Sunday 4 February 2018

NJË BIR I SHQUAR I DIASPORËS

Thanas L. Gjika

NJË BIR I SHQUAR I DIASPORËS
(Sprovë për jetën e veprën e Astrit Lulushit)

Kur fillova të lexoja disa vjet më parë shkrime të Astrit Lulushit te forumi “Alb-shkenca”, te gazetat “Illyria” e “Dielli”, etj, më tërhoqi menjëherë mënyra e tij e të shkruarit qartë dhe shkurt. Mu kujtua Faik Konica. Ky tipar i përbashkët i tyre buron nga fakti se kthjelltësia në të shkruar vjen nga qartësia e mendimeve.
Para meje, shkrimet e Lulushit janë vlerësuar prej disa penave autoritare si Prof. Sami Repishti, Fotaq Andrea, Dashnor Kokonozi, Faruk Myrtaj, etj. Për të shkruar këtë portret biografi për këtë autor prodhimtar, të thukët dhe të
thellë, u lidha me të dhe pas leximit të vëmendhëm të veprave ia fillova me të diskutimit të mendimeve, për të realizuar këtë sprovë ku përpiqem të nxjerr në dukje momentet trimërore të jetës së tij dhe vlerat kryesore të krijimtarisë.
Gjithë të arratisurit politikë që nga viti 1944 deri më 1991 pas largimit nga atdheu, edhe pse propaganda komuniste i mallkoi si armiq dhe i dënoi me heshtje, nuk e harruan popullin dhe atdheun, por e vunë në fokus të punës së tyre. Ata nuk pushuan së luftuari për shëmbjen e diktaturës komuniste, për demokratizimin e vërtetë të jetës së popullit shqiptar dhe lirinë e shqiptarëve të Ish Jugosllavisë. Dhe duhet të kemi parasysh se me Shqipëri e popull shqiptar këta atdhetarë nuk kishin parasysh thjesht Shqipërinë londineze dhe popullin e saj, si mendonin, flisnin e shkruanin zyrtarët, politikanët, shkrimtarët dhe artistët që i shërbenin diktaturës komuniste. Me Shqipëri, këta atdhetarë kishin e kanë parasysh Shqipërinë e vërtetë, atë të plotën, që përfshin gjithë popullin që flet gjuhën shqipe pavarësisht se ku jeton. Të tillë koncept për Shqipërinë dhe popullin shqiptar ka dhe Astrit Lulushi.
Kjo mençuri e këtyre intelektualëve atdhetarë ka ndikuar edhe te shumica e intelektualëve që emigruan për arsye ekonomike pas vitit 1992, për t'i parë e trajtuar problemet e botës shqiptare në plan të gjerë e jo si Shqipëri londineze, ose Kosovë shtetth i pavarur.
* * *
Astrit Lulushi, gazetar në “Radio Zëri i Amerikës” (VOA), është autori i shumë artikujve, analizave, eseve, autor i gjashtë librave me shkrime origjinale dhe i një vëllimi me përkthime të 63 soneteve të Shekspirit. Si pak kush, ai realizoi ardhjen në SHBA më 1985 duke kryer i vetëm një arratisje të rrezikshme. Ai u lind në lagjen Laprakë të Tiranës më 8 tetor 1953. Babai i tij Reshati (1916-1994) ishte lindur në Libohovë, kishte mbaruar “Shkollën Tregëtare” të Vlorë dhe në fund të vitit 1943 kishte dalë partizan. Mbas mbarimit të Luftës Antifashiste ky ish partizan u vendos me banim në Tiranë. Mirëpo për shkak se vëllai i tij, Skënderi, kishte marrë pjesë në Luftën Antifashiste në radhët e “Ballit Kombëtar”, nuk iu dha ndonjë post ose detyrë si ekonomist i kualifikuar që ishte, por u la të punonte si llogaritar i thjeshtë. Më 1945 Reshati u martua me vajzën Seadet, (shkurt Seo, 1926-2011) nga familja Çene e Nepravishtës, fshat afër Libohovës. Nga kjo martesë u lindën gjashtë fëmijë, pesë djem e një vjazë (Jaho, Eduardi, Astriti, Gëzimi, Liliana dhe Alberti). Seoja ishte bijë e një familjeje që i kishte dhënë një dëshmor Luftës Antifashiste. Vëllai i saj i vetëm në moshën 14-vjeçe ishte bashkuar me forcat partizane kur ato kaluan nëpër Nepravishtë dhe në fund të vitit 1944 atë e inkuadruan në forcat e Brigadës së VIII, e cila u dërgua për çlirimin e popujve të Jugosllavisë. Ai u vra në luftimet kundër forcave gjermane për çlirimin e qytetit Vishegrad të Bosnjës në janar 1945.
Për të përballuar nevojat e jetës, Seo më 1957 hyri në punë në fabrikën e këpucëve aty në Laprakë, si punëtore. Më 1968, kur filloi të lindëte shpresa për të hedhur një hap drejt përmirësimit të jetës me punësimin ose shkollimin e lartë të djalit të madh, ndodhi një goditje e papritur. Forcimi i luftës së klasave, u shtri edhe në familjen e Reshat Lulushit. Këtij ish partizani e kunat dëshmori, këtij babai të gjashtë fëmijëve, filloi t'i përmendej dendur fakti se vëllai i tij ishte dënuar prej pushtetit popullor. Lufta e Klasave forcohej. Djalit të tretë, Astritit, i cili atë vit mbaroi shkollën 8-vjeçare, nuk iu dha e drejta për të ndjekur ditën një shkollë profesionale. Kështu Astriti u detyrua të regjistrohej në shkollën e mesme pashkëputje nga puna.
Më 1970, lufta e klasave solli pasoja të tjera: Reshatit iu mohua e drejta e ushtrimit të profesionit llogaritar dhe u dërgua të punonte si punëtor në Kombinatin Ushqimor. 
“Në familjen tonë në mbrëmje, tregon Astriti, bisedohej shpesh për padrejtësitë që po na bëheshin, për trajtimin si familje me biografi të keqe. Këto biseda ma shtonin pakënaqësinë e cila dalngadal në mendjen time u kthyen në urrejtje ndaj zyrtarëve dhe sistemit politik. Im atë, për të më dhënë kurajo e për të më nxitur që të studioja sa më shumë, më thoshte shpesh: 'Nuk të mëson shkolla, po jeta, prandaj puno e studio vetë sa më shumë!'
Pasi mbarova shkollën e mesme, shkoja te libraria e librit universitar, atje blija dispenca të shkencave që më pëlqenin. I lexoja me vëmendje dhe kur takohesha me shokët e mij studentë diskutoja me ta dhe vija re se kisha zotëruar njohuri që ata kishin marrë duke ndjekur fakultetet e ndryshme ditën. Të tilla takime më mbushën me besim e optimizëm, se një ditë do të punësohesha në ndonjë punë që më pëlqente. Mirëpo të tilla shpresa mbetën ëndrra.
Astriti punonte si mekanik tek “Uzina Enver” dhe studimet si autodidakt i bëri pasion e natyrë të dytë. Nuk la pa lexuar asnjë roman të letëresisë sonë dhe të letërsisë botërore që ishte përkthyer, studioi dhe shumë libra të disa shkencave si gjuhë, letërsi, shkenca natyrore e histori. Më 1973 ai mbaroi shërbimin ushtarak dhe rifilloi punë tek uzina prej ku ishte larguar. Atë vit ai u njoh me zonjushen Iliriana Shishka që sapo kishte mbaruar gjimnazin. Familja e saj ishte me origjinë nga fshati i vogël Gërmenj i Skraparit, vendbanim i krijuar prej banorëve të shpërngulur nga fshati Gërmenj i Kolonjës. Mbas pesë vjet njohjeje çifti realizoi martesën, kur dhëndëri ishte 25-vjeçar dhe nusja 24. Iliriana kishte zotëruar zanatin e rrobaqepses dhe punonte në Ndërmarrjen e Punim Veshjeve (NPV).
Mbas një vit martese u shtuam me vajzën Romina, gëzimi i parë i familjes, vijon Astriti. Pas tre vjetësh pune vullnetare për ndërtimin e pallatit krahas punës në uzinë, e pas shumë përpjekjesh e ankesash në ndërmarrje e lagje, mezi më dhanë një apartament me një dhomë e një kuzhinë. Në maj të vitit 1985 na lindi djali Stiven, por ky gëzim i dytë, për shkak të pakujdesisë së mjekut gjatë lindjes, u kthye në një fatkeqësi, sepse djalit i shkaktoi paralizë cerebrale (celebral palsy). Kjo goditje ma shtoi zemërimin dhe urrejtjen ndaj regjimit.”
Vdekja e diktatorit në prill të atij viti ngjalli shpresa tek Astriti si te shumë të rinj se diktatura nuk do të vijonte gjatë. Ndërkohë duke e parë Ilirianën se me sa përkushtim po sakrifikohej për të rritur dy fëmijët dhe sidomos për të mposhtur vështirësitë e djalit, këtij babai të ri iu hap një plagë në zemër. Ideja se sëmundja e djalit mund të shërohej jashtë shtetit, u bë një shtytje tjetër për të menduar se arratisja ishte e domosdoshme me shpresë për të rregulluar një ditë fatin e familjes.
Më 12 korrik 1985 i thashë Ilirianës se do të shkoja në Sarandë të shikoja mundësinë për të gjetur një kabinë plazhi, rifillon Astriti. Kisha shokë, që ishin dhe ata të pakënaqur nga regjimi dhe që ishin të gatshëm të arratiseshin, por unë nuk njoftova asnjë prej tyre, duke menduar se mos kapeshim dhe i merrja në qafë. Kështu, pa njoftuar askënd, të nesërmen u nisa me tren dhe pastaj vijova me autobuzët e linjës dhe mbërrita në Sarandë nga ora 6 pas dite. Shkova nga kabinat e plazhit, shëtita anës detit ku gjeta një vend jo larg hotel turizmit ku mendova se ishte vend i përshtatshëm për të nisur aventurën time drejt lirisë. Pasi u sorollata disa orë, shkova te vendi në mesnatë. Nxora pompën e biçikletës që e kisha lidhur te kofsha, fryva kamardaren e biçikletës që e kisha mbajtur të palosur e mbështjellë nën sjetull. U zhvesha. Rrobat i lashë nën një gur. E mbështolla kamardaren dy herë rreth belit dhe u futa në ujë për të luftuar i vetëm për jetë a vdekje. Me zë të brendshëm i thashë vetes: 'Ndihmomë o Zot të arrij gjallë në Korfuz!'
Mirëpo, dritat e Korfuzit dukej sikur po më largoheshin. Herë pas here motobarkat shqiptare të patrullës kufitare kalonin rreth 800-1000 metra larg. Njëherë njëra m'u afrua nja 500 metra. Dritat e saj më verbuan sytë. Mu kujtuan
ata dy djemtë që kishin vrarë tre javë më parë ushtarët e këtyre motobarkave, si më treguan tek kafja, të cilët i kishin tërhequr zvarrë nëpër rrugët e Sarandës pas një kamioni. Mu rrëngjeth mishi, mu bë sikur dhe mua po më tërhiqnin zvarrë si shembull për të tmerruar popullin. Ndalova notimin, futa kokën nën ujë e qëndrova pa lëvizur. Pas pak nxora vetëm kokën për të marrë frymë... Zhurma dhe dritat e motobarkës filluan të dobësoheshin... Fillova të notaja përsëri, por i trembur...
Erdhi mëngjezi, Korfuzi ende ishte shumë larg. Notoja e pushoja, por lodhja bënte të vetën. Fillova të shihja mirazhe. Mu tha goja për ujë, më dukej se nuk do të arrija gjallë, se do mbetesha atje midis ujrave, si një kufomë pa vlerë. Fat i madh që në detet tona nuk ka peshkaqenë. Herë pas here e humbja mendjen për minuta të tëra... Anijet shqiptare të patrullimit nuk po dukeshin më. Isha përtej ujrave neutrale. Ndjeva një farë gëzimi, por lodhja po më bezdiste, krahët sikur më ishin prerë. Nga pasditja ndjehesha krejt i raskapitur, isha gati pa ndjenja...
Kur hapa sytë pashë një si anije të madhe jo larg meje. Fërkova sytë se mos shihja ndonjë mirazh. Anijen, madje dhe pasagjerët i dallova qartë. Mblodha fuqitë dhe fillova të thërrisja për ndihmë. Pasagjerët nuk e kishin mendjen. I shtova thirrjet dhe fillova të lëviz krahët për të tërhequr vëmendjen e tyre. Dhe ja njëri më pa dhe i nxiti të tjerët të shihnin drejt meje. Ata u kthyen nga unë dhe filluan të më shikonin. Zëri im i brendshëm klithi: 'Rrofsh o Zot që më shpëtove!'
Më morën me një barkë e më shpunë në bord, më veshën, më vizitoi doktori. Donin të më ushqenin, por goja e stomaku im ishin mbingopur me kripë e nuk pranonin asnjë lloj ushqimi, as kafen. Kapiteni më sqaroi se anija ishte anije turistike greke me emrin “Lidia”. Më propozoi të më dorëzonte në Brindizi të Italisë ku po shkonte dhe unë pranova. Në dokumentet e rastit që mbusha sqarova se u largova nga Shqipëria sepse isha i pakënaqur nga regjimi politik dhe se kërkoja strehim politik në Amerikë. Në Brindizi u përsërit procedura e mbushjes së dokumenteve. Më dhanë disa pare xhepi dhe biletën e trenit për në qytetin Latina pranë Romës, ku ishte kampi i refugjatëve të ikur nga vendet komuniste të Europës lindore.
Ramiz Alia, tashmë numëri një, donte të krijonte idenë se diktatura po zbutej. Prindërit e Astritit pensionistë që jetonin me fëmijët e pamartuar nuk u prekën. Prindërit dhe familja e Ilirianës, gjithashtu. Edhe Iliriana me fëmijët vijuan jetën, natyrisht të trembur, në po atë banesë dhe në po atë punë. Prindërit, motra e vëllezërit e mi e mbanin afër Ilirianën dhe fëmijët.
Dëshira e Astritit që regjimi diktatorial në Shqipëri të përmbysej sa më shpejt, u realizua pas 5-6 vjetësh. Në fillim të korrikut 1990 populli i pakënaqur u hodh mbi muret e ambasadave të huaja në Tiranë për të ndihmuar në shëmbjen e diktaturës. Iliriana me Stiven në krahë dhe Rominën për dore, së bashku me Albertin e Jahon, dy nga vëllezërit e Astritit, ishin mes banorëve që u hodhën të parët mbi muret e Ambasadës Italiane. Pas gati një viti ata arritën në SHBA. U realizua ëndrra e bashkimit familjar. Ditë gëzimi të papërshkrueshme. Më pas erdhën me familjet e tyre dhe vëllezërit e tjerë dhe motra e Astritit. Të gjithë këta, që nga viti 1991 gëzojnë jetën e lirë në SHBA, ku shfrytëzojnë mundësitë e këtushme për të jetuar një jetë gjithnjë e më të mirë, natyrisht duke luftuar për të arritur suksese në konkurencën amerikane.
Romina, atëhere 11-vjeçe, vijoi shkollimin dhe tani është diplomuar për shkenca politike nga “George Mason University”. Ajo u martua më 2011 dhe tani ka një djalë me emrin London, 6-vjeç. Kurse Stiven, i ndihmuar edhe prej nënës së tij dhe mësuesve, vijoi luftën kundër efekteve të paralizës cerebrale. Por ëndërra e tij për të ecur vetë nuk u arrit, e megjithatë ai nuk e ndërpreu luftën në këtë drejtim, si dhe përpjekjet për shkollim. Me rastin e largimit të tij nga jeta më 28 maj 2017, në moshën 32-vjeçare, gazeta “Washington Post”, midis tjerash shkroi:
Steven Lulushi... donte të bënte gjithça. Nga të mësuarit rreth jetës për ta jetuar vetë jetën. Ai i gëzohej matematikës dhe kishte një mendje kureshtare, një zemër të madhe plot dashuri, ishte i kujdesshëm dhe shqetësohej për ata që donte. Dashuria e tij për muzikën, filmat, sidomos komeditë dhe notin, ishte e njohur nga ata me të cilët kalonte kohën. Ai u diplomua nga shkolla fillore “Marumsco”, nga shkolla 8-vjeçare “Indipendence” dhe nga shkolla e mesme “Woodridge”. Steven ndoqi programet e arsimit për shkencat kompjuterike... ai e jetoi jetën e tij si një person i harmonizuar duke e pasuruar jetën e të gjithë atyre që e njihnin.
Astriti pas kalimit të asaj jete të vështirë dhe peripecive të arratisjes, kur erdhi në SHBA ndjehej i etur për studim dhe punë. Në fillim u vendos në Boston MA, ku kreu për dy vjet studimet për gjuhën angleze. Më 1987 filloi punë si gazetar për përgatitjen e programit në gjuhën shqipe në “Radio Monte Karlo” në Ohio. Pas dy vjetësh filloi punën si gazetar në “Radio Zëri i Amerikës”, ku filloi të shfaqë gjithnjë e më dukshëm aftësitë e veta si gazetar e analist duke shkruar për shkencën, artin, letërsinë, mbi figura të shquara të diasporēs, etj, si dhe të botonte edhe në gazeta të ndryshme të diasporës e në revista interneti. Kështu filloi të bëhej gjithnjë e më i njohur...
* * *

Kalendari Historik...” - një enciklopedi e vërtetë
Vepra madhore “Kalendari Historik...” e Astrit Lulushit është shkruar duke iu drejtuar njëheresh si lexuesve dhe dëgjuesve, sepse ajo mund të lexohet prej nesh, por edhe mund të dëgjohet në emisionet radiofonike në hapjen e ditarit çdo mëngjez. Jeta e njeriut është e vështirë dhe shumë e ngarkuar, por ushqimi i mendjes është gjëja më e rëndësishme, dhe ushqimin për të e gjejmë në libra, sidomos në libra të llojit enciklopedik.
Kur e pyeta autorin, si të lindi ideja për të hartuar një libër me kaq shumë të dhëna? Ai më sqaroi:
Një ditë duke lexuar, u ndesha me shprehjen: “Mos u anko se nuk ke kohë, sepse të njëjtën kohë 24 orëshe ka patur edhe Ajnshtajni”. Sikur u përmenda, dhe thashë me vete, këto fjalë u drejtohen të gjithëve, natyrisht dhe mua. Hodha sytë mbi librat e shumtë që kisha rreth meje dhe mendova, prej tyre mund të nxirret diçka e koncentruar dhe t'u jepet e gatëshme kujtdo që lexon a fillon të lexojë. Dhe vendosa; çdo ditë, mbas pune, në shtëpi punova nga 2-3 orë dhe brenda vitit e ndërtova këtë kalendar, që shqiptarëve u mungonte. Dhe doli për bukuri, falë edhe shtëpisë botuese TIRANA TIMES dhe kujdesit të mikut tim Jorgji Qirjako.”
Çdo njeri, thotë populli, nuk ngopet me dituri, pare dhe lavdi. Sa më shumë të dish, aq më shumë kërkon të mësosh; sa më shumë pare të kesh, aq më shumë kërkon t'i shtosh; sa më shumë të të lëvdojnë e nderojnë, aq më shumë ndere dhe lavdi kërkon. Dhe pikërisht për të shtuar dijet e njeriut janë krijuar dhe kalendarët historikë me të cilët fillojnë emisionet e shumë radiostacioneve në gjuhë të ndryshme.
Edhe radiot e televizionet shqiptare duhet të fillojnë me të dhënat e “Kalendarit Historik...” që ka përgatitur Astrit Lulushi në 1202 faqe, për 365 ditët e vitit. Të ngazëllen mprehtësia logjike e autorit dhe vullneti e pasioni prej kërkuesi enciklopedist. Këtu gjendet esenca e ngjarjeve më të rëndësishme që kanë ndodhur çdo ditë të vitit në mbarë globin dhe në mbarë botën shqiptare. Aty mëson thelbin e ngjarjeve më kryesore që kanë luajtur rol në historinë e njerëzimit dhe të popullit tonë. Jepen bëmat dhe jetëshkrimet e njerëzve të shquar (meshkuj e femra), shkencëtarë, politikanë, shkrimtarë, poetë, muzikantë, piktorë, skulptorë, fotografë, kineastë, aktorë, ushtarakë, etj që nga koha antike deri në ditët tona. Shumë prej këtyre zërave janë të pajisur me fotografi ose riprodhime pikturash, herë herë dhe me sentenca njerëzish të mëdhenj.
Për ta bërë sa më të lehtë kapjen e ideve të shkrimeve të veta, ky autor në “Kalendarin Historik...” dhe në të gjitha përmbledhjet, si dhe në librin me sonete të Shekspirit, ka futur shpesh herë riprodhim piktuarsh nga veprat e artit botëror, falë përzgjedhjes së kujdesshme nga mjeshtri i punimeve grafike Roland Lelaj në Kanada. Ne nuk do të ndalemi në këtë aspekt me vlerë të këtyre veprave, duke ua lënë studiuesve të artit të pikturës të japin mendimet e tyre.
Botimi i një vepre të tillë ka qenë shumë i nevojshëm, sepse leximi i materileve të saj ndihmon shumë më tepër sesa dëgjimi i tyre në radio e televizion, mbasi leximi ndihmon përmes përqendrimit dhe rileximit për të pasuruar më thellë njohuritë dhe botëkuptimin tonë, gjëra që ndikojnë në përsosjen tonë si qenie njerëzore të moralshme.
Thënë shkurt “Kalendari Historik...” i Astrit Lulushit, është një vepër shumë e vlefshme enciklopedike e cila duhet të hapet e lexohet çdo mëngjez para fillimit të punës prej të gjithë shqiptarëve, sepse aty gjenden të dhëna me vlerë që nuk gjenden në kalendarë të tjerë dhe as në “Fjalorin Enciklopedik Shqiptar” vëll. 1-3, botim i Akademisë së Shkencave të viteve 2008 - 2009, hartuar prej një ekipi të madh bashkëpunëtorësh shkencorë dhe redaktuar prej shumë studiuesish me tituj shkencorë.
* * *

Demokrati i vërtetë e dënon, nuk e justifikon diktaturën komuniste
Në Shqipërinë diktatoriale u nxit dhe u ndihmua nga shteti lindja dhe zhvillimi i një kulture servile që justifikonte, mbronte dhe propagandonte politikën dhe bëmat e partisë shtet. Kurse kultura demokratike, ajo që përpiqej të ecte në rrugën e traditës së hapur prej rilindësve dhe intelektualëve demokratë të mëvonshëm, u nënvleftësua, madje jo rrallë u dënua si kulturë borgjeze e me ndikime të huaja.
Mbas shkërmoqjes së diktaturës komuniste në Shqipëri po konkurojnë dy mendësi. Njëra justifikon dhe mbron shumicën e veprave të letërsisë, artit e shkencës që u krijuan gjatë kohës së diktaturës dhe tjetra kritikon shumicën e këtyre veprave të letërsisë dhe artit të realizmit socialist dhe të shkencës servile që mbronte pushtetin diktatorial. Mendësia që justifikon e mbron veprat e kohës së diktaturës përfaqësohet prej atyre krijuesve dhe studiuesve që i krijuan veprat e tyre gjatë kohës së diktaturës për ta mbrojtur e lëvduar atë. Ata e bëjnë këtë krim të ri sepse nuk duan të pranojnë që kanë gabuar, që kanë kryer krim ndaj popullit me veprat e tyre servile ku shtrembëruan të vërtetën. Kurse mendësia që mban qëndrim kritik ndaj shumicës së veprave të kohës së diktaturës, përfaqësohet prej intelektualëve demokratë (shkrimtarë, artistë, studiues) që vijnë nga radhët e ish të përndjekurve të ndërgjegjes, të arratisurve dhe prej atyre që në kushtet e reja përpiqen të evoluojnë drejt lirisë e demokracisë.
Në këto 28 vjetët e fundit, mendësia e dytë po merr përmasa gjithnjë e më të gjera dhe po i shton radhët me kuadro të rinj që po formohen në Europën Perëndimore, në Amerikë, por edhe brenda vendit. Kurse mendësia që justifikon e mbron shumicën e veprave të krijuara gjatë diktaturës komuniste nuk po i shton dot radhët e veta. Ajo po i humbet gjithnjë e më shumë njerëzit e vet, megjithë përkrahjen që u japin qarqet partiake dhe qeveritare socialiste, pasardhës të PPSH-së.
Me veprat e veta, Astrit Lulushi dëshmon hapur se është një ndër intelektualët më aktivë të mendësisë demokratike që kritikon krahas diktaturës komuniste edhe shumicën e veprave që u krijuan gjatë sundimit të saj si vepra të realizmit socialist.
Në librin e parë me shkrime analitike, artikuj, ese, etj me titull “Pak Ndryshe” (TIRANA TIMES, 2010, 492 f.) që po ndalemi këtu, Lulushi e quan shëmbjen e kupolës komuniste më 1991-1992 “thjesht dështim i një sistemi ekonomik që me kokëfortësi qëndroi deri në falimentim të plotë politik e moral”. Mirëpo sipas ligjeve ekonomike shton ai “një person a ndërmarrje që falimenton, nuk ka të drejt të zotërojë pronë e pasuri pa paguar më parë borxhet, shpenzimet a humbjet si rezultat i shpërdorimeve që çuan në dështim” (f. 255-256).
Kjo gjë nuk ndodhi në Shqipëri, ku ish komunistët e ish sigurimsat besnikë të kupolës së vjetër, brenda një nate ndërruan emrin në socialistë dhe duke vjedhur e trashëguar pasurinë e popullit u gdhinë pasanikë të rinj pa detyrime, kurse të përndjekurve politikë dhe të shpronësuarve nuk iu dha dëmshpërblimi a kompesimi që meritonin.
Lulushi depërton dhe në histori dhe jep shpesh herë shpjegimin e tij të ndryshëm. I tillë është rasti i sakrificës që bënë disa atdhetarë (midis të cilëve ai nënkupton Mustafa Merlika Krujën, Xhevat Korçën, Qazim Koculin, Rexhep Mitrovicën, Lef Nosin, Patër Anton Harrapin, etj). Këta burra të pjekur në rrethanat e pushtimit fashist e nazist pranuan të mernin pjesë në krijimin e qeverive shqiptare bashkëpunëtore me pushtuesin. Këta njerëz të njohur për atdhetarinë e tyre që nga Rilindja, Shpallja e Pavarësisë, Lufta e Vlorës, etj, sqaron Lulushi, duke e vlerësuar pushtimin si të përkohshëm, sakrifikuan gjithça nga vetja me synimin që të ruanin atë që do të mbetej për gjithmonë: atdheun dhe popullin. Kurse komunistët, të cilët atdhetarët e mësipërm i quanin “të papjekur e çiliminj” duke flijuar gjithça në shërbim të një ideali të huazuar, u treguan të paaftë e të papërgjegjëm kur morën në duar fatet e atdheut e të popullit duke shkaktuar dhimbje e viktima të panevojshme e duke shkelur e shkatërruar çdo vlerë të traditës, përfshi Besën (f. 55).
Aftësia e këtij autori për të karakterizuar shkurt epoka të ndryshme historike të popullit tonë të bën për vehte. Kështu duke shkruar për gjysmën e dytë të shekullit XX-të, të quajturën “epoka e diktaturës së proletariatit”, ai sqaron se ajo filloi me gjendjen e mjeruar të trojeve shqiptare, pavarësisht se në cilin shtet bënin pjesë. Me mijëra ishin vrarë, burgosur, internuar nga shqiptarë të rinj në moshë e ide, të cilët po tregoheshin po aq të pamëshirshëm sa ishin treguar pushtuesit e hauj më parë. Jeta njerëzore po shpërdorohej. Luga e florinjtë që u premtua gjatë L2B u zëvendësua me metal pa vlerë. Ideali i ri, komunizmi, kishte marrë pamje të rëndë dhe për t'u dukur jo i frikshëm, filloi të propagandonte të ardhmen, së cilës po i besonin të rinjtë. Kështu, të rinjtë jetonin në të ardhmen, ashtu si të moshuarit në të kaluarën; por njerëzit, shumica detyroheshin të jetonin në të tashmen dhe e tashmja ishte ferr. Mijëra besimtarë ideologjikë dhanë jetën për këtë utopi, mijëra të tjerë jetuan me shpresë se prej saj do të rridhte dritë. Sa shumë bij të revolucionit u dënuan si dhëndurë të “reaksionit”. Shumë vepra shkrimtarësh, poetësh, kompozitorësh u grisën e u bënë karton.
Dhe kur ideologjisë i erdhi fundi, përfundon autori, të parët dolën ata që asgjë nuk kishin mësuar (pësuar) dhe asgjë nuk kishin harruar. Çfarë komedie, kjo tragjedi, me të qeshura e lot të hidhur” (f. 66).
Një shpjegim origjinal i jep ky analist edhe fenomenit “komunizëm”, për të cilin ai jep mendimin se është i njëjtë me dogmën fetare, por meqenëse marksizmi nuk e njeh Zotin, u quajt ideologji dhe jo fe (f.141). Eksperimenti komunizëm shpuri në ideologjizimin e shtetit, një fatkeqësi e njëjtë me rastin kur shteti fetarizohet. Shtetet e lira perëndimore shkuan përpara, sepse ato ishin të ndara si nga ideologjia dhe nga feja.
Për zhurmën që po bëhet në Shqipëri për rishikimin dhe rishkrimin e historisë, ky analist jep mendimin e tij thjesht e qartë: “historia duhet shikuar e treguar ashtu si ka ndodhur”. Me guximin e tij prej qytetari të lirë, ai pohon se komunistët nuk kishin si qëllim të mirën e atdheut, por marrjen dhe mbajtjen e pushtetit me çdo kusht, prandaj krimet e tyre ishin aq mizore ndaj njerëzve dhe ndaj historisë (f. 147). Më tej ai vijon arsyetimin si historian dhe tregon se pas ardhjes në pushtet komunistët e rishikuan historinë dhe e rishkruan duke i modifikuar ngjarjet në atë mënyrë që vetëm ata të delnin si shpëtimtarë të gjendjes dhe fateve të atdheut. Për çdo dështim të politikës së tyre ata fajësonin armiqtë e vjetër (borgjezë, nacionalistë e intelektualë perëndimorë) dhe kur këta u mbaruan sepse i kishin burgosur, internuar, ose ishin arratisur; u desh që të krijoheshin armiq të rinj të cilët përzgjidheshin nga radhët e vetë PPSH-së. “Në kërkim të gjetjes me doemos të një armiku për dështimet, përfundon Lulushi, komunistët u bënë armiq të vetvetes” (f. 149).
Në përpjekje për të zbërthyer karakterin e Mbretit Zog I, Faik Konicës e Fan Nolit dhe të diktatorit Enver Hoxha, Lulushi pasi sqaron se vetëm njerëzit me virtute janë ata që kanë miq, shton: “Mbreti Zog, disa herë objekt atentatesh, mbante rreth vetes një numër oborrtarësh. Enver Hoxha kishte bashkëfajtorë. Noli e Konica me shkrime e veprime treguan se edhe pse ndonjëherë nuk pajtoheshin, ishin njerëz me ndjenja e virtute, prandaj mbetën miq deri në fund” (f. 276).
Në veprën “Pak ndryshe” shpaloset dhe pasioni i autorit pas kritikës letrare. Ai shpesh ndalet e vlerëson vepra të letërsisë sonë e të hauj, si romanin “Qyteti i ministrave” të Faruk Myrtaj, romanin “Trans” të Dashnor Kokonozit, romanin në anglisht “Balkan Caesar” të gazetarit shqiptaro-amrikan Peter Lukas pjesetar i L2B, vëllimin poetik “Mungesa e hirtë” të Pjetër Jakut, librin me kujtime të At Zef Pllumbit “Rrno për me tregue” në botimin anglisht “Live to Tell”, ku Zef Pllumbin ai e cilson i pari me fjalët “babai i historisë së përndjekjes komuniste” (f. 81).
Nuk mbetet pa u vlerësuar prej këtij kritiku edhe tregimi psikologjik “Thurje e pakryer” i Fatmir Terziut, kritik e shkrimtar që ka vite që po bën emër në Londër në fushën e letrave shqipe.
Edhe pse kanë kaluar shumë vjet pas shkërmoqjes së diktaturës komuniste në Shqipëri ka mjaft shqiptarë që fryhen me veprat e tyre dhe të artistëve të tjerë të realizmit socialist të cilët, megjithë përçudnitë luftojnë të mbajnë pjedestalin e njeriut të shquar. Shkrimtari Robert Martiko për t'i vënë në lojë të tillë pseudoartistë e pseudointelektualë të pamoralshëm, krijoi romanin “Një çmim për shkrimtarin e vdekjes” të cilin Lulushi e vlerëson lart si roman-satirë, orvellian, dantesk, volterian(f. 277).
Çudia dhe turpi vijojnë në Shqipëri edhe sot pasi kanë kaluar disa vjet nga botimi i këtij romani dhe nga vlerësimi i tij prej Lulushit. Atje ish artistë, ish shkrimtarë, ish kineastë e ish studiues të kohës së diktaturës në vend që të kërkojnë të falur për veprat që krijuan gjatë kohës së diktaturës, vijojnë t'i mburrin e lëvdojnë për të mos lëshuar pjedestalin ku i vendosi dikur partia shtet. Të tillë krijuesve, ky analist ua bën të qartë burimin e turpshëm të frymëzimit të tyre tek libri “Zhgënjime sporadike” (2012), ku sqaron se nën diktaturë krijuesit krijonin nga frika se mos dështonin, se mos mbeteshin prapa kolegëve, se mos quheshin të paaftë dhe mund të humbnin shpërblimet (f. 136-137).
I ndërgjegjshëm se sado të vonohet gjyqi kundër krimeve të komunizmit si regjim dhe si art e letërsi që helmoi popullin, një ditë ka për të ardhur, prandaj Lulushi shpreh bindjen e vet që në librin e parë: “sa më e rëndë diktatura, aq më shumë kohë duhet për t'u shkëputur prej saj fizikisht, shpirtërisht e mendërisht dhe se një ditë sado e largët, me kthimin në realitet do të kërkohet edhe gjykimi i së kaluarës” (f. 480). Ky mendim i tij i botuar më 2010 përkon me mendimet që Prof. Sami Repishti shprehur më 10 prill 2015 për gjyqin që iu bë nazistit 93-vjeçar Oskar Gruening i cili kishte punuar si llogaritar në kampin e Aushvicit (Auschwitz) më 1944. Ky nazist plak u dënua si pjesëmarrës i vrasjes, sepse gjatë jetës së tij nga viti 1944 deri në ditën e gjyqit, kur e tregoi faktin e shfarrosjes së 300.000 hebrenjve në kampin ku punonte si llogaritar, nuk shprehu pendesë dhe dënim të krimit, por e justifikoi me fjalët se ashtu ishte jeta në kampet e Nazizmit. Pra u dënua për mosdeshmimin e terrorit që pa me sytë e tij edhe pse nuk kishte marrë pjesë vetë në shfarrosjen e viktimave. Këtë ai e bëri nga turpi, nga pesha e fajit nga frika e dënimit, thotë Repishti. Dhe ne marrim me mend se si do të gjykohen prej gjykatësve dhe prej vetë nipërve të tyre të ndërgjegjësuar kriminelët komunistë dhe gjithë ata që shkaktuan masakrimin e popullit tonë nën diktaturën komuniste, jo vetëm nëpër hetuesi, gjyqe, burgje e kampe internimi, por dhe në veprat letrare e artistike...
Lulushi ka ndjekur dhe botimin e veprave shkencore, monografive, etj. Midis tyre ka ndalur në vlerësimin e studimit monografik të Tomë Mrijaj “Marie Shllaku, bijë e Shkodrës, martire e Kosovës” (2004), ku ndriçohen jeta dhe bëmat e njërës prej heroinave të luftës kundër komunizmit dhe të luftës për lirinë e Kosovës. Propaganda komuniste i dënoi shumë heronj të tillë duke i mbuluar, duke i lënë në harresë, gjë që shpuri në humbjen e shumë heronjve. Tani që komunizmi u shkërmoq dhe Kosova u çlirua të tillë heronj me vlera të dyfishta duhen nxjerrë në dritë. Dhe këtë punë ka kryer me sukses z. Mrijaj me studimin e tij.
Një monografi tjetër tek e cila ndalet studiuesi është dhe “Fotografia një grusht diell” e Qerim Vrionit, ku përshkruhen disa fotografi shumë të realizuara, të cilat komunikojnë ide për kohën kur janë fiksuar, si një histori e shkruar me anë të dritës.
Më tej Lulushi vlerëson dhe studimin anglisht “Montale and Dante” të Prof. Arshi Pipës, ku ky studiues shqiptar i doli në mbrojtje me sukses poetit italian Montale ndaj sulmeve që iu bënë si imitues i Dantes.
Mendje enciklopedike, kritiku Lulushi nuk le jashtë vëmendjes as antologjinë voluminoze 750 faqshe të shokut të tij të rinisë, Fotaq Andrea. Ky pas një pune shumëvjeçare solli në shqip librin “Pena të arta franceze për shqiptarët 1332-2007”, ku janë mbledhur me kujdes pjesë nga korifejtë e letrave, artit e të kulturës europiane ç' kanë shkruar gjatë 700 vjetëve për shqiptarët si njerëz, si luftëtarë, si artistë, etj. Në fund autori i shkrimit kërkon që Andrea ta kishte pajisur veprën me një tregues emëror për ta bërë më të lehtë orientimin e lexuesit.
Pasi e kemi lexuar dhe ne këtë antologji duam të vemë në dukje faktin e hidhur se nga shkrimet e vizitorëve të huaj dhe të shkrimtarëve të shquar francezë, bie në sy se karakteri i shqiptarit gjatë pesë shekujve të sundimit osman nuk u prish aq shumë sa u prish gjatë 50 vjetëve të sundimit të regjimit komunist. Kjo ndodhi sepse sunduesit osmanë e shfrytëzuan territorin tonë vetëm si minierë për rekrutim luftëtarësh dhe u kënaqën duke ia ndërruar besimin fetar 70 % të popullit, kurse regjimi komunist e sundoi çnjerëzisht popullin shqiptar duke ia shkelur traditat, besimin fetar, nderin e moralin e krijuar gjatë mijëvjeçarëve.
Si studiues i letërsisë, Lulushi është i interesuar të vlerësojë në librin e tij të parë edhe veprën letrare të shkrimtarit tonë të shquar, Isamil Kadaresë, për të cilin në artikullin “Dilemat e krijimit” thekson: “Për Kadarenë, shqiptarët bashkohen në një mendim për nivelin e lartë artistik të veprave të tij. Pastaj duke bërë pyetjen se kush përfitoi më shumë prej artit të Kadaresë: i shtypuri, tirani, apo vetë autori, artikullshkruesi sqaron: që të tre përfituan, ku, si në një kaleidoskop, që duke u rrotulluar, sejcili mund të shohë anën që do; të vuajturit dritën, tiranët vetëshkëlqimin dhe autori udhën për të jetuar” dhe duke e konsideruar këtë problem një “nyjë gordiane”, që nuk mund të zgjidhet saktë sot për sot, përfundon duke dhënë një si prerje me shpatë: “nga arti i Kadaresë është kultura që përfitoi” (f.72).
Vlerësimet pozitive që shkrimtari dhe kritiku amerikan Xhon Apdajk (John Apdike) i bëri botimit anglisht të veprës “Kronikë në gur” të Kadaresë, e entusiazmuan Lulushin dhe ai u dha vend në shkrimin “Kronika dhe spirale”.
Figurat e artit botëror me origjinë shqiptare si fotografi Gjon Mil dhe aktori Xhon Belushi, zenë vend të rëndësishëm në përmbledhjen e parë të Lulushit. Ai jep hollësira nga jeta e tyre dhe vlerësimet që u kanë bërë personalitete të kritikës e letërsisë botërore.
Gazetar i formuar, Lulushi sqaron se gazetat partiake në Shqipërinë paskomuniste bashkë me luftën e ashpër politike për marrjen e pushtetit me çdo kusht, tregojnë se monizmi nuk i përket historisë, por është prezent. Janë dukuri paradoksale botimi i gazetës “Zëri i Popullit”, ish organ i PPSH-së dhe tani si organ i PS-së edhe botimi i gazetës së Partisë Demokratike me emrin “Rilindja Demokratike”, kur dihet se në Shipëri nuk ka ekzistuar kurrë jeta demokratike që të pretendohet se tani kemi një rilindje të saj (f. 100).
* * *

Përgjergjësia për të ndërtuar një atdhe për të gjithë
Përmbledhja e dytë me analiza, ese, përsiatje dhe skica e Astrit Lulushit quhet “Ndjenjë realiteti” (2011, 165 f.). Për të ka shkruar parathenien prozatori, poeti dhe kritiku i talentuar Faruk Myrtaj. Ky, midis tjerash vë në dukje se autori i këtij libri e la atdheun në kohën e territ, u rrit në Perëndim dhe iu kthye vendlindjes si qytetar i botës. “Titulli intelektual - konkludon Myrtaj - s' është nxitimi për të marrë dekorata apo çmime, gara mes rivalësh, beteja si sedërli ballkanik, por përgjegjësia për të ndërtuar një atdhe për të gjithë” (f. 9).
Dhe si intelektual i klasit të lartë, Lulushi na tërheq vëmendjen të gjithëve të mos e kalojmë jetën kot: “Pema njihet nga frutet e saj, njeriu nga ajo që bën, së pari si qenie shoqërore – punëtor, politikan, qeveritar, parlamentar – pastaj si qenie intelektuale – krijues, shkencëtar, poet, shkrimtar” (f. 25). Kur vjen fundi, njerëzit që u përpoqën gjatë jetës t'i sfidonin dallgët që nga bregu, nuk u lenë pasardhësve asgjë si trashëgim dhe këta duhet ta fillojnë gjithëçka nga e para. Ky mësim, përfundon autori, duhet pasur parsysh si për individët dhe për popujt.
Në Shqipërinë paskomuniste krimet e komunizmit, vë në dukje ky analist, zyrtarisht nuk janë gjykuar, pa le pastaj të dënohen. Kjo, ka ndodhur sepse shqiptarët e përndjekur e të shpronësuar, për të cilët Lufta e Ftohtë u fitua, janë mënjanuar nga pushteti. Këto forca shoqërore do ta kishin marrë me dëshirë ndryshimin dhe dënimin e diktaturës komuniste, kurse ish komunistët, ish sigurimsat dhe bijtë e tyre që zunë postet qeveritare, pranuan t'i bëjnë ndryshimet dhe dënimin e krimeve të komunizmit të detyruar nga Europa Perëndimore dhe Amerika. Këtyre forcave kjo detyrë u ka shkaktuar e u shkakton pakënaqësi, sepse nuk janë të motivuar për realizimin e tyre (f. 30).
Shumë shkrime të Lulushit kanë karakter filozofik. I tillë është shkrimi “Ditën me qiri në dorë”, ku autori bën që në fillim pyetjen: “Çfarë përparësie ka nderi, fama, pavarësia, nëse nuk përdoren për të çliruar një komb a njerëz nga ankthi, shqetësimet a mundimet e jetës së përditëshme” (f. 35). Dhe duke synuar të fshikullojë pasanikët e rinj, përmend thënien e filozofit të lashtë grek Diogjenit: “Shumë mund të bëhen të pasur, por pak të virtutshëm” (f. 36).
Duke shkruar për dëmet e izolimit të Shqipërisë gjatë regjimit komunist, Lulushi shpreh mendimin se gjatë 45 vjetëve të sundimit komunist, Shqipëria humbi dy breza, “njëri që u shtyp dhe tjetri, të cilit iu mohua ndryshimi apo u edukua shtrembër” (f. 44).
Fati i Astrit Lulushit është mjaft i ngjashëm me atë të Prof. Isuf Luzaj, studiues, shkrimtar, poet e personalitet i vlerësuar në Amerikë, por i dënuar si armik në Shqipërinë komuniste për shkak të arratisjes së tij. Pas shkërmoqjes së komunizmit përsëri Isuf Luzaj zihet në gojë shumë pak në Shqipëri dhe akoma më pak popullarizohet dhe vlerësohet vepra e tij. Disa vjet më parë studiuesja Mimoza Hysa vlerësoi jetën dhe veprën e këtij personaliteti të kulturës shqiptare dhe midis tjerash ajo bën pyetjen “Pse?” nuk është futur ky personalitet i kulturës sonë në “Fjalorin Enciklopedik Shqiptar” (FESH) të vitit 2009. Kjo pyetje dhe vlerësimi që i bën studiuesja, e nxiti Lulushin të vlerësojë punën e kurajën e saj.
Nga ana jonë do të shtonim, se midis radhëve të të arratisurve politikë ka dhe shumë personalitete shqiptare si Frank Shkreli, Elez Biberaj, Astrit Lulushi, Sergio Bitici, Idriz Lamaj, Prof. Nexhat Peshkpia, Dr. Fuat Myftia, Prof. Nuçi Kotta, Don Anton Kçira, Dom Zef Oroshi, Zoi Shyti, Dr. Agim Leka, etj që meritojnë të futen si zëra më vete në rastin më të parë të ribotimit të FESH.
Mendësitë politike të shoqërisë shqiptare të pasdiktaturës, vëren Lulushi, kanë ndryshuar shumë pak nga koha kur ekzistonte vetëm një parti. Tani, në kohën me shumë parti, sejcili beson se partia e vet është më e mira. Kjo është mendësi e njerëzve që mendojnë se çdo gjë fillon nga vetja. “Kohët kanë ndryshuar, përfundon ai me tallje, por jo njerëzit që ende jetojnë të ardhmen në kohën e shkuar” (f. 65).
Shumë njerëz të pandershëm mbas shkërmoqjes së diktaturës komuniste rrëmbyen pronat e të shpronësuarve ose të shtetit. Këta tipa, në shkrimin “Ndjenjë realiteti”, shkrim që i ka dhënë titullin librit, Lulushi i godet me urtësinë e tij: “Vetëm barbarët në kohët e lashta, njerëzit pa kulturë në kohën tonë, nuk janë në gjendje të dallojnë se zhvatja e vendit (atdheut, Th. Gj.), uzurpimi i pushtetit, vjedhja e votës, grabitja e pronës, shpërdorimi i idesë, mendimit, ndjenjës dhe besimit; hyjnë në të njëjtën kategori me krimin ordiner” (f. 109).
Shqetësim e ka ky autor faktin që populli shqiptar gjatë diktaturës ngrinte dolli në çdo gosti, thurrte lavde për zgjedhën; kurse lirinë hapur e dënonte, e në heshtje e adhuronte, por kur liria erdhi nuk diti ta vlerësonte. Iu duk si prangë e re në duar të sapozgjidhura. Kjo ndodhi shton autori, “Sepse liria e vërtetë vjen kur dëshira bëhet mishërim... Liri nuk do të thotë as ditë të shkujdesura, netë të qeta, jetë pa halle, por kur të gjitha këto janë të pranishme dhe njeriu del mbi to, duke këputur zinxhirin me të cilin ka lidhur veten...” (f. 125).
Në këtë libër trajtohen dhe probleme shkencore si vizita e njeriut në Hënë, ndikimi i Sigmund Frojdit në trajtimin e çrregullimeve nervore, mësimet e Nënë Terezës, koha si koncept, etj.
Vëzhgime kritike për vepra të ndryshme letrare ka dhe në këtë përmbledhje. I pari libër letrar ku ndalet ky autor është vëllimi me tregime “Dimër në luginën e Drinit” të Hasan Kostrecit (2009), autor i ri i pasvitit '91. Prej kësaj përmbledhjeje del ideja se Shqipërisë i duhen në udhëheqje njerëz që nuk duhet t'u ngjajnë baballarëve e as gjyshërve, pra pushtetarëve të këtyre 74 vjetëve.
Më tej ndalet në vëllimin me sonete të poetit të dënuar Uran Kostreci, vëllait më të madh të Hasanit, përmes të cilit ngre problemin e letërsisë poetike që u krijua nëpër bugjet e Shqipërisë diktatoriale dhe që tani doli në dritë me vlerat e saj, nderi i letërsisë shqiptare.
Sami Repishti me veprën autobiografike “Nën hijen e Rozafës” është objekt i një shkrimi tjetër ku vlerësohen jeta, talenti prej rrëfimtari dhe humanizmi i Prof. Repishtit. Duke nxjerrë idenë kryesore të veprës, Lulushi sjell moralin e fabulës së Ezopit: “Ata që vullnetarisht i japin pushtet një tirani nuk duhet të befasohen kur një ditë ai ta përdorë këtë pushtet kundër tyre” (f. 90).

Vetëm liria është mot i kthjellët
Vëllimi “Kujtesë lirie” (2013) është një përmbledhje me poezi dhe shkrime në prozë (analiza, ese, vëzhgime, etj), pasuruar dhe me riprodhim pikturash cilësore të artit botëror.
Në vitin 2011 në Tiranë, të përndjekurit politikë dhe të shpronësuarit e kohës së diktaturës organizuan një grevë urie për të detyruar qeverinë t'ua kthente si duhej pronat e t'u jepte shpërblimet që u përkisnin për kohën e vuajtjeve nëpër burgje e internime. Indiferenca e qeverisë e shtyu njërin prej tyre të kryente vetëflijimin duke u djegur me benzinë. I shqetësuar nga kjo ngjarje, Lulushi u ndal dhe e vlerësoi aktin dhe ndërkohë kritikoi shoqërinë shqiptare që nuk e shfrytëzoi atë për të ndezur një lëvizje sociale për të luftuar korrupsionin shtetëror. Ai theksoi se mosshfrytëzimi i këtij rasti, ishte një humbje historike për shoqërinë shqiptare, sepse vetëflijimi është si kryeveprat artistike, të cilat nuk mund të prodhohen me kërkesë, ato janë të paimitueshme dhe të papërsëritëshme (f. 62).
Propagandës qeveritare që trumbetonte sukese në fushat e ndryshme të jetës, analisti i vë përballë thënien e filozofit të lashtë, Sokratit: “Pa pasur drejtësi, çdo gjë që arrihet është e padobishme” (f. 71).
Edhe pse larg atdheut, Lulushi si atdhetar i vërtetë e ndjek me vëmendje jetën kulturore dhe artistike të atjeshme. Ai shikon se në kushtet e paskomunizmit janë shtuar emrat e autorëve, artistëve dhe botimet, mirëpo emrat e krijuesve të realizmit socialist të kohës së diktaturës dhe njerëz me emër të asaj kohe, janë ata që kryesisht zenë vendin kryesor me fotografi, shkrime e intervista nëpër gazeta dhe emisione televizive. Këta vlerësohen me çmime dhe dhurata edhe sot. Kjo, shton ai, shtyn të mendohet se:
1. “Realizmi socialist mbizotëron artin aktual;
2. Krijuesit e dikurshëm të librave a skenarëve propagandistikë kanë përqafuar realizmin individual;
3. Periudha e lirisë nuk është në gjendje të prodhojë krijues më të mirë se koha e censurës;
4. Ish shërbyesit e propagandës, të cilët mbajtën më këmbë diktaturën më të ashpër në botë deri në minutën e fundit ende shërbejnë;
5. Krijuesit e vlerësuar bëjnë pjesë në të njëjtin klan a kriptoshoqëri” (f. 75-76).
Duke pasur parasysh faktin se ky shkrim titullohet “Dyshim” dhe fillon me shprehjen: “Zhvillimi është ndryshim...”, kuptohet ideja që do të komunikojë autori: Në Shqipëri përderisa nuk ka ndryshuar gjë, nuk ka zhvillim të vërtetë ndonëse vendi është mbushur me pallate, lokale, hotele e rrugë të reja...
Edhe në këtë vepër ka disa artikuj kritikë për vepra letrare. Një ndër to është romani autobiografik “Jetë nën diktaturë'” i Hasan Kostrecit. Mbyllja e tij me largimin e familjes së autorit nga atdheu mbas shkërmoqjes së diktaturës, tregon se e keqja nuk ka marrë fund, prandaj shpëtimi kërkohet duke ikur (f. 78).
Vëllai i Hasan Kostrecit, Urani, njeri i burgosur e internuar për 25 vjet, e gjeti frymëzimin për të hartuar poemën e tij satirike “Epopeja e karkalecave dhe agonia e karkalecave” (Ribotim ONUFRI, Tiranë 2011) te realiteti shqiptar i viteve 1991-1992, kur ish-ët e diktaturës u mënjanuan nga pushteti. Disa vargje, si parandjenjë, poeti i kishte filluar që në burg, por u përfundua në vitin 1995. Ajo u shkrua dhe pati sukses si një kundërpërgjigje ndaj poemës “Epopeja e Ballit Kombëtar” të Shefqet Musarajt.
Një roman kafkian” e quan Lulushi artikullin që i kushton romanit filozofik “Atdhe tjetër” (MILOSAO, 2012) të Faruk Myrtaj, i cili jeton në Kanada prej vitit 2003.
Të gjithë e dijmë se një nga anët negative të politikës së brendshme të diktaturës komuniste ishte mbajtja e popullit nën terror, nën presionin e frikës. Frikë prej pushtetit, i cili të arrestonte dhe për një fjalë goje dhe frikë prej së huajës. Këto dy frikëra u degëzuan si kancer metastazik, thotë Lulushi, dhe kështu u krijuan frikë nga tjetri (edhe nga më i afërti), frikë nga e vërteta, frikë nga e drejta, frikë nga të menduarit, nga të krijuarit me frymëzim. E kjo situatë konkludon ai “ishte tharrje shpirti” (f. 90).
E keqja, thotë Lulushi, shpesh herë vjen nga lart (nga numëri një) si gjë e vogël, por po të mos e kundërshtojë populli, ajo rritet dhe sjell pasoja katastrofike. Ai sjell shëmbullin e Hitlerit. Ky filloi të arrestonte disa hebrenj, shumë të tjerë i dëboi nga Gjermania si të padëshirueshëm, ata që mbetën i internoi në kampet e shfarrosjes. Populli gjerman nuk u ngrit t'i kundërshtonte këto masa çnjerëzore ndaj qytetarëve gjermano-hebraike dhe Hitleri vijoi rrugën e tij, pushtoi Çekinë, Poloninë, u shtri gjithnjë e më shumë drejt Lindjes e Perëndimit duke shkaktuar miliona viktima dhe duke e bërë Gjermaninë dhe popullin gjerman simbol të së keqes. Po ashtu edhe diktatori shqiptar, Enver Hoxha, sapo erdhi në pushtet filloi të arrestonte e të vriste pa gjyqe ose me gjyqe falco disa intelektualë e klerikë të formuar në Perëndim, shtetëzoi pa shpërblim pasurinë e tregëtarëve, shpalli kulakë dhe i dënoi fshatarët që punonin më shumë, etj dhe populli shqiptar nuk kundërshtoi, por i pranoi këto raprezalje si masa revolucionare që bëheshin për të mirën e tij. Kështu e keqja nuk njohu ndalesë dhe arriti sa çdo shqiptar të kishte frikë nga hieja e vet dhe ta duartrokiste diktatorin për çdo veprim e vendim edhe kur vriste e priste ish partizanët, shokët e tij ministra e kryeministra, me synimin që t'ia linte pushtetin bashkëshortes së tij pa rivalë, po të rrethuar me puthadorë.
Kritika ndaj popullit gjerman dhe atij shqiptar është e dukshme për mosveprim kundër së keqes nën diktaturë. Mirëpo autori ndalet deri këtu dhe nuk e vijon vështrimin kritik ndaj dy qëndrimeve të ndryshme që mbajtën këta dy popuj pasi kapitulluan diktaturat. Gjermanët e dënuan diktaturën naziste, diktatorin dhe shërbëtorët e tij, dhe shkuan përpara. Kurse shqiptarët nuk e dënuan diktaturën komuniste, diktatorin dhe shërbëtorët e tij. Një e keqe e re filloi t'i shfaqej popullit tonë pas ardhjes së ish komunistit Sali Berisha në pushtet. Ky me gojë shante gjithçka që lidhej me diktaturën dhe diktatorin, por pronat nuk ua ktheu të shpronësuarve; në poste qeveritare nuk ngriti të përndjekurit, por shokët e tij ish komunistë e shërbëtorë të rregjimit të vjetër, lejoi korrupsionin, blerjen e votës, etj. Pikërisht këtu duhej sjellë e përmendur kritika që është bërë në ndonjë shkrim tjetër ndaj popullit shqiptar për mosngritje të zërit kundër të keqes së re që filloi të vinte nga lart pas vitit 1992 dhe vijon t'i vijë edhe sot nga pushtetarët e korruptuar.
Lulushi preket nga fakti se trashëgimia letrare e krijuar prej të përndjekurve e të arratisurve nuk vlerësohet si duhet në Shqipërinë paskomuniste. Kështu që ai e priti me entusiazëm dhe e vlerësoi punën e Iliriana Sulkuqit e Kolec Trabohinit për grumbullimin dhe botimin e vëllimit poetik “Kujto Poetin” (ADA 2011), ku u riprodhuan nga 4-5 poezi të 40 poetëve që patën humbur jetën prej diktaturës. Për disa krijime të poetëve Lazër Shantoja, Trifon Xhagjika, Vilson Blloshmi, Arshi Pipa, etj studiuesi jep vlerësimet e veta.
Njeri, që u detyrua të arratisej sepse nuk gjeti drejtësi, respekt e vlerësim në atdhe, Lulushi i kthehet herë pas here përvojës së jetës politike, pushtetit të Shqipërisë diktatoriale për t'ua hapur sytë nostalgjikëve të diktaturës e diktatorit. Ai sqaron se në atë kohë marrja dhe ruajtja e pushtetit u bë i vetmi qëllim për numërin një të shtetit, kurse ideali u zbeh, pushteti u bë mjet në shërbim të vetes, ideologjia thjesht formë, sepse ajo që i bën gjërat të rëndësishme është përmbajtja dhe përmbajtja e vërtetë e ideologjisë ishte marrja dhe mbajtja e pushtetit. Forcë shtytëse u bë dëshira për pozitë dhe jo besimi në ideal. Më tej analisti Lulushi vijon: “Komunisti mesatar ishte jo fanatik por thjesht karierist cinik, i cili bënte atë që i duhej për të fituar një pozitë të favorshme, apo një cilësi më të lartë jete” (f. 129). Në atë regjim, Sigurimi i Shtetit ishte i domosdoshëm për funksionimin e regjimit, për krijimin e një shoqërie plotësisht të tejdukshme, të kontrolluar.
* * *

Mediokritet e paradokse
Vëllimi “Zhgënjime sporadike” është një vëllim ku autori ka përmbledhur poezi deri te faqja 90 dhe deri te faqja e fundit (190) analiza, përsiatje, ese, vëzhgime, etj.
Si krijues, gazetar dhe analist Lulushi e ka kuptuar thellë situatën krijuese nën diktaturë dhe jep shpjegimin e tij origjinal: “...gjatë diktaturës, thuhet se u bë përparim në art e kulturë, ky rezultat erdhi jo nga shpërthimi, frymëzimi ose liria e krijimtarisë (kusht për kryevepra e kryemjeshtra), por ishte pasojë e frikës së dështimit, frikë e pandërprerë nga humbja e lirisë, derisa kjo frikë u bë forca shtytëse “motivuese”. Dhe kështu, këmbëngulja, virtut në kohë lirie, me frikë dhe pa talent, u bë ves nëpërmjet të cilit mediokriteti arriti një farë “suksesi”, që vijon ende të vetëmburret” (f.135-136). Dhe duke kaluar te koha e sotme, autori sqaron se mediokriteti i djeshëm vijon sepse nuk po përfillen shumë arritje të reja në letërsi, art e shkencë meqenëse këto nuk sjellin fitime.
Lulushi me arratisjen e tij bën pjesë në ata shqiptarë që arritën ta shkelnin frikën që ushqente tek ne regjimi. Kurse ata që mbetën brenda dhe krijuan kokulur duhet të pranojnë se bënë një kompromis me diktaturën për të jetuar më mirë, si dhe të shtyrë edhe nga indoktrinimi ideologjik. Thjesht ky kompromis ishte pasojë e mungesës së burrërisë dhe e formimit të keq. Kurse vetëmburrja e sotme e shumë ish krijuesve me veprat e asaj kohe dhe moskërkimi i të falurit për veprat e helmuara me ideologjinë komuniste, burojnë nga fakti se këta nuk duan të pranojnë paburrërinë dhe formimin e keq artistik e shkencor të djeshëm. Frikën nën diktaturë mund ta pranojmë si dukuri njerëzore, kurse frikën e sotme për të mos pranuar gabimet e së djeshmes dhe vetmburrjen, i konsiderojmë mungesë morali, pra plotësisht të dënueshme.
Jeta intelektuale në SHBA si gazetar kurioz që ka lexuar e lexon shumë në anglisht, Lulushi ka njohur momente të këndëshme edhe nga jeta e artistëve të mëdhenj dhe ndalet të na tregojë momente pikante nga bashkëpunimi i artistëve të mëdhenj: fotografit Gjon Mill me këngëtarin e aktorin Frank Sinatra dhe shkrimtarin Pol Sartri (Jean Paul Sartre). Këtë ai e bën që të na zbulojë karakterin dhe profesionalizmin e lartë të fotografit me origjinë shqiptare. Sinatra e shprehu me vargjet e një kënge të tij: “Shprehu guximshëm / me pak humor / dhe dyert hapen” (f.101). Kurse Sartri ndalet e shruan më gjatë, midis tjerash dhe: “Milli është njeri kurth. Ai është plot marifete e lëvizje mashtruese që të çarmatosin; çdo fotografi e tij është një provë, një përpjekje” (f. 156).
Ndonëse ky vëllim i Lulushit ka më pak shkrime se vëllimet e tjera, ai edhe këtu u ka lënë vend shkrimeve kritike për të vlerësuar krijimtarinë e disa krijuesve shqiptarë si Uran Kostreci, Faruk Myrtaj dhe poetit Sami Gjoka që shkuan anglisht. Thirrjet e Sami Gjokës studiuesi i quan “thumbuese, të ashpra... i drejtohet botës që të dëgjojë atdheu” (f. 166).
Ndoj (Tony) Prendushi, një shqiptar i arratisur që jetonte një jetë të qetë në Kaliforni, kur mësoi se shqiptarët në atdhe dolën nga sundimi komunist shumë të varfër, u bëri thirrje miqve të vet, mblodhi ndihma dhe shkoi në atdhe ku me shpenzimet e veta jetoi e punoi disa vjet si humanist e bamirës për shpërndarje ndihmash midis të varfërve. Pas vitesh ai e rrëfeu veprimtarinë e tij bamirëse në atdhe në librin “Paqe dhe dashuni” (CAMAJ – PIPA, Shkodër 2010, 200 f.) shoqëruar me parathënie të Prof. Repishtit. Lulushi ndalet dhe tregon jetën e këtij shqiptari, sakrificat e tij dhe pasi vlerëson librin, na drejtohet tërthorazi ne lexuesve që jemi të dobët në këtë drejtim: “për bamirësi dhe humanizëm, dy fusha të gjera ndjenjash njerëzore, sado të punohet, kurrë nuk mund të thuhet se është bërë mjaft” (f. 132).
Gazetari i VOA, Ilir Ikonomi, shkroi e botoi librin “Faik Konica – Jeta e tij në Uashington” (ONUFRI Tiranë 2011, 377 f.), një biografi shkencore e letrarizuar, përmes së cilës u zbuluan më tej mençuria ndriçuese, sjellja elegante, intuita për kompromis e Faik Konicës. Dhe Lulushi, koleg i autorit shkroi recensionin e vet, ku shpalosi arritjet e këtij studimi duke vlerësuar bashkëpunimin Konica – Zogu – Noli, grindjet dhe pajtimet midis tyre. Recensioni mbyllet duke kaluar te pasojat e ardhjes së regjimit komunist në Shqipëri: “regjim politik – pa asnjë mirëkuptim a ndjenjë tolerance – i cili shmangu ose asgjësoi njerëz me nivel dijesh dhe përbalti njohuritë e trashëguara, duke shpallur armik të vetët dhe gjithë botën” (f. 147).
Si atdhetar shqiptaro-amerikan, Lulushi e ka njohur nga afër punën dhe vlerën e Shoqërisë “Vatra”, prandaj në 100-vjetorin e saj shkroi: “Federata “Vatra” i ngjan një besëlidhjeje – Lidhja e Lezhës, Lidhja e Prizrenit, Kongresi i Manastirit, Konferenca e Pezës (para se të tradhëtohej) – të gjitha të krijuara në pika kthesash historike, dhe pasi përmend disa nga punët e saj atdhetare kulturore, kritikon qeverinë e sotme shqiptare që nuk interesohet për këtë institucion, më të lashtin e atdhetarisë dhe e ka lënë “Si një të moshuar pa pension – Monument Kulture që nuk mbrohet nga shteti shqiptar” (f.114).
Njeri i sakrificave dhe i punës, Lulushi nuk i duron dot njerëzit me karakter të dobët, të cilët shquhen për mashtrime, grabitje të të mirave të të tjerëve, etj. Të tillë tipa ai i ka demaskuar tek shkrimi “Qyqet...”. Me të dhëna të mbledhura nga enciklopeditë për jetën e zakonet e zogut qyqe, autori na jep mundësi të nënkuptojmë sa të ulët e të rrezikshëm janë njerëzit që kanë tipare të ngjashme me këta zogj, pa përmendur fare fjalën njeri: “Si grabitqarë kanë frikë vetëm nga të vetët. Kjo tregon sa të rrezikshëm janë. Vetëm toka e djegur shpëton prej tyre. Me një fjalë, janë të pashpirt, kryesisht për shkak se pëlqejnë veten pothuajse po aq sa të tjerët i urrejnë” (f. 153).
Shkrimi “Qyqet...” nuk është thjesht një ese për jetën e karakteristikat e zogut qyqe, por është një skicë letrare me kuptim metaforik, çka dëshmon se së shpejti prej këtij autor mund të kemi dhe krijime të tjera letrare, gjë që e ka parashikuar dhe miku i tij Dashnor Kokonozi te parathënia e librit të parë.
Duke menduar për ngjarjet e viteve 1992-1993 dhe 1997, Lulushi përgjithëson: “Luftë deri në shkatërrim, këtë kah marrin përpjekjet kur mungon besimi” (f. 157). Kur përfaqësuesit e dy krahëve të politikës shqiptare i përdorin fjalët përparim dhe përparimtar duke i futur në thonjza kur i referohen bëmave të krahut tjetër, analisti ngul këmbë: “diçka shqetësuese duket se ka ndodhur; njerëzit kanë humbur besimin në idenë e përparimit, pa të cilën shoqëria nuk është në gjendje të ndryshojë a përmirësohet si një e tërë, prandaj, konkludon ai, ia vlen të mendohet për rikthimin e tij” (f. 159). Pra rikthim në fillimet e pluralizmit shqiptar, çka do të thotë që partitë kryesore politike të braktisin planin Katovica e të rifillojnë një rrugë e re...
* * *

Poet dhe përkthyes
Astrit Lulushi shpesh herë i ka shprehur ndjenjat dhe mendimet e veta edhe pëmes vagjeve poetike. Ai është i pari në gjuhën shqipe që ka sjellë përshtatjen e 63 soneteve të Shekspirit jo sipas rrugës tradicionale: përkthim besnik i formës së soneteve (me 13 rreshta të ndarë në katër strofa (dy strofa me katër vargje dhe dy strofat e tjera me tre vargje), ku zbatohet rima: abab, baba, ded, ede.
Me vëllimin “63 Sonete të Shekspirit” (Toena 2014), Lulushi nuk është një përkthyes, por një shqipërues, si e quan ai vetë. Në poezitë koresponduese që kanë strofa, rreshta, rima dhe gjatësi të ndryshme vargjesh, sillen shqip idetë kryesore të këtyre soneteve duke ndjekur një rrugë të re, të cilën ai e ka dhënë në vargje:
“Rend, varg, metrikë, / nuk kam respektuar, veçse shijen e mendimit / lexuesit për t'ia dhuruar” (f. 14).
Kjo punë shqipërimi është e njëjtë me atë të Ilia Ballaurit, i cili na solli në shqip dy kryeveprat e Homerit duke mos respektuar llojin e vargut homerik, varg i bardhë pa rimë i pandarë në strofa dhe me gjatësi të caktuar. Ballauri i solli në shqiip poemat “Odisea” dhe “Iliada” me lloje të ndryshme vargjesh shpesh herë me rimë dhe të ndarë në strofa me gjatësi të ndryshme vargu brenda strofës.
Ashtu si lexohen rrjedhshëm dhe shijohen këndshëm poemat e Homerit të shqipëruara prej Ilia Ballaurit, ashtu lexohen dhe shijohen edhe këto 63 sonete të Shekspirit. Duke mos e pasur përgatitjen teorike dhe njohjen e anglishtes në nivelin e duhur, nuk po ndalemi në analizën e këtyre soneteve.
Poeti Astrit Lulushi duke qenë tip mendimtari, edhe në poezi krijon vepra me ide të thella erotike, shoqërore e politike prej të cilave lexuesi pasuron botën e tij të brendshme, por jo rallë tronditet sepse e gjen veten të kritikuar.
Shqipëria paskomuniste, tek poezia e gjatë “Ç' është Shqipëria” përshkruhet me nota kritike që të kujtojnë Migjenin dhe Konicën: “Munduar në udhë të re, / tani më hallemadhe je, / më shumë rrudha se ç' duhej, / dhuratë nga plangprishësit i ke. / Të kanë shpëtuar, “e lirë je, / pa frikën e vdekjes”, thonë / bijtë, e ty, ndërsa grinden, / nën çati rrjedh shi e lot” (f. 15).
Sejcili nga ne duhet të ndjejë përgjegjësi për këtë gjendje të atdheut sot me më shumë halle, sepse po të punonim të gjithë me përkushtim për evoluimin tonë dhe për ta ndihmuar Shqipërinë, kjo nuk do të ishte kështu si është. Poeti i veçon dhe i rëndon më tepër bijtë e talentuar, që dikur fituan emër me veprat e tyre të politizuara e sot jetojnë larg halleve të atdheut e të popullit: “Ku janë poetët piedestalistë / të kohës flamë “Enver-Parti”? / Tani sindroma e heshtjes i ka zënë / poetikisht të mos shprehin më / të thellat ndjenja për Shqipëri? / Nëse të tillë ikin nga kjo botë, / jo me dhe, por me turp / do të mbulohen.” (f. 18).
Fatkeqësisht këta “poetë piedestalistë” vdiqën e po vdesin pa u përpjekur të kuptojnë fajin e tyre dhe më keq akoma, pasardhësit e tyre po vijojnë t'i lëvdojnë e t'u ngrenë pjedestale të rinj, duke ndjekur rrugën qorre të Nexhmie Hoxhës që vijon pa turp të hymnizojë bashkëshortin e saj diktator.
Lulushi 32 vjeçar dha shëmbullin e trimit duke u arratisur, por për jetën e tij të deriatëhershme e fajëson veten: “Moshë e re, shkop magjik / i të verbërit, që isha unë, / vuajtjet s'doja t'i shihja. / Shumë dhimbje nënçmoja, / para së keqes heshta, / humbëtirën si horizont / unë zgjodha” (f. 25).
J eta larg familjes plot pesë vjet pa asnjë lidhje letrash, e bënte poetin si të dehur në ecje e në sjellje me të tjerët: “Më mungon buzëqeshja jote / edhe pse tani është ndryshe / ti je në zemrën time / nuk do të lë të ikësh / këtë duhet ta ndjesh. / Në pritje të thirrjes tënde / i penguar me këmbët e mia / nëpër rrugë eci dhe njerëzit / ndalen e sikur më pyesin: / “ç' të ka ndodhur?', dhe unë: “Me dashuri jam dehur!” (f. 40).
Cikli me poezi kushtuar dashurisë në distancë është mjaft i plotë. Kredon e vet ky poet e shpreh te poezia “Krijues” me fjalët: “Artisti nuk do të krijonte / po të ndrydhej e stepej / nga ideja se nuk do vlerësohej, / pasi mediokrët do ta gjykonin. / Krijimi është një hap përpara, / kur të tjerët rrinë në vend, / a mendojnë të ecin mbrapa, / të struken, mbyllen, ngrysen, / sikur botës po i vjen fundi, / harrojnë se është fundi i tyre” (f. 44).
Realizimi artistik i krijimeve poetike të Lulushit meriton vëmendje.
* * *

Thënie të arta të Astrit Lulushit
Astrit Lulushi si enciklopedist, analist, studius e kritik arti e letërsie, për të karakterizuar dukuri të jetës, ngjarje dhe personalitete historikë, përdor sentenca nga njerëzit e shquar, por shpesh herë krijon dhe vetë thënie që vlejnë të mësohen e shfrytëzohen si thënie të arta.

Nga libri Pak ndryshe”:
Duke satirizuar kohën e diktaturës dhe vitet e pasdiktaturës së Shqipërisë, Lulushi krijon gjë a gjëzën e tij: “25 vjet mburojë e Krishtërimit, 45 vjet fanar i komunizmit, aktualisht përgjërues i Islamizmit në Europë. Kush është?” (f.17)
Frika e padituria janë burimi i hakmarrjes” (f.21)
Kur një popull sundohet me dhunë e diktaturë, viktimat e para, pas njerëzve, duket se janë vlerat e traditës”. (f. 54)
E kaluara sado e keqe, kurrë nuk duhet harruar, shpërfillur a ndryshuar” (f. 67).
Të botosh shkrime dhe libra me ide që sfidojnë ato ekzistuese do të thotë ta kesh kuptuar lirinë” (f. 85).
Një komb nuk është i shquar vetëm sepse është i lashtë, por edhe sepse dija e kultura e tij ka rrjedhur pa ndërprerje” (f. 167).
Miqësia është bashkim shpirtrash. Ky bashkim si martesa, ndonjëherë është i divorcueshëm” (f.275).
Të realizosh diçka do të thotë të ngrihesh mbi të zakonshmen” (f. 351).
Toleranca është sukses i madh i njerëzimit... me tolerancën njerëzimi arrin të ndjejë vetëqenien duke njohur, prekur, kuptuar veten e njëkohësisht duke harruar gabimet e njëri-tjetrit” (f. 425).
Jo çdo kafshë mund të zbutet, jo çdo ish tiran mund të pendohet dhe jo çdo politikan mund të reformohet” (f. 444).
Nuk ka njeri që të mos e urrejë padrejtësinë” (f. 479).

Nga libri “Ndjenjë realiteti”:
Me gëzim festohet çdo përvjetor i rrëzimit të shtatores së diktatorit, por që një tiran vërtet të bjerë, njerëzit më parë duhet të sigurohen që pjedestali brenda vetes së tyre të jetë shkatërruar” (f. 11).
Të gjithë njerëzit nuk mund të bëhen pronarë, por askush nuk duhet të jetë i shtypur a skllav” (F. 19)
Botë pa dhimbje nuk mund të ketë, por pa vuajtje të panevojshme po” (f. 9).
Zhvillimi është dalje nga status-quoja ose veprim që i largohet së shkuarës” (f. 23).
Jjo çdo periudhë e kaluar mund të quhet e prapambetur” (f. 23).
Vdekja e një personi i ngjan kohës së shkuar. Të dy nuk kthehen më, por prej kësaj ikjeje ndriçohet mendja e të gjallëve” (f. 26).
“Ddiabolikët sundojnë, vetëm të mirët qeverisin (f. 49).
“Nuk duhet harruar se zhvillimi është i pashmangshëm, si frymëmarrja rit i domosdoshëm (f. 50).
Kush nuk pranon mendimin ndryshe, ndryshon vetëm në kohë nga ata, që opozitarët i quanin tradhëtarë dhe në rastin më të parë i vrisnin” (f. 65).
Zemërimi është përgjigje ndaj kërcënimit” (f. 83).
Zemërimi është si zjarri, jashtë kontrollit djeg e dëmton, i përmbajtur mbron e ngroh, pra ves e virtyt, si çdo gjë në vetvete, e mirë dhe e keqe” (f. 83).
kur s' mundesh të thuash një fjalë të mirë nuk është keq të mos flasësh fare” (f. 103).
E mira ndeshet rrallë dhe shpesh është e vetmuar” (f. 103).
“Kur shumë njerëz bëhen të paaftë, paaftësia kthehet në sëmundje shoqërore” (f. 104).
“Gjithmonë ka njerëz trupmëdhenj, por prapë të vegjël (si shpirt, Th. Gj.), të pasur por të humbur, njohës por të cekët” (f. 106).
Mendimi është çelësi i ndryshimit” (f. 109).
Ashtu si njeriu mëson çdo ditë edhe çmësimi a heqja dorë nga idetë e vjetra bëhet diçka e përditshme” (f. 119).
Asgjë nuk mund ta prishë kaq shumë njeriun, asnjë forcë nuk mund ta hedhë atë në vorbullën e rrëmujës së mendimit... sa... pasioni i njëanshëm” (f. 121).
Natyra është shembull i përsosmërisë... Prandaj njerëzit e mëdhenj janë të natyrshëm, ndjehen kur mungojnë, besohen e adhurohaen, shembulli i tyre ndiqet...” (f. 161).

Nga libri “Kujtesë lirie”:
Zhvillimi është ndryshim, është proces, siç është dija, e cila nuk ka fund, ajo kurrë nuk arrihet, por vetëm ndiqet” (f. 75).
Atje ku gjithçka është kolektive, indiferentizmi ose qëndrimi soditës është natyrë e dytë; individi, puna, prona, vendi e të gjitha shpërdorohen” (f. 79).
Urrejtja tjetërson” (f. 90).
Urrejtja është pasojë e frikës, por edhe e krijon atë” (f; 90).
I ftohti e lufton njeriun duke ia marrë dëshirën për të rezistuar” (f.91).
Krenaria i ngjan udhëtimit në kohë – pa këmbë në tokë – ku njeriu përpiqet të zhbëjë gabimet dhe pengon të jetohet e tashmja” (f.103).
Të kesh mendim të mirë për veten, s'është keq, por të krenohesh i shtyrë nga dëshira për t'u bërë i njohur para të tjerëve a mbi të tjerët, është kotësi” (f. 103).
Tek e vërteta nuk arrihet duke u zgjatur a përdredhur” (f.105).
Punët e mira janë ato që kryesisht fillojnë nga më e vogla, më e thjeshta, nga një qelizë apo shkëndijë që lind, ushqehet, rritet derisa lë ndikim të pashlyeshëm” (f. 107) “Pa një trashëgimi, çdo gjë është e varfër” (f. 111).
Dashuria i urren përllogaritjet” (f.115).
Që një shoqëri të jetë e mirë, individët e saj duhet të ndihen të lirë fizikisht, shpirtërisht dhe mendërisht” (f. 117).
Motori shoqëror [në diktaturë] ishte jo besimi në ideal, por dëshira për pozitë” (f. 129).
Që një problem [shoqëror a politik] të zgjidhet, duhet shtruar hapur dhe hapje do të thotë sinqeritet” (f. 138).
Çdo gjë që ndihmon sadopak ia vlen të provohet.” (f. 138).
Truri është vërtet thesar, por jo kur kyçet” (f.140).
Lakmia është gropë e thellë pa fund, që e shteron fuqinë e personit në përpjekje të mëdha, por pa e arritur kurrë kënaqësinë” (f.145).

Nga libri “Zhgënjime sporadike”:
Sa shumë gjëra humbet njeriu kur përpiqet të duket e të fryhet” (f. 103).
Kush tërhiqet pas së bujshmes kur e kapërcen atë e kupton kotësinë” (f.103).
Diktatura e fortë, punë e njerëzve të dobët” (f. 138).
Diktatorët bëhen nuk lindin” (f. 148).
Idetë nuk kanë kufi. Si rrjedhim prej tyre, të paktën në parim, duhet të përfitojë e gjithë shoqëria. Në rast të kundërt idetë janë thjesht mashtruese” (f. 159).
Besimi i lojit fanatizëm prodhon të keqe pa kufi” (f.181).
Eshtë krenaria boshe që sjell zbrazëti, ose anasjelltas, etje, thatësirë, ku ndjenjave u vihet fre, ngrihen mure izolimi, ku njeriu mendon se mbrohet, por pengohet të dallojë, të njohë, të komunikojë,e shijojë të mirat që i ofrohen” (f. 190).
* * *
Konkluzion
Astrit Lulushi është një autor me vlera të shquara, por fatkeqësisht në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoni, krijimtaria e tij është shumë pak e njohur.
Ministritë e kulturës e të diasporës së Shqipërisë, Kosovës dhe Maqedonisë duhet të koordinojnë fondet për të botuar disa seri me antologji ku të mblidhen artikuj, ese, përsiatje, kritika e skica dhe disa poezi të Lulushit dhe të shumë krijuesve e analistëve të shquar të diasporës. Kjo seri do të jetë një ndihmë e madhe për ngritjen e nivelit kulturor e moral të masave të lexuesve e sidomos të nxënësve të shkollave të mesme e të larta.
Kurse veprën dyvëllimshe “Kalendari Historik...” ua rekomandojmë këtyre ministrive ta botojnë të plotë sa më parë për ta pasur e shfrytëzuar mësuesit dhe nëpunësit e zyrave të ndryshme dhe ata të zyrave të larta qeveritare.

No comments: