Monday 25 September 2017

BABAI I SHOQES

Bedri ALIMEHMETI

BABAI I SHOQES


 Tregim

       Zënka e tyre kishte nisur në mesditë. Saktësisht pas orës së fundit të mësimit, kur si gjithnjë maturantët e "Çajupit" ishin mbledhur tek Bar "Ejfel", ai lokali buzë rrugës, që të shpie te spitali Psiqiatrik. Olta i qe vërsulur e para Landit, sapo kishte zënë vend në tavolinën e tyre.
- Nuk të vjen një çikë turp, që më gënjeve të premten! The, që ishe sëmurë, kurse në fakt na ishe mbyllur me Laurën te Pab "Extrem".....
- Kush të tha ty mi tarallake, - ia kishte pritur Landi, duke i kulmosur si zakonisht vetullat mbi sytë e gjelbërt.
- Biri, shiko mos më fyej mua, se nuk ta kam për borxh fare, - i ishte kthyer ajo duke ia ngulur sytë tërë inat.
- Avash rrushi, avash se edhe për pak desh më hëngre të gjallë.
- Pak do të ishte.
- Ashtu, ë?
- Ore, biri! Shiko mos u merr me lojra fjalësh, por hape gojën më sqaro. Madje, pse jo, të më kërkosh edhe të falur.
- Të falur unë! - dhe pasi kishte ndezur një cigare nga paketa e tij kishte shtuar, - E përse?
- Uaaa! Thotë edhe pse! Sa bukur e bën të paditurin! Për atë, pra atë broçkullën e së shtunës, që më gënjeve, duke më thënë se ishe sëmurë. Kurse në realitet ishe hargalisur gjithë natën me atë "arbenbrocisten" Laurën gjoksfryrë tek "Bistro".
- E kush të tha ty rrushi, thuaja pak birit?
- Pamjet televizive tek ai emisioni i asaj gazetares, që ka një mbiemër frutor.
- E ç'punë kisha unë tek ai emision!?
- Jo, ti nuk kishe asnjë punë, por pamjet filmike të intervistave të saj nga "Bistro", evidentuan pa dashur edhe portretin tënd, biri. Madje, unë nuk do të kisha parë fare, por qe im vëlla Tedi, që sapo të pikasi më tha, "Olta eja, shihe Landin ate shokun tat, sa bukur që kërceka!"
- Po nuk kam qenë unë m'i goc nuk kam qenë unë, - kishte turfulluar Mandi i papërmbajtshëm.
- Ti biri, i gjithi, që nga shojet e këmbëve e deri tek majat e flokëve. Të pashë mirë me këto dy sy, që ti i pëlqen aq shumë.
- Po nuk është e vërtetë, nuk është e vërtetë. Po hë, si isha?
- Edhe pyet pa le! Ky djalë moj goca do të më çmendë! - kishte turfulluar Olta, duke iu drejtuar Esit edhe Mozës dy shoqeve të saj.
- Ty, të gjithë djemtë të çmendin. - ia kishte pritur ai.
- Edhe këtë ma the. Landi me gjithë mend e ke?!
- Jo, po jam duke u tallur...
     Në atë çast sytë e kaltër të Oltës, ishin bërë gjak të kuq. Instiktivisht me të djathtën kishte shtrënguar gotën e xhinit, por Esi e kishte pikasur shpejt egërsimin dhe ia kishte mbërthyer dorën fort.
- Mos Olta të kam motër, jo deri këtu, - i ishte lutur teksa i kishte bërë shenjë Landit të ngrihej, dhe ai për fat qe bindur menjëherë. Pas kësaj vetëm pasi qe shuajtur zhurma e motorit të tij, tej në fund të rrugës, ia kishte lënë të lirë dorën shoqes.
- Nuk zgjidhen me të bërtitura këto muhabete, - i ishte drejtuar Oltës, - edhe ti moj goc sa e papërmbajtur që je. Nuk i thuhet aq copë tjetrit. Sikur nuk i njeh çunat, kështu janë të gjithë...
- Por, jo të më gënjejë mi Esi. Mashtrimin! O Zot nuk e duroj dot mi goc nuk e duroj.....


*   *   *

   Esi sapo kishte shuajtur televizonin me mendimin për të bërë një sy gjumë në atë kohë vape, kur ringtoni i celularit me melodinë e "Move ya body" mbushi hapësirën e dhomës. Ishte Olta.
- Hë mi goc? Nuk po pushon pak, në gjithë këtë vapë?
- Je në vete!- ia priti ajo. - Unë nuk kam vënë gjumë në sy që mbrëmë.
- Ouuu si bëhesh edhe ti Olta. Po hë flit, si e ke punën?
- Si mos qofsha.
- Rri tashti, mos u bëj idiote. Hë pra flit, pse more?
- Do dalim nga blloku sonte?
- Nuk diskutohet.
- Ku do të rrimë?
- Te lokali jonë mi goc, te "Baby Blue" në orën shtatë. Hajt çau tashti dhe mblidhe mendjen.
     Por, pas kësaj edhe pse deshi shumë të flinte Esi e kuptoi që gjumi i kishte kërcyer fare, ndaj pa e zgjatur hapi librat mbi tryezë dhe nisi studimin. Madje, aq shumë ishte zhytur në mësimet sa vetëm kur në dhomë hyri i ati, për të marrë një libër në bibliotekë, u shkëput nga zgjidhja e një ushtrimi matematikor.
- U lodhe, moj bukuroshja e babit, - ia bëri ai.
- O ba, sa është ora?
- Po vete gjashtë e gjysëm.
- Ouuu, sa vonë! - tha ajo duke u ngritur. - O ba, tani do të dalësh ti? Përpara se të vesh në punë, të lutem më hidh me makinën tënde, aty te pallatet "Agimi".
- Hajde, pra shpejt, bëhu gati, - ia bëri ai, - sepse edhe unë jam shumë mbrapa sonte, apo nuk më duhen për gazetën e nesërme dy faqe speciale.

*    *    *

    Nga BMW-ja e babit, Esi zbriti para pizzeris "Juvenilja", dhe sapo kaloi bar "Barcelonën" e shquajti Oltën. Ajo kishte zënë vend në tavolinën e cepit fare dhe ngaqë e thithte cigaren me shumë afsh, kuptohej që ende nuk ishte e qetë.
- Hë mi goc edhe ti, - i tha duke zënë vend pranë saj, - ende nuk të kanë rënë nervat.
- Je në vete, si mund ta kaloj kaq lehtë ai me mua mi Esi! Më kupton apo jo? Unë e di, madje ai vetë ma ka pohuar, që Laurën e ka pasur para meje, por më qe betuar se tashmë nuk kishte të bënte fare me të. Dhe kështu të premten e patëm lënë, që në mbrëmje në orën dhjetë do vinte të më merrte, për ta kaluar natën te "San Paolo". Edhe unë gjithë qejf u shtriva me mendimin, të pushoja meqë do ta gdhinim. Dhe kisha fjetur goxha, por sapo u ngrita të bëja banjë, kur "cërr" celulari. E more bukurosh, i thashë, nuk po të durohet? "O rrushi,- më tha,- e di si është puna, e lëmë për një natë tjetër. Unë sonte nuk jam mirë. Madje, as vetë nuk e di seç kam, më merren mend, si të jem i pirë tapë. Si thua e lëmë për një natë tjetër?". Dakort biri, - i thashë, - vetëm ti të më bëhesh mirë, por pabet aty janë. Dhe kaq. Aty nga ora 11.00 i bëra një "cërre". Hiç fare i gjallë. Celulari mbyllur. Kur të nesërmen në darkë, biri në televizor..... 
- Aman dhe ti Olta si bëhesh!?
- Si aman mi goc! A durohet kjo?
- Mirë, mirë po ule zërin, - ia bëri shoqja duke kthyer kokën nga tavolinat e tjera, që tashmë ishin mbushur me klientë, - nuk e sheh lokali plot.
     Ndërkohë ia mbërritën si gjithnjë të qeshur e gazmorë Moza, Kela dhe Adri "mjekroshi". Kështu i thonin të gjithë në grupin e tyre djaloshit simpatik, paksa brun me flokë kaçurrela, që i mbante syzat e diellit dimër verë në majë të kokës.
- Dëgjoni këtu dëgjoni, - ia bëri Kela duke zënë vend pranë Esit, - çfarë gallate! Një shoku Adrit, Fredi ka bërë një poezi fantastike për Bllokun. Nxirre Adri, nxirre.....
     Por, më parë se të lexonte poezinë në letrën që nxorri nga xhepi i pasëm i xhinsave Adri preferoi të ndizte një "Marlboro", nga paketa e vet.
- O bo bo booo! - ia bëri Esi duke i shkuar flokët e verdhë pas veshëve, - Na plase mër çun, po hë dhe ti!
- Po ku durohet pa duhan këtu! Nuk shihni, - ia këputi Adri, duke ua drejtuar shikimin përnga kofshët e Oltës, që ishin zbuluar deri në limitin e dukshmërisë së tangave të zeza....
- Hë mër ti hë, këtu të mbetën sytë te këmbët e mia. Nga inati kam për t'i zbuluar edhe më keq, - ia priti gjithë xhind Olta, duke e nxjerrë edhe më në shesh mrekullimin e kofshëve të gjata, pa thënë që trekëndëshi i venusit tashmë dukshëm binte në sy nën shtrëngimin e pëlhurës së mëndafshtë të tangave.
- Më keq jo, - ndërhyri sërish Adri, - po njëqindpërqind më mirë. Qënke depiluar deri në thellësi rrushi.
- Sa i poshtër që është! O Adri, shiko kështu si flet ti do bësh mirë, të mos studiosh për arkitekturë. Bëhu mër vlla seksolog, madje duket qartë ke prirje.
- Edhe mund të bëhem, s'është ndonjë çudi, apo jo?
- Krejt normale...
- Na çmëndët fare, - ndërhyri Kela, - lërini llafollogjinë aman! A do ta dëgjojmë atë poezi apo jo?
- Dakort, dakort, - ia bëri Adri, - Fillojmë. Dëgjoni me kujdes se është gallatë e madhe:

"A do vish nga blloku sonte?
Të mblidhemi me shoqërinë".
Shoqja, shoqes po i thonte:
"Të pijmë "Tekila" edhe "Xhin".

"Do të vij, por s'do rri shumë
Si t'ia bëj, jo nuk po di?
S'më lë babi e shkreta unë,
Më jep një mendje edhe ti".

"Eja, eja sonte nga blloku,
Vajzë e bukur flokëverdhë.
Mos e lër ti vetëm shokun,  
Mos e lër, se do ta dredhë.

Eja, eja bjonde syzezë
Tek bari jonë i preferuar.
Tekila shpirtin do ta ndezë,
Xhini zjarrin të pashuar.

Të pashuar do ta mbajë
Nga mesnata në mëngjez
Me Xhin trupin do ta laj
Vajz' flokverdhë me sy të zez."

 - Uuouu! - shpërtheu njëherësh e gjithë tavolina, çka bëri që shumë nga të pranishmit rrotull tyre të kthenin kokat.
- Fantastike! - tha Esi.
- Vetëm muzika i mungon, - tha Moza, - dhe normalisht kjo këngë mund të bëhet "hymni i bllokut"
- Jo vetëm hymn mër vlla! - ia priti Adri. - Me këtë tekst fitohet "Kënga Magjike". E heeeej rrushi e mer vesht apo jo! Po ti mi zemra çar ke kështu, - iu drejtua Oltës, - nuk të pëlqeu "Konga e Bllokut"?
- Ohu dhe ti Adri më lër tani.
- O Esi, çar ka kjo mi goc? Mos i ngeli hatri nga ajo që i thash?
- Jo, jo nuk ka gjë me ty, - ia ktheu Esi, - ka bërë fjalë me Landin.
- Me Landin e? Sa budallaqe që bohesh mi rrushi, - iu kthye Oltës, - mblidhe veten mi goc, mos u bo kaq tarallake. Hajde, hadje ti rri e mërzitesh, kurse Landi.
- Çfarë Landi!
- Shparë e takova, ia kishte shtru për shtatë palë qejfe me ate bjonden, si e qujn ate që e ka ballkonin e gjoksit dopio?
- Me Laurën! - gati u hodh përpjetë Olta. - Ku ishin?
- Aty, te "Bari pa emër".
- Te "Bari pa emër"!
     Olta u çua vrikthi nga karriga dhe u turr me vrap drejt rrugës "Sami Frashëri". Me hapat e shpejtë të këmbëve të saj të gjata, tak-fak iu zhduk nga sytë shokëve të tavolinës.
- Bo, booo!- ia bëri Esi, - Do na bëj ndonjë skandal. Kjo goc është e çmendur fare. Hajde Adri, çou shpejt ta arrijmë, para se të bëj ndonjë broçkull. Hajde, more Adri hajde. Uh, sa gabim bëre more çun, sa gabim që i tregove për Landin....
- Po ku disha gjo un m'i rrushi, nuk disha gjo fare un i shkreti.
- Mirë, mirë, po hajde tashti jepi këmbës.
     Por sado që nxituan, kur arritën tek "Bari pa emër", skandali kishte ndodhur. Kamarierët ishin grumbulluar te tavolina e parë buzë trotuarit dhe po merreshin me heqjen e pastrimin e qelqurinave të thyera. Landi i përlyer keqas nga fytyra mbante në dorë shapkën e majtë bojë rozë me majë "bisht akrepi" të Oltës, kurse Laurës gjithë akullorja me çokollatë e reçel, i kishte rënë mbi gjoksin treçerk zbuluar e po i kullonte nga bluza portokalli, pa thënë që një pjesë e mirë e saj i kishte larë fytyrën, e përlyer flokët.
- Ajo është e çmendur fare! Kafshë e bishë bashkë, - u tha Landi. - Na qëlloi me shapkë nga larg. Nuk e patëm mendjen fare. Ishte një goditje krejt e befasishme.
- Po ç'u bë, nga iku? - e pyeti Esi.
- Ku di unë, këtej ia mbathi. Vetëm nga mbrapa e njoha që ishte ajo sepse nuk e kisha mëndjen fare...

*    *    *
          Ora ishte nëntë fiks, kur Agroni pasi i kishte faqosur të gjitha shkrimet në faqet e gazetës për të nesërmen, përpara se të largohej nga redaksia u kishte thënë më parë "natën e mirë" si gjithnjë Inës edhe Tencës, dy kolegeve me të cilat i puqej muhabeti shumë dhe tek po shkonte për të marrë autoveturën, aty ku e kishte parkuar, i ishte shkrepur për një "xhin" me tonik. Madje, pa e zgjatur qe futur tek "Rovena" dhe për të qenë më i qetë, në atë moment limontie, që ia rezervonte shpesh vetes, sidomos në rastet kur dilte nga redaksia më shpejt se zakonisht, kishte zënë vend në një nga tavolinat e fundit të verandës. Edhe pse atë ditë punën e kishte nisur paksa më vonesë, çuditërisht gjithçka më pas i kishte ecur aq mirë, sa edhe vetë qe habitur. Ndoshta për këtë, gota e parë e xhinit i shijoi mjaft. Me dy të ngritura i dha fund dhe i bëri shenjë kamarierit që tjetrën t'ia sillte dopio. Ndërkohë, ndezi një "Marlboro" dhe e mbërtheu shikimin nga hyrja e "Rovenës", ku dy çifte të rinjsh po largoheshin duke qeshur. Në çast i vajti mendja tek Esi, e bija. Nxorri celularin nga xhepi, por më parë se t'i dërgonte një zile, pa orën. "Duhet të jetë në shtëpi tani", - tha me vete, duke ngritur sërish gotën tjetër, që kamarieri sapo ia kishte vënë para. Ndërkohë, në hyrje të barit i tërhoqi vëmendjen trupi i një vajze të gjatë, çalamane në këmbën e majtë por, që i jepte një hije të këndëshme të ecurës së saj, aq sa dukej sikur ecte me naze. "Gjynah! Gjithë kjo mrekulli!", - ia bëri me vete, tek po e shihte të vinte drejtë tij, nën ravijëzimin e dritave. Ajo erdhi, dhe sapo u lëshua në një nga kariget në tavolinën pranë të tijës, shfryu me gojë si të qe duke nxjerrë nga thellësi e shpirtit një duf të madh. "Të rinj" , - tha sërish me vete ai teksa i dha prap gotës dhe ndezi një cigare tjetër. Ndërkohë vajza hapi çantën dhe kërkoi gjatë në brendësi të saj.
- Uf! - ia bëri, - Edhe kjo më duhej, nuk i paskam cigaret.
- Më lejoni zonjush, - i tha Agroni duke i zgjatur paketën.
- O perëndi, paska ende njerëz të mirë në këtë botë! - tha ajo me një zë tepër melodioz.
- Pse, kur kanë nisur t'i sosen njerëzit e mirë kësaj bote? - shtoi ai duke ia ndezur cigaren, pa ia ndarë shikimin portretit të saj të këndshëm, që u ndriçua nga flaka e çakmakut.
- Që nga dita e sotme.
- E pamundur.
- Ta them unë.
- Nuk është nevoja të ma thuash, e marr me mend përse flet kështu. Je grindur me mikun tënd. Ja, vetëm kjo është.
- Saktësisht. Psikolog i madh qënke.
- Nuk është puna për psikolog. Sot kryesisht këto janë më së shumti hallet e të rinjve.
- Edhe ju nuk duhet të jeni shumë i moshuar?
- Të paktën jo i mplakur.
- Sigurisht i martuar? A ma dhe unë, ç'pyetje prej idioteje që bëj!
- Dukeni vërtet vajz'e zgjuar. Mund t'ju ofroj një gotë.
- Me kënaqësi.
- Kënaqësia do të jetë e imja zonjush.....
- Olta.
- Agron, - dhe i shtrëngoi dorën e zgjatur, të cilën nuk ia lëshoi duke e detyruar të çohej e të ulej në tavolinën e tij, - ç'do të dëshironi zonjush Olta?
- Sigurisht xhin, kam që në drekë që pi vetëm xhin,.... vetëm xhin.....është një pije vërtet e mrekullueshme, të bën të harrosh. Po ju zoti Agron e preferoni?
- Vetëm Agron, do më pëlqente të më thërriste sonte një vajzë kaq e bukur si ju, me këto sy të kaltër vezullues. Kurse lidhur me preferencën për xhinin do të thoja, që kjo pije prej kohësh figuron e "hipotekuar"në pijotekën time personale.
- Sa fantastik që qenkeni! Deri më sot e dija që ka biblioteka, videoteka, diskoteka por, për pijoteka është hera e parë që dëgjoj. Jeni i madh! I madh fare...
     Dhe sërish i tokën gotat, por kur i ulën, Agroni vuri re, që Olta e kishte tharë të sajën. Pa e zgjatur i bëri shenjë kamarierit të përsëriste porosinë.
- Më falni, natyrisht nëse nuk ju bezdis, mund t'ju pyes ç'profesion kini?
- Oh, Olta më vjen shumë keq, derisa jemi në një tavolinë dhe po pijmë bashkë, kurrsesi nuk duhet të më marrësh lejë për asgjë....Njeri i letrave jam.
- Gazetar apo shkrimtar?
- I të dyjave.
- Oh njohës i shpirtrave njerëzorë! Menjëherë e pikase shpirtin tim të trazuar. Sa xhentil që jeni! Sikur të ishin të gjithë djemtë e rinj kështu si ju!
- Faleminderit për komplimentin, - ia ktheu ai, duke e trokitur gotën mbi tavolinë, - të pijmë për bukurinë tënde...
- Kur dëgjoj këto fjalë të dalin nga goja juaj, - ia bëri Olta, pasi e çoi gotën sërish deri në gjysmë, - më duket sikur jam në ëndërr. Keni të dashur? Apo...më fal më duket se e teprova?
- Jua thash, një bashkëgotazi nuk i kërkohet falje, janë rregulla të tavolinës. Gjithsesi, jam i martuar....
- Mrekullia vetë!
- Përse? - u bë kureshtar Agroni.
- Sepse tani po u jap të drejtë nja dy shoqeve të mia, madje njëra nga ato është këngëtare, ka nxjerrë një album këto kohët e fundit. Fundjavat ato i kalojnë gjithnjë në shoqëri të burrave të martuar. "Nuk ka gjë më të bukur", më thonë gjithnjë, por unë nuk i kam besuar. Tashmë u binda. Paskërkan plotësisht të drejtë.
     Pasi ndezi një "Marlboro" Olta, i dha fund edhe gotës së dytë. Ndërkohë, Agroni ktheu vetëm pak nga e tija dhe ia rrëshqiti sytë nëpër të gjitha konfigurimet e fytyrës. "Engjëllore e gjitha, - tha me vehte. - Gjynah o Zot, që je treguar i pamëshirshëm dhe e ke gjymtuar këtë krijesë tejet të arrirë, që kaq papritmas ma takse sonte".
- Keni një portret të përkryer, - iu drejtua me zë duke ia shkuar mollëzat e gishtërinjve të së djathtës, fillmisht ndën mjekër, e më pas lehtas në gushën e limuar.
- Shkruani poezi?
- Sigurisht. Madje, tek e shoh dhe e prek paksa këtë fytyrë, vetvetishëm ndjej të më burojnë vargjet e parë:

"Do të ta marr ndër duar
Fytyrën, që ndrin si diell
Dhe me të në kraharuar
Dua të ngjitem në qiell.

Syve të kaltër si deti pa fund
Do t'u puth pak vetëm qepallat
Aty ku çdo pendëz qerpiku shkund
E m'i largon të gjitha andrallat...

- Më mahnite fare! Sonte gjithçka po më duket ëndërr, - tha Olta e amullsuar e tëra në fytyrë, - xhini vërtet është fantastik, por më fantastik jeni ju, me këto vargje që sapo recituat e me gjithçka më keni thënë deri tani, ma larguat si një magjistar me një të rënë të shkopit zymtësinë, që më kishte pushtuar. Po mikeshë kini?
- Disa. Njërën më të bukurën e më të mirën e kam shumë pranë, madje përpara syve.
     Dhe e ia shtrëngoi ëmbëlsisht paksa mjekrën ovale, kurse Olta puliti sytë si e përgjumur duke e lëshuar fytyrën tërësisht në dorën e tij. Pas kësaj Agroni ia rrëmbeu të gjithën dhe e ngjeshi fort ndën gushën e tij mbi klavikul. Aromë e flokëve të saj të kuq, i dha një sëmbim të fortë në thellësi të shpirtit.
- Oh! Sonte dua të rri gjithë natën me ju! Mos mbaroftë kurrë kjo natë e mrekullueshme! - pëshpëriti lehtas si e përhumbur Olta, duke ia lëshuar afshin e ngrohtë të frymëmarrjes nëpër gjërësitë e kraharorit, teksa aroma e këndshme, që i buronte nga ajo ngushticë e vockël ku rrinin shtrënguar pas njëri tjetri dy gjinj të bëshëm e të freskët e turbulloi fare Agronin.....

*    *    *

     BMV-ja kishte disa minuta që çante me shpejtësi mespërmes autostradës Tiranë-Durrës. Olta kishte mbështetur kokën mbi supin e tij dhe murmuriste nënzë melodinë e këngës "Për një dashuri" nga Ermal Fejzullau, tingujt e së cilës dëgjoheshin lehtë nga bokset e kasetofonit. Agroni thithte herë pas here cigaren dhe nuk ua ndante shikimin dritave shumëngjyrëshe të hoteleve e lokaleve në anën e djathtë të rrugës. Diku e përqëndroi shikimin, uli shpejtësinë dhe e preu timonin djathtas.
- Ndizmë një cigare, - ia bëri Olta, - dhe shiko na merr një shishe xhin. Më kupton apo jo. Nuk shtyhet nata pa xhin.....
     BMW-ja u ndal në pjesën e mbrapme të oborrit të hotelit. Agroni, ndezi një cigare tjetër dhe pasi ia vuri në buzët e tulta nxorri celularin dhe formoi një numër.
- Agroni jam, - tha me zë të plotë e tingëllonjës, -... te kati dytë 234, ....në rregull..... Dërgo një shishe xhin....natyrisht akull edhe tonik....shiko lër edhe një "Marlboro" të bardhë...flasim nesër. Faleminderit.
- Sa i madh jeni! - ia bëri Olta e kënaqur në kulm. - Nuk e thash kot që parë. I madh fare....
     Në koridorin e gjatë nuk kishte asnjeri. Olta ecte duke çaluar me këmbën e majtë mbështetur pas Agronit, i cili vetëm kur po rrotullonte dorezën e bravës së derës me numrin 234, vuri re se ajo ishte zbathur në këmbën e majtë.
- O Perëndi! - ia bëri me zë të lartë, kur u gjendën vetëm në brëndësi të dhomës. - Dhe unë deri tani kujtoja se ti ishe e çalë! Ku e ke shapkën tjetër moj vogëlushe? Sepse që ta dish ti, kam dy orë që qaj këtu në thellësi të shpirtit, që Zoti ishte treguar aq i pamëshirshëm me ty, duke të gjymtuar...
- Unë topalle! Ha ha haaa! Shapkën tjetër e humba në betejën me mikun tim. Ia flaka surratit edhe ika, - ia bëri Olta duke hequr nga e djathta shapkën tjetër ngjyrë rozë dhe u vërtit për pak çaste nëpër dhomë, - jemi në rregull tani?
- Oh ëngjëllorja ime! - ia bëri Agroni duke e pushtuar me krahë në kraharorin e tij të gjërë, - që kur m'u shfaqe për herë të parë tek "Rovena", kam qarë në thellësi të shpirtit për ty. Je vërtet e mrekullueshme.
     Pas kësaj mbushi me shpejtësi gotat me xhin dhe duke ia zgjatur njërën i tha:
- Për kë do të pijmë tani?
- Natyrisht për takimin tonë të papritur.
- Dhe për këtë natë të bukur.
- Që do ta kalojmë bashkë, - theksoi ajo, duke e çuar gotën me një të ngritur deri në gjysmë.
- Me xhin shtyhet nata, - tha Agroni, - mbaj mend të kem shkruar në një poezi timen para shumë kohësh.
- Si, si? - pyeti Olta - Sa bukur e thatë! Recitoma të gjithën, të lutem.
- E gjitha nuk më kujtohet. Vetëm katër vargjet e para:

Me xhin shtyhet nata
Po jeta kurrsesi.
Një mike dikur pata
Ku është jo nuk e di.....

- Fantastike fare! - e ngriti zërin Olta.
     Dhe pas kësaj iu ngjesh aq pranë, me buzët e fryra paksa të hapura sa Agroni e pati të pamundur për të mos i ngjeshur të tijat mbi ëmbëlsinë e lëngëzimit të tyre.
- Me këto buzë të mrekullueshme që kini, - foli ajo pas puthjes, duke ia shkuar lehtaz gishtërinjtë e hollë me thonj të manikyrosur mavi, mbi tulin e buzëve të tij, - isha e bindur e madje nuk e vura në dyshim, që do ishit i përsosur në puthje.
     Pas kësaj ia shkoi pëllëmbët nëpër flokët e dendur dhe i mbërtheu buzët sërish mbi të tijat, në një puthje tejet të gjatë, pas të cilës e ndezur në kulm, ajo hoqi me të shpejtë bluzën e gjelbër nga shtati dhe ashtu vetëm në reçipetat e zinj u shtri në krevat.
- Sonte bëj ç'të duash me mua, - tha - jam e jotja. E tëra.
     Agroni u përkul mbi të duke ia shetitur pëllëmbët ëmbël mbi fytyrë, nën gushë, lehtas mbi gjoks, nëpër limimin e barkut e deri te kufiri i trekëndëshit të venusit, ku i zbërtheu fillimisht kopsën e vogël fundit të zi dhe më pas ia liroi komplet zinxhirin. Pas kësaj u ngrit dhe zuri t'ia tërheqë ngadalë nga këmbët e gjata, teksa përpara tij fillimisht u evidentuan tangat me dantella nën pëlhurën e mëndafshtë të të cilave gjallonte shtrënguar ajo masë e tultë, kofshët e drejta mbi mermerimin e të cilave vallëzonin dritat shumëngjyrëshe të një reklame në anën tjetër të autostradës, të cilat depërtonin nga dritarja.....Ndërkohë në hapësirën e dhomës gjëmoi zilja e celularit të tij.
- Prit, një minutë, - i tha duke e marrë nga komodina. Ishte e bija. Ndërkohë pa orën e dorës. 23.20. "Kaq vonë!" - tha me vete, duke dalë me të shpejtë në ballkon.
- Babi, - u dëgjua zëri Esit, - ku je ti?
- Në punë. Ku tjetër? - iu përgjigj me zë tepër të ulët, - Të thash më duket që sonte jam shumë i zënë. Po ti ende nuk ke shkuar në shtëpi?...E lajmërove mamin?
- Po e kam lajmëruar, - iu përgjegj ajo, - por ne kemi mbetur rrugëve, jemi ende te Blloku o ba... Po kërkojmë një shoqen tonë por, nuk po e gjejmë i kemi kontrolluar të gjitha lokalet.... as në shtëpi nuk ka vajtur. Madje, është edhe me një shapkë!
- Si? Si? Me një shapkë! - e uli dhe më shumë zërin ai.
- Po o ba, me një shapkë, tjetra na ka mbetur neve në dorë, sepse u zu me një shokun tonë, të cilin e goditi me shapkë dhe krisi e iku. Se nga ka vajtur o ba, nuk po e gjejmë dot, aq më tepër ishte edhe e pirë disi...Ne këtu te blloku jemi te lokali ynë "Baby Blue", kur të dalësh eja më merr.....
- Ashtu ë! - ia bëri Agroni, duke ndjerë të djersitej i tëri ujë, thua se ishte futur në dush. - Aty prit, do vij të të marr unë...
     Kur u fut sërish në dhomë Olta e kishte flakur fundin nga këmbët dhe kishte marrë mbi krevat një pozicion tejet pritës. Shapka e djathtë ngjyrë rozë qëndronte përmbys mbi konfiguracionin e një luleje të kuqe të tapetit.
- Vishu, - i tha papritmas, me një zë që edhe atij iu duk se nuk ishte i veti.
- Ua! Ç'është kështu! - ia bëri ajo.
- Asgjë nuk është. Vetëm ngriu tani, vishu dhe eja të të çoj në shtëpi. Mos thuaj më asgjë. Madje, do bësh mirë të nxitosh sa më shumë......

     Vetëm pak minuta më vonë, BMW-ja çante sërish me shpejtësi nëpër autostradë, por këtë herë në drejtim të Tiranës......

Monday 11 September 2017

NDËRSA

F A S L L I  H A L I T I

NDËRSA
Migjenit
Ndërsa të tjerët mërmëritnin
Migjeni buçiste,
Zgjonte
Të përgjumurit
Ndizte vatrat e shuara.
Kur të tjerët qëndisnin mandilet
Migjeni qepte, arnonte  zhelet e mjerimit

Sapo feks agu gjer në rrezet e mbrame të perëndimit!
Tetor,  2016
MË HËNGRËT TË GJALLË 

Erdhi vdekja e uritur
Të më hante
Me uri 
Por më gjeti të tretur
Kockë 
Dhe lëkurë

Ç’të hante e zeza tek unë ?
1998-2017
S’PO SHOH ENDE  +

Dëgjoj të këndojnë
Gjelat
Mbi mur,
Mbi gardh
Për çdo natë,
Po dielli s’po lind.

Dita e re ende s’po zbardhë ...!
Korrik, 2016
PLASËN BUBULLIMAT 

Plasën bubullimat qiejve
Duke bubulluar,
Megjithatë, 
Asnjë pikëz shiu
Mbi tokat e lënë djerrë
Mbi arat e pambjella, të palëruara  
Asnjë pikëz shiu s’bie mbi arat, mbi fushat,
Asnjë pikë shiu s’ua njomë buzët shkrumbuara…!
Korrik, 2016
   QENKE BOSHATISUR…

Eh moj fushë,
Fushë,
Fushë,
Qenke zhuritur,
Të shoh gjithë frikë,
    Hambar buke ti i atdheut tim dikur,
Sot hambar kanabis, hashashi me narkotikë…!Gusht 2016
EDHE UNË

Kështu janë njerëzit e kësaj bote!
 S’ka njerëz
Pa cene,
Pa vese
Pa të meta,
S’ka
Njeri ëngjëll
S’ka njeri Zot,
Edhe unë njeri jam,
Njeri si çdo tjetër njeri,

Pse kërkoni që unë të jem engjëll, perëndi?
Shtator 2016
KAM QENË EDHE UNË... 
 Kam qen dhe unë si ju deputet në kuvend,
Por nuk leha
Nuk kafshova
Nuk  rrëmbeva
Nuk u korruptova
Hyra me peshën time
Me  peshën që hyra dola…

***

Ju deputetët e kohës së korruptuar
Ju deputetët e kriminalizuar
Po vini bark mish, 
Pasuri...
Por
Shekspiri
Mirë e ka thënë,
Mirë e thotë edhe sot:
Si i pasuri dhe i varfëri,
Si i shëndoshi,
Si i dobti
Kockë 
Dhe lëkurë,
Dy gjellë për kribin janë” përsëri
Krimbi i Vetingut, do t’ju hajë
Me shije, me uri...

***

Kam qen dhe unë si ju deputet në kuvend,
Por nuk leha
Nuk kafshova
Nuk  rrëmbeva
Nuk u korruptova
Hyra me peshën time
Me  peshën që hyra dola…


Shtator 2016
SHOH 


Shoh
Ata
Që vjedhin,

Por jo ata që mbjellin!


 Prill, 2011


MOS U MBAJ  


Mos u mbaj engjëll…
Engjëll jam !
Engjëll linda, 
Engjëll u rrita,
Engjëll kam qenë,
Engjëll jam prapë !
Dhe engjëll do të jem!

Engjëll ?!
Si kështu, si?
Engjëll pa seks
Dhe ke një lagje me fëmi...?!

Dhjetor 2016


KËSHTU DERI VONË


I binim
Pragut
Të dëgjonte dera
Dera nuk dëgjonte
I biem
Pragut  
Të dëgjojë dera
Dera nuk dëgjon prapë

Dhe ne mbetemi përjetësisht në prag...

Mars , 2017


PO  E ARDHMJA JONË

E djeshmja
Juaja
E sotmja
Juaja 
E ardhmja
Juaja gjithashtu

Po jona ku qenka kështu ?


CMIRËZIU

Spiuni
Është si qeni
E gjuan gjahun për tjetrin
Me  devotshmëri, besnikëri,

Ti nuk je spiun, ti je cmirëzi.

Veҫ ti
Bëhëhesh 
Spiun i zoti
Veҫ si macja
Ti e zë gjahun për vete
E zë për veten tënde miun e zi.

Ti  s’je spiun, je më i keq, je cmirëzi.



2005


MË FRIKËSOHESHIN N ZOGJTË


Në fëmijëri kam qenë terrorist,  kriminel
S’kam lën zog pa vrarë
S’kam lënë harabel.
Edhe sot më friken zogjtë
Edhe pse
I dekriminalizuar
Edhe pse s’jam më
Kriminel
Prapë
Më frikesohen zogjtë
 Jo zogjtë e urtë, por zogjtë rebelë...!

  31 mars, 2017



VIZA  IME

Po
Si deputet
Kam nxjerr viza
Viza për njerëz me halle
Jo viza për të ndjekur sportin 
Jo viza për koncerte, shfaqe teatrale.
Jo viza me euro,
Me dollarë
Viza fri
Për t’i shpëtuar verbimin syrit
Dhe jo t’i  nxjerrja sytë
Të dy.
Viza ime:
Vizë që të nxirrte
Nga halli e mjerimi,
Jo  vizë që të zhyste në mjerim, varfëri...

Viza ime ishte vizë për hall, për fatkeqësi...


Shtator,  2017


 Ҫ’I KËRKOJI JEZUSIT

Ҫ’i kërkoi
Krishtit 
Ai
Dhe ҫ’i tha
Jezuesi Krishti atij,
Atij që donte të ecte mbi ujë
Siҫ eci vetë Jezusi mbret, Perëndi?

Po
Mund
Të ecësh
Dhe ti si unë,   
Nëse beson si unë Jezusi në Qiell
Nëse beson si unë në Zot,
Nëse beson si pjos...

Besoj!
Si s’besokam unë?
Mësuesi im! 
Dhe
Vuri
Këmbën e majtë
Dhe vuri këmbën e djathtë mbi ujë
Si mbi një asfalt blu ujor.
Plot
Siguri
Plot besim

U përpoq të ecë mbi ujë,
Por
Besimi
Nuk qe i plotë,
U zhyt në ujin e rimë të qelqtë 
Arriti në bregun tjetër jo me këmbë, por me not. ..


2 prill, 2017