Wednesday 21 February 2018

SHQIPËRIA NË VITET NËNTËDHJETË

SHQIPËRIA NË VITET NËNTËDHJETË
(Me rastin e 20 shkurtit 1991)
Është thënë dhe vërtetuar se njeriu është krijesë e veçantë, e ndërlikuar, ka cilësi të ndryshme  nga një individ tek tjeti. Me gjithë këto ndryhime, hasim në njerëz me individualitete të ndryshëm, por për çudi ka pika kulmore që takojnë, përputhen, pra ndjejnë mungesën dhe lind ajo që quhet mall për njëri-tjetrin. Jeta e njeriut është e shkurtër, dhe e gjatë: E shkurtër ndaj shekujve, e gjatë ndaj jetës njerëzore (70-80 vjet). Në rrugëtimin e jetëgjatësisë së njeriut, ndodhin ngjarje, të cilat përsëriten në çdo brezni, si në formën e trashëgimisë, të vijimsisë apo të rastësisë.
Ka qenë dhe mbetet në traditë, kur në raste shumë të gëzuara apo fatkeqësish mblidhen dashamirësit. Midis tyre, më të moshuarit mbajnë kuvendin, të tjerët i dëgjojnë me kujdes, kjo sepse ata tregojnë ngjarje të kaluara dhe shumë të kahershme.Përdoren shprehje të goditura që u themi “fjalë të urta”, të cilat vijnë  nga thellësitë e shekujve. Por, krahas këtyre ngjarjeve, diskutohen edhe problemet e kohës dhe kur ka ngjarje tepër të rëndësishme, debatet, diskutimet bëhen të zjarrta duke mos u lënë vend trajtimit të ngjarjeve apo kujtimeve të mëparshme.
E vërteta është se në këto debate, dëshirojnë të flasin të gjithë, me radhë e pa radhë, e si e tillë flitet edhe me vend por më shumë pa vend, për arësye të mungesës së informacionit. Pas disa kohësh kjo ngjarje, për një periudhë kohe relativisht të gjatë, trajtohet në kuvende, por tashmë për ata që e kanë jetuar, tregohet e saktë, pasi është konsoliduar dhe shërben si përvojë për të ardhmen. E sotmja plotësohet dhe saktësohet nesër, merr formë dhe sipas rëndësisë mbetet ose nuk mbetet në historinë e një shoqërie, një grupimi, apo individëve. Kështu vazhdon të pasurohet historia e një populli apo kombi.
Ngjarjet e rëndësishme ose të parëndësishme që ndodhin në një shoqëri apo familje, nuk e marrin këtë karakter, ato mbeten në kujtesë për aq kohë sa është jetëgjatësia e kësaj shoqërie apo familjeje. Krijohen kujtime, të cilat shlyhen brenda kuadrit të një breznie. Duhet theksuar se edhe një individ për veprime të caktuara hyn në histori, rrit vlerat e kombit të tij. As vitet, as shekujt nuk e shlyejnë nga kujtesa, përkundrazi sa më shumë kalojnë vitet, individi me vlera mbetet i afërt, i nderuar nga njerëzimi. Për të tillë individë ka shumë nevojë shoqëria dhe kombi, prej të cilit duhet të mësojnë dhe veprojnë të gjithë.
Krahas këtyre individëve, ka dhe shumë të tjerë që, megjithëse gëzojnë respekt, kanë treguar durim, prudencë, kanë qenë të edukuar, të dashur, të sjellshëm, të urtë, kanë fituar reputacion në familje dhe në shoqëri, megjithatë nuk hyjnë në histori. Këta largohen nga jeta me dhimbje të madhe për familjen dhe rrethin shoqëror apo grupnjerëzish, por shumë shumë kujtimi i tyre arrin deri në një apo dy breza e më pas zëvëndësohen nga të tjerë. Ka dhe individë të tjerë që rastësia u jep shanse për tu ngritur mbi mesateren e breznisë së tyre, por që nuk arrijnë të kryejnë vepra të mira, të pëlqyera, por krijojnë diktat, terrorr, etj. Edhe këta individë hyjnë në histori, por nga historia përmenden që breznitë të përpiqen të mos marrin përvojën e tyre, të nxjerrin mësim dhe tu drejtohen idividëve të rasteve të para ose individëve të rasteve të dyta, duke bërë çmos tu largohen këtyre të fundit.
Kemi trashëguar mësime nga njerëzit e ditur se si duhet vepruar me kategori njerëzish të ndryshëm, që janë përkufizuar në këto raste:
● Nga ai njeri që është i ditur dhe e di veten që di, të mësojmë prej tij.
● Nga ai njeri që di, por e di që nuk di, duhet ta zgjojmë, ta nxisim, ta pyesim për të mësuar prej tij.
● Njeriu që nuk di dhe e di veten që nuk di, duhet ta ndihmojmë atë.
● Ndërsa nga njeriu që nuk di, por e heq veten se di, duhet të largohemi prej tij.
Siç shifet, nga njeriu i kategorisë së fundit duhet të jemi të kujdeshëm, pasi paraqesin rrezikshmëri. Një individ me këto cilësi, që rastësia e favorizon për të drejtuar në ç’fardo grupimi njerëzish, është një fatkeqësi deri në fatalitet. Uroj që të tillë njerëzve shanset të mos u afrohen kurrë. Individë që edhe nëna i ka mallkuar!.
Për njeriun tre janë momentet më të rëndishme të jetës. Lindja, martesa dhe vdekja. Momenti i parë dhe i tretë ndodhin dhe janë të pavarura prej tij, megjithatë ndodhin, janë të pavetdijshme.
Ardhja në jetë, lindja është e pavetëdijshme për atë që lind, por më pas bëhet e vetëdijshme dhe e ndërgjegjshm për lindjet e tjera; largimi nga jeta, vdekja është e ndërgjegjshme, e besueshme e pashmangshme, por e pavetdishjme, nuk dihet kur ndodh. Megjithatë, pavarësishtë se janë të tilla, të dyja këto momente, hasen në jetën e njeriut, ato ndodhin shpesh në mjediset shoqërore dhe si të tilla nga momente të veçanta, kthehen dhe bëhen ngjarje të zakomshme, të pranueshme. E megjithatë përsëri mbeten të veçanta, sepse këto ndodhin tek individët e një rrethi të veçantë.
Momenti i dytë është martesa. Kjo dallon shumë nga momenti i parë dhe i tretë.Pavarëshit se dallon nga ato dy momente, në të vërtetë martesa  është shkaku dhe dy momentet e tjera janë pasoja, varen tërësisht nga ky moment. Martesa është e vetëdijshme dhe e ndërgjegjshëme, prandaj ka veçori dalluese nga dy të tjerat.
Ndryshe nga gjallesat e tjera, tek njerëzimi, nga momenti i parë deri tek i treti, me ndërgjegjësimin e tij, kërkohet të njihet me ambientin që e rrethon, më pas me zgjerimin e njohurive si në hapësirë dhe në kohë, në fusha të shumta, siguron rritjen e nivelit të njohjes. Fillon të ecë në jetë në forma të ndryshme prej çdo individi.
Në momentin e lindjes, ndodhen pranë njerëz që gëzohen; në momentin e martesës ndodhen njerëz që sigurisht gëzohen, por që janë pjesërisht ata që e pritën në lindje dhe njerëz të rinj, që kanë lindur mbas tij. Në momentin e vdejkjes ndodhen pranë jerëz, një pjesë që e kanë pritur në lindje dhe shumica që kanë lindur mbas tij. Kjo është vijueshmëria e breznive dhe vetë jeta. Ky fenomen është gjithnjë i pranishëm në të tre momentet, kryesorja është të kuptohet bërja të ndërgjejghëm për këtë të vërtetë absolute. Sigurisht edhe kjo kuptohet nga të gjithë, por e domosdoshme është që të mendojmë dhe të veprojmë të gjithë me ndërgjegjshmëri, vetëm kështu arrihet në formimin e karaktereve të njeriut për të qenë i dashur, i sjellshëm, i rrespektuar, korrekt, të kuptojë dhe luftojë veset e këqia, diktatin, terrorrin, dashakeqësinë ndaj tjetrit, ti përgjigjemi njëri-tjetrit duke  menduar, vepruar siç dëshirojmë për veten tonë dhe të afërmit tanë.
Çdo njeri në jetën e tij kalon në disa faza. Çdo vit është i ndryshëm. Përafërsisht deri në moshën 7 vjeç njeriu rrethohet nga dashuria e të tjerëve, ndjen përkëdhelje, lëvdata, prindërve u jep gëzim dhe lumturi, prandaj thuhet “fëmija është gëzimi i jetës”. Vitet ikin, fëmija rritet, vazhdon shkollën, fillohet ndeshja me ambientin që e rrethon. Kalon mosha e adoleshencës, periudha më delikate për formimin e karakterit, ku kërkohet kujdes nga prindërit, mjedisi shkollor, gjithë ambjenti që e rrethon: elementë që ndikojnë fuqishëm në formimin e njeriut.
Në këtë moshë, qortimet ndaj veprimit apo mos veprimit, të realizohet me kujdes të veçantë dhe cilësor.
Vitet vazhdojnë, njeriu rritet fizikisht, formohet pjekuria mendore, bëhet më i arësyeshëm, më i durueshëm, fillon të mendojë për të ardhmen me më tepër kujdes, ndjen përgjegjësi për jetën e tij, të familjes dhe ndaj atyre që e rrethojnë. Të gjithha këto realizohen për t’iu përgjgigjur me më tepër përgjegjshmëri vështirësive të jetës dhe të mirave të saj. Ky është realiteti.
Ty të pritën të tjerët, ti përcjell ata që të pritën, por dhe pret ata që do të vijnë e që do ti duash shumë. Rotacioni në jetë vazhdon. Ti përcjell ata që të kanë dashur shumë, siç ty do të përcjellin ata që të duan shumë.
Është e papranueshme të arrihet të ndodhin veprime, ose mosveprime të pakontrolluara tek njerëzit, të krijohen ngjarje të padëshiruara, siç janë krimet, vrasjet, korrupsionet, smira , ligësitë për ti bërë keq të tjerëve. Përse njeriu pranon që në qenien e tij të ketë vend për egërsinë, arrogancën, mendjemadhësinë, diktatin??.
A nuk je ti o njeri, që u prite nga dashamirësit e tu e u rrite bashkë me ‘ta? Pse ti duhet të përcillesh pa dashamirës dhe në këto raste edhe në një kohë më të shkurtër se të tjerët?  Përse ti me veprimet e tua keqbërëse, duhet të përcjellësh të tjerët? A nuk e di ti se ç’farë përcjell tek dashamirësit e atij që i merr jetën?.
Këto karaktere ndodhin tek individët kur gjatë fazave të zhvillimit kanë patur plasaritje.  Nga mos “kurimi”, plasaritjet u bënë çarje, më pas u ndanë deri në pamundësi riparuese.
Këto arritje janë përgjegjësi e prindërve, të afërmve, të shkollës dhe të rrethit shoqëror që lejojnë përparimin e plasaritjeve tek individi, duke u zhvilluar egërsia deri sa individ arrin të kthehet në një përbindësh, një monstër. Janë paaftësi me përgjegjësi të rënda, përgjegjësi të dorës së parë, që askush nuk i justifikon.
Mendoj se ndaj prindërve që u dalin nga gjiri i tyre pjella të tilla, u duhet vendosur “izolimi” në jetën shoqërore, të kufizohen marrëdhëniet apo marrëveshjet me ’ta, mbasi nuk e meritojnë. Atyre nuk duhet tu jepen buzëqeshje. Izolimi jo ligjor i tyre të trajtohet si masë parandaluese ndaj lindjes së krimit, rrugaçërisë, vagabondazhit, hajdutërisë, etj. Ata duhet ta ndjejnë, të reflektojnë për keqbërjen ndaj të tjerëve, të mbeten kokëulur gjatë jetës derisa me edukimin e tyre të korigjojnë veset dhe prirjet negative të fëmijëve, të sigurojnë rritjen e brezave, me vlera pozitive ndaj vetes dhe shoqërisë.
Dihet në demokraci Ligji dënon krimin dhe kriminelin dhe jo familjen, ndërsa shoqëria, nëpërmjet kufizimeve duhet të ndikojë në familjet e kriminelëve. Mendoj qendrimi qortues, duhet të marrë përparësi në shoqërinë tonë.  Njerëzit para nesh kanë qenë kështu si edhe neve sot, apo edhe si do të jenë pas nesh (pa anashkaluar problemet e evolimit, ndryshimeve inteligjente, ndikimeve klimaterike, përmasat trupore dhe plus/minuset e jetëgjatësisë, siç ka ndodhur edhe mijëvjeçarët e shkuar). Kuptohet se nuk mund ta përjashtojmë prezencën edhe të individëve të tillë, por e sigurtë është se në çdo kohë prezenca e njerëzve të mirë dominon bindshëm ndaj individëve negativë.
Brezi i prindërve tanë, nuk kishte shqetësimet që ka brezi ynë. Edhe në fillimet e brezit tim (mënjanojmë periudhën e Luftës së Dytë Botërore), nuk ishin shqetësimet e 15 apo 20 viteve të fundi. Kjo është e vërtetë. Si ndodhi? Nuk do të bëj analizat për shkaqet e këtij fenomeni, por njohja me ngjarjet e ndodhura tek ne, gjatë dekadave të fundit, na jep një konkluzion të qartë që duhet të na shërbejë si për  grindjet e vogla, të mëdhatë e deri tek armiqësitë.                                                                                        
                                                    ●●●
Pozita dhe opozita, në çdo fushë të jetës, është e nevojshme të bashkëjetojë për të mirën e të dyja palëve, mbasi marrëdhëniet mes tyre kanë reflektime ndikuese në mbarë shoqërinë shqiptare. Pozita duhet të veprojë për të realizuar programin e saj elektoral si dhe të përpiqet të reflektojë ndaj problematikave të drejta që teston opozita. Opozita nga ana e saj duhet të kërkojë tek pozita të realizojë më tepër se ç’farë ka realizuar opozita kur ishte pozitë, ose në pushtet. Jo çdo gjë që bën  pozita është e keqe për opozitën dhe anasjelltas.
Pozitë-opozitë ka në politikë, në ekonomi, në shoqëri, në familje, kudo. Është ky fakt që personalisht mendoj të veprohet në çdo fushë, pozitë-opozitë, por me kusht që të konceptohet si më sipër, atëhere sigurohet zhvillimi, progresi. Ndryshe, të konceptuarit pozitë-opozitë me agresivitet, pa alternativa, duke luftuar mendimet dhe veprimet e njëra-tjetrës për ti zënë vendin, apo për lavdi, ose njëra apo tjera di më shumë, apo di më pak, një konceptim i tillë është frenues dhe shkatërrues.
Duhen evituar synimet e të luftuarit me egon për të qenë më lart se tjetri, për ti shkaktuar dëme tjetrit, por të punohet që sëbashku të jemi sa më lart, sa më të mirë dhe të ndihmojmë njëri-tjetrin. Kur kuptohet se një individ apo grup shoqëror ka cilësira më të mira se tonat, duhet ta dëgjojmë atë me vemendje, për të përfituar prej tij dhe të veprojmë si ai, mundësisht edhe më shumë e më mirë. Asnjëherë të mos ecim me mendimin se unë i dija këto gjëra para tij, kur realisht nuk diheshin; ose të shtiret sikur e falenderojmë, duke thënë: “Po, keni të drejtë”; dhe më pas të bëhet e kundërta. Derisa jemi krijesa me vetëdije, kërkohet të veprojmë si të tillë, për zhvillimin, progresin, për më të mirën dhe asnjëherë  për të kundërtën.
Njerëzimi na ka lënë në trashëgimi shumë gjëra me vlera të mëdha, krahas tyre edhe fjalë të urta, thënie të vlefshme të dijetarëve të mëdhenj të disa vendeve dhe popujve. Është e rendësishme që fjalët e urta, thëniet e vlefshme, jo vetëm që duhet ti mësojmë, ti dimë, por kërkohet që ato ti vëmë në jetë, në përdorim në punët, në sjelljet tona të përditshme.
Në fakt konstatohet se nuk po veprohet kështu, është pikërisht kjo që, në dekadat e fundit, kemi patur më tepër shkatërrime, shthurrje, anarki. Koha kërkon ti thërrasim ndërgjegjes, të bëhemi të përgjegjshëm se me veprimet që po kryhen po humbasim shumë nga kultura, ekonomia, nga dijet,  traditat, zakonet e paraardhësve tanë. Nuk jemi me më pak vlera se sa popujt e tjerë të cilët me dashamirësi po na ndihmojmë. Ata na kërkojnë të kthehemi tek e mira, të lëmë mënjanë egoizmat, etjen për pushtet dhe vënie pasurie me mënyra informale (vjedhje, mashtrime, korrupsione, trafikime të llojeve të ndryshme, punësime sipas militantizmit, etj,).
Njerëz, duhet të mendohemi seriozisht, të dëgjojmë me respekt fjalët e të parëve tanë dhe të trashëgimisë së kulturës botërore, ndryshe do të vazhdojmë të humbasim shumë dhe do të na duhet më vonë shumë kohë për ti ndrequr.
Shanset për të përfituar të mirat janë të pranishme më shumë se kurrë. Është e kohës, mediate të ruhemi nga individë që kujtojnë se dinë shumë, rrisin artificialisht vlerat e tyre, kur me veprimet që kryejne nuk tregojnë vlera, as tek mesatarja; këtyre individëve u duhet thënë që të ulen të mësojnë dhe punojnë më shumë nga sa mendojnë se dinë.
Sa më shumë të rritësh vlerat ndaj vehtes, kur nuk i ke, aq më shumë rritet emëruesi i thyesës tënde si njeri, ndërsa numuruesi mbetet “një”; ndërsa sa më shumë të të rrisin vlerat e tua të tjerët, aq më shumë rritet numuruesi i thyesës tënde si njeri dhe emëruesi mbetet “një”. Del qartë rezultati i vlerësimit të njeriut me anën e këtyre thyesave. Prandaj njerëzit nuk duhet të gabojnë, veçanërisht dhe detyrimisht nuk duhet të gabojmë ata individë që kanë marrë përsipër gjënë më të shenjtë, drejtimin e shoqërisë në të cilën jetojnë.
Çdo epokë ka problemet e saj, krahas zhvillmeve e përparimit mbarten edhe ngurtësime, pengesa, të cilat duhet me kujdes të mos i lejojmë të na ndodhin, ato nuk duhet të na udhëheqin, edhe kur ato kanë fituar terren, ne duhet tua shkurtojmë jetëgjatësinë,  askush nuk i do ato dhe nuk i mbështet.            
Gjatë viteve nëntëdhjetë në shoqërinë tonë ndodhën përmbysje të mëdha, të cilat sollën ndryshimin e formacionit shoqëror botëror. Këto ndryshime nuk erdhën se e deshte një pakicë, qoftë një individ, apo grupnjerëzish. Ndryshimet ishin objektive, ishin dallgë të mëdha që përfshinë gjithë sistemin e rendit ekonomik dhe politik të lindjes. Filloi një epokë e re dhe një epokë e re nuk mund të jetë produkt vetëm i një grupimi, aq më pak i një apo disa individëve cilëtdo qofshin, qoftë nga mënçuria, aftësia politike, shkencore apo guximi, trimëria apo zgjuarsia. Dihet rëndësia e rolit të individit, por jo pa mbështetje të gjërë popullore. Të kuptuarit ndryshe shpien tek  diktaturat.
             Ndryshimet në formacionet shoqërore kryhen dhe përvehtësohen në forma të ndryshme nga popujt dhe vendet e ndryshme. Shoqëria jonë këtë ndryshim (mënyra si e mendoi dhe vepoi për ta realizuar) po e paguan shumë shtrenjtë ekonomikisht, politikisht, psikologjikisht, moralisht dhe me humbje të mëdha në njerëz. Mbi  tremijë shqiptarë humbën jetën. Fillimisht u fol e u veprua shumë me teoritë:“terapia e shokut”, “do ta nisim nga zeroja”, etj. Veprimet e brendshme të vetë shoqërisë ishin nga më negativet, lulëzoj dhe u zhvillua korrupsioni në të gjitha fushat, u aplikua trafiku i armëve, i kladestinëve, filloi përhapja e prodhimit dhe e tregtëmit të drogës, prostitucioni hapi dyert e krijimit të tregtisë “nderi shitet me para”. Zhvillim të menjëhershëm mori mashtrimi i organizuar ndër administratat shtetërore, mashtrime të papara në privatizimet, u prek rëndshëm sistemi bankar, i cili nisi vjedhjet me dhëniet e kredive me prioritete njohjeje dhe me kolateral të pabesueshëm, luhatje të mëdha në interesat bankare, pasiguri në depozitat e parave që kryesisht siguroheshin nga remitancat. Kaotizëm i paimagjinueshëm në urbanistikë, kadastrat u kthyen në rregjistra bakallësh “merr kush të marrë”, sistemi i drejtësisë u kthye në shërbim të doravitjeve dhe ofiqeve. Nuk mbeti pa u  tronditur rendi publik, komunat, bashkitë u kthyen në zyra të shërbimit të të fortëve, të interesave personale me moton: “forca e parave ndërronte identitetet”, pagëzime emrash nga lapsat e nëpunësave të gjendjes civile, etj.
Mashtrimet, fenomen i ndrojtur në ato vitet e para, nisi shtrirjen nga individë të caktuar, por të besuarit e shtetit dhe të pushtetit, edhe tek popullsia e gjërë, nëpërmjet përdorimit të sistemit të fajdeve. Firmat piramidale lulëzuan si këpurdhat mbas shiut, 25 të tilla, si “Sudja” (Maksude Kadëna), “Vefa Holding”, “Gjallica”, “Silva”,”Leka”, etj. Fajdet nga individët e caktuar, përfituan dhe shfrytëzuan uljet e qëllimshme të interesave bankare për depozitat e qytetarëve nën nivelin e inflacionit. Ato fillimisht dhanë gjallëri dhe besim se rritën në disa raste të caktuara të ardhurat për jetesë. Më pas qytetarët e mashtruar dolën të zhgënjyer, mbasi atyre nuk ju kthyen as paratë e depozituara, principiali. Nga ato fajde përfituan ata që e ngritën, drejtuesit e shtetit dhe të pushtetit dhe të tjerë afër tyre. Qytetarët u mashtruan, u vodhën me “izmin” e shtetit, si rrjedhojë qytetarët e çorientuar u hodhën në revolta.
Përfundimi: Shkatërrim  i dytë, shumë i madh ekonomikisht, politikisht, moralisht, prikologjikisht dhe përsëri me humbje njerëzish, sidomos në moshat e reja. Ai 10 vjeçar përpiu sipërfaqe të tëra me varreza, si dëshmi historike për të treguar nisjen e anarshisë, rrëmujës, të lindjes dhe vendosjes së të keqes në mjaft fusha të jetës tek qytetarët e Shqipërisë. Përsëri arritëm tek teoria famkeqe e të djathtës shqiptare “teoria e zeros”,  “terapia e shokut”. Veprimet dhe mos veprimet që u ndërmorën për evitimin e atij fenomeni, ishin të gabuara. Masat nga qeveritë e kohës, nuk u morën  për shkatërrimin e firmave piramidale, por në emër të tyre (siç porosisnin organizmat e huaja) masat që u morën dëmtuan huadhënësit (kreditorët, hallexhinjtë), në masë të gjërë popullin.
Populli nuk u ndihmua në kohën e duhur, shteti ishte i pafuqishëm, ishte i korruptuar, për të mos thënë se institucionet shtetërore nuk ekzistonin. Insitucionet u shkatërruan, gjithçka i mbeti spontaneitetit, vendimeve të rrugës, frikës. U hedhën themelet për komandimin e shtetit nga krimi i organizuar, vrasjet, përdhunimet, trafiqet e ndryshme dhe në të gjitha fushat në armatime, naftë, prostitucion, drogat, korrupsioni në të gjitha institucionet shtetërore.
Shqipëria përsëri në udhëkryq. Nuk u arrit që ndryshimet të realizoheshin gradualisht, me programe, platforma serioze dhe me synim që institucionet e ngritura të përmirësoheshin dhe të paiseshin me rregullat e shtetit ligjor, por u pëlqye anarshia, rrëmuja dhe jashtë kontrollit shtetëror, mospërfillje ndaj ligjeve.
Ra filozofia me teoritë e zeros, terapitë e shokut, t’ja nisim nga e para, por pasojat ndjehen rëndshëm edhe sot. Gjithçka e ndërtuar dhe tepër e vlefshme për tu ambientuar, përshtatur me sistemin e ri, u dogj, u shkatërrua në forma të ndryshme, por asnjëherë pa përfitime nga drejtuesit  e institucioneve shtetërore të kohës. Megjithse në shoqërinë tonë, shoqëri e dalë nga sistemi socialist, nuk kishte ende subjekte individuale, biznese apo shoqërira me shumë para, nuk u mbajt në konsideratë veprimi me moton:“Prova e përparimit të një vendi, nuk është shkatërimi i atyre që kanë shumë para, por të mbështeten për të ndihmuar ata që kanë shumë pak para”!.
Në rastin tonë shkatërrimi nuk duhej të ndodhte tek objektet ekonomike, social-kulturore, në çvleftësimin dhe shitjen nga duar të caktuara si të objekteve të ndërrtimit, fabrikat, uzinat, shkatërrimet që ndodhën në gjihë sektorin e bujqësisë, sipas ideve të çmendura se ishin të ndërrtuara nga sistemi komunist. Qëllimisht nuk u respektua subjekti që i kish ndërrtuar realisht, u mohua se ato ishin produkt i duarve, dijeve dhe mundit të njerëzve: punëtorëve, fshatarëve, intelektualëve dhe që ishin tepër të nevojshme për të vazhduar shfrytëzimi i tyre për të sigurur jetesën. Armatimet, u çvleftësuan, u dhuruan për shitje njerëzve të preferuar, lindi trafikimi i armëve, i mjeteve dhe objekteve ushtarake, nafta etj.
Ndihmat e institucioneve të huaja, nuk ishin efikase, në raste të veçanta ato ndikuan negativisht.Kjo rrjedhojë e mos njohjes së koncepteve, karaktere, zakoneve dhe qeverisjeve po thuaj gjysëm shekullore, ndryshe nga qeverisjet e vendeve të tyre. Organizmat e huaja hodhën për zbatim duke përdorur recetat e disa vendeve me popullsi e vende të mëdhenj, të cilat u pranuan si tabu edhe nga disa”liderë” të grupimeve politike shqiptare, krejtësisht pa përvojë, në vendë që “recetat” e huaja, të pranoheshin mbasi të bëhej përshtatja sipas kushteve specifike të shoqërisë tonë.
Si “liderët” tanë politikë dhe organizmat e huaja ishin të një mendimi se vendi ynë ishte një vend që doli nga një shoqëri ku sistemi komunist ishte nga më të egërit, më ekstremi. Pikërisht, megjithëse e dinin dhe e shprehnin këtë, të dy palët, asnjëherë nuk e kuptuan, prandaj dhe gabuan mjaft rendë, ose u përdor për përfitime të grupeve të veçanta.
Në shumë vende dhe popuj të ndryshëm ka patur dhe ka konflikte “veri-jug”, kanë konflikte mes besime të ndryshme fetare. Këto konflikte të huajt, duke mos e njohur temperamentin e shqiptarit, tek i cili nuk ka ekstreme të tilla, janë jashtë konceptit shqiptar, mendonin dhe vepronin për ti mënjanuar. Të huajt, siç u tha, punonin me receta të përgaditura. Edhe këto metoda nuk sollën ndonjë përfitim, përkundrazi, ishte vetë populli që u tha si “liderve” tanë dhe të huajve që të punonin më shumë për njohjen e karakterit, zakoneve të këtij populli. Metodat e të huajve mund të shërbenin për zgjidhje problemesh në vende të tjera .
 Populli ynë ka disa zakone dhe tradita të veçanta nga të tjerët dhe me vlera të larta njerëzore, që e kanë zanafillën ndërshekuj, siç është ”vllami”, i cili nuk pengohet dhe as niset nga besimi fetar. Vllami përdoret mes dy personave pavarësisht nga feja; po ashtu kemi “falja e gjakut”, apo “kur armiku troket tek dera, ai trajtohet si mik dhe kur del nga shtëpia, përcillet si mik deri në një kufi të caktuar”. Ekzistencën e këtyre virtydeve nuk e dinin të huajt dhe kur u spjegohej ata e kuptonin por nuk e konceptonin, siç thotë Emanuel Kanti: ”Po nuk u fute në ujë, noti nuk mësohet”.
Politikanët tanë u shfaqën në një moment të caktuar, në kushte të caktuara, por u ra në kurriz një barrë e rëndë, ngarkesë që për fat të keq nuk e përballuan dot, si rrjedhim u arrit “komandimi” nga të huajt, të cilët vërtet ishin miq, kishin përvoja dhe receta, por që nga mos njohja me ambjentin shqiptar, nuk dhanë rezultatet që priteshin, ndofta në shumë raste dhe përkeqësuan situatat. “Përvojat” e tyre në disa raste ndikuan për keq edhe në moralin, karakteret e shoqërisë shqiptare, derisa u arrit që të mos dallohej, siç thanë edhe vetë të huajt, “ëngjëlli nga djalli”.
Në çdo situatë, ngjarje, kohë apo vend duhet të njihen mirë të dyja anët e problemeve, e mira dhe e këqia, ekstremet duhen studjuar me kujdes, në të njëtin moment, për të vazhduar më tej,  më tepër ndaj të mirës dhe të luftohet  e keqja.
Protagonistët e megapolitikës, me veprimet që kryen, shikonin tek njëri-tjetri vetëm anët negative, të këqiat dhe ngandonjëherë duke i zmadhuar dhe fryrë ato. Mbi këtë bazë u ndërtuan politikat konfliktuale, armiqësore, të egërsuara, me efekte negative tek e gjithë shoqëria. U rrezikua vetë ekzistenca e shoqërisë, u step synimi për të ardhmen, progresin dhe për një kohë të gjatë shoqëria jonë u karakterizua nga pasiguria, nga ankthi, u shpërbë morali, u shtuan streset, papunësia në nivel të ulët, po thuaj tek zeroja. Shqipëria përsëri në udhëkryq. Kjo politikë hipokrite “çuditet” dhe bën thirrje që “truri të mos emigrojë”.
U përdorën idera, teorira të papërshtashme që ndikuan negativisht dhe nxitën konfliktet gjatë gjithë viteve nëntëdhjetë.
Nga organizmat e huaja u rekomandua edhe “Pajtimi kombëtar”, term i përkrahur edhe nga  protagonistët e paaftë të politikës shqiptare. Edhe kjo ide ishte tërësisht e papërshtashme, nuk kishte baza. Ishte shumë e qartë se konfliktet nuk ishin tek mbarëshoqëria shqiptare brenda dhe jashtë kufirit. Konflikti ishte pikërisht tek të ashtuquajturit “liderë”, të cilët donin të ishin liderët e parë të demokracisë, pra për egon e tyre, për pasurimin dhe famën. “Shpatat” ishin drejtuar ndërmjet krerëve të grupimeve politike, pa qenë politikanë, por vringëllimi i shpatave goditi popullsinë e gjërë, gjithë shoqërinë e Shqipërisë, megjithëse nuk doli në fushë betejë (sepse nuk kishte luftë) e pagoi shumë rëndë dhe shtrenjtë. Kështu ndodhi, u ndoq krahu i kundërshtimit mes politikanëve, gjë që dashamirësit e shteteve të tjera nuk arritën ta kuptonin, ose bënin sikur nuk e kuptonin. Nuk u arrit të kthenin drejtimin drejt parimeve demokratike për pajtim të “politikanëve” dhe jo të mbaheshin fort tek “pajtimi  kombëtar”. Politika e shtrembër, nuk luftoi ish “luftën e klasave”, por u kultivua një luftë e re klasash me ndërrim subjektesh. Kur nuk vërtetohet diagnoza, dihen pasojat!.
Çdo grupim politik,  historikisht ndërtohet dhe organizohet duke u bazuar në një ideologji që i përket mbrojtjes të një apo disa shtresave të caktuara të popullsisë. Për arritjen e atyre ideologjive grupimet politike angazhohen. Në rastin e grupimeve politike të asaj periudhe, u përzien ideologjitë derisa mund të thuhet pa rezerva se të gjitha grupimet politike, bënin be e rrufe se ishin për përkrahjen e të gjithë popullit pa dallim. Humbi objektivi për të përfaqësuar shtresa të caktuara të shoqërisë, çdo gjë u përqendrua vetëm tek kush ishte më i forit, më i zoti për të marrë pushtetin, pavarësisht nga humbja që e kërcënoi seriozisht gjithë shoqërinë. Objektivi, mund të themi kishte degjeneruar nga mendja e liderëve, sepse ethet e pushtetit, mesa u duk, errësuan mendjen e njerëzve. Një mësim që duhet ta kemi parasysh dhe të marrim masa për ruajtjen nga kjo ideologji, e keqe, e dëmshme.
Tashti ka mbetur, ndofta varianti “kohë”. Dihet me kalimin e kohës rregullohen gjërat! Koha amortizon, korigjon, kthjellon mendjet, sjell mirësitë, demokracinë!  Shpresojmë
Përfundimisht besoj se populli me zgjuarsinë dhe të drejtën e pamohueshme të tij dhe me faktorin “kohë”, do të dijë të drejtojë ata që e drejtojnë!!
(Pjesë nga libri: Arbëria dhe thesprotët, maj1999).-
Një përditësim përmbledhës!
●.- Fenomenet negative të viteve nëntëdhjetë vazhdojnë të ndikojnë në shoqërinë tonë edhe sot. Ato janë bërë tre-katër herë më të thelluara dhe zgjeruara. Më i lehtësuar është fenomeni në humbjet e jetëve tek njerëzve, ku vrasjet nuk janë në përmasat e ‘96-’97-tës, por si rezultat i keq qeverisjeve 27 vjeçare kemi lindjen e fenomenit negativ të largimit të të rinjëve nga vendi. Një fakt, i cili është bërë vërtet shqetësues, si efekt i politikave të gabuara në çdo fushë, por më e theksuar në fushën ekonomike dhe sigurisë së jetesës së familjeve shqiptare.
●.- Po kështu në dy dekadat e fundit, ka një zhvillim të frikshëm, fenomeni i vendosjes së interesave për subjektet politike partiake mbi gjithshka. Plagjiaturë nga sistemi socialist “Partia mbi të gjitha”. Interesat partiake mbi ato të shtetit shqiptar dhe shqiptarëve. Gjithçka i kushtohet vlerësimit të subjekteve politike për përfitime formale, por më të dukshme dhe më të theksuara janë përfitimet informale që sigurohen në fushat ekonomike, politike, sociale, të glorifikuara nëpërmjet hipokrizisë demagogjike, të propagandës së ndërtimit të së drejtës dhe gjoja shtetit ligjor.
●.- Të vendosurit e çdo atributi, subjektit politik që sipas radhës merr pushtetin, duke anashkaluar prosperitetin tërësor të vendit, është një tjetër ngërç negativ tepër serioz me ndikim të fuqishëm në zgjatjen e tranzicionit. Tranzicion që krijon fusha veprimi për korrupsionet e llojeve të ndryshme, frenim i vetëdijshëm (i projektuar nga oligarkët dhe mafiozët politiko-ekonomikë) për aspiratat europiane të popullit shqiptar. 

Itali, më 19.02.2018.-             Fahri Dahri

No comments: