Monday 31 July 2017

Reshat Kripa: Në birucat e Sigurimit të Shtetit


Fragment nga romani: “Rini e copëtuar”
Qelia ku më mbyllën ishte nën rampën e shkallëve. Kishte dimensione 2,5 X 1,5 dhe lartësia fillonte nga 20 cm. dhe përfundonte në 1,5 metra. Koka dhe i gjithë trupi më dhimbnin. Nuk e di sa kisha në atë gjendje, kur dëgjova një zë që thërriste, sikur pëshpëriste:
– Hej, kush jeni?
Nuk kisha fuqi të përgjigjesha. U mundova, por u rrëzova përsëri. Thirrja u përsërit. U kapa pas hekurave të dritares së vogël që ndodhej në portë dhe munda të ngrihem me mundim. Në krah të qelisë time, nën shesh pushimin e shkallëve, ndodhej një qeli tjetër, që me timen ishin të vendosura në formën e gërmës ” L “. Në dritaren e portës së saj pashë fytyrën e një burri.
– Ujë! – i thashë me gjysmë zëri
U mundua të më jepte shtëmën e vogël që kishte, por atë nuk e nxinin hekurat, Atëhere mbushi opingën e tij dhe ma dha. Në fillim ndjeva neveri të pija ujë me opingën e një të panjohuri. Mos vallë vinte erë nga djersa e këmbëve të tij? Por etja më detyroi. E piva përnjëherësh. E mbushi përsëri dhe e përpiva edhe atë. Uji më gjallëroi. E mbushi për të tretën herë dhe më tha:
– Laj fytyrën!
U lava. Ndjeva se uji më solli në jetë. Në këtë kohë më hyri një e dridhur në shtat. Ndoshta po më fillonin ethet. Ai më pa, mori një batanie dhe ma zgjati nëpërmjet dritares.
– Merre dhe mbulohu, por kujdes mos të të shohë roja.
E mora dhe u mbulova. Pas pak më zuri gjumi. U zgjova nga një zhurmë hapash. Ishin hapat e rojeve. Dola në dritare dhe i fola komshiut. Filluam të bisedojmë Ishte Imer Rakipi nga Gjormi, i ati i Neki Imerit, ish komandant partizan i vrarë po nga ata.
U ula në një qoshe dhe fillova të vështrojë qelinë. Nga drita e paktë që hynte nga dritarja, vura re disa shënime të bëra me gërvishtje në mure. U afrova dhe lexova njerin:
“Këtu u dergj Gogo Zhupa!”
Kush ishte ky Gogo Zhupa që ishte dergjur aty? Gjatë kohës që qëndrova në burg nuk takova njeri me këtë emër. Ata që e kishin njohur më thanë se ishte nga Himara.
Më tutje një shënim tjetër më i gjatë:
“Nënë e dashur!… Më fal!… Po vdes … me brengën… se po të lë vetëm…Kriminelët më… kanë sakatosur… ashtu si bënë… edhe me babanë…Më fal o nënë… se të kam…shqetësuar…!”
Petr..“
Emrin nuk kishte mundur ta përfundonte. Çfarë e quanin? Petrit, Petrika, Petraq, Petref apo ndoshta Petro? Si duket vdekja nuk e kishte lejuar të mbaronte emrin e tij.
Duke lexuar këto shënime mendova:
– Si duket këto qeli qënkan për të vdekur! Po unë a do të shpëtojë?
Mendja më shkoi te shkolla. Atë ditë ishte hartimi. Para syve më dolën shokët dhe shoqet e klasës. Në atë moment ata po shtjellonin temën. Kurse unë dergjesha në atë qeli, prej nga nuk dija në se do të dilja dot i gjallë. A mund të kishte temë më të dhimbëshme se gjendja në të cilën ndodhesha? Një ndienjë melankolie më mbuloi.
dukej sikur shikoja fytyrën e Nerit. Kjo ndienjë ma shtonte më tepër dhimbjen.
Kishim tri roje të brendëshme. Kapter Myfiti ishte një sadist i vërtetë. Kënaqësia e tij ishte kur shihte viktimat e sakatosura nga torturat që ktheheshin nga hetuesit. Qeshte me të madhe kur i shihte në atë gjendje. Ishte një e qeshur sarkastike.
– Sa më qenke zbukuruar me këtë ngjyrën e kuqe! – thoshte duke u ngërdheshur si ndonjë përbindësh, kur i shihte viktimat të gjakosura.
Tetar Vlashi nuk ishte i keq si Myfiti, por kërkonte të zbatonte një për një kërkesat e rregullores së brendëshme. I treti ishte rreshter Gjyshi, i shoqi i një komshies tonë, me të cilën kishim miqësi familjare. Në përgjithësi, sillej mirë, sidomos me mua që më njihte.
Hetues kishim marshall Demirin. Një vit më parë kishte qënë edhe hetuesi i Besnikut, vëllait tim. Kishte krijuar bindjen se duhej të kishim një më të madh që na kishte shtyrë në këtë rrugë. Nuk besonte që tre fëmijë si ne të mernim një të tillë inisiativë. S’arritëm kurrë të kuptojmë se për ç’arësye dyshimi i tij binte mbi një shokun e klasës së Besnikut, Shefqet Xhikun. Na torturonte për të na detyruar të pranonim se ishim shtyrë nga ai. Por kjo ishte absurde. Ne nuk kishim si të pranonim. Ishim të detyruar të duronim torturat.
Një natë po flija në qelinë time. Ndjeva një goditje të fortë në këmbë. U ngrita i tronditur. Para meje qëndronte kapter Myfiti
– Çohu! – tha me një zë të ashpër – Po të pret xhelati.
– Xhelati? Cili xhelat? – e pyeta unë.
Bëri buzën në gaz në mënyrë ironike dhe tha:
– Do ta shohësh kur të shkosh lart.
Më shoqëroi në zyrën e Demirit. Ai qëndronte duke shkruar diçka në tavolinë.
– Qëndro aty.! – foli duke treguar qoshkun e murit.
Unë rrija i heshtur. Isha dobësuar jashtë mase. Nuk kisha fuqi të qëndroja në këmbë. U mbështeta pas murit.
– Mos u mbështet! – tha me një ton urdhërues pa hequr vështrimin nga shkresat që kishte përpara. Sipër kokës së tij ishte një orë muri. Ajo tregonte një e gjysmë. Kishte kaluar mesnata. Si mbaroi punë, u ngrit dhe u drejtua nga unë:
– Sot dua të mbarojmë punë shpejt se vajti vonë. Më trego, ku i ka fshehur florinjtë yt atë?
E vështrova i habitur. E ku i kishin mbetur florinj tim eti pas gjithë atyre peripecive që kishim hequr. Në shtëpinë tonë mezi kishin mbetur vetëm disa minderë të vjetër prej dërrase dhe jo të kishim florinj. Le që edhe po të kishte, aq mendje lehtë nuk do ishte im atë sa të m’i tregonte mua një pesëmbëdhjetëvjeçari? Pyetja e tij m’u duk si e një fillestari të paditur.
– Babai im nuk ka florinj, – iu përgjigja.
– Ashtu, nuk do të tregosh? Ti di edhe vrimat e miut që janë në shtëpi.
– Ato i di, por florinj im atë nuk ka.
– Mirë, më qafë paç veten!
Më lidhi duart me hekura dhe m’i shtrëngoi fort. Më shtriu në tokë dhe filloi të më godiste me të dy pëllëmbat me sa fuqi kishte. Shikoja krahët e tij që hapeshin me forcë dhe më qëllonin. Koka ime e vogël ishte e detyruar të duronte goditjet barbare të tij. Filloi të më godasë edhe me shkelma në organet gjenitale. Më vinte këmbën me këpucët me gozhda në grykë dhe më hipte sipër duke më rënduar me forcë
– Hë, fol, ku janë florinjtë?
Dhimbjet ishin të tmerrshme. Nga hundët filloi të më rridhte gjak. Kjo gjendje vazhdoi për gati dy orë. Së fundi humba ndjenjat. Më hodhën një kovë ujë në fytyrë. Ndjeva
dy duar që më ngritën dhe duke më hequr zvarrë më përplasën në qeli.
Isha në gjendje kllapie. Si nëpër gjumë më çfaqeshin para syve fytyra të ndryshme. Para syve më dilte portreti i Fatushes, motrëe time, që më jepte kurajo, por ai zëvëndësohej menjëherë me atë të Demirit që më kërcënonte.
E mblodha veten shpejt dhe thashë:
– Bëhu burrë dhe mos turpëro veten!
Kjo gjendje vazhdoi deri në mëngjes.
Netët kalonin në mes të ankthit të torturave. Ishte bërë e zakonshme që pyetjet të zhvilloheshin afër mesnatës. Kështu një natë më çuan si zakonisht në zyrën e hetues Demirit. Ai më vështroi gjatë dhe në fund më pyeti:
– A je penduar për aktivitetin e zhvilluar?
Pyetja më erdhi e papritur. Nuk dija si të përgjigjesha. Po rrija i menduar pa i kthyer përgjigje.
– Hë, si thua? – vazhdoi ai.
Vendosa t’i thoja të vërtetën:
– Aspak.
Përgjigja i erdhi e papritur. Më vështroi me inat dhe pastaj më tha;
– Ashtu? Atëhere bëjë një deklaratë për sa the.
Më vuri para letër dhe penë. Unë fillova të shkruaj:
Deklaratë
Unë, Reshat Kripa, nga Vlora dhe banues po në Vlorë, në lagjen Vrenez, mbasi u pyeta prej hetuesit që proçedohem si pjesmarës dhe element kryesor i grupit me pseudonim “Atdhetari” që përbëhet prej meje, Myrteza Baboçit dhe Jorgo Beshos, në se jesh penduar për fajet e kryera kundër pushtetit ju përgjegja si më poshtë:
Unë Reshati deklaroj se rrugën që kam ndjekur duke treguar aktivitet kundër pushtetit, e quaj të drejtë për deri sa gjendja në vëndin tonë nuk ka ndryshuar dhe se unë këtë ndryshim e pres nga t’arratisurit e jashtë shtetit anglo-amerikanët etj.
Këtë dekllaratë e shkruaj dhe e nënshkruaj vehtë pa u imponuarsepse janë deponimet e mija.
Reshat Kripa
Vlorë më 11-VIII-1951
Demiri mori dhe lexoi deklaratën. Fytyra filloj t’i marrë lloj-lloj ngjyra. U kthye nga unë dhe me një ton prej krimineli më tha:
– Kështu ti dashke anglo-amerikanët?
– Po, shqiptarët dhe anglo-amerikanët. Ata janë aleatët tanë. – iu përgjigja.
– Aleatët e sat’ëme apo tyt’eti?
Aty për aty filloi të më godasë me pëllëmba, grushta dhe çfarë të mundte. Pastaj thirri Myfitin dhe e urdhëroi që të më lidhte duart dhe të më çonte në qeli.
Një ditë u hap porta e qelisë dhe tetar Vlashi më tha:
– Merr rrobat dhe eja me mua!
I mblodha ato pak rroba që kisha dhe u nisa pas tij. Kur mbërritëm te qelia numër shtatë, qëndroi, hapi portën dhe më tha të futesha brenda. Ishte një qeli më e madhe se e para. Kishte dimensionet 3 X 2 dhe lartësi 3 metra. Në njerën anë të saj ishte shtrirë një burrë rreth tridhjetëvjeç. Ana tjetër ishte bosh, Përshëndeta mikun e ri dhe vendosa rrobat në vendin bosh. U ula dhe filluam të bisedojmë. Më pyeti nga isha dhe përse më kishin arrestuar. I tregova. E njihte tim atë. Kishte prurë ullinj në fabrikën tonë. Pastaj e pyeta edhe unë. Ishte nga Dukati. E quanin Halo Çanaj. Ishte arrestuar pasi kishte strehuar disa të
arratisur. Kishte qenë ushtar me çetat e Ballit Kombëtar.
Halua më përmendte betejat e Gjormit, Drashovicës, Selenicës dhe të tjera. Më fliste për Termopilen shqiptare, luftën e Grehotit me italianët ku u vranë komandanti Hysni Lepenica dhe tridhjetepesë burra të tjerë. Më fliste për Skënder Muçon dhe dy shokët e tij që i pushkatuan gjermanët, vetëm e vetëm se ishin nacionalistë.
– A ke dëgjuar për ndonjë betejë tjetër ku të kenë rënë komandanti dhe
tridhjetepesë trima të tij? – më thoshte me krenari.
Ai fliste dhe unë e dëgjoja me vëmendje. Më tregonte edhe për fillimin e vëllavrasjes, për luftën e Dukatit, ku forcat nacionaliste u sulmuan pabesisht nga partizanët:
– Ishte fundi i nëntorit të vitit 1943. Kishte kaluar mesnata kur u zgjuam nga krisma e armëve. U dha kushtrimi. Ishim sulmuar pabesisht nga dy batalione partizane, ai “ Asim Zeneli “ dhe “ Halim Xhelo “. Burrat e fshatit, nën komandën e Maliq Koshenës, rrëmbyen armët dhe filluan të mbrohen. U zhvillua një betejë e përgjakshme. U vranë njëzetetre djem, katërmbëdhjetë nga partizanët dhe nëntë nga ballistët.
Ka mbetur si legjendë debati i zhvilluar ndërmjet partizanit Myrto Sadiku nga Tërbaçi dhe ballistit Murat Bodo nga Dukati. I pari foli Myrtua:
“Hidhe armën, fashist i ndyrë!”
Ndërsa Murati i përgjigjet me bejte:
S’jam fashist, por i Dukat,
As ti rus, por i Tërbaç,
Por na qenka taksirat
Që na vjen dhe vret në prag!
U qëlluan të dy zjarr për zjarr. Në këtë betëjë u vranë 23 veta, 8 nga Ballistat dhe 15 nga partizanët. Dukati i qau të rënët pa dallim. Ai i varrosi të dy palët sipas zakonit shqiptar. Nënat dukatase i qanë njëlloj bijtë e Shqipërisë:
Korba, na u vranë djemtë,
Ca këtu e ca në çetë.
Ca këtu, ca në parti,
Vaj medet, o Shqipëri!
Komandantin tonë, Maliq Koshenën, e pushkatuan komunistët vitin e kaluar. Halua heshti. Kujtimi i asaj ngjarje e tronditi tepër.
Për herë të parë dëgjova një histori ndryshe nga ajo që kisha mësuar në shkollë. Këtë e dëgjova nga goja e një luftëtari të thjeshtë nacionalist, një njeriu të pa shkollë, por me një zemër të madhe Tregimi i thjeshtë i Halos, pa shtirje dhe me sinqeritet të dukshëm, filloi të ndryshojë mendimin tim për atë periudhë të historisë dhe ata personazhe që u bënë heronjtë e saj.
Pas gjashtë muajsh e gjysmë erdhi Gjykata Ushtarake e Durrësit. Gjyqi ishte në të vërtetë një farsë. Ishim nëntë veta që u gjykuam. Ne të tre, Halua, Imeri dhe katër të tjerë, Bejo Vrazhdua nga Bolena, Hajro Belishova nga Mallakastra, Pullumb Llupa nga Vlora dhe Pepo Koheni, një vlonjat me origjinë hebreu.
Kryetar gjyqi ishte kapiteni i parë Shuaip Shaze dhe antarë nëntoger Namik Laze dhe një qytetare e Vlorës, Adile Selimi. Prokuror ishte Gaqo Bezha, ndërsa sekretare Raife Ismaili. Gjykimi u zhvillua në dy seanca që zgjatën jo më tepër se pesë orë. Ditën e parë u zhvillua seanca e pyetjeve. Të nesërmen në fillim u dha pretenca e prokurorit. Në këtë pretencë, midis të tjerave thuhet:
“Të tre të pandehurit bashkarisht, në gjimnazin “Ali Demi”, kanë marrë pjesë në një
grup armiqësor, të ashtuquajtur “Atdhetari”, i krijuar dhe i pagëzuar me inisiativën e Reshat Kripës kundër pushtetit popullor. Kanë zhvilluar mbledhje të rregullta, deri në shtatë herë rresht, në dyqanin e Jorgo Beshos e gjetkë, mbledhje këto që kryesoheshin nga Reshat Kripa.\
Në fund të mbledhjeve merrnin vendime për të shtuar rradhët e grupit. Ata, me propozim të Reshat Kripës, kanë hedhur trakte. Konceptet e tyre i jepte Myrteza Baboçi. Në shkruarjen e tyre kanë marrë pjesë Reshat Kripa dhe Jorgo Besho, ndërsa në shpërndarjen që të tre së bashku.”
Pastaj u bë mbrojtja e avokatëve. Unë dhe Jorgua kishim avokat Pavllo Sopiqotin, ndërsa Myrtezai Petro Kisin.. Ata u munduan ta paraqisnin çështjen si një fantazi fëmijësh.. Pastaj e mori fjalën kryetari që kërkoi fjalën tonë të fundit.
– Nuk kam asgjë për të thënë, – u përgjigja unë
Të njëjtën përgjigje thanë edhe shokët e mi. Ai priste që ne të kërkonim mëshirë. Pastaj me vendimin numër 111 datë 11.12.1951 na dënuan. Në vendimin e gjyqit thuhet:
“Si element i shtresës së prekur nga reformat e pushtetit popullor, i pandehuri Reshat Kripa, ndonse në moshë të re, bëhet i vendosur në rrugën antipushtet dhe qysh në muajin mars të vitit 1951 bisedon me rradhë edhe me dy të pandehurit e tjerë, Jorgo Beshon dhe Myrteza Baboçin. U shfaq atyre propaganda shpifarake të radiove reaksionare si të Londrës e të tjera, u paraqet ndërrimin e situatës në vendin tonë dhe së fundi u propozon që të formojnë një grup me emrin “Atdhetari” Të tre të pandehurit janë konseguent në pjesmarrjen e tyre në grup kundërshtar të organizuar dhe në përpilimin dhe shpërndarjene fletushkave me përmbajtje antipushtet”.
Sipas tij mua dhe Myrtezanë na dënuan me nga pesë , ndërsa Jorgon me tre vjet burg.
Avokatët bënë rekursin në Gjykatën e Lartë Ushtarake. Kjo gjykatë me Kryetar kapitenin e parë Vangjel Kocani dhe antarë kapitenët e parë Mustafa Qilimi dhe Mustafa Beqo, si dhe prokurori ushtarak, kapiten Gazmend Jusufaj dhe kryesekretari, kapiten Murat Qazimi, më datën 17.01.1952 morën vendimin numër 35, ku ndër të tjera thuhet:
Rrezikshmëria e veprimtarisë së tyre është e theksuar., prandaj vendimi i gjykatës është i drejtë, si për deklarimin fajtor dhe për masën e dënimit aplikuar veçmas për secilin.
Vendimi ligjëronte atë të Gjykatës Ushtarake të Durrësit.

Image may contain: 1 person
No automatic alt text available.
Image may contain: text
Image may contain: text

Saturday 29 July 2017

“Riformatimi i ekonomisë liberale: Rruga e daljes nga tranzicioni i stërgjatur i vendeve ballkanike.”

“Riformatimi i ekonomisë liberale: Rruga e daljes nga tranzicioni i stërgjatur i vendeve ballkanike.” 
Jona Mërkuri
Fundi i dekadës së parë të shekullit të XXI do të mbahet mend nga përballja me një prej krizave më të madhe ekonomike. Këtë herë, ajo kishte një karakter global. Kriza u shfaq, pothuajse papritmas, në mes të vitit 2007 në SHBA, por shumë shpejt ajo u transferua në vende të tjera të botës.
Ekonomitë e vendeve të  Ballkanit Perëndimor gjenden në krizë  për më shumë se dy dekada. Kriza aktuale ekonomike e ka bërë situatën ekzistuese  jo të favorshmenë ecjen përpara, më komplekse dhe ka thelluar pabarazitë aktuale dhe rreziqet e tregut. Proceset e reformave që janë kryer gjatë kësaj periudhe nuk kanë arritur rezultatet e pritura, për shkak të rrethanave të ndryshme, duke e shndruar  Ballkanin Perëndimor si  pjesa më pak e zhvilluar ekonomikisht e kontinetit të Europës.
Ballkani Perëndimor vazhdimisht  ka qënë një vatër konfliktesh. Pas përfundimit të luftës në Jugoslllavi në vitet 1990 dhe pas ndërhyrjes së NATO-s në në 1999, u synua të gjëndej  një rrugë, ecja në të cilën  do të forconte zhvillimin ekonomik dhe demokratik në vendet e Ballkanit Perëndimor si dhe do forconte bashkëpunimin e këtyre vendeve, duke u prerë rrugën konflikteve të ardhëshme. Vendet e Ballkanit Perëndimor me karakteristika të përbashkëta, që burojnë nga e kaluara e tyre komuniste dhe pasojat e një ekonomie të centralizuar të zhvilluar për gati 50 vjet , me një mungesa të theksuar të një  trashëgimie demokratike në politikë tentojnë të gjitha së bashku dy objektiva kryesore:
Arritjen e stabilitetit të qëndrueshëm politik, dhe
Gjetjen e rrugëve të reja për daljen nga kriza me anë të rritjes së qëndrueshme ekonomike dhe rifformatimi i ekonomisë liberale.
Në lidhje me aritjen e një stabiliteti të qëndrueshëm politik , nisma  erdhi nga BE-se në formën e Paktit të Stabilitetit,  krijuar në vitin 1999,  me synimin për të zvendësuar politikën e mëparëshme konfliktuale dhe duke nisur kështu rrugën për integrimin europian.
Mardhëniet e Ballkanit Perëndimor me Bashkimin Europian filluan të  institucionalizozhen në vitet 1999. Në vitin 1996 krijimi i një sërë shtetesh të reja si pasojë e shpërbërjes së  ish Jugosllavisë i imponoi BE të  përshtaste një Qasje Rajonale për Ballkanin, me objektiv … mbështetja dhe implementimi i plotë i marrëveshjes së Dejtonit dhe krijimi i qëndrueshmëris politike dhe ekonomike … edhe duke rinovuar aktivitetin ekonomik. Por koha lindi nevojën e intensifikimit të marrdhënieve dhe të një bashkëpunimi më të gjërë për shtetet që  do të bëheshin pjesë e Procesit të Stabilizim-Asocimit. Le të shohim fillimisht  raportet që   kanë krijuar shtetet e Ballkanit perëndimor  me Bashkimin Europian.
a-Republika e Shqipërisë
 Shqiperia vendosi mardhënit  me BE  në vitin 1991. Në vitin 1999 Shqipëria bëhet pjesë e procesit të Stabilizim-Asocimit, ndërsa në vitin 2000  do të merrte statusin e vendit kandidat potencial për t’u integruar në BE. Në janar të vitit 2003 Komisioni Europian hapi zyrtarisht negociatat për marrveshjen e Stabilizim-Asociimit midis Shqipërisë dhe BE. Më 12 qershor 2006 Shqipëria nënshkruan marrveshjen e Stablizim-Asocimit midis saj dhe komuniteteve europiane, marveshje që hyri në fuqi më 1 prill 2009, duke paraqitur njëkohësisht  edhe kërkesen për t’u bërë antare e Bashkimit Europian.
b-Republika  e Bosnjë-Hercegovines
Ka qënë vatër konfliktesh të vazhdueshme etnike. Në vitin 1995 marrveshja e Dejtonit vendosi sanksionoi përfundimin e luftës.Në 1998  përfitonte statusin e vendit kandidat potencial.
c-Republika e Maqedonise (ish Republika e Jugosllave e Maqedonise)
Quhet  edhe “Ish Republika Jugosllave e Maqedonis” për shkak të mosmarveshjeve me Greqinë, mosmarveshje që bëhen shkak për mos hyrjen e saj në NATO. Negociatat e saj me BE fillluan  në vitin 2000.Në vitin 2001 nënshkruan MSA-n, e cila hyri në fuqi më 1 prill 2004 . Në dhjetor të vitit 2005 siguron statusin e vendit kandidat.. Në vitin 2006  nënshkruan  marrveshjen për tregëti të lirë për Europën Qëndrore. Në 2009  përmbushi kriteret për heqjen e vizave duke u siguruar shtetasve të saj lëvizje të lirë..
ç-Republika e Serbisë
Historia e Serbisë është e komplikuar sepse ajo ka qënë burimi i shumë konflikteve në Ballkan. Në 1999 NATO-bormbadon Serbinë për shkak të masakrave që kryen në Kosovë. Po në këtë vit Serbia bëhet pjesë e   Procesit të Stabilizim-Asociimit. Bisedimet në kuadër të MSA u ndërprenë për  shkak të mosbashkpunimit me Gjykatën Ndërkombëtare të Hagës.Në vitin 2006 Mali I Zi shkëputet nga Serbia. Në shkurt 2008 Kosova shpalli pavarsinë e njëanëshme,  fakt që Serbia nuk e ka pranuar ende. Në prilli të vitit 2008 do  nënshkruante  MSA me komunitetin Europian.  Në janar të vitit 2010 ka hyrë në fuqi  regjimi i ri i vizave me BE.
d- Republika e Malit te Zi
Mali i Zi, deri në vitin 2006  ka qënë pjesë  e Serbisë, nga e cila u shkëput   me anë të një referendumit  ku u vendos që të   krijohej shtet më vete. Në shtator të vitit 2007 Mali i Zi nënshkruan MSA. Në vitin 2008 parlamenti malazez miratoi kushtetutën e vendit. Në dhjetor 2008 paraqet kërkesën për antarësim në BE.
e-Republika e Kosoves
Në vitin 1999 NATO kryejti operacionin e bormbadimeve ndaj Serbisë, si përgjigje e politikës dhe masakrave të saj në Kosovë. Serbia u tërhoq dhe në Kosovë hynë forcat e NATO-s. Kosova    shpalli pavarësine  më 17/02/2008. Shume nga shtetet Europiane e kanë njohur shtetin e ri, ndërsa Serbia  e konsideron shkelje të së drejtës ndërkombëtare. Kushtetuta e shtetit të ri hyri në fuqi në qershor 2008. Kosova është pjese e  Procesit të   Stabilizim-Asociimit. Gjatë kësja periudhe Kosova ka siguruar nga BE edhe asistencë financiare.
ë-Kroacia
Edhe Kroacia ka qenë një nga republikat e ish Jugosllavisë e quajtur Republika Socialiste e Kroacisë dhe u shkëput prej saj pas konfliktit të armatosur.  Kroacia është anëtare, e BE-së. Pas hyrjes në BE,  sfida e ardhshme për Kroacinë është për t'u bashkuar me zonën pa kontroll të brendshëm të kufijve, në të cilën janë bëre bashkë 22 nga 28 shtetet anëtare të BE-së dhe katër vende të tjera jashtë saj.
Pra, siç po shohim, veç Shqipërisë, vendet e tjera të  Ballkanit Perëndimor erdhën  nga shpërbërja e një shteti  totalitar nëpërmjet një  konflikti të armatosur, konflikt i cili  shkatëroi edhe infrastrukturën dhe ekonominë e  këtyre vendeve. Konkretisht, dëmi ekonomik i drejt- përdrejtë dhe i varur prej saj, gjatë viteve të luftës në Bosnje-Hercegovinë llogaritet në 115 miliardë dollarë. Kur lufta përfundoi, niveli i prodhimit të brendshëm bruto (PBB) i këtij vendi ishte vetëm 20% në krahasim me periudhën përpara luftës.
Kurse dëmi në industrinë dhe infrastrukturën e Serbisë gjatë ndërhyrjes së NATO-s në vitin 1999 u llogarit 29.6 miliardë dollarë.
Luftërat e përjetuara në hapësirën gjeografike të ish-Jugosllavisë në vitet 1990, ndikuan në mënyrë të konsiderueshme edhe strukturën e banorëve të vendeve rajonit. Luftërat jo vetëm që shkaktuan qindra mijëra të vdekur por shkaktuan edhe rreth 3 milion të arratisur dhe të shpërngulur,  dhe sipas të dhënave të Komisionerit të Lartë të Kombeve të Bashkuara për Refugjatët, rreth 450 mijë refugjatë dhe njerëz që janë dëbuar nga shtëpitë e tyre nga vendet e Ballkanit perëndimor, vazhdojnë të presin për një zgjidhje.
Shtetet e krijuara nga shpërbërja e ish Jugosllavisë si dhe Shqipëria, qysh në fillim të viteve ’90 synuan drejt ekonomisë së tregut. Por këto vende  qysh në fillim hasën vështirësi në kapërcimin e  prapambetjes ekonomike të trashëguar, e cila buronte nga një ekonomi e planifikuar.
Teknollogjia e prapambetur e trashëguar,  mungesa e përvojës dhe vakumi ligjor me të cilën u ndeshën, mungesat valutore, mos  njohja dhe mos zhvillimi i mjaftueshëm i ekonomisë së tregut,  liria ekonomike e kufizuar, investimet jo frytdhënëse, përdorimi i donacioneve në mënyrë jo produktive, vonimi i privatizimeve dhe sidomos dhënia prioritet objektivave politike përpara atyre ekonomike janë bërë shkak për ndikimin negativ në zhvillimin ekonomik të vendeve të Ballkanit.
Ndonëse duhet të pranojmë se me fillimet e privatizimeve u dukën edhe rezultatet e para positive , sidomos në drejtim të ritjes së Prodhimit Përgjithshëm Bruto. Kjo duket dhe në  rritjen ekonomike në  Shqipëri. Sipas raporteve vjetore të Bankës së Shqipërisë, për vitet 1980 deri në 1990, rritja mesatare ekonomike ka qenë në nivelin 0.9%. Viti me rënien ekonomike më të madhe është 1990, në nivelin -10%. Viti me rritjen ekonomike më të madhe është 1989 në nivelin 9.8%.
 Për vitet 1991 deri në 2000, rritja mesatare ekonomike ka qenë në nivelin 1.3%. Viti me rënien ekonomike më të madhe është 1991 në nivelin -28%. Viti me rritjen ekonomike më të madhe është 1999 në nivelin 13.5%.
Për vitet 2001 deri në 2011, rritja mesatare ekonomike ka qenë në nivelin 5.3%. Viti me ngadalë -simin më të madh të rritjes ekonomike është 2011-a, në nivelin 3.1%. Viti me rritjen ekonomike më të madhe është 2001, në nivelin 7.9%.
Zhvillimi ekonomik për tre dekadat e fundit të ekonomisë shqiptare ka një ritëm mesatar rritje në nivelin 2.5%. Por duhet të theksojmë se ritja ekonomike përgjatë tranzicionit u gjenerua kryesisht nga sektori i ri privat, i cili  realizon rreth 70 për qind të PBB-së. Por  ky sektor  privat, po zhvillohet ende me një strukturë të “atomizuar” të përbërë nga biznese të vogla e tepër të vogla e me njëelement  të ndjeshëm informal, gjë që vështirëson si akumulimin e kapitalit, po  ashtu dhe institucionalizimin e tregut.
Për vendet e Ballkanit Perëndimor theksojmë se 3 vitet para krizës financiare globale të 2008-ës, norma mesatare vjetore e rritjes ishte më e lartë se ajo e BE-së. Normat para krizës financiare globale në shkonin mesatarisht në 5-7% në vit krahasuar me periudhën deri në vitin 2000.
Por duke qënë  se disa shtete të reja, anëtare të BE,  arritën nivelet e ekonomive të përparuara të BE-së  në një kohë shumë të shkurtër dhe sidomos në  periudhën e   tranzicionit, lindi pyetja se përse vendet e Ballkanit Perëndimor nuk përparuan me të njëjtin ritëm. Arsyeja e ecjes së ngadaltë të Ballkanit Perëndimor qëndron te fakti  se reformat strukturore në ekonomi në këto vende  u kryen në mënyrë më të ngadaltë, sidomos në uljen e ndikimit dhe të pronësisë shtetërore dhe përmirësimin e aftësive qeverisëse. Problemet sociale që lindën me privatizimin e ekonomisë e stepën klasën politike shqiptare, e cila aplikoi metodën “hiq e mos këput” duke haruar se: .. “…  gjërat e ngadalta bëhen gabim dhe përfundojnë keq”( Balceroëics ).Përfundimi i keq, në këtë rast është niveli i ulët i mirëqënies  së popullsisë.
Për të kuptuar edhe më mirë se në çfarë niveli është mirëqenia në vendet e Ballkanit, le të krahasojmë mesataren e vendeve anëtare të Bashkimit Evropian me ato të hapësirës gjeografike të Ballkanit Perëndimor, bazuar në nivelin e fuqi-blerjes sipas PBB-së të çdo nënshtetasi në këto vende. Kështu, në vitin 2013 PPB për  frymë të popullsisë paraqitet si vijon: Shqipëria 4.460.34 USD/Frymë, Bosnjë Hercegovina 4.661.76 USD/Frymë,   Kroacia 13.597.92 USD/Frymë, Kosova  3.877.17 USD/Frymë, Maqedonia 4.838.46 USD/ Fr, Mali I Zi 7.106.85 USD/Frymë, dhe Serbia 6.353.83 USD/Frymë (Burimi Banka Botërore ) ose në vitin 2015,  niveli mesatar i prodhimit të brendshëm bruto (PBB) për person në vendet e Ballkanit është sa 40% e mesatares së vendeve të BE-së .
Ky nivel i ulët dikton aplikimin e politikave ekonomike afatgjata . Vendet e Ballkanit kanë realizuar privatizime të ekonomisë në forma të ndryshme, por përsëri ato hezitojnë të përfundojnë privatizimin e shumë sektorëve madhorë të ekonomisë, duke vijuar të ruajnë pronësinë  shtetëror mbi to. Mosprivatizimi i sektorëve të naftës dhe gazit, energjisë, sektorë të shumtë shërbimesh aktualisht administruar nga Pushteti Vendor ka sjellur një  “pengim” të ekonomisë në ecjen e saj drejt liberalizimit. Ekonomia nuk mund të ecij gjysma drejt liberalizimit dhe gjysma tjetër drejt etatizmit. Ajo ecën si një e tërë dhe vetëm  në një drejtim. Balceroëitsc mendonte se ..Shteti minimal dhe tregu i lirë…ishin kushte të panegociue- shme për të garantuar tranzicionin nga plani te tregu i lirë. .
 Fridman theksonte se …Në një ekonomi tregu, zvogëlimi i rolit të shtetit është mjeti i vetëm për të aritur lirinë politike dhe ekonomike”.
Për vendet e Ballkanit, në vitin 2013, Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), ka përfunduar raportin e saj të tranzicionit, me një frazë shumë ilustruese duke i quajtur... vende - "Të ngecur në Tranzicion". Raporti thekson se edhe për  20 vite, shumica e ekonomive në tranzicion,  nuk do të jenë në gjendje të arrijnë 60%  të të ardhurave për frymë të vendeve të BE. Madje edhe sot  vendet e Ballkanit cilësohen  si vende …të tranzicionit të vështirë,..të vonuar apo.. .të ndërprerë..

Ekonomia shqiptare është ende sot  jo e stabilizuar e cila karakterizohet nga:-Deficit i jashtëm i paqëndrueshëm, deficit fiskal i lartë, bujqësi problematike, nivel i lartë papunësie, kreditim i pamjaftueshëm banker dhe sidomos një privatizim i ngadaltë i sektorëve madhorë të ekonomisë, sektorë të cilët i japin peshën dhe drejtimin zhvillimit ekonomik.

Me biznese të vogla, të lidhura me njera tjetrën me një zinxhir borxhesh, me një rrezik falimentimi në seri, nuk mund të pretendohet një zhvillim ekonomik modern dhe bashkëkohor. Bizneset e vogla kanë profil familjar si në punësim ashtu dhe në prodhim. Portretin e një ekonomie kombëtare e japin bizneset e mëdha, të afta të punësojnë  masivisht, të konkurojnë në tregun ndërkombëtar,  të akumulojnë dhe investojnë vlera të  mëdha kapitalesh dhe të realizojnë prodhime sasiore dhe cilësore me një kosto të kënaqëshme, duke siguruar fitime nga shitja e tyre brenda apo jashtë vendit.
Aktualisht vendet e Ballkanit po zbatojnë procese intensive kalimtare reformuese. Ata synojnë  ndërtimin një model të ri të rritjes ekonomike që duhet të mundësojë daljen nga kriza aktuale në afate kohore sa më të shkurtëra. Shtegu i vetëm i kësaj daljeje është riformatimi i një ekonomie liberale, duke krijuar një bazë bashkëkohore dhe demokratike të shtratit ligjor.
Po të shohim kriteret  për pranimin e antarëve të rinj në Bashkimin Europian  të cilat janë :
-Kriteri Politik – arritja e stabilitetit të institucioneve që garantojnë demokracinë,pushtetin e ligjit, të drejtat e njeriut dhe respektimin eminoriteteve.
-Kriteri Ekonomik – egzistenca e një ekonomie tregu funksionale dhe konkuruese.
-Kriteri  Administrativ – aftësia për të marrë përsipër detyrimet e anëtarësisë, përfshirë edhe besnikërinë ndaj tendencës për bashkime politike, ekonomike dhe monetare.
Duke analizuar kriterin ekonomik, në përgjigje të pyetjes se çfarë është nje ekonomi tregu funksionale sqarojmë se ekonomia e tregut presupozon egzistencën e:
- Liberalizimi i tregtisë – Aktualisht Shqipëria është  anëtare e OBT-së,që do të thotë egzistenca e një tregëtie liberale. Por liberalizimi i tregtisë presupozon sigurimin e një baze të forte për rritje ekonomike, me burim te rritja e eksporteve.Liberalizimi i tregtisë I kërkon ekonomisë të përqendrohet në sektorët  potencialisht  konkurrues me objektiv arritjen e një ekulibri afatgjatë të tregut..
-Liberalizimi i çmimeve –Aktualisht  Shqipëria ka  një shkallë të lartë të liberalizimit, por duhet të pranojmë se disa çmime janë të komanduara dhe nuk janë rezultat i funksionimit të tgregut, si psh çmimi i energjisë , ujit,etj.
 - Të drejtat mbi pronën  janë elementet kyçe në një ekonomi tregu që funksionon. Aktualisht zbatimi I kësaj të drejte në Shqipëri është ende i vështirë.  Ndonëse ka përmirësim në kuadrin ligjor, zbatimi I kësaj të drejte në praktikë është shumë  i dobët. Pronësia mbi tokën është ende me problem ligjore dhe ekzekutive, duke u shndruar në një pengesë jo vetëm në ekonominë bujqësore por në gjithë sektorët e ekonomisë shqiptare. Kthim kompesimi I pronave ecën shumë ngadalë dhe me probleme, duke lënë shumë problem dhe konflikte pas.

- Stabiliteti makroekonomik.-Shqipëria ka arritur një fazë të kënaqshme të stabilitetit makroekonomik.Ecuria e rritjes ka qenë e qëndrueshme gjatë viteve të fundit. Në mënyrë të veçantë, inflacioni ka rënë dhe arriti në fund të vitit 2002 në 2,1 për qind nga 5.4% që ishte më parë. Por gjithsesi, panorama është tepër problematike aktualisht. Niveli i ulët investimeve, investimet e huaja, dërgesat nga jashtë  janë karakterizuar  nga një nivel minimal. Nga ana tjetër, niveli i PBB-së për frymë është ende ndër më të ultit në Ballkan.
-Zhvillimi i sektorit financiar në Shqipëri aktualisht lë për të dëshiruar. Privatizimi I bankave është njëra anë e ekonomisë së tregut dhe në këtë drejtim Shqipëria ka bërë hapat e duhur.Por zhvillimi I ekonomisë ka nevojë për banka active në kredidhënie. Në drejtimin e dhënies së kredisë nga bankat Shqipëria renditet ndër vendet me tregues më të vogël.
- Privatizimi.- Krahas privatizimeve të vogla dhe të mesme, Shqipëria ka kryer edhe privatizime strategjike si  Bankat, Telefoninë, kompanitë e sigurimeve etj. Por siç kemi theksuar, ende mbetet për tu privatizuar kompani të tjera të mëdha. Krijimi i shoqërive anonime me capital 100% shtetëror si psh AlbPetrol, Petrol Alba etj nuk krijon resurse të ekonomisë së tregut por vetëm disa costume liberale të pronës së shtetit që dëshmojn egzistencën e etatizmit në ekonomi.
-Politika e konkurrencës. Reformat ekonomike si liberalizimi i tregtisë dhe i tregut financiar, privatizimi etj., janë mjete për të nxitur konkurrencën dhe për të promovuar një efikasitet më të madh cilësorë në prodhim dhe në tregëtim.Por duhet të pranojmë se  politika e konkurrencës në Shqipëri ka shumë  nevojë për përmirësim.Hyrja në treg ka shumë lehtësira në një kohë që dalja nga tregu për shkak të falimentimit dhe paaftë -sisë paaguese  është tepër I vështirë. Konkurencën gjithashtu e dëmton rëndë edhe ekonomia infformale e cila zë një peshë relativisht të lartë në Shqipëri. Lufta ndaj informalitetit është një luftë për zhvillim të ekonomisë me kritere afatgjatë, e detyrueshme për tu fituar.
Elementët e mësipërm, të analizuar në rastin e Shqipërisë janë aktualë dhe gati identikë në të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor. Vendet Ballkanike vuajnë nga e njëjta “sëmundje” dhe kanë gati të njëjtat siptoma. Si të tilla,edhe “kurra” e tyre është gati e njëjtë, me ndryshime të vogla në “dozat” e ilaçeve përbërëse.
Elementët e mësipërm, duke qënë pjesë organike e një ekonomie liberale, janë si gjymtyrë të të njëjtit trup ku, shëndoshja e të tërëve  njëkohësish sjell shëndoshjen dhe forcimin e trupit të ekonomisë.
Plotësimi i kritereve të pranimit në BE është  edhe fundi i periudhës së tranzicionit ekonomik, duke sanksionuar egzistencën e një ekonomie liberale të tregut. Pas kësaj kemi thjeshtë “garë” për zhvillimin dhe modernizimin e ekonomisë.
“Ditët e mira pas kësaj vijnë” (Naim Frashëri)

*-Referuar në Konferencën Ndërkombëtare “Ditët e studimeve shqiptare 2017” më 29 Prill 2017 UET.

Tuesday 25 July 2017

Kuvendi mblidhet në seancë plenare, Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Sh.T. Z. Ilir Meta bën betimin

Kuvendi mblidhet në seancë plenare, Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Sh.T. Z. Ilir Meta bën betimin

24 korrik 2017
Kuvendi i Shqipërisë u mblodh në seancë të jashtëzakonshme për betimin e Presidentit të Shqipërisë, Sh.T.Z. Ilir Meta.
Të ftuar në ceremoninë e betimit ishin përfaqësues të trupit diplomatik të akredituar në Shqipëri, drejtuesit e komuniteteve fetare, drejtuesit e institucioneve të pavarura.
Në hapjen e seancës, Zëvendëskryetarja e Kuvendit zonja Valentina Leskaj ftoi Presidentin e Republikës së Shqipërisë, Sh.T.Z. Ilir Meta që të bënte betimin.
Pas betimit, Presidenti Meta mbajti edhe një fjalë përshëndetëse.
Fjalimi i Presidentit të Republikës, Sh.T.Z. Ilir Meta në Ceremoninë e betimit në Kuvend:
E nderuar Znj. Leskaj drejtuese e seancës,
I nderuar Z. Kryeministër,
Të nderuar Ministra,
Të nderuar Zonja dhe Zotërinj deputetë,
Të nderuar përfaqësues të komuniteteve fetare,
Shkëlqesi Ambasadorë dhe përfaqësues të trupit diplomatik,
Miq dhe të ftuar! Të dashur bashkëkombas!
Sot kam nderin e veçantë t’ju përshëndes përzemërsisht dhe me ndjenjën më të madhe të përgjegjësisë Kushtetuese e qytetare, në cilësinë e detyrës më të lartë të Shtetit, në atë të Presidentit të Republikës së Shqipërisë.
Në këto momente solemne, duke përcjellë falënderimet për Kuvendin e Shqipërisë që më zgjodhi në këtë detyrë kaq fisnike, më lejoni që t’ju dëshmoj solemnisht vullnetin tim të hekurt për të respektuar në gërmë dhe në frymë Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, për të përmbushur të gjitha përgjegjësitë e mia Kushtetuese në interesin më të mirë të vendit, të kombit dhe qytetarëve shqiptar, pa kursyer në asnjë çast përkushtimin që kërkon lartësia e detyrës; integritetin, drejtësinë dhe pa-anshmërinë.
Kushtetutshmëria, asnjanësia politike, si dhe respektimi i shtetit të së drejtës, do të jenë referencat kryesore të vendimeve dhe akteve të mia Presidenciale.
Gjithmonë do t’i shërbej frymës së konsensusit, dialogut, bashkëpunimit e gjithëpërfshirjes në interes të forcimit të institucioneve e bashkëpunimit ndërinstitucional e sidomos të avancimit të reformave më jetike që e bëjnë Shqipërinë një vend më demokratik, më të qëndrueshëm, më të sigurt e plotësisht europian.
25 vjet më parë u zgjodha deputet në këtë Kuvend e sot më duhet të ndahem me jetën time parlamentare për të përmbushur një përgjegjësi të re dhe shumë të lartë, por i bindur në rëndësinë e forcimit të bashkëpunimit me Kuvendin në të ardhmen.
Në 25 vjet kam qenë pjesë aktive e opozitës dhe mazhorancës, kam përfaqësuar dy forca politike në detyrat nga më të rëndësishmet, kam qenë në vijën e parë të ballafaqimit politik, por edhe të përpjekjeve për konsensus për realizimin e marrëveshjeve të rëndësishme për stabilitetin e të ardhmen europiane të vendit.
Ashtu sikurse 27 vjet më parë isha pjesë e lëvizjes studentore, thirrja e se cilës “Ta bëjmë Shqipërinë si gjithë Europa” mbetet akoma një projekt i pambaruar.
Unë besoj se papunësia, varfëria dhe emigracioni shqetësues i rinisë mbeten akoma “armiqtë” tanë të përbashkët të vërtetë.
Këto janë sfidat e përbashkëta më të vështira që duhen fituar në emër të të gjithë qytetarëve tanë pa asnjë dallim e sidomos në emër të rinisë sonë dhe të ardhmes së vendit.
Reformat e qëndrueshme me rëndësi kombëtare, në funksion të forcimit të institucioneve dhe konsolidimit të pavarësisë së tyre, nuk mund të jenë produkt vetëm i një mazhorance, por i një sipërmarrjeje kolektive kombëtare, ku roli i opozitës është i pazëvendësueshëm dhe i domosdoshëm.
Një vit më parë në këtë Kuvend miratuam me konsensus të plotë ndryshimet kushtetuese për Reformën në Drejtësi, e cila është vendimtare për të ardhmen europiane të vendit.
Sot angazhohem edhe si President, për të mbështetur zbatimin e drejtë e transparent të kësaj reforme në interes të forcimit të shtetit të së drejtës, të luftës kundër korrupsionit e krimit të organizuar dhe përmirësimit të klimës së biznesit aq e domosdoshme për të rritur ekonominë tonë më tej e sidomos për të krijuar vende pune të mirëpaguara për të rinjtë tanë.
Zonja dhe zotërinj, të nderuar miq,
Përpjekjet tona demokratizuese dhe shtetformuese nuk do të kishin qenë të suksesshme pa mbështetjen e pakursyer të miqve dhe aleatëve tanë, të partnerëve ndërkombëtarë, sidomos të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe të Bashkimit Europian.
Shqipëria jonë është prej disa vitesh anëtare e barabartë në NATO dhe pranë hapjes së negociatave për anëtarësim në Bashkimin Europian.
Faktori shqiptar në rajon është në kohët e veta më të mira.
Kosova është shtet i pavarur dhe ne besojmë se së shpejti do t’i gëzohet liberalizimit të vizave me BE-në dhe lëvizjes së lirë të qytetarëve të saj.
Shqiptarët në Maqedoni janë me mundësi shumë më të mëdha se në çdo kohë tjetër për ta çuar zbatimin e marrëveshjes së Ohrit në një stad të ri më cilësor.
Në Mal të Zi shqiptarët kanë qenë një faktor me peshë për ta orientuar shtetin e tyre drejt aleancave perëndimore.
Më shumë të drejta meritojnë shqiptarët e luginës së Preshevës, që do të kenë gjithmonë mbështetjen tonë të pakursyer.
Pavarësisht statusit të tyre brenda shteteve ku ndodhen, si shumicë apo pakicë, shqiptarët kanë luajtur e po luajnë rol stabilizues, konstruktiv dhe emancipues në gjithë rajonin tonë.
Unë jam besimplotë për të vazhduar angazhimet tona maksimale për respektimin e të drejtave të pakicave etnike e kulturore në Shqipëri, në pajtim të plotë me Konventën Europiane dhe atë Ndërkombëtare për të drejtat e njeriut.
Me të njëjtën përgjegjësi që respektojmë pakicat brenda vendit nuk do të rreshtim së kërkuari prej vendeve të tjera ku jetojnë shqiptarët respektimin e plotë të lirive dhe të drejtave të tyre.
Në botën e sotme, që shkon pandalshëm drejt proceseve globalizuese dhe ndërvartësisë së përgjithshme, oportunitetet, si dhe kërcënimet ndaj paqes dhe rendit botëror nuk njohin kufij gjeografikë.
Prandaj ne do të vazhdojmë t’u përgjigjemi pozitivisht detyrimeve tona për zgjidhje të përbashkëta.
Përkrah me partnerët tanë euro-atlantikë, ne do të luajmë rolin që na takon në sfidat e përbashkëta, të cilat, drejtpërsëdrejti a tërthorazi, prekin edhe sigurinë tonë kombëtare, dhe këtu kam parasysh në radhë të parë luftën kundër terrorizmit dhe krimit të organizuar.
Të nderuar kolegë deputetë!
Më 28 prill vendosa të kandidoja për President më shumë me mendje sesa me zemër sepse opozita nuk ishte këtu.
Por sot dua t’ju siguroj se betimin e kam bërë plotësisht me zemër dhe bindje të plotë se zgjedhja që bëra në atë moment dha kontributin e saj modest edhe për të evituar një krizë që vendi dhe e ardhmja e tij europiane nuk e meritonin.
Duke ju falënderuar të gjithëve dua t’ju siguroj se në ushtrimin e kësaj përgjegjësie kaq të lartë që Kuvendi i Shqipërisë më ka besuar do të udhëhiqem vetëm nga dashuria e pakufishme për Shqipërinë dhe gjithë shqiptarët, duke lënë pas bashkë me 25 vitet e mija në këtë kuvend çdo debat apo përkatësi politike që kam patur për t’iu përgjigjur lartësisë së re të detyrës së Presidentit të Republikës.
Vetëm Demokracia mund të më jepte mua mundësinë që të shërbeja edhe si Kryeministër, Kryetar Kuvendi e nga sot si President i Republikës.
Ndaj me ndjenjën e mirënjohjes për ju e për të gjithë shqiptarët kudo ku jetojnë të cilët presin më shumë nga ne, dua t’ju siguroj se për Presidentin e ri, Shqipëria dhe Demokracia do të jenë gjithnjë të Parat.
Faleminderit!