padëgjuar në një fshat të kësaj ane.
U pre prapa shpine njëri nga heronjtë më të shquar shqiptar dhe vra me tradhti njëri nga patriotët më të njohur, të kombit tonë! U thye tradita qindravjeçare e mikpritjes hasjane, lartësuar kudo dhe ngado që flitet e jetohet shqip.
Akti i prerjes në Besë të heroit Bajram Daklani, bëri që, në të gjithë fshatrat e kësaj treve, të përhapej fjala, se me atë ditë-Rogova e prishi Hasin!.
E prishi Besën, e cila për qindra vjet mbeti, e veçantë në Has dhe u ruajt me nostalgji përbetimi si shenj e paprekshme krenarie. U mbajt me fanatizëm të pathyeshëm premtimi i dhënë dhe në hapësirat e krejt kësaj treve, nuk kishte ndodhur kurrë që të vritej asnjë shqiptar pas shpine, e lëre më të likuidoheshin burra e heronj të rangut të Bajram Daklanit me tradhti.
Atentatorët e specializuar nuk i lanë atij kohë as të ulej e kapte vigun, sepse për ta vetëm kështu ishte tërësisht e sigurt, se pushka e parë që do kriste, do ta merrte pikërisht këtë Burrë të Kombit.
Nuk mjaftoi as fakti, se kryengritësit vepruan ashtu siç ishin dakorduar, të “garantuar” me premtimet boshe për siguri nga Besë-prerësit e pështirë.
Qëllimi i renegatëve ishte likuidimi i heroit Bajram Daklanit, ndaj dhe ndodhi ajo që nuk do duhej dhe kështu u shua edhe një pushkë e lirisë dhe shpresë e shqiptarëve të robëruar.
Deri atëherë, jo vetëm që nuk ishte vrarë njeri i gjallë në oborre e shtëpitë të kësaj ane, por një akt i tillë nuk kishte ndodhur as në ara, male a luadhe të Hasit.
Ndaj qëkur u pre në Besë Bajram Daklani nga “Dobroshët”, shprehja “Rogova e ka prish Hasin” u bë shprehje popullore në këto anë dhe tradicionalisht përdoret ,tash e atëherë si shprehja më dëshpëruese edhe për ngjarje të tjera, të cilat nuk kanë të bëjnë drejt për së drejti me rastin në fjalë, por mjafton që qëndrimet e këtij fshati, të mos përkojnë me qëndrimet e trevës hasjane.
Është mjaft enigmatike vrasja e Bajram Daklanit dhe tentim vrasja e grupit të Hamdi Zajmit, thotë nipi i Hamdiut Naim Zajmi në një koment të tij. Pse Dobroshi gjuan pa paralajmërim kur e dinte se atë nate do të vinin mysafirët me Bajram Daklanin, citon komentin e kushëririt të tij-Naimit, profesori i historisë, z. Agim Zajmi, nga Tirana
Kurse për vrasjen pa paralajmërim të Bajram Daklanit nga familja Dobroshi ,Dr. Shkelzen Zajmi, specialist i rëntgenologjisë në Gjakovë, shton se paraardhësit e tij dhe gjithë familjes Zajmi nuk e falën gjakun e heroit, madje aktin e ndodhur e konsideruan si prerje në Besë, dhe për këtë shkak, me familjen Dobroshi do të ngelnin, për dhjetëra vite të gjakësuara ndërmjet veti.
Zhdukja e eshtrave të heroit Bajram Daklanit
Pas vrasjes së Bajram Daklanit, asnjëri nga pjesëtarët e çetës së tij, nuk do të hynte më në shtëpinë e familjes Dobroshi.
Bashkëluftëtarët e mbetur të çetës së Bajram Daklanit, Hamdiun e plagosur do ta vendosnin në një shtëpi që familja Zajmi e kishte në fshatin Fshej, ku ata kishin edhe tokat e veta, kurse kufomën e Bajram Daklanit,do ta dërgonin në drejtim të fshatrave më të afërta të Hasit, me kufirin shqiptaro-shqiptar.
Sipas asaj që pasardhësit e familjes Zajmi kanë mund të marrin vesh, dhe fjalëve të dëgjuara nga njerëzit e vjetër të këtyre anëve, edhe pse me saktësi të plotë nuk mund të thuhet, pasi që eshtrat e heroit tash e atëherë mungojnë, Bajram Daklani, besohet se u varros rreth një kilometër nga rrugës kryesore që lidh fshatrat e Hasit, dhe pika dalëse prej nga fillon rruga transite e njohur si “Rruga e Demjanit” në pjesën e mbuluar me drunjë , vend në afërsi të të cilit edhe sot ka varreza.
Megjithëse varrimi i heroit u krye në fshehtësi të madhe dhe nën errësirën e thellë të natës, në mënyrë që varri ku ai prehej në amshim, të mos binte lehtë në sy të armikut, të vetëdijshëm se pushtuesi as të vdekur nuk do ta linin heroin të pushonte i qetë, siç duket pa kaluar shumë kohë, mercenarët e Gani beg Kryeziut, do ta hetonin vendin e varrimit të tij.
Ndaj, për ta vrarë edhe një herë për së vdekuri, ata vepruan njëjtë me heroin, siç veproi edhe Serbia me të vrarët për liri dhe çlirim të Kosovës, duke bërë edhe këta zhvarrosjen e kufomës dhe humbjen e përhershme të trupit dhe eshtrave të Bajram Daklanit.
Dimri i gjatë dhe rënia e herë pas hershme e borës, u ndihmoi renegatëve, ta zhvarrosnin trupin e pajetë të këtij udhëheqësi dhe luftëtari, gati pa u hetuar të cilët me dheun e shprishur dhe grumbullimin e borës mbi vendvarrimin e tij, do të lenin një si varr të improvizuar, që përkohësisht dhe nuk do të hetohej lehtë, as kuptohej shpejt se asokohe edhe diçka antinjerëzore kundër heroit ishte vepruar.
Në anën tjetër edhe nuk guxonte kush të pyeste hapur, se ku mbet dhe ç ‘ndodhi me trupin e tij, ngase njerëzit mund të akuzoheshin për lidhje e bashkëpunim me heroin dhe kushtonte me jetë, nga okupatori i egër serb.
Madje, me shkrirjen e borës dhe ardhjen e Pranverë, dheu i shprishur, pothuajse do të njëjtësohej me tokën përreth dhe përveç zhdukjes së eshtrave, do të shuheshin përgjithmonë edhe gjurmët e varrit të shpërfytyruar të heroit.
Ndaj, përveç likuidimit me tradhti, te Bajram Daklanit, njërit nga prijësit më të shquar kombëtar të “Komitetit për çlirim” që ende vepronte në Rrafshin e Dukagjinit dhe Kosovën kudo, megjithëse kushedi sa e sa herë, bashkëluftëtar dhe dashamirë, më kot kërkuan dhe provuan ta gjenin vendin ku pushonin eshtrat e këtij trimi, nga atëherë e deri më tani, nuk dihet asgjë dhe thuhet se nuk u gjet asnjë gjurmë e trupit të heroit.
Kështu hapat e këtij burri, ndaluan përgjithmonë më 3 shkurt të vitit 1923,nga plumbat e tradhtisë, duke rënë për të mos vdekur kurrë, në kohën kur mosha e tij nuk kishte arrit as në të 50-t, e jetës dhe pritej të bënte ende shumë për lirinë e atdheut dhe popullin e vet të robëruar shqiptar.
Në Rogovë, ai do të vritej barbarisht, jo nga serbët as Serbia, por nga shqiptarët e shitur dhe tradhtarë, të cilët atëherë dhe sot, sikur ende janë me bollëk, aty dhe vendet tjera kudo.
Në këtë mënyrë dhe nga njerëz të tillë, do të shuhej përgjithmonë edhe njëri nga prijësit më të shquar kombëtar, që pati Kosova dhe Shqipëria etnike, duke e pakësuar kështu edhe për një më tepër, numrin e trimave të mbetur ,historikisht më të dëshmuar dhe institucionalisht më meritorët për tu  dekoruar me mirënjohjet më të larta, për kontribut të shquar, nga Shteti Shqiptar.
Ai, ishte njëri nga ata, të cilët ditën të luftonin në çdo vend e kohë dhe kundërviheshin çfarëdo armiku a agresori sado të tërbuar që mund të ishin ata, gjatë gjithë kronologjisë së periudhave më të vështira nëpër të cilat kaloi populli ynë për lirinë dhe çlirimin e tij.
Dekorimi i Bajram Daklanit
Sakrificat e mëdha dhe të gjithanshme atdhetare, të heronjve si Bajram Daklani me shokë, bënë që edhe pas epokës së Skënderbeut dhe në vitet më të vështira për liri e çlirim të vendit, emri i popullit tonë përsëri të lartësohet, të madhërohet historia shqiptare dhe të rritet e përjetësohet deri në pafundësi, shkëlqimi rrezatues i flamurit kombëtar.
Veprimtaria patriotike e Bajram Daklanit, u përket dy shekujve të lavdisë dhe periudhave më të rëndësishme historike, të para dhe pas mëvetësisë shqiptare, përpjekjet mbinjerëzore të të cilit, për zgjidhjen e çështjes shqiptare, në zemrën e kombit, nuk shuhen as vjetrohen kurrë.
Lufta dhe kontributi i pazëvendësueshëm gjithëkombëtar i Bajram Daklanit në momentet vendimtare, për trojet tona etnike, bënë që ai si prijës i shquar të nderohej me medaljen më të lart të Atdheut, si dhe emri i tij, të shkruhej me germa të arta në lartësitë kulmore të Historisë së Popullit Shqiptar.
Heronj të tillë edhe pas vendimeve të Konferencës së Ambasadorëve në Londër, të cilat përkundër shpalljes së Pavarësisë kombëtare, Kosovën dhe viset e tjera etnike, lanë pa të drejtë, jashtë kufijve të Shqipërisë londineze, përpjekjet historike shqiptare të nisura, që nga Lidhja e Prizrenit, nuk lejuan të ndalen, por mundësuan të vijojnë edhe më tej për liri dhe bashkim kombëtar.
Burrat si Bajram Daklani, mbetën gjithmonë ushtar besnik të atdheut, që luftuan me vendosmëri edhe për ruajtjen e tokave të shtetit të pavarur shqiptar, çlirimin e Kosovës e trojeve tjera etnike nga pushtimet e huaja dhe bashkimin e tyre me Shqipërinë.
Ndaj, më 23 nëntor të vitit 2012, me rastin e jubileut të 100 vjetorit të Pavarësisë, “Për shërbime të shquara dhe kontribut të çmuar për liri dhe Pavarësi Kombëtare” heroi i kombit-Bajram Daklani, me të drejtë u dekorua me medaljen më të lartë që jep Ministri i Mbrojtjes i Republikës së Shqipërisë
Sado që ai nuk pati as fëmijë dhe rriti vetëm një vajzë, edhe atë të falur nga i vëllai Emini, në mënyrë që edhe atë ta thërriste dikush “baba”, heroi Bajram Daklani megjithëse pa trashëgimtar fizik, që do të mund ta vazhdonte rrugën e tij patriotike, si atdhetar i flakët dhe kryengritës stoik që ishte, asnjëherë nuk e ndali luftën për lirin e atdheut që nga vitet e hershme të rinisë, duke sakrifikuar gjithçka për çlirim dhe bashkim kombëtar deri në momentin tragjik kur  u vra me tradhti dhe zhduk trupi i tij dhe mbet pa shenjë as varr.
foto7
Zyhra Daklani
Vepra e tij, madhëroi përpjekjet e të gjithë shqiptarëve dhe ngriti e lartësoi kudo, kryengritjet popullore për çlirim si vlerën më të çmuar kombëtare.
Shkëlqimi i emrit të heroit Bajram Daklani, arriti piedestalin e rrezatimit, që në momentin historik, kur më 12 gusht të vitit 1912,ai i pari ngriti Flamurin Kombëtar, në Shkupin e çliruar.
Sakrificat e tij për Flamur dhe çështjen Kombëtare, nuk mbaruan këtu.
Atdhedashuria dhe trimëria e heroit, u dëshmuan edhe më 24 korrik të vitit 1919,në betejën e njohur të Vaut të Spasit, ku ai me vetëm 10 pjesëtar të çetës së tij, luftuan heroikisht me një ushtri të tërë pushtuese, duke rrezikuar jetën e vet dhe atë të bashkëluftëtarëve për të mos e dorëzuar assesi pikën që mbanin dhe mos lejuar për asnjë çmim, heqjen e Flamurit të ngritur Kombëtar, që për ta ishte dhe mbeti simboli më i shenjtë shqiptar.
Këto dhe shumë vepra të tjera atdhetarie, të cilat është e pamundur të numërohen dhe përfshihen të gjitha në vetëm një shkrim, bënë që vendimi i “Ministrisë së Mbrojtjes të Republikës së Shqipërisë, për dekorimin e Bajram Daklanit, të mbetet vërtet një veprimi i qëlluar dhe më i drejti që mund të jetë bërë ndonjëherë deri më tani, në historinë tonë .
Sot e atëherë, trojet etnike, janë përmalluar aq shumë, që në gjirin e vet, të kenë të paktën edhe një herë burra të tillë si Bajram Daklani dhe heronjtë e Rilindjes Kombëtare.
Atdhedashës të përbetuar si ata të periudhave të; para e pas Pavarësisë së Shqipërisë, të cilët ishin figurat më të ndritshme patriotike dhe më të nderuarat gjithëshqiptare dhe bënë që populli ynë nga një popull i shtypur dhe i nënshtruar për shumë shekuj, të cilit i mohohej emri, identiteti etnik dhe hapësirat territoriale nga pushtuesit më të egër, të ngritët e ndërgjegjësohet si komb i njëmendët, dhe rreshtohet mes kombeve të nderuara të Evropës.
Pa figura legjendare si Bajram Daklani me shokë, nuk mund të ishte e tillë, e bujshme dhe heroike, as historia jonë kombëtare.
Trim i merituar në shkallë sipërore, i denjë për dekorimet më të larta kombëtare, jo vetëm në 100 vjetor Pavarësie.
Kryengritës i paepur të cilin me gjithë fatet tragjike të jetës nën pushtim dhe shuarjes me pritzënie tradhtie, nuk mundën ta thyenin as dëshpëronin edhe periudhat më të vështira në historinë e mundimshme të përpjekjeve për çlirim kombëtar.
Hero i shquar luftërash e kryengritjesh, i cili shkëlqen fort dhe pafundësisht në rrugën e çlirimit kombëtar, dhe periudhat më të lavdishme historike, që mbahen mend gjatë për sublimim flijimesh atdhetare.
Emër i tij i përndritësuar, u kthye përjetësisht në dëshminë më të ndritshme të heroizmit mbarëshqiptar, i cili për “Kontribut të Shquar ndaj Atdheut” dhe përpjekjeve biblike për çlirim e mbijetesë mbarëkombëtare, u dekorua edhe me mirënjohjen më të lartë të Shtetit Shqiptar!
Ndaj, është koha e fundit që edhe pasardhësit e atyre të cilët patën dorë në vrasjen dhe zhdukjen e trupit të këtij heroi kaq sublim, ti kujtohen mallkimit të historisë e cila nuk harron dhe përfundimisht të reflektojnë, duke ndihmuar për gjetjen më në fund të eshtrave të këtij Burri të Kombit, në mënyrë që ato të rivarrosen në vendin e duhur dhe pranë tyre të ngritët një lapidar meritor kushtuar heroit Bajram Daklani, para të cilit të gjithë dashamirët e luftës dhe përpjekjeve të tij, do ti bënin nderimet më të mira  dhe shprehnin mirënjohjen e pafund, për shqiptarizmin e çiltër të tij, betejat liridashëse, besnikërinë e pafund ndaj atdheut, si dhe veprën plot lavdi.
Këtij Burri i mbeti borxh edhe historia, patriotët, intelektualët, dashamirët e atdheut dhe pasardhësit, sado qofshin ata edhe të largët, të cilët të “mbuluar” nga fuqia e pasardhësve të atyre që e vranë dhe zhdukën heroin, “akraballakut” të gjerë që kanë, formave të ndryshme korruptive apo edhe ndikimit direkt, heshtën edhe ata që nuk do duhej. Heshtën të gjithë dhe heshtën kaq gjatë, pa të drejtë. Ndaj dhe u shkrua pak, për të mos thënë fare, dhe atë vetëm në kontest ngjarjesh dhe personalitetesh të tjera historike, duke u përmendur me vetëm dy-tri fjalë apo ndonjë fjali të shkurtër ndërmjet rreshtash, të cilat dëshmojnë pjesërisht, por nuk mund ta pasqyrojnë assesi gjithë kontributin e madh dhe veprën e tij të bujshme kombëtare as persë afërmi.
Bajram Daklani ishte njëri nga heronjtë më sublim dhe ushtar i denjë i mbijetesës gjithë-shqiptare, i cili flijoi edhe jetën, për të mbetur luftëtar motesh e ëndrrash lirie për të gjithë ne.
Ai u shndërrua në legjendë dhe dëshmitar kohe, i cili që atëherë me krenari vijon të shpalos para brezave, argumentet e pashterura të historisë dhe patriotizmave tradicionale shqiptare, si dhe përçoj para Botës liridashëse, kronikat e pafundme dhe më të mira të atdhedashurisë gjithëkombëtare, të cilat përjetësisht ngritin kombin shqiptar, tash e përgjithmonë, në piedestalin e lavdisë.
P.S. Në Përfundim, dua ti falënderojë përzemërsisht dy pjesëtarët e nderuar të familjes së mirënjohur patriotike “Zajmi”; profesorin e historisë z.Agim Zajmi nga Tirana për fotografitë dhe tekstet e dërguara, si dhe dr. Shkelzen Zajmin nga Gjakova, për të gjitha informatat e ofruara për përgatitjen e këtij shkrimi.


No comments: