Sunday 3 December 2017

Sadik Bejko: Faleminderit për Lamtumirat

Faruk Myrtaj
Sadik Bejko: Faleminderit për Lamtumirat
Sadik Bejkon e kam lexuar herët, udhëve të nëndheshme; e kam takuar të rikthyer në Tiranë: dukej sikur edhe në kryeqytet lëvizte si me merakun e udhëve të nëdheshme të minierës së Memaliajt; kam filluar ta njohë vonë –  deputet jo aq komod, së paku jo aq se kur u rikthye tek mësimdhënia në Universitet: historia e kulturave diverse dhe komplementare të Ballkanit, letërsia e tij pothuaj e ngopur me nobelistë, në leksionet e tij ta mbanë frymën; vazhdojmë të këmbehemi mesazhesh edhe pas mërgimit…
Tërë këto fjalë, s’thonë dot se nuk njihemi dhe, tjetër fare nga ç’themi, s’merret vesh kush ka mërguar më herët!
Bejkon s’mund ta çmosh pa e dëgjuar. As si poet, veç tjerash. Bisedash/bisedave pra, ai shpallë virtyte prozatori: njohja e gjërave që rrëfen, siguria e dijes së ardhur prej qëmtimesh të pafundme, të cilat si rrallëkush ai është në gjendje t’I deklamojë, dhe sidomos zëri…zëri I tij, t’i bën të pangjashme. 
Sadik Bejko ka fëmijëri krejt të gurtë, dhe dihet që shkrimtari, aq më shumë poeti, ngjizet në fëmijëri. Aty profilizohet natyra, aty nis jeta, pra stili. Poezitë e Bejkos për GURËT janë rrasa e poezisë së tij. Edhe lulet e tij janë të gurëve të fëmijërisë. Në ndodh që fëmijëria mërgon, s’mund të mos ndjehet Ikja, edhe në poezinë e fëmijës që është mirëseardhur pastaj larguar pa hijeshi nga sofra e parë e fjalës, për ta ripranuar më pas, por asnjëherë përfundimisht...
Ngaqë kam ndenjur gjatë me Sadik Bejkon, ndonjëherë më besohet se e kam të lexuar krijimtarinë e tij, edhe pa e lexuar atë, madje edhe pa e shkruar ai. Jam pothuajse i sigurt se shumica do bëjnë të habiturin nëse themi se S Bejko është prozator i fuqishëm: një libër të tij për Gjirokastrën nuk e ka shkruar dot askush si ai...(Ata që e njohin familisht, e dinë arësyen, ia nderojnë frymëzimin!)
Sic unë e kam të gjallë si imazh, babanë e tij, të cilin s’ndodhi ta takoja kurrë: nga zëri i të birit, Sadikut, më bëhet se e kam njohur, së paku e kam dëgjuar teksa i pëshpëriste të birit, ne kujdes, për ta ruajtur nga hijet e kohës: “Këta ma vodhën edhe Zotin, or bir...” I 
Biri, s’përton ta shkruaj copë, edhe si Solomon, mu në mes të odës së poezisë: “ata, komunistët!” Paçka se u bënë thuajse tri dekada që kam lexuar prej tij poezi të maturuara, gjithnjë të rrepta, prej urtësisë antike e më herët akoma. Ndërsa dikur na ofroi Letrat e Hamurabit, tashmë na rilindet me Këngët e Solomonit. Rrembat e gurëve të vendlindjes nuk rrijnë dot pa ngritur krye...
E lexon librin e Solomonit përmes vargjeve të Sadik Bejkos, vargje që tashmë janë bërë ca më të matura, më të rënduara në hapin e tyre; të bëhet se kanë firuar ca lirizëm, por fare kollaj mund ta vëresh nuancën lirike të Bejkos edhe kur dëgjon trishtimin apo dhimbjen, arrin ta zbulosh hallin e madh të Njeriut përtej rropatjes së përditshme për harmoni individi, cilido qoftë ai.
S’është aq kollaj të mbetesh i paanshëm në një mjedis kur fusha energjitike është nën tension të lartë dhe polarizimi nuk kursen kërrkënd...
Ende rrekem të besoj kur them se di ta arsyetoj autorin e Tiranës, jo veç Sadik Bejkon, edhe kur vargjet apo prozat e tyre, kanë fituar ca lexues me më pak pasion, apo kanë humbur lexues të dikurshëm me ndoca zhgënjim për arsye jashtë letrare. Në këtë botë krejt-e-krye lindore me sytë nga perëndimi, pikerisht për këtë ia vlen të jesh, të jetosh, të bëhesh dhe të propozosh bërjen, becoming ëithout conditions, bërjen pa kushte, përmes pranimit të gjithëçkaje që është sic është, siç s’mund të mos jet dot, sie bëjmë ne vetë, pra jo sic pretendojmë e deklarojmë se e duam ne...
Edhe nëse bjemë në masë dakord, ka qenë tmerrisht vështirë Pardje, nën monopartizëm, as në demokracinë e dekretuar s'ishte aq lehtë, përderisa sot e kësaj dite nuk mbajmë mend kur ka nisur tranzicioni dhe kur ka për të na rrëzuar marathonomakësh përdhe, pa frymë...pa thënë dot Fituam!
Gati-gati janë, gati ta lenë mënjanë termin “diktaturë”, si tepër special, dhe vetëshpjegohet më afat-gjatë, se ne tërëkohshëmrisht jemi sunduar prej Njëshash, në tërë fushat e Jetës dhe jetësimit. 
Të shpëtosh nga Sundimi i Njëshave qenka liri e madhe shumë, mrekullisht e paarritshme, thjesht ngaqë duket sikur as vete ne s'e duam, përderisa me çdo çmim e moshë, ç’nuk jemi gati të bëjmë, mjaft t'i kemi sic i kemi pasur...
Sadik Bejko e ka përballuar të ftohtët e gurëve dhe më pas radhojte e shkronjave sa më natyrshëm, teksa duhej të mbijetonte pa bujë, edhe në midis-betejat ua ka bërë tërë shërbimet, mirënjohjet ei ka shndërruar në art fjale, gjer edhe në tepri të pamerituar prej Njëshave...
Mbase pikërisht qëndresa e gjatë t'i ruan të tillë edhe kundrat, sic edhe miqte...
Prej Solomonadave, hoqa mënjanë ca faqe nga libri, si pjesë e mjaft për shijen time, dmth për kohën dikur, kur uleshim në orët e avash-avashme të Tiranës dhe molloisnim universin si dynja të cilën as filosofët e as poetët s'e ndryshuam dot...
====

Këngë të Solomonit 
Nuk e mohova: isha kundër natyrës, vetes sime. 
E vetes më parë se gjithçka. 
(Thonë sot) barbare, (thonë sot) primitive... 
Nën mjegullimin e rrudhave si në fundin e pusit, tej fijeve të merimangës, 
bukë bajate që nuk e ha as qeni... 
ky ashti im i drejtë, ky vështrim matanë trishtimit. 
Frut i vdekur që kohërat nuk e tresin. 
Kockë e hedhur tej dheut, pa qiell sipër, pa ajër, pa truall a taban. 
(Trupin ma pret dheu me gurin, arkën, pëlhurën savan). 
Një mohuese e jetës? Jo... një fat njeriu. 
Fat, që keq a mirë, e zgjodha, e mbarta. 
Veç të tillë mund ta kisha. Dhe e kam. 

Letër mikut të mërguar 
Mik i dashur, faleminderit që më kujtove! Jetë dhe shëndet të uroj ty... 
Të mbaj mend miqësor, të brishtë, fëmijë i vendlindjes sonë 
asaj shtjelle dheu e shkëmbi që ende e kam brenda meje e blegërin si një dele 
që i janë prerë këmbë e duar i janë prerë gabzherrët, i janë prerë fytet e lëfytet. 
Por vendlindje që ende flet me dejet prej guri, me të taposurat lëfyte guri, 
me hithra zërash në kor me lofata e lule lejleku me rrapet në ulërimë 
si me gojë demash, me gojë grash e lulëkuqesh, e me gjurmë lejleku si zarfe në ajër. 
Vendlindje që ruan gjurmët e çunave që ende nuk kishin puthur një grua 
a një çupë komshiu dhe ikën prej këndej. 
Në ato gjurmë ulet me thembra zogu në ato gjurmë 
gjarpri i vendlindjes i ka kafshuar në thembra çunat 
që të ikin e pas të mos kthehen. 
Ngjirma e një qengji blegërin, blegërin sa i zgjon nga gjumi shkëmbinjtë neolitikë. 
Jeta si duket paska lindur nga një hithërimë helmimi në horizonte vijash, 
paska lindur prej seksit të zogjve që veç shtegtojnë prej kësi planeti. 
Mbeten një gur porte, pite fiku e pjekur, gjarpri kutullaç, 
i vdekur në mal kyçur atje ku dikur rrokullisnim kulaçin e fatit. 

Miku im, ende i kam për zemër plakat fshatare që sjellin në qytet maraj,
sjellin trumëz, kopër, sjellin barëra... 
Në to fshihet një cipëz qielli që nuk e shohim siç nuk i shohim 
cipëzat e ëndrrave gjumit të cilat si velat në anijet e Kolombit 
na çojnë nëpër botë. Nën lëkurën tonë janë këto barëra 
në lëvizjet te muskuli i krahëve, te pushi në trup fëmije që ende rritet,
 i butë pa drejtëza a trekëndësha është bari i tokës që plakat e sjellin në shporta. 
PS: Po erdhe ndonjë ditë nga Johanesburgu a nga Frisko ku ke mërguar 
më gjen tek marr barëra nga plakat çdo mëngjes. 
Qëndro me mua sa për një kafé, vetëm për një kafé

Faleminderit per Lamtumirat
Mos u mërzit, më the, tani po iki. 
Ngrita dorën. Ke ikur, thashë me vete, Me kohë ke ikur. 
Tunda dorën. Heshtur, (hëm... hëm) të thosha: 
Ik dhe mos u kthe në të prapë. 
Vetja ime, atyre që ikin uroju fat 
Me shpirt uroju: udhë e mbarë. Ikni, mos e ktheni kokën pas. 
As sytë për të parë. 

Për vete mbetem ai rrapi i vjetër 
Që bën sy nën lëkurë, nën degë 
Të shohë kush po i ikën tash e parë. 
Shkoni larg. Pa brenga. Të lumtur 
Për ç’qemë tok në çastin a orën e bardhë. 
Ikni gjethe, zogj që foletë zbrazur i lini, 
Degë të thara, këputuni me krismë në erë, 
Ikni rrebeshe që më shkundët rrënjësh, 
Brymë, borë a shira të qelqtë nëpër mjegull 
Në mars, prill a në maj...

Ikni, kthehuni, si t’ju vijë. 
Ju me ngut, ju në rrugë, ju...udhëtarë. 
Lidhur për rrënjësh në gur e në baltë 
Ka kohë që pres me qetësi uraganin. 
Në ardhtë, le t’më shkulë nga rrënjët, 
Pa ndonjë kthim tjetër në të prapë. 
Tu mirë, fytyra të dashura, 
Tu mirë qiejt e mi, ajri im, dielli im 
Dhe... natë.

(Shën Pali 1 Korinthasve, 13:13)
Dhe po të kisha Njëshin absolut, Zotin, 
Pa numrin tre, me zigzagun, 
Gjysmat e harkut një mbi një, në vuajtjen, urinë për tjetrin, 
me Zotin vetëm, pa ty, dashuri jam asgjë. 
Dhe po të kisha Njëshin, drurin që me gjethet prek qiellin, 
pa ato dy gjysma elipse kulpre pleksur te numri një pa besim, 
shpresë pa dashurinë, sak, pa dashurinë për ty jam asgjë. 
Dhe po të kisha Njëshin Qiri, kolonë flake, ndezur në diell, 
pa numrin tre: dy hëna të ngrëna, gavruar, zgabërruar hon,
dy trupa harkuar një mbi një në akrobaci, 
jam asgjë pa ty, dashuri. 
Dhe po të kisha Njëshin Kullë e përjetshme Babiloni 
pa njeriun nga pika e dashurisë si nga kokërr rrufeje qëlluar, 
trupa në gjysmëharku për tmerr secili lakuar...
pa ty në shkretëtirën e dashurisë jam asgjë.

Kaçubja e fshehur 

Me kalimin e viteve të mbeten pak gjëra 
as sa një kaçube,
si kaçubja ku venë e fshihen për herë të parë një çift adoleshentësh ... 
puthen, dhe as e dinë se të gjithë po i shohin. 
Këto pak gjëra... mund t’i marrësh me vete aty ku ulesh vetëm 
me kafenë e ditës se re përpara. 
I thërret në buzë një lutje u dërgon, pa zë, 
që nuk e marrin vesh, kurrë nuk do ta dinë. 
Ndër ato pak gjëra për të cilat lutesh mund të jetë perëndimi i diellit në verë 
në një vend pranë detit. 
Befas ajri bymehet, pemët ndezin kurorat 
si me shkumën e shampos së kuqërremtë, 
ra zjarr, thua, po arrin qiellin, u shkrumbuam... 
Por jo. Sikundër qyta e pushkës tek zbrazet, 
rreh fort supin e rekrutit, ashtu rreh dielli, para se të kapërcejë matanë. 
Godet pa zë, me dallgë heshtjeje të përskuqur. 
Rrahjet e gjakut, jo aq të forta, por dhembin. 
Një ndjenjë kjo që të buis e s’di ku ta çosh, 
të mbetet si ajo tufa e karafilave që u thanë në xhepin e brendshëm të xhaketës 
ngaqë nuk i fale dot atje ku duhej. 
Mund të lutesh dhe për karafila kopshti me aromë, 
dy... tre karafila, jo një kaçube, (nuk kanë veshë, nuk të dëgjojnë). 
Edhe për atë, për të cilën karafilat dikur i këpute, mund të lutesh: 
“Pa ty cimbal tingëllues, pa ty, pa ty nën gëmushë i fshehur jam”... 
Po. Për diellin, për karafilat dhe për ca gjëra të tjera 
ia vlen ditë për ditë në paqe të lutesh. 
12.3.13

Qershitë 

Buzët e tua, dy qershi të kuqe gurie forta, 
e ëmbla, e kuqja nga dheu, shtrydhur e mpiksur në dy qershi me lëng. 
Në vendin tim qershitë piqen në drurë aq të lashtë 
si të ishin brinjë prej baltës së Adamit hyjnor. 
Qershi stine piqen dhe në buzët e tua, në kopsht, 
në krejt trupin tënd piqen me aq lëng e ëmbëlsi 
sikur të çlirosh nga shkëmbinjtë ujë, 
një lumë të fjetur nga aq ashpërsi. 
Kurrë nuk do ta di sa të bukura luleqershitë, 
sa të kuqe kokrrat nën diellin e një stine. 
Dhe vallë pse më joshin, më pëlqejnë, 
të pafajshmet qershi në buzët e tua varur atje larg meje? 
I mendoj qershitë e gjithë botës në shpate, në lugina a male 
me lëng pjekur sot dhe motin që vjen në përjetësi viteve që vijnë 
stinë pas stine pjekur qershitë në gjithë pemët, në gjithë trupin tënd, 
në buzët e tua të kuqe. 
Sonte, që ta heq mendjen nga ti. 
Me miqtë, me ca gota përpara, do të ndjekim finalen e kampionatit botëror të futbollit. 
Nesër? Nesër prapë qershitë rrëzëllitëse në pemë, 
vesuar me përskuqjen e re të agimit 
varur në të përjetshmin qiell tej gjumit e zgjimit. 
Kështu ndër shekuj nga kjo dashuri për qershitë
ne burrat kemi zënë fill nga buzë femre 
drejt në të kuqen e embrionit të foshnjës 
në ditën tonë me fat, në ditën e krijimit. 
Buzët e tua qershi me të kuqen e gurit e të agimit 

No comments: